Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 18 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Tingujt e Shqipërisë në kolonën zanore të filmit epik “The Odyssey”

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Shqipëria është bërë pjesë e kolonës zanore të një prej filmave më të shumëpritur të vitit, “The Odyssey” të regjisorit Christopher Nolan.

Filmi “The Odyssey”, i cili pati premierën botërore këtë javë dhe ka nisur shfaqjen në kinematë në mbarë botën, është adaptimi më i ri i regjisorit Christopher Nolan i poemës epike të Homerit. Me Matt Damon në rolin e Odiseut dhe një kastë të yjeve të Hollivudit, filmi është xhiruar tërësisht me kamera IMAX 70 mm dhe konsiderohet një nga produksionet më ambicioze të Nolan deri më sot.
Në një intervistë të botuar nga Vulture/New York Magazine, kompozitori fitues i tre çmimeve Oscar, Ludwig Göransson, zbulon se gjatë kërkimeve për krijimin e muzikës së filmit udhëtoi në jug të Shqipërisë për të regjistruar iso-polifoninë shqiptare, një traditë shekullore e mbrojtur nga UNESCO, si edhe tingujt e fyellit të barinjve shqiptarë. 

“Shkova në jug të Shqipërisë dhe kalova një javë duke regjistruar një stil të lashtë këndimi të quajtur iso-polifoni, të cilin nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë në një film”, citohet të ketë thënë Göransson. Ai shton se në Shqipëri u regjistruan edhe tingujt e fyellit që barinjtë shqiptarë e përdorin prej mijëra vitesh, ndërsa ekipi duhej të përfundonte regjistrimet para orës 18:00, pasi barinjtë zgjoheshin në orën 04:00 për t’u kujdesur për tufat. 

Dëshmi për këto regjistrime ka dhënë edhe muzikanti shqiptar Vendim Kapaj, i cili në një postim publik në rrjetet sociale shkruan se më 1 korrik 2025 punoi për rreth pesë orë me Ludwig Göransson dhe ekipin e tij, duke interpretuar me fyell dhe culë dyjare, ndërsa pjesë e regjistrimeve ishte edhe kënga labe.

Sipas Göransson, Christopher Nolan nuk dëshironte një kolonë zanore tradicionale orkestrale për filmin, por një univers tingujsh që të dukej sikur vinte nga vetë Epoka e Bronzit. Për këtë arsye, krahas instrumenteve të lashta si aulos, lira dhe instrumenteve prej bronzi, kompozitori kërkoi edhe tradita muzikore autentike nga vende të ndryshme të Mesdheut. 

Përfshirja e iso-polifonisë shqiptare dhe e instrumenteve tradicionale në një produksion hollivudian të kësaj përmase përbën një vlerësim të rëndësishëm për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe e sjell atë përpara një audience globale.

The post Tingujt e Shqipërisë në kolonën zanore të filmit epik “The Odyssey” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayAgjencia Telegrafike Shqiptare

Astrologët kinezë: Një shenjë e rrallë mund ta çojë Anglinë drejt triumfit në Botërorin 2026

TIRANË, 15 korrik, ATSH/ Në prag të gjysmëfinales së Kupës së Botës mes Anglisë dhe Argjentinës, një parashikim i pazakontë ka tërhequr vëmendjen e mediave britanike. Sipas astrologëve kinezë, viti 2026 mund të jetë i destinuar për triumfin e Anglisë, falë një përputhjeje të rrallë astrologjike që ndodh vetëm një herë në 60 vjet.  

Sipas interpretimit të tyre, viti 2026 është Viti i Kalit të Zjarrtë (Fire Horse) në kalendarin kinez – i njëjti cikël astrologjik që ishte në fuqi në vitin 1966, kur Anglia fitoi për herë të parë dhe të vetme Kupën e Botës, duke mposhtur Gjermaninë Perëndimore në finalen historike të Wembley-t.

Mediumja dhe astrologia Chloe Smith e cilëson këtë përputhje si një “shenjë jashtëzakonisht të rrallë”, duke argumentuar se rikthimi i të njëjtit cikël mund të simbolizojë mbylljen e një rrethi historik dhe mundësinë që “futbolli të kthehet në shtëpi”, siç këndojnë prej vitesh tifozët anglezë.  

Parashikimi vjen në një moment kur Anglia përgatitet për një nga sfidat më të vështira të turneut, përballë kampiones në fuqi, Argjentinës. Në rast fitoreje, “Tre Luanët” do të luanin finalen ndaj Spanjës, e cila siguroi një vend në aktin e fundit pas fitores ndaj Francës.  

