Normal view

Humbja shqiptare e Lacivitas dhe fryma botërore anti-Trump

By: S M
19 May 2025 at 19:51

Nga Skënder Minxhozi/

 

Orët e para të të hënës kanë sjellë turma të mëdha entuziaste në rrugët e Bukureshtit me flamuj rumunë dhe ato të Bashkimit Evropian në duar. Kryetari i bashkisë së Bukureshtit Nikoshur Dan, një politikan centrist dhe proeuropian ka triumfuar me tetë pikë diferencë ndaj kundërshtarit të tij Xhorxh Simion në garën për poltronin e presidentit. Simion, një nacionalist i ashpër dhe euroskeptik i bindur u mundua të fitojë betejën duke kopjuar fushatën amerikane të Donald Trump dhe duke u akuzuar në mënyrë të përsëritur si i afërt me Vladimir Putin.

E gjitha kjo perspektivë e zymtë ka rënë pas fitores së Dan dhe forcave properëndimore që i ngritën lart kuotat e tij elektorale pas raundit të parë të votimeve. Zgjedhjet rumune ishin vetëm testi politik i radhës në një Europë të futur në kaos nga lufta në Ukrainë, qëndrimi ndaj Rusisë dhe pozicionimi ndaj linjës së re politike e tregëtare të Donald Trump në SHBA. Më parë në këtë test brenda kontinentit e kishte kaluar Gjermania, ku e djathta proeuropiane e Friedrich Merz kishte mundur të ndalë valën elektorale të AFD të ekstremit të djathtë.

Këto dy procese elektorale nuk janë të vetmet të mbajtura nën një klimë presioni që vjen nga pasojat e epokës së re ku kanë hyrë Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas zgjedhjes së Donald Trump, e që përzihet me një listë të gjatë krizash sociale, kulturore apo identitare brenda kkontinentit të vjetër. Europa e sotme ka vite që e vuan praninë e Trump në zyrën më të rëndësishme të botës, një marrëdhënie e vështirë që ka nisur qysh në mandatin e parë të Trump në vitin 2016.

Vetëm një javë para zgjedhjeve të shkurtit në Gjermani, zv.presidenti amerikan J.D Vance mbajti një fjalim në Mynih, ku ai sulmoi me terma të ashpër të gjitha demokracitë evropiane, politikat ekonomike e sociale të BE dhe politikën e saj të jashtme. Fjala e J.D Vance kishte si sfond sulmet e ethshme të manjatit miliarder Elon Musk, i cili ndërhyri në mënyrë të hapur në procesin zgjedhor gjerman, duke u rreshtuar pro partisë së ekstremit të djathtë AFD. Vështirë se mbahet mend një sulm më i organizuar dhe i hapur i një demokracie ndaj një vendi tjetër sovran e demokratik në prag të një procesi tejet delikat për të ardhmen e vendit.

E megjithatë AFD nuk mundi të marrë pushtetin. Në të kundërt, siç duket edhe nga presioni amerikan, ajo u skedua në 2 maj nga Zyra federale për Mbrojtjen e Kushtetutës si një parti ekstremiste. Një vendim që nuk u ndryshua edhe pas deklaratës së Sekretarit të Shtetit Rubio, se kjo ishte një  “tirani e maskuar”, ndërsa zv.presidenti Vance u shpreh se “Muri i Berlinit i ringrit”. Kaq i fortë ishte reagimi gjerman, sa këtë e ndjeu edhe Tesla me makinat e saj elektrike, shitjet e të cilave ranë në shifra 70-80 përqind në Gjermani dhe të gjitha vendet kryesore evropiane.

Ardhja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në 20 janar të këtij viti i dha hov një fushate të vërtetë botërore të “ndreqjes së hesapeve” majtas-djathtas, në Evropë e Azi, me miq e armiq. Shpallja e linjës së re diplomatike të mosndërhyrjes (siç u pa me Gjermaninë, një sjellje e pjesshme e selektive), si dhe nisja e një lufte panbotërore me tarifat doganore, e futën Presidencën Trump në një sfidë që praktikisht përfshiu aleatë dhe kundërshtarë. Të gjithë bashkë nën goditjen e Donaldit që kërcënoi Groenlandën me pushtim, që ftoi Kanadanë të bëhet shteti i 51-të i SHBA, që deklaroi se Bashkimi Evropian u krijua “për të varrosur Amerikën”, që nisi një luftë tregëtare të paprecedent me Kinën dhe që kërcënoi me pushtim të Kanalit të Panamasë.

Hutimi ndërkombëtar përballë kësaj rrokopuje të papritur duket se ka zgjatur shumë pak. Pasi siç po provohet nga java në javë, Trump po has vështirësi të mëdha në aplikimin e kësaj epoke të re globale që kërkon t’u imponojë vendeve të tjera. Një muaj e gjysëm pas dy prillit, kur shpalli listën e tarifave reciproke me shtetet e treta, vetëm Britania e Madhe ka konkluduar një marrëveshje tragëtare me Uashingtonin. Kritikët e Trump thonë se vendet e tjera qëndrojnë në pritje se mos presidenti ndërron mendje, ndërkohë që Kina dhe BE tregohen të kujdesshme. Bisedimet e deritanishme japin shenja shtensionimi, por ende jo marrëveshje afatgjata.

Në planin politik revolucioni Trump duket se po prodhon të kundërtën e asaj që pritej. Jo një eksportim të modelit të ri amerikan dhe as të real-politikës apo strategjisë anti-sistem të cilat predikon doktrina e Donald Trump, por një thirrje nën armë e forcave të moderuara në të gjitha vendet kryesore, që po kërkojnë t’i bëhen pengesë rrëshqitjes që i kërcënon nën shembullin amerikan.

Dhe faktet janë të dukshme. Përveç zgjedhjeve gjermane e rumune, edhe Australia i dha në 3 maj sërish pushtetin partisë laburiste të Antoni Albanese, duke refuzuar opozitën e Peter Dutton, një politikan me qëndrime të ngjashme me Trump.

Shumë mijëra kilometra më në veri, rasti më i bujshëm i reagimit ndaj epokës trumpiste duket se është ai i Kanadasë, ku liberalët e majtë të Marc Carney arritën të mbajnë në opozitë edhe për katër vite Pierre Polievre, një opozitar që përdori gjatë fushatës një pjesë të tezave të Trump. Agresioni i fortë diplomatik i Trump krijoi shanset që edhe një parti në pushtet e diskretituar, si ajo Liberale, të fitojë papritur në zgjedhje. Sepse me poshtërimin që i kishte bërë thuajse çdo ditë kanadezëve, Trump ja doli të “krijojë” për herë të parë në historinë moderne të vendit, një materie deri tani ta panjohur në Kanada: nacionalizmin kanadez!

Ndërkohë ngjitur me Kanadanë, në 11 mars ishulli më i madh i botës Groenlanda, tregoi me votën e 55 mijë banorëve të tij se nuk e dëshëron bashkimin me SHBA. Në zgjedhje fituan demokratët, të cilët janë më të afërt me Danimarkën dhe nuk e duan pavarësinë e plotë nga vendi evropian.

Paralelisht me këto ngjarje, paradoksalisht e djathta ekstremiste evropiane ndjehet sot që Trump është në pushtet, më e dobët se dje kur ai s’kishte ardhur ende në Shtëpinë e Bardhë. Marine Le Pen, politikania franceze që është simboli i të djathtës ksenofobe jo vetëm në vendin e saj, e gjen veten me një dënim nga gjykatat vendase, që mund ta pengojë të garojë në zgjedhjet e 2027. Edhe kryeministra të afërt me Trump si Viktor Orban, po ndjejnë izolim brenda Bashkimit Evropian, ndërsa Brukseli po mendon të anashkalojë politikën e vetos që Hungaria, Sllovakia e ndonjë vend tjetër përdorin për të bllokuar vendimmarrjet sensitive të BE.

Në listën e këtij rizgjimi duket se futet edhe vendi ynë, me peshën e tij modeste në këtë përballje globale. Fushata në Shqipëri ka qenë e përqëndruar fort tek karta Trump dhe njerëzit që e sollën atë në zgjedhjet shqiptare. Prania e Chris Lacivita në kampin opozitar dhe kontrata 6 milion dollarë me një kompani lobimi pranë stafit të Trump dhe Rubio, jo vetëm që i dha opozitës një hov drejt spektrit të tezave që përdor sot Donald Trump. Këto dy blerje brenda rrethit të ngushtë të Presidentit sollën në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri edhe fjalorin që përdor sot ky mjedis politik, edhe sjelljet që aplikon ai sot SHBA me palët e treta, pa harruar premtimin për të zbatuar këtu tek ne shumëçka nga ato që sot Uashingtoni po zbaton në planin e brendshëm.

Fatmirësisht kjo “ethe” e importuar ra zhurmshëm me votën e shqiptarëve. Lacivita dhe kompania “Continental Strategy” do i marrin honoraret e majme që kanë nënshkruar me PD e Berishën, por projekti i tyre për të sjellë në pushtet në Shqipëri një të djathtë-satelit të linjës Trump, dështoi. Mesa duket bota po fillon të kërkojë dhe të gjejë gradualisht antitrupat ndaj asaj që shihet sot si përmbysja më e madhe gjeopolitike pas rënies së Murit të Berlinit.

The post Humbja shqiptare e Lacivitas dhe fryma botërore anti-Trump first appeared on JavaNews.al.

Dibër, dy kandidatët e Berishës ndalojnë 3 makina me pretendimin se po blihen vota për PS! Denoncimi: Njëri qëlloi me armë në ajër! Policia: E pavërtetë!

By: S M
10 May 2025 at 23:13

Edhe në ditën e heshtjes zgjedhore Xhelal Mziu dhe Xhemal Gjunkshi kanë ndaluar në Dibër disa persona të cilët udhëtonin me makina, me pretendimin se blejnë vota për kundërshtarët e tyre politikë.

Këtë mbrëmje, Mziu dhe Gjunkshi me mbështetës të tyre kanë bllokuar tre makina në fshatin Pilafe me pretendimet se kishin dalë për të blerë vota për llogari të Partisë Socialiste.Policia deri tani ka kontrolluar dy nga tre automjetet e ndaluara nga PD dhe po kontrollon të tretin.

Për më tepër, Gjunkshi ka telefonuar policinë duke pretenduar se një person ka qëlluar me armë zjarri në ajër, pranë tyre, por policia deklaron se nga verifikimet e deritanishme kjo nuk është e vërtetë.

Njoftimi i policisë: 

Rreth orës 20.25 shtetasi Xh.Gj., (kanditat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), ka telefonuar në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, i cili pretendonte se në fshatin Pilafe, njësia Administrative Tomin, kanë ndaluar një shtetas që dyshohej se shpërndante para në këmbim të votave.

Gjithashtu shtetasi Xh.Gj., paraprakisht ka pretenduar se një person teksa është larguar ka qëlluar njëherë me armë zjarri në ajër.

Menjëherë është ngritur grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e Spak dhe të Prokurorisë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër po kryejnë hetimet për zbardhjen e rastit.

The post Dibër, dy kandidatët e Berishës ndalojnë 3 makina me pretendimin se po blihen vota për PS! Denoncimi: Njëri qëlloi me armë në ajër! Policia: E pavërtetë! first appeared on JavaNews.al.

