Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 18 July 2026Java News

Europa “zbarkon” në Vlorë / Turistët e huaj preferojnë qytetin bregdetar për pushime

By: E S
18 July 2026 at 15:00

Pushues vendas dhe të huaj kanë zgjedhur Vlorën për pushimet e tyre verore. Ne mesin e korrikut numri I turisteve eshte rritur ndjeshem.

Shume prej tyre kane ardhur nga Europa. Deti eshte ai qe I terheq.

Gjithashtu shume shqiptare qe jetojne jashte vendit jane kthyer per te pushuar prane familjareve.

Harta e turisteve qe frekuentojne Vloren kete vit eshte zgjeruar ndersa vizitoret nga Anglia dhe Suedia jane shtuar.

Ky qytet per ta eshte një nga destinacionet ideale per te kaluar pushimet.

Kush paguan 100 mijë dollarë, do të mësojë i pari se çfarë poston Trump

By: E S
18 July 2026 at 14:52

Kompania Trump Media & Technology Group (TMTG), e cila zotëron rrjetin social Truth Social, ka vendosur ta kthejë në biznes shpejtësinë me të cilën postimet e Donald Trump mund të ndikojnë në tregjet financiare.

Shërbimi i ri quhet Truth API dhe pritet të nisë më 1 gusht. Ai do t’u ofrojë bankave dhe kompanive të tregtimit algoritmik një mënyrë për të marrë njoftime më shpejt se përdoruesit e zakonshëm të platformës.

Ideja është që kompanitë financiare të kenë akses të menjëhershëm te postimet e Trump, pasi disa prej deklaratave të tij në Truth Social kanë shkaktuar më parë lëvizje të forta në bursat ndërkombëtare.

Sipas raportimeve, shërbimi do të kushtojë rreth 100 mijë dollarë në muaj dhe do të përfshijë 10 llogaritë më të ndjekura dhe më me ndikim në platformë. Mes tyre është edhe profili i vetë Donald Trump, por edhe llogaritë e djemve të tij, Donald Trump Jr. dhe Eric Trump, si dhe të disa mbështetësve të njohur.

Truth API do të përfshijë edhe një arkiv me postimet që nga viti 2022 dhe synon kompanitë që humbin para kur marrin informacion me vonesë. Për tregtarët algoritmikë, edhe disa milisekonda avantazh mund të sjellin fitime të mëdha.

TMTG thotë se disa kompani janë tashmë të interesuara për këtë shërbim, por nuk ka bërë publike emrat e tyre.

Postimet e Trump kanë ndikuar tregjet

Arsyeja pse ky shërbim mund të ketë kërkesë lidhet me ndikimin që postimet e Trump kanë pasur në tregjet financiare.

Një nga rastet më të njohura ndodhi më 9 prill 2025, kur bursat amerikane u rritën ndjeshëm pasi Trump njoftoi në Truth Social një pezullim 90-ditor të disa tarifave të reja tregtare.

Në atë moment, një postim i vetëm i presidentit pati ndikim më të madh se disa deklarata zyrtare nga institucionet ekonomike amerikane.

Debat për konflikt interesi

Shërbimi i ri ka hapur edhe debate për konflikt të mundshëm interesi.

Sipas dokumenteve zyrtare, Donald J. Trump Revocable Trust, i cili menaxhon pasuritë e presidentit dhe drejtohet nga djemtë e tij, zotëron rreth 41% të aksioneve të TMTG.

Kjo do të thotë se kompania që shet akses të privilegjuar te postimet e Trump kontrollohet pjesërisht nga familja e tij.

Kritikët argumentojnë se tregtarët që paguajnë për të marrë më shpejt informacionet që mund të ndikojnë bursat, po i sjellin gjithashtu të ardhura familjes Trump.

Senatori demokrat Ron Wyden e ka kritikuar nismën, duke thënë se ajo mund të përfitojë financiarisht familjen Trump dhe investitorët e mëdhenj që mund të paguajnë për këtë akses.

A është e ligjshme?

Ekspertët ligjorë thonë se, nga pikëpamja teknike, shërbimi mund të jetë i ligjshëm.

Sipas tyre, platformat teknologjike mund t’u ofrojnë disa klientëve akses më të shpejtë në informacion, edhe pse kjo krijon avantazh ndaj përdoruesve të tjerë.

Megjithatë, debati kryesor nuk lidhet aq me ligjin, por me mënyrën e biznesit dhe me pyetjen nëse është e drejtë që disa investitorë të kenë informacion më shpejt për shkak të mundësisë financiare.

Pse TMTG po kërkon burime të reja fitimi

Pas krijimit të Truth Social, kompania e Trump ka pasur vështirësi të konkurrojë me rrjetet e mëdha sociale dhe po kërkon mënyra të reja për të rritur të ardhurat.

Truth API shënon hyrjen e saj në tregun e shitjes së të dhënave financiare, një industri ku kompani si Bloomberg dhe Refinitiv kanë ndërtuar prej vitesh biznese të mëdha.

Por ndryshimi është se, ndërsa kompanitë tradicionale shesin informacione nga burime të pavarura, në rastin e Truth API burimi kryesor i informacionit është vetë Trump dhe rrethi i tij politik.

Kjo ka bërë që nisma të shihet si një model biznesi i pazakontë, ku ndikimi politik dhe interesat financiare ndërthuren drejtpërdrejt.

Kapen mbi 55 kg marijuanë në kufirin greko-shqiptar, një i arrestuar

By: E S
18 July 2026 at 14:40

Nje operacion i organizuar dhe i koordinuar nga oficeret e Departamentit te Hetimit dhe Ndjekjes Penale te Krimeve ne Follorine ka cuar ne arrestimin e nje shtetasi shqiptar, 68 vjec, i dyshuar per trafikim te nje sasie te madhe lende narkotike.

Sipas autoriteteve greke, pas shfrytezimit te informacionit operacional dhe ne kuader te masave per goditjen e trafikut nderkombetar te droges, policia lokalizoi mengjesin e djeshem automjetin qe drejtohej nga 68-vjecari ne nje zone te Follorines.

Gjate kontrollit te mjetit u gjeten dy canta udhetimi dhe nje thes, brenda te cileve ndodheshin 50 pako me marijuane, me nje peshe totale bruto prej 55 kg e 422 grame. Gjithashtu, policia sekuestroi edhe 3 telefona celulare, te cilet do te sherbejne per hetimet.

Kohet e fundit eshte konstatuar nje riaktivizim i trafikut nderkombetar te droges nga Shqiperia drejt Greqise. Gjate 11 muajve te fundit, policia greke ka sekuestruar mbi 1.2 ton marijuane ne zonat e Igumenices, Janines, Kosturit, Follorines dhe Selanikut.

Rastet me te shumta lidhen me linjen e trafikut Sarande–Igumenice, nga e cila dyshohet se eshte transportuar pothuaj gjysma e sasise se droges se sekuestruar ne keto zona. Ne nje prej rasteve me te bujshme, autoritetet greke kane bllokuar ne Igumenice edhe nje skaf te ngarkuar me lende narkotike.