Ndërkohë, atmosfera para gjysmëfinales është e mbushur me simbolika dhe supersticione. Argjentina pritet të zbresë në fushë me fanellën e saj “fatlume”, me të cilën ka regjistruar disa fitore të rëndësishme ndaj Anglisë, ndërsa trajneri Thomas Tuchel shpreson të rikuperojë mesfushorin Declan Rice, i cili ka kaluar një gjendje gripale. Kapiteni Harry Kane, nga ana tjetër, e ka cilësuar përballjen me Lionel Messin si një moment të veçantë, por ka theksuar se fokusi i skuadrës mbetet te fitorja ndaj Argjentinës dhe jo te përballja individuale me yllin argjentinas.  

Megjithatë, edhe pse histori të tilla ushqejnë imagjinatën e tifozëve, astrologjia nuk ka bazë shkencore për të parashikuar rezultatet sportive. Në fund, fituesi do të vendoset në fushë, nga paraqitja e skuadrave dhe jo nga pozicioni i yjeve.  

The post Astrologët kinezë: Një shenjë e rrallë mund ta çojë Anglinë drejt triumfit në Botërorin 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tirana hyn në hartën e koncerteve globale me Kanye West

TIRANË, 12 korrik, ATSH/ Një natë që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut shqiptar dhe të fansave të muzikës moderne. Tirana përjetoi një moment historik me koncertin e parë të Kanye West në Shqipëri, një ngjarje që shënoi jo vetëm debutimin e artistit në vend, por edhe një etapë të re për skenën e eventeve ndërkombëtare në kryeqytetin shqiptar.

Mijëra spektatorë mbushën hapësirën e koncertit, ndërsa fansa nga Shqipëria, Kosova, rajoni, dhe vende të tjera si Greqia, Italia, Bullgaria, Spanja etj., udhëtuan drejt Tiranës për të ndjekur nga afër performancën e një prej artistëve më me ndikim të muzikës bashkëkohore.

Që në orët e para të mbrëmjes, atmosfera u karakterizua nga entuziazmi, dhe pritshmëritë e larta për një spektakël të pazakontë.

Me një repertor që përfshiu disa prej hiteve më të njohura të karrierës së tij, Kanye West dhuroi një performancë që u shoqërua me efekte vizuale, ndriçim spektakolar dhe një energji që mbajti publikun të angazhuar gjatë gjithë mbrëmjes. Çdo këngë u shoqërua nga mijëra zëra që këndonin duke krijuar një atmosferë fantastike.

Koncerti u kthye shpejt në një nga temat më të komentuara në rrjetet sociale, ku foto dhe video nga mbrëmja u shpërndanë gjerësisht, duke tërhequr vëmendjen edhe të medieve ndërkombëtare. Për shumë pjesëmarrës, kjo ishte më shumë se një performancë muzikore; ishte një ngjarje që tregoi se Tirana është tashmë e aftë të presë artistë të kalibrit botëror dhe evente me ndikim global.

Përtej aspektit artistik, organizimi i koncertit solli një fluks të madh vizitorësh, duke gjallëruar sektorin e turizmit, hotelerisë, gastronomisë dhe shërbimeve në kryeqytet. Bizneset lokale përfituan nga prania e mijëra vizitorëve, ndërsa qyteti u promovua si një destinacion i rëndësishëm për organizimin e aktiviteteve të mëdha kulturore dhe argëtuese.

Koncerti i Kanye West konsiderohet tashmë një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri dhe një moment që e vendosi Tiranën në qendër të hartës ndërkombëtare të muzikës live. Për ata që ishin të pranishëm, ishte një natë e paharrueshme; për ata që e ndoqën nga larg, një dëshmi se kryeqyteti shqiptar mund të jetë fare mirë skenë e spektakleve të përmasave globale.

The post Tirana hyn në hartën e koncerteve globale me Kanye West appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AdZM Shkodër apel operatorëve turistikë: Shmangni lëvizjen në zonat e folezimit të shpendëve

SHKODËR, 12 korrik /ATSH/ Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër u ka bërë thirrje guidave turistike dhe operatorëve që zhvillojnë ture në Rezervatin Natyror të Menaxhuar (RMN) Liqeni i Shkodrës të tregojnë kujdes të veçantë gjatë lëvizjes me mjete lundruese në zonat e mbuluara me zambakë uji.

Sipas apelit, këto habitate përbëjnë zona të rëndësishme folezimi dhe strehimi për shumë lloje shpendësh, mes tyre edhe dallëndyshja faqebardhë e detit.

Autoritetet theksojnë se hyrja e vazhdueshme me mjete lundruese në këto zona shkakton shqetësim gjatë periudhës së folëzimit, duke rrezikuar braktisjen e foleve, dëmtimin e vezëve dhe uljen e suksesit riprodhues të kësaj specieje, e cila ka një rol të rëndësishëm në biodiversitetin e Liqenit të Shkodrës.

