Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 25 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Befasi në mes të verës, bora mbulon Gjeravicën

PRISHTINË, 25 korrik/ATSH/ Edhe pse Kosova ndodhet në kulmin e stinës së verës, maja e Gjeravica, me lartësi prej 2,656 metrash, është mbuluar nga bora, duke krijuar një peizazh të pazakontë për këtë periudhë të vitit.

Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” ka publikuar fotografi nga maja e Gjeravicës, ku kontrasti mes gjelbërimit veror dhe shtresës së borës ofron pamje mbresëlënëse.

Sipas njoftimit, ky fenomen dëshmon edhe një herë veçantinë e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe faktin se në lartësitë alpine kushtet e motit mund të ndryshojnë brenda vetëm pak orësh.

rejtoria u ka bërë thirrje vizitorëve që të tregojnë kujdes gjatë vizitave, të respektojnë natyrën dhe të kontribuojnë në ruajtjen e kësaj pasurie natyrore për brezat e ardhshëm.

/Kosovapress/

The post Befasi në mes të verës, bora mbulon Gjeravicën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayAgjencia Telegrafike Shqiptare

KOK-u dhe Aeroporti i Prishtinës koordinohen për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030

PRISHTINË, 24 korrik/ATSH/ Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, kanë zhvilluar takim me shefin ekzekutiv të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Gökhan Açikgöz, ku është diskutuar për bashkëpunimin në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Sipas njoftimit të Komitetit Olimpik të Kosovës, në takim është vlerësuar rëndësia e koordinimit ndërmjet KOK-ut, Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare dhe Aeroportit të Prishtinës, me qëllim që sportistët, delegacionet dhe vizitorët ndërkombëtarë të kenë kushte sa më të mira gjatë qëndrimit në Kosovë.

Palët kanë diskutuar për mundësitë e krijimit të lehtësirave për pjesëmarrësit e Lojërave Mesdhetare, si dhe për organizimin logjistik të fluksit të mysafirëve që pritet të vijnë në Kosovë gjatë kësaj ngjarjeje të madhe sportive.

KOK-u dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës kanë shprehur gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin, duke theksuar se koordinimi ndërinstitucional do të jetë një nga faktorët kryesorë për një organizim të suksesshëm dhe për një pritje sa më të mirë të komunitetit sportiv ndërkombëtar në Prishtina 2030. /KosovaPress/

 

The post KOK-u dhe Aeroporti i Prishtinës koordinohen për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ish-kryetari i komunës së Prishtinës dënohet me burgim për mosdeklarim të saktë të pasurisë

PRISHTINË, 24 korrik/ATSH/ Gjykata Themelore në Prishtinë e gjeti fajtor ish-kreun e Prishtinës, Shpend Ahmeti, për mosdeklarim të saktë të pasurisë, duke e dënuar me dy vjet burgim dhe pesë mijë euro gjobë.

Dënimi me burgim do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm, ndërkaq gjoba duhet të paguhet brenda tre muajsh pasi vendimi të jetë i plotfuqishëm, tha kreu i trupit gjykues, Leon Perllaska, raporton Betimi për Drejtësi.

Megjithatë, Gjykata refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale për konfiskimin e pasurisë së padeklaruar në vlerë prej 172.600 eurosh.

Një ditë më parë para Gjykatës Themelore, Ahmeti u deklarua i pafajshëm dhe tha se shuma prej 172.600 eurosh ishte ndihmë financiare nga familja e tij, duke theksuar se disa herë i është nënshtruar kontrollit të pasurisë nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

Në dhjetor të vitit 2025, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Ahmetit për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë.

Sipas aktakuzës, Ahmeti, i cili shërbeu si kryetar i Prishtinës për dy mandate, nga viti 2013 deri më 2021, kishte paraqitur “me dashje” deklarata të pasakta të pasurisë, pasi sipas Prokurorisë se nuk kishte deklaruar deponimet në para të gatshme nga 2018 deri në vitin 2022.

“Sipas aktakuzës, shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172.600.00 euro”, tha më 23 dhjetor 2025.

Mosdeklarimi i pasurisë, sipas Kodit Penal të Kosovës, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, ndërsa deklarimi i rremë i pasurisë është i dënueshëm me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet.

Në Kosovë, që nga viti 2007 zyrtarët publikë duhet të deklarojnë çdo vit pasurinë.

Më pas, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, zgjedh një numër të caktuar të zyrtarëve publikë, të cilëve ua verifikon pasurinë e deklaruar.

Ligji për deklarimin e pasurisë i obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë e tyre 30 ditë nga marrja e postit të ri, dhe pastaj në baza vjetore.

Deri më tani, asnjë zyrtarë nuk ishte dënuar me burgim për mosdeklarim të pasurisë.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u dënua në fund të vitit 2022 me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për shkak të mosdeklarimit të pasurisë për vitin 2020 brenda afatit ligjor.

The post Ish-kryetari i komunës së Prishtinës dënohet me burgim për mosdeklarim të saktë të pasurisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia Rrugore e Shkodrës, mbi 4 mijë gjoba për shkelje rrugore

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Policia Rrugore e Shkodrës ka vijuar monitorimin intensiv me dron, radar dhe makina inteligjente në të gjitha akset e qarkut, për të parandaluar ngjarjet rrugore me pasoja, si dhe për të menaxhuar trafikun, për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve gjatë sezonit veror.