SHBA forcon flotën e avionëve furnizues me karburant në Izrael, rritet prania ushtarake në Lindjen e Mesme

By: E S
18 July 2026 at 14:29

SHBA-të kanë forcuar flotën e tyre të avionëve të furnizimit me karburant në Izrael, si pjesë e rregullimeve të pozicionit të forcave të tyre në rajonin e Lindjes së Mesme. Kështu njoftoi sot një zyrtar ushtarak izraelit, mes valëve të njëpasnjëshme të sulmeve të SHBA-së ndaj Iranit.

Izraeli nuk është përfshirë në valët e fundit të sulmeve ndaj Iranit që nga prishja e një armëpushimi të brishtë midis Uashingtonit dhe Teheranit, pavarësisht përfshirjes së tij të mëparshme në “Operacionin Epic Fury”. Irani nuk është përpjekur të nisë sulme ndaj Izraelit.

Për më tepër, SHBA-të zgjodhën të staciononin disa nga avionët cisternë në bazat e Forcave Ajrore Izraelite, në koordinim me Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF), me qëllim që të zvogëlonin ndërprerjet në trafikun ajror civil dhe për shkak të konsideratave operacionale, tha zyrtari.

IDF po bën çdo përpjekje për të lehtësuar vendosjen e forcave amerikane në Izrael, duke mbrojtur njëkohësisht nevojat e veta të aviacionit, shtoi zyrtari.

Plaga, Flamingot dhe Aristoteli

18 July 2026 at 14:22

Nga Ben Andoni

Informaliteti dhe sfida e ligjit është ajo që e mban prej shumë vitesh peng vendin tonë, por sidomos pas viteve ’90. Krejt ndryshe nga vendet e tjera simotra të sistemit komunist, ne devijuam në një udhë nga e cila sot po kundrojmë me hidhërim të gjitha dobësitë, por më shumë se kaq mënyrën sesi dimë ta bëjmë shtetin tonë. Mes tyre, plaga e informalitetit është më e dhimbshme dhe më malinjë e të gjithë periudhës së post socializmit. Ajo nuk zë asnjëherë kore dhe ne duhet thjesht ta lëpijmë, si ato kafshët  e plagosura për ta qetësuar, sepse nuk bëjmë dot më shumë për ta mbyllur. Ndaj në morinë e lajmeve që lidhen me pronësinë dhe keqpërdorimin e saj, lajmet që kalojnë pa asnjë vëmendje janë ato që lidhen me kadastrën dhe pronat sepse çdokush e di që aty është një xhungël, ku mund të humbasësh edhe me GPS-in më të sofistikuar. Sot, ajo që lidhet me pronat, konsiderohet jo thjesht e vetëm si një nga problemet më të mëdha ligjore, nga ku rrjedhin shumë syresh, por edhe më i turbullti për shkak të mënyrës së inkurajimit të lëvizjes së shumë njerëzve pa asnjë plan; si u bë zaptimi i tokave dhe marrja e ndërtesave përgjatë të gjithë shekullit të 20-të dhe pas tij. Në fakt, as qeveritë para dhe pas Monarkisë së Zogut, nuk e përballën dot lukuninë e mashtrimeve të burokratëve të asaj kohe dhe shpërdorimin e ligjeve të pronësisë dhe titujt e trashëguar me ose pa të drejtë qysh nga Perandoria Osmane. Komunistët pas Luftës së Dytë  Botërore e çuan edhe më tej katrahurën me konfiskimet e të gjithë tokave, shtëpive dhe madje edhe biznesit privat, shtetëzuar nga shteti (pak vite më vonë). Më të njëjtën ngutje, në kapërcyell të viteve ’90, Ligji i asaj kohe parashtroi se: “pronarët duhet të marrin pronën e tyre”, por ndërkohë që identifikoheshin pronat, “të shpejtët” (Lexo: marifetçinjtë) dhe “të fortët” (Lexo: zhvatësit) filluan batërdinë. Konfigurimi i atyre kohëve do ishte i çuditshëm: pak pronarë origjinalë (shumë vdiqën duke e kërkuar); të tjerë që përfituan nga shteti dhe ata që e morën në forma të ndryshme, duke i kërkuar llogari në dyert e gjykatave njëri-tjetrit. Nguti i të ardhurve kuturu mësyu tokën “e lirë”, ku u ndërtuan ngado shtëpi pa leje (një pamje areale të ndihmon ta kuptosh kur fluturon për të ardhur ose ikur nga Shqipëria) dhe lapërdhia e Komisioneve të Kthimit të Pronave me manovrat e këqija, shtuar me cinizmin e zyrtarëve vendorë që dhanë dokumente pronësie shpejt për të kapur mbështetje, e majisi deri në absurditet shqetësimin. Tashmë për të njëjtën pronë mëtonin pronarët e letrave të vërteta që ishin qysh para Luftës së Dytë dhe atyre “ligjorë”, pajisur tashmë me dokumentet shtetërore të autoriteteve “demokratike”. E jo vetëm se për shumë kohë, Shqipëria nuk arriti dot ta bëjë një regjistër të plotë dixhital të pronave, por edhe për faktin se në shumë vende nuk bëje dot matje apo nuk afroheshe prej zaptuesve të fortë, pati raste që trualli ose ndërtesat iu shit disa personave të ndryshëm. Mijëra të vdekurit që e kaluan prej kohësh listën fatkeqe të të vdekurve nga komunizmi janë dëshmitarë të pagojë kurse pasojat e kësaj batërdie mbushin tashmë raportet e BE-së dhe premtimet e reformimit nga Rama & Co.

Plagën e majisin çështjet gjyqësore për zgjidhjen e pronave që zgjasin rëndom deri në 10-15 vjet, ku shumë që prisnin verdiktet kanë vdekur, pa e parë mundësinë e rikthimit në pronës, e të tjerë mëtojnë të njëjtin fat me predispozitën që shikojnë në gjyqet tona, shkaktare të vuajtjeve. Ndërkohë që “të fortët” dhe sidomos ata që janë lidhur me të dy partitë kryesore (tandemin PS dhe PD)  jo vetëm kanë përftuar nga paligjshmëria, por në mënyra të shumta bllokojnë zgjidhjet. Kjo ka bërë që investimet e huaja të jenë shumë të kujdesshme (lexo: të kufizohen), ndërkohë që Kompanitë e huaja dhe shqiptarët jashtë vendit janë shumë skeptikë për ndërtimin sepse titulli pronësor nuk është i qartë. Dhe, të mendosh batërdinë në Zonat bregdetare dhe sidomos ato që kanë ndodhur me kadastrat në Sarandë, Vlorë, Durrës për tokën turistike, vërtetë tmerrohesh. Një pjesë e emigrantëve e kanë shprehur shpesh në foltoren e “Flamingove” se u duhet të luftojnë për tokën që zotëronin gjyshërit e tyre, ndërkohë që shqiptarit i thuhet se duhet të punojë shumë që t’i rregullojë titujt e pronësisë për Ligjin, Shtetin dhe Integrimin. I gjithë ky proces është shkaku i informalitetit të madh që ushqen indirekt dhe sjelljen informale. Pronarë që paguajnë me dy tabulatet, biznese që ushtrojnë punën por të kufizuar për shkak të titujve etj. Në një masë të madhe, ekonomia jonë mbetet ende shumë informale, pasi shumë punojnë pa kontrata dhe pa taksa, ndërkohë që ka shumë prona/ndërtime informale, ku shquhen shtëpi, biznese, mjedise të tëra të ndërtuara pa titull pronësie ose leje ligjore. Në vendin tonë, ekonomia informale vlerësohet të zërë rreth 30-32% e PBB( Prodhimit të Brendshëm Bruto), kurse në tregun e punës, rreth 33% e punonjësve janë të prekur nga informaliteti (kryesisht me nëndeklarim page) dhe 1 në 5 të punësuar rezulton të punojë pa pagesë, referuar “Monitor”.

