Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 August 2025FaxWeb

Pritet vjeshtë e nxehtë/ A ka një vendim opozita për mandatet? Berisha: Forumet do të marrin vendimet në ditët në vijim

By: Fax Web
21 August 2025 at 13:49

Ndërsa edhe pak ditë kanë ngelur nga ardhja e shtatorit dhe nisja sesioni të ri parlamentar, ende nuk ka një informacion të qartë në lidhje me atë që pritet të bëjë opozita dhe kursin që do të ndjekë, referuar faktit që PD nuk i njeh zgjedhjet e 11 majit dhe rezultatin e dalë prej tyre.

Në një konferencë për shtyp, kreu i PD Sali Berisha, i pyetur në lidhe me atë çfarë pritet të ndodhë në shtator, ka preferuar të mos japë një panoramë të qartë.

Sipas tij asnjë vendim nuk është marrë ende.

Gaza, sulmet e reja izraelite vrasin 10 palestinezë, përfshirë tre që prisnin për ndihma

By: Fax Web
21 August 2025 at 13:47

Të paktën 10 palestinezë u vranë, përfshirë 3 persona që prisnin për ndihma ndërsa disa të tjerë u plagosën në një seri sulmesh ajrore në të gjithë Rripin e Gazës të enjten. Një burim mjekësor tha se 5 anëtarë të një familjeje u vranë në një sulm me dron në Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.

Tre të tjerë u vranë dhe një tjetër u plagos kur forcat izraelite bombarduan një grup civilësh që prisnin pranë një qendre shpërndarjeje ndihmash në rrugën Salah al-Din në Gazën qendrore. Në lagjen al-Tuffah të qytetit të Gazës, dy civilë të tjerë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën rëndë në një sulm me dron që synonte një tubim banorësh në zonën Al-Zarqa.

Ndërkohë, forcat izraelite vazhduan shkatërrimet dhe bombardimet në lagjet Zeitoun dhe Sabra në qytetin e Gazës, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve Wafa. Izraeli ka vrarë më shumë se 62.100 palestinezë në Rripin e Gazës që nga tetori 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me mungesë ekstreme të ushqimit.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Izraeli përballet gjithashtu me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.

Sulmet izraelite godasin kampin që strehon familjet e zhvendosura në Gazën qendrore

By: Fax Web
21 August 2025 at 13:43

Sulmet izraelite sot goditën tendat që strehonin palestinezët e zhvendosur në Deir al-Balah, në Rripin qendror të Gazës, duke shkaktuar shkatërrime të gjera në një kamp që strehonte rreth 200 familje, raporton Anadolu.

Izraeli ka vrarë më shumë se 62.190 palestinezë në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me zi buke.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli përballet gjithashtu me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë./AA

Berisha: Daniel Shima u rrembye se dinte shume, do te perfundonte si Martinaj

By: Fax Web
21 August 2025 at 13:39

Kreu i PD Sali Berisha në një konferencë për mediat foli në lidhje me Daniel Shimën, ish zëvendës drejtorin e AKSHI i cili humbi kontaktet me familjen për rreth 10 orë ditën e djeshme.Daniel Shima sipas tij ishte në një vorbull, pasi dinte shumë gjëra për shumë personazhe.
Berisha u ndal edhe në mesazhin e fundit të dërguar nga Shima për partneren e tij ku thoshte se po e arrestonin.

“Personi i cili u shkarkua më 19 mars 2024 nga Mirlinda Kaçanai pasi kaloi një sesion të zgjatur pyetjesh në SPAK, episod pas të cilës e shkarkoi pa asnjë motiv.
Shima është në një vorbull ndërthurjesh interesash ndër më mafiozet. Ishte një person në qendër të ciklonit dhe që dinte çdo gjë”, tha ai.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Dje pasdite, Shqipëria, narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë, e tëra u përpi nga lajmi se ish-zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ish-zyrtari i lartë i kërcënuar egërsisht nga Edi Rama sipas ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmertaj, për shkak të tenderëve familjare, personi, i cili u shkarkua si zëvendësdrejtor i përgjithshëm me datën 19 mars të vitit 2024, pasi famozja Mirlinda Karçanaj kaloi një sesion shumë të zgjatur pyetjesh në SPAK.
Dhe po atë ditë, pas atij sesioni, sikur të merrte urdhër nga SPAK, ajo e shkarkoi në vend pa dhënë asnjë motiv.
Ky është Shima, i cili është në një vorbull ndërthurjesh, interesash ndër më mafioze.
Ju e dini se AKSHI është quajtur sipërmarrja private e Edi Ramës.
Ju, shqiptarët e dinë, se regjistrime ambientale, çka do të thotë regjistrime në tavoline, të një bisede të Gerond Meçes, njeriut që ka fituar 46 milionë euro tendera, me të famshmen kompani ABS, tendera sekrete, tendera pa garë, dhe janë vërtetuar 800 transaksione nga Thesari i Shtetit, në një bisedë me një person tjetër në një mjedis, personi tjetër i kërkon Gerond Meçes mbështetje për ët fituar tendera në AKSH, ku aty përflitet se tenderat i përcakton baxhanaku i Edi Ramës, kunati i Linda Ramës, Armand Fangu, madje thuhet se vetë Linda ka bërë takime me prokurorin Mara që po hetonte dosje të Armand Fangut.
Pra, Shima ishte një person në qendër të ciklonit.
Ishte personi që dinte çdo gjë për Fangun, për Meçen, por dinte gjithçka tjetër edhe për dy zonjat aty, njëra është famozja Mirlinda, kurse tjetra është fiks motra e Ergys Agasit, e këtij kryemafiozi të Shqipërisë dhe Ballkanit.
Ajo është drejtoresha juridike e AKSHI-t