Në kuadër të mbrojtjes së vlerave natyrore të rezervatit, guidat dhe operatorët turistikë ftohen të shmangin hyrjen në zonat me zambakë ku evidentohen koloni folezimi, të respektojnë distancat e sigurisë nga habitatet e shpendëve, të informojnë turistët mbi rëndësinë e mbrojtjes së faunës së egër dhe të kontribuojnë në promovimin e turizmit të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër (AdZM) thekson se ruajtja e biodiversitetit është një përgjegjësi e përbashkët, ndërsa bashkëpunimi i operatorëve turistikë është thelbësor për të garantuar që liqeni i Shkodrës të mbetet një strehë e sigurt për shpendët dhe një destinacion natyror i veçantë për brezat e ardhshëm.

The post AdZM Shkodër apel operatorëve turistikë: Shmangni lëvizjen në zonat e folezimit të shpendëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Italia: Integrimi i Ballkanit Perëndimor është prioritet strategjik për Bashkimin Evropian

ROMË, 11 korrik /ATSH/ Italia po intensifikon përpjekjet diplomatike për ta mbajtur zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor në krye të axhendës evropiane.

Në samitin e zhvilluar në Romë, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të Italisë, Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit, u theksua se integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk është më vetëm një objektiv politik, por një domosdoshmëri strategjike për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës.

Sipas një analize të publikuar nga e përditshmja italiane Il Sole 24 Ore, Roma po ushtron presion që procesi i anëtarësimit të mos pengohet nga burokracitë apo tensionet politike, duke argumentuar se zhvillimet e fundit gjeopolitike, të ndikuara nga lufta në Ukrainë dhe sfidat e reja të sigurisë në kontinent, e bëjnë zgjerimin e BE-së më urgjent se kurrë.

Në këtë kontekst, Shqipëria dhe Mali i Zi vlerësohen si vendet që kanë shënuar përparimin më të madh në negociatat e anëtarësimit, ndërsa Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kosova vijojnë të përballen me sfida politike dhe institucionale që ndikojnë në ecurinë e procesit të integrimit evropian.

Ndërkohë, një zyrtare e Bashkimit Evropian bëri të ditur se më 14 korrik, në kuadër të mbledhjes së Këshillit për Çështjet e Përgjithshme, do të zhvillohen disa Konferenca Ndërqeveritare me vendet kandidate për anëtarësim në BE. Sipas saj, presidenca irlandeze synon të organizojë konferenca me Ukrainën, Malin e Zi, Moldavinë dhe Shqipërinë.

Për Ukrainën dhe Moldavinë pritet të hapet një grup i ri kapitujsh negociues (cluster), ndërsa për Malin e Zi dhe Shqipërinë objektivi është mbyllja e disa kapitujve të negociatave, duke shënuar një tjetër hap përpara në procesin e anëtarësimit.

Sa i përket Serbisë, zyrtarja evropiane sqaroi se në diskutimet e zhvilluara në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare (Coreper) nuk u arrit konsensus për hapjen e tre kapitujve në shqyrtim. Për këtë arsye, aktualisht nuk është planifikuar një Konferencë Ndërqeveritare me Serbinë, ndërsa diskutimet pritet të vijojnë në javët e ardhshme.

 

The post Italia: Integrimi i Ballkanit Perëndimor është prioritet strategjik për Bashkimin Evropian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“The Invite”, një reflektim i mprehtë mbi dashurinë, xhelozinë dhe martesën

TIRANË, 9 korrik, ATSH/ Filmi më i ri i studios A24, “The Invite”, me regji dhe interpretim të Olivia Wilde, sjell një histori që nis me një darkë të zakonshme mes fqinjësh, e cila shndërrohet gradualisht në një përballje të tensionuar me dëshirat, xhelozinë dhe të vërtetat e fshehura të marrëdhënieve. Në kast bëjnë pjesë edhe Seth Rogen, Penélope Cruz dhe Edward Norton.  

Filmi shmang sensacionet dhe ndërton një rrëfim ku dialogët janë elementi kryesor i veprimit. Çdo bisedë, heshtje apo vështrim ndryshon dinamikën mes personazheve, duke e kthyer mbrëmjen në një analizë të mprehtë të martesës, intimitetit dhe mënyrës se si njerëzit i justifikojnë zgjedhjet e tyre në emër të dashurisë.  

Kritika ka vlerësuar interpretimet e katër protagonistëve, veçanërisht harmoninë mes Wilde dhe Rogen, ndërsa filmi është cilësuar si një komedi-dramë inteligjente që ndërthur humorin me reflektimin psikologjik mbi marrëdhëniet moderne.  

I bazuar në filmin spanjoll The People Upstairs, “The Invite” është një nga prodhimet më të komentuara të verës.

The post “The Invite”, një reflektim i mprehtë mbi dashurinë, xhelozinë dhe martesën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Qyteti i Dehur”, ekspozita personale e piktorit Taso çel dyert në Pogradec

POGRADEC, 9 korrik /ATSH/ Galeria e Arteve në Qendrën Multifunksionale të Pogradecit do të mirëpresë më 18 korrik, në orën 19:00, ekspozitën personale “Qyteti i Dehur”, të piktorit të njohur pogradecar Anastas Kostandini (Taso) ku do të prezantohet një cikël prej 50 punimesh në pastel.

