Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 July 2025Gazeta Fjala

Tensionet me Vladimir Putin – Donald Trump pyet Zelensky-n nëse mund të godasë Moskën

By: Ke Si
15 July 2025 at 11:50

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, e ka inkurajuar privatisht Ukrainën të përshpejtojë sulmet e thella në territorin rus, madje e ka pyetur presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, nëse ai mund ta godiste Moskën.

Kjo, nëse SHBA-të do të siguronin armë me rreze të gjatë veprimi, ka raportuar Financial Times, duke cituar njerëz të informuar mbi diskutimet.

Gazeta, duke cituar dy persona të njohur me bisedën midis Trump dhe Zelenskyyt, tha se presidenti i SHBA-ve e kishte pyetur homologun e tij ukrainas nëse ai mund të godiste objektiva ushtarake thellë brenda Rusisë nëse ai do të siguronte armë të afta për ta bërë këtë.

Biseda, e cila u zhvillua gjatë telefonatës së 4 korrikut midis udhëheqësve të SHBA-ve dhe Ukrainës, shënon një ndryshim të mprehtë nga qëndrimi i mëparshëm i Trump mbi luftën e Rusisë dhe premtimi i tij i fushatës për t’i dhënë fund përfshirjes së SHBA-ve në konfliktet e huaja.

Teksa mbetet e paqartë nëse Washingtoni do të dorëzojë armë të tilla, diskutimi nënvizon zhgënjimin gjithnjë e më të madh të Trump me refuzimin e presidentit rus Vladimir Putin për t’u angazhuar në bisedimet e armëpushimit të propozuara nga presidenti amerikan, i cili dikur u zotua ta zgjidhte luftën brenda një dite.

Biseda me Zelenskyyn më 4 korrik u nxit nga telefonata e Trump me Putin një ditë më parë, të cilën presidenti amerikan e përshkroi si “të keqe”./e.t

“Zbrazet” edhe bashkia e Vaut të Dejës, dorëhiqen zv.kryetarët

By: el da
15 July 2025 at 11:45

Ka përfunduar mbledhja në bashkinë e Vaut të Dejës e thirrur nga kryebashkiaku Kristian Shkreli.

Raportohet se 3 zëvendëskryetarët e bashkisë, 5 administratorët dhe të gjithë drejtorët kanë paraqitur dorëheqjen pranë Bashkisë së Vaut të Dejës, duke plotësuar kështu porositë e kryeministrit Edi Rama për rifreskim të institucioneve.
Këto dorëheqje pasojnë ato të Bashkisë së Shkodrës dhe bashkive të tjera në vend pas ultimatumit të kryeministrit Rama./kb

“Plumbi i Artë”/ Dëshmon Tase: Si u përgatit atentati ndaj tregtarit të naftës

By: Ke Si
15 July 2025 at 11:39

Në kuadër të mega-procesit “Plumbi i Artë”, bashkëpunëtori i drejtësisë Skerdi Tase ka dëshmuar këtë të martë për herë të parë para trupit gjykues.

Bashkëpunëtori i drejtësisë Skerdi Tase ka dëshmuar për herë të parë në mega-procesin “Plumbi i Artë”, ku më herët kanë dhënë dëshminë edhe të penduarit Nuredin Dumani dhe Erion Alibej.

Tase u pyet nga prokurori i SPAK, Behar Dibra, lidhur me atentatin e dështuar ndaj tregtarit të naftës, Aredin Behari, ngjarje e ndodhur në vitin 2017 në Fier.

Në dëshminë e tij, Tase ka rrëfyer si u njoh me Henkrik Hoxhajn dhe përpjekjet për realizimin e atentatit ndaj tregtarit të naftës.

“Me Henkrik Hoxhaj jam njohur nga një shok i përbashkët, ky shtetas Viron Tavanxhiu na foli për një atentat që do i bëhej një personi në Fier. Henriku kishte siguruar një makinë, armët dhe i ishin vënë në ndjekje këtij personi. Ditën e ekzekutimit Henriku më tha se porositësi e kishte marrë në telefon dhe i kishte thënë pse po e vononi atë punë. I shkuam në lokal për ta qëlluar, por u fut poshtë tavolinës e më pas brenda në lokal, nuk u futa më tej se isha pa doreza.”- tha Tase.

Më tej, ai ka deklaruar para trupit gjykues se ishte kontaktuar sërish nga Tavanxhiu edhe për një tjetër atentat në Fier, ndaj shtetasit Agim Boriçi, ngjarje që sipas tij kishte nisur të përgatitej në vitin 2018.

“Vironi më ka kontaktuar edhe për të bërë vrasjen e Agim Boriçit po në qytetin e Fierit. U realizuan veprimet në vitin 2018. Me Henrikun takoheshim përditë për të bërë planet, Riku më tha se kishte marrë dhe një punë tjetër për Aredin Beharin.”