Video tronditëse fut në telash sulmuesin e Inter: “U sulmova nga Marcus Thuram. Kam mavijosje në trup, më zvarriti nëpër shtëpi”

By: S M
6 May 2025 at 11:03

Marcus Thuram , sulmuesi i Interit dhe djali i kampionit legjendar të botës Lilian, është gjendur në qendër të një stuhie mediatike pasi influencuesja Charlotte Lavish postoi një video në TikTok në të cilën e akuzon hapur atë për dhunë në familje. Faktet datojnë që nga maji i vitit 2022, kur francezi luajti për Borussia Monchengladbach . Historia, jashtëzakonisht e detajuar dhe e shoqëruar me imazhe video dhe shenja të dukshme në trup, ka shkaktuar një valë reagimesh në rrjetet sociale dhe në publik, por për momentin nuk ka marrë ende një përgjigje zyrtare as nga futbollisti dhe as nga shoqëruesit e tij.

Historia e sulmit

Në videon, të cilën Lavish thotë se e ka xhiruar 24 orë pas sulmit, influencuesja thotë se ishte e mbyllur brenda shtëpisë së futbollistit, me pasaportën dhe valixhet e vjedhura. “Kur e regjistrova këtë video, isha mbyllur në shtëpinë e tij për një kohë,” thotë ajo, “ai më sulmoi, më mori telefonin dhe fshiu videon e tij duke më sulmuar.”

Sipas dëshmisë së saj, sulmi fizik ishte veçanërisht i dhunshëm. «Ai më tërhoqi zvarrë rreth shtëpisë së tij nga kyçi i këmbës, fqinjët më dëgjuan duke bërtitur dhe thirrën policinë », shpjegon ajo. Lavish tregon mavijosje në krahë dhe kyçe të këmbëve dhe thotë se po çalon për shkak të lëndimeve. “Mavijosja në krahun tim të majtë po errësohet gjithnjë e më shumë. Nuk mbaj mend kur më tërhoqi zvarrë nga krahu im i djathtë, por e mbaj mend shumë mirë kur më goditi me të majtën”.

Konteksti i udhëtimit dhe kërcënimet

Gruaja rrëfen gjithashtu dinamikën e udhëtimit që i parapriu sulmit. Ajo thotë se këmbënguli të dilte për darkë në vend që të kishte një shef kuzhine që të gatuante për të në shtëpi, dhe se e gjithë vizita në Dusseldorf ishte menduar të ishte një kohë për të ndarë gjërat. Megjithatë, gjërat do të ndryshonin shpejt. Pasi u kthye, Lavish thuhet se shprehu dëshirën për të mos pasur një marrëdhënie intime. “Ai po sillej çuditshëm, kështu që vendosëm të shihnim një film. Atëherë ai më hodhi poshtë. Kur fillova të më kapte paniku, ai vazhdonte të thoshte: ‘Mos u shqetëso, do të shkoj në bankë nesër”.

Lavish thotë se u shtir sikur ishte e qetë për të shpëtuar veten: “E dija që askush nuk do të më besonte. U përpoqa të veproja, vetëm për të dalë shëndoshë e mirë nga ajo situatë .” Por makthi, sipas rrëfimit të saj, vazhdoi të nesërmen, kur Thuram ia sekuestroi përsëri dokumentet dhe më pas e sulmoi. Në një fragment video të treguar nga Lavish, gruaja dëgjohet duke thënë “më dhemb “, ndërsa francezi përgjigjet me një ton agresiv: “Mos më filmo”.

The post Video tronditëse fut në telash sulmuesin e Inter: “U sulmova nga Marcus Thuram. Kam mavijosje në trup, më zvarriti nëpër shtëpi” first appeared on JavaNews.al.

Një gjë amerikane me shumë zero

By: S M
4 May 2025 at 15:03

Nga Skënder Minxhozi/

 

E donte me patjetër diçka “amerikane” në këtë moment zgjedhjesh. Si atëhere kur themeloi Foltoren e premtonte kthimin tek Zoti dhe Familja. Fiks si Donald Trump. Berisha sot do patjetër një dëshmi, një provë se është brenda sinoreve të Uashingtonit zyrtar. Madje më egzaktësisht se ka mundur të penetrojë brenda Shtëpisë së Bardhë. I duhet me këtë rast diçka nga shtëpia më e fuqishme në botë, një prezencë njerëzore, një telefonatë, një foto apo dhe një dorezë dere, një karrige ose një tavëll duhani nga Zyra Ovale. Çfarëdo të jetë, vetëm të vijë nga aty brenda. Dhe gjeti Chris Lacivitan. Me pagesë patjetër, por edhe me shumë ëndrra e iluzione bashkangjitur. Sali Berisha kërkon të ndërtojë se s’bën teoremën e tij amerikane të pas 5 nëntorit dhe ta përdorë në 11 maj. I duhej një dëshmi, një sinjal, një shenjë çfarëdo në ajër që të bindte shqiptarët se në ditën e zgjedhjeve mund të votonin të qetë një njeri që e kishte hequr damkën e persona non grata.

Lacivita është sot një nga ata ekspertë imazhi që përfaqësojnë modelin më cinik të lobimit modern: për aq kohë sa pagesa vazhdon të kryhet, klienti ka të drejtë të ëndërrojë. Madje dhe ëndrrat më të ndaluara, siç është fjala vjen fitorja në një garë elektorale që e konsiderojnë të humbur edhe miqtë e tu më të ngushtë.

Me paratë që fut në xhep Lacivita mund të sigurojë diku një foto, një takim privat, apo një deklaratë e vagullt nga Uashingtoni. Dhe kaq mjafton për t’u shitur në Shqipëri si rikthim i mbështetjes amerikane, si pastrim i biografisë së Doktor Berishës. Kjo nuk është diplomaci. Është farsë, madje e shtrenjtë shumë.

Por i vetëm Lacivita mund ta ndihmojë Berishën vetëm në zgjedhjet e 11 majit, por jo edhe në pastrimin e njollës që i ka vënë dikur sekretari Blinken. Duhet diçka edhe më e madhe, me më shumë zero nga pas që bashkë me zgjedhjet të hiqet dhe damka. Dhe ja ku u shfaq kompania “Continental Strategy” e vajzës së shefes së kabinetit të Trump, edhe ajo pranë dhe e njohur e Lacivitas. Një grup zyrtarësh të fuqishëm dhe përballë tyre një klient problematik nga një vend i largët, i cili bashkë me një listë vendesh të botës së tretë është gati të paguajë miliona vetëm që të bëhet pak mik me Amerikën e re të Donald Trump. Plot 250 mijë dollarë në muaj, teksa pensionistët dhe të papunët rrinë e numërojnë zerot.

Historia e kontratave shumëmilionëshe të opozitës shqiptare me lobistë e ndërmjetës të Uashingtonit e ka bindur tashmë rrethin e ngushtë pranë Berishës se rehabilitimi i tij politik është i plotë. Sot ka zyrtarë të PD që dalin e betohen në ekrane se non grata nuk egsziston më, është hequr. Ky është një ushtrim i madh sugjestioni në grup, një seancë kolektive hipnoze. Bindja me të cilën e shprehin këtë siguri, pra që letra e Blinken tashmë është grisur, të bën të mendosh keq për shëndetin mendor të këtyre njerëzve që nuk duken vetëm brenda rolit, por edhe jashtë logjikës.

Puna është se pasi ke harxhuar milionat dhe ke thënë fjalët e bukura, vjen ballafaqimi me realitetin cinik të kutive të votimit. A e besojnë shqiptarët që bëhen gati të votojnë, se Berisha është tashmë kalorësi i preferuar i administratës  së re Trump? A do të arrijnë t’i sugjestionojnë votuesit emrat e huaj që rreshton prej javësh Berisha në fushatë? Do preken sadopak nga fakti që “kemi paguar njerëzit e Donald Trump”? Apo thjesht do tundin kokën e do vazhdojnë me të tyren, duke votuar atë që kishin ndërmend të votonin?!

Kjo dilemë fut në risk jo vetëm shumë miliona dollarë të hedhur majtas-djathtas. Ajo rrezikon të gjithë teoremën e rehabilitimit dhe rikthimit në skenë të opozitës dhe shefit të saj. Në një përpjekje të dëshpëruar për të mbijetuar politikisht, ish-kryeministri i Shqipërisë po përpiqet të krijojë me çdo kusht e mënyrë iluzionin e mbështetjes amerikane përmes lidhjeve me figurat e djathta në SHBA.

E nëse kjo kartë, e vetmja që ka në dispozicion përballë zgjedhësve, i digjet në duar, atëhere e gjithë ngrehina rrëzohet bashkë me të zotin brenda. Rama mund të marrë mandatin e katërt, statusi non grata mund të mbetet në këmbë apo të hiqet pas datës 11 maj dhe kësisoj shkojnë dëm jo vetëm paratë, por edhe opozita bashkë me to. Prandaj efekti i milionave duhet të demostrohet në javën që po hyjmë. Më vonë është si të vishesh me smoking dhe papijon pasi balloja ka mbaruar e të ftuarit nisin të zbrazin sallën. Megjithëse po ta mendosh hollë-hollë për Berishën zgjedhjet nuk është se kanë shumë rëndësi. Atij mjafton t’i heqin njollën e non gratas se zgjedhjet ai e ka të qartë se kush i fiton. Ai do vetëm kasollen e opozitës, jo pallatin e pushtetit.

 

 

 

The post Një gjë amerikane me shumë zero first appeared on JavaNews.al.

Turisti amerikan vret gruan në Shkodër, kishin ardhur me pushime. Reagimi i Policisë: Ja çfarë ndodhi

By: S M
2 May 2025 at 12:03

Policia ka reaguar për ngjarjen e rëndë në Shkodër, ku një turist amerikan i identifikuari si Brandon Saporito, masakroi bashkëjetuesen me mjet prerës dhe më pas tentoi të vetëvritej.

Ata kishin ardhur me pushime në Shqipëri para pak ditësh.

Brandon Saporito raportohet se pasi masakroi gruan e tij 54-vjeçare, ka prerë damarët.

Ai mori dëmtime të lehta në dorë dhe u dërgua në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

57-vjeçari raportohet se ka qenë në gjendje të dehur dhe është i alkoolizuar.

“Rreth orës 10:15, në rrugën “At Shtjefën Gjeçovi”, në një banesë të marrë me qira, dyshohet se është vrarë me mjet prerës, shtetasja amerikane, S. S.

Në banesë u gjet bashkëjetuesi i saj, shtetas amerikan, i cili dyshohet se është autori i vrasjes.

Ky shtetas u shoqërua në spital për ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se është në gjendje të dehur dhe ka dëmtime të lehta, në duar, me mjete prerëse.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të rastit”, bën me dije policia.

Fqinjët: Dëgjuam zhurma

Fqinjët janë shprehur se kanë dëgjuar fillimisht debate mes çiftit, para se të ndodhte vrasja e 54-vjeçares.

“Janë dëgjuar debate në mëngjes nga fqinjët në mëngjes dhe dyshohet se është qëlluar me mjet prerës. Viktima është nga Florida e SHBA.

Po ashtu është gjetur në banesë në gjendje të rënduar bashkëjetuesi i saj, i cili ka lënduar veten në duar dhe në disa pjesë të trupit. Ai ndodhet në spital jashtë rrezikut”, tha gazetari i ABC News, Simon Shkreli.

