Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 July 2025Opinion.al

Tarifat e SHBA ndaj BE, presidenti francez kundër: Të arrijmë një marrëveshje

By: e xh
12 July 2025 at 22:32

Presidenti francez Emanuel Macron iu shtua zërave kundër nga Bashkimi Europian për tarifat prej 30% mbi eksportet e BE-së në Shtetet e Bashkuara nga 1 gushti, të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump.

Franca ndan të njëjtin mosmiratim shumë të fortë ndaj njoftimit të tarifave, shkroi Macron në rrjetin social X, teksa shton se ky njoftim vjen pas javësh angazhimi intensiv nga Komisioni Europian në negociata me Shtetet e Bashkuara, në bazë të një oferte të fortë të bërë me mirëbesim.

Franca mbështet plotësisht Komisionin Evropian në negociatat, të cilat tani do të intensifikohen, për të arritur një marrëveshje të pranueshme reciprokisht deri më 1 gusht, duke reflektuar respektin që partnerët tregtarë si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i detyrohen njëri-tjetrit, me interesat e tyre të përbashkëta dhe zinxhirët e integruar të vlerave“, shkruan Macron.

Më herët Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, reagoi ashpër ndaj vendimit të Presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e tarifave në masën 30%. Ajo shtoi se BE është e gatshme për një zgjidhje të negociuar, por paralajmëroi se Bashkimi Evropian është i përgatitur për kundërmasa proporcionale, nëse SHBA nuk tërhiqet nga vendimi.

Tarifat e reja të njoftuara nga Trump, nuk prekin vetëm BE-në, por edhe Meksikën. Më herët gjatë javës, presidenti amerikan shpalli tarifat e reja ndaj disa vendeve të tjera, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut, Kanadanë dhe Brazilin, si dhe një tarifë 50% mbi bakrin.

Begaj vizitë në Ohër, takim me presidenten Siljanovska-Davkova

By: e xh
12 July 2025 at 22:08

Presidenti i vendit, Bajram Begaj ka zhvilluar një vizitë në Ohër, me ftesë të homologes së tij, Siljanovska-Davkova.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Begaj shprehet se diskutuan për bashkëpunimin bilateral, rajonal dhe integrimin europian.

Më tek ai shton se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndajnë vullnetin për të bashkëpunuar në projekte me vlerë për qytetarët tanë.

Në Ohër për një vizitë njëditore, me ftesë të Presidentes Siljanovska-Davkova.

Folëm për bashkëpunimin. bilateral, rajonal dhe integrimin europian.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndajnë vullnetin për të bashkëpunuar në projekte me vlerë për qytetarët tanë.

Faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut eshtë urë lidhësë, i rëndësishëm dhe garanci për progresin e vazhdueshëm të marrëdhënieve tona.

Zhvilllimi i projekteve të përbashkëta jo vetëm ekonomike dhe infrastrukturore, por edhe kulturore e sociale është i arritshëm dhe i mirëpritur.

Me forca të përbashkëta drejt progresit!“, shprehet Presidenti Begaj.

Yesterday — 12 July 2025Opinion.al

Deklarata që i kushtoi shtrenjtë, Bill Gates është 51 miliardë dollarë më i varfër

By: e xh
12 July 2025 at 21:24

Pasuria e bashkëthemeluesit të Microsoft-it, Bill Gates, ka rënë ndjeshëm me 51 miliardë dollarë në vetëm disa ditë, pas deklaratës së tij se do të dhurojë pasurinë me një ritëm shumë më të shpejtë se sa ishte planifikuar më parë.

Sipas indeksit të miliarderëve të Bloomberg, pasuria e Gates ra nga 175 miliardë dollarë më 3 korrik në vetëm 124 miliardë dollarë më 11 korrik.

Kjo rënie erdhi si pasojë e rishikimit të metodologjisë së Bloomberg për të reflektuar më mirë nivelin e lartë të bamirësisë së Gates dhe angazhimin e tij për ta shpërndarë pasurinë gjatë dy dekadave të ardhshme.

Në një postim në blog më 8 maj, Gates deklaroi se gati e gjithë pasuria e mbetur e tij do të shkojë për Fondacionin Gates — organizata bamirëse që themeloi bashkë me ish-bashkëshorten Melinda French Gates. Fondacioni pritet të përmbyllë misionin e tij deri në vitin 2045.

“Do të thonë shumë gjëra për mua kur të vdes, por nuk dua që njëra prej tyre të jetë ‘vdiq i pasur’”, shkroi Gates. “Ka shumë probleme urgjente për t’u zgjidhur, për të mbajtur burime që mund të ndihmojnë njerëzit”.

Gates, i cili për pothuajse 18 vite ka qenë njeriu më i pasur në botë, ka deklaruar prej kohësh se fëmijët e tij do të trashëgojnë më pak se 1% të pasurisë së tij. Pas rishikimit nga Bloomberg, ai ra nga vendi i 5-të në vendin e 12-të në listën e miliarderëve, duke u pozicionuar pas mikut dhe ish-shefit ekzekutiv të Microsoft-it, Steve Ballmer.

Sipas të dhënave të fundit të Bloomberg më 12 korrik, njeriu më i pasur në botë është CEO i Tesla dhe SpaceX, Elon Musk, i ndjekur nga Mark Zuckerberg (Meta), Larry Ellison (Oracle), Jeff Bezos dhe Steve Ballmer.

