Poezia e Arian Lekës hap ekspozitën ndërkombëtare “Nautical Poetics” në Kinë

Vargjet e poetit shqiptar Arian Leka janë përzgjedhur si hyrje poetike e ekspozitës ndërkombëtare “Nautical Poetics: Invitational Exhibition of Maritime Poetry”, e cila u hap në qytetin Hangzhou të Kinës një nga qendrat më të rëndësishme të artit bashkëkohor në rajonin e Paqësorit.
Kjo ekspozitë unike bashkon autorë nga vende dhe gjuhë të ndryshme përreth një simboli të përbashkët: detin, jo vetëm si hapësirë fizike, por edhe si metaforë e udhëtimit shpirtëror, kujtesës kolektive, përplasjes së identiteteve, përcjellë KultPlus.
Vargjet e Lekës janë përzgjedhur nga libri “Hartë memece për të mbyturit”, konkretisht nga cikli “Kripë fshehur në gjak” (Salt Hidden In The Blood), ku motivi i detit zë një vend qendror.
Ky pranim ndërkombëtar vjen si një tjetër dëshmi e fuqisë shprehëse të poezisë shqipe në skenën globale, dhe është raportuar edhe nga Festivali Poeteka, si nje urë komunikimi mes letërsisë shqipe dhe botës. Vargjet e Arian Lekës, të vendosura në mure poetike në ekspozitën “Nautical Poetics” në Hangzhou, krijojnë një dritare të re për të kuptuar se poezia shqipe, veçanërisht ajo që buron nga brigjet mesdhetare, zotëron një identitet të fuqishëm, thellësisht universal dhe gjithnjë e më të pranishëm në peizazhin global të artit bashkëkohor.
Një nga vargjet që ka zgjedhur vetë ekspozita si titull të saj është:
“Me botën bëj luftë, me veten paqe”
(With the world make war, and peace with yourself)
和世界作战吧!但记得与自己讲和.
Ky varg tashmë qëndron i gdhendur në një mur digjital në zemër të Hangzhout. Ai shërben si një ftesë për të dëgjuar një zë poetik që vjen nga brigjet shqiptare, një zë që flet për idealin shpirtëror, për mungesën e lirisë, për betejat e brendshme njerëzore./KultPlus.com