Gazetari shtoi më tej se çifti amerikan kishte rezervuar banesën përmes platformës “booking” dhe prej katër ditësh ndodheshin në Shkodër.

“Edhe disa punëtorë të një objekti aty pranë kanë dëgjuar zhurmat dhe kanë njoftuar policinë. Kanë katër ditë që kanë marrë këtë shtëpi me qira përmes booking, dhe kanë qëndruar në Shkodër”, tha ai.

57-vjeçari autori i dyshuar i vrasjes së 54-vjeçares, u gjet në gjendje të dehur.

 

The post Turisti amerikan vret gruan në Shkodër, kishin ardhur me pushime. Reagimi i Policisë: Ja çfarë ndodhi first appeared on JavaNews.al.

Toni Gogu: Në Pezë, Vaqarr e Ndroq, fushata ime si një maratonë në mal!

By: S M
30 April 2025 at 12:38

 

Nëse do të përzgjidhnit një deputet atipik për një zonë rurale në Shqipëri, zgjedhja me gjasë do të ndalte rregullisht tek një emër: Toni Gogu. Jurist, drejtues e nëpunës i lartë në disa institucione me rëndësi që nga Banka e Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë e Bashkia Tiranë, por njëherësh edhe njeri i fesë aq sa të gjithë e thërrasin “pastori” – ky është Toni Gogu që sot njeh shumëkush. Një imazh i kuruar, i qetë, i përmbajtur në fjalë dhe mbi të gjitha në sharje e fyerje, aq të zakonshme në sallën e Kuvenditdhe meidanin e politikës. Në pamje të parë një djalë Blloku, jo një banor fshati, i cili ka zgjedhur jetën e qetë familjare dhe përkushtimin në punë. “Kam vizituar deri tani 30 fshatra, më mbeten dhe katër”, thotë teksa pranon t’i përgjigjet pyetjeve tona.

Zoti Gogu, si po ju shkon fushata? Si ndiheni që ndodheni në lëlistë të hapur dhe duhet të bëni fushatë në çdo cep të Tiranës?
Kristo Naçi, një mik dhe maratonomak i shkëlqyer më ka prezantuar me maratonën në mal. Kjo fushatë ngjan si maratonë në mal. Hapat janë të vegjël, por rruga është e gjatë. Jemi vetëm ne, socialistët përballë qytetarëve, vetëm me punët tona dhe fjalën që u japim sy më sy. Kam vizituar mbi 30 fshatra të zonës, më kanë mbetur edhe katër, që janë si gurët e fundit për të mbyllur një urë besimi. Nevojat janë të qarta: titulli i pronësisë dhe infrastruktura. Nga ana tjetër, nuk ka bekim më të madh, se të shohësh qindra familje në shtëpi të reja, fëmijë në shkolla moderne dhe kantiere të hapura infrastrukture që kanë munguar në dekada. Të jesh në listë të hapur është si t’i ngjitesh malit me vrap: sfidë, por edhe privilegj.

Jeni një deputet i lidhur fort me zonën tuaj. Sa e vështirë është të përfshini të gjithë qarkun e Tiranës?

Qarku është i madh dhe i larmisëm – nga Dajti në Rrogozhinë. Por lidhja me njerëzit është e vjetër dhe e sinqertë. Kam krijuar miq në çdo cep, përmes punës së përditshme dhe kontaktit të drejtpërdrejtë me komunitetin. Kujtoj ndër të tjera një drejtues të vjetër në Pezë, Nezir Gorica me origjinë nga Berati. Një njeri që banorët e rrethinave të Tiranës e integruan me dashuri mes tyre. Është një model sesi beratasit dhe të tjerët kanë gjetur strehë në një hapësirë kaq të madhe si Tirana, një metropol që ka mirëpritur cilindo që ka dashur të vijë e të nisë një jetë të re këtu.

Si janë raportet me kolegët tuaj që garojnë për të njëjtin mandat në listë të hapur?
Janë korrekte dhe miqësore. Jemi si lojtarë në të njëjtin ekip – të gjithë duam të fitojmë, por e dimë që vetëm skuadra fituese i shërben qytetarëve. Uroj t’a kemi të gjithë pjekurinë për ta kuptuar.

Nëse do ta cilësonit fushatën me një fjale?
E pazakontë. Sepse përballëmi me një opozitë të bunkerizuar dhe një shumicë që ka hapur portat e përfaqësimit. Kemi një ekip të gjallë, me përfaqësim nga breza të ndryshëm e me energji të reja dhe të shumëfishta.

Si ndikon në fushatën tuaj dobësia e opozitës dhe prania e partive të reja?
Na jep më shumë hapësirë, por edhe më shumë përgjegjësi. Ne jemi të vetmit që shkojmë sy më sy, derë më derë. Kjo kërkon sinqeritet, përgjigje konkrete dhe llogaridhënie reale.

Kjo është fushata e parë pa praninë fizike të kryebashkiakut Veliaj. Si ndiheni për këtë?
Erioni është gjithmonë i pranishëm në këtë qytet – në çdo kënd lojrash, në çdo kopësht, në çdo shkollë, në çdo korsi biçikletash apo çdo shesh lagjeje. Puna e tij për Tiranën flet shumë më tepër në këtë fushatë.

Ka ndonjë ndjesi konsumimi pas 12 vitesh qeverisje të PS?
Jo, nëse e sheh përmes punëve të bëra. Ne vijmë me bilance konkrete – rritje ekonomike, ulje papunësie, reforma në drejtësi, investime në rrugë, ujësjellës, energji, turizëm. Kjo nuk është thjesht qeverisje; është transformim.

Pse mendoni se Edi Rama është më i pëlqyer se vetë PS?
Sepse nuk rri kurrë në vend. Ka energji që sfidon zakonet e vjetra dhe guxim për të ndryshuar vazhdimisht. Është gjithmonë një hap përpara – dhe qytetarët e vlerësojnë këtë.

Cilat janë tre premtimet tuaja kryesore për këtë fushatë?
Shqipëria në Bashkimin Evropian. Ekonomi që vazhdon të rris pagat, të krijojë vende pune dhe të investojë në teknologji. Një shoqëri solidare, ku më i dobëti nuk mbetet vetëm.

Cilat janë sfidat më të mëdha për qarkun e Tiranës sot?
Në Tiranën rurale është përfundimi i rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve. Zgjidhja përfundimtare e titujve të pronesisë. Pa këto, jeta ngec. Me to, qytetari merr frymë lirisht.

Në fund të çdo bisede, çdo takimi, çdo fjale, kthehem tek ajo që më mban fort me këtë fushatë: në Pezë, në Vaqarr, në Ndroq – ne nuk premtojmë me fjalë, por lemë gjurmët të flasin. Ne punojmë me mund, me mend, me zemër.

 

 

The post Toni Gogu: Në Pezë, Vaqarr e Ndroq, fushata ime si një maratonë në mal! first appeared on JavaNews.al.

Heshtja për kontratën zbulon kush s’i ka duart e pastra

By: S M
29 April 2025 at 19:54

Nga Skënder Minxhozi/

Ju kujtohet fushata e  vitit 2005, kur slogani i opozitës përballë Fatos Nano ishte “Me duar të pastra”?! Nëse ju kujtohet slogani, ju kujtohet patjetër edhe sesi Berisha, Mediu dhe një dyzinë burrash të tjerë u veshën të gjithë me këmisha të bardha, për të dhënë mesazhin se po dilnin para shqiptarëve pa asnjë njollë, vetëm me të bardha.

Dikush që e do shumë Berishën dhe partinë e tij, rreket edhe këto orë të evokojë atë fushatë, më të lavdishmen për PD që nga themelimi i saj. E paraqesin si një histori e destinuar të përsëritet edhe në 11 maj. Jo vetëm fantazi e shfrenuar, por edhe paralelizëm i kotë dhe jologjik!

Sot këmisha nuk është më e bardhë, sepse është bërë pis me kohë. Madje edhe me njolla gjaku gjatë rrugës që pasoi fitoren e vitit 2005. Dhe për t’u kthyer te slogani i 20 viteve më parë, sot nuk vishet më këmishë e bardhë, por urdhërohet që të mbyllet goja kur partia paguan 6 milion dollarë dhe shumë miliona të tjera akoma, vetëm për një qëllim. Të shpëtojë Doktorin dhe familjarët e tij, nga damka amerikane e shpalljes non grata.

Kontrata 6 milion dollarë me firmën lobuese pranë njerëzve të Trump noton e gjitha në një pellg shkeljeje dhe abuzimi në raport me ligjet shqiptare që rregullojnë financat e zgjedhjeve. I vetmi justifikim që kemi dëgjuar deri më sot nga kanalet zyrtare të PD ka qenë “Kemi paguar njerëzit e Trump, prandaj ju keni frikë dhe na përflisni kontratën”! Me fjalë të tjera, edhe nëse e kemi shkelur ligjin punë e madhe, paret i ka marrë stafi i Presidentit amerikan!

Imagjinoni nëse në mes të fushatës do të dilte një kontratë e ngjashme me gjashtë zero, e firmosur nga Blendi Klosi, për llogari të ndonjë firme lobimi që do t’i bënte makijazh Edi Ramës pranë administratës amerikane. Imagjinoni si do të bërtisnin në kupë të qiellit puritanët e opozitës, në parti apo në studiot televizive të mbrëmjes. Kujen do ta vinte Sali Berisha i pari, me piskamën e tij legjendare që mallkon e përbalt gjithkënd që i del para. Në të kundërt, për milionat e tij Doktori ka urdhëruar heshtjen totale, e kjo e zbulon më së miri sesi qëndron e vërteta e lobimit për kompaninë “Continental”. Duket sheshit kush s’i ka më duart e pastra!

Nuk ka nevojë të shtyhesh shumë në këtë hulli fantazie pasi të gjithë e dinë sesa e ashpër ka qenë opozita në parandalimin e blerjes së votave, përdorimit të administratës dhe fondeve shtetërore për të bërë fushatën elektorale të qeverisë. PD e të tjerët kanë reaguar për çdo metër asfalt, për çdo përurim, për çdo angazhim të shtetit në fushatë. Ja që dardha e ka bishtin prapa dhe tani është PD që duhet t’i gjejë një justifikim një kontrate e cila sfidon dhe thyen çdo rekord lobimi të zgjedhjeve shqiptare të 34 viteve të fundit.

Sali Berisha, provohet të jetë sot relikja më e shtrenjtë politike e tranzicionit shqiptar. Miliona dollarë, një parti në këmbë dhe një kult individi që buron i pashtershëm nga të gjitha poret e PD-së së sotme. Aq sa nga eksitimi elektoral për Doktorin, i thuren këngë edhe Lacivitas! Edhe ky një zë shumë i rëndë në faturën financiare të partisë që do të zbulohet gjatë rrugës. Edhe ky i vendosur në të njëtin fokus dhe funksion: të shpëtojë Berishën. Për partinë le të mendojë Zoti, sepse fundja dihet si do të shkojë puna e zgjedhjeve!

The post Heshtja për kontratën zbulon kush s’i ka duart e pastra first appeared on JavaNews.al.