Procesi në SPAK vijon, ndërkohë që dëshmitë e të penduarve po ndihmojnë hetimet për zbardhjen e disa atentateve të bujshme dhe rrjeteve kriminale të përfshira./e.t

“Ferr” deri në fund të muajit korrik/ Të shtunën, temperaturat deri në 41 gradë

By: Ke Si
15 July 2025 at 11:36

Meterologia Rezarta Xhakollari thotë se muaji korrik do të jetë i nxehtë, me temperatura tipike për stinën e verës.

Në emisionin “ABC e Mëngjesit”, Xhakollari u shpreh se në mes të korrikut, temperaturat do të shkojnë deri në 41 gradë.

“Dita e djeshme është regjistruar 37 gradë në disa qytete. Edhe nesër, do të kemi rritje 1-2 gradë, por ende nuk kemi atë 40 gradshin e famshëm. Javës tjetër do të kemi temperatura 40 gradë. Pas datës 21 do të kemi temperatura të larta. Nga e mërkura deri të shtunën, do të kemi temepratura 40-41 gradë celcius. Parashikohet në fund të korrikut të ketë reshje. Nga sot, na pret një korrik dinamik, por nuk kemi korrik klasik të thatë.”, theksoi meterologia./e.t

Kryebashkiaku i Konispolit refuzon urdhërin e Ramës, kryeministri: Atëhere ik ti nga puna

By: Ke Si
15 July 2025 at 11:30

Kryetari i Bashkisë së Konispolit, Ergest Dule, ka refuzuar të shkarkojë drejtorët në varësi të tij, pas urdhërit të kryeministrit Rama.

Sipas Report TV, për këtë ai ka patur dhe debat me kryeministrin Rama.

Dule është shprehur se “drejtorët janë të rinj dhe të aftë në punë”.

Nga ana tjetër, kryeministri i është përgjigjur duke thënë “jepe ti dorëheqjen nëse nuk i shkarkon”.

Një ditë më parë, pati dorëheqje dhe shkarkime të shumta të kryetarëve në njësitë administrative në Elbasan, Korçë, Kukës, Shkodër, Lushnje etj./e.t

Legjenda Michael Jordan lë bakshish shumën e çmendur në restorantin grek

By: Ke Si
15 July 2025 at 11:25

Legjenda e basketbollit, Michael Jordan vizitoi Greqinë, duke kaluar kohë në ishullin e Spetses dhe duke marrë pjesë në eventin e tij personal të markës në Athinë, të titulluar “Bordi i Madhështisë”.

Legjenda e NBA-së darkoi në një restorant në Vouliagmeni me yje të tjerë të ligës së parë, si Luka Doncic, Carmelo Anthony dhe Bam Adebayo, dhe siç doli, ai ishte shumë i kënaqur me përvojën e tij.

Menuja, e bazuar në prodhime deti dhe shije tradicionale greke, u kurua nga pronari dhe shefi i restorantit, Giorgos Papaioannou. Siç raportohet Jordan u emocionua nga mikpritja dhe përvoja, dhe e shpërbleu ekipin e restorantit me një bakshish bujar që do të jetë i vështirë për t’u harruar.

Legjenda e NBA la një bakshish prej 10 mijë eurosh në restorantin grek, pasi mbajti një fjalim në darkë, duke folur me lavde për Greqinë.

Greqia është atdheu i perëndive të lashta, ku lindën heronjtë legjendarë dhe filloi koncepti i madhështisë. Në një moment vendimtar, kur e ardhmja e markës Jordan po formësohet, ne morëm frymëzim nga ky vend unik. Ashtu si kur planifikon rrugën drejt madhështisë, kërkohen orë të panumërta përsosmërie, ky koleksion u krijua në Itali, nga artizanë që nuk pranojnë asgjë më pak se përsosmërinë si rezultat përfundimtar të punës së tyre”, tha Jordan gjatë darkës./e.t

E rëndë në Koplik/ Po punonte për hapjen e pusit të ujit, humb jetën 55-vjeçari

By: Ke Si
15 July 2025 at 11:09

Një ngjarje e rëndë është regjistruar paraditen e sotme në lagjen “Mehaj” të qytetit të Koplikut, ku një 55-vjeçar ka humbur jetën gjatë kryerjes së një pune për hapjen e një pusi uji.

Sipas informacionit paraprak nga Policia, rreth orës 10:30, shtetasi A. H., rreth 55 vjeç, është aksidentuar teksa punonte me një sondë shpimi, duke pësuar dëmtime të rënda që i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore dhe grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit./e.t

‘Tërmet’ në Bashkinë e Divjakës/ Pas ultimatumit të Ramës, dorëhiqet nënkryetari

By: el da
15 July 2025 at 11:06

Nënkryetari i Bashkisë së Divjakës dhe kryetarët e 3 njësive administrative kanë dhënë dorëheqjen, sipas porosisë së Kryeministrit Edi Rama që ka kërkuar rifreskime të punonjësve në qeverisjen vendore.