Franca njofton paktin për krijimin e Shtetit të Kaledonisë së Re

By: e xh
12 July 2025 at 21:09

Franca dhe Kaledonia e Re kanë arritur një marrëveshje “historike”, përmes së cilës arkipelagu përtej detit do të shpallet zyrtarisht si një shtet i ri, por do të mbetet sërish pjesë e Republikës Franceze.

Arritja e marrëveshjes u publikua sot (12 korrik) , pas përfundimit të bisedimeve 10-ditore në Paris, që synonin zgjidhjen e krizës politike dhe etnike në këtë territor të trazuar.

Presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirje më herët për dialog gjithëpërfshirës me aktorët politikë, ekonomikë dhe shoqërorë të Kaledonisë së Re, pas valës së dhunës separatiste që goditi vendin vitin e kaluar, ku humbën jetën 14 persona dhe u shkaktuan dëme ekonomike në vlerën e rreth 2 miliardë eurosh, duke ulur PBB-në e territorit me 10%.

Sipas marrëveshjes së re, territori do të quhet “Shteti i Kaledonisë së Re”, duke ruajtur një status të veçantë brenda Francës dhe me qytetarët që do të vazhdojnë të kenë nënshtetësi franceze.

“Nuk do të ketë më referendume për pavarësinë, përveç atij që do të konfirmojë këtë marrëveshje të re,” tha Nicolas Metzdorf, deputet dhe përfaqësues i krahut Anti-Pavarësi, në një deklaratë për agjencinë AFP.

Marrëveshja synon të zbusë tensionet e thella midis komuniteteve kanake autoktone, shumë prej të cilëve kërkojnë pavarësi të plotë, dhe popullsisë pro-franceze, që mbështet ruajtjen e lidhjeve me Parisin.

Tashmë, dokumenti do të kalojë për miratim në parlamentin francez dhe më pas në një referendum, që do të konfirmojë statusin e ri të territorit.

Kryeministri Franccois Bayrou e quajti këtë zhvillim një hap me “dimensione historike”, duke theksuar rëndësinë e pajtimit dhe rikuperimit ekonomik pas trazirave.

Kaledonia e Re, me një popullsi prej rreth 270,000 banorësh, ndodhet në Oqeanin Paqësor, rreth 17,000 kilometra nga Parisi, dhe ka qenë nën sundimin francez që prej shekullit XIX.

Megjithatë, tensionet rreth statusit të saj politik kanë qenë të vazhdueshme, me përplasje të herëpashershme midis kanakëve pro-pavarësisë dhe forcave besnike ndaj Francës.

Kombësi e re dhe status i dyfishtë

Marrëveshja 13-faqëshe e shpallur të shtunën përfshin krijimin e një kombësie të veçantë të Kaledonisë së Re, me mundësinë që banorët të mbajnë njëkohësisht edhe kombësinë franceze.

Kryeministri François Bayrou e quajti marrëveshjen e së shtunës një akt me “dimensione historike”, edhe pse ajo kërkon ende miratim parlamentar dhe votë popullore me referendum, që pritet të mbahet në vitin 2026.

Kosto e lartë e dhunës dhe përparësitë ekonomike

Pas trazirave që shpërthyen në maj 2024 – kur Parisi planifikoi t’u jepte të drejtën e votës mijëra banorëve jo-autoktonë me banim afatgjatë – situata u përkeqësua ndjeshëm. Kanakët vendas e panë këtë si kërcënim për të ardhmen e tyre politike dhe si pengesë për pavarësinë. Si pasojë, shpërthyen dhuna që la 14 të vdekur dhe 2 miliardë euro dëme ekonomike (rreth 10% e PBB-së së territorit).

Në marrëveshje parashikohet që, në të ardhmen, vetëm personat që kanë jetuar për të paktën 10 vjet në arkipelag do të kenë të drejtë vote.

E kaluara dhe rruga drejt një statusi të ri

Referendumi i fundit për pavarësinë u mbajt në vitin 2021, por u bojkotua nga grupet pro-pavarësi për shkak të ndikimit të pandemisë Covid-19 në popullatën Kanake. Ky ishte referendumi i tretë që nga viti 2018, dhe të gjithë i kanë refuzuar pavarësinë.

Pas referendumit të vitit 2021, situata politike në arkipelag mbeti e bllokuar. Në qershor 2025, Macron deklaroi se dëshironte një “projekt të ri” për Kaledoninë e Re.

Marrëveshja përfshin gjithashtu një pakt për rimëkëmbjen ekonomike dhe financiare, me fokus në industrinë e përpunimit të nikelit, një sektor kyç për ekonominë lokale.

Të dy dhomat e Parlamentit francez do të mblidhen në tremujorin e katërt të vitit për të miratuar marrëveshjen, e cila më pas do t’i paraqitet popullsisë së Kaledonisë së Re në një referendum në vitin 2026.

Ukraina: Rusia po na vret me armët e Koresë së Veriut

By: e xh
12 July 2025 at 21:03

Kreu i shërbimit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Kirilo Budanov, zbuloi se Koreja e Veriut aktualisht furnizon deri në 40 përqind të municioneve të artilerisë ruse për luftën në Ukrainë.

Në një intervistë me Bloomberg, Budanov tha se regjimi i Kim Jong-un dërgon jo vetëm predha, por edhe raketa balistike dhe sisteme të plota artilerie. Sipas tij, Rusia në këmbim dërgon para dhe teknologji të përparuar, duke e ndihmuar kështu Phenianin të lehtësojë izolimin e tij ndërkombëtar.