Kur Elon Musk shndërrohet në elektricist

By: S M
27 April 2025 at 20:27

Nga Skënder Minxhozi/

 

Partia Demokratike ka përdorur gjashtë milion dollarë garanci të një elektricisti shqiptar me banim në Amerikë, për të blerë përkrahjen e një firme lobiste amerikane ku bëjnë pjesë zyrtarë apo ish-zyrtarë të afërt me administratën Trump. Qëllimi kryesor, të pastrohet me çdo kusht figura e kryetarit Sali Berisha para zgjedhjeve. Kanë futur në telashe jo vetëm shqiptarin që banon në SHBA Nuredin Seci në raport me ligjet amerikane, por kanë sfiduar hapur dhe në mënyrë të vrazhdtë çdo standart zgjedhor në Shqipëri, në një kohë kur edhe një copë rrugë e rehabilituar në një fshat të humbur quhet “asfalt elektoral”, apo kur administratës i matet orari i punës me minuta për ta penguar që të bëhet pjesë e fushatës.

Shifra për të cilën elektricsti-alpinist me origjinë nga Tropoja ka dalë garant është tejet e madhe për një vend si Shqipëria dhe një parti opozitare si PD. Ajo shifër do të bënte zhurmë edhe në zgjedhjet miliardëshe amerikane. Është një sasi parash që nuk tregon lobim normal, por që zbulon një hall të madh. Si ai i Donald Trump me mbi 90 akuza penale, që u zgjidh me injektimin e 200 milion dollarëve nga xhepi i Elon Musk në fushatën zgjedhore në SHBA. Në rastin shqiptar Eloni është zëvendësuar nga Nuredini, i cili del garant për miliona dollarë për makijazhin amerikan të kryetarit të opozitës Sali Berisha.

Një parti normale nuk do të kishte interes të afishonte publikisht një nevojë kaq urgjente, sa të lëvizte nga vendi miliona dollarë për t’u bërë e pranueshme në Uashington. Ky gjenerim i pashoq parash për një fushatë elektorale shqiptare dëshmon edhe një herë më tepër, nëse ka qenë nevoja për një tjetër provë, se halli kryesor i opozitës nuk është marrja e pushtetit pas tre mandatesh larg tij, por retushimi para 11 majit i kurrikulumit personal të Sali Berishës. Aq sa me kalimin e viteve e muajve brenda partisë është bërë e vështirë të shquhet dallimi mes fitores së zgjedhjeve dhe heqjes së statusit non grata Doktorit. Pasuesit e Berishës i quajnë të dyja të barasvlershme, madje do ta shkëmbenin me dëshirë të parën me të dytën!

Aktualisht ligji elektoral shqiptar është mjaft i ndjeshëm në raport me shkeljen e kritereve që përcaktojnë ekuilibrin dhe pastërtinë e palëve në fushatën zgjedhore. Eshtë i ndjeshëm edhe me financimet e huaja në fushatë dhe paratë e garantuara nga Nuredin Seci janë pikërisht të tilla. Para nga një entitet i huaj. Në anën tjetër historia e gjashtë milion dollarëve të një shqiptari modest në SHBA në favor të njërës prej palëve në Shqipëri, prish çdo ekuilibër dhe standart në zgjedhje. Maxhorancës i lind e drejta (gjithashtu në kundravajtje ligjore) që të injektojë sa fonde të dojë pas garancisë me gjashtë zero të zotit Seci në favor të Berishës.

Ajo që ndodh me këtë rast, duke parë rrethanat e dyshimta të kontratës së nënshkruar mes PD, Nuredin Secit dhe kompanisë Continental Strategy, është një akt i pastër arrogance, por edhe hipokrizie politike, e partisë më të madhe të opozitës. Forca politike dhe lideri i saj numërojnë prej javësh nëpër sheshet e fushatës shishen e verës 30 mijë euro të Edi Ramës, vilat e ministrave dhe lukset e veshjet e shtrenjta të tyre. Ndiqen me mjete teknologjike sa kanë kushtuar fustanet e ministreve, kollaret e ministrave dhe makinat që përdorin apo avionët që marrin. Në anën tjetër kjo që shohim është ku e ku më skandaloze se të gjitha ato të mësipërmet të marra së bashku. Të gjenerosh gjashtë milion dollarë për të rregulluar biografinë e kryetarit të partisë në sirtaret e Departamentit të Shtetit, është një shpërfillje totale për gjithçka thua ndaj korrupsionit e varfërisë në meidanin e fushatës.

Partia që më së shumti flet për pensionet minimale të shqiptarëve, për hallet e tyre ekonomike, për të pastrehët e të papunët nuk ngurron të hedhë miliona në bregun tjetër oqeanit për t’i shpëtuar faqen kryetarit. Pa llogaritur këtu kontratën e Chris Lacivitas, për të cilën PD refuzon thuajse çdo ditë pyetje nga mediat dhe kundërshtarët e saj. Duke parë sa para paska fuqi të lëvizë nga vendi elektricisti Seci për llogari të PD, i frikshëm duhet të jetë edhe honorari i Lacivitas.

Partia Demokratike ka risjellë fuqishëm problemin e financimeve të dyshimta në fushatën elektorale të 11 majit. E ka bërë pikërisht kur po flitet më shumë se herë tjetër për futjen e garës në korsinë e transparencës, legjitimitetit dhe ekuilibrit e shanseve të barabarta për palët. Hetimi që SPAK ka nisur ndaj rastit të 6 milion dollarëve të lobimit duhet të jetë një paralajmërim mbi seriozitetin dhe rigorozitetin e shtetit për zbatimin e ligjeve që rregullojnë zgjedhjet. Berisha i ka bërë hapur letrat e lobimit me shumë zero. Le të bëhet hapur dhe shpejt edhe hetimi mbi ligjshmërinë e një akti që duket se po blen përkrahjen amerikane me duart e Nuredin Secit, ashtu si në nëntor Donald Trump bleu presidencën me duart e miliarderit Musk. Me ndryshimin që të paktën Musk luante me paret e veta.

 

 

 

The post Kur Elon Musk shndërrohet në elektricist first appeared on JavaNews.al.

Partitë e reja, risia e 11 majit? Jo krejt ashtu!

By: S M
24 April 2025 at 13:15

Nga Skënder Minxhozi/

 

Ka një kolonë të tretë në tabelat që sondazhet e ndryshme paraelektorale tregojnë në mediat kryesore, rreth preferencës së votës të shqiptarëve në 11 maj. Është hapësira që po nisin të okupojnë ato që shihen si “partitë e reja”. Katër lëvizje politike, të grupuara në tre subjekte elektorale po marrin nga 10 deri në 15 përqind të preferencës së votës në sondazhet më të fundit.

Në pamje të parë është ky elementi dallues, e reja e këtyre zgjedhjeve. Por në fakt pas kësaj perdeje shpresëdhënëse qëndron një e vërtetë tjetër nga ajo që mundohen të shesin entuziastët e ndryshimit.

Po asistojme de facto në aktin e parë të shembjes së partitokracisë 34 vjeçare. Kjo është risia e këtyre zgjedhjeve. Një rrënim që nuk po vjen i zhurmshëm dhe as me furtunë e stuhi. Aq më pak me alternativa që mbushin sheshet dhe trondisin nga themelet sistemin politik. Është një rënie brenda e çatisë, më shumë sesa shpërthim spektakolar i ngrehinës. Po vjen gradualisht në formën e venitjes pa kthim të një numri siglash historike dhe bjerrjes së besimit e mërzisë së publikut ndaj një elite që e ka bërë kohën e saj. Kjo dekadecë po vjen gjithashtu edhe përmes avancimit të ngadalshëm por të pandërprerë të hetimeve e dënimeve që po jepen ndaj zyrtarëve shtetërorë e partiakë të të gjitha niveleve. Është një proces që ka prekur deri tani vetëm një anë të panelit politik tradicional, atë të opozitës zyrtare PD-PL dhe aleatët e tyre më të vegjël.

Mbi këtë mall të mbetur pa zot po përpiqen të ndërtojnë suksesin e tyre të deritanishëm, edhe ky për t’u verifikuar në 11 maj, Lapaj, Shabani, Shehaj e Qori. Një dekadë e ca më parë Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiu hynin në fushën e lojës pikërisht për të thyer monopolin trepartiak të mësipërm. Nuk ja dolën, ashtu siç nuk ja kishin dalë qysh në fillimet e pluralizmit një gjysëm dyzine partish e lëvizjesh me emra e fytyra shumë të njohura në politikën shqiptare.

Rregullisht në 30 vitet e fundit ka pasur tentativa për të thyer duopolin PS-PD në majën e politikës shqiptare. Kanë qenë tentativa jo rrallë serioze, të inicuara nga politikanë me përvojë dhe vullnet për ndryshim. Në jo pak raste kanë qenë edhe persona të papërlyer me korrupsion e krim. Por kanë të dështuar të gjithë, përveç Ilir Metës i cili arriti të depërtojë mes dy partive të mëdha me LSI në vitin 2004. Askush tjetër nuk ja ka dalë sepse partitë e mëdha ishin ende të forta, hijerënda dhe të paevitueshme.

E vërteta e asaj që po ndodh para syve tanë është se po shembet në heshtje një krah i shtëpisë politike shqiptare, ashtu siç e kemi njohur në mbi 20 vitet e fundit. Së pari ka rënë zhurmshëm ish-LSI, sot Partia e Lirisë. Partia dikur e çiftit Meta-Kryemadhi, forca politike që rregullisht bënte ose prishte maxhorancat, ka qenë një faktor serioz elektorale, aq sa në dekadën e shkuar arriti t’i afrohet kuotës së 20 deputetëve në zgjedhjet parlamentare. Edhe në votimet e fundit politike në vitin 2021 Monika Kryemadhi dhe më në distancë Ilir Meta nga zyra e Presidentit të Republikës, arritën të marrin 107 mijë vota ose 6.81 përqind të totalit të votës proporcionale. Vetëm sistemi elektoral e penalizoi LSI duke e lënë në kuotën e katër mandateve në Kuvend.

Sot kjo parti ndodhet praktikisht e paralizuar, me kryetarin Meta në izolim dhe çiftin të divorcuar zyrtarisht. Ka rënë shtylla që mbante në këmbë dhe justifikonte vetë egzistencën e partisë, ndërkohë që të mbeturit në parti nuk e kanë as stofin dhe as vullnetin e hekurt që dikur kishte Iliri me Monikën.

Një histori të ngjashme tkurrjeje, por për arsye të ndryshme, ka pësuar edhe vetë Partia Demokratike, bazuar në shifrat që nxjerrin sondazhet e javëve të fundit. Nëse në vitin 2021 Lulzim Basha arriti të marrë gati 40 përqind të votës proporcionale, sot pozita e partisë së drejtuar nga Berisha është dramatike. Rrahja publike në oborrin e PD në 8 janar 2022 e shumë prej atyre që sot janë krah për krah, ishte simptoma e parë serioze se kjo forcë politike po shkonte drejt humnerës. Rikthimi i Berishës në garën e vitit 2025 e bën edhe më të ndjeshme kotësinë dhe mungesën e perspektivës për partinë më të madhe të të djathtës shqiptare.

Katër vjet pas zgjedhjeve të vitit 2021, Aleanca për Shqipërinë Madhështore, e cila liston 24 parti politike, përfshirë Partinë e Lirisë, kuotohet në sondazhet kryesore të vendit mes 33 dhe 37 përqind të proporcionalit kombëtar. Një rënie me më shumë se dhjetë pikë përqindje krahasuar me vitin 2021, kohën kur Basha e Kryemadhi drejtonin opozitën shqiptare.