Tani vijmë pak te Shima, kthehemi prapë.
Ky person i shkarkuar në mënyrë brutale para një viti nga Mirlinda Karçanaj, i zhdukur nga radarët, i përfolur në kohën e shkarkimit, na shfaqet dje me një SOS. ‘Po më arrestojnë’!
Në ora 1.30 minuta, sipas burimeve shumë të afërta me policinë, Shima i dërgon mesazh bashkëjetueses a partneres së tij: Po më arrestojnë.
Natyrisht një mesazh i tillë, që shpreh kërcënimin me një rrezik të madh arrestimi, nënkupton jashtë çdo dyshimi angazhimin direkt të uniformave të shtetit ose të banditëve të shtetit të veshur me uniformë. Po më arrestojnë.
Por nga ora 13:30 që Daniel i dërgoi mesazhin partneres, gjer në orën 5 pasdite, gjithçka u mbulua me kodin e heshtjes, gjersa më në fund nëna e tij denoncoi në polici zhdukjen e djalit dhe mediat u informuan.
Fakti që u mbajt kjo heshtje prej 3 orësh dëshmon se policia, e cila përpiqet të hiqet sikur dinte gjithçka për Danielin, në tërësi ishte jashtë loje, përveç atyre që kishin marrë detyrën ose ta arrestonin, ose bandës së veshur me uniformë që e rrethoi.
Është e vështirë të besosh në komunikatat e policisë, të cilat njëherë thonë se u nis drejt Qytetit Studenti dhe na u zhduk gjurma. Po të gjithë shqiptarët e dinë se mbi Qytetin Studenti është Surreli. Po vazhdove pak më sipër, del në Surrel. Kjo është e vërteta.
Dhe pastaj thonë se e pikasëm kur kaloi tunelin në Elbasan.
Pra, përfundoi Shima në bodrumet e Suel Çelës apo në tunelet e Dajtit të Surrelit, këtë të vërtetë nuk mund ta themi me siguri.
Por një gjë është absolute e sigurt, se ai u rrëmbye.
Dhe se ai shpëtoi i gjallë falë atij instinkti që e shtyu t’i bënte një mesazh, një SOS, partneres së tij.
Përndryshe do kishim skena si ajo e Jan Prengës ose zhdukje si ajo e Ervis Martinit që nuk gjindet edhe sot e kësaj dite pa nam dhe nishan.

Kontrolli i Ministrisë së Financave/ ILD, sistem efektiv i kontrollit të brendshëm

By: Fax Web
21 August 2025 at 13:17

Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ishte objekt kontrolli për sistemin e kontrollit të brendshëm nga Drejtoria e Harmonizimit të Menaxhimit Financiar, Kontrollit dhe Kontabilitetit e Ministrisë së Financave. Përmes një njoftimi për shtyp, ILD bën të ditur se, gjatë javës së parë të qershorit 2025, ekipi i Ministrisë së Financave monitoroi proceset e punës në ILD, duke analizuar dhe vlerësuar me detaje gjendjen e sistemeve të kontrollit të brendshëm të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

U verifikua mjedisi i kontrollit, menaxhimi i riskut, aktivitetet e kontrollit, që synojnë reduktimin e risqeve, informacioni e komunikimi, si dhe monitorimi, pra tërësia e proceseve të rishikimit të aktivitetit të institucionit, duke u ekzaminuar baza dokumentare për secilën rubrikë të listës së kontrolleve.

Në përmbyllje të këtij procesi monitorimi e analizimi, raporti i Drejtorisë së Kontrollit Financiar të Ministrisë së Financave jep vlerësimin maksimal, bazuar në përgjigjet e 59 pyetjeve për ILD-në, duke u shprehur se “Sistemi i kontrollit të brendshëm në institucionin e ILD vlerësohet efektiv, me 59 pika të plotësuara nga lista e kontrollit të shoqëruar me dokumentacion justifikues”.

“Raporti vëren se sipas Metodologjisë për Vlerësimin e Cilësisë së Sistemit të Kontrollit të Brendshëm në Njësitë e Qeverisjes së Përgjithshme “Sistemi i Kontrollit të Brendshëm konsiderohet efektiv, nëse nuk janë zbuluar asnjë ose janë zbuluar shumë pak dobësi dhe mangësi të zbatimit të sistemit të kontrollit të brendshëm””, thuhet në njoftimin e ILD-së.

Ishte shpallur në kërkim për shitje të lëndëve narkotike, arrestohet 43-vjeçari në Kakavijë

By: Fax Web
21 August 2025 at 13:15

Një 43-vjeçar është arrestuar nga Policia Kufitare në Kakavijë, pasi ishte shpallur në kërkim për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Shtetasi J.B ishte dënuar nga Gjykata e Elbasanit me 3 vjet dhe 4 muaj burgim.