Këto janë armë të mira“, tha Budanov, duke zbuluar se deri në 60 përqind të humbjeve në njësitë e tij në tre muajt e fundit u shkaktuan nga raketat e Koresë së Veriut.

Koreja e Veriut ka rezerva të mëdha dhe prodhimi i tyre nuk ndalet, vazhdon 24 orë në ditë“, shtoi ai më tutje.

Bashkëpunimi midis Rusisë dhe Koresë së Veriut është thelluar që kur Vladimir Putin vizitoi Phenianin për herë të parë në 24 vjet në qershor të vitit të kaluar dhe nënshkroi një Marrëveshje Partneriteti Strategjik. Budanov pretendon se Pheniani ka dërguar gjithashtu mijëra trupa për të ndihmuar ushtrinë ruse në rajonin e Kurskut, dhe inteligjenca perëndimore vlerëson se ushtria e Putinit ka marrë miliona predha nga Koreja e Veriut.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov udhëtoi për në Phenian të premten, ndërsa këshilltari i sigurisë i Putinit, Sergei Shoigu, vizitoi Phenianin për herë të tretë brenda tre muajsh vetëm muajin e kaluar.

Pas ndërprerjes së papritur të javës së kaluar, Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka urdhëruar rifillimin e dërgesave të armëve në Ukrainë, duke përfshirë sistemet kryesore të mbrojtjes ajrore. Edhe pse marrëdhënia e tij me Putinin është vënë shpesh në pikëpyetje, Trump këtë javë tha se presidenti rus po “vret shumë njerëz” dhe i quajti “marrëzi” përgjigjet e tij ndaj thirrjeve për armëpushim.

Budanov beson se mbështetja amerikane do të zgjasë. “Qëndrimi i tyre është konsistent. Si kreu i shërbimit, unë di më shumë sesa shihet në media”, deklaroi ai.

Ai thotë se një armëpushim është i mundur, por vetëm nëse Ukraina, Rusia dhe SHBA-të përfshihen në marrëveshje. “Mund të arrihet edhe para fundit të vitit”, thotë ai.

Vetëm më 9 korrik, Rusia lëshoi 728 dronë në Ukrainë, duke shkatërruar objekte dhe infrastrukturë civile. Kombet e Bashkuara raportuan se në qershor u shënua numri më i lartë i viktimave civile në tre vjet, me 232 të vdekur dhe 1,343 të plagosur.

Forcat ruse kanë bërë përparime të vogla, por të qëndrueshme. Muajin e kaluar, ato hynë në rajonin verilindor të Sumy-t dhe aktualisht po përparojnë drejt Donetskut dhe po përpiqen të depërtojnë në Oblastin e Dnipropetrovskit.

Budanov thotë se Rusia nuk do të jetë në gjendje të pushtojë të gjithë Donbasin deri në fund të vitit, por po përpiqet të krijojë një zonë tampon dhjetë kilometra të thellë në territor.

Shkodër/ Gjendet pa shenja jete në makinë një 50-vjeçar, dyshohet se…

By: e xh
12 July 2025 at 20:40

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Shkodër.

Një person, rreth 50 vjeç, është gjetur pa shenja jete brenda në makinë.

Sipas uniformave blu, dyshohet se shtetasi me iniciale E.M., ka pësuar arrest kardiak dhe për pasojë ka humbur jetën.

“Rreth orës 19:15, në lagjen “Qemal Stafa” brenda automjetit në pronësi të një subjekti tregtar, në serdilen e pasagjerit është gjetur pa shenja jete shtetasi E. M., rreth 50 vjeç, i cili dyshohet se ka pësuar arrest kardiak dhe si pasojë ka humbur jetën.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Deputetët britanikë letër qeverisë: Të njohim Palestinën si shtet!

By: e xh
12 July 2025 at 19:56

59 deputetë laburistë i kanë bërë thirrje David Lammy-t, Sekretarit britaniku tw Shtetit dhe Ministrisë së Jashtme që ta njohin menjëherë Palestinën si shtet.

Deputetë të qendrës dhe të krahut të majtë, përfshirë disa kryetarë komisionesh, i shkruan sekretarit të jashtëm këtë javë për të thënë se “duke mos e njohur [Palestinën] si shtet, ne minojmë politikën tonë të një zgjidhjeje me dy shtete dhe vendosim një pritje që status quo-ja të mund të vazhdojë dhe të shohë fshirjen dhe aneksimin efektiv të territorit palestinez”.

59 deputetët sugjerojnë që qeveria të ndjekë pesë masa të ndryshme për të parandaluar qeverinë izraelite nga zbatimi i planit të saj të Rafah, duke shtuar se ata besonin se Gaza po “pastrohej etnikisht” – një pretendim i mohuar me forcë nga Izraeli.

Letra u organizua nga Miqtë e Partisë Laburiste të Palestinës dhe grupi i Lindjes së Mesme.

Aty thuhet se plani izraelit, i cili do të shihte “transferimin e popullsisë në skajin jugor të Gazës në përgatitje për deportim jashtë rripit”, është një përshkrim i saktë, por ata besojnë se një mënyrë më e qartë për ta përshkruar atë është “spastrimi etnik i Gazës”.

Zyrtarët izraelitë kanë thënë se duan të ndajnë popullsinë civile nga Hamasi, i cili ende kontrollon pjesë të Gazës dhe mban dhjetëra pengje të rrëmbyera në sulmin e 7 tetorit që shkaktoi luftën 21 muaj më parë.

