Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 18 July 2026FaxWeb

Atentati ndaj Thimjo Rubatit, policia jep detaje: U qëllua me armë zjarri para biznesit të tij! Autorët dyshohet se ishin me skafandra!

By: A R
18 July 2026 at 21:16

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati me armë zjarri i regjistruar mbrëmjen e sotme në Sarandë, ku mbeti i plagosur rëndë 50-vjeçari Thimjo Rubati.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:15, në lagjen nr. 4 të Sarandës, ku shtetasi Thimjo Rubati,  50 vjeç, është plagosur me armë zjarri në rrethana ende të paqarta, përpara biznesit të tij. Nga të dhënat paraprake të hetimit dyshohet se autorët kanë qenë dy persona të maskuar me skafandra, të cilët kanë qëlluar ndaj 50-vjeçarit dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes me një motomjet.

Ndërkohë, burime bëjnë me dije se Rubati ka marrë tre plumba dhe, për shkak të gjendjes së rënduar, është nisur me ambulancë drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.

Pamje nga vendngjarja

“Rreth orës 21:15, në lagjen nr. 4, në Sarandë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri para biznesit të tij, shtetasi Th. R., 50 vjeç. Ai është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.

Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Nga të dhënat e para dyshohet se autorët kanë qenë dy persona me skafandra, të cilët janë larguar nga vendngjarja me motomjet.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, njofton policia e Sarandës.

Kush është Thimjo Rubati alias Sandër Rubati

Thimjo Rubati rezulton një person me precedentë të shumtë penalë. Ai është skeduar më herët për vepra penale që lidhen me trafik klandestinësh, kontrabandë, armëmbajtje pa leje, si dhe trafik të mjeteve motorike.

Burime bëjnë me dije se Rubati ka pak vite që ka dalë nga burgu, pasi ka qenë i arrestuar në Greqi për një ngjarje të rëndë.

Ngjarja ka ndodhur vetëm pak metra larg vendit ku një natë më parë u dhunua oficeri i Policisë Mihal Velço. Për këtë ngjarje, policia ka shpallur në kërkim djalin e Thimjo Rubatit, Andrea Rubati, 27 vjeç, së bashku me Antonio Lefteri, 30 vjeç dhe Engjëll Dalanaj, 30 vjeç, të tre me precedentë penalë.

Pamje nga vendngjarja

Sot protesta e 49-të, nis marshimi nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë

By: A R
18 July 2026 at 20:15

Ka nisur marshimi nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë.

Qytetarët protestojnë prej 49 ditësh dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Kërkesa kryesore e kësaj lëvizjeje, e cila ka mbushur sheshin “Skënderbej” dhe Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” prej javësh, mbetet e pandryshuar: dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i plotë i asaj që ata e konsiderojnë si “kasta politike” që ka mbajtur peng vendin për më shumë se tre dekada.

Rrëzohet aksidentalisht në banesën e motrës, humb jetën 62-vjeçari në Korçë

By: A R
18 July 2026 at 19:53

Një 62-vjeçar nga Bilishti ka humbur jetën pas një rrëzimi aksidental në banesën e motrës së tij në Korçë.

Sipas të dhënave paraprake, viktima me inicialet V.K. kishte shkuar për vizitë te motra, por dyshohet se ka rrëshqitur në tualet, duke pësuar dëmtime të rënda, veçanërisht në kokë.

Ka qenë motra e tij ajo që ka njoftuar urgjencën, e cila e ka transportuar 62-vjeçarin në spital. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Policia ka nisur veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa trupi i viktimës do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore.

Ministri gjerman paralajmëron rritje të rrezikut për sulme terroriste: Mund të ndodhin në çdo kohë

By: A R
18 July 2026 at 18:16

Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, ka paralajmëruar se vendi ndodhet përballë një niveli të lartë kërcënimi, duke theksuar se ekziston rreziku që sulme të ndodhin në çdo moment.

Në një intervistë për edicionin e së dielës të gazetës” Welt”, Dobrindt deklaroi se informacionet e reja të zbulimit e kanë shtyrë të ngrejë vlerësimin e mëparshëm të një kërcënimi abstrakt në një situatë me kërcënim të lartë.

“Kjo do të thotë se në Gjermani duhet të pritet mundësia e sulmeve në çdo kohë”, u shpreh ai, duke shtuar se planet për sulme ndaj Gjermanisë janë “qartësisht të dallueshme”.

Ministri kishte sinjalizuar edhe më herët, gjatë konferencës së ministrave të Brendshëm rreth një muaj më parë, se do të rishikonte nivelin e kërcënimit.

Sipas Dobrindt, ky vlerësim bazohet në një rritje të ndjeshme të informacionit të siguruar nga shërbimet partnere të inteligjencës dhe nga hetimet e autoriteteve gjermane.

Ai përmendi gjithashtu shtimin e incidenteve të sabotimit, si edhe forcimin e rrjeteve të agjentëve brenda dhe jashtë Gjermanisë, të cilët dyshohet se po planifikojnë aktivitete spiunazhi dhe sabotimi.

Vendet e Gjirit Persik reagojnë ashpër: Sulmet iraniane ndaj Bahreinit, Kuvajtit dhe Jordanisë janë krime lufte!

By: A R
18 July 2026 at 17:58

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), Jassem Mohammed Al-Budaywi, ka dënuar sulmet iraniane ndaj infrastrukturës civile në Bahrein, Jordani dhe Kuvajt, duke i cilësuar ato si “krime lufte”. Në një deklaratë zyrtare, Al-Budaywi tha se veprimet e Iranit përbëjnë një përshkallëzim të rrezikshëm dhe një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara. “Veprimet e Iranit përbëjnë një përshkallëzim jashtëzakonisht të rrezikshëm, një shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së, si dhe krime lufte, duke pasur parasysh shënjestrimin e qëllimshëm të infrastrukturës dhe objekteve civile”, deklaroi ai.

Reagimi vjen pasi Irani ndërmori sulme të reja ndaj aleatëve të Shteteve të Bashkuara në rajon dhe Jordanisë, pas një vale sulmesh amerikane ndaj objektivave ushtarake iraniane. Në Kuvajt, sulmet prekën një impiant shkripëzimi uji dhe detyruan Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit të pezullojë operacionet për shkak të kërcënimeve nga raketat dhe dronët. Garda Revolucionare iraniane deklaroi se kishte goditur një qendër mbështetëse ushtarake amerikane në Kampin Arifjan dhe kishte shkatërruar një instalim radarësh në Bazën Ajrore Ali Salem.

Ndërkohë, Korporata e Naftës së Kuvajtit njoftoi se një nga objektet e saj ishte goditur nga “sulme të përsëritura iraniane”, duke shkaktuar dëme materiale dhe të plagosur. Forcat e armatosura të Kuvajtit thanë se kishin neutralizuar raketa balistike dhe dronë iranianë, ndërsa disa zjarrfikës dhe punonjës të sektorit të naftës mbetën të plagosur.