Ekspozita sjell një udhëtim në jetën e përditshme të qytetit, duke e parë atë përmes nostalgjisë, humorit dhe atmosferës së ngrohtë të traditës pogradecare. Punimet janë frymëzuar nga realiteti që po ndryshon, por edhe nga dëshira për të ruajtur gjallë kujtesën kolektive dhe dashurinë për vendlindjen.

Sipas konceptit të ekspozitës, atelieja e artistit  e ngritur në një mjedis familjar të dikurshëm, shndërrohet në hapësirën ku kujtimet e fëmijërisë, ritualet e jetës së përditshme dhe traditat lokale bëhen burim frymëzimi artistik.

I ndikuar edhe nga universi letrar i Mitrush Kutelit, autori sjell në këtë cikël pastelesh skena që pasqyrojnë gëzimin, festën dhe njerëzoren e një mënyre jetese që, sipas tij, po zbehet me kalimin e kohës.

Ekspozita “Qyteti i Dehur” do të qëndrojë e hapur për publikun nga 18 korriku deri më 1 gusht, çdo ditë nga ora 11:00–13:00 dhe 18:00–20:30, në Galerinë e Arteve të Qendrës Multifunksionale në Pogradec.

The post “Qyteti i Dehur”, ekspozita personale e piktorit Taso çel dyert në Pogradec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AAPSK financon 23 motoçikleta të reja për Policinë e Shtetit

TIRANË, 7 korrik, ATSH/ Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) financoi blerjen e 23 motoçikletave të reja për Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Policinë Rrugore, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve operacionale të Policisë së Shtetit dhe rritjen e sigurisë publike.

Gjatë ceremonisë së dorëzimit, Kryeadministratorja e AAPSK-së, Risena Xhaja, u shpreh se ky investim është realizuar me fondet e krijuara nga administrimi i pasurive të konfiskuara, duke dëshmuar se asetet e përfituara nga veprimtaria kriminale rikthehen në shërbim të shtetit dhe qytetarëve.

Sipas saj, përdorimi i këtyre fondeve për mbështetjen e institucioneve ligjzbatuese është një shembull konkret i shndërrimit të pasurive të konfiskuara në një vlerë të dobishme për interesin publik.

AAPSK bëri të ditur se do të vijojë të mbështesë institucionet ligjzbatuese dhe ripërdorimin social të pasurive të konfiskuara, me synimin që këto asete të kontribuojnë në forcimin e sigurisë, drejtësisë dhe mirëqenies së qytetarëve.

The post AAPSK financon 23 motoçikleta të reja për Policinë e Shtetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Anglia kalon Meksikën në një sfidë dramatike, siguron çerekfinalen

MEKSIKE, 6 korrik, ATSH/ Anglia zhvilloi paraqitjen e saj më të mirë në Kupën e Botës 2026, duke triumfuar 3-2 ndaj Meksikës në stadiumin legjendar Azteca dhe duke siguruar një vend në çerekfinale, ku do të përballet me Norvegjinë.

Takimi nisi me një vonesë prej një ore për shkak të stuhive të forta, ndërsa skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel tregoi qetësi dhe karakter në një atmosferë elektrizuese.

Jude Bellingham ishte protagonisti i pjesës së parë, duke realizuar dy gola brenda vetëm 98 sekondave dhe duke i dhënë Anglisë një epërsi të rëndësishme. Portieri Jordan Pickford bëri disa pritje vendimtare, por nuk mundi të ndalte goditjen e Julian Quinones, i cili ngushtoi shifrat për Meksikën pak para pushimit.

Në fillim të pjesës së dytë, Anglia mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Jarell Quansah për një ndërhyrje të rrezikshme ndaj Jesus Gallardo, duke i dhënë hov vendasve.

Megjithatë, anglezët rikthyen diferencën prej dy golash kur Harry Kane u tregua i saktë nga pika e penalltisë, pasi Anthony Gordon u pengua nga portieri Raul Rangel.

Meksika nuk u dorëzua dhe fitoi një tjetër penallti pas një ndërhyrjeje të Kane ndaj Brian Gutierrez. Raul Jimenez shënoi për 3-2, duke i dhënë emocione minutave të fundit.

Nën presionin e madh të publikut vendas, Tuchel forcoi mbrojtjen me aktivizimin e Dan Burn dhe Djed Spence, ndërsa Anglia rezistoi gjatë 11 minutave shtesë për të vulosur një fitore të madhe.

Në çerekfinale, Anglia do të përballet me Norvegjinë, që eliminoi Brazilin falë dy golave të Erling Haaland.