Emmanuel Macron diskutoi njohjen e Palestinës si shtet në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sir Keir Starmer të enjten, të njëjtën ditë që u nënshkrua letra. “Sot, të punojmë së bashku për të njohur shtetin e Palestinës dhe për të filluar këtë momentum politik është e vetmja rrugë drejt paqes”, u shpreh Macron.

Ndërsa Franca ende nuk e ka njohur një shtet palestinez, Norvegjia, Irlanda dhe Spanja e koordinuan njohjen e tyre vitin e kaluar.

Mbipopullohen burgjet në Suedi/Arrihet marrëveshja me Estoninë, do të marrë me qira…

By: e xh
12 July 2025 at 19:46

Suedia po përballet me një krizë të thellë në sistemin e saj të burgjeve, teksa numri i të burgosurve po rritet me ritme alarmante.

Për të përballuar mbipopullimin në burgjet vendase, autoritetet suedeze kanë njoftuar se planifikojnë të marrin me qira deri në 600 vende në burgjet e Estonisë. Marrëveshja, e arritur mes Stokholmit dhe Tallinnit, pritet të hyjë në fuqi në verën e vitit 2026, pas miratimit nga parlamentet përkatëse.

Sipas një raporti të kohëve të fundit të Kriminalvården (shërbimi suedez i burgjeve dhe i lirimit me kusht), popullsia e burgjeve në Suedi mund të rritet – në skenarin më ekstrem – nga 7,800 këtë vit në 41,000 në vitin 2034, si rezultat i politikave më ndëshkuese të nxitura nga e djathta ekstreme.

Vëzhguesit thonë se kjo përfaqëson një ndryshim të dukshëm për një vend i cili për dekada të tëra krenohej me politikat e burgjeve të përqendruara në rehabilitim dhe riintegrim.

Suedia nuk është e përgatitur për t’u përballur me një rritje të numrit të të dënuarve me burg, ndërsa qeveria përballet me një valë të paparë dhune të shkaktuar nga krimi i bandave.

Shefi i stafit të shërbimit të burgjeve, Joakim Righammar, ka thënë se burgjet e Suedisë janë në një “situatë krize” mbipopullimi.

Propozimi për të dërguar të burgosurit në Estoni – 250 milje larg, përtej Detit Baltik – duhet ende të miratohet nga parlamentet e të dy vendeve, por departamenti suedez i drejtësisë pret që marrëveshja të hyjë në fuqi deri në verën e vitit 2026.

Departamenti i drejtësisë mohon se po shkon drejt burgosjes masive dhe po largohet nga rehabilitimi, duke përmendur punën që ka bërë për parandalimin.

Ndarja nga jeta e Daum, Berisha: Mbylli sytë në atdheun e tij të dytë

By: e xh
12 July 2025 at 19:43

Werner Daum ishte një mik i shquar i ditëve më të vështira për Shqipërinë dhe shqiptarët, shkruan kryedemokrati Sali Berisha, në një reagim pas ndarjes nga jeta të ish-ambasadorit gjerman.

Ish-ambasadori i parë gjerman pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, mbylli sytë përgjithmonë në atdheun e tij të dytë, shkruan Berisha. Ambasada e vendit të tij, nën drejtimin e tij, u shndërrua në kështjellën e lirisë të 3.800 të rinjve që shembën Murin e Berlinit në Tiranë dhe e mbushën atë me kryengritës në çdo skaj të saj, thekson kreu i PD-së.

“Ambasadori Werner Daum ishte një mik i shquar i ditëve më të vështira për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në vitet 1989–1990, pas rënies së Murit të Berlinit, Werner Daum, përfaqësues i kombit të madh gjerman, pasardhës i një familjeje antinaziste i mëkuar me pasionin për lirinë, bëri gjithçka dhe më shumë se kushdo tjetër që të inkurajonte shqiptarët të ngriheshin kundër regjimit komunist diktatorial dhe të ndiqnin rrugën e kombeve të tjera të shtypura ish-komuniste. Me kontaktet dhe takimet e tij direkte me guximtarë të grupeve antikomuniste në Shkodër, Kavajë, Tiranë etj., ai dha ndihmesë tejet të çmuar në inkurajimin e protestave të para antikomuniste në Shkodër, Kavajë, Tiranë në muajt e parë të vitit 1990.

Por veprimtaria e tij për lirinë e shqiptarëve kulmoi si promotor kryesor i kryengritjes paqësore të Rinisë së Tiranës më 2 korrik 1990. Ambasada e vendit të tij, nën drejtimin e tij, u shndërrua në kështjellën e lirisë të 3800 të rinjve që shembën Murin e Berlinit në Tiranë dhe e mbushën atë me kryengritës në çdo skaj të saj. Qëllimi i tij ishte që kryengritja paqësore e 3800 të rinjve që mbushën ambasadën e RFGJ dhe qindra e qindra të rinjve të tjerë që hynë në ambasadat e tjera të mbështetej nga qytetarët e Tiranës dhe të përmbysej kështu edhe në Shqipëri regjimi komunist.

Pas këtij aksioni të jashtëzakonshëm, që u shndërrua në kryelajmin e mediave botërore, ai u transferua nga Shqipëria dhe, mjerisht, shoqëria shqiptare ato ditë historike nuk doli dot nga apatia. Por megjithëkëtë, kryengritja paqësore e 2 korrikut 1990, arkitekt kryesor i të cilës ishte ambasadori Werner Daum, do të ishte preludi i revolucionit demokratik të Dhjetorit 1990 që solli përmbysjen e diktaturës komuniste; ndaj dhe ai do të mbetet gjithmonë Ambasador i Lirisë për shqiptarët”.