Sipas njoftimit nga kjo polici, ndër fokuset e punës janë evidentimi dhe ndëshkimi i drejtuesve të mjeteve që drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit ose në gjendje të dehur, pa leje drejtimi, kryejnë parakalime të gabuara, si dhe i mjeteve që qarkullojnë me xhama të riveshur, shkelje që përbëjnë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore.

Si rezultat i monitorimit, gjatë 23 ditëve të muajit korrik janë arrestuar 8 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 10 të tjerë, për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, si dhe janë pezulluar 17 leje drejtimi.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, janë vendosur gjithsej 4308 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, konkretisht:

166 masa për parakalime të gabuara;

2062 masa për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara;

1418 masa për ndalim ose qëndrim të gabuar;

201 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;

30 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit;

630 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Kontrollet nga Policia Rrugore e Shkodrës do të vijojnë në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Policia Rrugore e Shkodrës apeloi të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë rrugore.

The post Policia Rrugore e Shkodrës, mbi 4 mijë gjoba për shkelje rrugore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Deficiti tregtar i Kosovës rritet 16%, eksportet mbulojnë vetëm 15% të importeve

PRISHTINË, 23 korrik/ATSH/ Deficiti tregtar i Kosovës, që nënkupton dallimin mes vlerë së importeve dhe eksporteve të një vendi, është rritur për 16.1 për qind në muajin qershor 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 578.3 milionë euro.

Eksportet kanë mbuluar vetëm 15 për qind të importeve, bëjnë të ditur të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Sipas ASK-së, eksporti i mallrave gjatë qershorit arriti vlerën 102 milionë euro, duke shënuar rritje prej 26.9 për qind në baza vjetore. Ndërkohë, importi u rrit për 17.6 për qind, duke arritur në 680.3 milionë euro.

Në strukturën e eksporteve dominojnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, të cilat përbëjnë 27.4 për qind të vlerës së përgjithshme të eksporteve.

Pas tyre renditen ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 12.7 për qind, plastika, goma dhe artikujt prej tyre me 10.6 për qind, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 8.7 për qind dhe produktet minerale me 7.1 për qind.

Sa i përket importeve, pjesën më të madhe e zënë produktet minerale me 15.2 për qind, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike me 13 për qind, mjetet e transportit me 12 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 11.9 për qind, si dhe metalet bazë me 9.8 për qind.

Vendet e Bashkimit Evropian vazhdojnë të jenë ndër partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës. Eksportet drejt vendeve të BE-së arritën në 32.5 milionë euro, ose 31.9 për qind të eksporteve totale, me Gjermaninë, Holandën dhe Italinë si destinacionet kryesore. Në të njëjtën kohë, importet nga BE-ja arritën në 304.9 milionë euro, ose 44.8 për qind të importeve të përgjithshme, ku Gjermania, Italia dhe Polonia ishin furnizuesit kryesorë.

Edhe vendet e CEFTA-s mbeten partnerë të rëndësishëm tregtarë. Eksportet në këtë treg arritën në 44 milionë euro, ose 43.1 për qind të totalit, ndërsa importet nga vendet e CEFTA-s ishin 98.7 milionë euro, që përbëjnë 14.5 për qind të importeve të përgjithshme. Partnerët kryesorë ishin Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia.

Në tregjet jashtë BE-së dhe CEFTA-s, Zvicra dhe Turqia ishin destinacionet kryesore për eksportet e Kosovës, ndërsa Kina dhe Turqia mbetën burimet kryesore të importeve, thuhet në raportin e ASK-së për statistikat e tregtisë së jashtme të vendit. /KosovaPress/

 

The post Deficiti tregtar i Kosovës rritet 16%, eksportet mbulojnë vetëm 15% të importeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: Kuvendi të dënojë dhunën e protestuesve kundër policëve

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shprehu nga foltorja e Kuvendit solidaritet me punonjësit e Policisë së Shtetit të plagosur gjatë protestës, duke dënuar ashpër aktet e dhunës ndaj efektivëve.

Balla tha se katër punonjës policie ndodhen nën kujdesin e mjekëve pas sulmeve që, sipas tij, u kryen nga “elementë terroristë”, ndërsa akuzoi Partinë Demokratike se nuk është distancuar nga dhuna.

“Protesta nisi kundër dhunës, por përfundoi me sulme ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Gjaku i punonjësve të Policisë së Shtetit është gjaku i vetë shtetit. Kush ngre dorë ndaj tyre, ka ngritur dorë kundër shtetit”, deklaroi Balla.

Balla kërkoi që Kuvendi të dënojë dhunën ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit, ndërsa u bëri thirrje organeve të drejtësisë të veprojnë ndaj autorëve të sulmeve.

Ai iu referua edhe deklaratave të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, se lëvizje ekstremiste mund të rrezikojnë stabilitetin në Europë dhe se, sipas tij, organizatorë të protestave janë identifikuar se kanë lidhje me Gardën Revolucionare të Iranit.

“Solidaritet i turpshëm i një partie të përdhunuar nga ajo protestë. Jeni të përdhunuar nga ajo protestë, por ne kurrsesi për asnjë moment nuk do të tolerojmë që të goditen punonjësit e policisë së shtetit”, deklaroi Balla.

“Unë nuk kam asnjë pritshmëri që kjo që ka mbetur nga Partia Demokratike të mos distancohet nga dhuna. Kuvendi i Shqipërisë duhet ta dënojë, duhet ta dënojë ashpër, duhet ta dënojë ashpër dhunën kundër punonjësve të policisë”, deklaroi Balla.