Paradoksi ishte se Shqipëria e pas viteve ’90 kishte zyra me pluhur që të plotësonte strukturat që donte BE-ja, por jo GPS dhe gjeodetët e dikurshëm. Korrupsioni bëhej fare lehtësisht, pasi në kadastra rehatoheshin militantët e pashpirt të partive. Para pak më shumë se 2015 me fondet e BE-së, Bankës Botërore dhe IPA-s, Shqipëria filloi dixhitalizimin dhe hartëzimin ajror, edhe pse qeveritë e ngadalësuan ose përshpejtuan dëmshpërblimin për t’u dhënë një dorë votuesve të tyre. Kurse mali i stoqeve në Gjykatat ka arritur në mbi 150.000 çështje pronësore nga të cilat sot arsyetohet se edhe nëse kadastra “ta jep pronësinë “, gjykata ta kthen dhe thotë: “Prit x vjet”.

Kjo është një nga shqetësimet më të mëdha por që humbet në atë që ka sjellë ky kaos, ku individi shqiptar është edhe keqbërës, edhe përfitues, por edhe i dëmtuar ashtu si edhe i vrarë. Ne thjesht e kopjuam Perëndimin me ligje, por sot, luftojmë me kaosin, besimin e munguar, korrupsionin dhe mungesën e profesionalizmit, ndërkohë që në Perëndim perceptimi është se institucionet nuk janë thjesht koncept për ato duhet t’i vlejnë shtetit. Në një përshkrim të gjatë në librin e tij “Misteri i Kapitalit”, De Soto tregon se ndryshe nga vendet e Botës së Tretë dhe ato ish-komuniste, në Perëndim të drejtat e pronës evoluuan gjatë 200-300 viteve, kurse ne i bëmë me ngut brenda pak viteve për t’u bashkuar me BE/NATO. Në mënyrë metaforike ne kemi një ngrehinë bosh, siç e duan në Bruksel, por jo kulturën e punës dhe profesionistë brenda saj, sipas tij. Dhe, ku problemet zgjidhen me ryshfet dhe miq, por jo rregulla. Këtu dalin shpesh lidhjet e kriminelëve me politikën dhe pastaj kontrolli i medias, partitë dhe gjykatat. Me çfarë kuptohet, Brukselit i interesojnë institucionet si formë dhe shumë më pak përmbajtje, pra të mira për raporte. Ndaj, sot, ne kemi institucione, por një popullsi që nuk u beson atyre dhe sidomos një elitë që mësoi t’i përdorte ato, sepse besimi nuk mund të ligjërohet brenda natës as brenda disa vitesh. Kjo është dhimbja e njerëzve që artikulojnë nga Foltoret te “Flamingot”, por që nuk kurohet dot sepse do duhen breza që shqiptari të kalojë atë stad që se ka kaluar askush para nesh. Rama se kaloi dot këtë mal, paçka integrimit të BE-së në letër; e Berisha e humbi si moment, pasi e kodifikoi katrahurën. Askush nuk e kuron dot informalitetin dhe mungesën e ligjit në vend. Ndaj, tingëllon e hidhur por i duhuri ky përcaktim i Aristotelit: “Në formën e tij më të mirë, njeriu është më fisnikja nga të gjitha kafshët; i ndarë nga ligji dhe drejtësia, ai është më i keqi”. (Homo Albanicus)

 

 

Tuneli i Llogarasë vijon të jetë falas, pavarësisht paralajmërimeve për tarifimin nga qershori

By: E S
18 July 2026 at 14:12

Edhe gjatë këtij sezoni turistik, Tuneli i Llogarasë vijon të jetë pa pagesë, megjithëse më herët ishte përfolur se tarifa për përdorimin e tij do të niste të aplikohej në fillim të muajit qershor.

Ditën e sotme, në pikën e kalimit të tunelit është konstatuar se automjetet vazhdojnë të kalojnë lirshëm, pa kryer asnjë pagesë. Drejtuesit e mjeteve vetëm regjistrohen nga kamerat e vendosura në traun e pikës së pagesës dhe më pas vijojnë udhëtimin e tyre.

Në pikën e pagesës janë të pranishme edhe stafet përkatëse, të cilat janë të gatshme për funksionimin e sistemit të tarifimit, por sipas informacioneve të siguruara, ende nuk ka një datë zyrtare se kur do të nisë aplikimi i tarifës për përdorimin e Tunelit të Llogarasë.

Për momentin, ky mbetet një lajm i mirë për qytetarët dhe pushuesit, të cilët të paktën deri tani mund të kalojnë falas në Tunelin e Llogarasë gjatë këtij sezoni veror.

Kuvendi Kombëtar i Protestës mbahet mes tensioneve, të pranishmit përplasen me njëri-tjetrin

By: E S
18 July 2026 at 14:04

Eshtë mbajtur sot për herë të parë Kuvendi Kombëtar i Protestës dhe nuk kanë munguar tensionet.

Siç raporton gazetarja e Top Channel, Rudina Muça, persona të ndryshëm që janë prezentë në sallë kanë dalë kundër mënyrës sesi po organizohet kjo mbledhje dhe personat që janë të pranishëm aty.

“Mosha mesatare këtu është mbi 45 vjeç, këtu nuk shoh asnjë nga marshimi. Nuk jemi lajmëruar”, shprehet një prej protesuesve në prapaskenë.

Nga ana tjetër, ka edhe nga ata që kërkojnë fjalën dhe nuk u jepet. “Kemi një rend dite dhe nuk do të lejojmë të na prishni mbledhjen”, u shpreh një nga organizatorët pas këtij incidenti.

“Ky kuvend është i hapur për të gjithë qytetarët, do të kemi takim të hapur”, tha moderatorja e takimit. Ndërkohë, një prej organizatorëve, i cili në një moment po pengohej të fliste, nuk e kurseu përgjigjen e ashpër.

“Nuk ma ka ndier kur kam pasur 300 veta përballë, jo më juve. Prandaj mos na sfidoni, mos na merrni neve sikur jemi të butë”, u shpreh ai, duke shkaktuar më pas një reagim të ashpër në sallë.

Ndërkohë, një prej qytetarëve kërkoi të ulej në rreshtin e parë dhe tre djem nxituan për ta kundërshtuar me forcë. Pavarësisht këmbënguljes së organizatorëve, ai nuk u çua nga karrigia e rreshtit të parë.

“Duhet të shkojmë përtej sheshit. Në shesh e vramë frikën, por çfarë do të bëhet më pas? Nuk duhet të përsërisim rastin e Serbisë, ku protestuan pa fund dhe nuk ndryshuan asgjë”, shprehet një prej organizatorëve, pasi tensionet u qetësuan, të paktën për momentin.