Werner Daum, thotë Berisha, mbeti avokat i Shqipërisë edhe pas largimit nga Shqipëria.

Pas largimit nga Shqipëria, mik i çmuar i shqiptarëve dhe në veçanti i kolosëve Ismail Kadare dhe Martin Camaj, studiues dhe intelektual klasi në elitën akademike gjermane por edhe franceze, Werner Daum do të ishte një avokat i Shqipërisë, shqiptarëve, kulturës së tyre. Ai i kushtoi kohë dhe energji të çmuar promovimit të tyre në Europë. Dashurinë dhe respektin e tij për Shqipërinë, shqiptarët, kulturën, identitetin, historinë e tyre, ai e paraqiti në një seri studimesh, referatesh, leksionesh dhe ekspozitash ndër më të arrirat kushtuar atyre.
Për të gjithë kontributin e tij të jashtëzakonshëm, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e ka nderuar këtë burrë të shquar të kombit gjerman me Urdhrin ‘Naim Frashëri’ i Klasit të Parë. Kurse kryetari i Bashkisë së Kavajës e shpalli më datën 10 korrik 2025 Qytetar Nderi të qytetit”.

Berisha kujton takimin e parë me ish-ambasadorin gjerman në vendin tonë.

“Unë pata fatin ta takoj përsëri atë më 10 korrik 2025 në Kavajë, në 35-vjetorin e rënies së heroit të parë të demokracisë së Shqipërisë, Josif Buda, në varrimin e të cilit ai kishte marrë pjesë dhe kujtimin e të cilit ai kishte ardhur ta nderonte. Dy ditë më parë pata me ambasadorin një bisedë të gjatë, që së bashku me kujtimin e veprës së tij të ndritur do ta mbaj mend përgjithmonë”.

Një studiues dhe diplomat në pension, profesor doktor Werner Daum Profesor në Universitetin e Pavias dhe bashkëpunëtor shkencor i Universitetit prestigjioz të Harvardit, ka ndërruar jetë si pasojë e një ataku kardiak pak ditë pas mbërritjes në vendin tonë me ftese të Universitetit Europian të Tiranës, ku risolli në kujtesë më dëshmitë e tij të rralla ngjarjet që sollën fillimin e fundit të regjimit komunist.

Trump shpalli tarifa 30% për produktet e BE, Von der Leyen: Gati për kundërpërgjigje

By: e xh
12 July 2025 at 19:20

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave 30% ndaj produkteve evropiane të importuara në SHBA, duke paralajmëruar se ky veprim do të prishë seriozisht zinxhirët transatlantikë të furnizimit dhe do të dëmtojë ekonominë në të dy anët e Atlantikut.

Në një deklaratë zyrtare, von der Leyen theksoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të marrë masa të nevojshme për të mbrojtur interesat e tij në rast se tarifat hyjnë në fuqi nga 1 gushti.

“Vendosja e tarifave prej 30% mbi eksportet e BE-së do të prishte zinxhirët kryesorë të furnizimit transatlantik, në dëm të bizneseve, konsumatorëve në të dy anët e Atlantikut,” deklaroi ajo.

“Pak ekonomi në botë janë aq të hapura dhe të drejta në praktikat tregtare sa Bashkimi Evropian”, theksoi Ursula von der Leyen.

Ajo paralajmëroi se Bashkimi Evropian është i përgatitur për kundërmasa proporcionale nëse SHBA nuk tërhiqet nga vendimi.

“Ne mbetemi të gatshëm të vazhdojmë të punojmë drejt një marrëveshjeje deri më 1 gusht. Në të njëjtën kohë, do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e BE-së, duke përfshirë marrjen e kundërmasave proporcionale nëse është e nevojshme,” thuhet në deklaratë.

Shpërthen bombola e gazit në një banesë në Shkodër, plagoset një person

By: e xh
12 July 2025 at 18:44

Një incident është regjistruar pak momente më parë në Shkodër.

Një bombol gazi ka shpërthyer në banesën e shtetasit me iniciale A.J., ku për pasojë është lënduar vetë pronari.

Uniformat blu bëjnë me dije se i lënduari ndodhet në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Njoftimi:

Rreth orës 17:55, në lagjen “Partizani”, në banesën e shtetasit A. J., ka shpërthyer një bombël gazi.

Si pasojë është dëmtuar pronari i banesës, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Djali i “El Chapo”-s pranon fajin mbi akuzat për trafik droge në SHBA

By: e xh
12 July 2025 at 18:42

Një nga djemtë e bashkëthemeluesit të kartelit famëkeq të Sinaloas, El Chapo-s, ka pranuar fajësinë lidhur me akuzat për trafik droge këtë të premte, para gjykatës në SHBA.

Financial Times shkruan se Ovidio Guzman, djali i Joaquin “El Chapo” Guzman, ka pranuar në një gjykatë në Çikago se është fajtor për katër akuza, duke përfshirë shpërndarjen e drogës dhe pjesëmarrjen në një sipërmarrje të vazhdueshme kriminale. Ai ishte përballur me burgim të përjetshëm, por se sa do të marrë në të vërtetë nga dënimi do të varet nga bashkëpunimi i tij me autoritetet federale.