 

The post Balla: Kuvendi të dënojë dhunën e protestuesve kundër policëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimi parlamentar, Balla takim me ambasadorin e Meksikës

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, priti sot në mjediset e Kuvendit, Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Meksikës në Shqipëri, Genaro Fausto Lozano Valencia.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Balla thekson se gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Meksikës, si edhe bashkëpunimin në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Një vëmendje e veçantë iu kushtua intensifikimit të marrëdhënieve ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Meksikës.

Balla vlerësoi potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit në sektorë me interes të ndërsjellë, veçanërisht në fushën e turizmit. Ai theksoi se vetëm gjatë vitit të kaluar rreth 5 mijë turistë meksikanë vizituan Shqipërinë, një tregues i interesit në rritje për vendin tonë dhe një bazë e mirë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.

The post Forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimi parlamentar, Balla takim me ambasadorin e Meksikës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj pranon Letrat Kredenciale të ambasadores së re të Bregut të Fildishtë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj priti në një ceremoni zyrtare Ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Republikës së Bregut të Fildishtë, me rezidencë në Romë,  Nogozene Bakayoko, e cila i paraqiti Letrat Kredenciale.

Presidenti Begaj i uroi ambasadores Bakayoko suksese në përmbushjen e misionit të saj diplomatik, duke shprehur bindjen se mandati i saj do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes Shqipërisë dhe Bregut të Fildishtë.

Gjatë takimit, Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve dhe theksoi se ekziston potencial për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, veçanërisht në ekonomi, tregti, bujqësi dhe në kuadër të organizatave shumëpalëshe. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e plotësimit të kuadrit ligjor dypalësh për të krijuar mundësi të reja bashkëpunimi.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Bregu i Fildishtë.

 

The post Begaj pranon Letrat Kredenciale të ambasadores së re të Bregut të Fildishtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Stuhi lokale gjatë natës, dëme të lehta materiale në Sarandë e Himarë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Stuhi lokale kanë goditur vendin mbrëmjen e djeshme dhe gjatë natës duke sjellë pasoja në disa zona, ndërsa raportohet për pemë të rrëzuara dhe dëme të vogla materiale.

Ashtu si ishte parashikuar në zonat bregdetare Sarandë, Himarë, Vlorë ka pasur stuhi gjatë natës.

Mediet raportuan se nga stuhia e furishme e një nate më parë kanë mbetur të lënduar disa persona në Sarandë, ndërsa 3 prej tyre kanë marrë ndihmë në spital. Mësohet se ata janë plagosur nga thyerja e xhamave të automjeteve të dëmtuara nga rrëzimi i një pishe në degët e stadiumit.

Një prej tyre është goditur nga degët e një peme ndërsa ecte me motor.

Era e fortë përfshiu mbrëmjen e të martës edhe qytetin e Vlorës, duke shkaktuar probleme në zona të ndryshme, ndërsa qytetarët dhe pushuesit u larguan me shpejtësi nga bregdeti, për shkak të rrezikut nga rrëzimi i pemëve dhe objekteve të ndryshme.

Në zonën e Lungomares, bizneset mblodhën çadrat dhe karriget, për shkak të erës së fuqishme, që vështirësoi aktivitetin normal.

Edhe në qarkun e Kukësit, reshjet e shiut, erërat me intensitet mesatar dhe shkarkesat elektrike i kanë dhënë fund valës së të nxehtit.

The post Stuhi lokale gjatë natës, dëme të lehta materiale në Sarandë e Himarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mot i keq në Kosovë, paralajmërohen reshje shiu, rrebeshe dhe shkarkime rrufesh

PRISHTINË, 22 korrik/ATSH/ Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se të mërkurën, më 22 korrik, vendi do të përfshihet nga mot i paqëndrueshëm, me reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit.

Sipas parashikimit, reshjet në disa zona do të jenë në formë rrebeshesh dhe do të shoqërohen me shkarkime rrufesh.

IHMK bën të ditur se depërtimi i një mase ajrore më të freskët nga veriperëndimi do të sjellë ulje të temperaturave. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13 dhe 16 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 23 deri në 26 gradë.

 

Era do të fryjë nga veriperëndimi me intensitet të lehtë deri mesatar, me shpejtësi prej 3 deri në 9 metra në sekondë.

Instituti u bën thirrje qytetarëve të kenë kujdes gjatë pasdites, pasi në disa zona priten rrebeshe dhe aktivitete elektrike në atmosferë. /Kosovapress/

The post Mot i keq në Kosovë, paralajmërohen reshje shiu, rrebeshe dhe shkarkime rrufesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti i keq, qeveria e Kosovës fton qytetarët e shoferët të mos dalin në rrugë pa nevojë

PRISHTINË, 22 korrik/ATSH/ Ministria e Infrastrukturës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, që të mërkurën të mos mos bëjnë lëvizje të panevojshme dhe të shmangin qarkullim, pos në rastet kur kjo është e domosdoshme.

Paralajmërimi i këtij dikasteri qeveritar vjen pas paralajmërimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës se gjatë ditës së sotme (22 korrik) në të gjithë territorin e vendit priten stuhi me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta.

Duke u bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në komunikacion që të tregojnë kujdes të shtuar, Ministria e Infrastrukturës thotë se kushtet atmosferike mund të shkaktojnë dukshmëri të reduktuar, rrugë të rrëshqitshme dhe pengesa në komunikacion si pasojë e erërave dhe reshjeve të fuqishme.

Qytetarëve u rekomandohet të shmangin qarkullimin, përveç rasteve kur është i domosdoshëm, të përshtatin shpejtësinë me kushtet në rrugë dhe të mbajnë distancë të sigurt ndërmjet automjeteve.