Vala e shkarkimeve dhe dorëheqjeve ka nisur në të gjitha bashkitë dhe njësitë administrative në të gjithë vendin.

Gjatë ditëve të fundit, kreu i ekzekutivit, Edi Rama, në takime që ka patur me të zgjedhur vendorë dhe deputetë, ka kërkuar rifreskime të stafeve nëpër bashkitë e vendit dhe njësitë administrative, në funksion të rritjes së performancës në punë./kb

“Na morën edhe detin”/ Gaza humb strehën e fundit mes urisë, vapës dhe dëshpërimit

By: Ke Si
15 July 2025 at 11:00

Ushtria izraelite ka rikthyer ndalimin e qasjes në Detin Mesdhe përgjatë Rripit të Gazës, një kufizim që është teknikisht në fuqi që nga 7 tetori 2023, por që rrallëherë ishte zbatuar ndaj banorëve përveç peshkatarëve.

Ky kufizim, vjen në një kohë kur banorët e Gazës po përballen me mungesë ekstreme uji, temperatura përvëluese dhe kushte të mjerueshme humanitare në kampet e mbipopulluara.

Janë vendosur kufizime të rrepta sigurie në zonën detare pranë Gazës, hyrja në det është e ndaluar”, shkruan zëdhënësi arab i ushtrisë izraelite Avichay Adraee në një postim në platformën X.

“Kjo është një thirrje për peshkatarët, notarët dhe zhytesit, qëndroni larg detit. Hyrja në plazh apo në ujë përgjatë gjithë Rripit të Gazës rrezikon jetën tuaj.”

Ndonëse ky kufizim ishte shpallur që në fillim të luftës, ai nuk ishte zbatuar rreptësisht ndaj civilëve të zakonshëm. Nuk është dhënë ndonjë afat se sa do të zgjasë masa apo cilat janë konkretisht arsyet pse palestinezët po ndalohen të futen edhe në det.

Për mijëra banorë të zhvendosur që strehohen pranë bregdetit, deti ka qenë e vetmja hapësirë për t’u freskuar, për t’u larë, apo për të siguruar ushqim. Mbyllja e plotë e vijës bregdetare ka shtuar ndjeshëm zhgënjimin dhe dëshpërimin në mesin e banorëve.

Jam e dehidratuar nga uria, etja dhe vapa,” tha Rajaa Qudeih, një nënë 31-vjeçare nga Deir al-Balah.

Gaza po kalon uri ekstreme, nuk kemi çfarë të hamë dhe nuk gjejmë as një copë bukë. Deti ishte i vetmi shpëtim. Nëse na vrasin për të shkuar atje, ndoshta do të jetë më e lehtë se kjo vdekje e ngadaltë.”

Ajo, si shumë të tjerë, jeton në një kamp të improvizuar buzë detit dhe thotë se nuk ka ku të shkojë tjetër. “Jemi pranë detit. Ku të shkojmë tani? A do të na ndalojnë edhe ajrin që të marrim frymë?”

Situata me ujin është gjithashtu alarmante.

Mbi 95% e ujit në Gaza është i papërshtatshëm për konsum, sipas autoriteteve lokale. Shumica e impianteve nuk funksionojnë më dhe banorët mbijetojnë me furnizime të rralla me shishe apo cisterna, të cilat nuk mbërrijnë rregullisht, veçanërisht në jug, ku është përqendruar shumica e popullsisë së zhvendosur.

Peshkatarët janë gjithashtu mes më të prekurve nga ky kufizim. Para luftës, rreth 6 mijë persona, përfshirë 4,200 peshkatarë të regjistruar, siguronin jetesën nga deti. Sipas të dhënave të OKB-së, mbi 210 peshkatarë janë vrarë nga forcat izraelite që nga fillimi i konfliktit.

Ndër vite, Izraeli ka vendosur kufizime detare ndaj Gazës duke përmendur arsye sigurie, si parandalimi i kontrabandës së armëve apo sulmeve. Por në realitet, për shumë palestinezë, deti ka qenë jo vetëm burim jetese, por edhe e vetmja portë për të mbijetuar./e.t

Si ia doli Greqia të ringrihej nga gremina ekonomike

By: Ke Si
15 July 2025 at 10:56

Në vitin 2011, Dimitra Plagkou përjetoi një nga momentet më të errëta të jetës së saj: e zhytur në borxhe, me biznesin e saj të falimentuar dhe shtëpinë në ankand nga banka, mendoi të vetëvritej. Rasti i saj tragjik është vetëm një nga mijëra që tregojnë dhimbjen e thellë të një shoqërie, që u përball me krizën më të rëndë ekonomike në një vend të zhvilluar pas Luftës së Dytë Botërore.