Deklarata për “spastrimin etnik” të Kosovës, Serwer këshillon Vuçiçin: Trego qëndrimin, shkarko ministren

By: E S
18 July 2026 at 13:52

Profesori i Universitetit “Johns Hopkins”, Daniel Serwer, ka reaguar pas deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviç për Kosovën, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe jashtëzakonisht të rëndë.

Në një intervistë për televizionin N1, Serwer tha se përgjegjësia tashmë bie edhe mbi presidentin serb Aleksandar Vuçiç, duke theksuar se nëse ai nuk pajtohet me qëndrimet e ministres, duhet ta largojë menjëherë nga detyra.

Paunoviç kishte deklaruar se, nëse do të kishte qenë në pozitën e Sllobodan Millosheviçit gjatë luftës në Kosovë, do ta kishte “pastruar etnikisht” vendin në vitin 1998. Këto deklarata kanë shkaktuar reagime të forta në Kosovë dhe ndërkombëtarisht.

Ministrja serbe është shpallur person “non grata” nga institucionet e Kosovës, ndërsa janë paralajmëruar edhe hapa ligjorë ndaj saj.

Serwer u shpreh se vazhdimi i saj në detyrë ngre pikëpyetje për qëndrimin e institucioneve serbe ndaj retorikës që lidhet me krimet dhe dëbimet masive gjatë luftës së Kosovës. Ai shtoi se reagimet ndaj deklaratave të tilla duhet të jenë të qarta dhe të menjëhershme.

Kritikohet projektligji për imunitetin e Guvernatorit të BSH, ekspertët: Po krijohet një kështjellë mbi drejtësinë

By: E S
18 July 2026 at 13:43

Një projektligj i ri për Bankën e Shqipërisë, i hartuar për të përafruar legjislacionin vendas me atë të Bashkimit Evropian, ka tejkaluar qëllimin e tij duke ofruar një mburojë penale për drejtuesit e institucionit përmes forcimit të imunitetit përballë ndjekjes penale dhe masave të arrestit.

Shqetësimi kryesor lidhet me nenin 72 të projektligjit, i cili ndalon çdo formë arrestimi apo kontrolli personal e të banesës për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe zv. guvernatorët pa marrë më parë një autorizim nga Gjykata Kushtetuese. Sipas draftit, nëse kjo e fundit nuk shprehet brenda dy javësh, kërkesa e prokurorisë konsiderohet e refuzuar.

Edhe pse në relacionin shoqërues theksohet vazhdimisht se këto ndryshime bëhen në kuadër të përafrimit me “acquis communautaire” të Bashkimit Evropian, ekspertët e ekonomisë dhe juristët ngrenë alarmin se po krijohet “një kështjellë politike” që e vendos Bankën e Shqipërisë mbi drejtësinë dhe ligjet e transparencës kombëtare.

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, e analizon këtë kërkesë si një përpjekje për t’u mbrojtur nga llogaridhënia, e cila kamuflohet sipas tij me përafrimin e legjislacionit me BE-në. Preçi e sheh këtë përpjekje në të njëjtën linjë me frymën e qeverisë për të forcuar imunitetin pas rastit “Balluku”, e cila qarkulloi një listë me funksione të larta që nuk prekeshin nga pezullimi nga detyra, përfshirë edhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.

“Alibia e përafrimit të legjislacionit nuk funksionon në këtë rast,” tha Preçi, duke sjellë në vëmendje një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë mbi guvernatorin e Bankës së Letonisë, arrestimi i të cilit u la në fuqi pavarësisht kontestimit nga Banka Qendrore Europiane.

Ngritja e Gjykatës Kushtetuese si “filtër” për veprimet e prokurorisë ngre pikëpyetje thelbësore të procedurës penale edhe për juristët. Pas informimit mbi projektligjin, juristi Ervin Metalla vëren një kontradiktë të hapur në këtë përpjekje.

“Unë nuk besoj se nevoja për pavarësi e justifikon këtë mbrojtje të shtuar, sa kohë është gjykata në çdo rast ajo që do caktojë masën. Jo vetëm kaq, por duket se vendimin për arrestimin e jep Gjykata Kushtetuese, gjë që bën nonsens,” tha Metalla për BIRN.

Ai mendon gjithashtu se ky parashikim në projektligjin për Bankën e Shqipërisë merr shkas nga ngjarje konkrete të ndodhura në Shqipëri, por që janë verifikuar në shkallët e gjyqësorit.

“…Frika për ‘gabimin’ e ndonjë gjyqtari nuk mendoj se duhet zgjidhur në këtë mënyrë,” shtoi Metalla.

E njëjta linjë kritike ndahet edhe nga konstitucionalistët, të cilët folën me BIRN në kushtet e anonimatit. Ata vlerësuan se kjo mbrojtje për Guvernatorin dhe zëvendësit e tij “nuk parashikohej në Kushtetutë” dhe se binte ndesh me frymën dhe reformat ligjore të ndërmarra më herët, ku vendi po shkon drejt zvogëlimit të imunitetit apo mbrojtjeve të veçanta.

“Ky propozim vjen në rrjedhën e shmangies së përgjegjësisë personale të drejtuesve të institucioneve. Guvernatori vërtet përfshihet në Kushtetutë (neni 161) si subjekt që zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit, por dhënia e imunitetit duket qasje e pambështetur, pasi konfirmimi i masës nga gjykata e zakonshme është më se i arsyeshëm. Për më tepër, shtrirja e një garancie edhe për zëvendësguvernatorët flet vetë,” tha një ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Një përfaqësues i Bankës së Shqipërisë, anëtar i grupit të ekspertëve që punuan për draftimin e ligjit, i kundërshtoi kritikat duke kërkuar gjithashtu që të mbetej anonim. Sipas anëtarit, nuk bëhet fjalë për imunitet, pasi hetimi penal mund të vijonte pavarësisht arrestimit apo jo, por për mbrojtje nga arbitrariteti për të siguruar stabilitetin financiar në vend.

Propozimet u mbrojtën gjithashtu si të konsultuara me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën e Luksemburgut.

Parashikimet e reja ligjore (Neni 68) i lejon Bankës së Shqipërisë të shpallë konfidenciale apo sekret një seri informacionesh dhe ia ndalojnë Komisionerit për të Drejtën e Informimit të vlerësojë ndryshe apo të urdhërojë publikimin e tyre. Draftuesi këmbënguli se kjo ishte një praktikë e vendeve të BE-së, por BIRN gjeti se këto vendime konfidenciale të Bankës Qendrore Europiane kontrollohen sidoqoftë në rast kërkese nga Ombudsmani i Evropës.

Përtej debatit juridik, Preçi thotë se ligji i ri nuk garanton ndonjë pavarësi të Bankës së Shqipërisë, pasi kjo e fundit, sipas tij, i është nënshtruar qeverisë.

