Po afrohet momenti i shpalljes zyrtare të nominimeve për Çmimet Emmy, edicioni i 77-të. Ceremonia e zbulimit të emrave do të mbahet të martën, në orën 11:30 paradite me orën lokale të SHBA-ve (ET), dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalet zyrtare të Akademisë së Televizionit, si dhe në platformat e mediave kryesore.
Kjo ngjarje shënon një nga kulmet e sezonit televiziv në SHBA, duke nderuar arritjet më të spikatura në seriale dramatike, komedi, miniseriale dhe programe të ndryshme televizive nga viti i kaluar. Pas rifillimit të plotë të prodhimeve, pas grevës së skenaristëve dhe aktorëve më 2023, gara e këtij viti pritet të jetë më e fuqishme dhe më e larmishme se kurrë më parë. Ndër pretendentët më të përfolur për nominimet në kategoritë kryesore janë tituj të njohur si “Succession”, “The Bear”, “The Crown”, “Shōgun” dhe “The Last of Us”. Në kategorinë e komedisë, vëmendje të veçantë pritet të marrë sezoni i fundit i “Abbott Elementary”, si dhe prodhime të reja premtuese si “Palm Royale” dhe “Hacks”. Nominimet do të pasohet nga ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimeve, e planifikuar të mbahet më 14 shtator 2025, në Los Angeles, në një event glamuroz që do të mbledhë yjet më të mëdhenj të televizionit dhe do të përmbyllë sezonin televiziv me një festë të madhe artistike./ KultPlus.com
Liza Laska, e lindur më 6 shkurt të vitit 1926 në Vlorë të Shqipërisë, ishte aktore shqiptare që mbajti titullin “Artiste e merituar”.
Veçantia e punës së Liza Laskës nuk qëndron vetëm te rolet e pavdekura që krijoi por edhe te krijimi i ndjeshmërisë kolektive dhe formimi i figurës së vetes si një figurë kombëtare.
Liza kujtohet si një ndër figurat më të çmuara dhe më mbresëlënëse në fushën e filmit dhe kinemasë. Ajo ka qenë një aktore që ka përcjellë thellësisht emocionin njerëzor, pa e tepruar, pa e zbukuruar. Figura e saj artistike është ndërtuar mbi ndershmëri, përkushtim dhe thjeshtësi, virtyte që e kanë bërë të dashur për publikun shqiptar. Ajo përfaqëson brezin e aktoreve që punuan me pasion të madh për artin dhe për edukimin estetik të shoqërisë përmes ekranit dhe skenës.
Në një kohë kur figura femërore në kinemanë shqiptare shpesh përkufizohej nga modele të ngurta ideologjike, Laska arriti të sjellë në jetë një tjetër dimension të gruas shqiptare: atë të gruas që bart peshën e jetës me dinjitet, që nuk dorëzohet, të nënës që përkund dhimbjen me forcë të brendshme.
Roli i saj në ekran nuk ishte vetëm interpretim, ishte një akt përfaqësimi i mijëra grave të zakonshme shqiptare, që jetonin mes sakrificës dhe shpresës. Me një prani të përmbajtur por të fuqishme, Liza Laska nuk luante personazhin, ajo bëhej personazhi.
Ajo nuk i dha zë vetëm një brezi grash, por krijoi një urë ndjeshmërie mes ekranit dhe jetës reale. Roli i saj femëror ishte gjithmonë i rrënjosur në njerëzoren: ndjeshmëria nuk i binte në sentimentalizëm, forca nuk i shndërrohej në ashpërsi. Ishte një ekuilibër i rrallë që e dallonte mes të tjerave.
Puna e Liza Laskës në ekran është dëshmi e asaj që arti i mirë nuk ka nevojë për zhurmë, mjafton të jetë i vërtetë.
Liza tashmë ka lënë një trashëgimi të pasur të saj, me gjurmë në zhvillimin kultural artistik kinematografik shqiptar:
Është organizuar Festivali i Lahutës, në kuadër të takimeve të Hotit të Kujit mbi Plavë e Guci.
Ringjallja e identitetit dhe rikthimi i artit e kulturës në këto treva të banuara nga shqiptarët, konsiston si një ndër qëllimet kyçe të këtij festivali.
“Arsye kryesore për çdo aktivitet që e kemi marrë këto tetë vitet e fundit që jam këtu është për ta rikthyer identitetin edhe për të mos lejuar të zhduken shqiptarët që jetojnë në Hot e pastaj vazhdojmë në Plavë e më tutje. Shpeshherë them se ne që jetojmë si pakicë shqiptare në Mal të Zi, jemi ‘trohat e bukës’ së Shqipërisë dhe Kosovës, prandaj ato duhet t’i mbledhë dikush”, tha Kaltrina Hoti, organizatore.
Profesori Zymer Neziri, në kuadër të organizimit, thekson se përpos të tjerave, festivali bart rëndësinë hapsinore, pikërisht për shkak të vendit në të cilin zhvillohet, një vend tipik historik.