Ovidio Guzman është një nga katër djemtë e El Chapo-s, të njohur kolektivisht si “Los Chapitos”, të cilët udhëhoqën një fraksion të rëndësishëm të kartelit. Ata drejtuan kalimin e gjeneratës së re të grupit drejt opioidëve sintetikë, duke u larguar nga drogat me bazë bimore si kokaina dhe kanabisi.

Bie sistemi i policisë së RMV,ndalohet hyrja e automjeteve nga Kosova

By: e xh
12 July 2025 at 18:31

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se sistemi elektronik i Policisë së Maqedonisë së Veriut ka pësuar një defekt teknik në gjithë territorin e shtetit, duke sjellë si pasojë pezullimin e përkohshëm të hyrjes së automjeteve nga Kosova.

Sipas njoftimit zyrtar, autoritetet maqedonase kanë nisur regjistrimin e udhëtarëve në mënyrë manuale dhe kanë rikthyer kontrollin e dyfishtë kufitar. Kjo ka shkaktuar pritje të gjata dhe kolona të mëdha në pikat kufitare.

“Në këtë moment, regjistrimi po bëhet në mënyrë mekanike. Derisa të rikthehet funksionimi i sistemit kufitar të RMV-së, kontrolli i dyfishtë do të vazhdojë,” thuhet në njoftim.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar u bën thirrje qytetarëve të planifikojnë udhëtimet me kujdes dhe premton informim të vazhdueshëm në kohë reale për çdo ndryshim të situatës.

Spanjë/ Jugu digjet në 40°C, veriu përmbytet nga shirat, alarm në 25 provinca

By: e xh
12 July 2025 at 17:40

Paralajmërime të forta për stuhi dhe breshër janë lëshuar në Spanjë, pasi 100 mm shi ranë vetëm në një orë në një zonë të njohur turistike, duke përmbytur makina e shtëpi.

Për shkak të stuhisë DANA, agjencia aktivizoi paralajmërime të kuqe, portokalli dhe të verdha në një numër të madh rajonesh spanjolle.

Vendasit dhe turistët po përgatiten për kaos pasi Agjencia Kombëtare Meteorologjike (AEMET) aktivizoi paralajmërimet në 25 provinca, tetë prej të cilave janë shënuar me një nivel portokalli rreziku. Për të shtunën, u lëshuan paralajmërime portokalli për stuhi të forta në provincat e Huesca, Teruel dhe Zaragoza, si dhe në Barcelonë, Girona, Lleida, Tarragona dhe Castellón.

Në këto zona priten shira të rrëmbyeshëm dhe përmbytje të mundshme të menjëhershme, të cilat mund të prishin pushimet dhe të shkaktojnë dëme të mëdha.

Deri në 50 litra shi për metër katror parashikohet të bien në shumë zona në Aragon dhe Katalonjë, gjë që mund të shkaktojë përmbytje lokale dhe tejmbushje të shtretërve të lumenjve. Brigjet e lumit Ebro në Tarazona, provinca e Zaragozës, ishin nën alarm të kuq të premten për përmbytje të mëdha.

Një alarm i kuq mbetet në fuqi deri të shtunën vonë, pasi stuhia shkaktoi përmbytje urbane dhe ndërpreu trafikun në vendin turistik. Njësia Ushtarake e Situatave të Emergjencës (UME) u dërgua në disa qytete në Zaragoza për të ndihmuar në rikuperimin e pasojave të reshjeve ekstreme.

Shërbimet lokale të shpëtimit raportuan më shumë se 30 incidente që lidhen me përmbytjet, duke përfshirë rrëzim pemësh dhe bllokim rrugësh, por nuk pati viktima.

Pamjet tronditëse tregojnë makina që pluskojnë në ujë ndërsa shiu i rrëmbyeshëm përmbyt rrugët dhe njerëzit kërkojnë strehim nga moti i rrezikshëm.

Sakaq, paralajmërime për stuhi janë lëshuar edhe për rajone të tjera, duke përfshirë Alicante, Valencia, Ribera del Ebro në La Rioja, Iberico në Rioja dhe Alava.

Instituti Kombëtar Meteorologjik i Spanjës tha se një masë ajri e paqëndrueshme po lëviz në veri dhe në lindje të Gadishullit Iberik, duke sjellë shira dhe stuhi me reshje të dendura shiu.

Më vonë gjatë ditës, stuhia do të përhapet në bregdetin Kantabrian, Ishujt Balearik dhe pjesë të Spanjës qendrore dhe lindore, dhe situata pritet të qetësohet gjatë natës.

Dhe ndërsa një pjesë e vendit është prekur nga shirat, jugu dhe juglindja e Spanjës vazhdojnë të vuajnë nga nxehtësia ekstreme. Temperaturat në Murcia, Alicante, Andaluzinë e brendshme dhe pjesë të Extremadurës mund të arrijnë mbi 40 gradë.

Ky kontrast i madh midis nxehtësisë dhe stuhive e bën situatën e motit edhe më të vështirë. Në ditët në vijim, temperaturat do të ulen në pjesën më të madhe të Spanjës kontinentale dhe Ishujt Kanarie. Megjithatë, era do të shtohet, veçanërisht në Ishujt Kanarie dhe përgjatë bregdetit të Alboranit, ku mund të arrijë intensitet shumë të fortë.

