Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 July 2025Gazeta Fjala

Rasti i parë në botë, një 38-vjeçar në Itali rifiton shikimin falë terapisë gjenetike

By: Ke Si
30 July 2025 at 16:00

Një burrë që vuante nga humbja e shikimit në Itali ka rifituar shikimin falë një terapie eksperimentale gjenetike, duke shënuar kështu rastin e parë në botë.

38-vjeçari vuan nga sindroma Usher e tipit 1b, një çrregullim i rrallë gjenetik që shkakton shurdhim të thellë që nga lindja dhe një humbje progresive të shikimit, duke çuar në verbëri.

Ndërhyrja kirurgjikale u krye në korrik 2024 në klinikën e oftalmologjisë të Universitetit të Kampanjës “Luigi Vanvitelli” në Italinë jugore. Në atë kohë, pacienti kishte një kapacitet vizual më pak se një të dhjetën, duke e parë botën sikur po e shikonte përmes një vrime çelësi.

Një vit më vonë, pacienti ka rikuperuar shikimin si nga afër ashtu edhe nga larg, madje edhe në kushte me dritë të dobët, thanë mjekët e tij gjatë një konference për shtyp.

“Më parë, gjithçka ishte e turbullt, e paqartë. Tani mund të dal vetëm natën, të njoh kolegët, të lexoj titrat në televizor nga larg, të shoh korridoret e magazinës ku punoj pa u penguar”, tha pacienti.

“Nuk është vetëm që po sheh më mirë, por po fillon të jetojë”, shtoi ai.

Operacioni shënon demonstrimin e parë klinik të efektivitetit të terapisë së re gjenetike, e cila u zhvillua nga studiuesit në Institutin Telethon të Gjenetikës dhe Mjekësisë (TIGEM) në Pozzuoli.

Operacioni përfshin injektimin e dy vektorëve të veçantë viralë nën retinë, secili prej të cilëve mban gjysmën e gjenit të nevojshëm për të prodhuar proteinën që mungon te pacientët me sindromën Usher 1B.

“Operacioni zhvillohet nën anestezi të përgjithshme, por rikuperimi është i shpejtë”, tha Francesca Simonelli, drejtoreshë e klinikës së oftalmologjisë në Universitetin Vanvitelli.

“Tashmë pas disa ditësh, një përmirësim është i dukshëm. Në dy javë, pacienti i parë mund të shihte më mirë dhe në një muaj ai ishte në gjendje të gjente rrugën e tij edhe në errësirë. Sot, një vit më vonë, shikimi i tij është rikthyer”, shtoi Simonelli.

Shtatë pacientë të tjerë iu nënshtruan gjithashtu procedurës nga tetori 2024 deri në prill 2025, asnjëri prej të cilëve nuk pati efekte anësore serioze.

Rezultatet paraprake janë inkurajuese dhe do të pasohen nga një fazë e dytë eksperimentale me shtatë pacientë të tjerë që do të hyjnë në program.

Nëse ka sukses, terapia mund të bëhet një mundësi e re për shumë pacientë që vuajnë nga çrregullime gjenetike të syve./E.T

Australia zgjeron ndalimin e mediave sociale për fëmijët edhe në YouTube

By: Ke Si
30 July 2025 at 15:45

Australia njoftoi të mërkurën se do të përfshijë YouTube në ndalimin për përdoruesit nën 16 vjeç, duke ndryshuar vendimin e mëparshëm që e kishte përjashtuar platformën nga kjo masë.

Kjo masë vjen pas një studimi që tregoi se 37% e të miturve hasën përmbajtje të dëmshme në YouTube, më shumë se në platformat e tjera sociale.

Kryeministri Anthony Albanese theksoi se vendimi është për të mbrojtur mirëqenien e fëmijëve australianë.

YouTube argumenton se është një platformë video dhe jo rrjet social, pasi kryesisht ofron përmbajtje të lirë dhe me cilësi.

Megjithatë, qeveria kërkon që të gjitha platformat të marrin masa për të mbrojtur të rinjtë nga përmbajtjet e papërshtatshme.

Ndalimi pritet të hyjë në fuqi në dhjetor dhe do të lejojë vetëm prindërit dhe mësuesit të përdorin platformën për fëmijët nën 16 vjeç. /E.T

India tani është eksportuesi kryesor i telefonave inteligjentë në SHBA

By: Ke Si
30 July 2025 at 15:30

India e ka tejkaluar Kinën si qendra kryesore e prodhimit për telefonat inteligjentë të shitur në SHBA.

Raporti i fundit i Canalys tregon se 44% e të gjitha importeve të telefonave inteligjentë në SHBA për periudhën prill-qershor (tremujori i dytë) u bënë nga India, shkruajnë mediat e huaja.

Kjo është një rritje e jashtëzakonshme krahasuar me vitin e kaluar, kur India përbënte vetëm 13% të të gjitha importeve të telefonave inteligjentë në SHBA, ndërsa Kina mbante një pjesë prej 61%.

Apple luajti një rol të madh në ngritjen e Indisë si eksportuesi kryesor i telefonave inteligjentë në SHBA.

Por nuk është vetëm Apple, pasi Samsung dhe Motorola gjithashtu kanë rritur furnizimet e tyre të telefonave inteligjentë nga India.

Duke parë shifrat, Apple ishte lideri i qartë në skenën e telefonave inteligjentë në SHBA me 13.3 milionë dërgesa në tremujorin e dytë dhe një pjesë tregu prej 49%. Samsung u rendit në vendin e dytë me rreth 8.3 milionë dërgesa, një pjesë tregu prej 31%, ndërsa Motorola ishte e treta me 3.2 milionë dërgesa dhe një pjesë tregu prej 12%.

Google dhe TCL ndanë secila një pjesë tregu prej 3% me dërgesa tremujore pak më pak se 1 milion secila.

Një total prej 27.1 milionë telefonash inteligjentë u dërguan në SHBA gjatë periudhës së tremujorit të dytë, që është një rritje e lehtë vjetore prej 1%./E.T

Qyteti spanjoll u lutet turistëve “të vijnë nga e hëna në të enjte”

By: Ke Si
30 July 2025 at 15:15

Qyteti Brihuega në qendër të Spanjës ka bërë një thirrje të pazakontë: vizitorët të shmangin ardhjen gjatë fundjavës.