Irani paralajmëron sulme të tjera
Teherani deklaroi se sulmet ndaj aleatëve të SHBA-së ishin kundërpërgjigje ndaj goditjeve amerikane ndaj urave, objekteve energjetike dhe infrastrukturës tjetër në Iran. Garda Revolucionare paralajmëroi se vendet aleate të Uashingtonit në rajon duhet të presin sulme të tjera. Ministria iraniane e Shëndetësisë deklaroi se 50 persona janë vrarë dhe mbi 500 janë plagosur nga sulmet amerikane gjatë tre javëve të fundit. Sipas mediave shtetërore iraniane, Garda shënjestroi gjithashtu një bazë ajrore në Bahrein, ku ndodhen avionë luftarakë amerikanë, si dhe një qendër të të dhënave të inteligjencës.

 

Irani pretendoi gjithashtu se kishte shkatërruar dy avionë luftarakë amerikanë dhe tre mjete të tjera ajrore gjatë një sulmi me raketa dhe dronë ndaj bazës amerikane Al-Azraq në Jordani. Këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur. Sipas burimeve të cituara nga Reuters, Irani ka nisur gjithashtu sulme ndaj Arabise Saudite për herë të parë pas rreth tre muajsh. Sulmet shkaktuan alarme në zonën e Al-Kharj, pranë kryeqytetit Riad, dhe në Yanbu, në brigjet e Detit të Kuq. Një prej objektivave të dyshuara ishte Baza Ajrore e Princ Sultan, ku ndodhen forca amerikane. Autoritetet saudite nuk kanë dhënë detaje mbi shkakun e alarmeve, ndërsa Garda Revolucionare nuk ka përmendur sulme ndaj Arabisë Saudite. Përshkallëzimi i fundit ka rritur shqetësimet për një zgjerim të konfliktit në të gjithë rajonin e Gjirit Persik.

Argjentina, statistikat e frikshme përpara finales së Botërorit

By: A R
18 July 2026 at 17:54

Argjentina përfundoi një tjetër kryevepër plot zemër, futboll dhe adrenalinë. Spanja do të takohet të dielën në finale në Nju Xhersi me një ekip historik, plot me të dhëna të mahnitshme dhe me disa rekorde që tashmë kanë mbetur për pasardhësit..

Ndoshta, nëse Spanja dëshiron të jetë kampione për herë të dytë në historinë e saj, jo vetëm që do t’i duhet të mposht një herë kampionët e botës në fuqi, por do të duhet ta fikë disa herë për të mundur fitoren dhe të heqë dorë nga një skuadër mbështetëse, e cila ka ‘shtatë jetë’, siç ka treguar në këtë Kampionat Botëror, në të cilin shpëtoi 4 “match point” radhazi kundër Kepit të Gjelbër (në 1/16 në kohën shtesë), kundër Egjiptit (1/8 në minutat e fundit duke u kthyer nga 0-2), kundër Zvicrës (1/4 në kohën shtesë), dhe të mërkurën në fitoren e pabesueshme kundër Anglisë (në diasvantazh 1-2, duke u kthyer nga rezultatin vetëm në shtatë minuta).

Por përtej të gjitha këtyre ndjenjave, ka pesë të dhëna statistikore që e bëjnë këtë Kombëtare të pashkatërrueshme për momentin.

1- Që nga humbja e tyre në gjysmëfinale të “Copa America” 2019 kundër Brazilit, kjo skuadër ka fituar 15 ndeshje vendimtare me eliminim radhazi për shtatë vjet. Që nga viti 2019 Argjentina i ka fituar të gjitha.
2- Që nga ajo humbje kundër Brazilit, gjithçka ka ndryshuar. Ata kanë luajtur 92 ndeshje, me 75 fitore, 12 barazime dhe pesë humbje. Një CV e mrekullueshme nga Lionel Skaloni. Rezultati: katër tituj, Kupa e Botës 2022, Finalisima 2022 dhe dy “Copa America” (2021 dhe 2024).

 

3- Në këtë Kupë Bote, Argjentina ka shënuar 11 gola në ndeshjet e tyre eliminatore (1/ 16, 1/8, 1/4 dhe 1/2). Nëntë prej tyre kanë qenë pas minutës së 75-të të lojës (82%), gjë që jep një ide për qëndrueshmërinë e kësaj Kombëtare.

4- Lionel Skaloni është trajneri i tretë kampion bote (2022) me Argjentinën pas Cesar Luis Menotit (1978) dhe Karlos Bilardos (1986). Me këtë finale të dielën, trajneri me bazë në Majorka mund të parin dhe barazon të dytën, pasi Bilardo arriti edhe në finalen e humbur kundër Gjermanisë (1990). 5- Arritja e kampionatit.

Kjo Argjentinë është vetëm një hap larg arritjes së një arritjeje të paprecedentë në futbollin modern, që është të fitojë dy Kupa Bote radhazi (2022 dhe 2026), diçka që Italia e bëri në 1934-1938 dhe Brazili në 1958-1962.

Ish-drejtoresha e Postës së Durrësit mbetet në burg, avokati: Vendim absurd, nuk ka prova që ka marrë paratë

By: A R
18 July 2026 at 17:50

Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-drejtoreshën e filialit të Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, e akuzuar për përfshirje në vjedhjen e parave të pensioneve. Pas vendimit, ka reaguar avokati i saj mbrojtës, Ilia Ilia, i cili e ka cilësuar absurd vendimin e gjykatës së shkallës së parë, duke pretenduar se ndalimi i klientes së tij është bërë në mënyrë të paligjshme dhe se nuk ekzistojnë prova që e lidhin atë me marrjen e parave.

“Nuk ka asnjë provë që ta implikojë Elisabeta Matajn në bashkëpunim kriminal për vjedhjen e asaj shume”, deklaroi avokati për mediat.

Sipas Ilisë, Mataj është emëruar në detyrën e drejtoreshës në tetor të vitit 2025 dhe, pas konstatimit të parregullsive në sistemin financiar të institucionit, ajo i ka raportuar ato me shkresa pranë Postës Shqiptare në Tiranë. Avokati tha se mbi bazën e këtyre raportimeve është kryer një auditim rreth njëmujor, ku janë konstatuar shkelje nga dy punonjëse të tjera, përkatësisht shefja e financës dhe arkëtarja.
“Nuk ka asnjë provë që i ka marrë Elisabeta Mataj. Akuza pretendon se ka tre sekuenca filmike ku shefja e financës i ka dërguar paratë në zyrën e Matajt”, u shpreh avokati. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, ndërsa tre punonjëset e Postës së Durrësit akuzohen për shpërdorim detyre dhe përvetësim të parave të pensioneve.

 

Rikthehen bastet sportive online, qeveria plotëson kuadrin ligjor pas 2 vitesh vonesë: 10 licenca në dispozicion, rregulla të reja për lojtarët

By: A R
18 July 2026 at 17:45

Qeveria plotëson kuadrin ligjor që i hap rrugë lejimit të basteve sportive online, 28 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit. Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit sqaron procedurat që do të ndiqen për licencimin e kompanive por ende nuk ka një afat për hapjen e konkurrimit. Bastet do të lejohen vetëm online dhe përmes identifikimit me kartë identiteti.

Pas 28 muajsh nga miratimi i ligjit “Për lojërat e Fatit në Republikën e Shqipërisë”, janë miratuar edhe të gjitha aktet nënligjore për t’i hapur rrugën më tej lejimit të basteve sportive online.