Greqia u zhyt në një krizë të thellë borxhi në vitin 2010, kur u zbulua se të dhënat e deficitit buxhetor ishin manipuluar për vite me radhë. Kombinimi i borxhit të lartë publik, korrupsionit, administratës joefikase dhe mungesës së konkurrueshmërisë e çuan vendin në një rrugë pa krye. Tregjet financiare e humbën besimin, dhe interesat për borxhet u rritën në nivele të papërballueshme. U desh ndërhyrja e Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për të shpëtuar shtetin grek nga falimentimi.

Në vitin 2015, referendumi i mbajtur për të refuzuar kushtet e huadhënësve ndërkombëtarë shkaktoi tronditje të tjera, dhe rreziku i daljes nga eurozona ishte më real se kurrë më parë. Retorika populiste e qeverisë së majtë të udhëhequr nga Alexis Tsipras ndeshi në realitetin ekonomik. Pas disa muajsh tensioni dhe përplasjesh me kreditorët, Greqia u detyrua të tërhiqej dhe të pranonte një paketë të tretë ndihme financiare, duke u angazhuar për reforma të thella strukturore.

Rruga drejt rimëkëmbjes ishte e dhimbshme. Rreth 25% e prodhimit të brendshëm bruto humbi. Papunësia arriti mbi 27%, ndërsa shumë grekë humbën shtëpitë dhe kursimet e tyre të jetës. Emigrimi u shtua dhe besimi në institucionet shtetërore u dobësua ndjeshëm. Por, nga ky moment i errët, filloi dhe transformimi.

Qeveria e re e zgjedhur në vitin 2019, e drejtuar nga partia e qendrës së djathtë Demokracia e Re dhe kryeministri Kyriakos Mitsotakis, vendosi prioritet rindërtimin e besimit dhe stabilitetit ekonomik. Me përmirësime në mbledhjen e taksave, dixhitalizimin e shërbimeve publike, nxitjen e investimeve dhe liberalizimin e tregut të punës, Greqia filloi të përshpejtojë rritjen ekonomike.

Në vitet që pasuan, borxhi publik u menaxhua më mirë, ndërsa reformat strukturore dhe financiare u përshpejtuan. Vendi doli nga programet e ndihmës financiare dhe nisi të tërheqë kapital privat. Në 2022, rritja ekonomike e Greqisë ishte më e larta në eurozonë. Turizmi u rikthye fuqishëm, ndërsa teknologjia dhe sektori i energjisë së rinovueshme nisën të luajnë rol gjithnjë e më të rëndësishëm në strukturën ekonomike.

Megjithatë, sfidat mbeten. Produktiviteti është ende nën nivelin e vendeve të zhvilluara të BE-së, sistemi gjyqësor është i ngadaltë dhe burokracia ende pengon dinamikën e biznesit. Ndërkohë, rritja e kostove të jetesës dhe pasojat e pandemisë dhe luftës në Ukrainë kanë rritur presionin mbi qeverinë për të ruajtur ritmin e reformave.

Por ndryshimi është i prekshëm. Qytetarët grekë, të lodhur nga krizat e njëpasnjëshme, sot ndihen më të sigurt ekonomikisht. Investitorët ndërkombëtarë po i rikthehen Athinës, ndërsa BE-ja e sheh Greqinë si një partner më stabil dhe më të përgjegjshëm.

Siç e përmbledh ministri aktual i financave: “Po flasim për një ekonomi krejt tjetër nga ajo që trashëguam në vitin 2019. Sot, kemi rikthyer stabilitetin fiskal dhe jemi në rrugën drejt një zhvillimi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.”/e.t

Braçe kritika zyrtarëve të shtetit: Nuk hyhet në baxho bulmeti siç vjen nga rruga

By: Ke Si
15 July 2025 at 09:46

Deputeti socialist Erion Braçe është shprehur kritik ndaj aksionit të nisur nga Administrata Tatimore, për evidentimin dhe ndëshkimin e rasteve të mosfaturimit të produkteve ushqimore, veçanërisht të atyre të ndjeshme si qumështi, mishi dhe bulmeti i freskët.

Kritikat e Braçes lidhen me faktin se zyrtarët që po kryejnë aksionin kanë hyrë në baxhot e bulmetit apo thertoret e mishit, ashtu siç vijnë nga rruga duke mos respektuar kushtet e nevojshme higjieno-sanitare.