“Me politikat e saj monetare ky institucion i ka shërbyer më së miri qeverisë së radhës, deri në atë masë sa, në kohë të caktuara, Banka Qendrore ka ngjasuar me një drejtori të Ministrisë së Financave”, ironizoi ai, duke vënë në dukje se banka nuk kishte asnjë reagim të pavarur edhe kur vendi “është mbytur nga fluksi kolosal i parave informale dhe kriminale”./reporter.al

Sulmet iraniane godasin Kuvajtin, shpërthejnë zjarre në centrale energjie, plagosen zjarrfikësit

By: E S
18 July 2026 at 13:36

Kuvajti është vënë në shënjestër të sulmeve iraniane, të cilat kanë shkaktuar zjarre në disa zona të vendit dhe kanë lënë të plagosur disa zjarrfikës. Lajmi është bërë i ditur nga Departamenti i Zjarrfikësve të Kuvajtit, sipas të cilit ekipet e emergjencës ndërhynë pas dy zjarreve të shpërthyera në lokacione të ndryshme menjëherë pas sulmeve.

Sipas autoriteteve, një prej zjarreve shkaktoi plagosjen e disa zjarrfikësve dhe një punonjësi, të cilët u transportuan në spital për të marrë ndihmën mjekësore të nevojshme.

Ndërkohë, një tjetër sulm goditi një central të prodhimit të energjisë dhe shkripëzimit të ujit, duke shkaktuar zjarr dhe detyruar autoritetet të ndërpresin funksionimin e disa njësive të prodhimit si masë sigurie.

Mediat e huaja raportojnë se ky është sulmi i dytë ndaj një impianti të tillë në Kuvajt brenda pak ditësh, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës energjetike në rajonin e Gjirit, në një periudhë tensionesh të larta mes Iranit dhe vendeve të tjera të Lindjes së Mesme.

Në një deklaratë, Ministria e Energjisë Elektrike, Ujit dhe Energjisë së Rinovueshme e Kuvajtit bëri të ditur se sulmi, të cilin e cilësoi pjesë të agresionit iranian, shkaktoi zjarr në një nga seksionet e centralit, duke e bërë të domosdoshëm zbatimin e masave paraprake për funksionimin e tij.

Nga ana tjetër, ushtria iraniane deklaroi në orët e para të mëngjesit se kishte shënjestruar objektiva ushtarake në Kuvajt dhe Jordani si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ajrore amerikane mbi Republikën Islamike. Sipas televizionit shtetëror iranian, forcat e armatosura goditën bazën ushtarake Al Udiri dhe bazën Ali Al Salem në Kuvajt, si dhe bazën ajrore Al Azraq në lindje të Jordanisë.

Riformatimi i PD, Berisha: 60% të rinj dhe gra në Këshillin Kombëtar! Ripërtëritja më e madhe që nga themelimi i partisë

By: E S
18 July 2026 at 12:49

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot, 18 korrik, se kjo forcë politike ka përfunduar procesin e riorganizimit të forumeve të saj, duke e cilësuar atë si “procesin më të thellë të ripërtëritjes së PD që nga themelimi”.

Në komunikimin e tij virtual të fundjavës, Berisha tha se ndryshimet në strukturat drejtuese kanë sjellë një përfaqësim më të madh të të rinjve dhe grave.

“Ky proces u zhvillua në moton e ripërtëritjes së PD, jo vetëm në kuptimin e numrave, por edhe të proporcioneve deficitare në këtë parti”, u shpreh ai.

Sipas tij, në Këshillin Kombëtar të PD, 60% e përbëjnë të rinjtë dhe gratë, ndërsa dy të tretat e drejtuesve të rinj të partisë zgjidhen për herë të parë. Berisha bëri të ditur se edhe në strukturat drejtuese ka pasur ndryshime të mëdha, duke theksuar se nga 14 sekretarë të partisë, vetëm 3 janë të rizgjedhur.

“Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD pas themelimit të saj”, theksoi kreu i PD-së.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij, Berisha ia kushtoi edhe diasporës. Ai tha se për herë të parë është institucionalizuar roli i saj brenda partisë. “Hapa të parë të rëndësishëm janë shënuar. Një nënkryetare partie dhe një sekretar për diasporën janë zgjedhur”, deklaroi më tej.

Foli edhe për protestën e zhvilluar në Tiranë, duke shprehur sërish mbështetjen e tij. Berisha u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke thënë se “kryengritja paqësore e rinisë dhe qytetarëve shqiptarë” duhet të vijojë.

Larje hesapesh ose konfliktet për pronësinë/ Pistat e hetimit për plagosjen me 9 plumba të Thimjo Rubatit në Sarandë

By: E S
18 July 2026 at 12:41

Hetimet për atentatin ndaj 50-vjeçarit Thimjo (Sandri) Rubati në Sarandë po vijojnë në disa drejtime, ndërsa grupi hetimor ka përjashtuar si pistë kryesore një konflikt të ndodhur vetëm një natë para ngjarjes mes djalit të tij dhe një oficeri policie.

Sipas burimeve për gazetaren e RTSH, Afrovita Hysaj, edhe pse në të njëjtin vend, një natë para atentatit, djali i Rubatit, 27-vjeçari Andrea Rubati, së bashku me dy persona të tjerë, dyshohet se kanë dhunuar dhe kanosur me thikë oficerin e policisë Mihal Velço. Megjithatë, hetuesit dyshojnë se kjo ngjarje mund të jetë përdorur nga autorët e atentatit për të larguar vëmendjen dhe për të devijuar hetimet.

Pista ku po përqendrohet aktualisht puna hetimore lidhet me konflikte të mëparshme, larje hesapesh dhe çështje pronësie, të cilat dyshohet se mund të kenë lidhje edhe me konflikte për dokumente dhe falsifikime.

Atentati ndodhi mbrëmjen e së premtes në Sarandë, ku autorët e dyshuar lëviznin me një motomjet dhe mbanin skafandra për të fshehur identitetin. Ata kanë ardhur nga rruga “Mithat Hoxha”, në drejtim të portit, dhe kanë qëlluar ndaj Rubatit me armë zjarri pistoletë të kalibrit 9 mm.

Sipas të dhënave paraprake, janë qëlluar rreth 9 plumba, ndërsa Rubati ka marrë tre plagë dhe është dërguar në spital për trajtim mjekësor. Pas sulmit, autorët janë larguar në të njëjtën rrugë, drejt zonës së plazheve pranë Baba Rexhepit. Hetuesit dyshojnë se më pas mund të jenë larguar me mjet skaf, ndërsa kanë marrë me vete edhe motorin e përdorur.

Kush është Thimjo Rubati?

Emri i Thimjo Rubatit është i njohur për autoritetet për shkak të disa episodeve të mëparshme të regjistruara në historikun e tij penal.

Rubati rezulton se ka vuajtur dënim edhe në Greqi, ku ishte arrestuar për një çështje të lidhur me vrasje dhe ka dalë nga burgu rreth dy vite më parë.

Në vitin 2018, Gjykata e Tiranës e dënoi me 3 vite burg për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”, në kuadër të një skeme kontrabande automjetesh ku dyshohej se ishin përfshirë edhe punonjës doganash. Gjatë kohës që vuante dënimin në Greqi, Gjykata e Apelit në Shqipëri e konvertoi në vitin 2023 dënimin në 2 vite shërbim prove.