Aktualisht Partia Demokratike dikur e mbajtur nën fre nga Sali Berisha, ka “prodhuar” një mozaik siglash të dala prej saj ose parti ish-aleate, të cilat e shohin vetë Berishën si problemin kryesor të opozitës. Ka lënë pa zot rrugës edhe një mal me vota të zhgënjyera. Aq sa në zgjedhjet lokale të vitit 2023 kjo opozitë mori vetëm shtatë nga 61 bashkitë në garë!

E parë kështu, e vërteta e këtyre zgjedhjeve më shumë sesa tek fakti që tre a katër politikanë të rinj dolën dhe bënë për vete papritur 10 apo 15 përqind të votuesve, qëndron tek dizintegrimi i të djathtës historike zyrtare që e bëri të mundur këtë proces. Sepse së pari, që të jemi të realistë, një pjesë e fytyrave “të reja” nuk janë edhe aq të reja e së dyti, sepse më shumë sesa projekte politike, këto janë sfida personash që po kërkojnë të marrin mandatin vetjak parlamentar në 11 maj. Pa harruar pastaj faktin që po grinden e s’po lenë gjë pa i thënë njëri-tjetrit.

Suksesi momental i këtyre partive të reja i dedikohet faktit që ndërsa njëri krah i elitës politike, PS dhe Rama, po i mbajnë të paprekura kuotat e tyre shifrore, krahu tjetër, ai i Berishës dhe Metës, po çedojnë një porcion të madh elektorati që e kishin deri në zgjedhjet e shkuara parlamentare.

 

The post Partitë e reja, risia e 11 majit? Jo krejt ashtu! first appeared on JavaNews.al.

Shqipëri-Kosovë, sherr për Ferrarin kur s’ke lek as për biçikletën

By: S M
17 April 2025 at 12:42

Nga Skënder Minxhozi/

 

E gjithë dallga e pisët e akuzave në rrjetet sociale mes Shqipërisë dhe Kosovës, që pasoi grushtin që dy banorë të Big Brother shkëmbyen mes tyre, zbuloi edhe një herë sesa lehtësisht e manipulueshme është atmosfera edhe kur flitet për dy pjesë të të njëjtit komb, me të njëjtën histori, prejardhje, gjuhë, kulturë e zakone. U evokua edhe një herë, pas atij grushti banal, të dënueshëm por totalisht të papërdorshëm në kontekstet që u vendos, se mes kosovarëve dhe shqiptarëve (të dyja palët shqiptarë, meqë ra fjala), nuk duhet të ketë bashkim, komunikim, vajtje-ardhje e të tjera si këto.

U risoll në skenë edhe një herë klisheja se “ne nuk jemi shqiptarë dhe me Shqipërinë nuk duam të bashkohemi”. U përdor fjala e fundit për një sherr brenda një spektakli i cili jeton dhe ushqehet me provokacionin, goditjet nën brez dhe manipulimin. U transplantua në jetën reale një copë televizioni me shije dhe nivel shumë të dyshimtë që s’mund të jetë kurrsesi barometri i marrëdhënieve dhe raporteve mes dy shtetesh që ndajnë në mes të njëjtin komb.

Teza e mosbashkimit me Shqipërinë noton si një njollë vajguri në ujin e pastër të ndjenjave e përjetimeve që prej 25 vitesh është arritur të ndërtohen mes shtetit amë Shqipërisë dhe shtetit më të ri në Evropë, Republikës së Kosovës. Është një bashkëjetesë e cila pas vitit 1999 ka kaluar gradualisht nga imagjinata, eposi, baladat e historia, tek rrjeta e dendur e raporteve konkrete mes dy shteteve, shoqërive e qindra mijë njerëzve që jetojnë në dy anët e kufirit politik dhe shkojnë e vijnë çdo ditë tek njëri-tjetri. Të atij kufiri i cili nuk ka penguar që mes Kosovës dhe Shqipërisë të ndërtohet një bashkëjetesë tashmë e ngushtë dhe që sheh nga e ardhmja.

Ka plot probleme mes dy shtetesh të varfëra, siç janë Kosova e Shqipëria. Politika po bën ende pak për t’i afruar dy anët e kufirit, mëritë politike gjithashtu, por njerëzit e thjeshtë me intuitën e tyre të hollë e kanë kuptuar se ky treg i madh shqipfolës që nis në Sarandë e mbaron në Mitrovicë, është fati i përbashkët që duhet ta përgatisim me durim për të ardhmen që e pret.

E pikërisht këtu, tek perspektiva e raportit të përbashkët mes dy vendeve duket se nis edhe spekulimi i shëmtuar me “mosbashkimin”! Të përbetohesh sot se për shkak të një grushti mes dy të rinjsh të hutuar nga qëndrimi i gjatë mbyllur, nuk e duam bashkimin me Shqipërinë, është një miopi e madhe sa një kala. Sa shqiptarë të Shqipërisë rrihen mes tyre çdo ditë në qytetet e fshatrat e këtij vendi? Sa shqiptarë të Kosovës bëjnë të njëjtën gjë në anën tjetër të kufirit? Pse duhet të ketë një grusht televiziv fuqinë e një verdikti kaq të madh e të rëndë?!

Në anën tjetër të përbetohesh sot, në vitin 2025, për bashkimin ose mosbashkimin e Shqipërisë me Kosovën, është një akt sa qesharak dhe naiv. Askund në horizontin e afërt të punëve që kanë mbi vete dy shtetet shqiptare në Ballkan, nuk parashihet perspektiva e afërt e bashkimit. Shqipëria është e ngërthyer në kthetrat e një tranzicionit të gjatë postkomunist, nga i cili nuk po arrin të dalë. Megjithë historinë e saj njëqind e më shumë vjeçare si shtet i pavarur, Shqipëria nuk është integruar akoma me pjesën tjetër të kontinentit evropian. Kjo e vendos Tiranën në një pozitë krejt të pavaforshme në raport me tema delikate si kjo e bashkimit me Kosovën. Partitë, shoqatat, mediat e opinioni publik mund të flirtojnë sa të duan me këtë ide që prek kufinjtë e një romantizmi që daton që nga Rilindja Kombëtare, por ky nuk ka qenë dhe nuk është një projekt i hedhur në letër për t’u zbatuar në të ardhmen e parashikueshme.

Aq më pak bashkimi kombëtar është një çeshtje konkrete dhe e parashikueshme në Kosovë. Aty ku po përpiqen të dalin nga qerthulli i njohjeve dhe instalimit në institucionet ndërkombëtare. Dialogu me Serbinë vijon të mbetet pezull, e kjo veç të tjerash e bën praktikisht të pamundur një akt të madh vetëvendosjeje siç është bashkimi me një shtet tjetër. Do ta pengonin qysh në hapin e parë jo vetëm Rusia, Kina e Serbia, por edhe ata që i njohim si partnerë e miq.

Të sherrosesh sot për mosbashkimin kombëtar është si ajo puna e dy të rinjve që ndalen në një stendë dyqani që shet makina dhe nisin e grinden për ngjyrën e Ferrarit të ekspozuar në vitrinë. Njëri e do të kuqe, tjetri të bardhë, ndërkohë që në xhepa s’kanë lek as për të blerë një biçikletë. Edhe ne sot grindemi për diçka që s’e dimë as se kur do të ndodhë, as sesi do të vijë e çfarë forme do të ketë. Dhe në këto rrethana gjëja më e mençur është të mbash gojën e të presësh. Bashkimi kombëtar, virtualisht “Ferrari” i të gjithë shqiptarëve, do të vazhdojë të qëndrojë në vitrinë edhe për shumë kohë. E kotë të sherrosemi për të, dëmtojmë vetëm veten!

Maisja e opinionit publik me deklarata e thirrje për “mosbashkim” që ushqejnë zjarrin e ndyrë të mërive mes dy pjesëve të të njëjtit komb për motive banale dhe vulgare, është një gjest i përbuzshëm dhe në thelb antikombëtar. Rrjeti social po kryen në këtë drejtim një mision tejet negativ e që nuk sjell asgjë të mirë. Parimi “ti më gjuajte me grusht, ndaj vendi im nuk duhet të bashkohet me tëndin” është një gjë pafundësisht e ulët, por që në trurin e mpirë të rrjeteve sociale kthehet shpesh në karburant për të ushqyer një armiqësi që s’ka kurrfarë logjike dhe dobie për shqiptarët. Në Shqipëri dhe në Kosovë.

The post Shqipëri-Kosovë, sherr për Ferrarin kur s’ke lek as për biçikletën first appeared on JavaNews.al.

E gjitha kjo është pak si shumë qesharake (dhe e padrejtë)!

By: S M
6 April 2025 at 23:02

Nga Skënder Minxhozi/

 

“Keni gjysmën e qeverisë në burg”, “Partia juaj doli kokë e këmbë hajdute dhe kriminele, me ju merret Spaku nga mëngjesi në darkë”, “keni krijuar grup parlamentar në burg”!

Të gjitha këto akuza dëgjohen aktualisht nga podiumet partiake të fushatës, studiot televizive apo selitë e partive opozitare. Janë një refren i zakonshëm që e shoqëron mazhorancën socialiste nga mëngjesi në darkë, në të gjitha format e rrethanat, në kohë me diell apo me shi. Është një kompleks faji i imponuar të cilin shumica socialiste e meriton pjesërisht pas 12 viteve në qeverisje, por që shkon në absurd kur atakohet nga një palë që është edhe më në hall se ajo vetë.

Rama po e merr të plotë koston e hetimeve që po bën ndaj qeverisjes së tij drejtësia e re. Dhe kjo është mëse e drejtë. Ndërkohë në anën tjetër kjo pozitë e pakëndshme e kryeministrit po shfrytëzohet në një mënyrë që duket sa e sforcuar, aq edhe groteske e pse jo qesharake.

Jemi në fushatë dhe gjithçka lejohet. Ose më saktë pothuajse gjithçka lejohet! Sepse kur në mesin garës ti i thua tjetrit i korruptuar e kriminel, ndërsa ke mbi vete hetime e procedime penale konkrete nga i njëjti institucion (Spak e GJKKO), atëhere fuqia e goditjes mpaket dhe fjala e humbet forcën goditëse.

Aktualisht tre krerët më të lartë të opozitës shqiptare Berisha-Meta-Mediu janë ose në burg, ose të pandehur e të hetuar nga SPAK e GJKKO. Kanë mbi vete akuza të rënda që në letër vlejnë shumë vite burgu. Janë të pandehur ndërsa kanë qenë 12 vjet në opozitë, larg firmave e vulave të pushtetit. Janë në këtë pozitë sepse qeverisja e tyre e dikurshme kishte jo veç korrupsion, por edhe derdhje gjaku njerëzish të pafajshëm. Të gjitha të pahetuara dhe të padënuara ende në themel nga drejtësia e re.

E duam Spakun nga ora nëntë deri në orën dymbëdhjetë, pastaj s’e duam më! E duam ditën, por e shajmë natën!E duam kur burgos socialistët por jo kur na ve prangat në duar ne! Kjo është logjika e opozitës që ja numëron hetimet e burgosjet socialistëve një nga një, por kur vjen puna tek zullumet e veta ngre zërin e bërtet se po i bien në qafë në mënyrë tendencioze. I njëjti institucion është edhe i mirë edhe i keq njëherësh! Dhe këtu nis problemi. Ose kështu ose ashtu, në dy karrige nuk mund të ulesh dot. Kalvari i hetimeve mbi klasën politike pranohet si i tërë, jo vende-vende e kur na leverdis.