Janë 8 akte nënligjore, VKM dhe Udhëzime që kanë marrë dritën jeshile në qeveri. Dy të fundit u miratuan më 26 qershor, ku caktohen procedurat dhe afatet për pezullimin apo revokimin e licencës së lojërave të fatit “basteve sportive online”, si dhe vendimi për administrimin e fondit te posaçëm të krijuar nga veprimtaritë e lojërave të fatit.

“Ligji 155/2015 “Për lojërat e Fatit në Republikën e Shqipërisë” (i  ndryshuar), me miratimet e fundit është plotësuar me aktet nënligjore përsa i përket kategorisë së lojës “Baste Sportive online”, thotë në një përgjigje për Report TV, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

Vonesën me më shumë se 2 vite për plotësimin e ligjit me aktet nënligjore për ta bërë atë të zbatueshëm, më herët Ministria e Financave e pati sqaruar me argumentin se bëhej fjalë për një proces me kompleksitet të lartë teknik dhe institucional, të cilat kërkonin cikle të zgjeruara konsultimesh dhe verifikimesh, për shkak edhe të sistemeve të reja që duhet të ngriheshin.

Ligji në fuqi parashikon dhënien e 10 licencave, por ende nuk ka një afat se kur do të hapen thirrjet për të aplikuar. Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit sqaron se ky institucion, Komisioni i Licencave dhe sekretariati teknik do të organizojnë procedurat konkurruese për dhënien e licencave.

“Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF), Komisioni i Licencave i ngritur në bazë të nenit 17/1 të ligjit 155/2015 “Për lojërat e Fatit në Republikën e Shqipërisë” të  ndryshuar, dhe sekretariati teknik pranë tij organizojnë procedurat konkurruese dhe vlerësuese sipas detyrave përkatëse, të përcaktuara me ligj dhe në këtë vendim. Komisioni i licencave merr vendim për hapjen e një procedure konkurruese dhe numrin e licencave që do të jepen në thirrje. Brenda 7(shtatë) ditëve nga marrja e vendimit për hapjen e procedurës konkurruese nga Komisioni I Licencave, AMLF publikon njoftimin për konkurrim për dhënien e licencës për ofrimin e “Basteve Sportive online” në faqen zyrtare të internetit, në dy gazeta ndërkombëtare, si dhe ne Buletinin e Njoftimeve Publike”, thuhet në përgjigje.

Bastet sortive online do të mund të luhen vetëm nëse hyni në sistem me kartë identiteti, madje edhe të skanuar. Sistemet ku do të organizohen bastet do të garantojnë mekanizma për gjurmim të çdo veprimi të përdoruesit, si edhe të ketë algoritme të posaçme për llogaritje të fitimeve.

Në ligjin e miratuar në shkurt të 2024-ës në nenin 22 të tij janë vendosur edhe kushtet që duhen plotësuar për të aplikuar për licencë, ndër të cilat janë:

– Kompania duhet të ketë kapital themeltar 40 milionë lekë.
-subjekti aplikues ose të paktën njëri prej aksionarëve të tij duhet të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit në jo më pak se 3 shtete të BE/OECD dhe për jo më pak se 3 vjet. Nëse përvojën në fushën e lojërave të fatit e ofron njëri prej aksionarëve të subjektit aplikues, ai duhet të zotërojë jo më pak se 30 për qind të aksioneve në shoqëri.
-subjekti aplikues ose të paktën njëri nga aksionarët duhet të ketë gjeneruar në vitin e fundit financiar të paktën 2 miliardë lekë xhiro nga aktiviteti në fushën e lojërave të fatit
Gjithashtu organizatorët e basteve sportive online janë të detyruar të ngurtësojnë një fond prej 120 milionë lekësh, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.

Rihapja e basteve sportive online po vjen gati 7 vite pasi aksioni ‘Fundi i Marrëzisë’ që u zbatua nga 1 janari 2019, prej të cilit u mbyllën 4.214 pika bastesh në vend.

26 të përjashtuar nga Policia në 6 muajt e parë të vitit! Referime në prokurori për 232 punonjës policie dhe 2 të Gardës

By: A R
18 July 2026 at 17:42

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore publikon raportin statistikor për 6 – mujorin e parë të vitin 2026.

Sipas raportit, përgjatë periudhës Janar-Qershor të këtij viti janë përjashtuar nga radhët e policisë 24 efektivë, ndërsa janë janë kryer referime në prokurori për 232 punonjës policie dhe 2 punonjës të Gardës.

AMP thotë se ka arrestuar në flagrancë 9 punonjës policie, 1 gardist dhe 1 punonjës të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.

Ajo çfarë bie më shumë në sy është numri i lartë i ankesave të trajtuara që kanë rezultuar të pabazuara sipas AMP-së. Në 6-mujorin e parë të këtij viti, në adresë të këtij institucioni janë kryer 752 kërkesa, nga të cilat 434 raste kanë dalë të pabazuara dhe 251 nuk janë arritur të provohen. Pas ankesës së mbërritur, AMP thotë se është hapur dosje penale për 15 raste.

Horrori në Athinë! U gjet brenda një valixheje të braktisur, trupi i pajetë i përket një gruaje (Detajet)

By: A R
18 July 2026 at 17:38

Zbardhen detaje nga ngjarja e rëndë që tronditi zonën e Kypselit në Athinë, pasi një valixhe e dyshimtë e gjetur në një ndërtesë të braktisur rezultoi se përmbante trupin e një gruaje.

Alarmi u dha pasditen e së shtunës, më 18 korrik, në rrugën Evelpidon, ku një person i pastrehë gjeti valixhen dhe njoftoi autoritetet. Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët e Policisë Helenike zbuluan se brenda saj ndodhej trupi i një gruaje në fazë të avancuar dekompozimi. Sipas informacioneve paraprake, viktima ishte e veshur me pantallona të shkurtra.

Zona u rrethua menjëherë nga policia, ndërsa ekipet mjeko-ligjore nisën mbledhjen e provave. Pritet ekspertiza mjeko-ligjore, e cila do të ndihmojë në përcaktimin e identitetit të gruas, kohës së vdekjes dhe shkaqeve të saj. Një banor i zonës ka deklaruar për mediat greke se ndërtesa e braktisur ishte e hapur deri rreth dy vite më parë dhe përdorej si strehë nga persona të pastrehë, por më pas u mbyll pas një zjarri.

Sipas tij, javët e fundit ai kishte parë një person të pastrehë që qëndronte në atë zonë, por ai nuk ishte parë më ditët e fundit. Hetimin e çështjes e ka marrë përsipër Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Në Angli nuk e do më askush, Tuchel e shpëtojnë nga shkarkimi klauzolat dhe… Guardiola

By: A R
18 July 2026 at 17:33

Tomas Tuhel do të vazhdojë të jetë trajneri i Anglisë të paktën deri në Europianin e vitit 2028, siç ka kontratën me Federatën Angleze. Kjo është ajo që raportojnë mediat ndërkombëtare të cilat kanë bërë të ditur se në klauzolat që mund ta largonin atë nga drejtimi i Anglisë nuk mund të aktivizohen më.

Sipas “The Athletic”, në marrëveshjen mes palëve kishte klauzola të veçanta për të mundësuar edhe ndërprerjen e menjëhershme të bashkëpunimit mes palëve nëse nuk arriheshin objektiva të caktuar. Por këto klauzola ishin deri për arritjen ne çerekfinalen e Botërorit. Nëse Anglia arriti deri në gjysmëfinale, asnjë nga klauzolat nuk mund të aktivizohej dhe kështu, sipas marrëveshjes, Federata nuk mund të ndërpresë pa dëmshpërblim të rëndë financiar akordin me Tuhel.