I njohur për fushat mahnitëse me livandë që shtrihen në mbi 1,000 hektarë, Brihuega tërheq mijëra turistë çdo verë.

Kryetari i bashkisë, Luis Vuego, ka kërkuar që udhëtimet të planifikohen nga e hëna në të enjte, për të shmangur mbingarkesën dhe për të lehtësuar presionin mbi shërbimet lokale.

Ai tha se fundjavat janë shumë të vështira për qytetin, duke përmendur se “javën e kaluar qyteti u kolapsua”.

Pavarësisht sfidave, sezoni i livandës sjell mbi 8 milionë euro për ekonominë vendase në vetëm disa javë. /E.T

Sëmundjet mendore dhe ushqimi: Lidhja befasuese me produktet që përmbajnë gluten

By: Ke Si
30 July 2025 at 15:00

Kjo është një teori që po hetohet me intensitet nga komuniteti shkencor, ndërsa studimet po tregojnë lidhje midis glutenit dhe një sërë çrregullimesh mendore nga ADHD-ja te skizofrenia

Dina L. Kelly, profesore e psikiatrisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Maryland-it, ka kaluar 17 vitet e fundit duke drejtuar studime klinike mbi skizofreninë dhe sëmundje të rënda mendore, duke u angazhuar gjithashtu në kërkime mbi psikofarmakologjinë.

“Do të isha treguar skeptike nëse dikush do më thoshte se do studioja këtë lidhje”, thotë Kelly. “Mendoja se trajtimi ishte vetëm çështje ilaçesh, nuk e dija që ushqimi dhe dieta mund të ishin në vetvete një lloj terapie.”

Rruga e saj kërkimore filloi kur analizoi të dhëna të ushtarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rezultatet treguan se gjatë mungesës së grurit pati një rënie të ndjeshme të rasteve të shtrimeve për skizofreni.

Më tej, ajo dhe kolegët e saj studiuan punën e psikiatrit Curtis Dohan nga vitet ’70, i cili dokumentoi raste të pacientëve me skizofreni që u përmirësuan pasi lanë dietën me grurë. Ai gjithashtu vizitoi zona të izoluara në Papua Guinenë e Re, ku gruri nuk ishte pjesë e dietës, dhe zbuloi se nuk kishte fare raste të skizofrenisë, ndryshe nga popullsitë që konsumonin grurë.

Kelly më pas pati mundësinë të realizojë një studim klinik në shkallë të gjerë, ku analizoi antitrupat që trupi prodhon si përgjigje ndaj glutenit. Gjetjet e saj treguan për nivele të larta antitrupash kundër glutenit tek njerëzit me skizofreni. Kjo e çoi drejt bindjes se ekziston një lidhje e fortë midis funksionimit të trurit dhe ndjeshmërisë ndaj glutenit dhe nuk është e vetmja që mendon kështu, transmeton Telegrafi.

Gluteni dhe shëndeti mendor

Dëshmitë tregojnë se ushqimet që përmbajnë gluten mund të lidhen me shumë simptoma psikiatrike, nëpërmjet një përgjigjeje imune, tek një në 17 persona.

Në librin “Lirohuni nga drithërat”, ku Kelly është bashkautore, paraqiten kërkimet më të fundit mbi këtë temë.

“Ekziston një hendek midis gastroenterologjisë dhe psikiatrisë. Nuk i dimë të gjitha, por kjo është një hap më pranë lidhjes së këtyre pikave.”

 

Çfarë është ndjeshmëria ndaj glutenit?

Gluteni është një grup proteinash që gjendet në grurë, elb dhe thekër, pjesë e zakonshme e bukës, makaronave, produkteve të brumit etj. Disa njerëz janë të ndjeshëm ndaj glutenit, pra, sistemi i tyre imunitar e trajton si një “pushtues” të huaj.

Sëmundja celiake është forma më e njohur e ndjeshmërisë ndaj glutenit dhe shoqërohet me dëmtime të traktit tretës, diare, fryrje barku, dhimbje, lodhje, humbje peshe dhe skuqje të lëkurës. Ka edhe një formë më të zakonshme, të quajtur ndjeshmëri joceliake ndaj glutenit (NCGS), që nuk diagnostikohet lehtësisht pasi analizat për celiaki shpesh rezultojnë negative.

Gluteni dhe inflamacioni

Gluteni është bërë pjesë e dietës njerëzore vetëm rreth 6.000 vjet më parë. Sipas Kelly, trupi ynë e ka të vështirë ta zbërthejë plotësisht. Nëse një person i ndjeshëm ndaj glutenit e konsumon, trupi prodhon antitrupa për ta luftuar, veçanërisht ndaj një pjese të glutenit të quajtur gliadin, e cila nxit inflamacion dhe dëmton zorrën, duke krijuar sindromën e zorrës së përshkueshme.

Kjo lejon që antitrupat të qarkullojnë në gjak dhe të ndikojnë edhe në tru, duke shkaktuar simptoma si mjegull mendore, mungesë përqendrimi, ankth, luhatje humori, halucinacione apo kriza epileptike.

“Ekziston një sekuencë specifike proteinike, e quajtur 33-mer, që gjendet te gruri dhe është shumë e ngjashme me një strukturë të receptorëve në tru,” shpjegon Kelly. “Sistemi imunitar mund të mos arrijë ta dallojë diferencën.”

Kjo mund të nënkuptojë se te disa persona, sistemi imunitar gabimisht sulmon trurin, duke e ngatërruar me glutenin.

Lidhja me depresionin dhe ankthin

Zona e trurit e quajtur amigdala luan një rol në përpunimin e frikës dhe ankthit. Studimet tregojnë se njerëzit me çrregullime ankthi kanë reagim më të lartë në këtë zonë. Gjithashtu, serotonina, një neurotransmetues i rëndësishëm për gjendjen shpirtërore, prodhohet në masën 95% nga zorrët. Balanca e baktereve në zorrë ndikon drejtpërdrejt në këtë proces.