Është qesharake të dëgjosh prej muajsh sesi Berisha numëron me një durim e kënaqësi maniakale episodet e akuzat korruptive ndaj Ramës e të tijëve, teksa fshin nga tavolina e bën shurdhmemecin për malin me akuza që ka mbi shpinë prej kohësh që s’mbahen mend. Akuzon dikë që nuk ndodhet nën hetim, kurse vetë paraqitet rregullisht në Spak si i pandehur. E gjitha kjo, pa hapur ende në themel petët e lakrorit për 21 janarin e shpërthimin e Gërdecit, apo 220 milion eurot e Rrugës së Kombit!

Opozita po e merr të mirëqenë se 12 vite qëndrimi larg pushtetit e kanë pastruar “me votë”, siç pretendojnë, kur ju kujton të shkuarën. Epo ja që ka faje e gabime që pastrohen me dalje në opozitë, ashtu siç ka faje të tjera që pastrohen vetëm në gjykatë. Askund tjetër. Gjaku i të vrarëve nuk lahet me votë, por me hetim e gjykim nga organet e drejtësisë. Lulzim Basha mund të bëjë shaka sa të dojë në rrjetet sociale me Ramën me batutën “7 herë 7 baraz 313”, sepse e nënkupton veten të imunizuar nga fakti që ka qenë ministër i linjës edhe kur është ndërtuar Rruga e Kombit, edhe kur janë vrarë Aleks Nika me shokë në 21 janar 2011. Kjo amnezi e shpifur e kjo sjellje qesharake vjen sepse vetë qëndrimi pasiv dhe pa gojë i drejtësisë së re jua ka lejuar këtë ngrefosje publike.

Një aspekt tjetër që buron nga një sjellje selektive që bëhet qesharake e joserioze në sytë e opinionit publik, është ajo që ka të bëjë me atë që po ndodh brënda kampit të drejtësisë së re në lidhje me trajtimit e standartet e dy proceseve hetimore ndaj dy figurave të larta politike të vendit: Sali Berishës dhe Erion Veliajt! Në fakt këtu më shumë se termi “qesharake” shkon fjala “e padrejtë”, pasi e tillë duket situata që rrethon sot disa prej hetimeve të drejtësisë së re.

Tek binomi Berisha-Veliaj paradoksi nuk qëndron në luftë fjalësh e deklaratash, apo në qëndrime politike për hir të interesave partiake. Paradoksi këtu është i ngulitur në trajtimin konkret procedural të të dyja rasteve nga sistemi i drejtësisë së re. Sali Berisha, i mbajtur dhjetë muaj në arrest shtëpie dhe Erion Veliaj i mbajtur në paraburgim pa akuzë por vetëm i hetuar. Dhe i izoluar në një mënyrë spartane dhe shumë më drastike se kryetari i opozitës.

Sali Berisha ka përjetuar vitin e shkuar një arrest shtëpiak nga ata që mund të konsiderohen si “taylor made”, pra i qepur sipas trupit të personit konkret. Ka mbajtur çdo natë një miting me përkrahësit që i vinin poshtë pallatit, ka dhënë intervista për media shqiptare e të huaja, ka pritur zyrtarë të partisë e të tjerë miq e shokë në shtëpi, ka drejtuar PD pa nxjerrë këmbë nga hapësira ku jeton dhe ka sharë e mallkuar çdo ditë Dumanin e gjithë të tjerët me çfarë i ka ardhur në gojë. Berisha ka shkelur me të dyja këmbët detyrimin për të mos komunikuar me të tretët ndërsa ishte i arrestuar.

Përballë kësaj mënyre tolerante trajtimi nga ana e Spak-GJKKO për ish-kryeministrin, qëndrojnë telefonatat “diversante” që Erion Veliaj ka bërë me avokatët e familjarët nga qelia ku mbahet i izoluar. Dhe që kanë prodhuar një agresivitet krejt irracional nga ana prokurorëve e gjyqtarëve që po e hetojnë dhe e mbajnë në paraburgim. Të nxjerra në media këto telefonata po zbardhen në çdo rresht a thua se janë mesazhe të kriptuara alienësh apo formula shkrimesh të shenjta. Po i mëshohet faktit se kryetari i bashkisë ka konsumuar një gjë të mynxyrshme: është përpjekur të vetëmbrohet me aq sa ja lejon perimetri i qelisë ku e kanë mbyllur. Dhe po e bën këtë duke përdorur telefonin!

Teksa Berisha e quante çdo ditë Spak grup të strukturuar kriminal nga arresti shtëpiak dhe i numëronte tre a katër emrat gjyqtares së GJKKO që kishte çeshtjen e tij, teksa botonte në rrjetin e tij social edhe familjarët e prokurorëve, me Veliajn ndryshon krejt puna. Ai privohet të takohet edhe me anëtarët e Kuvendit dhe çdo komunikim i konsiderohet si shkelje e gradës më të rëndë. E gjitha kjo sepse akuzohet se ka komunikuar me të tretët jashtë burgut dhe është përpjekur të ndërtojë një mbrojtje për veten e tij. Teksa Berisha e bërtiste pafajësinë e vet çdo natë me megafon nga kati i tetë, Veliaj është fajtor sepse e ka pëshpëritur atë me telefon nga qelia.

Ndërkohë kreu i opozitës lejohet që pas izolimit në shtëpi që të zbresë në fushatë, kurse Erion Veliaj merret nga fushata e dërgohet në burg, ku vijon të rrijë prej 10 shkurtit pa akuzë. Është i paraburgosur por jo i pandehur.

Këto situata kanë të bëjnë që të dyja me drejtësinë e re. E para e sheh të implikuar Spak dhe GJKKO pa dëshirën e tyre në një luftë politike ku i përbalturi akuzon atë që përballë se i është bërë pis xhaketa me baltë! Situata e dytë, gjithaq paradoksale e përfshin drejtësinë e re në vetë të parë, sepse ka të bëjë me nje sjellje e cila duket se fut ujë nga të gjitha anët. Njërit kalorës i lejohet të zbresë në garë “sepse ka edhe fushatën elektorale”, kurse tjetrin e plasin në burg duke i privuar lirinë në mënyra që të kujtojnë një tjetër kohë dhe sistem. Standartet e dyfishta të dy situatave e bëjnë iluzive dhe të padrejtë atë që percepton i hutuar publiku në shtëpi. Por mbi të gjitha bëjnë iluzive dhe të padrejtë kohën që jetojmë.

The post E gjitha kjo është pak si shumë qesharake (dhe e padrejtë)! first appeared on JavaNews.al.

Të gjuash me gur Evropën që të dëgjojë “sherifi”

By: S M
30 March 2025 at 14:47

Nga Skënder Minxhozi/

Kjo fushatë elektorale ka prodhuar një zgjatim toksik të qëndrimeve që pasuan zgjedhjet e fundit amerikane nëntorin e shkuar. Opozita kryesore e udhëhequr nga Berisha i ka përtypur keq dhe me kundërshti deklaratat pozitive të Brukselit në lidhje me negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Një ditë më parë kreu i opozitës deklaroi se Bashkimi Evropian aprovoi me heshtje krijimin e narkodiktaturës në Shqipëri. Është hera e parë që Berisha shprehet açik dhe kaq ashpër ndaj BE dhe kjo vjen vetëm pak orë pasi komisionerja e zgjerimit Marta Kos u shpreh se negociatat e BE me Tiranën do të mbyllen brenda vitit 2027. Një afat i pashpresuar për ne dhe një surprizë e mirëfilltë në planet e Unionit për zgjerim.

Në anën tjetër kryeministri Edi Rama e ka bërë pasaportën evropiane objektin bazë të fushatës së tij elektorale. Rama duket se e ka përzgjedhur integrimin si kalin e betejës për zgjedhjet e 11 majit, në një mjedis i cili prej dekadash ka konsumuar shumë retorikë evropiane, por që realisht ka qenë i bllokuar në një proces milimetrik avancimi drejt Brukselit.

Shqipëria ndodhet aktualisht në një korsi më të avancuar se vendet e Ballkanit Perëndimor, çka konsiderohej thjesht utopike vetëm një apo dy vite më parë! Ndryshimi i situatës gjeopolitike në Evropë dhe disa zhvillime pozitive në Shqipëri, si fillimi i hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë apo edhe hapja e vendit dhe roli i tij stabilizues në Ballkan, kanë bërë që vendet anëtare të premtojnë qilimin e kuq drejt derës së anëtarësimit për shqiptarët në një të ardhme jo të largët. E cila sipas Ramës tashmë ka edhe një datë: brenda vitit 2030!

Kësisoj vendi ynë mund ta gjejë veten në pozitën surreale të anëtarësimit në Union për arsye kryesisht gjeopolitike që lidhen me luftën në Ukrainë dhe të stabilitetit rajonal ku Tirana ka qenë një aktor kyç.

Hymë në NATO në vitin 2009 pa ushtri, mund të hyjmë në Bashkimin Evropian edhe pa pasur një ekonomi dhe shtet ligjor të krahasueshëm me 27 vendet anëtare. Kjo është alkimia e çuditshme me të cilën po përballemi këto kohë në raport me evropianët dhe të cilën Edi Rama duket se kërkon ta kapë në ajër për të shkuar drejt një fitoreje të katërt rresht në zgjedhjet parlamentare.

Opozita, nga ana e saj e përjeton këtë proces në mes të fushatës, ashtu siç e ka përjetuar çdo opozitë shqiptare në kushte identike: si një kërcënim për shanset e saj të fitores në zgjedhje. Berisha e ndjen veten të tërhequr pa dashje në një subjekt i cili po imponohet me insistim nga Rama, duke anashkaluar debatin për korrupsionin dhe keqqeverisjen. Dhe në kushtet kur në media mungon tradicionalisht përballja dhe debati i drejtpërdrejtë i palëve, kjo lojë ping-pongu në distancë përcaktohet nga fuqia e secilës palë për të udhëhequr axhendën elektorale në shtyp dhe rrjetet sociale.

Rama ka kapur saktë në këtë fushatë atë që është lajmi më i rëndësishëm për shqiptarët. Dhe që konsiston në kthimin e procesit të integrimit evropian për dekada të tëra nga retorikë e propogandë gjysëm boshe, në një avancim konkret dhe të prekshëm që ofron më në fund një perspektivë të identifikueshme kohore hyrjeje në Bashkimin Evropian. Cilido politikan e shtetar që do të hynte në këto kushte në një fushatë elektorale, do të vepronte njëlloj si kryeministri shqiptar, aq më tepër që kjo përbën karrotën në një situatë ku shkopi përfaqësohet nga hetimet e shumta për drejtuesit politikë pranë tij.