Njoftim i Policisë:

Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Kakavijë kapën në hyrje të RSh-së, shtetasin e shpallur në kërkim J. B., 43 vjeç, banues në Cërrik, i cili është dënuar nga Gjykata e Elbasanit, me vendim të formës së prerë, me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Veprimet e mëtejshme procedurale u kryen nga Policia e Elbasanit.

Ina Zhupa: Ministria e Kulturës të nisë punën për objektet e kultit të dëmtuara nga zjarret, duhet evidentim dhe restaurim profesional

By: Fax Web
21 August 2025 at 12:18

Kryetarja e Komisionit përgjegjës për Kulturën Ina Zhupa ka kërkuar nga ministri përgjegjës për kulturën Blendi Gonxhe që menjëherë të ngrihet një grup ekspertësh për të vlerësuar demët që shkaktuan zjarret, për mirëmbajtjen aktuale dhe përgatitjen për restaurimin profesional sa më shpejt.

Zhupa numëron se janë djegur 4 objekte kulti 1- Kisha e Senicës në Delvinë 2- Kisha e Leftehorit në Delvinë 3-Teqeja e Shemberdhenjes në Gramsh 4- Kisha në Lekel në Tepelenë. Ajo shton se “Evidentimi i këtyre dëmeve nuk mund të jetë punë rutinore e bashkive por është detyrë e MEKI, ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit”

“Do jetë nga cështjet prioritare të kulturës për të cilat do kërkoj dëgjesa si kryetare e komisionit parlamentar përgjegjës për kulturën -shprehet Zhupa. E cila e cilëson këtë si kujdesje e domosdoshme për besimtarët, për identitetin kulturor shqiptar, për trashëgiminë, për turizmin kulturor dhe për  zonat e prekura të cilat duhet rikthehen sic kanë qënë.

Qëndrimi i plotë i Ina Zhupës:

ObjeKtet e kultit, pjesë e trashëgimisë kulturore që u dogjën nga zjarret nuk mund të lihen në harresë dhe të dëmtuara.

Gjatë zjarreve të cilat sollën dëme të jashtëzakonshme u dogjën dhe 4 objekte kulti dhe pjesë e trashëgimisë kulturore historike shqiptare. Konkretisht;

1- Kisha e Senicës në Delvinë

2- Kisha e Leftehorit në Delvinë

3-Teqeja e Shemberdhenjes në Gramsh

4- Kisha në Lekel në Tepelenë

Evidentimi i këtyre dëmeve nuk mund të jetë punë rutinore e bashkive por është detyrë e MEKI, ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Ministri Blendi Gonxhe, përgjegjës dhe për kulturën, duhet pa vonesa të marr përgjegjësitë që i takojnë ministrisë së tij në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, dhe në bashërendim me komunitetet fetare të ngrejë një grup ekspertësh, inxhinieresh, përfaqësues fetar që bëjnë një inspektim të plotë për të dokumentuar dëmet dhe për të përcaktuar masat e nevojshme për restaurim.

Po ashtu duhet të merren masa të menjëhershme për të parandaluar dëmtime të mëtejshme, si mbrojtja nga lagështira apo rënia e pjesëve të mbetura.

Shteti shqiptar duhet të sigurojë fonde të plota vetëm ose në bashkëpunim me donator për restaurimin e këtyre objekteve të kultit dhe trashëgimisë. Restaurimi duhet të bëhet nga specialistë të licencuar në fushën e monumenteve historike.

Kjo është kujdesje e domosdoshme për besimtarët, për identitetin kulturor shqiptar, për trashëgiminë, për turizmin kulturor dhe për  zonat e prekura të cilat duhet rikthehen sic kanë qënë.

Do jetë nga cështjet prioritare të kulturës për të cilat do kërkoj dëgjesa si kryetare e komisionit parlamentar përgjegjës për kulturën.

Bektashinjte mblidhen ne Teqene e Kulmakut, Baba Mondi: Atmosfera pozitive

By: Fax Web
21 August 2025 at 12:16

Ka nisur edhe këtë vit pelegrinazhi i përvitshëm në malin e Tomorrit, ku mijëra besimtarë bektashinj mblidhen në teqenë e Kulmakut.

Mali i Tomorrit konsiderohet i shenjtë për besimtarët bektashinj, pasi në të prehet shenjtori i familjes së Profetit Muhamed, Abaz Aliu.

Ky pelegrinazh, zhvillohet nga data 20 deri në 25 gusht, ndërsa janë marrë një masash nga autoritetet si dhe Kryegjyshata Botërore duke ardhur në ndihmë pelegrinëve.

Ndërkohë, Kryegjyshi botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj u ka bërë apel besimtarëve që të jenë të kujdesshëm me zjarret.

“Për pjekjen e mishit ne kemi vende të caktuara. Edhe nëse ndonjëri pa dijeninë tonë mund të ndezë zjarrin, kur të ikë duhet të ketë parasysh që ta shuajë atë. Presin me shumë dashuri për të ardhur lart. Këtu ka nis atmosferë pozitive’, tha ai.

Gjatë këtyre ditëve në malin e Tomorit, besimtarët kryejnë ritaualet e lutjeve e ndezjes së qirinjve, ndërsa festojnë së bashku, duke bërë edhe kurbanin.