Problemi tjetër është se për momentin nuk ka një emër të tjetër me të cilin të mund të zëvendësohet gjermani. Në fakt ekziston një, Pep Guardiola, i cili kishte qenë zgjedhje e parë para emërimit të Tuhel në vitin 2024. Por pastaj ai rinovoi me Sitin dhe Federata ktheu sytë nga Tuhel. Fakti që Guardiola për momentin nuk i ka hapur dritën e gjelbër kthimit në pankinë kaq shpejt, bën që Federata Angleze të jetë e detyruar të vazhdojë me Tuhel.

I nxehti nuk “than” Fierzën / Niveli i ujit 292,3 metra mbi mesataren për këtë periudhë

By: A R
18 July 2026 at 17:31

Edhe pse i nxehti dhe mungesa e reshjeve  kanë përfshirë vendin përgjatë dy muajve të fundit niveli i ujit në Fierzë mbetet  mbi mesataren për periudhën e verës.

Sipas të dhënave kuota rezulton  292,3 metra mbi nivelin e detit  edhe pse ka pësuar një ulje me rreth 4 metra ndërsa prurjet janë   120 metër kub ujë në sekondë. Nëse shohim historikun e nivelit të ujit në Fierzë nga të dhënat e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare  rezulton se janë të rralla nivele të tilla  për korrikun  duke siguruar prodhim të  pandërprerë të energjisë elektrike deri në sezonin e reshjeve të vjeshtës.

Liqeni i Fierzes, për më shumë se dy muaj ruajti të paprekur rezervën ujore dhe kuotën maksimale prej 296 metrash mbi nivelin e detit, një periudhë e pazakontë për periudhën e verës.

Ndërkohë, që  Shqipëria po zgjeron burimet alternative të prodhimit të energjisë. Aktualisht, rreth 10% e energjisë elektrike totale për të cilën ka nevojë vendi po  prodhohet nga parqet fotovoltaike, ndërsa objektivi është që deri në vitin 2030 më shumë se gjysma e prodhimit të energjisë të vijë nga burimet e rinovueshme.

Kapen mbi 55 kg marijuanë në kufirin greko-shqiptar, pranga 68-vjeçarit

By: A R
18 July 2026 at 17:30

Një operacion i organizuar dhe i koordinuar nga oficerët e Departamentit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Follorinë ka çuar në arrestimin e një shtetasi shqiptar, 68 vjeç, i dyshuar për trafikimin e një sasie të madhe lënde narkotike.

Sipas autoriteteve greke, pas shfrytëzimit të informacionit operacional dhe në kuadër të masave për goditjen e trafikut ndërkombëtar të drogës, policia lokalizoi mëngjesin e djeshëm automjetin që drejtohej nga 68-vjeçari në një zonë të Follorinës.

Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dy çanta udhëtimi dhe një thes, brenda të cilëve ndodheshin 50 pako me marijuanë, me një peshë totale bruto prej 55 kilogramë e 422 gramë. Gjithashtu, policia sekuestroi edhe tre telefona celularë, të cilët do t’i shërbejnë hetimeve.

Kohët e fundit është konstatuar një riaktivizim i trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë. Gjatë 11 muajve të fundit, policia greke ka sekuestruar mbi 1.2 ton marijuanë në zonat e Igumenicës, Janinës, Kosturit, Follorinës dhe Selanikut.

Rastet më të shumta lidhen me linjën e trafikut Sarandë–Igumenicë, nga e cila dyshohet se është transportuar pothuajse gjysma e sasisë së drogës së sekuestruar në këto zona. Në një prej rasteve më të bujshme, autoritetet greke kanë bllokuar në Igumenicë edhe një skaf të ngarkuar me lëndë narkotike.

Aksidentet e shumta në Lushnjë-Rrogozhinë, mungesa e mbikalimeve dhe shitësit ambulantë shtojnë rrezikun në këtë aks rrugor

By: A R
18 July 2026 at 17:29

Autostrada Lushnjë-Rrogozhinë është një nga akset rrugore me numrin më të lartë të aksidenteve, ku përveç përplasjeve dhe daljeve nga rruga, problem mbeten edhe këmbësorët, të cilët kalojnë nga njëri krah i rrugës në tjetrin duke rrezikuar jetën çdo ditë.

Problem janë gjithashtu edhe shitësit ambulantë dhe fermerët, të cilët kanë ngritur tezga ngjitur me rrugën, duke u kthyer në një burim rreziku për aksidente.

Megjithatë, rreziku më i madh shpeshherë janë këmbësorët përgjatë fshatrave ku kalon kjo autostradë, pasi në disa raste banorët tentojnë të kalojnë nga njëri krah i rrugës në tjetrin, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të drejtuesve të automjeteve.

Siç shihet edhe nga pamjet, ky fenomen vijon çdo ditë në këtë segment rrugor. Të pyetur se përse zgjedhin të kalojnë rrugën duke rrezikuar jetën, banorët shprehen se pranë zonave të tyre nuk ka mbikalime apo nënkalime dhe për këtë arsye zgjedhin rrugën më të shkurtër.

Megjithatë, edhe në rastet kur ka mbikalime, disa banorë zgjedhin sërish të kalojnë në rrugë, siç ishte rasti i një 75-vjeçareje, e cila u aksidentua 5 ditë më parë.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë uron prof. dr. Nikolla Qafokun për zgjedhjen në Washington State Academy of Sciences

By: A R
18 July 2026 at 15:14

Akademia e Shkencave e Shqipërisë uron dhe përgëzon prof. dr. Nikolla (Niko) Qafokun për zgjedhjen e tij si anëtar i Washington State Academy of Sciences (WSAS), një vlerësim i lartë që i akordohet personaliteteve me kontribute të shquara shkencore dhe ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e shkencës dhe të shoqërisë.

Prof. dr. Qafoku është një nga pesë studiuesit e Pacific Northwest National Laboratory (PNNL) që u zgjodhën këtë vit në WSAS, në vlerësim të kontributeve të tij shumëvjeçare në shkencat e mjedisit, mbrojtjen e tokës dhe ujërave, rehabilitimin e zonave të ndotura, bujqësinë e qëndrueshme dhe proceset e dekarbonizimit. Kërkimet e tij mbi transportin dhe sjelljen afatgjatë të elementeve radioaktive dhe metaleve në tokë e ujërat nëntokësore kanë dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në strategjitë e rehabilitimit mjedisor, vlerësimin e riskut dhe mbrojtjen e burimeve ujore.

Përveç detyrës si Laboratory Fellow në Pacific Northwest National Laboratory, prof. dr. Qafoku është profesor i asociuar në University e Washingtonit, pedagog i jashtëm në Universitetin Shtetëror të Washingtonit, si dhe profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë vlerëson veçanërisht bashkëpunimin e gjatë dhe të frytshëm të prof. dr. Qafokut me institucionin tonë. Ai ka qenë një mbështetës i rëndësishëm i reformimit dhe ndërkombëtarizimit të veprimtarisë shkencore të Akademisë, duke marrë pjesë aktive në konferenca, forume dhe veprimtari të përbashkëta shkencore, si dhe në nismat e organizuara në bashkëpunim me rrjetin Alb-Shkenca.