“Të gjithë këta çrregullime kanë të përbashkët inflamacionin si shkaktar,” thotë Kelly. “Sistemi imunitar i disa njerëzve nuk funksionon siç duhet dhe kjo mund të lidhet edhe me glutenin.”

Simptomat më të zakonshme që Kelly vëren te pacientët janë: mjegull mendore, ankth, depresion, dhimbje koke, migrenë dhe dhimbje kyçesh.

Dieta pa gluten dhe përmirësimi i simptomave

Studimet tregojnë se njerëzit me ADHD kanë më shumë gjasa të kenë sëmundje celiake ose NCGS. Lidhja midis depresionit dhe celiakisë është e mirëdokumentuar, një studim me mbi 2.000 pacientë celiakë tregoi se 39% kishin pasur simptoma depresioni gjatë jetës.

“Një teori është se depresioni vjen si pasojë e përballjes me një sëmundje kronike,” shpjegon Kelly, “por ka studime që tregojnë edhe lidhje fiziologjike midis glutenit dhe depresionit.”

Ndërkaq, të dhënat janë edhe më të qarta për pacientët me skizofreni: dieta pa gluten mund të ndihmojë në menaxhimin e simptomave. /E.T

Nga 1 gushti, recetë e re mjekësore e unifikuar në gjithë sistemin shëndetësor

By: Ke Si
30 July 2025 at 14:46

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për modernizimin e sistemit shëndetësor dhe rritjen e efikasitetit në procesin e përshkrimit dhe shpërndarjes së barnave është miratuar receta e re mjekësore në formatin e ri unik.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu zhvilloi sot një vizitë në dy farmaci në Tiranë nga ku deklaroi se nga data 1 gusht, receta mjekësore në formatin e ri unik, hyn në fuqi në të gjithë sistemin shëndetësor, publik dhe privat.

Gjatë bashkëbisedimit me farmacistët, ministrja Koçiu prezantoi zyrtarisht përmbajtjen dhe lehtësirat e recetës së re duke theksuar se “nga data 1 gusht të gjithë profesionistët e shëndetësisë do të përdorin një model të unifikuar të recetës mjekësore”.

Ministrja Koçiu u ndal edhe tek lehtësirat që receta e re do të sjellë për farmacistët dhe pacientët.

Ky model i ri i recetës, lehtëson ndjeshëm punën e farmacistëve, ofron më shumë siguri për qytetarët dhe përmirëson ndjekjen e trajtimeve sipas rekomandimeve të mjekut.

“Receta e re mjekësore krahas atyre standardeve me informacionet bazë ka të domosdoshme vendosjen e diagnozës. Kjo ju lehtëson juve që të jeni më të qartë lidhur me ato barna të cilat do t’i jepni pacientit. Kjo është një garanci më shumë për të siguruar që pacienti po merr medikamentet e duhura nga profesionistët e duhur të shëndetësisë“, nënvizoi Koçiu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi se me formatin e ri, mjekët do të kenë mundësinë të lëshojnë recetë mjekësore deri në 6 muaj, në rastet kur pacientët do të kenë nevojë për trajtim afatgjatë,  si dhe me përmbajtjen dhe të dhënat e kërkuara për plotësim, rritet me tej siguria e pacientëve në marrjen e barnave.

Formati i ri i recetës mjekësore ka edhe elementë të tjerë teknikë të rëndësishme si vendosja e emrit gjenerik të barit, tipi i recetës për pacientët me sëmundje akute apo kronike, si dhe vendosja e emrit dhe vulës së farmacistit.

Receta e re mjekësore e unifikuar shënon një hap të rëndësishëm për më shumë cilësi, siguri dhe lehtësi për pacientët dhe profesionistët e shëndetësisë./e.t

Delvinë/ Ndezën zjarr në një zonë të pyllëzuar në fshatin Kalasë , nën hetim 3 persona

By: Ke Si
30 July 2025 at 14:35

Një nga rastet më të rënda të dëmeve nga zjarret në qarkun e Vlorës ka çuar në nisjen e hetimeve për tre shtetas të dyshuar si përgjegjës për një zjarr masiv që përfshiu disa fshatra në bashkinë Delvinë.

Policia e Delvinës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, ka vënë nën hetim shtetasit A. M., 56 vjeç, D. G., 60 vjeç dhe S. Ç., 34 vjeç, banues në fshatin Kalasë, të cilët dyshohet se më 24 korrik, rreth orës 02:00 të mëngjesit, ndezën zjarr në një zonë të pyllëzuar në Kalasë.

Si pasojë e përhapjes së flakëve nga data 24 deri më 28 korrik, zjarri përfshiu zonat përreth dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale në fshatrat Senicë, Tatëzat, Vergo, Kopaçez dhe në malin e Galishtës.

Nga verifikimet paraprake rezulton se janë djegur 18 banesa (të banuara dhe të pabanuara) në Senicë, një kishë, rreth 20 000 rrënjë ullinj dhe 200 koshere me bletë.

Të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr, me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve”. Hetimet po vijojnë për të përcaktuar rolin dhe përgjegjësinë e çdo personi të përfshirë në këtë zjarrvënie./e.t

Panik në aeroportin e Antalias/ Avioni bën ulje emergjente pas një defekti (VIDEO)

By: Ke Si
30 July 2025 at 14:27

Paniku përfshiu aeroportin e Antalias në Turqi kur një aeroplan i Turkish Airlines bëri një ulje emergjente për shkak të një zjarri në marshin e uljes. Sipas raportimit në media pasagjerët shikohen duke u drejtuar drejt rrëshqitëseve të emergjencës dhe duke vrapuar të tmerruar përgjatë pistës.

Fluturimi TK243 u nis nga Stambolli në orën 17:25, por pak para ngritjes,  tymi përfshiu avionin teksa ishte duke lëvizur. Informacionet fillestare tregojnë për një defekt serioz hidraulik , i cili e detyroi pilotin të kthehej dhe të ulej menjëherë në Antalia .