“Këtu nuk po vij për herë të parë kam qenë edhe herë të tjera nga rinia e hershme po vërtetë sa herë vij këtu zemra si thonë më bëhet mal për këta njerëz se ende vazhdojnë jetën këtu, ende përpiqen të mbijetojnë dhe ende përpiqen të krijojnë edhe një brez tjetër të cilin e pamë këtu me paraqitjen e vet me valle po edhe me këngë pra edhe me instrumente muzikore.” – shprehet profesori.
Ndërsa profesori Binak Ulaj tha se me këto aktivitete Hoti ka filluar të gjallërohet. “Kësaj vlere ia shton peshën edhe ky manifestim që u mbajt këtu për arsye se jo vetëm që kultivon një kulturë tonën tradicionale, siç është Festivali i Lahutës por i bashkon njerëzit e të gjitha trojeve shqiptare dhe kjo ka një rëndësi të veçantë”, tha Ulaj.
Ky festival bart vlera kulturore për arsye se organizohet në tokat e humbura shqiptare, por jo të harruara. Kultivimi i vlerave kulturore dhe artistike shqiptare në këto troje shenjon edhe hapërimin drejt ruajtjes kolektive dhe kujtesës historike.
Në përmbyllje të këtij takimi tradicional, në skenë dolën dy vajza nga dy familje të asimiluara shqiptare në Rozhajë, të cilat tashmë kanë filluar të kthehen kah rrënjët e tyre./KultPlus.com
Mohamed Azizi, një shitës librash 72-vjeçar nga Rabati i Marokut, dhe një nga shitësit e librave më të fotografuar në botë.
Në një vend ku 26% e popullsisë ende nuk di shkrim e lexim, përkushtimi i Azizit për të shitur libra është një akt dashurie, për qytetin e tij, për letërsinë, për fuqinë e dijes dhe formimin e vetes edhe në një moshë aq të shtyer.
Jetim që në moshën gjashtëvjeçare, Aziz ka pasur një fëmijëri të vështirë. Ai nuk mundi të përfundonte shkollën e mesme sepse tekstet ishin shumë të shtrenjta. Por në moshën 15-vjeçare, ai nisi rrugëtimin si shitës librash, duke filluar me vetëm nëntë libra dhe një qilim të thjeshtë nën një pemë në vitin 1963.
Sot, libraria e tij është e mbushur me mijëra libra dhe ai kalon ditët i zhytur në tregime. Lexon nga gjashtë deri në tetë orë në ditë, duke ndalur vetëm për të ngrënë, për t’u falur, për të pirë duhan dhe për të ndihmuar klientët. Kur nuk është në dyqan, ai endet rrugëve duke kërkuar libra të rinj për koleksionin e tij.
Për Azizin, librat janë hakmarrja e tij ndaj varfërisë dhe vështirësive të fëmijërisë. Ai thotë me krenari: “Kam lexuar mbi 4,000 libra në arabisht, frëngjisht, anglisht dhe spanjisht, pra kam jetuar më shumë se 4,000 jetë. Të gjithë duhet të kenë këtë mundësi! Mjafton të kem dy jastëkë dhe një libër për ta shijuar ditën.”
Ideja e Mohamed Aziz mbi librat, shenjon edhe idenë kyçe të vetë letërsisë, atë që jeta imiton artin, idenë e të jetuarit më shumë se një jetë, më shumë se një realitet.
Pas më shumë se 43 vitesh në të njëjtin vend, ai mbetet shitësi i librave më jetëgjatë i Rabatit duke e pasuruar edhe vendin me një bazë kulturalisht të fortë të letërsisë.
Kur u pyet pse i lë librat pa mbikëqyrje jashtë, ai thjesht u përgjigj: “Ata që nuk dinë të lexojnë, nuk vjedhin libra, dhe ata që dinë nuk janë hajdutë.”/ KultPlus.com
Vajzat dhe djemtë e Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura, dhuruan emocione dhe spektakël me performancën e tyre në kalanë e Porto Palermos, duke e bërë eksperiencën e pushuesve vendas, por edhe turistëve të huaj më të paharrueshme.
Kryeministri Edi Rama tha në një postim në rrjetet sociale, që “Porto Palermo, pikëtakimi më i veçantë i pasurisë natyrore me trashëgiminë kulturore që zbukurohet edhe më shumë nga tingujt e spektaklit të dhuruar nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura”.
Në kuadër të sezonit turistik, Porto Palermo ishte ndalesa e radhës e formacionit të OSFA-së, shkruan atsh.Ky aktivitet përfaqëson një angazhim konkret të Forcave të Armatosura në mbështetje të jetës komunitare dhe nxitjes së turizmit kulturor në qytetet shqiptare.
Përmes këtij formacioni, Forcat e Armatosura kontribuojnë në gjallërimin e jetës sociale dhe kulturore, duke sjellë një produkt artistik të aksesueshëm për publikun vendas dhe vizitorët.
Këtë vit, manifestimi shtetëror “Vera e Ohrit”, i financuar nga institucionet publike të vendit, po zhvillohet pa asnjë përfaqësim të kulturës shqiptare në programin zyrtar. Në një shtet ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të popullsisë dhe të jetës kulturore, përjashtimi i plotë i çdo elementi shqiptar nga një festival kombëtar është i papranueshëm dhe shqetësues.