Përtej fushatës zgjedhore, tema e integrimit po nis të tregojë një anë tjetër të saj: atë të detyrimeve dhe standarteve. Nëse 14 vjet më parë kur u liberalizuan vizat, ne e konceptonim Evropën më shumë si një hapësirë ku mund të shkoje pa mbajtur radhë të rruga e ambasadave, sot po ndeshemi gradualisht me detyrimet që rrjedhin nga afrimi me tregun dhe institucionet evropiane. Fermerët duhet të ofrojnë fruta e perime më cilësore, fasonët dhe prodhuesit e tjerë të industrive ushqimore apo edhe shërbimeve duhet të ngrenë standartin e punës dhe të produkteve finale. Shteti duhet të rishohë ligjet dhe aktet e tjera mbi të cilat funksionon, infrastrukturat, biznesin e vogël dhe të madh, arsimin dhe fushat e tjera të aktivitetit njerëzor të cilat tashmë po fillojnë të përballen me Europën e tabelave dhe rregulloreve.

Nëse e konsiderojmë në këtë prizëm, debati elektoral në lidhje me një pasaportë për momentin të ndërtuar grafikisht në kompjuter, duhet të fillojë të zgjerohet dhe të okupojë të gjithë hapësirën politike në vend. Integrimi po afrohet gradualisht si sfida më e vështirë e shtetndërtimit në historinë tonë të vjetër dhe të re, kurse politikanët e Tiranës shohin vetëm deri në 11 maj dhe sherrosen për një karton me yjet e Evropës mbi të.

Kompleksi i Berishës në lidhje me fushatën e Ramës me pasaportën evropiane nuk ka të bëjë vetëm me garën e majit. Ai ka të bëjë me faktin se ish-kryeministri vijon ta shohë veten jashtë çdo formati bashkëpunimi dhe komunikimi me perëndimorët. Amerika s’po i heq statusin non grata, Britania e Madhe gjithashtu, kurse evropianët mbajnë një komunikim të ngushtë dhe partneritet të plotë me Edi Ramën. Ky është halli real i Berishës në lidhje me BE, të cilin nuk e mbush dot as Doris Spak as disa ambasadorë periferikë në Tiranë të cilët e ftojnë dhe e begenisin. Madje-madje këtë hall nuk e kompensojnë dot as sherifët e Uashingtonit që nuk po duken apo rrufetë mbi Ramën nga Donald Trump që nuk po shfaqen askund në horizont.

Zgjedhjet do të vijnë e do të ikin. Ai që do mbetet është procesi i afrimit me BE, më seriozi e afatgjati për ne si shtet, megjithë efektet thellësisht transformuese që pritet të sjellë. Loja e vogël e zgjedhjeve do duket edhe një herë meskine dhe kalimtare, sepse qysh në krye të herës, në vitin e largët 1991 destinacioni ka qenë Evropa, jo kuajt e kësaj apo asaj gare elektorale. Në këtë pikë Berisha e ka të humbur sherrin me evropianët, ashtu siç e pati dhe e ka ende të humbur me amerikanët dhe britanikët.

The post Të gjuash me gur Evropën që të dëgjojë “sherifi” first appeared on JavaNews.al.

Rama: Për Veliajn kemi dhimbje personale, drejtësia duhet të bëjë punën e saj

By: S M
21 March 2025 at 11:08

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Partia Socialiste ndjen dhimbje personale për Erion Veliajn, por theksoi se drejtësia duhet të bëjë punën e saj. Gjatë një takimi me kandidatët e qarkut të Durrësit për zgjedhjet e 11 majit, ai vuri në dukje se ishte PS ajo që hapi rrugën për reformën në drejtësi.

Ne duhet të jemi krenarë, jo kokulur, për faktin, që përtej dhimbjes personale për arsye njerëzore se nuk na vjen mirë të shohim dikë që deri dje ka qenë mes nesh, ndërsa sot është në duart e drejtësisë. Por ama nuk ndodhte kjo kurrë nëse nuk do e kishim hapur ne këtë kapak. Këtu u vranë 4 veta mes bulevardit dhe s’u pyet njeri. U refuzua zbatimi i urdhrave të prokurorit. E kupton ku kemi qenë.”

Rama akuzoi opozitën se synon të dëmtojë SPAK-un, duke përmendur qëndrimet e saj për drejtësinë. “E kemi bërë ne. Si qenka kjo. E kemi bërë ne dhe nuk e bën dot askush tjetër. Ata e thonë copë, më 12 maj do shkrijmë SPAK”, tha ai.

Kryeministri gjithashtu ritheksoi se integrimi në BE është i domosdoshëm për të garantuar barazinë para ligjit. “Ne jemi për reformën në drejtësi, pavarësisht problematikave dhe lajthitjeve të herëpashershme, por ne e kemi të ndarë këtë punë që ia kemi dhënë këtë shpatën që në histori e ka pas drejtësia, por në Shqipëri që nga 1912 e ka pasur qeveria”, u shpreh ai.

 

j.l./ dita

The post Rama: Për Veliajn kemi dhimbje personale, drejtësia duhet të bëjë punën e saj first appeared on JavaNews.al.

Europa po armatoset me shpejtësi/ “Por s’do blejmë armë nga Donald Trump”!

By: S M
21 March 2025 at 10:45

Riarmatimi evropian shërben për të vazhduar luftën në Ukrainë, për të menaxhuar përçarjen me Shtetet e Bashkuara dhe për të konsoliduar industrinë evropiane të mbrojtjes.

Strategjia e Ursula von der Leyen është një lojë në rritje të vazhdueshme, e cila bëhet më e qartë në çdo hap që hidhet.

Dje ishte radha e Librit të Bardhë mbi Mbrojtjen, White Paper for European Defence Readiness 2030, ku Readiness do të thotë “gatishmëri”.

Pra, gati për vitin 2030, në një plan që synon t’i japë një shtysë të madhe industrisë evropiane të mbrojtjes, deri në pikën e integrimit të saj me atë ukrainase – e cila sot është kthyer në pikën kyçe të tregut të armëve.

Dokumenti u prezantua nga Komisioneri Evropian për Mbrojtjen, polaku Andrius Kubilius, dhe nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas – përfaqësuesit më radikalë të strategjisë ushtarake kundër Rusisë.

Kubilius u përpoq gjithashtu t’i bënte një ofertë Italisë dhe qeverisë së saj, e cila është e lëkundur për planin e riarmatimit, duke lavdëruar gjigantin e industrisë së mbrojtjes, Leonardo, si një aktor vendimtar në mbrojtje dhe duke u kujtuar skeptikëve se ky riarmatim “do të krijojë vende pune”.

Libri i Bardhë përshkruan një projekt për forcimin e industrisë evropiane të mbrojtjes, duke argumentuar se ky sektor ka qenë i “nënfinancuar” me kalimin e kohës dhe duke rikthyer gjithashtu “mitin” se shpenzimet ushtarake të Rusisë janë më të larta se ato të 27 vendeve të BE-së në kushte të barabarta të fuqisë blerëse.

Në fund të fundit, për të mbështetur idenë se “kemi nevojë për një bazë industriale të mbrojtjes më të fortë dhe më të qëndrueshme”, është e nevojshme të thuhet se sektori aktualisht është i dobët.

Plani i riarmatimit, tashmë i diskutuar në Komision dhe i miratuar nga Këshilli i BE-së, përbën shtyllën kryesore të Librit të Bardhë, me 800 miliardë euro burime financiare.

Këto fonde vijnë kryesisht nga zbutja e Paktit të Stabilitetit, gjë e cila do të lejojë një rritje të shpenzimeve të mbrojtjes me të paktën 1.5% të PBB-së duke filluar nga fundi i prillit. Brenda kësaj pakete financiare përfshihet edhe instrumenti i ri financiar për mbështetjen e investimeve në mbrojtjen e shteteve anëtare, i quajtur Security and Action for Europe (SAFE), me një potencial prej 150 miliardë eurosh në formën e huave të garantuara nga buxheti evropian.

“Shtetet anëtare – thuhet në dokument – ftohen të rrisin me shpejtësi blerjet e përbashkëta në sektorin e mbrojtjes, në përputhje me objektivin e të paktën 40% të propozuar nga Strategjia Evropiane për Industrinë e Mbrojtjes (EDIS), gjithashtu nën mbikëqyrjen e instrumentit SAFE.”

Këto hua do të përdoren për “mbështetjen e industrisë evropiane të mbrojtjes” përmes “prokurimeve të përbashkëta”, të cilat duhet të përfshijnë të paktën dy vende – ku njëri prej tyre duhet të jetë një shtet anëtar i BE-së.

Shteti tjetër mund të jetë:

• Një tjetër shtet anëtar i BE-së,

• Një vend anëtar i EFTA-s (Shoqata Evropiane e Tregtisë së Lirë),

• Një vend anëtar i EEA-s (Zonës Ekonomike Evropiane),

• Ukraina.

(EFTA dhe EEA janë aleanca ekonomike më të gjera se BE-ja, që përfshijnë vende jashtë Unionit si Norvegjia, Islanda dhe Zvicra.)

Pra, asnjë përfshirje e Shteteve të Bashkuara. Përkundrazi, prokurimet e përbashkëta, veçanërisht për blerjen e “municioneve ose për lëvizshmërinë ushtarake”, duhet të përputhen me kërkesat e programit EDIRPA (Instrumenti Evropian për Prokurimin e Mbrojtjes).

Ky program “synon të inkurajojë shtetet anëtare të blejnë së bashku produkte mbrojtëse” dhe “të forcojë bazën teknologjike dhe industriale të mbrojtjes evropiane (EDTIP)”.

Partnerët shtesë që mund të integrohen në një plan prokurimi të përbashkët duhet:

• Të kenë një marrëveshje me BE-në, ose

• Të jenë vende kandidate për anëtarësim në BE, si Turqia.

Financimi dhe burimet

Pjesa tjetër e planit mbështetet në disa masa kryesore:

• Rritjen e investimeve në mbrojtje përmes buxhetit të BE-së.

• Rritjen e kapaciteteve të Bankës Evropiane të Investimeve për të mbështetur sektorin e mbrojtjes.

• Përfshirjen e kapitalit privat, veçanërisht përmes zhvillimit të Bashkimit të Kursimeve dhe Investimeve.

Kjo do të arrihet duke ndryshuar rregulloren SFDR (Sustainable Finance Disclosure Regulation), e cila përcakton rregullat mbi financat e qëndrueshme. Këto rregulla do të zbuten për të lejuar financimin e projekteve të mbrojtjes.

Plani i blerjeve të përbashkëta bazohet në shtatë fusha kryesore të investimeve në mbrojtje:

1. Mbrojtja ajrore dhe raketore

2. Sistemet e artilerisë

3. Municionet dhe raketat

4. Dronët dhe sistemet kundër dronëve

5. Lëvizshmëria ushtarake

6. Inteligjenca artificiale, lufta elektronike dhe kibernetike

7. Mbrojtja e infrastrukturave kritike dhe e faktorëve strategjikë. (Bota.al)

The post Europa po armatoset me shpejtësi/ “Por s’do blejmë armë nga Donald Trump”! first appeared on JavaNews.al.

Madhështorë dhe…në SPAK!

By: S M
10 March 2025 at 20:22

Nga Skënder Minxhozi/

E keni gjysmën e qeverisë në burg, u mbushën qelitë me zyrtarë të PS, jua mori Altin Dumani në pranga partinë. Këto batuta hokatare dhe të tjera të ngjashme me to i dëgjon rëndom në studiot televizive, podiumin e parlamentit dhe kudo tjetër ku opozita sulmon çdo ditë qeverinë. Ka të drejtë në ato që thotë sepse lista e zyrtarëve socialistë është bërë vërtetë e gjatë dhe emrat kanë nisur të jenë të rëndë.