Prof. dr. Qafoku është gjithashtu anëtar i Bordit Editorial të revistës Albanian Journal of Natural and Technical Sciences (AJNTS) dhe Kryeredaktor i Seksionit të Shkencave të Mjedisit në këtë revistë, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e cilësisë shkencore dhe ndërkombëtarizimin e saj.

Në vlerësim të kontributit të tij të shquar shkencor dhe të bashkëpunimit të vazhdueshëm me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike ka miratuar propozimin për zgjedhjen e prof. dr. Nikolla Qafokut si Anëtar i Jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, procedurë që pritet të përmbyllet sipas statutit të Akademisë.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë i shpreh prof. dr. Nikolla Qafokut urimet më të përzemërta për këtë vlerësim të ri ndërkombëtar dhe i uron suksese të mëtejshme në veprimtarinë e tij shkencore, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi i tij me Akademinë do të vijojë të kontribuojë në zhvillimin e shkencës shqiptare dhe në forcimin e lidhjeve me komunitetin shkencor ndërkombëtar.

Steka që BIRN ia vuri vetes

By: A R
18 July 2026 at 15:07

Nga Ardit Rada

Më 15 korrik, Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në pushtet, shkroi vetëm një fjalë për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Shqipëri (BIRN): turp. Shkas u bë një postim në llogarinë personale në Facebook të Gjergj Erebarës, një gazetar i identifikuar prej kohësh me BIRN-in, me një imazh që madje edhe rrjeti për lirinë e medies që doli në mbrojtje të tij, më vonë e përshkroi kalimthi si të modifikuar. Balla nuk u mjaftua vetëm me imazhin apo me personin. Ai ia atribuoi postimin personal organizatës, e quajti Erebarën redaktor dhe bashkëpunëtor të BIRN-it, përmendi me emër Fondacionin Shoqëria e Hapur, agjencinë suedeze të zhvillimit, programet e Bashkimit Evropian dhe ambasadat e huaja si financues të tij, dhe njoftoi se do t’i kontaktonte ata drejtpërdrejt.

Le ta themi qartë dhe pa asnjë ekuivok qysh në fillim: që një zyrtar i lartë i partisë në pushtet të njoftojë se do të raportojë aktivitetin e një gazetari në Facebook te financuesit e një redaksie të pavarur, kjo nuk është kritikë mediatike. Ky është presion shtetëror mbi financimin e gazetarisë, është një akt i papranueshëm në çdo vend evropian ku Shqipëria aspiron të integrohet, dhe nëse ndonjë pjesë e këtij shkrimi citohet për të mbështetur një veprim të tillë, do të jetë një citim i jo i ndershëm.

Tani le të kalojmë te pjesa më delikate. Metoda e Ballës është jolegjitime. Por çështja që fshihet pas saj nuk është e tillë. Dhe zhvillimi më domethënës i javës nuk është asgjë nga ato që tha Balla, por ajo që ndodhi me identitetin publik të Gjergj Erebarës në ditët pas asaj deklarate.

Deri më 12 korrik, profili publik i Erebarës në Facebook mbante dy statuse punësimi: gazetar në BIRN Albania, gazetar në Reporter.al, me një link të vetë faqes. Faqja e tij si autor në Reporter.al e përshkruante atë; dhe në momentin që po flasim ende e përshkruan; si redaktor të BIRN-it në Tiranë. Deri më 16 korrik, Rrjeti SafeJournalists, në një deklaratë të shkruar në mbrojtje të tij, e cilësoi si kontribuues të jashtëm dhe jo si gazetar apo redaktor të redaksisë. Dhe brenda kësaj jave, të dhënat e punësimit u zhdukën plotësisht nga profili i tij. Njoftimi kryesor tani thotë: gazetar, Tiranë, Universiteti i Tiranës. Profesioni i mbijetoi ndërhyrjes. Punëdhënësi jo.

Ne nuk e dimë se kush i hoqi këto afiliime apo me sugjerimin e kujt, dhe nuk duam të hamendësojmë, sepse çdo motiv i mundshëm; maturia e tij personale, kërkesa e organizatës apo këshilla e një avokati; përputhet njësoj me faktet. Por kjo kronologji nuk ka nevojë për një motiv që të marrë kuptim. Për gjashtë javë rresht, ndërsa Erebara pagëzoi një lëvizje proteste, argumentoi kauzën e saj dhe festonte për “viktimat” e saj, identiteti i tij si pjesë e BIRN-it vazhdoi të ishte publik. Brenda pak ditësh u çmontua gjithçka pas kërcënimit të një zyrtari të mazhorancës për ta çuar këtë identitet te financuesit e BIRN-it. Ndarja midis gazetarit dhe qytetarit, të cilën Erebara e bëri më 15 korrik për të mbrojtur veten: “Unë jam gazetar, jam gjithashtu qytetar, protestoj si qytetar” u ngrit si një alibi prapavepruese, nën presionin e sulmeve, përmes një ndërhyrjeje të heshtur në biografinë e një profili në Facebook. Ajo nuk ekzistonte në javët kur kishte vërtet rëndësi.

Çfarë qëndronte në sy të publikut

Dosja që u akumulua pas atij identiteti është e dokumentuar, me data dhe, në një pjesë të madhe, e publikuar nga vetë BIRN-i.

Në fund të majit, kur protestat e Zvërnecit po përshkallëzoheshin, Erebara propozoi në rrjetet sociale që lëvizja të quhej “Revolucioni i Flamingove”. Emri ngjiti brenda pak ditësh; e gjejmë në pankarta, në ilustrime artistike dhe në raportimet ndërkombëtare, ndërsa kronistët asnjanës ia njohin atij autorësinë. Midis 19 qershorit dhe 10 korrikut, Reporter.al publikoi nën autorësinë e tij një seri gati të përditshme esesh në vetën e parë mbi lëvizjen: për revolucionet dhe fjalorin, për zemërimin dhe algoritmet, për shqetësimet e pavenda të Kryeministrit, si dhe një shkrim opinioni më 28 qershor me titull “Revolucioni si alternativë ndaj tranzicionit të pafund”, ku vetë titulli është teza. Më 21 qershor, një analizë për turizmin dhe betonin u publikua nën rubrikën e lajmeve. Më 11 korrik, nga llogaria e tij personale, ai postoi pamjen e një vlerësimi të ulët restorantesh;1.2 yje në kulmin e sezonit; dhe ironizoi Kryeministrin se dëmi nuk mund të riparohej më. Ndërsa më 10 korrik, Reporter.al publikoi një analizë të detajuar të hetimit policor ndaj fushatës së vlerësimeve, të raportuar në mënyrë profesionale nga një gazetar i redaksisë, ku në asnjë moment nuk i bëhej e ditur lexuesit se njeriu që vetë faqja e autorëve e quan redaktor të BIRN-it në Tiranë, e kishte pagëzuar lëvizjen nën hetim, e kishte mbështetuar atëpër një muaj rresht dhe ishte protagonist publik në polemikën që mbulonte artikulli.