Programi zyrtar i “Verës së Ohrit” përfshin koncerte, shfaqje teatrore dhe mbrëmje të veçanta kushtuar kulturave evropiane, por asnjë ngjarje muzikore, teatrale apo ekspozitë nuk përfaqëson trashëgiminë e pasur kulturore shqiptare. Kjo heshtje kulturore është në vetvete një mesazh përjashtues dhe dëshmi se qasja ndaj kulturës shqiptare në institucionet shtetërore nuk është përfaqësuese, por margjinalizuese.
Ironikisht, festivali u hap në prani të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, por as kjo nuk mjaftoi që organizatorët të reflektojnë mbi përfshirjen e gjuhës dhe kulturës shqipe në program. Jo vetëm që nuk ka asnjë përfaqësim të artistëve shqiptarë, por mungon plotësisht çdo pikë që do pasqyronte identitetin, traditën apo krijimtarinë bashkëkohore shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Kultura shqiptare është dhe duhet të jetë pjesë e natyrshme e çdo ngjarjeje kulturore të nivelit kombëtar. Mungesa e saj në një manifestim të tillë nuk është çështje organizative, por tregues i një politike përjashtuese që po zë rrënjë në sistemin institucional të kulturës./ KultPlus.com
Gisele Pelicot, gruaja franceze që ka fituar vëmendje ndërkombëtare pasi ka dëshmuar publikisht në gjyqin për dhunimin masiv që ka përjetuar, i është ndarë titulli më i lartë i Francës.
Kjo 72-vjeçare është emëruar Kalorëse e Legjionit të Nderit, sipas një liste të publikuar para Ditës Kombëtare të Francës.
Pelicot ka hequr dorë nga e drejta për anonimitet në një gjyq të profilit të lartë kundër burrit të saj, i cili e ka droguar dhe dhunuar, si dhe i ka ftuar dhjetëra burra tjerë të huaj që të abuzojnë me të për gati një dekadë.
Pelicot është në mesin e 589 personave që u është ndarë ky çmim prestigjioz.
Ajo ka marrë pjesë në seancat gjyqësore pothuajse çdo ditë.
Ato kanë përfunduar në dhjetor të vitit të kaluar dhe Dominique Pelicotit, 72-vjeçar, i është dhënë dënim maksimal prej 20 vjetësh burgim për dhunim, pasi e ka pranuar se e ka dhunuar Giselen dhe i ka rekrutuar rreth 50 burra për ta dhunuar, derisa ajo ka qenë pa vetëdije në shtrat.
“Dua që të gjitha gratë që janë dhunuar të thonë: Zonja Pelicot ia ka dalë, mundem edhe unë”, u ka thënë më parë ajo gazetarëve, duke treguar se ka vendosur ta bëjë të hapur procesin gjyqësor për “t’ia ndërruar vendin turpit” duke e bartur nga viktima te dhunuesi.
Presidenti francez, Emmanuel Macron e ka nderuar publikisht figurën e saj, duke thënë se “dinjiteti dhe kuraja e saj e kanë inspiruar Francën dhe botën”.
Sipas avokates së saj, një libër me hollësi për përjetimet e Gisele Pelicotit do të publikohet në fillim të vitit të ardhshëm./ REL/ KultPlus.com
Fotografia që e sjell si ilustrim është një imazh i rrallë dhe jashtëzakonisht domethënës, një grua shkodrane, e veshur me kostum tradicional, e ulur me një qasje të lirshme e vetbesuese, pozon duke pirë një cigare, një ikonografi që thyen shumë nga normat gjinore të kohës. Kjo pamje, e kapur me mjeshtëri në studion Marubi, përfaqëson më shumë se një pozë fotografike, është një manifest i qetë por i fuqishëm i ndryshimit të rolit të gruas në shoqërinë shqiptare të fillimshekullit XX.
Në një kohë kur pjesa tjetër e Shqipërisë po përpiqej ende të dilte nga errësira e analfabetizmit dhe izolimit, Shkodra shndërrohej në vatër të emancipimit, qytet i mendimit, artit dhe gruas së vetëdijshme për rolin e saj në shoqëri.
Qysh në vitin 1919, Shkodra thyen tabu, në dramën “Eminia e vorfën”, për herë të parë në historinë e skenës shqiptare, një grua, dhe jo një burrë i veshur si femër, siç ishte zakon, ngjitet në skenë për të interpretuar një rol femëror. Ky ishte një akt i guximshëm artistik dhe emancipues, që hodhi themelet e një mendësie të re në kulturën shqiptare. Akti nuk ishte vetëm estetik apo teatral, por simbolik, ishte vetë zëri i gruas që për herë të parë fliste me zërin e vet në publik.
Konkretizim: Më 11 gusht të vitit 1919, në Teatrin e Shoqnisë “Vllaznia” në Shkodër, u vu në skenë drama me tri akte “Erminia e vorfën”, e shkruar nga Kolë Gurakuqi. Kjo shfaqje shënon një moment historik në skenën teatrore shqiptare: për herë të parë, roli kryesor i një gruaje u interpretua nga një grua e vërtetë — Roza Sovaria Shoshi.