Turkish Airlines flight TK2430, a Boeing 777-300ER, evacuates on the apron after landing at Antalya Airport after the crew detected a fire in the aircraft’s landing gear. pic.twitter.com/d6Z6SGa0jT

— Breaking Aviation News & Videos (@aviationbrk) July 29, 2025

Të 247 pasagjerët dhe 13 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan në mënyrë të sigurt , ndërsa avioni u tërhoq më vonë në një zonë të sigurt të aeroportit.

Turkish Airlines nuk ka lëshuar ende një deklaratë zyrtare, ndërsa një hetim i plotë për shkaqet e incidentit është duke u zhvilluar./E.T

Njihuni me James Bond-in e ri: “007: First Light” fitoi licencën për të ngjallur emocione

30 July 2025 at 14:25

Ndërsa e ardhmja e sagës filmike mbetet e paqartë, zhvilluesit e lojës së re zbulojnë si ia paraqitën idenë origjinale kompanisë Eon Productions dhe si e rilindën karakterin për një epokë të re.

Joshua Rivera

Katër vjet pas No Time to Die – filmi i 25-të i James Bond-it dhe paraqitja e fundit e Daniel Craig si spiuni më i famshëm në botë – ende nuk ka një pasardhës zyrtar që të veshë smokingun, të porosisë një martini apo të hipë në një Aston Martin. Të paktën, jo në kinema. Por për herë të parë në historinë e Bond-it, bota do të njohë një James Bond të ri përmes një videoloje, përpara se një 007 i ri të bëjë debutimin në film.

Zhvilluar nga studio daneze IO Interactive, loja e shumëpritur 007: First Light, që pritet vitin tjetër, paraqet një Bond të ri – një pamje klasikisht e pashme, thuajse si kukull. Ai ka një fytyrë të pastër dhe sy blu më shumë vetëbesues sesa depërtues, ndryshe nga Bond-i i pjekur dhe i sofistikuar i shumicës së filmave, apo nga ashpërsia e Craig. Megjithatë, është qartazi i frymëzuar nga qasja fizike e Craig. Nënteksti është se ky Bond nuk i mohon këto cilësi – ai do t’i fitojë ato. First Light është një histori origjine, që synon të përcaktojë një nga protagonistët më jetëgjatë të argëtimit për një brez të ri fansash që janë rritur me video-lojëra.

“Ne e nisëm nga origjina. Sepse kështu mund të luajmë me pyetje si: ‘Kush është James Bond si i ri, dhe çfarë do të thotë të jesh agjent 00?’”, thotë Christian Elverdam, bashkëpronar i IO Interactive dhe drejtor kreativ i First Light. “Çfarë do të thotë të bëhesh 007?”

Shumica e lojërave të mëparshme me Bond-in kanë qenë qitëse (shooters), të frymëzuara nga GoldenEye 007, loja famshme e Nintendo 64 e vitit 1997. Por, pavarësisht popullaritetit të këtij zhanri, lojërat e mëvonshme të Bond-it patën një kthim të dobët. Komentet e vakëta dhe shitjet zhgënjyese të 007 Legends (2012) e lanë Bond-in në një heshtje të gjatë dixhitale – deri kur IO iu drejtua kompanisë Eon Productions me një propozim të thjeshtë në pamje të parë: një lojë që nuk është thjesht për të qëlluar, por për të përjetuar atmosferën e një filmi të Bond-it.

“Në filma ka skena të mira qitjeje – por, nëse mendon mirë, nuk janë aq shumë, apo jo?” thotë Elverdam. Korrigjimi i kësaj mospërputhjeje mes filmave dhe lojërave u bë “thelbi” i prezantimit të IO për Eon: që të bësh një Bond të vërtetë në lojë, duhej të krijoje një personazh që “nuk është gjithmonë duke qëlluar”.

IO kishte përvojë në këtë drejtim. Ndërmjet viteve 2016 dhe 2021, ajo zhvilloi një trilogji të re të serisë Hitman – lojë për një vrasës profesionist – duke ruajtur elementët më të mirë si planifikimi strategjik dhe zgjidhja elegante e problemeve, dhe duke hequr dorë nga toni shpesh vulgar dhe historitë konfuze. Rezultati ishte i jashtëzakonshëm: puzzle të riluajtshme pafund, ku objektivi është të eliminosh figura të fuqishme globale pa krijuar panik dhe pa u zbuluar. Satirike, ironike dhe inteligjente, Hitman: World of Assassination ishte karta më e mirë që IO mund të vinte në duart e Eon.

“Gjithçka që ka Hitman duket si spiunazh,” thotë Elverdam, “Prandaj, nëse marrim këtë dhe hedhim disa hapa më tutje” – këto hapa përfshijnë skena vozitjeje, përleshje fizike, dhe po, ndonjëherë edhe qitje – “kjo është ideja që përfundoi në First Light.”

Titulli “First Light” (Drita e Parë) është shumë domethënës, pasi ky projekt është rrezja e parë e shpresës për një markë argëtimi që po kalon një kohë të pasigurt. Fillimisht njoftuar si “Project 007” në nëntor 2020, loja ka mbijetuar një periudhë të trazuar për Bond-in, që nisi me bashkimin e MGM me Amazon për 8.45 miliardë dollarë në mars 2022. Megjithëse Amazon mori të drejtat për filmat ekzistues të Bond-it, vendimet krijuese për të ardhmen – përfshirë aktorin e ri të MI6 – mbetën në duart e Eon Productions, e drejtuar nga Barbara Broccoli dhe Michael G. Wilson.

Por në shkurt të këtij viti, Broccoli dhe Wilson dorëzuan drejtimin krijues tek Amazon në një marrëveshje të padeklaruar, por me vlerë të madhe, duke i dhënë fund 63 viteve të trashëgimisë familjare të Bond-it në kinema. Që prej atëherë, Amazon ka filluar të shpalosë planet e veta dhe ka përzgjedhur Denis Villeneuve si regjisorin e filmit të ardhshëm. Megjithatë, e gjithë bota është ende në pritje të emrit të aktorit të ri, çka do të përcaktojë drejtimin e një prej markave më fitimprurëse të filmit.