Erebara ka të gjithë të drejtën të ketë bindjet dhe pikëpamjet e tij. Ne kemi mbrojtur, dhe vazhdojmë të mbrojmë, të drejtën e tij për të protestuar, të drejtën për të mos u intimiduar, si dhe të drejtën për të mos u etiketuar si terrorist apo sulmues nga një korpus mediatik që po zgjedh me kujdes epitete për t’i bërë qejfin një prokurori. Anësia është një të drejtë. Ajo që nuk është e drejtë, është papajtueshmëria e saj me infrastrukturën përmes së cilës ai e ushtroi. Esetë u publikuan në platformën e BIRN-it. Pesha e atyre ironive buronte pikërisht nga emri i BIRN-it. Tetëmijëepesëqind ndjekësit u akumuluan gjatë një karriere të ndërtuar nën logon e BIRN-it. Një njeri mund të jetë qytetar në kohën e tij të lirë. Por nuk mund të jetë qytetar përmes kanaleve të shpërndarjes së një redaksie investigative, ndërkohë që vetë redaksia e mbulon kauzën e tij si lajm, sepse në atë pikë anësia nuk është më e tijja. Ajo bëhet institucionale.

Steka, me fjalët e vetë BIRN-it

Çështja tani i takon aty ku ka qenë gjithmonë: jo te individi, por te institucioni dhe te standardi që vetë institucioni ka vendosur për veten.

Vetëpërshkrimi institucional i BIRN-it e angazhon atë që t’i ofrojë publikut informacione të paanshme dhe të besueshme. Kjo fjalë, i paanshëm, nuk është dekor. Ajo është kushti thelbësor në një kontratë. Është ajo që e dallon BIRN-in, sipas vetë narrativës së tij, nga shtypi partiak që ai heton; është premisa mbi të cilën ambasadat, programet evropiane dhe agjencitë e zhvillimit e financojnë; është arsyeja pse gjetjet e tij citohen në raportet e progresit dhe në kancelari diplomatike, në vend që të hidhen poshtë si propagandë apo aktivizëm. Kodet e industrisë me të cilat BIRN-i v nuk lënë vend për interpretime lidhur me detyrimet e këtij parimi: gazetarët duhet të shmangin aktivitetet politike dhe çdo aktivitet tjetër të jashtëm që komprometon integritetin ose paanshmërinë, konfliktet e interesit duhet të deklarohen dhe menaxhohen, dhe lexuesi duhet të jetë gjithmonë në gjendje të dallojë lajmin nga opinioni. Një stekë e lartë, e vendosur vullnetarisht, e reklamuar ndërkombëtarisht dhe për të cilën merren fonde çdo vit.

Pyetja që kjo çështje i shtron BIRN-it është nëse kjo stekë ekziston në praktikë, dhe sjellja e organizatës deri më tani sugjeron një përgjigje që duhet ta vërë atë në siklet. Shikoni çfarë thonë materialet e saj për atë se kush është Erebara. Faqja e autorit: një redaktor i BIRN-it në Tiranë. Lista e publikuar e stafit të BIRN Albania: shtatë emra — një drejtor ekzekutiv, një kryeredaktor, pesë gazetarë, dhe asnjë Erebara. Profili i tij, deri këtë javë: gazetar në BIRN Albania. Mbrojtësit e tij, këtë javë: një kontribuues i jashtëm. Katër përshkrime, të përdorura sipas një skeme që çdo audit do ta njihte menjëherë. Titulli zgjerohet kur autoriteti është i dobishëm dhe tkurret kur shfaqet përgjegjësia. Ai është redaktor te faqja e autorëve dhe kontribuues në dosjen e mbrojtjes, një koleg kur fiton çmime dhe një freelancer kur kreu i një grupi parlamentar fillon të përmendë financuesit.

Pas kësaj mund të fshihet një logjikë organizative krejtësisht e pafajshme: BIRN Albania dhe rrjeti rajonal i BIRN-it janë entitete të ndryshme, titujt ndryshojnë, faqet e stafit nuk përditësohen. Nëse është kështu, korrigjimi kërkon vetëm një paragraf dhe BIRN-i duhet ta publikojë atë sot. Por ajo që organizata nuk mund të bëjë, sipas standardeve të saj, është ajo që po bën tani: të lejojë që paqartësia të funksionojë në të dyja drejtimet dhe të shpresojë që java të kalojë. Një redaksi investigative që kërkon organigrama, kontrata dhe pronarë përfitues nga secili që mbulon, nuk mund t’u përgjigjet pyetjeve rreth logos së saj duke ndryshuar në heshtje po atë logo.

Pse statusi i “kontribuuesit të jashtëm” nuk shërben si alibi

Edhe sikur ta marrim të mirëqenë këtë tërheqje. Supozojmë se Erebara është, dhe ka qenë, një kontribuues i jashtëm. Çështja institucionale nuk zbutet. Përkundrazi, bëhet më e mprehtë.

Sepse atëherë dosja lexohet si vijon: Redaktorët e BIRN-it, stafi emrat e të cilëve shfaqen në listën e publikuar, zgjodhën të publikonin thuajse çdo ditë një sërë shkrimesh personale në mbrojtje të kauzës, të shkruara nga një protagonist publik i një lëvizjeje politike nën logon e tyre, ku një pjesë e materialeve u kategorizua si lajm, gjatë gjithë periudhës kur e njëjta redaksi po mbulonte atë lëvizje, fushatën e saj të bojkotit dhe reagimin e policisë, pa asnjë rresht sqarues mbi konfliktin e interesit. Një kontribuues i jashtëm nuk e porosit vetë artikullin e tij. Dikush i redaktoi ato ese. Dikush e kategorizoi njërën prej tyre te rubrika Lajme. Dikush vendosi që analiza e 10 korrikut mbi hetimin policor nuk kishte nevojë për shënim mbi konfliktin e interesit. Këto janë vendime redaksionale, ato u morën nga vetë redaksia e BIRN-it, dhe rikategorizimi i statusit të punësimit të autorit e transferon përgjegjësinë për to më lart, jo më larg. Mbrojtja me argumentin e “kontribuuesit” nuk e shfajëson institucionin. Ajo nxjerr zbuluar redaktimin.

Ky është ndryshimi midis çështjes që ngre ky artikul dhe kërcënimit të Ballës. Balla dëshiron që financuesit e BIRN-it ta ndëshkojnë atë për bindjet e tij politike. Ne të tjerët dëshirojmë që BIRN-i të luajë rolin që u ka thënë financuesve luan. Donatorët nuk do të bazohen tek ajo që do t’u çojë Balla për të ngritur pyetjen nëse ata po bëjnë siç duhet punën e tyre. Ata do të ngrenë çështjen e drejtimit: ku është kodi redaksional i publikuar, ku është politika e transparencës për kontribuuesit e përfshirë në kauzat që mbulon redaksia, ku është regjistri se kush mban cilin titull, dhe pse asnjëri nga këta mekanizma nuk prodhoi asnjë fjali të vetme sqaruese në gjashtë javë mbulim mediatik, kur një gjë e tillë ishte qartësisht e domosdoshme? Një organizatë e financuar për të qenë model i transparencës nuk duhet të ketë nevojë që ky model t’i shpjegohet nga një kreu grupi parlamentar me inate personale.

Ajo që ndryshon këtë javë është më shumë se sikleti i një redaksie.