Roza, e cila më vonë do të njihej edhe si nëna e Tonin Topallajt (i burgosur me grupin e studentëve të Gjimnazit “28 Nëntori”), pati guximin të thyejë një rregull të pathënë të kohës, ku rolet femërore interpretoheshin ekskluzivisht nga burra të maskuar si gra. Me interpretimin e saj të Erminisë, Roza jo vetëm që solli një realizëm të ri në artin skenik, por u bë edhe simbol i një emancipimi të hershëm, duke i hapur rrugën grave të tjera drejt skenës dhe zërit të tyre të merituar në artin shqiptar.
Në vitet që pasuan, konkretisht më 1921-1922, Shkodra njohu një lulëzim artistik me shfaqje si “Katër caqet themelore” dhe “E tradhtuemja”, të interpretuara tërësisht nga aktore femra, Tina e Gjon Ashikut, Kristina e Zef Gjonej, Ida e Kel Kodhelit, Marta e Logorecit, dhe shumë të tjera. Këto vajza dhe gra, me guximin e tyre, shkelën në skenën teatrore me zërin e zemrës dhe me vetëdijen se po ndryshonin përjetësisht rolin e gruas në art dhe në shoqëri.
Por ky emancipim nuk ishte rastësor. Ai ishte fryt i vetë Shkodrës, qytet i konsullatave, i misioneve katolike e shkollave laike, i Gjuhadolit dhe Sarreqit që zienin nga librat, ideologjitë dhe përplasjet kulturore të një Evrope që derdhej përmes artit, gazetës dhe mendimit tek qytetarët. Ishte një qytet ku kultura e huaj nuk ishte kërcënim, por frymëzim; ku fjala e shkruar, muzika dhe arti ishin mjet për të ngritur vetëdijen, edhe atë të grave. Një mënyrë e qasshme e jetes perëndimore në një realitet ku ende ishin të dukshme orientalizmat dhe ndikimi i thellë që ishte pleksur nën trysninë e sundimit kohëgjatë dhe një asimilimi asgjësues.
Në një Shqipëri ku zëri i gruas dëgjohej rrallë, Shkodra kishte gra me veshje elegante, me libra në dorë, me këngë në buzë, ëndrra në dëshirime, histori dashurie në zemra, dhe me një qëndrim kritik ndaj shoqërisë patriarkale. Ato nuk ishin vetëm të bukura, por të mençura dhe të zëshme. Ato e morën hapësirën që iu mohua brezave të mëparshëm, dhe këtë e bënë me dinjitet dhe pasion.
Fotografia që sjell këtë histori, një grua shkodrane, e ulur lirshëm, me cigaren në dorë e vështrimin sfidues, është portreti i një kohe që ndryshoi. Është një dëshmi vizuale e vetëbesimit, e sfidimit të normave, e një feminizmi të heshtur por rrënjësor që Shkodra e përqafoi shumë përpara se fjala “feminist” të bëhej pjesë e fjalorit tonë kulturor./ KultPlus.com
Vajzat dhe djemtë e Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura, dhuruan emocione dhe spektakël me performancën e tyre në kalanë e Porto Palermos, duke e bërë eksperiencën e pushuesve vendas, por edhe turistëve të huaj më të paharrueshme.
Kryeministri Edi Rama tha në një postim në rrjetet sociale, që “Porto Palermo, pikëtakimi më i veçantë i pasurisë natyrore me trashëgiminë kulturore që zbukurohet edhe më shumë nga tingujt e spektaklit të dhuruar nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura”.
Në kuadër të sezonit turistik, Porto Palermo ishte ndalesa e radhës e formacionit të OSFA-së.
Ky aktivitet përfaqëson një angazhim konkret të Forcave të Armatosura në mbështetje të jetës komunitare dhe nxitjes së turizmit kulturor në qytetet shqiptare.
Përmes këtij formacioni, Forcat e Armatosura kontribuojnë në gjallërimin e jetës sociale dhe kulturore, duke sjellë një produkt artistik të aksesueshëm për publikun vendas dhe vizitorët.
“SpaceX” – kompania amerikane e teknologjisë hapësinore me qendër ne Teksas – ka financuar 2 miliardë dollarë për “xAI” – si pjesë e një raundi investimesh prej 5 miliardë dollarësh, duke thelluar lidhjet midis sipërmarrjeve të miliarderit të teknologjisë Elon Musk, ndërsa startup-i i tij i inteligjencës artificiale garon për të konkurruar me rivalin “OpenAI”, raportoi “Wall Street Journal”.
Investimi vjen pas bashkimit të “xAI” me X dhe e vlerëson kompaninë e kombinuar në 113 miliardë dollarë, me chatbot-in “Grok” që tani fuqizon mbështetjen e “Starlink” dhe synon integrimin e ardhshëm në robotët “Optimus” të Tesla-s.
Pavarësisht polemikave të fundit që kanë të bëjnë me përgjigjet e “Grok”, Musk e ka quajtur atë IA-në më të zgjuar në botë ndërsa “xAI” vazhdon të shpenzojë shumë për trajnimin e modeleve të reja dhe infrastrukturën. /atsh/ KultPlus.com
Agron Gërguri Natën e tretë të Etno Fest 2025 e nisi këngëtarja Vjosa Robelli – Mripa me këngë të njohura të përpunuara në jazz.