Ndërsa Bond-i kinematografik mbetet pezull, Bond-i i lojës video ka mundësi të lërë gjurmë. Trailer-i i parë për 007: First Light nuk jep shumë detaje, por rrezaton besim të plotë. Është një montazh që konfirmon se gjithçka që duan fansat nga Bond-i do të jetë aty: kurthet vdekjeprurëse dhe pajisjet nga epoka e Roger Moore, fiziku i fuqishëm i Daniel Craig, dhe qëndrimi i qetë e rebel që përshkon çdo version të Bond-it në ekran.

“Nëse do ta bësh këtë me ambicie të lartë, duhet të studiosh çdo interpretim të Bond-it dhe të kuptosh çfarë synonte secili, që ta ndërtosh versionin tënd,” thotë Elverdam.

Edhe pse Elverdam ka shumë për të thënë për Bond-in në përgjithësi, ai nuk është gati të zbulojë hollësira për versionin e vet. Emri i aktorit që i jep zërin Bond-it, për shembull, mbetet sekret. Por ai është i vetëdijshëm se Bond-i, pavarësisht popullaritetit të përjetshëm, nuk është një karakter që mund të transplantosh në botën moderne pa reflektim.

“Çdo Bond është Bond i kohës së vet, pa marrë parasysh sa i kujdesshëm je. Është e pashmangshme,” thotë ai. “Çfarë konsiderohet kërcënim, çfarë është cilësi për t’u admiruar – të gjitha këto ndryshojnë me kohën.”

Elverdam rendit disa nga pyetjet që versioni i IO do të trajtojë: kur duhet ta bësh detyrën? Kur të improvizosh? Çfarë do të thotë të shërbesh për Mbretin dhe Atdheun? Dhe pse duhet ta bësh këtë në radhë të parë?

Nëse Elverdam dhe IO dinë t’u japin përgjigje të mençura këtyre pyetjeve, ata mund t’i hapin rrugë Bond-it të ardhshëm kinematografik me një sfidë serioze – dhe ndoshta ta vendosin videolojën si terren kryesor për rilindjen e një legjende.

Burimi: theguardian.com/ Pergatiti për botim: L.V

KAS i heq mandatin kushërirës së Lapajt, e merr e para e listës së mbyllur

By: Ke Si
30 July 2025 at 14:21

Lufta për mandatin e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit ka hyrë në një fazë të re, pas një vendimi të fundit nga Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS).

KAS rrëzoi kërkesën e Adriatik Lapajt për njohjen e dorëheqjeve në listën e mbyllur të kandidatëve, çka do t’i hapte rrugën përfitimit të mandatit nga vetë ai si kandidati më i votuar në listën e hapur.

Por vendimi i sotëm nuk u ndal aty. KAS vendosi të rrëzojë veprimet e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, duke ia hequr mandatin Kleana Xhuvelit, kushërirës së Lapajt duke ia kaluar Anës Dajko, e cila renditej e para në listën e mbyllur.

Ky zhvillim shton tensionin brenda koalicionit dhe pritet të ndikojë në konfigurimin përfundimtar të përfaqësimit në Kuvend../e.t

A do e bojkotojnë Parlamentin e ri dhe çdo të ndodhë me forumet? Ja si përgjigjet Berisha

By: Ke Si
30 July 2025 at 13:51

Kryedemokrati Sali Berisha, gjatë një konference për mediat, është pyetur nëse Partia Demokratike do të bojkotojë Kuvendin e ri në shtator, pas deklaratave të ish-kryeminstrit se nuk i njeh zgjedhjet e 11 Majit.

“Gjithçka do të vendoset nga forumet e saj”, deklaroi Berisha. Gjithashtu i pyetur nëse do të ketë një riformatim të forumeve të PD-së, ish-kryeministri la të nënkuptohet se nuk do të ndodhë.

Pjesë nga konferenca:

Keni thënë që PD do të hyjë në një proces analize, a do të ketë PD një riformatim të forumeve të saj?

PD në këtë periudhë po merret me ndriçimin e të vërtetës së farsës elektorale dhe mendoj se ka arritur të grumbullojë dokumente zyrtare të pakundërshtueshme që faktojnë shkatërrimin e këtij procesi në çdo qelizë.

PD nuk i njeh zgjedhjet, a do të jetë pjesë e Parlamentit?

Të gjitha do të vendosen nga forumet. Gjithçka do të vendoset nga forumet e saj

Forumet nuk do të ndryshojnë?

Gjithçka do ta vendosin forumet.

/E.T

Hapen aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve 2025! 9-të masat mbështetëse

By: Ke Si
30 July 2025 at 13:40

Aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve 2025 për sektorin bujqësor hapen sot duke ofruar një paketë financimi të integruar që përfshin kredinë e butë dhe mbështetje financiare përmes granteve, njoftoi në rrjetet e saj sociale Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj.

Sipas Denaj, kjo skemë ka për qëllim rritjen e konkurrueshmërisë dhe fuqizimin e inovacionit në zinxhirin agroushqimor, duke siguruar gjithashtu përmbushjen e standardeve të BE-së për sigurinë ushqimore.

“Për më tepër, ajo synon realizimin e objektivit ambicioz të qeverisë për eksportimin e 1 miliard eurove produkte bujqësore deri në 2030-ën.

Për të mbështetur zhvillimin bujqësor, Skema Kombëtare e Investimeve 2025 ofron një fond rekord prej 20 milionë eurosh, të cilat janë të strukturuara në nëntë masa mbështetëse, të cilat mund të përdoren nga fermerët dhe subjektet bujqësore për të zhvilluar plane investimi të personalizuara”, thekson Ministrja Denaj.

Kredia e butë e nisur prej janarit, me një normë interesi vetëm 2% dhe 70% kolateral nga shteti, gërshetohet me Skemën Kombëtare të Investimeve 2025 me 50% grant, duke krijuar një paketë të plotë financimi për sektorin bujqësor.

Ministrja sqaron në postimin e saj, se aplikantët mund të përfitojnë nga disa masa mbështetjeje, duke i mundësuar kështu të krijojnë një plan të qëndrueshëm dhe tërësor për zhvillimin e fermave të tyre.

Ky program është i hapur për fermerët individualë, si dhe për shoqëritë me status fizik ose juridik, të cilët mund të aplikojnë për ndihmë financiare nëpërmjet Agropikave ose Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor në zonën e tyre.