“Brenda në aksion për sigurinë e ushqimit. A ka mundësi që zyrtarët e shtetit të mos hynë në baxhot e bulmetit dhe frigoriferët e bulmetit e të mishit siç vijnë nga rruuuuugaaaaa. Pra pa qese në këpucë e në kokë, pa përparëse e pa doreza?? Se është aksion për SIGURINË E USHQIMEVE, jo për të kapur malin si prodhues i rigonit!”, shkruan Braçe në Facebook./e.t

Ish-presidenti rus ironizon ultimatumin e Trump: Bota po dridhet, duke pritur pasojat!

By: Ke Si
15 July 2025 at 09:44

Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev tha se Moskës “nuk i interesonte” ajo që ai e quajti një “ultimatum teatral” të lëshuar Kremlinit nga presidenti i SHBA-së Donald Trump.

Presidenti i SHBA-së njoftoi armë të reja për Ukrainën dhe kërcënoi të vendosë sanksione ndaj blerësve të eksporteve ruse nëse Rusia nuk pranon një marrëveshje paqeje për Ukrainën. Kërcënimi i sanksioneve vjen me një periudhë prej 50 ditësh.

“Trump i lëshoi një ultimatum teatral Kremlinit. Bota u drodh, duke pritur pasojat. Evropa, që e donte luftën, ishte e zhgënjyer. Rusisë nuk i intereson kjo”, shkroi Medvedev në X.

17-vjeçarja në Vlorë tentoi t’i jepte fund jetës, arrestohet babai, procedohet gjyshi

By: el da
15 July 2025 at 09:43

Detaje të reja janë zbardhur nga policia e Vlorës për ngjarjen e ndodhur mesditën e djeshme, ku një 17-vjeçare tentoi të vetëvritej me armë zjarri.

Blutë e Vlorës bëjnë me dije se kanë arrestuar babanë e adoleshentes, pasi dyshohet se ka qenë dhuna psikologjike e ushtruar prej tij, shkaku që ka shtyrë të bijën drejt aktit ekstrem.

“Në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur mesditën e djeshme, në lagjen “Kushtrimi”, ku një shtetase 17 vjeçe mbeti e plagosur rëndë pas tentativës për vetëvrasje me armë zjarri, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë: arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”, shtetasin S. S., 43 vjeç, banues në fshatin Romës, Vlorë, pasi dyshohet se, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj vajzës së tij të mitur, ajo ka tentuar të vetëvritet, në gjendje të rënduar psikologjike, me armë zjarri të dyshuar pistoletë”, informon policia.

Po ashtu është proceduar në gjendje të lirë gjyshi i 17-vjeçares pasi dyshohet se pistoleta që ajo përdori për të kryer vetëvrasje, posedohej prej tij në mënyrë të paligjshme.

“U referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. H., 76 vjeç, gjyshi i të miturës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi dyshohet se posedonte në mënyrë të paligjshme armën e zjarrit me të cilën ka tentuar të vetëvritet mbesa e tij”, sqaron më tej policia.

Po ashtu bëhet me dije se vijon puna për gjetjen e armës së zjarrit, e cila dyshohet se është fshehur nga familjarët pas ngjarjes, si dhe kryerja e veprimeve të tjera hetimore, me qëllim dokumentimin e plotë të mekanizmit dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Sakaq 17-vjeçarja, e cila mori një plumb në kokë ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve.

Ditën e djeshme, A2 CNN mësoi nga burime pranë spitalit të Vlorës se adoleshentja ka qenë e vetëdijshme kur ka mbërritur aty, por në momentin e parë ajo ka humbur ndjenjat dhe ka rënë në koma. Sipas mjekëve, ajo ka dy dëmtime në kokë, një në pjesën e syrit, afër tëmthit, dhe një tjetër në pjesën e sipërme të kokës, ku edhe plumbi fatmirësisht ka dalë duke shmangur një hemorragji që do të kishte rezultuar fatale për të./kb

Në Gaza, ne e dimë pse Izraeli do na grumbullojë të gjithëve në një kamp

15 July 2025 at 09:35

nga Nour Abo Aisha*

Pas 21 muajsh lufte, ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, ka propozuar një plan të ri për të detyruar të gjithë palestinezët në Gaza të zhvendosen në një kamp mbi rrënojat e Rafahut.

Unë jetoja në perëndim të qytetit të Gazës, vetëm pesë minuta larg detit. Nga çatia e shtëpisë sonë shihja dallgët. Zona ishte e mrekullueshme – me arkitekturë luksoze, hotele dhe resorte turistike.

Që nga fillimi i luftës, jam detyruar të zhvendosem herë në veri, herë në perëndim, herë në lindje të qytetit. Nuk arritëm të qëndronim në një vend, sepse pushtimet tokësore izraelite lëviznin nga një zonë në tjetrën. Më pas, ushtria izraelite i emërtoi këto zona si “Gaza e Veriut”, pjesë e një politike të ndarjes diskriminuese, duke e ndarë Gazën në veri dhe jug dhe duke i trajtuar në mënyrë të ndryshme.