Paanshmëria e llojit që proklamon BIRN-i nuk është një veti e artikujve individualë. Ajo është një garanci për të gjithë prodhimin e tij mediatik. Lexuesi që i beson një investigimi të BIRN-it nuk i verifikon dokumentet e tij për herë të dytë. Ambasada që citon raportimet e tij në një raport progresi nuk i përsërit intervistat. Redaktori i huaj që merr nga ata rindërtimin e ngjarjeve shqiptare, nuk porosit një të dytë. Këtë punë e bën etika dhe emri, dhe ky është i gjithë funksioni ekonomik i këtij standardi: ai e përjashton institucionin nga dyshimi dhe zhvleftësimi që çdo lexues ia aplikon medieve partiake. Kjo paanësi është një certifikatë, dhe certifikatat digjen kur dështon procesi, jo kur gabon një fakt i vetëm.

Çështja Erebara e djeg procesin pikërisht në atë fushë mbulimi ku ai mund të kontrollohej. Për gjashtë javë, zëri më pjellor në Reporter.al lidhur me Revolucionin e Flamingove ishte një njeri që i kishte vënë emrin lëvizjes, e kishte mbrojtur atë çdo ditë dhe ishte lumturuar nga dëmet e saj kolaterale, ndërkohë që faqja e mbulonte po atë lëvizje si lajm dhe asnjë lexues nuk u njoftua për këtë. Që do të thotë se kjo medie, e cila i dha formë perceptimit vendas dhe ndërkombëtar të këtyre protestave, duke filluar nga artikulli që gjurmoi zanafillën e bojkotit te forumet në Reddit, te shkrimi i 10 korrikut ku hetimi i policisë u paraqit si shantazh, e deri te raportimi i pandërprerë mbi zgjerimin dhe mesazhin e kësaj lëvizjeje,  nuk mund të citohet më si neutrale. Jo sepse ndonjë fjali në të ka rezultuar e rreme. Por sepse lexuesi tani e di që dora e një pjesëmarrësi mund të jetë kudo në ato shkrime, pa u bërë e ditur askund. Një konflikt i deklaruar është një rezervë që lexuesi mund ta aplikojë ndaj një artikulli. Një konflikt i fshehur është një dyshim që lexuesi duhet ta aplikojë ndaj gjithçkaje.

Dhe dyshimi nuk e ka luksin të mbetet i izoluar vetëm brenda muajve qershor dhe korrik, sepse dështimet procedurale nuk funksionojnë kurrë ashtu. Çdo pretendim apo akuzë që BIRN ka publikuar ndonjëherë, tani ndahet në dy kategori. Në kategorinë e parë hyjnë pretendimet që mbështeten në dokumente zyrtare: kontrata, dosje gjyqësore, regjistra pronash apo zëra buxhetorë, dhe këto i mbijetojnë kohës falë forcës së vetë dokumentit, siç ka ndodhur gjithmonë, sepse për një kontratë që bëhet publike nuk ka asnjë rëndësi se kush e redaktoi tekstin rreth saj. Në kategorinë e dytë hyjnë pretendimet që mbështeteshin te besueshmëria e logos: trajtimi i lajmeve, këndvështrimi i shkrimit, epitetet e përdorura dhe ato histori ku ishte besimi i lexuesit te institucioni ai që mbushte çdo boshllëk apo pikëpyetje që linin burimet. Kjo javë nuk i heq asgjë kategorisë së parë. Por kategorisë së dytë i shkatërron të vetmin themel ku mbështetej. Ne nuk po themi se arkiva e BIRN-it është e gabuar. Ne po themi diçka që një organizatë investigative duhet ta konsiderojë shumë herë më të rëndë: që nga kjo javë, askush nuk e ka më për detyrë ta marrë të mirëqenë saktësinë e saj. Kapitali kryesor i kësaj medieje ishte prezumimi i paanshmërisë. Dhe ishte pikërisht ky prezumim që vdiq; jo nga sulmet e Taulant Ballës apo të ndonjë armiku tjetër të gazetarisë së pavarur. U shkatërrua haptazi nga vetë njerëzit të cilëve u ishte besuar.

Pesha e vërtetë e problemit, pa doreza

Gazetaria nuk është aktivizëm politik. Kjo fjali tingëllon si një slogan shabllon, derisa vjen një javë si kjo që na tregon se çfarë kostoje ka shkelja e këtij parimi. Sektori i gazetarisë së pavarur në Shqipëri është i vogël, i varur nga fondet e huaja dhe përballë një qeverie që e ka kaluar javën e fundit duke përdorur fjalorin e autoriteteve të ndjekjes penale kundër protestave digjitale. Në këtë klimë, paanshmëria e redaksisë kryesore investigative nuk është thjesht një çështje rregulloreje të brendshme, por mburoja kolektive e gjithë sektorit. Çdo ambasadë që citon një investigim të BIRN-it, çdo vendim gjykate që i reziston kohës sepse analizohet nga një sy neutral, apo çdo gazetar i ardhshëm që ka nevojë që etiketa “i pavarur” të ketë vërtet peshë, mbështeten pikërisht te besueshmëria e asaj fjalës së vetme në deklaratën e misionit të kësaj medieje. Erebara kaloi gjashtë javë duke e zbrazur këtë kapital besueshmërie. Përgjigja e BIRN-it, deri më tani, ka qenë thjesht ndryshimi fshehurazi i biografisë së tij në rrjetet sociale.

Prandaj, pyetjet të cilave BIRN-i duhet t’u përgjigjet po shtrohen këtu, publikisht, si një detyrim ndaj lexuesve që i besuan logos së tij dhe ndaj donatorëve që paguan për të: Cili është statusi aktual i Erebarës dhe që prej kur? Pse vetë faqet zyrtare të organizatës japin versione kontradiktore për këtë? A ishte BIRN-i ai që kërkoi fshirjen e emrit të tij nga profili këtë javë? Kush i redaktoi dhe i kategorizoi esetë e tij gjatë muajve të protestës, dhe kush lejoi që për gjashtë javë rresht të mbulohej një çështje ku ai vetë ishte protagonist, pa vendosur asnjë shënim sqarues për konfliktin e interesit? Kjo organizatë ka kaluar një dekadë të tërë duke i mësuar publikut shqiptar se kur një institucion refuzon t’u përgjigjet pyetjeve me fakte, ky refuzim është vetë përgjigjja. Dhe e di shumë mirë se si do të përkthehet heshtja e saj.

Standardin nuk ia vendosi askush tjetër; ishte i vetë BIRN-it. Askush nuk ia imponoi nga jashtë, askush nuk ia rriti artificialisht dhe askush nuk po i kërkon të kapërcejë një pengesë që nuk e ngriti vetë me duart e tij. Donatorët paguan për këtë standard, lexuesit e besuan, ndërsa vetë investigimet e redaksisë e përdorin atë si njësi matëse për të kryqëzuar këdo tjetër. E vetmja pyetje që mbetet pezull është nëse kjo njësi matëse vlen edhe brenda shtëpisë së vet, dhe java që sapo u mbyll nuk na jep aspak një përgjigje shpresëdhënëse.