Zelensky: Nëse Putin nuk pranon të ulet me mua në tryezë, do të duhej një reagim i fortë nga Shtetet e Bashkuara

By: Fax Web
21 August 2025 at 12:13

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se do të donte të shihte një “reagim të fortë” nga SHBA-ja nëse presidenti rus, Vladimir Putin nuk do të ishte i gatshëm të ulej për një takim dypalësh me të.

Zelensky ka përsëritur se Ukraina është gati të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me Putinin.

“Po sikur rusët të mos jenë gati? Evropianët e ngritën çështjen. Nëse rusët nuk janë gati, atëherë do të donim të shihnim një reagim të fortë nga Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ai.

Ukraina edhe më parë ka shprehur shpresën se SHBA-ja do ta ndëshkojë Rusinë me më shumë sanksione nëse nuk tregon një gatishmëri serioze për t’i dhënë fund luftës.

Zelensky ka shtuar se nuk ishte e qartë se çfarë lëshimesh ishte e gatshme të bënte Moska në lidhje me territorin dhe se Budapesti si një vendndodhje e propozuar për bisedime të ardhshme midis dy vendeve ishte “sfiduese”.

“Emigracioni po vret shtresën e mesme”, Tabaku: Ky sistem duhet të ndryshojë

By: Fax Web
21 August 2025 at 11:12

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ka cilësuar emigracionin si “dramën e vërtetë” të ekonomisë shqiptare, duke theksuar se largimi në masë i forcës së punës ka prekur konsumit, shpenzimet dhe vetë punësimin. Në një video të publikuar në rrjetet e saj sociale, Tabaku u referua të dhënave të fundit të INSTAT, sipas të cilave punësimi tek personat mbi 64 vjeç është rritur me 7.9%, duke sinjalizuar plakjen e tregut të punës.

“Shqipëria nuk e ka më avantazhin konkurrues të të rinjve që punonin dhe investonin këtu; shpresa e ekonomisë është kthyer tek mosha e tretë,” tha Tabaku, duke argumentuar se vendi ka humbur “forcën tërheqëse të punës” për shkak të sistemit aktual dhe politikës fiskale.

Sipas saj, rritja e taksave, pamundësia për të blerë një apartament, vështirësitë për të krijuar familje, punësimi i pasigurt dhe barrierat për hapjen e bizneseve kanë goditur shtresën e mesme, duke e shtyrë drejt emigrimit. “Këto pasoja po ndjehen sot në ekonomi,” theksoi ajo.

Tabaku kërkoi ndryshim të modelit ekonomik dhe të strukturës së ekonomisë, si dhe rishikim të politikave fiskale në favor të punës. “Shqipëria duhet t’i japë vlerë punës, ta promovojë dhe ta mbështesë atë. Ky sistem duhet të ndryshojë,” përfundoi deputetja.

Koreja e Veriut ndërton bazë ushatarake sekrete pranë kufirit me Kinën, rritet alarmi për kërcënim bërthamor për Azinë dhe SHBA-në

By: Fax Web
21 August 2025 at 10:47

Koreja e Veriut ka ndërtuar një bazë ushtarake sekrete pranë kufirit të saj me Kinën, e cila mund të strehojë raketat balistike më të reja me rreze të gjatë veprimi të Phenianit, sipas një studimi të ri.

Baza operative e raketave Sinpung-dong “e padeklaruar” ndodhet rreth 27 km (17 milje) larg kufirit kinez, tha në një raport të publikuar të mërkurën organizata me seli në Uashington, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS).

Studimi tha se objekti në provincën e Pyonganit të Veriut ka të ngjarë të strehojë gjashtë deri në nëntë raketa balistike ndërkontinentale (ICBM) të afta për të transportuar armë bërthamore dhe lançuesit e tyre.

Thuhej se armët përbëjnë një kërcënim potencial bërthamor për Azinë Lindore dhe Shtetet e Bashkuara kontinentale.Koreja e Veriut ka rritur programin e saj të armëve bërthamore që nga një samit i dështuar me Shtetet e Bashkuara në vitin 2019, dhe udhëheqësi Kim Jong-un kohët e fundit bëri thirrje për “zgjerimin e shpejtë” të aftësisë bërthamore të vendit të izoluar diplomatikisht.

Raporti të cilin CSIS e quajti konfirmimin e parë të thelluar dhe me burim të hapur të Sinpung-dong – tha se baza është një nga rreth “15-20 bazat e raketave balistike, mirëmbajtjen, mbështetjen, ruajtjen e raketave dhe objektet e ruajtjes së kokave bërthamore të cilat Koreja e Veriut nuk i ka deklaruar kurrë”. Studimi tha se objekti nuk dihet nëse ka qenë subjekt i ndonjë negociate për denuklearizim të zhvilluar më parë midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut.

Kontrabandë medikamentesh, pranga administratorit të farmacisë, sekuestrohen ilaçe me vlerë 35 mijë euro

By: Fax Web
21 August 2025 at 10:23

Një 35-vjeçar, administrator i një farmacie në Tiranë është vënë në pranga nga policia, pasi dyshohet se tregtonte medikamente mjekësore të dyshuara të kontrabanduara.

Tiranë

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, operacioni policor i koduar “Medikamentet”. Tregtonte medikamente mjekësore të dyshuara të kontrabanduara, vihet në pranga 35-vjeçari, administratori i farmacisë.