Shumë këngë të mia janë investim në identitet dhe vijnë nga trashëgima e pasur e identitetit tonë kulturor tha në nisje të koncertit të saj këngëtarja Vjosa Robelli. Këngët e përpunura në jazz preknin thellësin e vlerave të etnosit dhe përpikshmërisht intehrohesjin në ambientet dhe frymen e Etno Fest-it i cili po bëhet vendtakim jo vetëm i artistëve dhe traditës por tashmë edhe me artistë e arye të kombeve tjera.
Këngëtarja me një zë të ëmbël të cilën e përcillte trio e instrumentistëve: Nikos Ziarkas (gitarë), Theodoros Ziarkas (kontrabas), Gizem Altınordu (perkusion) përveç tjerash solli një rrëfim për vitet e 90 – ta kur pësuan shumë fëmijë me një kënga dedikuar atyre që shkaktojë emocione të fuqishme. Vjosa këndoj për Nënën si mbretëreshë e jetës, vajzërinë e dashurinë duke përmbushë kënaqësin e spektatorëve të cilët disa nga këngët i kënduan bashkë me Vjosën.
Spektakël i vallëzimit dhe akrobacioneve mahnitëse të grupit ” Sarkassi dancer” nga Kenia
Në skenën e re të Etno Festit në platon e së cilës dominon piktura “Qilimi fluturues i gjyshes” u paraqiten dance grupi “Sarakassi Dancer” nga Kenia të cilët me vallëzim e akribacione mahnitëse rrëfyen për jetën, dashurinë, vdekjen, lirinë, gëzimin, pikëllimin të gjitha me një ritëm.të “çmendur” si shprehje fundamentale e mundësive fizike, duke krijuar figura të kuptueshme që prodhonin emocione dhe krahasueshëm shtrohej pyetja njerëzit gjithëandej kanë kaluar nëpër shumë ravgime e krajata për ta dëshmuar identitetin dhe se ky pikëtakim sonte në etno fest ishte madhështor. Përveçse një spektakël i lëvizjes harmonisë ritmit dhe shprehjes plotë ndjenja përmes vallëzimit dhe akrobaconeve në fund vallëzuan bashkë me grupin të gjithë spektatorët që ishinë sonte në Etno Fest, edicioni i 25 -të. Një pamje madhështore që krijoj emocione gëzimi e hareje e cila e përligjte thënien ” ate që s’ta them dot me fjalë ta tregoj me vallëzim”.
Për të vazhduar etno nejen me grupin e Nezafete Shalës “Melodia e vjetër” të cilët e kapen emocionin aty ku e la danc grupi nga Keni, vallëzimi e kënga vazhduan duke u bërë një me dëshirat e shumë spektatorëve të etnofestit i cili sivjet po prek dimensione të reja të vlerave të etnosit si urë komunikimi midis popujve në shërbim të identitetit njerëzor ku dashuria dhe respekti për tjetrin bëhen mënyrë e komunikimit.
Konstatojmë se në natën e tretë të Etno Festit përmes muzikës, vallëzimit dhe zërit dhe gjuhës së trupit dhe melodisë u prekën rrënjët e identitetit njerëzor.
Arkeologët zbuluan së fundmi dy relike të jashtëzakonshme nën dyshemetë e rezidencës së George Washington në Mount Vernon. Këto shishe të vulosura, të ruajtura për më shumë se dy shekuj, janë fshehur nën një dysheme me tulla që është vendosur fillimisht në vitet 1770. Zbulimi ofron një vështrim të rrallë dhe të paçmuar në Amerikën para-revolucionare, duke hedhur veçanërisht dritë mbi praktikat dhe jetën e përditshme të atyre që banonin në pronë. Sipas Popular Mechanics, shishet pritet të ofrojnë njohuri të rëndësishme historike që do të rrisin kuptimin tonë të epokës. Ky zbulim thekson rëndësinë e përpjekjeve të tilla arkeologjike në zbulimin e aspekteve të harruara të historisë.
Zbulimi ndodhi gjatë një projekti rivitalizimi në Mount Vernon, ku arkeologët hoqën një dysheme me tulla që ishte instaluar në vitet 1770. Poshtë dyshemesë, ata zbuluan një gropë të vogël që përmbante dy shishe qelqi me ngjyrë jeshile të errët, krejtësisht të paprekura dhe të mbyllura.
Pasi nxorën me kujdes përmbajtjen e lëngshme, ekspertët u habitën nga aroma e pagabueshme e luleve të qershisë, duke ofruar një të dhënë rreth përmbajtjes së tyre. Këto shishe, me shumë gjasa të prodhuara në Evropë gjatë viteve 1740 ose 1750, u vendosën në gropë para instalimit të dyshemesë në vitet 1770, gjë që i bën qershitë brenda të jenë ndoshta frut i periudhës para-Revolucionare.
Rikuperimi i këtyre shisheve të vulosura konsiderohet një “zbulim i jashtëzakonshëm”, siç është vënë në dukje nga Doug Bradburn, president dhe drejtor ekzekutiv i Mount Vernon.