Po ashtu, kjo ministri apelon që të mos parkohen nën pemë, pranë shtyllave elektrike apo objekteve që mund të rrëzohen nga era, ndërsa kur është e mundur të vendosen në garazhe ose vende të mbuluara dhe të sigurta.

Po ashtu, është bërë thirrje të respektohet sinjalizimin rrugor dhe udhëzimet e autoriteteve kompetente.

Sipas njoftimit që ka lëshuar kjo ministri, thuhet se ekipet e mirëmbajtjes së rrugëve do të jenë në gjendje gatishmërie për të reaguar ndaj çdo situate që mund të paraqitet në infrastrukturën rrugore.

“Siguria juaj është prioritet. Ju lutemi, tregoni kujdes dhe shmangni lëvizjet e panevojshme gjatë stuhive”, thuhet në komunikatën e MI-së. /Kosovapress/

The post Moti i keq, qeveria e Kosovës fton qytetarët e shoferët të mos dalin në rrugë pa nevojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis shembja e 11 shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit

PRISHTINË, 21 korrik/ATSH/ Autoritetet e Kosovës nisën të martën aksionin për shembjen e 11 shtëpive të ndërtuara në pronën e Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, në zonën e Liqenit të Ujmanit.

Kryeshefi ekzekutiv i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se objektet ndodheshin ilegalisht në pronë të ndërmarrjes.

Ai tha se pronarëve u ishte kërkuar t’i lironin ato më 3 korrik, por pas moszbatimit të kërkesës, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, nisën zbatimin e vendimit për rrënimin e tyre.

“Ne po e kthejmë pronën tonë. Po rrënohen 11 shtëpitë e ndërtuara ilegalisht në pronën e ndërmarrjes”, tha Mujka.

“Sipas informacioneve që kemi mbledhur, këto shtëpi, përveç njërës, janë ndërtuar gjatë viteve 2019/2020”, shtoi ai.

Policia e Kosovës bëri të ditur se aksioni për asistimin e institucioneve në rrënimin e 11 shtëpive të pushimit pranë Liqenit të Ujmanit është duke u zhvilluar pa probleme.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se policia po i ofron mbështetje “Ibër-Lepencit” dhe Ministrisë së Mjedisit në zbatimin e vendimit.

Sipas tij, aksioni ka nisur rreth orës 07:00 në zonën e njohur si “Plazhi i Shqiptarëve”, në komunën veriore të Zubin Potokut.

“Deri më tani nuk kemi hasur në ndonjë problem për t’u theksuar”, deklaroi Elshani për Radion Evropa e Lirë.

Ai konfirmoi se, bazuar në informacionet që posedon policia, është paraparë rrënimi i 11 pushimoreve në këtë lokacion.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, në një reagim të publikuar më 21 korrik, e përshkroi aksionin si një “akt të paligjshëm dhe terrori të [kryeministrit në detyrë të Kosovës] Albin Kurtit”, duke pretenduar se ai është duke u kryer “pa asnjë vendim gjyqësor” dhe “me qëllim hakmarrjen ndaj nesh, serbëve”.

Sipas saj, pronarët e shtëpive kishin mësuar për rrënimin e tyre vetëm përmes njoftimeve të vendosura në objekte.

Liqeni i Ujmanit konsiderohet infrastrukturë strategjike për Kosovën, pasi shërben për furnizim me ujë, prodhim të energjisë elektrike dhe ujitje. /rel/

The post Nis shembja e 11 shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjykata e Lartë shpall kandidatët zyrtarë për anëtarë të KLGJ-së

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Gjykata e Lartë shpalli sot zyrtarisht listën përfundimtare të kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore për t’u zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Shpallja vjen në vijim të procedurës së shpallur nga Gjykata e Lartë më 26 qershor për zgjedhjen e një gjyqtari nga radhët e gjyqtarëve të gjykatës së shkallës së parë,  një gjyqtari nga radhët e gjyqtarëve të apelit dhe një gjyqtari nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Pas përfundimit të procesit të verifikimit të plotësimit të kushteve ligjore, kandidatët janë:

▪ Arbena Ahmeti – Gjykata e Lartë
▪ Sandër Simoni – Gjykata e Lartë
▪ Igerta Hysi – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
▪ Fatri Islamaj – Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
▪ Matilda Llangozi – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
▪ Brunilda Kadi – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
▪ Manjola Xhaxho – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë

Njëkohësisht, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, shpalli datën e zhvillimit të Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor më 25 shtator të këtij viti.

 

The post Gjykata e Lartë shpall kandidatët zyrtarë për anëtarë të KLGJ-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Haxhiu dekreton lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë

PRISHTINË, 21 korrik/ATSH/ Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, pas vendimit të djeshëm të  Këshillit Prokurorial të Kosovës për refuzimin e kërkesës për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.

Haxhiu  theksoi se ky veprim është ndërmarrë në zbatim të vendimit të institucionit kompetent dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

 

“Pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, kam nënshkruar dekretet për lirimin e tyre nga detyra. Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Shteti ynë funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara. Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj”, shkroi ajo në Facebook.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) më 20 korrik ka refuzuar kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të shtatë  prokurorëve dhe 15 anëtarëve të stafit mbështetës të komunitetit serb për t’u rikthyer në sistemin prokurorial të Kosovës. KPK-ja i dërgoi te institucioni i Presidentit emrat e prokurorëve për lirim nga detyra. Po ashtu, në këtë takim, Këshilli shfuqizoi vendimin për pezullimin e pagave për prokurorët dhe stafin mbështetës serb.