Pas kthimit në Shqipëri, në janar 2024, ai u procedua sërish në gjendje të lirë nga Policia e Sarandës, pasi dyshohej se, në bashkëpunim me një person tjetër, kishte trafikuar një automjet tip “Toyota” dhe kishte ndërhyrë në elementët identifikues të tij.

Emri i tij ishte përmendur edhe më herët në hetime dhe raportime publike, përfshirë çështje që lidhen me kontrabandën e automjeteve dhe episode të tjera të regjistruara ndër vite.

Sipas të dhënave të bëra publike, precedentët e tij datojnë që në fillim të viteve 2000, kur ai është arrestuar në Sarandë për dyshime që lidhen me trafikim të paligjshëm emigrantësh, ndërsa më pas është proceduar edhe për çështje të tjera, përfshirë armëmbajtje dhe kontrabandë automjetesh të vjedhura nga Greqia drejt Shqipërisë.

Edhe djali i tij, Andrea Rubati, rezulton me precedentë penalë. Ai u arrestua në vitin 2022 pasi u kap duke drejtuar një automjet të vjedhur në Itali. Ndërsa së fundmi, sipas burimeve policore, ai dyshohet se është përfshirë në një konflikt me oficerin e policisë Mihal Velço dhe ndodhet në kërkim për kanosje dhe dhunim.

Policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për identifikimin e autorëve të atentatit, ndërsa po verifikohen të gjitha pistat që mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjes.

Protesta në ditën e 49-të dhe integrimi me tre kapituj të mbyllur

18 July 2026 at 12:33

Nga Fatos Çoçoli

Në ditën e saj të 49-të, protesta paqësore ose parlamenti qytetar vijon të mbetet një nga zhvillimet më të rëndësishme të jetës politike në Shqipëri. Në sfond, kërkesat për llogaridhënie dhe transparencë janë arritjet e saj. Në thelb, kërkesa kryesore e protestës për dorëheqjen e qeverisë që, megjithë mangësitë, fajet dhe gabimet e veta, po na afron me Bashkimin Evropian, duket se nuk është dëgjuar nga Brukseli.

Kontrasti protestë e zgjatur-integrim me përparim konkret

Po pse? Sepse në të njëjtën kohë me protestën dhe mundimin sifizian të saj në vapë, që të rrëzojë qeverinë dhe drejtuesin e saj, Brukseli i beson Shqipërisë dhe qeverisë që drejton vendin, duke i mbyllur zyrtarisht më 14 korrik 2026, gjatë Konferencës së 9-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, tre kapituj e parë negociues me BE-në: Kapitullin 25 (Shkenca dhe Kërkimi), Kapitulli 26 (Arsimi dhe Kultura) dhe Kapitulli 30 (Marrëdhëniet me Jashtë).

Këto dy zhvillime të kundërta sjellin disa pyetje të natyrshme: nëse vërtet qeveria e tanishme është e padenjë të qeverisë shqiptarët, sipas protestuesve, pse Bashkimi Evropian i beson kësaj qeverie? Nëse BE-së do i kishin lindur pikëpyetje nga protesta 49-ditore, a nuk i kishte hapësirat Brukseli t’i vononte mbylljen e tre kapitujve të parë bisedues Shqipërisë? A nuk ia ka vonuar BE integrimin vendit tonë në dekadat e fundit me dhjetëra herë, se nuk besontë më përpara në aftësitë e qeverisjes tek ne?

Ne kemi një proces institucional që po shënon përparim konkret në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe i bën mirë ekonomisë sonë. Nga ana tjetër, kemi një protestë e zgjatur që sinjalizon fort se një pjesë e shoqërisë shqiptare kërkon ndryshime dhe shpreh pakënaqësi për çështje të qeverisjes. Që me stuhinë e lajmeve perëndimore të katër javëve të para për protestën, na ka tkurrur pak numrin e pasagjerëve të trajtuar në qershor 2026 nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit, në krahasim me qershorin 2025. Ky tregues është i rëndësishëm për ne, pasi nga ai varen të ardhurat e dhjetra mijëra familjeve që japin dhomat apo apartamentet me AirBnB.

Protesta si pjesë e jetës demokratike

Në çdo vend kandidat për në Bashkimin Evropian, e drejta për tubim dhe protestë paqësore është një e drejtë themelore. Vetë Bashkimi Evropian i kushton rëndësi lirisë së shprehjes, pluralizmit dhe dialogut demokratik.

Përparimi konkret me integrimin dhe protesta e zgjatur paqësore nuk janë domosdoshmërisht në kundërshtim me njëra-tjetrën. Në të kundërt, fakti që dhjetra mijëra demonstrues janë lënë të lirë për 48 ditë rrjesht të bllokojnë për orë të tëra gjysmën e qendrës së një kryeqyteti me 860 mijë banorë, pa asnjë incident me forcat e rendit, flet në të mirë të Shqipërisë për integrimin.

Ndërsa, nga ana tjetër, progresi konkret në integrim dëshmon se Bashkimi Evropian beson se kërkesa për zëvendësimin e qeverisë që sot kemi mbi kokë nuk qëndron Në një demokraci funksionale, përparimi në integrimin evropian dhe e drejta për protestë paqësore të zgjatur nuk ka pse të mos bashkëjetojnë.

Mbyllja e Kapitujve 25, 26 dhe 30 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dërgon disa mesazhe të rëndësishme. Së pari, Bashkimi Evropian njeh progresin e Shqipërisë në fusha specifike dhe i beson qeverisjes që ka sjellë këto përparime. Së dyti, procesi i negociatave me BE-në vazhdon dhe mbetet i kushtëzuar nga zbatimi i reformave, të cilat vijojnë dhe nuk janë krushq të ngrirë, pse mijëra të rinj protestojnë në bulevardin kryesor të Shqipërisë.

Nëse protesta do të vijojë të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe brenda kuadrit ligjor, ajo nuk bie asnjëherë ndesh me aspiratën evropiane të vendit. Përkundrazi, respektimi i të drejtës për protestë paqësore, e garantuar deri tani për 48 ditë rrjesht nga kjo qeverisje që sot kemi, është pjesë e standardeve demokratike që promovon vetë Bashkimi Evropian.

Shqipëria nuk ka pse të zgjedhë midis integrimit evropian dhe debatit demokratik. Përkundrazi, një vend serioz që synon anëtarësimin në BE duhet të jetë në gjendje të avancojë në negociata, duke garantuar njëkohësisht liritë themelore dhe dialogun politik. Dhe duket qartë se vendi ynë këtë sot po e bën, me qeverisjen që ka.

49 ditë protestë para Kryeministrisë, nis regjistrimi për Kuvendin e Parë Kombëtar Qytetar

By: E S
18 July 2026 at 12:22

Në ditën e 49-të të protestës, ka nisur procesi i anëtarësimit dhe regjistrimit për Kuvendin e Parë Kombëtar Qytetar.

Regjistrimi i anëtarëve vjen në kuadër të përgatitjeve për zhvillimin e kuvendit, i cili pritet të mbledhë përfaqësues nga qytete të ndryshme të vendit.

Ndërkohë, protesta vijon të mbahet në ditën e saj të 49-të.