“Jo vetëm që gjetëm shishe të paprekura dhe të vulosura, por ato përmbanin materiale organike që mund të na ofrojnë një pasqyrë dhe perspektivë të vlefshme mbi jetën e shekullit të 18-të në Mount Vernon”, tha Jason Boroughs, arkeologu kryesor i Mount Vernon.
Shishet kanë mbetur të paprekura, duke ruajtur një pamje të jetës në Mount Vernon shumë kohë para Luftës Revolucionare.
Pas shqyrtimit të mëtejshëm, arkeologët zbuluan se shishet ishin të mbushura me qershi, duke përfshirë kërcejtë dhe bërthamat e tyre. Ky zbulim shkon përtej vetë shisheve, pasi materiali organik brenda ofron të dhëna rreth metodave të ruajtjes së shekullit të 18-të.
Përmbajtja e shisheve ofron një pasqyrë të teknikave të ruajtjes së ushqimit, ku frutat si qershitë ruheshin në mënyra që i lejonin ato t’i mbijetonin kohës. Siç shpjegon Boroughs,
“Ekzistojnë rrëfime të shekullit të 18-të që flasin për mënyrat e duhura të ruajtjes së frutave dhe perimeve. Një nga më të zakonshmet, veçanërisht për manaferrat, është tharja e tyre sa më shumë që të jetë e mundur… vendosja e tyre në një shishe të thatë, mbyllja e tapës… dhe pastaj groposja.”
Kjo metodë ruajtjeje ishte një praktikë e zakonshme në shekullin e 18-të përpara frigoriferimit, duke lejuar që frutat të ruheshin për përdorim të mëvonshëm në gatim ose pjekje. Ruajtja e jashtëzakonshme e qershive pas më shumë se 250 vjetësh dëshmon për efektivitetin e këtyre metodave.
Rëndësia e këtij zbulimi nuk kufizohet vetëm te objektet fizike të gjetura. Përmbajtja e shisheve – qershitë – zbulon zgjuarsinë e teknikave të ruajtjes së ushqimit gjatë shekullit të 18-të. Këto metoda, të tilla si tharja dhe mbyllja e frutave në shishe për t’i mbrojtur ato nga elementët, ishin thelbësore për njerëzit që jetonin pa luksin e frigoriferëve modernë. Sipas arkeologut Jason Boroughs:
“Këto shishe kanë potencialin për të pasuruar rrëfimin historik dhe jemi të emocionuar që përmbajtja do të analizohet në mënyrë që ta ndajmë këtë zbulim me studiues të tjerë dhe publikun vizitor.”
Ruajtja e qershive në një mjedis kaq të mbyllur ofron jo vetëm një lidhje unike fizike me të kaluarën, por edhe një vështrim në praktikat bujqësore dhe kulinare të kohës.
Ky zbulim ofron një pasqyrë të vlefshme të jetës së përditshme në Mount Vernon, duke nxjerrë në pah mënyrat se si njerëzit e asaj epoke mbështeteshin në burimet e disponueshme për të ruajtur dhe ruajtur ushqimin për një kohë të gjatë.
Ndërsa George dhe Martha Washington njiheshin për shijen e tyre si adhurues të qershive, nuk ka gjasa që ata të kenë pasur në dorë këto shishe specifike. Në kohën e vdekjes së Washington, Mount Vernon strehonte mbi 300 individë të skllavëruar, dhe shishet mund të jenë përgatitur dhe varrosur prej tyre, si pjesë e punës së tyre të përditshme. Kjo i shton një shtresë shtesë kompleksiteti rrëfimit historik, pasi zbulimi ofron një pamje të jetës si të familjes Washington ashtu edhe të skllevërve që jetonin dhe punonin në pronë.
Ky zbulim nënvizon kontributet shpesh të anashkaluara të individëve të skllavëruar në Mount Vernon, të cilët luajtën një rol vendimtar në ruajtjen e operacioneve bujqësore të pronës. Zbulimi gjithashtu hedh dritë mbi kontekstin historik të ruajtjes së ushqimit, i cili ishte kritik për mbijetesën në shekullin e 18-të, dhe na jep një lidhje të prekshme me të kaluarën./balkanweb/ KultPlus.com
Një nga sendet më të rralla që është zbuluar ndonjëherë në Tokë do të dalë në ankand të mërkurën në New York. Bëhet fjalë për një meteorid 25 kilogramësh, i njohur si NWA 16788, i cili besohet se është fragmenti më i madh i Marsit i gjetur ndonjëherë në planetin tonë.
Shtëpia e ankandeve Sotheby’s ka vlerësuar çmimin e tij nga 2 deri në 4 milionë dollarë. Ky shkëmb i jashtëzakonshëm, me ngjyra të kuqe, kafe dhe gri, besohet se është flakur nga sipërfaqja e Marsit pas një goditjeje të fuqishme nga një asteroid dhe ka përshkuar rreth 225 milionë kilometra për të rënë në shkretëtirën e Saharës, në Niger, në nëntor të vitit 2023.
Sipas Sotheby’s, meteori përbën rreth 7% të të gjithë materialit marsian të njohur në Tokë dhe është 70% më i madh se fragmenti i dytë më i madh i gjetur deri më sot. Testimet laboratorike kanë konfirmuar se ai ka përbërje identike me shkëmbinjtë marsianë të studiuar nga sonda “Viking” në vitin 1976.