The post Anglia kalon Meksikën në një sfidë dramatike, siguron çerekfinalen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Haaland “rrëzon” Brazilin, Norvegjia kualifikohet në çerekfinalet e Botërorit

Nju Xhërsi, 6 korrik, ATSH/ Norvegjia vazhdon të shkruajë historinë në Kupën e Botës 2026. Skuadra skandinave eliminoi Brazilin me rezultatin 2-1 në fazën e 1/16-ave, falë një dopiete vendimtare të Erling Haaland, duke siguruar një vend në çerekfinale dhe duke shkaktuar një nga surprizat më të mëdha të turneut.  

Për Brazilin e drejtuar nga Carlo Ancelotti, disfata ka një domethënie edhe më të veçantë. Ajo zgjati një statistikë unike në futbollin botëror: Norvegjia mbetet e vetmja kombëtare që Brazili nuk ka mundur asnjëherë në historinë e përballjeve mes tyre. Në pesë ndeshje të zhvilluara ndër vite, bilanci është tashmë tre fitore për norvegjezët dhe dy barazime.  

Pas një ndeshjeje të ekuilibruar për pjesën më të madhe të kohës, Haaland shpërtheu në minutat e fundit, duke shënuar fillimisht me kokë dhe më pas duke vulosur suksesin me një finalizim të saktë. Brazili arriti vetëm të ngushtonte diferencën me një penallti të Neymar në kohën shtesë, por ishte tepër vonë për të shmangur eliminimin.  

Norvegjia do të vazhdojë rrugëtimin në çerekfinale, ndërsa Brazili largohet para kohe nga Botërori, me “mallkimin norvegjez” që vazhdon të mbetet i pathyeshëm.  

The post Haaland “rrëzon” Brazilin, Norvegjia kualifikohet në çerekfinalet e Botërorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Praga largon karrocat me kuaj nga qendra historike

Pragë, 3 korrik /ATSH/ Karrocat turistike të tërhequra nga kuajt nuk do të jenë më pjesë e panoramës së Sheshit të Qytetit të Vjetër në Pragë, pasi autoritetet e kryeqytetit çek kanë vendosur t’i japin fund këtij aktiviteti, duke përmbyllur një debat shumëvjeçar mbi mirëqenien e kafshëve.  

Vendimi u mor pas shqetësimeve të ngritura nga organizatat për mbrojtjen e kafshëve, veterinerë dhe qytetarë, të cilët argumentuan se kuajt punonin në kushte të papërshtatshme, mes trafikut të dendur, temperaturave të larta gjatë verës dhe rrugëve të mbushura me turistë.  

Mbështetësit e masës e cilësojnë atë si një hap drejt një turizmi më të përgjegjshëm dhe më në përputhje me standardet moderne evropiane për mbrojtjen e kafshëve. Ndërkohë, disa operatorë dhe qytetarë shprehen se largimi i karrocave i jep fund një tradite të gjatë që ishte bërë pjesë e identitetit turistik të qytetit.  

Me këtë vendim, qendra historike e Pragës hyn në një etapë të re, ku karrocat me kuaj nuk do të jenë më pjesë e përvojës turistike në një nga destinacionet më të vizituara të Evropës.  

The post Praga largon karrocat me kuaj nga qendra historike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bari do të ketë varrezat e para për kafshët shtëpiake, Bashkia: Një hap përpara drejt qytetërimit

BARI, 3 korrik /ATSH/  Këshilli Bashkiak i Barit ka miratuar krijimin e varrezave të para publike për kafshët shtëpiake, një nismë që autoritetet e konsiderojnë si një hap të rëndësishëm drejt një qyteti më gjithëpërfshirës dhe më të ndjeshëm ndaj mirëqenies së kafshëve.

Zona e dedikuar do të ndërtohet pranë nekropolit të Losetos dhe do të shërbejë për varrosjen e kafshëve të shoqërimit, kryesisht qenve dhe maceve.

Vendimi u miratua njëzëri nga anëtarët e pranishëm të Këshillit Bashkiak, pas një propozimi të paraqitur nga disa këshilltarë.

Sipas vendimit, administrata bashkiake do të nisë procedurat burokratike dhe do të hartojë një studim fizibiliteti teknik dhe ekonomik për realizimin e projektit. Në këtë proces do të përfshihen edhe partnerë privatë, si dhe autoritetet shëndetësore vendore (ASL), për të garantuar respektimin e standardeve sanitare dhe mjedisore.

Nisma synon t’u japë qytetarëve mundësinë të përcjellin në mënyrë dinjitoze kafshët e tyre shtëpiake, duke njohur rolin e rëndësishëm që ato kanë në jetën e familjeve.

Autorët e propozimit e kanë cilësuar krijimin e varrezave për kafshët si “një hap përpara drejt qytetërimit”, duke theksuar se qytete të shumta në Itali dhe Evropë kanë tashmë hapësira të tilla të dedikuara.