Skema Kombëtare e Investimeve 2025 ofron 9 masa mbështetëse:
ndërtimin e serrave diellore të reja për prodhimin e perimeve,
luleshtrydheve dhe rrushit të tavolinës;
mbjellje të reja në pemë frutore, ullinj, agrume dhe vreshta;
rrjeta antibreshër për pemët, agrumet dhe vreshtat ekzistuese;
sistemet e ujitjes me pika në pemëtore dhe vreshta;
ndërtimi i ambienteve për mbarështimin e blegtorisë dhe shpendëtarisë;
mekanizimi dhe modernizimi i fermave bujqësore dhe blegtorale;
pajisjet për përpunim dhe paketim për perime, fruta, rrush, verë, ullinj dhe vaj ulliri;
investime në agroturizëm;
koshat dhe rrjetat e peshkimit për akuakulturë.

Aplikimet janë të hapura nga data 30 korrik deri më 30 shtator, dhe fermerët mund të marrin asistencë nga ekipi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për çdo pyetje ose nevojë për ndihmë.

Skema e Investimeve 2025 ofron mundësi të shkëlqyera për zhvillimin dhe modernizimin e sektorit bujqësor në Shqipëri, duke kontribuar në rritjen e eksporteve dhe përmirësimin e standardeve të prodhimit./E.T

Rreth 520 miliardë euro shpenzime, Gjermania rrit fondet për ushtrinë dhe infrastrukturën

By: Ke Si
30 July 2025 at 13:32

Kabineti qeveritar gjerman miratoi të mërkurën një projektbuxhet për vitin 2026, thanë burime qeveritare, duke hapur rrugën për të shpenzuar qindra miliarda euro për infrastrukturë dhe mbrojtje, raporton DPA.

Buxheti i Ministrit të Financave, Lars Klingbeil, për vitin e ardhshëm parashikon shpenzime prej rreth 520 miliardë eurosh dhe një borxh të ri në vlerë rreth 174 miliardë euro.

Qeveria e re gjermane, që mori detyrën në maj, ka premtuar të rrisë ndjeshëm investimet për të përditësuar infrastrukturën e amortizuar të vendit dhe për të riarmatosur ushtrinë gjermane.

Buxheti për vitin 2025, i cili u miratua nga kabineti në qershor, mbetet ende në shqyrtim dhe pritet të miratohet në parlament pas pushimeve verore.

Buxheti për vitin pasues pritet të hidhet në votim në Bundestag, dhoma e ulët e parlamentit, në nëntor.

Projektbuxheti thekson si përparësi investimet për rritje ekonomike, më shumë punësim dhe modernizimin e Gjermanisë

Ministri i Financave ka paralajmëruar këtë javë se nga viti 2027 priten masa të konsiderueshme kursimi, pasi në buxhetin federal parashikohet një mungesë fondesh prej rreth 172 miliardë eurosh./REL

Cunami në Japoni shënon viktimën e parë, një grua humb jetën teksa po i largohej dallgëve

By: Ke Si
30 July 2025 at 13:21

Një grua humbi jetën në Japoni teksa përpiqej të largohej nga zona bregdetare e goditur nga cunami. Në Japoni, paralajmërimet për cunami u dhanë herët në qytete përgjatë bregdetit të Paqësorit të Japonisë dhe u lëshuan urdhra evakuimi për dhjetëra mijëra njerëz.

Asahi TV raportoi se një grua 58-vjeçare vdiq kur makina e saj ra nga një shkëmb në prefekturën qendrore Mie, ndërsa po largohej nga zona. Zyrtarët thanë se tre valë cunami u regjistruan në Japoni, më e madhja prej të cilave ishte 1.3 metra (4.3 këmbë)./E.T

Ndahet nga jeta Paul Mario Day, këngëtari i grupit legjendar ‘Iron Maiden’

By: Ke Si
30 July 2025 at 13:11

Këngëtari kryesor i parë i grupit legjendar Iron Maiden, Paul Mario Day, ka ndërruar jetë në moshën 69-vjeçare. Lajmi u bë i ditur më 29 korrik nga grupi i tij i fundit muzikor, More, përmes rrjeteve sociale, ndërsa shkaku i vdekjes ende nuk është bërë publik.

Në një postim në Instagram, grupi More shprehu dhimbjen për humbjen e artistit, duke e përshkruar atë si një pjesë të rëndësishme të valës së re të heavy metal-it britanik.

“Jemi thellësisht të trishtuar të mësojmë për ndarjen nga jeta të këngëtarit të madh të More, Paul Mario Day. Ai ishte pjesë e valës së re të heavy metal britanik, duke nisur që nga koha e tij me një version të hershëm të Iron Maiden dhe performanca e tij fantastike në albumin ‘Warhead’.”

Paul Mario Day ishte një figurë e dashur në skenën britanike të rock-ut, i njohur për koncertet legjendare ku performoi, përfshirë “Monsters of Rock” në Castle Donington në vitin 1981, ku u ndanë skena me emra si AC/DC, Whitesnake, David Coverdale, si dhe turnetë me Iron Maiden, Def Leppard dhe artistë të tjerë të njohur.

Mike Freeland, bashkëpunëtor i tij, e kujtoi Day si një “këngëtar të çmendur dhe të shkëlqyer”, ndërsa grupi More theksoi se vazhdon të luajë muzikën e tij me nderim dhe e mban mend gjithmonë gjatë performancave të albumit “Warhead”.

Paul Mario Day u rekrutua nga basisti Steve Harris kur Iron Maiden u formua në vitin 1975 dhe ishte vokalisti i parë i grupit deri në vitin 1976, kur u zëvendësua nga Dennis Wilcock. Në dokumentarin “Iron Maiden: The Early Days” u zbuluan detaje se Day u pushua nga puna për mungesë prezence në skenë.

Grupi More u shpreh ngushëllimet më të thella për familjen, miqtë dhe fansat e Paul Mario Day në të gjithë botën./E.T

Berisha: Kodi i ri, atentat madhor kundër fjalës së lirë

By: Ke Si
30 July 2025 at 13:05

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Kodi i ri Penal “shënon pothuaj dyfishimin e dhunës ligjore mbi qytetarët”.