Ish-prokurorët serbë kishin kërkuar që t’u mundësohej rikthimi në vendet e tyre të punës, pasi kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, kur përfaqësuesit serbë u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të vendit./KosovaPress/

 

The post Haxhiu dekreton lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Temperaturat vijojnë të larta, reshje lokale shiu

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e martë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me kthjellime kryesisht në jug dhe alternime vranësirash mesatare e lokalisht të dendura, të cilat do të shoqërohen me reshje lokale shiu me intensitet të ulët në veri e qendër, e lokalisht shtrëngata të izoluara afatshkurtra.

Era do të fryjë me drejtim kryesor  veriperëndim – juglindje me shpejtësi mesatare 7 m/s,ndërsa në bregdet në veriperëndim hera-herës pritet të fitojë shpejtësi deri 14m/s.

Valëzimi në dete i forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 23/37 Diell re shi
Kukës 20/36 Diell re shi
Lezhë 21/35 Diell re shi
Dibër 19/35 Diell re shi
Durrës 21/33 Diell re shi
Tiranë 25/39 Diell re shi
Elbasan 24/40 Diell re shi
Berat 20/40 Diell re
Vlorë 23/38 Diell re
Korçë 18/36 Diell re
Gjirokastër 17/40 Diell re
Sarandë 23/38 Diell re

 

The post Temperaturat vijojnë të larta, reshje lokale shiu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Organizatat evropiane: Liria e medias në Kosovë është përkeqësuar

PRISHTINË, 20 korrik/ATSH/ Liria e medias në Kosovë ka hyrë në një periudhë të qartë përkeqësimi, si pasojë e ndërhyrjeve politike, sulmeve verbale ndaj gazetarëve dhe dobësimit të pavarësisë së institucioneve mediale, thuhet në raportin e publikuar më 20 korrik nga organizatat partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurisë së Gazetarëve.

Raporti u hartua pas një misioni ndërkombëtar faktmbledhës, i zhvilluar në Prishtinë më 24-26 mars të këtij viti nga përfaqësues të tetë organizatave ndërkombëtare për lirinë e medias, përfshirë: Reporterët pa Kufij (RSF), Institutin Ndërkombëtar të Shtypit (IPI), Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Mediave (ECPMF) dhe Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU), me mbështetjen e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Delegacioni zhvilloi takime me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, gazetarë, redaktorë, përfaqësues të RTK-së, Komisionit të Pavarur të Mediave, sistemit të drejtësisë, organizatave të shoqërisë civile dhe diplomatë ndërkombëtarë.

Në përfundim të misionit, organizatat vlerësojnë se, ndonëse Kosova vazhdon të ketë një peizazh mediatik pluralist, nivel relativisht të ulët të sulmeve fizike ndaj gazetarëve dhe një kornizë ligjore kryesisht të harmonizuar me standardet evropiane, këto zhvillime janë zbehur nga një klimë gjithnjë e më problematike për lirinë e medias.

Raporti identifikon disa arsye kryesore për këtë vlerësim: ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili më vonë u shpall antikushtetues, problemet me financimin dhe pavarësinë e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), si dhe shtimin e sulmeve verbale dhe diskreditimit të gazetarëve nga politikanët, veçanërisht nga përfaqësues të partisë në pushtet.

Sipas raportit, këto zhvillime kanë ndikuar edhe në renditjen ndërkombëtare të Kosovës.

Në Indeksin Botëror të Lirisë së Mediave të Reporterëve pa Kufij për vitin 2026, Kosova renditet e 84-ta nga 180 vende, duke rënë për 28 pozita, krahasuar me vitin 2023.

Organizatat paralajmërojnë se kjo ka dëmtuar reputacionin e Kosovës si një nga vendet më të avancuara në rajon për lirinë e medias dhe i bëjnë thirrje Qeverisë së ardhshme që ta rikthejë besimin në institucionet demokratike dhe në procesin e reformave.

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga Zyra e Kryeministrit lidhur me këto gjetje dhe është në pritje të përgjgjes.

Përndryshe, një pjesë e konsiderueshme e raportit i kushtohet edhe sigurisë së gazetarëve.

Sipas autorëve, megjithëse sulmet fizike kanë rënë krahasuar me vitin 2023, gazetarët përballen gjithnjë e më shumë me kërcënime verbale, fushata diskreditimi dhe ngacmime në internet, që shpesh burojnë nga figura të larta politike.

Vetëm gjatë vitit 2025, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës regjistroi 69 raste që përfshinin gazetarë dhe media, përfshirë raste denigrimi publik, diskreditimi dhe sulmesh online.

Raporti vëren se një pjesë e konsiderueshme e këtyre rasteve lidhen me deklarata ose veprime të zyrtarëve publikë dhe politikanëve.

Delegacioni shpreh shqetësim edhe për retorikën e përdorur ndaj gazetarëve, duke përmendur raste kur kryeministri Kurti ka kritikuar mediat ose gazetarët publikisht.

Sipas raportit, organizatat i kanë bërë thirrje kryeministrit dhe partisë së tij që të shmangin gjuhën denigruese ndaj gazetarëve dhe të japin shembull për një debat publik më të respektueshëm.

Raporti thekson se gjatë takimit me delegacionin, Kurti nuk e pranoi seriozitetin e shqetësimeve lidhur me sigurinë e gazetarëve, ndërsa më vonë Zyra e Kryeministrit, në përgjigje me shkrim, tha se ai nuk mbështet dhe nuk toleron sulmet verbale ndaj gazetarëve dhe se vetë nuk ka përdorur gjuhë fyese ndaj tyre.