Procedohet penalisht shitësja, e punësuar në mënyrë të paligjshme. Sekuestrohen medikamente të ndryshme mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, me vlerë rreth 35 000 euro.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Medikamentet”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi A. H., 35 vjeç, dhe nisi procedimi penal për shtetasen A. M., 33 vjeçe, të dy banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit në farmacinë që administronte shtetasi A. H., në bulevardin “Zogu i Parë” shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, medikamente mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, me vlerë rreth 35 000 euro.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tentuan të përdhunojnë 19-vjeçaren, arrestohet boksieri shqiptar

By: Fax Web
21 August 2025 at 10:18

Një 19-vjeçare greke ka rënë pre e një tentative përdhunimi në tualetin e një klubi nate në Athinë, teksa ndodhej nën shoqërinë e të dashurit të saj shqiptar.

Sipas mediave greke, e reja ka denoncuar një efektiv policie dhe mikun e tij, ndërsa ajo ishte me të dashurit të saj shqiptar, 22-vjeç, që sipas mediave, është një boksier i njohur.

Ngjarja, sipas gazetës greke Espresso, ka ndodhur më 21 qershor 2025 rreth orës 05:10 të mëngjesit, ndërsa denoncimi për tentativë përdhunimi dhe cenim të dinjitetit seksual është dorëzuar në Prokurorinë e Athinës më 1 korrik.

19-vjeçarja, me profesion estetiste, rrëfen se pasi ishte ulur në zonën VIP me të dashurin e saj 22-vjeçar dhe një mik të tyrin, është ndjekur deri në tualet nga dy burra të panjohur. Ajo përshkruan se njëri prej tyre, i dehur, e kapi me forcë nga krahu dhe e preku në pjesë intime, duke i bërë propozime të turpshme. Vajza arriti të futej me zor në tualet, duke u mbyllur brenda e tmerruar.

“Burri i panjohur që më ndaloi me dhunë dukej dukshëm i dehur, në gjendje të keqe, mbante erë të fortë alkooli dhe më tha “pse nuk po na flet, bir kurve? Eja këtu, në shoqërinë tonë, na trego emrin tënd””, deshmon e reja. Më pas, ajo ka treguar se arriti të njoftonte të dashurin e saj me mesazhe, i cili erdhi menjëherë për ta shoqëruar. Pavarësisht kësaj, dy burrat e panjohur nuk ndalën, por i ndoqën deri te tavolina dhe vijuan me gjeste e fyerje.

“Për fat të mirë për mua, kisha telefonin celular me vete dhe u përpoqa të komunikoja me partnerin tim, në mënyrë që ai të më ndihmonte të dilja nga tualeti në mënyrë të sigurt dhe të më qetësonte. I dërgova mesazhe, pasi nuk mund të flisja për shkak të agjitacionit dhe tronditjes së madhe që kisha pësuar.

Nga përmbajtja e mesazheve, ai e kuptoi se diçka po ndodhte dhe më telefonoi në telefon. Në të vërtetë, partneri im më erdhi në ndihmë dhe më shoqëroi për në në tavolinë, duke u thënë atyre se “vajza është e shoqëruar”. Megjithatë, burrat e panjohur na ndoqën deri te tavolina dhe vazhduan të bënin gjeste nga unë”, tregon ajo.

Për më tepër, sipas 19-vjeçares, menaxheri i klubit nuk ndërhyri për t’i larguar agresorët, por sugjeroi që vajza me të dashurin e saj të largoheshin vetë, gjë që ngriti dyshime mbi lidhjet e tyre me klientët e dhunshëm. Në momentin e largimit, situata u përshkallëzua, pasi dy burrat u përpoqën të sulmonin me grushta të dashurin e vajzës, i cili është boksier me precedentë penalë, por ky u mbrojt duke shmangur përleshjen më të rëndë.

Si u manipulua ngjarja?

Pak orë më vonë, ngjarja iu referua policisë, por sipas raportit zyrtar, dinamika e episodit u paraqit ndryshe. Në dosjen e hartuar nga policia nuk përmendet asgjë për tentativën e përdhunimit, ndërsa 30-vjeçari polic dhe shoku i tij 34-vjeçar dalin “të pastër”.

Sipas versionit të policisë, përleshja nisi pasi boksieri shqiptar sulmoi pa shkak policin jashtë shërbimit dhe shokun e tij, duke i lënë të plagosur.

Në raportin policor, si polici jashtë shërbimit, ashtu edhe shoku i tij, paraqiten si viktima të dhunës. Në të thuhet se ndodheshin si klientë pranë zonës “VIP” ku ishin ulur vajza me të dashurin dhe shokët e tij. Fillimisht pati një debat verbal, pasi 34-vjeçari u përpoq t’i ofronte një pije shoqërisë së vajzës, gjë që solli pakënaqësi. Në atë moment ndërhyri polici për të qetësuar situatën, por sipas dosjes, boksieri shqiptar papritur i goditi me grusht të dy, duke i lënë të plagosur. Madje thuhet se polici mbeti pa ndjenja në tokë për disa minuta, derisa iu dha ndihma.