Më kujtohet në fillim të konfliktit kur avionët hodhën fletushka evakuimi me porosinë: “Tashmë duhet të shkoni në jug të luginës. Ju ndodheni në një zonë luftarake të rrezikshme.” Babai na tha mua dhe vëllezërve e motrave të mia se këto fletushka nuk ishin gjë tjetër veçse një plan dëbimi. Jugu nuk ishte i sigurt, dhe ne duhej të qëndronim në Gazën e Veriut.

Para 7 tetorit, ne mund të lëviznim lirshëm nga veriu në jug pa asnjë kufizim – kjo ishte një nga veçoritë që e dallonte Gazën nga Bregu Perëndimor. Por kur shumë njerëz refuzuan urdhrat izraelite në fillim të luftës, ushtria izraelite ngriti një pikë kontrolli mes veriut dhe jugut. Izraeli tha se kushdo që kërkonte ushqim, duhej të shkonte në jug dhe të mos kthehej më në veri. Në realitet, u zbatua një politikë urie si mjet për zhvendosje. Ata që nuk duruan urinë, u larguan. Ne, megjithatë, qëndruam të vendosur që të mos dorëzoheshim.

Më kujtohet se gjatë Ramazanit të kaluar u helmova nga ushqimi. Në treg nuk kishte asgjë përveç barishteve të egra, ndërsa jugu ishte plot me mallra. Vdisnim nga uria dhe lodhja na kishte rrënuar, teksa na dëbonin nga një vend në tjetrin.

Të afërm që ishin dëbuar në jug, na thoshin se ishte i sigurt. Por më pas, Izraeli pushtoi Rafahun dhe e rrënoi, duke vrarë shumë njerëz. Ata që kishin ikur nga veriu, u bënë turmë në qendër të Gazës, përgjatë rrugëve, duke jetuar në çadra të shkatërruara. Nuk mund të ktheheshin më në veri, sepse kalimi në pikën e kontrollit Netzarim ishte i bllokuar. Një djalosh i ri, Omar Marouf, vetëm 22 vjeç, vendosi të kthehej në Gazën e Veriut përmes asaj pike kontrolli. Nuk e dimë ende çfarë ndodhi me të. A u vra?

Më pas, ndihmat u ndërprenë. Në të gjithë territorin na bombardonin, na linin pa ushqim, e na qëllonin ndërsa prisnim në radhë për pak ushqim që lejohej të futej. Sipas Katz-it, Rafahu do të bëhet një “qytet humanitar”, por askush në Gaza nuk e beson këtë pretendim.

E pyeta gjyshin tim, i cili në moshën katërvjeçare ishte dëbuar gjatë Nakbës së vitit 1948, për qëllimin e këtij plani të ri. E pyeta: “A është ky plan një burg brenda një burgu?” Ai më tha: “Nuk ka kuptim të shkojmë atje. Ne tashmë jemi në një burg me dyert e mbyllura.” Vdekja na pret në çdo cep të Gazës, derisa të pushtohet.

Vendet fqinje arabe na kanë mohuar strehim, sidomos Egjipti. Aktualisht, pranon njerëz nga Gaza vetëm si pacientë, por refuzon t’u japë atyre qëndrim të përhershëm.

Njerëzit në Gaza besojnë se ky plan nuk është gjë tjetër veçse një taktikë izraelite presioni ndaj Hamasit, me shpresën se do të heqin dorë nga kërkesa që Izraeli të tërhiqet nga aksi Morag – një “korridor sigurie” izraelit mes Rafahut dhe Khan Younisit.

Populli i Gazës po pret një tjetër armëpushim, me barkun bosh. Të rinjtë kanë pushuar së qëndruari në radhët për ndihma, me shpresën se një truce po afrohet dhe se nuk ka nevojë të rrezikojnë jetën. Edhe nëse është për 60 ditë, kjo armëpushim është e vetmja mundësi për të marrë frymë. Nuk e di çfarë do të ndodhë nëse dështojnë këto negociata. Ky armëpushim është shpresa jonë e fundit për të jetuar në paqe – qoftë edhe për pak kohë.

*Nour Abo Aisha është një gazetare e pavarur me bazë në Gaza

Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi

 

SPAK kërkon 2 vite burg për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro

By: Ke Si
15 July 2025 at 09:32

Prokuroria e Posaçme ka paraqitur këtë të martë pretencën për ish-kryetarin e Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, dhe ish-zyrtarin Vasillaq Strakosha, të akuzuar për shkelje të ligjit gjatë trajtimit të pronave bujqësore në këtë zonë.