Lamallari: Kontrolle të shtuara për ndotjen akustike, Policia do sanksionojë shkelësit

By: A R
18 July 2026 at 13:48

Policia e Shtetit do të shtojë kontrollet në të gjithë territorin për evidentimin dhe ndëshkimin e rasteve të ndotjes akustike, duke synuar garantimin e qetësisë publike gjatë sezonit turistik.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, përmes një reagimi në rrjetet sociale, theksoi se zhurma e lartë nuk mund të konsiderohet argëtim kur kthehet në shqetësim për banorët dhe turistët që zgjedhin zonat bregdetare për pushime.

“Policia e Shtetit do të jetë e pranishme me kontrolle të shtuara në të gjithë vendin, për të evidentuar çdo ndotje akustike në territor dhe të sanksionojë këdo që nuk do t’ia dijë për të tjerët dhe përcaktimet ligjore”, theksoi ministri Lamallari.

Ministri u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast shqetësimi të shkaktuar nga zhurmat e tepërta.

“Kë gënjen mendja se mund të bëjë ç’të dojë me muzikën në kupë të qiellit duke shqetësuar komunitetin dhe turistët, ka qytetarët kundër dhe ‘vizitorët’ me uniformë tek dera e lokalit. Inkurajoj qytetarët të telefonojnë 129 për të raportuar çdo shqetësim të tillë”, tha Lamallari.

Kontrollet për respektimin e rregullave për ndotjen akustike vijojnë në kuadër të masave për sezonin turistik, me qëllim krijimin e një mjedisi më të qetë dhe të sigurt për banorët dhe vizitorët.

Rama: Mokra, një krahinë që nuk të fton vetëm ta vizitosh, por ta jetosh

By: A R
18 July 2026 at 13:43

Krahina e Mokrës do të mirëpresë më 8 gusht edicionin e shtatë të “Mokra n’Fest 2026”, një aktivitet që synon të promovojë trashëgiminë kulturore, traditat, kulinarinë dhe bukuritë natyrore të kësaj zone me vlera të veçanta.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se Mokra është një krahinë që nuk të fton vetëm ta vizitosh, por ta jetosh.

“Ekziston një vend ku fyelli zgjon malet dhe daullja rreh në të njëjtin ritëm me zemrat ku vallja nuk është vetëm kërcim, por trashëgimi. Ku duart që gatuajnë lakrorin dhe kulaçin ruajnë shijen e brezave, e ku çdo gur e çdo shteg ka një histori për të treguar. Kjo është Mokra një krahinë që nuk të fton vetëm ta vizitosh, por ta jetosh. Më 8 gusht, te Ura e Gurit në Golik, tradita merr jetë”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

Vizitorët do të kenë mundësi të përjetojnë muzikën tradicionale, vallet popullore, gatimet karakteristike dhe elementët më përfaqësues të kulturës mokrare.

“Mokra n’Fest” është kthyer në një aktivitet që promovon identitetin kulturor të zonës dhe kontribuon në zhvillimin e turizmit lokal, duke tërhequr çdo vit vizitorë të shumtë për të njohur nga afër traditat, mikpritjen dhe peizazhet e kësaj krahine.

Zona e Mokrës vlerësohet si një potencial turistik, kulturor dhe historik.

Mokra njihet edhe si kryeqendra e mbretërisë së parë ilire. Dëshmitë historike monumentale tregohen përmes 5 varreve të Selcës në kodrën e quajtur Gradishtë.

Berisha: Demokratët të marrin pjesë në protestë dhe të bëjnë gjithçka për suksesin e saj

By: A R
18 July 2026 at 13:38

Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale dhe ka ftuar mbështetësit demokratë që të marrin pjesë në protestën e cila po vijon të mbahet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë.

Berisha u shpreh se “gjatë kësaj jave vazhdoi me heroizëm epik protesta rinore qytetare në bulevardin e Tiranës, pavarësisht nga terrori qeveritar i Ramës ndaj eksponentëve të kësaj proteste dhe pjesëmarrësve të saj”.

Ai tha se “kryengritja paqësore e rinisë dhe qytetarëve shqiptarë vazhdoi e pamposhtur duke siguruar mbështetje të madhe ndërkombëtare”.

Duke shprehur mbështetjen më për këtë protestë, Berisha fton “çdo demokrate e demokrat të marrin pjesë në frymën e saj si qytetarë, të bëjnë gjithçka për suksesin e saj”.

Kreu i PD-së foli edhe për zgjedhjen e drejtuesve të forumeve të kësaj force politike duke u shprehur se “ky proces u zhvillua në moton e ripërtëritjes së PD dhe jo vetëm të ripërtëritjes në kuptimin e numrave, por edhe të proporcioneve deficitare në këtë parti”.

“Në Këshillin Kombëtar të PD, 60 % e përbëjnë të rinjtë dhe gratë dhe ky është një proporcionim shumë i rëndësishëm për ne sepse patëm trashëguar një deformim nga i cili u ndamë përfundimisht. Dy të tretat e kryesisë së zgjedhur të PD, zgjidhen për herë të parë. Nga 14 sekretarë, vetëm 3 janë të rizgjedhur”, tha ai.

Berisha shtoi se “ne jemi një parti që bazohemi tek vota e anëtarëve tanë dhe shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë bashkëpunëtorët e mi që nuk u zgjodhën, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Theksoj se shumë prej tyre kanë funksione të tjera shumë të rëndësishme në PD, grupin e saj parlamentar dhe misione në drejtim të reformave themelore në interes të kësaj partie dhe të vendit”.

Berisha foli edhe për Raportin e Komisionit Evropian për Shtetin e së Drejtës në Shqipëri gjatë vitit 2026 duke thënë se “damkosi Ramën dhe regjimin e tij në mënyrën më të fuqishme”.

Ai tha se “opozita  do të bëjë gjithçka për të faktuar të vërtetat e këtij vendi pranë Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian siç ka bërë gjer sot”.

“Një dialog intensiv me Bashkimin Europian, institucionet e tij, komisionin, parlamentin, vendet anëtare, është i domosdoshëm, qeverinë e Shteteve të Bashkuara, për të paraqitur realitetin shqiptar siç është. Por nga ana tjetër, e kam theksuar dhe e theksoj, se protesta dhe vetëm protesta është rruga e realizimit të misionit të opozitës për rikthimin e votës së lirë në Shqipëri”, deklaroi Berisha.

Yesterday — 17 July 2026FaxWeb

Dita e 48-të, qytetarët vijojnë protestën para Kryeministrisë

By: A R
17 July 2026 at 21:09

Qytetarë, aktivistë, fëmijë e të moshuar janë mbledhur sërish këtë të premte në ditën e 48-të të protestës, ku si çdo herë, po mbajnë fjalimet e tyre në podium para Kryeministrisë. Grumbullimi i protestuesve ka nisur në orarin e zakonshëm, rreth orës 19:00.

Me thirrjet “Shqipëri e Re” dhe “Edi Rama, jep dorëheqjen”, protestuesit nisën marshimin drejt Kryeministrisë. Protestuesit shihen me pankarta dhe flamuj në duar. Pavarësisht temperaturave të larta ata kanë vijuar protestën e tyre.

Kërkesa kryesore e kësaj lëvizjeje mbetet dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë aktuale, të cilën protestuesit e konsiderojnë si qëllimin kryesor të kësaj proteste të vazhdueshme.

❌
❌