FIFA zyrtarizon kohëzgjatjen e pushimit në finalen e Botërorit, do të jetë 17 minuta

By: E S
18 July 2026 at 12:12

FIFA ka zbardhur një nga detajet më të diskutuara në prag të finales së madhe të Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, që do të zhvillohet këtë të diel në stadiumin “MetLife” në New Jersey.

Pushimi mes dy pjesëve të finales nuk do të jetë më i gjatë se zakonisht dhe do të zgjasë vetëm 17 minuta, sipas njoftimit zyrtar të organizatorëve të turneut.

Ky është vetëm dy minuta më shumë se koha standarde e pushimit në një ndeshje futbolli, e përcaktuar nga rregullorja e IFAB-it.

FIFA ka bërë të ditur se shfaqjet muzikore të planifikuara gjatë pushimit do të zgjasin rreth 11 minuta, ndërsa koha e mbetur do të përdoret për montimin dhe çmontimin e skenës, si edhe për mirëmbajtjen e fushës, përfshirë ujitjen e barit.

Vendimi vjen pas diskutimeve të shumta rreth ceremonisë së spektaklit në finalen e Botërorit dhe ndikimit që mund të kishte në ritmin e ndeshjes. Kështu, Spanja dhe Argjentina do të kenë një ndërprerje pak më të gjatë se një ndeshje normale, por jo një pushim të zgjatur që mund të ndryshojë ndjeshëm rrjedhën taktike të finales.

Shakira, BTS, Justin Bieber. Një formacion i mbushur me yje është gati

Programi i shfaqjes është absolutisht gjigant. Mbretëresha e popit Shakira, Justin Bieber, Madonna dhe grupi korean me famë botërore BTS janë gati të performojnë. Atyre do t’u bashkohet Burna Boy, dirigjenti i njohur Gustavo Dudamel dhe Kori i PS22, i udhëhequr nga Chris Martin i Coldplay. Kjo shfaqje e madhe do të organizohet për të promovuar ‘Fondin Global të Arsimit Qytetar të FIFA-s’, i cili synon të mbledhë 100 milionë dollarë amerikanë për edukimin e fëmijëve dhe zhvillimin e futbollit.

“Kontroll, kërcënime dhe abuzim psikologjik”, ish-asistentja rrëfen jetën brenda rrethit të Jeffrey Epstein

By: E S
18 July 2026 at 11:58

Një ish-asistente e Jeffrey Epstein ka rrëfyer për BBC detaje të reja mbi mënyrën se si financieri amerikan, i akuzuar për trafikim seksual të të miturve, dyshohet se kontrollonte dhe manipulonte gratë që ndodheshin pranë tij.

Gruaja, e identifikuar me emrin e ndryshuar Anya për të mbrojtur identitetin e saj, tha se për vite me radhë kishte jetuar në një nga apartamentet në Manhattan që përdorej nga Epstein për të strehuar gra të cilat, sipas dëshmive të saj, ai i abuzonte seksualisht.

Ajo e përshkroi sistemin e krijuar nga Epstein si një “sekt”, ku ai ishte figura dominuese dhe ku kontrolli nuk bëhej përmes dhunës së dukshme, por përmes izolimit, varësisë financiare dhe presionit psikologjik.

“Zinxhirët ishin më pak të dukshëm, por ishin aty”, tha Anya për BBC, duke shpjeguar mënyrën se si, sipas saj, Epstein kufizonte lirinë e grave që punonin për të.

Premtime për karrierë në modë dhe një rrjet kontrolli

Sipas rrëfimit të saj, Anya u afrua me Epstein pasi punonte si modele në Evropë. Ajo thotë se fillimisht ai u prezantua si një person me lidhje të fuqishme në industrinë e modës dhe i premtoi mundësi të mëdha profesionale.

Por, sipas saj, marrëdhënia ndryshoi gradualisht. Epstein filloi të ndërhynte në jetën e saj personale, financat, mënyrën e veshjes dhe pamjen fizike.

Anya pretendon se ai e kritikonte vazhdimisht për trupin e saj dhe e detyroi t’i nënshtrohej ndërhyrjeve kirurgjikale që ajo i konsideron të panevojshme dhe që i lanë shenja.

“Ai të bënte të varur prej tij”

Një tjetër ish-asistente e Epstein, Sarah Kellen, ka mbështetur disa nga pretendimet për mënyrën e kontrollit psikologjik. Ajo ka deklaruar se Epstein ishte i aftë të shkatërronte ndjenjën e autonomisë së njerëzve dhe t’i bënte ata të vareshin prej tij.

Sipas Anya-s, Epstein kontrollonte edhe lëvizjet e grave që punonin për të, u monitoronte komunikimet dhe i mbante ato në një gjendje pasigurie të vazhdueshme.

Ajo pretendon se Epstein përdorte edhe materiale komprometuese, përfshirë fotografi intime, si një mënyrë për t’i frikësuar që të mos flisnin kundër tij.

Rekrutimi i grave të tjera

Në rrëfimin e saj, Anya thotë se një pjesë e dhimbshme e përvojës së saj ishte fakti që, sipas saj, asistentet nxiteshin të sillnin gra të tjera në rrethin e Epstein.

Ajo e përshkroi këtë si një “ekosistem abuzimi”, ku viktimat shpesh përfundonin duke u përfshirë në një sistem që shërbente për të zgjeruar kontrollin e tij.

Jeffrey Epstein vdiq në vitin 2019 në një burg në Nju Jork, ndërsa priste gjyqin për akuzat federale për trafikim seksual të të miturve. Vdekja e tij u cilësua zyrtarisht si vetëvrasje.

Rrëfimet e viktimave dhe ish-bashkëpunëtorëve të tij kanë vazhduar të hedhin dritë mbi mënyrën se si funksiononte rrjeti i tij dhe mbi akuzat për abuzime të zgjatura ndër vite.

Vjedhja në Postën e Durrësit, nis seanca për masat e sigurisë ndaj 3 të arrestuarve

By: E S
18 July 2026 at 11:49

Ka nisur në Gjykatën e Durrësit seanca për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së Postës së Durrësit dhe dy ish-punonjësve të këtij institucioni, të arrestuar për dyshime për shpërdorim detyre.

Tre personat akuzohen për veprën penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, e kryer në bashkëpunim, vepër penale e parashikuar nga nenet 135 dhe 25 të Kodit Penal.

Gjatë seancës, Gjykata e Durrësit do të shqyrtojë ligjshmërinë e arrestimit dhe do të vendosë për masat e sigurisë ndaj tre të pandehurve.

“196 referime në prokurori dhe 752 ankesa të trajtuara”, AMP publikon bilancin 6-mujor

By: E S
18 July 2026 at 11:39

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka publikuar raportin për periudhën janar-qershor 2026 në hetimin e punonjësve të strukturave ligjzbatuese, trajtimin e ankesave dhe procedimet disiplinore.

Sipas raportit, gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti janë kryer 196 referime në Prokurori, që përfshijnë 232 punonjës policie, 2 punonjës të Gardës së Republikës, 6 punonjës të MZSH-së dhe 32 shtetas.