“Edhe njëherë, narkoshteti nuk mund të mos hartonte narkokodin. Dje në një deklaratë publike, Prokurori i Përgjithshëm me kurajo denoncoi faktin se institucioni i tij apo ai si përfaqësues i akuzës në Republikën e Shqipërisë, nuk kishte asnjë dijeni për kodin Rama-Ulsiu. Pra, kur unë u deklarova ju se ai ka dalë nga shpellat e mafies, sigurisht që pati njerëz të cilët e përcollën me habi. Por, ja pra, unë u them të gjithë atyre që u habitën, tani që Prokurori i Përgjithshëm deklaron se institucioni i tij as që është pyetur ndonjëherë as për konsultë, as për mendim, kuptoni ju se çfarë përfaqëson kodi që të vërtetë shënon pothuaj dyfishimin e dhunës ligjore mbi qytetarët”, tha Berisha.

Kreu demokrat theksoi se ky kod është “atentat madhor kundër fjalës së lirë”.

“Burg për parkime, burg për faturat e dritave, burg për faturat e ujit, burg për ndërtimin në tokën tënde, në truallin tënd.
Pra, dhe përgjysmim i dënimeve për zyrtarët abuzivë. Atentat madhor kundër fjalës së lirë, mendimit të lirë. Shkohet në atë shkallë sa bëhet një nen për të mbrojtur Altin Dumanin dhe Irena Gjokën. A mundet? Nuk besoj të ketë një vend në botë ku qytetarët, avoketërit, të mos kenë të drejtë të denoncojnë dhe dënojnë padrejtësinë që u bëhen në sallën e gjyqit. Absurditeti i kodit tejkalon çdo kufi. Dhe pse ky nen për mbrojtjen e Irena Gjokës dhe Altin Troplinit? Sepse ata janë në shërbim të regjimit, më të inkriminuarit në sistemin e drejtësisë. A mund të imagjinoni ju një mercenar që kryeson prokurorinë speciale me katër banesa, gjatë gjithë jetës së tij me një rrogë, dhe gjen edhe megafonët e Edi Ramës që thonë se është i ndershëm. E morët vesh tani termin e fundit, është diktator, por është liberal. Këta janë njerëz të zbrazur edhe nga korteksi trunor, edhe nga karakteri njerëzor”, shtoi Sali Berisha.

“Pra, mediat po përdoren nga Edi Rama, po keqpërdoren në shkallën më ekstreme dhe tani edhe ata pak gazetarë të guximshëm që kanë mbetur dhe që shtrojnë me të drejtë pyetjen që si ka mundësi që Altin Troplini të ketë me rrogë të tij tre banesa në emër të vet dhe të banojë kollovar tek vjehrri, me dyshimet se është aksioner në atë vilë, të vazhdojë detyrën, ndërkohë që një tjetër gjykatës pse ka paguar faturat elektrike të vëllait të vet, i quhet banesë e tij. Ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Atij u përdoren ato fatura si dëshmi nga Altin Dumani dhe të tjerë për ta dënuar me një vit burg”, theksoi Berisha./E.T

162 të vdekur, përplasja fatale e Boeing 727 dhe luftarakut F-86 tronditi Japoninë

30 July 2025 at 13:00

30 korrik 1971 – Tragjedia ajrore mbi Morioka

Përgatiti: L. Veizi

Më 30 korrik 1971, një nga fatkeqësitë më të mëdha ajrore në historinë e Japonisë ndodhi mbi qiejt e qytetit Morioka, në prefekturën Iwate, kur një aeroplan pasagjerësh i kompanisë All Nippon Airways (ANA), tip Boeing 727-281, u përplas në ajër me një avion luftarak F-86F Sabre të Forcave Ajrore të Japonisë. Si pasojë, 162 persona humbën jetën, duke e renditur këtë ngjarje ndër aksidentet më tragjike të aviacionit civil japonez të asaj kohe.

Rrethanat e ngjarjes

Avioni i kompanisë All Nippon Airways ishte ngritur nga aeroporti Sapporo (Chitose) dhe ishte në rrugën për në aeroportin Tokyo Haneda, duke transportuar 155 pasagjerë dhe 7 anëtarë të ekuipazhit. Ndërkohë, avioni ushtarak F-86F Sabre ishte pjesë e një stërvitjeje rutinë, i pilotuar nga një kadet i ri në trajnim, i cili po kryente një fluturim nën mbikëqyrjen e instruktorëve të Forcave Ajrore.

Për arsye që mbetën të debatueshme, dy avionët u gjendën në të njëjtin sektor lartësie, dhe për shkak të komunikimeve të pasakta dhe mungesës së koordinimit mes kontrollit të trafikut civil dhe atij ushtarak, ndodhi përplasja.

Përplasja

Sipas hetimeve zyrtare, avioni luftarak u përplas me krahun e majtë të Boeing-ut, duke shkaktuar humbjen e menjëhershme të kontrollit nga ekuipazhi i aeroplanit civil. Avioni i ANA-s u shkatërrua në ajër dhe rrënojat ranë mbi një zonë malore pranë qytetit Shizukuishi, duke i vrarë të gjithë personat në bord.

Piloti i avionit ushtarak arriti të hidhej me parashutë dhe mbijetoi, çka ngjalli reagime të forta publike dhe politike.

Pasojat dhe hetimet

Ngjarja shkaktoi zemërim të madh publik në Japoni. U shtrojnë pyetje të mëdha rreth rolit të ushtrisë në hapësirat ajrore civile dhe mungesës së koordinimit mes kontrollorëve të fluturimit ushtarak dhe civil. Hetimet treguan se kadeti në avionin luftarak kishte bërë manovra të papërshtatshme, por përgjegjësia e plotë i takonte gjithashtu edhe sistemit të kontrollit të fluturimeve, i cili kishte lejuar dy avionët të operonin në të njëjtën lartësi pa paralajmërim të mjaftueshëm.