Në të njëjtën dosje, theksohet gjithashtu se boksieri shqiptar atë ditë kishte pasur edhe një tjetër konflikt me klientë të klubit, por që u shua falë ndërhyrjes së menaxherit. Akti i fundit i kësaj historie u shënua më 14 korrik, kur agjentët e Departamentit kundër Shtrëngimeve lokalizuan boksierin shqiptar në lagjen “Néos Kósmos”. Ai tentoi të arratisej, duke rezistuar me goditje, por u arrestua pas një ndjekjeje.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, në rrugën “Mínoos”, policia gjeti një sasi droge: 46 gramë kokainë të ruajtur në një kavanoz qelqi, tre pako me 7 gramë metamfetaminë (MDMA), një peshore precize dhe një lugë metalike me mbetje kokaine. Përveç kësaj, u sekuestrua edhe një sasi e konsiderueshme substancash anabolike. Kujtojmë se në shtator 2024, i njëjti person ishte arrestuar në spitalin “Attikon” në Haidari, pasi kishte sulmuar dy të huaj duke u shkaktuar lëndime trupore.

Dëshmia e vajzës: Isha në një tavolinë VIP me të dashurin tim, M.A., 22 vjeç, dhe në prani të mikut të tyre të përbashkët K.S. Po kalonim shumë mirë duke kërcyer së bashku, pasi kishim konsumuar një sasi të vogël alkooli. Rreth orës 5:00 të mëngjesit u nisa vetëm drejt tualetit dhe papritmas ndjeva dikë që më tërhiqte nga krahu i majtë, duke më bërë të kthehesha për të parë se çfarë po ndodhte.

Pastaj vura re një burrë pranë meje me një këmishë të zezë, 1.75 deri në 1.80 i gjatë, 28 deri në 30 vjeç, me flokë të errët me mustaqe, me një tatuazh karakteristik të tipit barkod në qafë. Pikërisht pranë tij qëndronte një burrë me flokë të errët, me sa duket miku i tij, pak më i gjatë, me një prerje të shkurtër flokësh, 28 deri në 30 vjeç, i cili po qeshte dhe po inkurajonte… Sidoqoftë, të dy ishin krejtësisht të panjohur për mua. Sapo u ktheva për të parë se çfarë po ndodhte, burri i panjohur që më ndaloi me dhunë dukej dukshëm i dehur, në gjendje të keqe, mbante erë të fortë alkooli dhe më tha “pse nuk po na flet, bir kurve? Eja këtu, në shoqërinë tonë, na trego emrin tënd”.

Isha e hutuar, nuk thashë asgjë dhe vetëm u përpoqa të shkoja në tualet. Megjithatë, ai po më ndiqte nga pas, duke u përpjekur të më kapte nga shpatulla, duke më prekur në vithe në të njëjtën kohë, dhe duke më drejtuar me fraza vulgare, më tha: “Çfarë janë këto buzë të marra, hajde të shkojmë ta shkatërrojmë, do të të pëlqejë”. Ai u përpoq të hynte në tualet me mua në të njëjtën kohë, por unë, duke bërtitur, arrita ta shtyja dhe të hyja në tualet, duke mbyllur derën pas meje. Ndihesha e tmerruar, nuk merrja dot frymë dhe po dridhesha.

Për fat të mirë për mua, kisha telefonin celular me vete dhe u përpoqa të komunikoja me partnerin tim, në mënyrë që ai të më ndihmonte të dilja nga tualeti në mënyrë të sigurt dhe të më qetësonte. I dërgova mesazhe, pasi nuk mund të flisja për shkak të agjitacionit dhe tronditjes së madhe që kisha pësuar. Nga përmbajtja e mesazheve, ai e kuptoi se diçka po ndodhte dhe më telefonoi në telefon. Në të vërtetë, partneri im më erdhi në ndihmë dhe më shoqëroi për në në tavolinë, duke u thënë atyre se “vajza është e shoqëruar”.

Megjithatë, burrat e panjohur na ndoqën deri te tavolina dhe vazhduan të bënin gjeste nga unë. Ne menjëherë i njoftuam menaxherët, duke i informuar për sjelljen e papërshtatshme, dhe i kërkuam menaxherit t’i largonte ata në mënyrë që të largoheshim të sigurt, duke paguar edhe faturën tonë. Menaxheri i dyqanit, pasi bisedoi pak me ta, u kthye dhe na tha se nuk mund t’i largonte dhe se do të ishte më mirë për ne të largoheshim, pa na dhënë shpjegime të mëtejshme, gjë që na shqetësoi thellësisht për marrëdhëniet që ekzistojnë midis tyre.

Ndërsa po largoheshim, të dy burra të panjohur na u afruan përsëri dhe i pari na tha, ndër të tjera, “nuk do të shkosh askund – së pari do të na blesh një pije”, ndërsa më pas më tha “bukuroshe e vogël kuklou, çfarë do me atë djalin shqiptar?”, duke u përpjekur të më prekte përsëri. Por më pas partneri im e ndaloi, duke rezultuar në përpjekjen e tyre njëkohësisht për ta goditur me grusht në fytyrë para të gjithë klientëve të dyqanit. Megjithatë, partneri im e mbrojti veten dhe kështu arritëm të largoheshim të panikuar.”

Misioni paqeruajtës në Ukrainë, Lituania shprehet e gatshme të kontribuojë me trupa dhe pajisje ushtarake

By: Fax Web
21 August 2025 at 10:09

Lituania do të ishte gati të kontribuonte me ushtarë dhe pajisje në çdo mision paqeruajtës në Ukrainë, tha presidenti Gitanas Nauseda.

“Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë me aq trupa sa lejon parlamenti për një mision paqeruajtës dhe gjithashtu me pajisje ushtarake”, tha Nausëda për TV3.

Më herët edhe kryeministri suedez Ulf Kristersson tha se vendi i tij dëshironte të ndihmonte në ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën. 

Suedia mund të ofrojë mbikëqyrje ajrore dhe mjete detare, varësisht nga nevojat e përgjithshme dhe me kusht që të ishte e sigurt ta bënte këtë, tha ai. 

Mes përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës, vendet perëndimore po diskutojnë mundësinë e dërgimit të paqeruajtësve në Ukrainë nëse arrihet një marrëveshje paqeje midis Moskës dhe Kievit.

Plagosje për një vend parkimi në Durrës, arrestohen dy persona

By: Fax Web
21 August 2025 at 09:55

Durrës

Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur në Hamallaj, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 28-vjeçar, gjatë një konflikti me sende të forta e më pas me armë zjarri, për parkimin e një automjeti. Vihen në pranga dy shtetas dhe shpallen në kërkim dy të tjerë.

Sekuestrohen dy armë të ftohta (thika) dhe prova shkencore që do t’i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë ligjor të autorësisë së ngjarjes. Nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Hamallaj, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Alfons Lekgegaj 37 vjeç, banues në Hamallë, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.

Armen Sabliqi 18 vjeç, banues në Borakë, Shijak, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit:

Altin Lekgegaj, 44 vjeç, banues në Hamallë, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.

Serxho Lekgegaj., 21 vjeç, banues në Hamallë, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se më datë 20.08.2025, rreth orës 17:00, në fshatin Hamallë Sektor, Njësia Sukth, Durrës, në zonën e bregut të detit Adriatik, shtetasi A. L., 37 vjeç, në bashkëpunim me vëllanë e tij A. L., 44 vjeç, si dhe nipin e tij S. L., pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin L. R., që lidhej me parkimin e automjetit përpara zonës së plazhit të A. L., 37 vjeç, konflikt i cili fillimisht ka nisur me sende të forta dhe më pas duke përdorur armë zjarri që e mbante pa leje, ka tentuar të vrasë shtetasin L. R., 28 vjeç, banues në Kolesjan, Kukës.

Nga të shtënat, 28-vjeçari ka pësuar dëmtime shëndetësore dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, u gjetën sende të forta si bishta druri të përdorur në konflikt.

Në vijim të punës për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve, gjatë kontrollit në lokalin e shtetasit të arrestuar A. S., u gjetën dhe u sekuestruan si prova materiale dy thika, të cilat ai i mbante pa leje. Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e të dyshuarve të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së kërkon armëpushim të menjëhershëm në Gazë

By: Fax Web
21 August 2025 at 09:48

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm më 21 gusht, pasi Izraeli njoftoi për hapat e parë të operacionit për marrjen nën kontroll të Qytetit të Gazës.

“Është thelbësore të arrihet një armëpushim i menjëhershëm në Gazë”, tha Guterres, duke theksuar se kjo ishte e nevojshme “për të shmangur vdekjet dhe shkatërrimin që një operacion ushtarak kundër Qytetit të Gazës do të shkaktonte”.

Izraeli ka thirrur dhjetëra mijëra rezervistë dhe po vazhdon me planin e tij për të marrë nën kontroll qendrën më të madhe urbane në Gazë pavarësisht kritikave ndërkombëtare se një operacion i tillë me gjasë do të shkaktojë zhvendosjen e më shumë palestinezëve.

Izraeli aktualisht ka nën kontroll rreth 75 për qind të Rripit të Gazës.

Një ditë më parë ushtria izraelite njoftoi për hapat e parë të operacionit për marrjen e Qytetit të Gazës, duke thirrur mijëra rezervistë, teksa Qeveria po e shqyrton një propozim të ri për armëpushim për të ndalur luftën pothuajse dyvjeçare kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Kemi nisur operacionet fillestare dhe fazat e para të sulmit ndaj Qytetit të Gazës dhe ushtria veçse ka marrë zona në periferi të qytetit”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Effie Defrin më 20 gusht.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke marrë peng 251 të tjerë.

Ofensiva ushtarake izraelite në Gazë ka vrarë më shumë se 62.000 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor palestinez.

Guterres po ashtu bëri thirrje për lirimin pa kushte të pengjeve që mbahen nga Hamasi. Ai po ashtu i bëri thirrje Izraelit që të tërheqë vendimin për zgjerimin e ndërtimit “të paligjshëm” të vendbanimeve në Bregun Perëndimor.

Plani izraelit për ndërtimin e një vendbanimi të ri, që praktikisht do të ndante në dysh Bregun Perëndimor dhe do ta shkëpuste nga Jerusalemi Lindor, u bë publik javën e kaluar dhe mori miratimin final nga Ministria e Mbrojtjes të mërkurën.

Ministria e Jashtme palestineze tha se ky plan do të izolonte komunitetet palestineze që jetojnë në atë zonë dhe do të minonte mundësitë për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez./rel

Arbër Veliaj paraqitet në SPAK,do merret në pyetje si person në dijeni

By: Fax Web
21 August 2025 at 09:32

Veliaj do të merret në pyetje si person që ka dijeni për hetimet që po zhvillohen.

Më 23 korrik, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpall zyrtarisht i pandehur, nën akuzat për korrupsion, deklarim të rremë të pasurisë dhe pastrim parash. Bashkë me të, është përfshirë në hetime edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa.