Gjatë periudhës janar-qershor, AMP ka trajtuar gjithsej 752 ankesa. Nga këto, 46 ankesa rezultuan të bazuara, 434 të pabazuara, 251 nuk u provuan, ndërsa në 15 raste janë hapur dosje penale. Në 6 raste është rekomanduar nisja e procedurave disiplinore.

Gjatë kësaj periudhe, AMP ka arrestuar në flagrancë 11 persona, mes të cilëve 9 punonjës policie, 1 punonjës të Gardës së Republikës dhe 1 punonjës të MZSH-së.

Raporti pasqyron edhe zbatimin e masave të sigurisë të vendosura nga Prokuroria dhe gjykatat.

Konkretisht, masa “arrest në burg” është caktuar për 5 punonjës policie, ndërsa “arrest në shtëpi” është vendosur për 6 punonjës policie dhe 1 shtetas.

Po ashtu, masa e pezullimit të ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik është dhënë për 8 punonjës policie dhe 1 shtetas, ndërsa masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e shoqëruar me ndalimin e daljes jashtë shtetit, është caktuar për 4 punonjës policie dhe 3 shtetas.

Gjithashtu AMP ka zhvilluar 12 inspektime, nga të cilat 5 të planifikuara dhe 7 të paplanifikuara, në strukturat që janë objekt i mbikëqyrjes së saj.

Sa i përket procedimeve disiplinore, Komisioni Disiplinor ka vendosur përjashtimin nga Policia e Shtetit për 24 punonjës policie, për shkak të shkeljeve të lehta. Për 19 punonjës është vendosur përfundimi i hetimit disiplinor pa masë disiplinore, ndërsa për 25 punonjës policie është urdhëruar fillimi i hetimit disiplinor për shkelje të rënda.

Në kërkim nga Spanja për trafik droge dhe organizatë kriminale, arrestohet 39-vjeçari në Malësinë e Madhe

By: E S
18 July 2026 at 11:29

Një 39-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle është arrestuar në Malësinë e Madhe, pas një operacioni të zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me homologët në Spanjë.

Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari Gentjan Handraj alias Gentjan Hotaj banues në Koplik, ishte shpallur në kërkim nga Interpol Madrid, pasi Gjykata spanjolle i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”.

Operacioni u finalizua nga Sektori për Kërkimin (FAST Albania), në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.

Autoritetet bëjnë me dije se 39-vjeçari u lokalizua dhe u arrestua provizorisht në zbatim të masës së kërkuar ndërkombëtare.

Aktualisht, Interpol Tirana po vijon procedurat me autoritetet spanjolle për ekstradimin e tij drejt Spanjës, ku ai do të përballet me drejtësinë për akuzat e ngritura ndaj tij.

Pas 2 viteve ‘pezull’ plotësohet kuadri ligjor për bastet sportive online, pritet hapja e garës për 10 licenca

By: E S
18 July 2026 at 11:20

Qeveria plotëson kuadrin ligjor që i hap rrugë lejimit të basteve sportive online, 28 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit. Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit sqaron për Report TV procedurat që do të ndiqen për licencimin e kompanive por ende nuk ka një afat për hapjen e konkurrimit. Bastet do të lejohen vetëm online dhe përmes identifikimit me kartë identiteti.

Pas 28 muajsh nga miratimi i ligjit “Për lojërat e Fatit në Republikën e Shqipërisë”, janë miratuar edhe të gjitha aktet nënligjore për t’i hapur rrugën më tej lejimit të basteve sportive online.

Janë 8 akte nënligjore, VKM dhe Udhëzime që kanë marrë dritën jeshile në qeveri. Dy të fundit u miratuan më 26 qershor, ku caktohen procedurat dhe afatet për pezullimin apo revokimin e licencës së lojërave të fatit “basteve sportive online”, si dhe vendimi për administrimin e fondit te posaçëm të krijuar nga veprimtaritë e lojërave të fatit.

“Ligji 155/2015 “Për lojërat e Fatit në Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar), me miratimet e fundit është plotësuar me aktet nënligjore përsa i përket kategorisë së lojës “Baste Sportive online”, thotë në një përgjigje për Report TV, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

Vonesën me më shumë se 2 vite për plotësimin e ligjit me aktet nënligjore për ta bërë atë të zbatueshëm, më herët Ministria e Financave e pati sqaruar për Report TV me argumentin se bëhej fjalë për një proces me kompleksitet të lartë teknik dhe institucional, të cilat kërkonin cikle të zgjeruara konsultimesh dhe verifikimesh, për shkak edhe të sistemeve të reja që duhet të ngriheshin.

Ligji në fuqi parashikon dhënien e 10 licencave, por ende nuk ka një afat se kur do të hapen thirrjet për të aplikuar. Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit sqaron për Report TV se ky institucion, Komisioni i Licencave dhe sekretariati teknik do të organizojnë procedurat konkurruese për dhënien e licencave.

“Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF), Komisioni i Licencave i ngritur në bazë të nenit 17/1 të ligjit 155/2015 “Për lojërat e Fatit në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, dhe sekretariati teknik pranë tij organizojnë procedurat konkurruese dhe vlerësuese sipas detyrave përkatëse, të përcaktuara me ligj dhe në këtë vendim. Komisioni i licencave merr vendim për hapjen e një procedure konkurruese dhe numrin e licencave që do të jepen në thirrje. Brenda 7(shtatë) ditëve nga marrja e vendimit për hapjen e procedurës konkurruese nga Komisioni I Licencave, AMLF publikon njoftimin për konkurrim për dhënien e licencës për ofrimin e “Basteve Sportive online” në faqen zyrtare të internetit, në dy gazeta ndërkombëtare, si dhe ne Buletinin e Njoftimeve Publike”, thuhet në përgjigje.

Bastet sortive online do të mund të luhen vetëm nëse hyni në sistem me kartë identiteti, madje edhe të skanuar. Sistemet ku do të organizohen bastet do të garantojnë mekanizma për gjurmim të çdo veprimi të përdoruesit, si edhe të ketë algoritme të posaçme për llogaritje të fitimeve.

Në ligjin e miratuar në shkurt të 2024-ës në nenin 22 të tij janë vendosur edhe kushtet që duhen plotësuar për të aplikuar për licencë, ndër të cilat janë:
-kompania duhet të ketë kapital themeltar 40 milionë lekë.
-subjekti aplikues ose të paktën njëri prej aksionarëve të tij duhet të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit në jo më pak se 3 shtete të BE/OECD dhe për jo më pak se 3 vjet. Nëse përvojën në fushën e lojërave të fatit e ofron njëri prej aksionarëve të subjektit aplikues, ai duhet të zotërojë jo më pak se 30 për qind të aksioneve në shoqëri.
-subjekti aplikues ose të paktën njëri nga aksionarët duhet të ketë gjeneruar në vitin e fundit financiar të paktën 2 miliardë lekë xhiro nga aktiviteti në fushën e lojërave të fatit
Gjithashtu organizatorët e basteve sportive online janë të detyruar të ngurtësojnë një fond prej 120 milionë lekësh, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.

Rihapja e basteve sportive online po vjen gati 7 vite pasi aksioni ‘Fundi i Marrëzisë’ që u zbatua nga 1 janari 2019, prej të cilit u mbyllën 4.214 pika bastesh në vend. /shqiptarja.com

❌
❌