SPAK kërkon një dënim me 2 vite burg për Jorgo Goron, i cili do të ulet në 1 vit e 4 muaj, ndërsa për Vasillaq Strakoshën është kërkuar 1 vit e 6 muaj burg, i cili po ashtu do të ulet në 1 vit burg.

Nga hetimet ka rezultuar se Jorgo Goro, në cilësinë e ish-kryetarit të Bashkisë Himarë, ka kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, duke mos përmbushur rregullisht detyrat e tij, në shkelje të nenit 17 të ligjit nr. 9948/2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, si dhe të pikave 1, 2 dhe 3 të VKM-së nr. 253, datë 6.3.2013.

Sipas prokurorisë, këto veprime kanë sjellë pasoja të drejtpërdrejta për disa banorë të Bashkisë Himarë, të cilët janë dëmtuar në procesin e njohjes së pronësisë mbi tokën bujqësore. /e.t

Rritja ekonomike e Kinës tejkalon pritshmëritë, pavarësisht tarifave të Trump

By: el da
15 July 2025 at 09:28

Ekonomia e Kinës ka shënuar rritje më të mirë se pritej, pavarësisht tarifave të SHBA-së dhe krizës së gjatë në tregun e pronave që kanë ndikuar në ngadalësimin e saj.

Sipas të dhënave zyrtare, ekonomia e Kinës u rrit për 5.2% në tremujorin që përfundoi në qershor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo rritje është pak më e lartë se parashikimi i ekonomistëve prej 5.1%, por më e ulët se në tremujorin e mëparshëm.

Ekonomia e dytë më e madhe në botë e shmangu një rënie të madhe, pjesërisht falë masave të marra nga Qeveria dhe një marrëveshjeje të dobët tregtare me SHBA-në.

Ekonomia “ka përballuar presionin dhe ka përparuar me qëndrueshmëri, pavarësisht sfidave”, tha përmes një deklarate Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës.

Sipas zyrtarëve, rritja ekonomike u mbështet nga një rritje prej 6.4% në prodhim, falë kërkesave më të mëdha për pajisje printimi 3D, makina elektrike dhe robotë industrialë.

Sektori i shërbimeve në vend – që përfshin transportin, financat dhe teknologjinë – gjithashtu pati rritje. Megjithatë, disa ekonomistë presin që Kina të mos e arrijë objektivin e saj vjetor të rritjes prej “rreth 5%” këtë vit.

Lufta tregtare mes presidentit të Kinës, Xi Jinping, dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump, bëri që SHBA-ja të vendoste taksa prej 145% mbi importet kineze.

Pekini iu përgjigj duke vendosur taksa 125% mbi disa mallra amerikane.

Këto taksa u ndaluan përkohësisht pas bisedimeve në Gjenevë dhe Londër. Tani, të dyja vendet kanë kohë deri më 12 gusht për të bërë një marrëveshje tregtare afatgjate. SHBA-ja ka vendosur taksa të larta edhe ndaj vendeve që kanë lidhje të ngushta ekonomike me Kinën./REL/kb

Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

By: Ke Si
15 July 2025 at 09:17

Sot, më 15 korrik 2025, dollari amerikan, blihet me 82.8 lekë dhe shitet me 83.8 lekë.

Euro, blihet me 97.2 lekë dhe shitet 98 lekë.

Franga zvicerane, këmbehet në blerje me 103.8 lekë, ndërsa në shitje me 104.8 lekë.

Paundi britanik, blihet me 111.8 lekë dhe shitet me 113 lekë.

Dollari kanadez, sot në blerje këmbehet me 60.4 lekë, ndërsa në shitje me 61.8 lekë.

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

Ndalohen lypësit, ecja me bikini dhe alkooli, qyteti turistik vendos ligjin dragonian

By: Ke Si
15 July 2025 at 09:14

Në bashkinë më të pasur të Italisë, me sheshin e saj të vogël ikonik që simbolizon luksin dhe mburrjen e turistëve të pasur nga e gjithë bota, lypja do të ndalohet me ligj.

Bashkia e Portofinos ka ndaluar edhe lypjen e lehtë në qendër të qytetit, në parkingjet publike, pranë kishave dhe në skelën Umberto I.

Sipas tyre vendimin e nënshkruar nga kryetari i bashkisë Matteo Viacava, që hyn në fuqi nga 14 korriku deri më 30 shtator e kanë marrë “për të mbrojtur thirrjen turistike të fshatit”.

Shkurt, bashkia më e pasur e Italisë, me sheshin e saj të vogël ikonik që simbolizon luksin dhe mburrjen e turistëve të pasur nga e gjithë bota, tani e ka ndalur zyrtarisht lypjen.