Megjithatë, kur ndodhesh në klimë zgjedhjesh, një kohë kur gjithçka krahasohet, matet e peshohet në raport me atë që ke përballë, kjo fanfarë e gëzuar akrobatësh duket se nuk i mendon shumë fjalët para se t’i nxjerrë nga goja. Kur ju thua socialistëve, fjala vjen, që ju kanë futur në burg numrin dy të maxhorancës, duhet të ndalesh një çast e ta mendosh atë që po thua. Sepse replika që mund të të vijë nga karrigia përballë mund të të vendosë në vështirësi. “…Kurse ju keni në SPAK si të pandehur ose prapa hekurave të tre krerët e partive kryesore të opozitës së sotme, Berishën, Metën dhe Mediun”!

Arrestimi i Veliajt, përveçse ka bërë që Rama të hapë gojën kundër SPAK, e ka futur në një pozitë delikate edhe raportin e opozitës me drejtësinë e re. Në harkun e pak orëve, Sali Berisha kaloi nga kërcënimet e hapura për ta shkrirë SPAK pas 11 majit, në një qëndrim më të butë për korigjimin e asaj që nuk shkonte me Strukturën e Posaçme dhe deri në deklaratat e fundit këtë të hënë, kur tha se Rama i ka çuar fjalë për ta shpërndarë SPAK pas zgjedhjeve, porse ai nuk pranon!

Ky balet fjalësh pasqyron një vështirësi konkrete intepretimi dhe qasjeje që Berisha dhe të tjerët rrotull tij kanë me hetimet e fundit dhe sidomos me arrestimin e kreut të bashkisë Tiranë. Dëshira për t’u gëzuar dhe rrahur shuplakat nga kënaqësia, por edhe përdorimi elektoral i arrestimit në fjalë, përplasen brenda opozitës së sotme me hallin konkret që ka në lidhje me SPAK i gjithë lidershipi opozitar. Nuk dinë ç’të bëjnë me prangat në duart e zyrtarëve të maxhorancës, të gëzohen e të thonë ndonjë fjalë të mirë për prokurorët, apo të vazhdojnë t’i mallkojnë ata në emër të halleve të Doktorit, Ilirit dhe Fatmirit?!

Zgjatja e radhës së të hetuarve VIP në dyert e drejtësisë po e bën të paefektshme lojën dhe përdorimin politik lara-lara të SPAK dhe viktimave të tij. Nuk mund të jesh dakord me Dumanin “deri në ora tre” e të jesh kundër tij pas kësaj ore! Njëherësh nuk mund të fërkosh barkun dhe të tallesh me prangat e kundërshtarit, pa shikuar më parë duart e tua ku shndrijnë byzylykët e burgut. Madhështorë dhe në SPAK, e thënë ndryshe!

E të mendosh se jemi ende në suazën e hetimit dhe gjykimit të dosjeve që lidhen me akuzat për vjedhje. Nuk kemi ardhur akoma tek dosjet e vrasjeve politike, ato të hershmet ende të pazgjidhura, ku shteti zhduku provat dhe pengoi hetimet. Aty paneli i madhështorëve tkurret edhe më shumë sepse edhe akuzat janë më të rënda dhe më të kobshme. Megjithatë ngushëllimi për opozitën është që SPAK vijon të mendohet edhe gjashtë vjet pasi ka nisur nga puna, për të bërë drejtësi për vrasjet në fjalë. Gjumë të mbarë!

Ndahet nga jeta Andis Harasani, ish-deputet dhe zyrtar i lartë i PS

By: S M
9 March 2025 at 19:55

Andis Harasani, ish-drejtori i KESH dhe deputet i Partisë Socialiste për 2 legjislatura është ndarë nga jeta si pasojë e një sëmundje të rëndë, prej së cilës kishte 2 vjet që vuante.

Lajmin e ka shpërndarë në rrjete sociale një mik i tij Agim Muco, i cili shkruan: “Para pak minutash u njoftova se u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë, Andis Harasani. Andisin e kam njohur kur e kisha student në Fakultetin Ekonomik. Ishte vërtetë një student inteligjent. Më pas punuam bashkë te Deloitte&Touche Tirana. Ishte një tirons i omël por dhe djal i zoti.”

Andis Harasani, u largua nga politika në vitin 2013 kur Edi Rama erdhi në pushtet dhe jetoi në SHBA, ku u zhvendos me familjen e tij. Megjithatë, nuk ju larguar jetës publike, duke qenë prezent në rrjete sociale si një kritik i ashpër i Ramës dhe PS-së.

Gazetari: SPAK përgjoi 15 ditë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ja arsyeja!

By: S M
3 March 2025 at 23:23

Më 30 Dhjetor 2024, Gjykata Kushtetuese legjitimoi hetimet bazuar në “Sky ECC”, duke rrëzuar kështu kërkesën e biznesmenit Pëllumb Gjoka. Edhe pse u mor ky vendim, Prokuroria e Posaçme ka përgjuar për 15 ditë anëtarët e kësaj gjykate. Kështu deklaroi sonte në “Opinion” gazetari Flamur Vezaj.

Sipas tij, me autorizim të prokurorit Klodian Braho, oficerët e policisë pranë SPAK kanë hetuar anëtarët e GJK. Por pse?

“Prokurori Klodian Braho i SPAK, ka vendosur që më datë 10 Shkurt, ka regjistruar procedimin penal me iniciativën e tij. Avokatë të Pëllumb Gjokës po tentojnë të ndërhyjnë në GJK. Në autorizimin që ka dhënë prokurori për nisjen e hetimeve, me miratimin e drejtuesit të SPAK, në shkresë thuhet që ka nisur hetimi kryesisht bazuar në sloganin e famshëm “mbi dyshime të arsyeshme”, por pa dhënë një argument specifik dhe pa ju referuar një rasti konkret. Me nisjen e hetimit më 10 Shkurt të këtij viti, ka autorizuar oficerët e policisë pranë SPAK-ut për të kryer një përgjim 15-ditor, nga data 10 Shkurt deri më 15.Thuhet që ka dyshime e informacione se këto persona po tentojnë të influencojnë për të favorizuar në vendimmarrje”, shpjegoi Vezaj.

Gazetari tha se “është e palogjikshme që një hetim të nisë për këtë arsye”, pasi ka raste që vendimet e një gjykate shkojnë deri në 90 ditë pa u zbardhur.

“Hetimi ka nisur pasi Gjykata Kushtetuese është shprehur. Me datë 30 Dhjetor është rrëzuar kërkesa e Gjokës, hetimi ka nisur më 10 Shkurt. Në arsyetim, Prokuroria thotë se duke qenë se brenda 30 ditëve nuk është zbardhur vendimi i GJK, ne dyshojmë që mund të ndërhyhet për të favorizuar të dyshuarit. Kjo është non sense. Prandaj autorizohet përgjimi ambiental, publik. Kryerja e përgjimit të subjektit të procedimit penal, shtetasi Gent Ibrahimi dhe subjekte të tjera të shoqëruar me vëzhgim, filmim dhe fotografim.”/KLAN/

Demalia: Rama ngriti 10 mijë flamuj në mes të Athinës, Berisha uli brekët!

By: S M
25 February 2025 at 09:32
Analisti Ilir Demalia i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTv foli për takimin e Sali Berishës me shqiptarët e Athinës, ndërsa krahason me takimin e kryeministrin Rama, në 2024-ën.

Demalia thotë se asnjë lider nuk e ka bërë atë që u bëri Rama, grekëve, që ngriti 10 mijë flamuj shqiptarë në mes të Athinës.

“Atë që i bëri Rama grekëve, nuk e ka bërë asnjë lider në historinë e Shqipërisë. I shkoi në mes të Athinës, ia plasi bombën midis Athinës.

Ngriti 10 mijë flamurë shqiptarë aty në atë pallat sporti. Berisha le të thotë ca të dojë. Ai nuk kishte asnjë flamur shqiptar në Greqi.

I hoqi dhe brekët, i uli në fund të këmbëve. Por turpi është i medias që merret me një njeri si Berisha”, thotë Demalia.

“Pati ndonjë deklaratë nga ambasada amerikane pasi unë fola për SPAK?”, Rama: Kriticizmi im do të vazhdojë!

By: S M
25 February 2025 at 09:15

Kryeministri Edi Rama, në komunikimin live me ndjekësit në Facebook, u shpreh se opozita e përdor luftën kundër korrupsionit si një “mjet” politik, pavarësisht se vetë është subjekt i drejtpërdrejtë i drejtësisë.

“Jemi përpara një fakti të thjeshtë, dua ata që insistojnë që këtu jemi të gjithë njësoj, janë të gjithe për burg. SPAK është një instittucion i krijuar nga vullneti politik i PS, SPAK e solli Amerika, e mban Amerika, se është Amerika, Amerika nuk është më, i kishte njerëzit e vet që asistonin SPAK, shkonin, hynin e dilnin në mëngjes, nuk janë më, i ka tërhequr Amerika.

Keni dëgjuar ndonjë ambasadës amerikane për SPAK, për drejtësinë? Pati një deklaratë nga BE, unë ato që thashë i them prapë, bëhet fjalë për institucionet e reaj që kanë 5 vjet dhe kanë nevojë edhe për kriticizëm konstruktiv. Këneta është e përbetuar nëpëmjet gojës së bufit vet, që do e shkrijë SPAK.

Nëse do të isha dhe unë i interesuar, i trembur, i shqetësuar, kjo do ishte më e thjeshtë, një fishkëllime dhe a e di si vinte bufi? E sillte tmerri që ka nga SPAK. SPAK është aty dhe do të jetë aty me mbështetjen e kësaj fuqie, të PS. Populli shqiptar kërkon që SPAK të jetë aty, të fuqizojë veten. Sot kemi provën e padiskutueshme të pavarësisë së SPAK. Por duhet edhe profesionalizmi dhe integriteti.

Komisioni Xhafaj: Kemi përmbyllur draftin e analizës për tetë institucionet e sistemit të drejtësisë

By: S M
19 February 2025 at 20:48

Në mbledhjen e kësaj të mërkure të Komisionit Anti-korrupsion, kryetari Fatmir Xhafaj ka deklaruar se tashmë ka një draft që është bërë për sistemin e drejtësisë, i cili pritet të hidhet për diskutim.

Sipas gazetares Greta Bullari, ekspertët kanë propozuar edhe ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar që do të monitorojë punën e institucioneve të drejtësisë.

“Kemi përfunduar në komponentin e tretë për analizën për sistemin e drejtësisë, për atë që kemi konsideruar konsolidimin e reformës në drejtësi. Kemi qarkulluar brenda nesh draftin e parë për të parë sugjerimet dhe më pas për të kaluar te diskutimi publik të këtij drafti së bashku me 8 anekset që janë tetë profilet institucionale për secilin nga institucionet kryesore të sistemit të drejtësisë”, ka thënë Fatmir Xhafaj.

Ekspertët e pranishëm kanë propozuar ngritjen e një komisioni parlamentar për të monitoruar ecurinë e 8 insstitucioneve  të drejtësisë. Mbetet të shihet sesa kjo lëvizje lidhet me raportet aktuale të klasës politike me SPAK.

/abcnews.al

❌