Raporti, po ashtu, ngre shqetësime për gjendjen në transmetuesin publik RTK.

Sipas organizatave, financimi i pamjaftueshëm, paqartësitë ligjore dhe pretendimet për presion politik kanë krijuar një situatë që rrezikon pavarësinë editoriale të transmetuesit publik.

Delegacioni përmend dëshmitë e gazetarëve për largime nga emisionet, procedura disiplinore dhe ndërprerje emisionesh, ndonëse menaxhmenti i RTK-së i ka mohuar këto pretendime.

Raporti rikujton se ligji për KPM-në, i miratuar nga Kuvendi në vitin 2024, u rrëzua më pas nga Gjykata Kushtetuese, e cila konstatoi se cenonte pavarësinë e institucionit.

Organizatat shprehin shqetësim se edhe procesi i mëvonshëm i përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të KPM-së dhe bordit të RTK-së është zhvilluar me procedura të përshpejtuara dhe jotransparente, duke ngritur dyshime për ndërhyrje politike.

Raporti kritikon, gjithashtu, nivelin e transparencës së institucioneve publike.

Gazetarët i kanë thënë delegacionit se qasja në informata zyrtare mbetet e vështirë, se konferencat për media janë të rralla dhe se komunikimi me zyrtarët është i kufizuar.

Organizatat vënë në dukje edhe rritjen e vazhdueshme të numrit të ankesave për moslejimin e qasjes në dokumente publike gjatë viteve të fundit.

Megjithatë, raporti evidenton edhe disa zhvillime pozitive.

Organizatat vlerësojnë bashkëpunimin me sistemin gjyqësor, duke përmendur trajtimin më të shpejtë të rasteve që lidhen me gazetarët dhe miratimin e Strategjisë 2026-2028 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, e cila, mes tjerash, u jep përparësi rasteve që lidhen me sigurinë e gazetarëve dhe shpifjen. /rel/

The post Organizatat evropiane: Liria e medias në Kosovë është përkeqësuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mot i nxehtë me temperatura deri në 42 gradë Celsius

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e hënë ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Moti parashikohet i kthjellët e i nxehtë në të gjithë vendin. Vranësirat parashikohen mesatare deri të dendura në veri si dhe në juglindje në orët e mesditës.

Vranësirat parashikohen të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Era parashikohet të fryrë me drejtim veriperëndimit – verilindje me shpejtësi mesatare 6 m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

Shkodër 22/36
Kukës 25/39
Lezhë 23/38
Dibër 20/36
Durrës 24/39
Tiranë 27/41
Elbasan 26/42
Berat 20/42
Vlorë 24/39
Korçë 21/36
Gjirokastër 21/42
Sarandë 25/39

 

The post Mot i nxehtë me temperatura deri në 42 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërroi jetë gazetari Behlul Jashari, raportoi edhe për ATSH nga Kosova

PRISHTINË, 19 korrik/ATSH/ Është ndarë nga jeta gazetari Behlul Jashari. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shprehu pikëllimin e thellë për ndarjen nga jeta të gazetarit të shquar Behlul Jashari.

Në njoftimin e AGK-së, thuhet se Jashari i kushtoi mbi pesë dekada gazetarisë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në Rilindja, si kryeredaktori i parë i gazetës së rezistencës Bujku, si dhe përmes raportimeve të tij për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).

“Ai do të kujtohet për profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e tij në raportimin e ngjarjeve historike të Kosovës, përfshirë edhe periudhën e luftës. Kontributi i tij i jashtëzakonshëm në mbrojtjen e së drejtës për informim dhe në dokumentimin e historisë së Kosovës do të mbetet pjesë e trashëgimisë sonë gazetareske”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

AGK u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Jashari, kolegëve, miqve dhe gjithë komunitetit të gazetarëve. /KosovaPress/

The post Ndërroi jetë gazetari Behlul Jashari, raportoi edhe për ATSH nga Kosova appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Plazhi i Gjeneralit, det kristal mes shkëmbinjve në bregdetin e Kavajës

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Në rrugën kombëtare nga Durrësi në Kavajë ka një tabelë që lajmëron daljen për te Plazhi i Gjeneralit që shumëkush e ka parë por që shumëkush ende mund të mos jetë bërë mjaftueshëm kureshtar për ta vizituar.

E në këto ditë të nxehta vere eksplorimi i këtij plazhi është kënaqësi jo vetëm për freskinë e detit por edhe për panoramat e pazakonta për Adriatikun. Plazhi është si një version mini i bregut të jugut, ndërsa uji dhe ngjyra e pastër e kaltër kombinohen me gjelbërimin e shpateve të kodrave të Kavajës.

Deti blu, format shkëmbore si patkua dhe zhurma e dallgëve të mahnisin si mahnitën gjeneralin italian nga i cili ka marrë emrin edhe gjiri. Thonë se gjenerali italian e zbuloi plazhin ndërsa kryente ekspedita në zonën e Kavajës dhe u mahnit sa vendosi të kthehej sërish bashkë me familjen.

Banorët e zonës e ruajtën emrin edhe kur gjenerali nuk erdhi më dhe këtë emër ruan edhe sot.

Gjiri ka një formë perfekte patkoi, rreth 400 metra i gjerë. Ndodhet i fshehur midis dy kepave shkëmborë dhe kjo vendndodhje e mbron nga erërat e forta dhe dallgët e mëdha.