The post Bari do të ketë varrezat e para për kafshët shtëpiake, Bashkia: Një hap përpara drejt qytetërimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapet në Bolonjë “Biblioteka Eco”, me mbi 32 mijë libra nga koleksioni personal i Umberto Eco-s

Bolonjë, 2 korrik /ATSH/ – Mbi 32 mijë vëllime nga biblioteka personale e shkrimtarit, filozofit dhe semiologut italian Umberto Eco janë bërë pjesë e Bibliotekës Eco, e cila u inaugurua dje në Bologna.

Shiritin e inaugurimit e preu bashkëshortja e tij, Renate Ramge, në praninë e fëmijëve të çiftit, Stefano Eco dhe Carlotta Eco.

Biblioteka është vendosur në një krah të Palazzo Poggi, në ambientet e ish-apartamentit të kujdestarit të bibliotekës universitare, me hyrje nga sheshi Puntoni.

Projekti nuk synon vetëm katalogimin e koleksionit të jashtëzakonshëm të librave, por edhe ruajtjen e mënyrës së të menduarit dhe të punës së Eco-s, duke respektuar organizimin origjinal që ai kishte krijuar në shtëpinë e tij në Milano.

Falë bashkëpunimit mes trashëgimtarëve të autorit dhe “Fondacionit Umberto Eco”, transferimi i bibliotekës nga Milano në Bolonjë u parapri nga një proces i gjatë studimi, analize dhe dokumentimi të koleksionit, me qëllim ruajtjen sa më besnike të strukturës së menduar nga vetë Eco.

Biblioteka pritet të shërbejë si një qendër kërkimi dhe studimi për akademikë, studentë dhe studiues të veprës së një prej intelektualëve më të rëndësishëm të shekullit XX.

The post Hapet në Bolonjë “Biblioteka Eco”, me mbi 32 mijë libra nga koleksioni personal i Umberto Eco-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

EANA i bën thirrje BE-së të forcojë mbrojtjen e copyright-it për mediet

BRUKSEL, 30 qershor, ATSH/ Agjencitë evropiane të lajmeve kanë bërë thirrje për forcimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian për të drejtën e autorit, duke kërkuar që përmbajtja gazetareske të mbrohet më mirë nga përdorimi i paautorizuar nga platformat dhe modelet e inteligjencës artificiale (AI).

Në një deklaratë të përbashkët drejtuar Komisionit Evropian, anëtarët e “European Alliance of News Agencies” (EANA), shprehin mbështetjen për nismën e Komisionit për rishikimin e kuadrit evropian të së drejtës së autorit, duke theksuar se zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale ka krijuar sfida të reja për industrinë e medias dhe për prodhuesit e përmbajtjes origjinale.

Sipas deklaratës, gazetaria profesionale përbën një investim të konsiderueshëm ekonomik dhe njerëzor, ndërsa përmbajtja e krijuar nga agjencitë e lajmeve po përdoret gjithnjë e më shumë për trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale, shpesh pa transparencë, pa autorizim dhe pa kompensim për mbajtësit e të drejtave.

EANA vlerëson se kuadri aktual ligjor nuk është më i mjaftueshëm për të garantuar mbrojtjen efektive të përmbajtjes mediatike në epokën e AI-së dhe kërkon që rishikimi i Direktivës për Copyright në Tregun e Vetëm Digjital të shoqërohet me masa konkrete që forcojnë të drejtat e botuesve dhe agjencive të lajmeve.

Në deklaratë kërkohet që kompanitë që zhvillojnë modele të inteligjencës artificiale të jenë plotësisht transparente mbi materialet që përdorin për trajnim, duke u dhënë mundësi pronarëve të të drejtave të verifikojnë nëse përmbajtja e tyre është përdorur. Gjithashtu, theksohet nevoja që çdo përdorim i materialeve të mbrojtura të bazohet në marrëveshje licencimi dhe në një shpërblim të drejtë për krijuesit e përmbajtjes.

Agjencitë argumentojnë se mbrojtja e pronësisë intelektuale nuk është në kundërshtim me zhvillimin e inteligjencës artificiale, por përkundrazi krijon kushtet për një ekosistem të qëndrueshëm, ku inovacioni teknologjik dhe gazetaria profesionale zhvillohen paralelisht.

Deklarata vjen në një moment kur Komisioni Evropian ka nisur një proces konsultimi për rishikimin e rregullave të BE-së mbi të drejtën e autorit, me synimin për t’i përshtatur ato zhvillimeve teknologjike, veçanërisht sfidave që lidhen me inteligjencën artificiale gjeneruese, licencimin e përmbajtjes dhe mbrojtjen e krijuesve. Konsultimi është pjesë e një iniciative më të gjerë për krijimin e një mjedisi më të favorshëm për kreativitetin dhe inovacionin evropian.

Për agjencitë e lajmeve, çështja ka rëndësi strategjike, pasi ato prodhojnë çdo ditë informacion të verifikuar, fotografi dhe materiale të tjera origjinale, të cilat përbëjnë bazën e informimit publik. Sipas tyre, nëse këto materiale përdoren nga sistemet e inteligjencës artificiale pa respektuar të drejtat e autorit, rrezikohet jo vetëm modeli ekonomik i mediave profesionale, por edhe vetë qëndrueshmëria e gazetarisë cilësore.