Në vitin 1973, piloti i F-86, 22-vjeçari Kazumi Hirose, u dënua me dy vjet burg me kusht, çka u kritikua si një dënim shumë i lehtë në raport me pasojat katastrofike.

Trashëgimia

Kjo tragjedi shërbeu si një pikë kthese për përmirësimin e sigurisë ajrore në Japoni. U përforcua ndarja mes trafikut ajror civil dhe atij ushtarak, u rritën investimet në sistemet e radarëve dhe komunikimit, dhe u vendosën protokolle të reja për koordinimin ndërmjet aviacionit civil dhe ushtrisë.

Ngjarja mbetet ende një nga aksidentet më të rënda ajrore në historinë e Japonisë, dhe një simbol i rrezikut që paraqet ndërhyrja ushtarake në hapësirat ajrore të banuara pa koordinim të plotë.

Turisti hungarez vjedh në Ksamil portofolin me lekë dhe kartat bankare të pushuesit

By: Ke Si
30 July 2025 at 12:50

Një 36-vjeçar hungarez që kishte ardhur si turist për pushime në Shqipëri, është shpallur në kërkim nga Policia e Sarandës, pasi akuzohet se ka kryer vjedhjen e portofolit me para dhe kartave bankare të një pushuesi tjetër.

Ngjarja ka ndodhur në bregdetin dhe plazhin e Ksamilit më 28 korrik, kurse pas denoncimit të të dëmtuarit K.P., kanë nisur hetimet dhe është bërë dokumentimi i rastit.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim A. S., 36 vjeç, banues në Hungari, pasi dyshohet se në Ksamil, ka vjedhur portofolin me një shumë parash dhe karta bankare të shtetasit K. P.”, sqaroi policia vendore

Për ngjarjen e ndodhur po heton edhe Prokuroria vendore, të cilës iu referua dosja pas veprimeve paraprake nga uniformat blu./E.T

Ushtroi dhunë ndaj të bijës 19-vjeçare, arrestohet nëna

By: Ke Si
30 July 2025 at 12:41

Një nënë 38-vjeçare ka rënë në prangat e policisë së Fierit pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së saj 19 vjeçe.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë shtetasen M. K., 38 vjeçe, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së saj 19 vjeçe”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme./E.T

GJKKO dënon me 1.4 vite burg ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro

By: Ke Si
30 July 2025 at 12:30

GJKKO dënon ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro. Ai dënohet me 2 vite burg për tjetërsimin e një prone në plazhin e Livadhit, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai do të vuaj 1 vit e 4 muaj heqje lirie. Dënimi ndaj tij parashikon edhe heqjen e të drejtës për të mbajtur funksione publike për 5 vite.

Gjithashtu dënimi me 1 vit e 6 muaj burg u dha për Vasillaq Strakosha, ish-drejtor i Menaxhimit të Pronave në Bashkinë e Himarës.

I cili për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuaj vetëm 1 vit heqje lirie. Dënimi ndaj tij pezullohet në 2 vite shërbim prove. Vasillaq Strakoshës i hiqet e drejta për të mbajtur funksione publike për 5 vite.

Akuzat e SPAK për Goron
Jorgo Goro u akuzua nga SPAK për shpërdorim detyre, vepër e kryer në mënyrë të përsëritur, në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqeje toke në Livadh, në Bashkinë e Himarës, e cila përfundoi në pronësi të Arqile Bollanos, i komanduar dikur në krye të Bashkisë Himarë.

 

 

Pjesë e të njëjtës çështje është edhe Vasillaq Strakosha, ish-drejtor i tokës dhe menaxhimit të pronës pranë Bashkisë Himarë. Për të, SPAK kërkoi një dënim prej 1 vit e 6 muaj burg, që reduktohet në 1 vit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Hetimet për këtë rast nisën pas kallëzimit të Fredi Belerit, i cili akuzon se në vitin 2016, Goro ka tjetërsuar një sipërfaqe prej 4,263 metra katrorë tokë, duke e kaluar në mënyrë të paligjshme në pronësi të Arqile Bollanos.

Kjo nuk është çështja e vetme penale ndaj Jorgo Goros. Që prej marsit 2024, ai ndodhet në burg, pasi akuzohet se në bashkëpunim me vartës të tij dhe zyrtarë të Kadastrës, ka falsifikuar dokumente për të kaluar sipërfaqe të konsiderueshme të tokës shtetërore në pronësi të privatëve. Sipas SPAK, këto prona përfunduan në zotërim të një shoqërie të lidhur me Artan Gaçin, bashkëshort i deputetes socialiste Olta Xhaçka, i cili ka përfituar më pas statusin e investitorit strategjik.

2 vite burg për tjetërsimin e pronës në Gjilekë
Ndërkohë, Apeli i Posaçëm la në fuqi në 21 korrik 2025 vendimin e shkallës së parë për ish-kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, duke e dënuar me 3 vite e 1 muaj burg, për çështjen e tjetërsimit të 10 mijë metra katrorë tokë në Gjilekë të Himarës. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Goro do të vuajë 2 vite e 20 ditë burg.

Goro u dënua për veprën penale “shpërdorim detyre” në dy raste dhe mosdeklarim pasurie. Po ashtu, Apeli vendosi konfiskimin e apartamentit rreth 81 m katrorë që ishte në emër të biznesmenit Gentian Sula. Shkalla e parë më herët, vendosi t’ia kthente apartamentin firmës, ndërsa SPAK pretendonte se ishte pronë e fshehur e ish-kryebashkiakut, por biznesmeni Sula ka pretenduar se apartamenti është i tij dhe ia kishte lënë në përdorim.

Hetimet treguan se Goro përcolli pranë organeve kompetente dokumente të falsifikuara duke bërë të mundur regjistrimin e një toke bujqësore pronë shtet, në favor të Stavri Mëhillit, person në kërkim. Pas kësaj procedure, toka u shit te një shoqëri private me përfaqësues ish-deputetin Artan Gaçin, bashkëshorten e Olta Xhaçkës. Në total përllogaritet rreth 10 mijë m2 tokë e tjetërsuar në 2 sipërfaqe të ndryshme, për të cilën GJKKO ka vendosur që të konfiskohet për llogari të shtetit./E.T

❌
❌