Stuhia thuhet se është rezultat i fenomenit meteorologjik DANA, i njohur edhe si “rënie e ftohtë”. Ky fenomen ndodh kur një sasi e madhe ajri mesdhetar i ngrohtë dhe i lagësht ngrihet në atmosferën e sipërme pasi një sistem i ftohtë arrin mbi tokë.

Diferenca e temperaturës midis ajrit të ftohtë në shtresat e sipërme dhe ajrit të ngrohtë në tokë shkakton paqëndrueshmëri, e cila çon në zhvillimin e papritur të stuhive dhe shirave.

Shkëndija elektrike shkakton zjarr te tokat e mbjella me ullinj në Gramsh dhe Belsh

By: e xh
12 July 2025 at 17:18

Shkëndija elektrike ka shkaktuar zjarr në sipërfaqe të mbjella me ullinj në Gramsh dhe Belsh, duke lënë pas dëme të konsiderueshme tek banorët në fshatrat Gjyralë, Lokalitet dhe Fierzë.

Të trija rastet e ndodhura ditën e djeshme, dyshohen në rrethana aksidentale, por hetimet janë ende aktive. Teksa në një prej tyre shkak u bë defekti elektrik i një mjeti që shpërtheu në flakë, duke rrezikuar edhe anëtarët e një familjeje që udhëtonte në të.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori për zjarrin e rënë në rrethana që dyshohen aksidentale në fshatin Gjyralë, ku për shkak të mbetjeve urbane të grumbulluara në këtë zonë, ra vatra e zjarrit dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur sipërfaqe toke me ullinj në pronësi të banorëve A. Ll. dhe F. B.;

Kurse në fshatin Fierzë të Belshit dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike të shkaktuar nga kontakti i pemëve me telat e energjisë elektrike, ka rënë zjarr dhe për pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke me ullinj, në pronësi të E. I.

Ngjarja e tretë ka ndodhur në aksin rrugor Lokalitet-Belsh, ku dyshohet se për shkak të një defekti elektrik, ka rënë zjarr në automjetin me drejtues shtetasin E. Ç.. Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale në automjet dhe nga përhapja e flakëve janë djegur disa pemë frutore në pronësi të shtetasit M. Ç.

Për të tre rastet materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Lavrov shijon Korenë e Veriut nga një jaht, takohet me Kim në plazh

By: e xh
12 July 2025 at 17:08

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov duket i gëzuar dhe i buzëqeshur teksa ka vizituar udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un në vendpushimin bregdetar të Wonsan.

Moska dhe Pheniani kanë lidhje veçanërisht të ngushta, të forcuar më tepër pas vendosjes së mijëra ushtarëve të Koresë së Veriut në frontin ukrainas, një çështje për të cilën Lavrov shprehu përsëri mirënjohjen e tij.

“Presidenti rus Vladimir Putin dhe Kryetari i Komisionit të Çështjeve Shtetërore të Republikës Popullore Demokratike të Koresë, Kim Jong Un, janë në kontakt të vazhdueshëm. Ata shkëmbejnë mesazhe rregullisht. Kjo praktikë nuk do të ndalet”, theksoi Sergei Lavrov, pak para takimit.

Kim Jong Un gjithashtu riafirmoi mbështetjen e Moskës për veprimet ushtarake në Ukrainë, raportoi agjencia ruse e lajmeve TASS. Përpara takimit me Kim Jong Un, u zhvillua një raund i dytë i dialogut strategjik ruso-korean në nivel ministrash të jashtëm, ndërsa u nënshkrua një Plan Shkëmbimi Ndërministror për vitet 2026-2027, i cili ka objektiva për bashkëpunim diplomatik, tregti, ekonomi, investime dhe turizëm, si dhe programe trajnimi gjuhësor.

Plazhi i Wonsan ku Lavrov dhe Kim u takuan është gjithashtu vendi ku Koreja e Veriut strehon objekte raketore dhe detare.

Aktorja Pfeiffer sulmon Bill Gates-in: Po na kontaminon ushqimin

By: e xh
12 July 2025 at 17:06

Aktorja hollivudiane Michelle Pfeiffer ka sulmuar miliarderin Bill Gates dhe duke shprehur shqetësimin e saj për një produkt të ri të miratuar nga FDA, të quajtur Apeel. Sipas Pfeiffer, ky mbrojtës i padukshëm për frutat dhe perimet, i cili zgjat jetën e tyre në dyqane, po aplikohet tashmë edhe në prodhimet “organike”, duke rrezikuar kështu sigurinë ushqimore, shkruan A2 CNN.

“Apeel është miratuar dhe tani edhe prodhimet organike janë të mbuluara me diçka që nuk mund ta shohim apo ta lajmë”, shkroi aktorja 67-vjeçare në një postim në Instagram, të shoqëruar me një video alarmuese që sugjeron se produktet organike nuk janë më të sigurta.

Apeel u themelua në vitin 2012 nga James Rogers, me mbështetje të hershme nga një grant 100 000 dollarësh i Fondacionit Bill & Melinda Gates. Megjithatë, kompania thekson se Gates nuk ka qenë asnjëherë aksioner dhe nuk është më i përfshirë në Apeel.

Zyrtarët e kompanisë reaguan ndaj deklaratave të Pfeiffer duke i cilësuar ato si “të rrezikshme dhe dezinformuese”. Sipas tyre, përbërja e Apeel-it është e ngrënshme dhe përbëhet nga lipide bimore që gjenden natyrshëm në fruta dhe perime. Ata po ashtu pretendojnë se mbulesa mund të hiqet me larje dhe fërkim.