Në të njëjtin ankand do të dalë edhe një tjetër zbulim mbresëlënës: skeleti i një Ceratosauri të ri, një dinozaur që jetoi rreth 150 milionë vite më parë. Skeleti, i cili është mbi 2 metra i lartë dhe afro 3.5 metra i gjatë, u zbulua në vitin 1996 në Wyoming të SHBA-së dhe është rikonstruktuar me përpikmëri nga ekspertët.
Ky ankand është pjesë e “Javës së Geek-ut 2025” në Sotheby’s dhe përfshin gjithashtu fosile, meteorë dhe minerale të rralla. Pasioni për historinë natyrore dhe shkencën po tërheq gjithnjë e më shumë koleksionistë që janë gati të paguajnë miliona për të pasur një copëz nga universi ose nga koha e dinozaurëve./abcnews.al/ KultPlus.com
Ekziston një enigmë që i ka magjepsur të gjithë shkencëtarët: kur Toka u formua 4,5 miliardë vjet më parë, planeti ynë në thelb ishte një top shkëmbi i shkrirë, sipas BBC.
Uji që mund të ketë qenë i pranishëm gjatë formimit të planetit – me siguri do të ishte zhdukur menjëherë. Megjithatë, sot, uji mbulon rreth 70% të sipërfaqes së Tokës.
Pra, nga erdhi i gjithë ky ujë? Dhe akoma më intriguese, kur mbërriti në Tokë?
Një ekip kërkimor nga Universiteti i Emirateve të Bashkuara Arabe ka publikuar së fundmi një studim të ri në “Nature Astronomy”, një nga revistat kryesore ndërkombëtare në astronomi.
Studimi paraqet prova të reja që sugjerojnë se uji ekzistonte në univers para se të formoheshin blloqet ndërtuese të galaktikës sonë, gjë që sfidon dhe ripërcakton kuptimin shkencor të formimit të ujit dhe potencialin për jetë në universin e hershëm.
Dr. Muhammad Abdul Latif, Profesor i Asociuar në Departamentin e Fizikës në Universitetin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe autor kryesor i studimit, shpjegoi se hulumtimi hedh dritë mbi rolin e supernovave të para në formimin e ujit.
“Grumbullime të dendura të pasura me ujë mund të kenë formuar disqe proto-planetare, duke çuar potencialisht në krijimin e planetëve të qëndrueshëm në agimin e universit dhe mundësinë e ekzistencës së jetës shumë më herët sesa mendohej më parë”, tha ai.
Studimi ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme globale.
Toka e hershme nuk ishte një vend miqësor me ujin – një peizazh i shkëmbinjve të shkrirë, shpërthimeve vullkanike dhe bombardimeve të vazhdueshme nga kometat dhe asteroidet, me nivele të larta të rrezatimit diellor. Këto kushte do ta kishin avulluar ujin.
Gjithashtu, Prof. Richard Greenwood nga “Open University”, tha se bërthama prej hekuri e shkrirë e Tokës do të kishte qenë një top ndryshku nëse do të kishte pasur ujë në përzierjen proto-tokë.
Pra, nëse uji nuk ka qenë gjithmonë këtu, nga ka ardhur?
Në Muzeun e Historisë Natyrore në Londër, Prof. Sara Russell ka krahasuar “gjurmën e gishtërinjve” izotopike të ujit të Tokës me ujin e gjetur në asteroidin Bennu – të kapur dhe të sjellë nga misioni i fundit i NASA-s “Osiris Rex”. / atsh/ KultPlus.com
Kështjellat përrallore të mbretit të Bavarisë Ludwig II, Komisioni i UNESCO-s i ka shpallur trashëgimi e kulturës botërore. Krahas Neuschweinstein kategorizohen edhe tri kështjella të tjera si trashëgimi e kulturës botërore.
Në mbledhjen e Komisionit të Trashëgimisë së Kulturës Botërore të UNESCO-s në Paris u pranuan në listën e objekteve të mbrojtura të kulturës botërore kështjellat përrallore të mbretit të Bavarisë Ludwig i II si dhe shtëpia mbretërore në Berg.
Këto kështjella në mjedise idilike natyrore që prej mëse 140 vjetësh janë si një magnet për turistët. Vetëm vitin e kaluar janë joshur të vizitojnë këto vepra mjeshtërore rreth 1,7 milionë vizitorë nga brenda dhe jashtë vendit.
Tri kështjellat e famshme të Ludwig-ut të II u ndërtuan gjatë mbretërimit të tij me shuma maramendëse parash. Kështjellat Linderhof dhe Herrenchiemsee, ku janë vendosur ekspozitat qëndrore në kujtim të Ludwig-ut të II, si dhe kështjella Neuschwanstein.