Erozioni nga stuhitë detare e kanë mbushur bregun me zaje të vegjël shumëngjyrësh, duke krijuar një kontrast unik me rërën e imët.

Ekosistemi i ruajtur në pishinat natyrore të bregut është i pasur me specie të ndryshme gjallesash, ku edhe breshkat detare lënë vezët. Shkëmbinjtë nënujorë krijojnë habitate të pasura për lloje të shumta peshqish, çka e bën një pikë mjaft të njohur për zhytje (snorkeling).

Tashmë plazhi është i mbushur me çadra, shezlongë dhe me ambiente shërbimesh, por ruan bukurinë natyrore dhe ujin e pastër si asnjë plazh tjetër në zonë.

Nëse deri në vitin 2012 plazhi vizitohej nga pushues ditorë apo vetëm nga banorë të fshatrave përreth, ndërtimi i vilave ekologjike tërhoqi pushues edhe me fjetje. Natyra e paprekur tërhoqi po ashtu turistë të huaj me kampera, kryesisht italianë dhe gjermanë.

Ndërsa kalon mes çadrave, shqipja përzihet edhe me gjuhë të tjera që do të thotë se plazhi është popullor edhe mes të huajve që vizitojnë vendin tonë.

Lokalet sipër plazhit ishin të mbushura plot me njerëz, ndërsa shtëpiza druri, vila të vogla e shtëpi ngrihen në shpatin e kodrinës, mes përmes së cilës kalon edhe rruga e asfaltuar.

Aksesi në plazh është i lehtë por ka edhe mënyra të tjera si ajo e kalimit nga Spilleja, përmes një bregdeti shkëmbor e ku dallohen qartë pishinat natyrore në formë patkoi të krijuara nga erozioni i shpateve. Nga qendra e Spillesë duhet të ecësh vetëm disa kilometra në vijë bregdetare ndërkohë që pjesa e fundit është pak sfiduese pasi duhet të përdorësh shteg mes shkëmbinjsh por që është tërësisht i kalueshëm.

Sapo kalon dy gjire të vogla, shfaqet plazhi i Gjeneralit. Ne e gjetëm tërësisht të mbushur me pushues, ndërsa vilat ekologjike prej druri të sistemuara në kodër dhe lokalet aty pranë po ashtu gëlonin nga njerëzit.

Plazhi ofron ujëra të kthjellët ndërsa pjesa e bregut është me gurë të vegjël ndërsa gjiri mbyllet bukur në pjesën e sipërme me kodra të buta të gjelbëruara ku ndërtimet ekoologjike qëndrojnë në formë amfiteatri.

Shumë qytetarë kishin zgjedhur të merrnin çadrat e tyre me vete për të pasur hije nga dielli, ndërsa shumë të tjerë kishin mundësi zgjedhje në stacionet e plazhit, apo edhe në një resort të vogël aty pranë.

Për të gjithë ata që nuk e kanë vizituar duket e habitshme sesi pas një plazhi ranor të madh si Spilleja, bregdeti thyhet në plazhe të vegjël shkëmborë, duke ndryshuar gati krejtësisht nga pjesa tjetër.

Rruga e asfaltuar që të sjell dhe të largon nga Plazhi i Gjeneralit është po ashtu piktoreske pasi të jep mundësinë e perspektivës në të gjithë bregun deri në Qerret, Golem e përtej në Durrës dhe Kepin e Rodonit.

Në momentin e mbërritjes ka një pikë befasie pasi plazhi nuk duket gjatë rrugës, por shfaqet befas në horizont sapo kalohen kodrat e Kryevidhit

Përgjatë rrugës duket qartë se zhvillimi i turizmit ka rritur pritshmëritë e banorëve pasi shumë shtëpi duken të përshtatura për të pritur mysafirë sikundër edhe hotele e restorante të reja ftojnë vizitorët.

Rruga është funksionale pasi lidh në mënyrë integrale fshatra të tërë të zonës dhe plazhet me disa dalje në rrugën kombëtare.

Dikur një aks i vështirë që gjarpëron përmes fshatrave, rruga mbante larg mbingarkesën masive, por penalizonte turistët ditorë.

Gjithmonë është interesante të dish për fshatrat, shtëpitë, pyjet, lumenjtë që të kalojnë përpara syve ndërsa udhëton. Nëse merr rrugën për te Plazhi i Gjeneralit do të shohësh peizazhe nga kodrat e fshatit Beden, zonë e njohur për pyllin e Bedenit, kodrat piktoreske të Kryevidhit kur shfaqet edhe deti, dhe më pas fshati i fundit, Bardhori. Është një fshat i vogël bregdetar, ku shtëpitë e banorëve vendas janë të shpërndara nëpër shpate kodrinore që bien direkt mbi det.

Ndërsa largohemi nga plazhi i Gjeneralit, zgjedhja e natyrshme është një vizitë në në Karpen, një tjetër plazh interesant i bregdetit të Kavajës që tashmë ka marrë zhvillim. Dikur plazh i vetmuar dhe pa pushues, Karpeni është një plazh modern ku ishulli me pasarelën ofron mundësi për foto të vërteta pushimesh, ndërsa vetë gjiri është i mbushur me hotele e vila, restorante e klube. Po ashtu, edhe plazhi në Qerret është shndërruar në qytezë moderne pushimesh ku radhët e çadrave shumëngjyrëshe në brezin e rërës, pedonalja dhe hotelet e pallatet e banimit shkrihen në atmosferë pushimesh verore.