“Kushdo ndalohet të angazhohet në lypje dhe lypje të vazhdueshme, të përsëritura ose edhe jo-problematike. Dinamika e marrëdhënieve shoqërore, tregtare dhe kulturore, tradicionalisht të ngulitura në kontekstin e një komuniteti si Portofino, merr aspekte unike për shkak të karakteristikave unike që e dallojnë atë dhe rrisin veçantinë e një territori të njohur në mbarë botën për thirrjet e tij turistike, tregtare, kulturore dhe rezidenciale”, thuhet në vendimin, i cili zbatohet në të gjithë qendrën e fshatit.

Përveç lypjes dhe lëmoshës, po ashtu ndalohet endja me ushqime të çdo lloji ose me çdo objekt tjetër, shtrirja përtokë, mbi stola ose mbi mure, ose ulja përtokë në rrugë, nën portikë, në sheshe, kopshte dhe hapësira të tjera publike, si dhe posedimin ose konsumimin e pijeve alkoolike në rrugë dhe sheshe.

Për më tepër, emetimi i zhurmës pas mesnatës është ndaluar, si dhe ecja me gjoks të zhveshur, me rroba banje dhe zbathur. Shkelësit mund të gjobiten me 25 ose 500 euro./e.t

Doganierët gjermanë gjejnë 1500 merimanga të fshehura në kuti ëmbëlsirash në aeroport

By: el da
15 July 2025 at 09:00

Zyrtarët doganorë në Gjermani publikuan të hënën foto nga një sekuestrim i rreth 1,500 merimangave, të gjetura brenda enëve plastike që ishin fshehur në kuti tortash me çokollatë të dërguara në një aeroport në perëndim të vendit.

Zyrtarët doganorë e gjetën ngarkesën në aeroportin e Këlnit dhe Bonit në një pako që kishte mbërritur nga Vietnami, e cila u pikas nga një “erë” që nuk ngjante me aromën e pritur të shtatë kilogramëve të ëmbëlsirave, tha zëdhënësi i zyrës doganore të Këlnit, Jens Ahland.

“Kolegët e mi në aeroport habiten rregullisht nga përmbajtja e pakove të ndaluara nga e gjithë bota, por fakti që gjetën rreth 1,500 enë të vogla plastike që përmbanin merimanga të vogla në këtë pako i la pa fjalë edhe ata më me përvojë “, tha Ahland në një deklaratë.

Doganierët gjermanë gjejnë 1500 merimanga të fshehura

Ai e cilësoi një “konfiskim të jashtëzakonshëm”, por një që “na trishton kur shohim se çfarë u bëjnë disa njerëz kafshëve thjesht për fitim”./kb

Temperaturat e larta në Evropë, valët e të nxehtit shkaktuan mbi 1000 vdekje

By: el da
15 July 2025 at 08:40

Temperaturat e larta shkaktuan 1.180 vdekje në Spanjë gjatë dy muajve të fundit, një rritje e ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tha të hënën Ministria e Mjedisit e Spanjës.

 

Shumica dërrmuese e njerëzve që humbën jetën ishin mbi 65 vjeç dhe më shumë se gjysma ishin gra, sipas të dhënave.

Rajonet më të prekura ishin Galicia, La Rioja, Asturias dhe Cantabria – të gjitha të vendosura në gjysmën veriore të vendit, ku temperaturat zakonisht më të freskëta të verës kanë shënuar rritje të ndjeshme vitet e fundit.

Sikurse vende të tjera në Evropën Perëndimore, edhe Spanja është goditur nga të nxehtit ekstrem në javët e fundit, me temperatura që shpesh kanë kaluar 40 gradë celsius.

Sipas Ministrisë, e cila citoi të dhënat nga Instituti Shëndetësor Carlos III, 1.180 persona vdiqën nga shkaqe të lidhura me të nxehtin nga 16 maji deri më 13 korrik, krahasuar me 114 në të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Numri i vdekjeve u rrit ndjeshëm në javën e parë të korrikut.

Të dhënat tregojnë për një ngjarje “me intensitet të jashtëzakonshëm, e karakterizuar nga një rritje e paprecedentë e temperaturave mesatare dhe një shtim i ndjeshëm i vdekjeve të shkaktuara nga valët e të nxehtit”, tha Ministria.

Gjatë kësaj periudhe kishte 76 alarme të kuqe për të nxehtë ekstrem, ndërkohë që një vit më parë nuk kishte asnjë.

Verën e kaluar, 2.191 njerëz humbën jetën në Spanjë si pasojë e shkaqeve të lidhura me të nxehtin, sipas të dhënave nga Instituti Shëndetësor Carlos III.

Të dhënat nga Spanja pasojnë një analizë të shpejtë shkencore të publikuar më 9 korrik, e cila thotë se rreth 2.300 persona vdiqën nga shkaqe të lidhura me të nxehtin në 12 qytete evropiane gjatë një vale të rëndë të të nxehtit brenda 10 ditëve, deri më 2 korrik./rel/kb

 

❌
❌