Mbreti i famshëm bavarez
Ludwig i IIështë konsideruar në gjithë botën si gjermani më i njohur, megjithëse parë hollë ai ka qenë bavarez: Mbreti Ludwigu i II ka lindur më 25 gusht 1845 në kështjellën Nymphenburg afër Mynihut dhe ka vdekur më 13 qershor 1886 në liqenin Starnberger. Ludwigu i II. ka sunduar nga 1864 deri në vdekjen e tij si mbreti i Bavarisë. Ai nuk ka qenë mbret “konvencional”, të cilit nuk i interesonte shumë politika, lufta dhe administrata. Ai angazhohej për artin, ndërtimin e kështjellave shumë pompoze, mbështeste Richard Wagnerin dhe muzikën e tij.
Përmes 31 vizatimeve nga piktori i merituar Anastas Kostandini dhe një gjuhe sa vizuale, poetike por edhe intime, është ndërtuar një hartë ndryshe e Pogradecit, e zonave të ndryshuara apo harruara, por që vijojnë të jetojnë në kujtesën kolektive dhe strukturën urbane të qytetit.
Sipas Tasos, “Nënqyteti” është më shumë se një ekspozitë, është një udhëtim në kohë, një rikthim përmes kujtesës, vëzhgimit të imët dhe rrëfimit artistik, i cili shpaloset si në formë fizike, ashtu edhe virtuale.
“Ky projekt i veçantë synon të ndezë reflektimin mbi identitetin urban dhe memorien qytetare, duke e vendosur artin në funksion të dialogut me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Pogradecit, me fokus të kryesor zhvillimin e turizmit të trashëgimisë historike.
Për Drejtorin e Turizmit, Ledjan Zeqollari, zonat e risjella përmes QR kodeve dhe vizatimeve të Tasos i shërbejnë masivisht turizmit dhe vizitorëve,” thotë Anastas Kostandini, artist.
“Mevlan Shanaj tha se një ekspozitë e tillë të bën të kuptosh që nuk je në një Pogradec provincial,” thotë Ledian Zeqollari, Dr. i Turizmit në Pogradec.
“Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë, ndërsa të 31 punimet janë të vendosura në zonat respektive të qytetit, ku përmes telefonit mund të skanohen dhe të lexohet i gjithë informacioni për lagjet, godinat e vjetra, muzeun, ish kinemanë, zonat historike etj.,” thotë Mevlan Shanaj, regjizor.
Due me fluturue mbi bjeshkë me pëllumba, i thashë tim vëllau gjak-nxehtë. “S’asht ajo punë për ne!” S’kuptove, i thashë, due me shkue ndër këndime. “Latinishtja – tha s’asht punë për ne: mëso gjuhën e gjarpnit ma parë!”
Im vëlla gjak-nxehtë, gjashtë vjec dinte me e ngulë fluturimthi bizin në dhé, dhetësh – tri pëllambë mbi krye thikën ne drunin e njomë. Si ma njofti menden befas nisi të pleqnojë e tha: “Dy duer na jemi e nji krye, po i ndajmë na punët: unë shpatën – ti pendën!”/KultPlus.com
Cilësohet poet kombëtar e njihet edhe si Homeri shqiptar. Gjergj Fishta (23 dhjetor 1871 – 30 dhjetor 1940), ishte frat françeskan, piktor, arkitekt, deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave, kandidati i parë shqiptarë për Çmimin Nobel për Letërsi dhe mbrojtës i kauzës shqiptare në arenën ndërkombëtare. Fishta ka dhënë kontribut të madh edhe në Kongresin e Manastirit, për alfabet e sotëm, ndërsa ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Më poshtë mund të lexoni disa thënie të një prej figurave më të mëdha intelektuale dhe patriotike të historisë kombit shqiptar.
– Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë!
– Njerëzit janë tanë njisoj prej natyrës, edukata i ban me u dallue!
– Shqiptarët kallzojnë njate çka s’duhet, e mshehin njatë çka e di tanë bota!
– Pak din njaj që ja kallzon të tana grues!
– Në kjoftë se provon, mundesh me hupë, por në kjoftë se nuk provon – je i hupun gjithsesi!
– Në kjoftë se thue at çka dishron, duhet me ndie edhe ate çka nuk e dishron!
– Ma mirë n’vorr me u kja për mallë / se nën shkja me ndejë për t’gjallë,,,
– Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë!
– N’daq me gzue t’bukrën liri / mos shkel fis, as mik, as fe / pse n’kto sheja bota mbarë. / na dallon se jem shqiptarë…
– Edhe atij iu thaftë po goja / që përbuzë këtë gjuhë hyjnore / qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja / flet e tveten e lèn mbas dore…
– Mbi njatë flamur Perendija / me dorë t’ vet Ai e ka shkrue / “Për Shqyptarë do t’jét Shqypnija / kush u a prekë, ai kjoftë mallkue”…
– Po, edhè hâna do t’ a dijë / edhè Dielli do t’ két pá / se për qark ksaj rrokullije / si Shqypnija ‘i vend nuk ká…
– Në rast se ata nuk na duan në një shtet të vetëm, pasi thonë shqyptarët qenkan muslimanë, aherë… na kristianët do t’i shkriejmë kryqet tona dhe do t’i bajmë fishek me mbrojt vllaznitë tanë muslimanë shqyptarë!
– Më dhemb kryet me njato parla-parla të parlamentarëve: dokrra pa kokrra!
– Injoranca e krenaria shkojnë bashkë si shtati e hija! / KultPlus.com