Përmes kësaj deklarate, EANA u bën thirrje institucioneve evropiane që në çdo reformë të ardhshme të garantojnë një ekuilibër mes inovacionit teknologjik dhe mbrojtjes së pronësisë intelektuale, duke siguruar që krijuesit e përmbajtjes të mbeten në qendër të ekonomisë digjitale.

ATSH, si anëtare e European Alliance of News Agencies (EANA), i bashkohet deklaratës së aleancës, e cila u bën thirrje institucioneve të Bashkimit Evropian të forcojnë mbrojtjen e të drejtave të autorit për përmbajtjen gazetareske në epokën e inteligjencës artificiale.

The post EANA i bën thirrje BE-së të forcojë mbrojtjen e copyright-it për mediet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Brazili përmbys Japoninë dhe siguron biletën për në 1/8-at e Kupës së Botës

HJUSTON, 30 qershor, ATSH/ Brazili shmangu një eliminim të bujshëm dhe siguroi kualifikimin në 1/8-at e finales së Kupës së Botës 2026, pasi përmbysi Japoninë me rezultatin 2-1 në një ndeshje dramatike të luajtur në Hjuston.

Japonia kaloi në avantazh në minutën e 29-të me Kaishu Sano, duke befasuar pesë herë kampionët e botës dhe duke mbyllur pjesën e parë në epërsi. Ekipi aziatik u mbrojt me disiplinë dhe vuri në vështirësi brazilianët me kundërsulme të rrezikshme.

Në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti reagoi. Casemiro barazoi shifrat në minutën e 56-të me një goditje me kokë, ndërsa kur gjithçka dukej se po shkonte drejt kohës shtesë, Gabriel Martinelli realizoi golin e fitores në minutën e 95-të, duke vulosur përmbysjen spektakolare të “Seleçaos”.

Me këtë fitore, Brazili avancon në 1/8-at e finales, ku do të përballet me fituesin e çiftit Norvegji–Bregu i Fildishtë. Ndërkohë, Japonia largohet nga turneu pas një paraqitjeje dinjitoze që për pak i dhuroi një nga surprizat më të mëdha të Botërorit. 

The post Brazili përmbys Japoninë dhe siguron biletën për në 1/8-at e Kupës së Botës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Blackie, bashkëudhëtarja e Gjon Milit

SHKODËR, 30 qershor /ATSH/ Jo të gjitha historitë e një fotografi të madh lidhen me aparatin apo personazhet që ai ka fotografuar. Disa prej tyre kanë si protagoniste edhe një…mace.

Vizitorët e ekspozitës “Gjon Mili: Retrospektivë”, të hapur në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, kanë mundësi të njihen edhe me historinë e Blackie-t, maces së zezë që u bë shoqëruesja më besnike e fotografit shqiptaro-amerikan Gjon Mili.

Historia e Blackie-t nisi pas një kërkese të pazakontë. Mili kishte nevojë për një mace të zezë për të ilustruar një manual ushtarak amerikan, ku modeli duhej të mishëronte cilësi si vigjilenca, qetësia, shpejtësia dhe instinkti i gjuetisë. Blackie i plotësonte të gjitha këto karakteristika.

Por roli i saj nuk u kufizua vetëm në atë projekt. Gjysmë angora dhe gjysmë mace rruge, Blackie u bë pjesë e pandashme e studios dhe jetës krijuese të Milit. E lirë dhe me temperament të fortë, ajo rrinte pranë fotografit sidomos gjatë punës në dhomën e errët, duke e shoqëruar në procesin e printimit të fotografive.

Fotografia “Blackie dhe Mili” (1944) konsiderohet një nga imazhet më personale të artistit. Në të, Mili shfaqet larg skenave të njohura me figura si Pablo Picasso dhe Édith Piaf, në një moment intim me bashkëudhëtaren e tij më besnike.

Historia e Blackie-t është një prej shumë rrëfimeve njerëzore që ekspozita “Gjon Mili: Retrospektivë” sjell për publikun, duke zbuluar jo vetëm mjeshtërinë fotografike të Milit, por edhe anën e tij personale.

The post Blackie, bashkëudhëtarja e Gjon Milit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Animals Need Me” peticion institucioneve: Të ndalet helmimi i kafshëve në Shqipëri

TIRANË, 27 qershor, ATSH/ Organizata “Animals Need Me” i është drejtuar me një peticion Ministrit të Pushtetit Vendor, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrisë së Brendshme, si edhe 61 bashkive të vendit, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për të ndalur helmimet e kafshëve endacake dhe atyre me pronar.