Që prej datës 10 shkurt të këtij viti, Veliaj ndodhet në paraburgim. Ai po hetohet në bashkëpunim me Ajola Xoxën dhe gjashtë sipërmarrës, ndër të cilët ndodhet edhe biznesmeni Elman Abule, i cili aktualisht është nën masën e arrestit shtëpiak.

Tragjike në SHBA! Gruaja vret burrin dhe dy fëmijët, më pas i jep fund jetës. Mbijeton vetëm djali 3-vjeçar

By: Fax Web
21 August 2025 at 09:05

Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur në New Hampshire, SHBA, ku një grua 34-vjeçare dyshohet se ka vrarë bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre, përpara se të vetëvritej.

Emily Long, 34 vjeçe, u gjet pa jetë me një plagë të shkaktuar nga armë zjarri në kokë. Hetimet paraprake të autoriteteve sugjerojnë se ajo fillimisht ka qëlluar për vdekje bashkëshortin e saj, Ryan Long, 48 vjeç, i cili ishte në përballje me një sëmundje të rëndë – kancerin. Më pas, ajo vrau edhe dy fëmijët e tyre të mitur: Parker, 8 vjeç dhe Ryan, 6 vjeç, të cilët dyshohet se janë qëlluar në kokë.

Në vendngjarje është gjetur i gjallë vetëm një nga fëmijët e çiftit – një fëmijë trevjeçar, i cili fatmirësisht ka mbijetuar dhe aktualisht ndodhet në kujdesin e familjarëve.

Motivi i ngjarjes ende nuk është bërë i qartë. Megjithatë, në rrjetet sociale, Emily kishte ndarë shpesh ndjenja të forta emocionale dhe vështirësi të mëdha psikologjike, veçanërisht në lidhje me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të bashkëshortit të saj. Në një video të publikuar në TikTok, vetëm dy ditë para tragjedisë, ajo shprehej: “Po përpiqem të sjell normalitet në shtëpi. Jam ndier thellësisht e dëshpëruar, thjesht u izolova dhe doja të isha pranë fëmijëve dhe burrit tim. Por kam vendosur të ndryshoj dhe ta luftoj depresionin tim për hir të familjes.”

 

 

Zbulohet klubi të cilit Kristjan Asllani i ka thënë “po” dhe detajet e marrëveshjes mes palëve

By: Fax Web
21 August 2025 at 09:04

Kristjan Asllani do të jetë një futbollit i Torinos. Për këtë duken të sigurt në Itali, pas një kthese të plotë të mesfushorit në krahasim me bisedimet deri në drekë për transferimin e tij. Ai mendohej se do të përfundonte te Bolonja, por tashmë ka marrë drejtimin e Torinos, pasi klubi granata i ka bërë një ofertë më të rëndësishme ekonomike.

Nëse Bolonja i ofronte 1,7 milionë euro në sezon, Asllani kërkonte 2, që ia ka garantuar Torino duke parë hezitimin e tij për të firmosur me kuqeblutë. Interi kishte një akord me Bolonjën, për shitjen e Asllanit për 9 milionë euro teksa ruante edhe të drejtën e 40% të vlerës së një shitje të ardhshme të mesfushorit.

Por situata ka ndryshuar plotësisht gjatë pasdites duke hapur edhe një herë diskutimet, pasi Asllani bëri të qartë se preferonte transferimin te Torino. Sipas Xhanluka Di Marzio, Torino i ka bërë një propozim të parë Interit për huazimin për 1,5 milionë euro të lojtarit në këtë sezon, me të drejtën e blerjes së tij për rreth 12 milionë euro.

Palët janë ende në bisedime, por shpresojnë të mbyllin gjithçka brenda ditës së nesërme, për t’i dhënë fund kësaj telenovele të merkatos që ishte me shumë të papritura.

E paprecedentë/ Shqiptari kërcënon me armë policët e Kosovës dhe arratiset, braktis 21 kg drogë

By: Fax Web
21 August 2025 at 09:00

Më datë 20 gusht 2025, rreth orës 20:30, njësitë hetimore të Policisë së Kosovës nga Departamenti i Kufirit kanë zbuluar një rast të dyshuar të trafikut të drogës në zonën përgjatë vijës së gjelbër midis Kosovës dhe Shqipërisë.Gjatë një operacioni hetimor në terren, zyrtarët policorë hasën një person të armatosur, i cili ishte duke mbajtur një çantë me vete. Sapo ka vërejtur praninë e policisë, i dyshuari ka drejtuar armën në drejtim të tyre, duke paraqitur një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën e zyrtarëve. Pavarësisht se policët janë identifikuar dhe kanë urdhëruar ndalimin e tij, ai ka braktisur çantën dhe është arratisur drejt zonës malore në anën e Shqipërisë.

Pas kontrollit të çantës së lënë në vendngjarje, u konstatua se brenda saj ndodhej një sasi e konsiderueshme e lëndës narkotike. Sipas matjeve të bëra nga Njësia e Antidrogës, u konfirmua se bëhej fjalë për rreth 21 kilogramë marihuanë.

Policia ka nisur hetime të mëtejshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit, ndërsa rasti është cilësuar si tentativë për trafikim të lëndëve narkotike dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë.

❌
❌