Nga Vilë Bashtova në Golem, vija bregdetare Rrogozhinë-Kavajë ofron mundësi të shumta pushimi dhe surpriza që duhen zbuluar.

Plazhi i Gjeneralit në Kavajë, foto: ATSH
1 nga 22

The post Plazhi i Gjeneralit, det kristal mes shkëmbinjve në bregdetin e Kavajës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kisha e Shën Mëhillit, përshëndetja e parë e Beratit për vizitorët

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Mes 17 kishave që mund të vizitohen në Kalanë e Beratit, njëra prej tyre ndërtuar mbi një shkëmb të thepisur në shpatin e kalasë, bie në sy sapo hyn në qytet.

Bëhet fjalë për Kishën e Shën Mëhillit e shekullit XIV, në faqen e pjerrët të kodrës së kalasë e cila tërheq vëmendjen e vizitorëve me vendndodhjen e saj strategjike mbi luginën e Osumit.

Një kërkim i thjeshtë për Beratin në internet tregon se kisha është ndër objektet më të fotografuara nga të huajt në qytet.

Tashmë shtegu është hapur për vizitorët, i shtruar me kalldrëm deri tek portiku i kishës dhe mund të bëhet nga kushdo. Mund të arrihet edhe nga kalaja duke zbritur nëpër një shteg jo të shtruar.

Në fillim një monedhë tek kisha e Shën Mërisë që ndodhet në rrugë. Kisha në vetvete është e rrënuar, ka mbetur vetëm si vend i mirë për një lutje për këdo që kalon atypari.

Pjesa e parë e shtegut kalon në rrugicat karakteristike të lagjes Mangalem, tashmë të përshtatura për turistët që kanë mbushur qytetin prej vitesh. Shtëpitë karakteristike të ftojnë me portat e mëdha prej hekuri e druri, me lulet e mbjella në oborre, karriket dhe tavolinat e nxjerra për vizitorët.

Më pas nuk duhet shumë dhe ndërsa fiton lartësi, shfaqet rrugica e kishës. Pamja është spektakolare, Osumi me urat e tij poshtë, nga njëra anë Shpiragu me vraga dhe nga ana tjetër Tomori me majat e larta.

Gjatë shtegut përshëndetemi me turistë të shumtë që kanë marrë rrugën për të eksploruar kishën.

Te hyrja na pret kujdestari Luçi Meleqi. Ndërsa tregon brendinë e kishës shpreh keqardhjen që pothuajse gjithë afresket mesjetare bizantine që e mbulonin dikur tashmë kanë humbur.

Gjatë regjimit komunist, kisha arriti t’i mbijetonte valës së shkatërrimit të objekteve të kultit falë shpalljes Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1948.

Ky status vlerësoi arkitekturën unike pa mbështetje të brendshme (plan në formë kryqi) dhe pozicionin e saj të jashtëzakonshëm mbi shkëmb.

Tanimë brenda kishës ikonat dhe ikonostasi janë dhurata të qytetarëve të krishterë të Beratit. Kisha është restauruar dhe vizitohet jo vetëm për vlerat historike, por edhe për “Shtegun e Eremitëve”, i cili ofron një pamje si ballkon mbi lumin Osum dhe lagjen Goricë.

Shpellat e guvat e shumta natyrore që shihen edhe sot përgjatë shkëmbit ku ndodhet kisha gjatë periudhës mesjetare përdoreshin nga eremitët (murgj asketë). Ironike është që në kohët e trazirave këto guva u përdorën edhe nga persona me probleme me ligjin, kohë nga e cila ruhen mbishkrime në faqet e shkëmbit.

Luçin, kujdestarin e kishës e gjejmë me një libër, ndërsa nga biseda me të duket qartë kurioziteti dhe zelli për të mësuar sa më shumë rreth Beratit, kishave të tij, dhe për t’ua përcjellë atë turistëve.

Ai kujdeset që vizitorët të mos u afrohen shumë faqeve të shkëmbit të thiktë që qëndron në krah të kishës për shkak të gurëve që mund të bien nga lart, siç e tregon edhe një tabelë në anglisht.

Në përfundim të vizitës dhuron edhe degë rozmarine që i ka mbjellë vetë në oborrin e kishës.

Në anën tjetër të lumit, ka vende ku dallohen qartë qiparisët. “Kudo ku sheh të tillë, ke kisha”, thotë Luçi.

Ndërsa rihyn në rrugicat karakteristike të Mangalemit, lulet dhe portat e rënda me dru e hekur kontrastojnë duke krijuar një ndjesi që as nuk e përshkruan dot. Shtëpitë e gurta me dritare dhe ballkone të ngushtë ia lënë vendin njëra tjetrës ndërsa para shfaqet qyteti.

Berati tashmë është ndalesë e detyrueshme për të gjithë turistët që vizitojnë vendin, me arkitekturën e tij karakteristike osmane, Osumin mbi të cilin reflektohet qyteti, shtëpitë e kthyera në bujtina mikpritëse me baret e restorantet në rrugicat e tyre ku ofrohen pjata tradicionale.

Trashëgimia kulturore e historike e qytetit iu zbulohet vizitorëve përmes disa destinacioneve, ndër të cilat kisha e Shën Mëhillit dhe shtegu i Eremitëve me pamjet spektakolare ia vlejnë gjithmonë.

Kisha e Shën Mëhillit në Berat, foto: ATSH
1 nga 15

The post Kisha e Shën Mëhillit, përshëndetja e parë e Beratit për vizitorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