Në peticion, organizata shpreh shqetësimin për helmimet e përsëritura të qenve dhe maceve në të gjithë Shqipërinë, duke theksuar se prej vitesh raportohen qindra raste çdo vit. Sipas saj, pavarësisht kallëzimeve penale të depozituara që nga viti 2023, shumica e çështjeve janë pushuar pa hetime efektive dhe pa vendosje përgjegjësie.

Animals Need Me kërkon nga institucionet shqiptare miratimin e politikave humane për menaxhimin e kafshëve endacake, zgjerimin e programeve të sterilizimit, vaksinimit dhe identifikimit, hetimin e plotë të çdo rasti helmimi, forcimin e ndjekjes penale ndaj autorëve, rritjen e përgjegjshmërisë së autoriteteve vendore, si edhe hartimin e një strategjie të koordinuar kombëtare në përputhje me standardet evropiane.

Organizata thekson se helmimi i kafshëve nuk përbën vetëm një akt mizorie ndaj tyre, por edhe një rrezik për shëndetin publik dhe mjedisin, ndërsa i bën thirrje autoriteteve që ta trajtojnë këtë problem me seriozitet dhe të informojnë publikun për masat që do të ndërmerren.

The post “Animals Need Me” peticion institucioneve: Të ndalet helmimi i kafshëve në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rruga e re e Fterrës drejt përfundimit, lehtësohet qarkullimi i banorëve

HIMARË, 25 qershor /ATSH/ Rruga e re që lidh fshatin Fterrë me rrugën nacionale është drejt përfundimit, në kuadër të investimeve të Bashkisë Himarë për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

Investimi pritet të lehtësojë lëvizjen e banorëve drejt zonave urbane, të përmirësojë aksesin në shërbime dhe të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.

Fterra, një nga fshatrat më të njohur të krahinës së Kurveleshit, shquhet për peizazhet malore, shtëpitë karakteristike prej guri dhe trashëgiminë e pasur kulturore. E vendosur mes natyrës së paprekur, zona po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë të apasionuar pas turizmit natyror dhe atij rural, ndërsa përmirësimi i infrastrukturës pritet ta bëjë destinacionin edhe më të aksesueshëm. 

The post Rruga e re e Fterrës drejt përfundimit, lehtësohet qarkullimi i banorëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tifozët norvegjezë pushtojnë Times Square me “Viking Row”

NEW YORK, 23 qershor /ATSH/ Mijëra tifozë të kombëtares së Norvegjisë pushtuan sheshin e famshëm Times Square në New York, duke krijuar një atmosferë festive me këngë, thirrje dhe ritualin e tyre të veçantë, të njohur si “Viking Row”.  

Të veshur me ngjyrat kuqe, blu dhe të bardhë, si dhe me helmeta vikinge, mbështetësit norvegjezë imituan lëvizjet e vozitjes së një anijeje vikinge, duke e kthyer një nga pikat më ikonike të Manhattan-it në një “det” të kuq, të bardhë dhe blu.  

Manifestimi u zhvillua në prag të ndeshjes së Norvegjisë me Senegalin në Kupën e Botës 2026 dhe është bërë një nga imazhet më virale të turneut, duke reflektuar entuziazmin e tifozëve norvegjezë në rikthimin e ekipit të tyre në Botëror pas 28 vitesh.  

The post Tifozët norvegjezë pushtojnë Times Square me “Viking Row” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bimët e shtëpisë që mund ta bëjnë ambientin të ndihet më i freskët gjatë verës

TIRANË, 22 qershor /ATSH/ Me temperaturat e larta dhe përdorimin e vazhdueshëm të kondicionerëve, gjithnjë e më shumë njerëz po zgjedhin zgjidhje natyrale për ta bërë shtëpinë më të freskët. Sipas revistës italiane Grazia, disa bimë të brendshme ndihmojnë në krijimin e një mikroklime më të këndshme, duke rritur lagështinë e ajrit dhe duke e bërë vapën më të përballueshme.  

Ekspertët shpjegojnë se kjo ndodh falë procesit të evapotranspirimit: bimët thithin ujin nga toka dhe e lëshojnë atë në formë avulli përmes gjetheve, duke e bërë ajrin të ndihet më i freskët dhe më pak i thatë.  

Ndër bimët më të rekomanduara për verën janë palma Areca, Pothos-i dhe fieri i Bostonit, të cilat ndihmojnë në rritjen e lagështisë dhe përmirësojnë ndjesinë e komfortit në ambiente të mbyllura. Edhe bimë si aloe vera, Ficus Benjamin dhe Calathea njihen për aftësinë e tyre për të krijuar një ambient më të këndshëm gjatë ditëve të nxehta.  

Sipas specialistëve, grupimi i tre deri në pesë bimëve në një kënd të ndriçuar të shtëpisë mund të krijojë një “mikroklimë të gjelbër”, duke e bërë hapësirën më të freskët dhe më të rehatshme, pa rritur konsumin e energjisë.  

The post Bimët e shtëpisë që mund ta bëjnë ambientin të ndihet më i freskët gjatë verës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