Pavarësisht debatit, qëllimi i deklaruar i Apeel është të reduktojë mbetjet ushqimore dhe të ndihmojë në luftën kundër urisë në botë.

Gjermania i dorëzon Ukrainës armë për të goditur brenda territorit rus

By: e xh
12 July 2025 at 16:50

Gjermania ka konfirmuar se do të furnizojë Ukrainën me sisteme të reja armësh me rreze të gjatë veprimi, të cilat do t’i mundësojnë Kievit të godasë objektiva strategjike shumë larg vijës së frontit, brenda territorit të Rusisë.

Sipas Gjeneralit të Bundeswehrit, Christian Freuding, i cili udhëheq grupin mbështetës të Ministrisë Gjermane të Mbrojtjes për Ukrainën, dërgesat e para pritet të shkojnë deri në fund të këtij muaji.

“Ky është një hap i rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve ushtarake të Ukrainës. Këto sisteme do të përmirësojnë ndjeshëm mbrojtjen ajrore dhe aftësinë për të kryer goditje të synuara në thellësi të territoreve të kontrolluara nga Rusia,” tha Freuding për mediat gjermane.

Sistemet e reja përfshijnë teknologji të avancuara, që mund të përdoren për të synuar depot e municioneve, qendrat logjistike dhe komandat ruse që ndodhen larg vijës së parë të luftës. Kjo do të ndihmojë në uljen e presionit mbi trupat ukrainase dhe në ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit të forcave ruse.

Vendimi i Berlinit për të lejuar përdorimin e armëve të saj për goditje në territorin rus vjen pas kërkesave të përsëritura të autoriteteve ukrainase, të cilat kanë argumentuar se pa mundësinë për të goditur thellë brenda Rusisë, është e vështirë të ndalohet përparimi i ushtrisë ruse dhe të mbrohen qytetet ukrainase nga sulmet me raketa dhe dronë.

Ky zhvillim përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm në politikën e Gjermanisë, e cila deri më tani ka qenë më e kujdesshme në lidhje me dërgesat e armëve që mund të përshkallëzojnë konfliktin. Megjithatë, në kushtet e ofensivave të vazhdueshme ruse dhe pas dështimit të disa iniciativave diplomatike, Berlini ka vendosur të rrisë nivelin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

Zyrtarët gjermanë theksojnë se përdorimi i këtyre armëve do të jetë i koordinuar me aleatët ndërkombëtarë dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Gjenerali Freuding ka shtuar se objektivi kryesor mbetet ndihma për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Me dërgesat e reja, Ukraina do të ketë në dispozicion mjete më të fuqishme për të kundërshtuar agresionin rus dhe për të forcuar pozitat e saj në fushën e betejës në muajt e ardhshëm.

Prishja e ndërtimeve pa leje në Theth, Bardh Spahia akuza Ramës: Besprerë…

By: e xh
12 July 2025 at 16:47

Vijojnë prishjet e ndërtesave pa leje në Theth. Këtë të shtunë [12 korrik] atje shkuan edhe përfaqësues të Partisë Demokratike. Bardh Spahia tha se pamjet aktuale zona nuk i ka provuar as përballë serbëve.

“Për hir të së vërtetës këto pamje nuk i ka provuar kjo zonë që prej hordhive serbe dhe përballjes së banorëve patriotë të kësaj zone. Është hera e parë që në gjithë këto vite Theth dhe dukagjini përballet me një dhunë të tillë, me një terror të paprecedentë, të paarsyeshëm, të paargumentuar”, tha ai.

Spahia akuzoi kryeministrin Edi Rama “si një besprerë tipik”.

“Pasi u dha fjalën se jo vetëm do t’i lejonte, madje i bëri thirrje të investonin emigrantët e shumtë të kësaj treve në këtë zonë, i dhunon sot dhe i hedh në lumë investimet dhe kursimet e një jete të tërë”, tha ai duke e cilësuar aksionin si hakmarrje pasi zona nuk votoi Partinë Socialiste më 11 maj.

Ndërkohë Luçiano Boçi duke komentuar aksioni tha se zhvillohet pasi “nuk përputhet me oreksin e Edi Ramës.

“Duke goditur qytetarë e Thethit kërkon të rrëmbejë edhe këtë perlë të Shqipërisë”, tha Boçi duke akuzuar se Rama do t’ia japë atë “klientëve të tij”./ Tv Klan

Tenistja vritet nga babai: E bëra sepse na mbante me bukë, ndihesha i poshtëruar

By: e xh
12 July 2025 at 16:42

Një teniste indiane është vrarë nga babai i saj, pasi ai ngacmohej nga bashkëfshatarët e tij, të cilët i thonin se po e mbante me bukë vajza.

Radhika Yadav, 25-vjeç, u qëllua me pistoletë nga i ati në shtëpinë ku jetonin.

Babai i saj, Deepak Yadav, e pranoi krimin makabër.

Ai ka thënë se ishte në depresion dhe ndihej i turpëruar pasi bashkëfshatarët e tij e tallnin për faktin se mbështetej në të ardhurat e vajzës.

Ai i kishte kërkuar vajzës së tij që të mbyllte akademinë që kishte hapur, ku i mësonte të rinjve sportin e tenisit.

Ajo nuk kishte pranuar ta bënte këtë gjë dhe pas debatit të ashpër i ati kishte marrë pistoletën dhe e vrau.

❌
❌