Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 10 August 2025Opinion.al

Rrjedhje lave në 3 mijë metra lartësi nga Etna, alarm portokalli për fluturimet

By: b b
10 August 2025 at 22:31

Një krater efuziv, me pasojë një rrjedhje lave, është hapur këtë të dielë në 3 mijë metra në anën jugore të kraterit Bocca Nuova të vullkanit Etna.

Sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, Observatori të Etnës mësohet se rrjedha po shkon drejt jugut.

Burimi i dridhjeve vullkanike ndodhet në një lartësi prej 2,800 metrash, midis humnerës dhe kraterit verilindor, ndërkohë bëhet e ditur se nuk ka emetim hiri.

Më tej, mediat italiane theksojnë se aeroporti i Catanias mbetet funksional, megjithëse është në fuqi një alarm fluturimi në nivel portokalli.

Lezhë/Goditën me sende të forta një person, arrestohet 67-vjeçari, procedohet i biri

By: b b
10 August 2025 at 21:50

Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 67-vjeçar dhe ka proceduar penalisht djalin e tij, pasi së bashku goditën me sende të forta një shtetas gjatë një konflikti.

Mësohet se rreth orës 15.30, Salla operative e DVP Lezhe, ka marrë njoftim për një konflikt në rrugën e Kunes, Shëngjin si pasojë e të cilit ka mbetur i dëmtuar shtetasi F. P., 50 vjeç.

Me marrjen e njoftimit, menjëherë eshte organizuar puna për identifikimin dhe kapjen e autoreve.

“Fale reagimit te shpejte të shërbimeve operacionale të DVP Lezhë, Komisariatit të Policisë Lezhë, Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe ato të Policisë Rrugore, rreth 1 ore pas ngjarjes, ne fushe Milot u bë e mundur ndalimi i automjetit me te cilin udhëtonin dy autoret e dyshuar, përkatësisht shtetasit F. D, 67 vjeç dhe E. D, alias E.D, 40 vjeç (babë e bir).

Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se konflikti midis autoreve dhe te dëmtuarit ka filluar për motive të dobëta, dhe me pas njeri nga autoret, konkretisht shtetasi F. D., 67 vjeç, dyshohet se ne konflikt e sipër ka goditur me send te forte ne koke shtetasin F. P, duke i shkaktuar dëmtime te renda dhe me pas janë larguar nga vendngjarja.

Në përfundim te veprimeve të para hetimore, u be arrestimi ne flagrance i shtetasit F. D., vjeç 67, si dhe u procedua shtetasi E. D, vjeç 40, si të dyshuar për kryerjen veprës penale “Plagosje e rende me dashje”, e kryer ne bashkëpunim”, njofton policia.

Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës se Shkalles se Pare te Juridiksionit te Përgjithshëm Lezhe, për hetime te mëtejshme.

“A po punon kamera…”, Rrëfimi i gazetarit të BBC: Si u infiltrova mes trafikantëve

By: b b
10 August 2025 at 21:20

Një nga gazetarët e BBC-së, i cili u prezantua me identitet të rremë si emigrant për të fituar besimin e bandës, rrëfen përvojën e tij në një kamp të fshehtë në pyjet pranë Dunkirk-ut, ku u takua me një nga drejtuesit kryesorë të grupit, të njohur si Abdullah.

“Po ecja drejt pyllit duke menduar për baterinë në xhepin tim. Telat i kisha fshehur nën dy bluza, por a po punon kamera e fshehtë?

A është në këndin e duhur? Kisha maksimumi tre orë jetë baterie për të hyrë në kamp, për ta takuar dhe për të dalë i sigurt,” kujton gazetari.

I veshur me rroba të vjetra, këpucë të konsumuara dhe një çantë shpine të lodhur nga udhëtimet, ai mbante mbi supe historinë e sajuar të një refugjati sirian, të refuzuar nga Gjermania. “Abu Ahmed” ishte emri i tij fals.

Takimi me Abdullahun ishte i qetë, por gazetari ishte i vetëdijshëm për rrezikun, pasi trafikantët ishin të armatosur dhe kampi kishte vetëm një rrugë hyrjeje e daljeje.

“Një ditë më pas, pashë në internet se në të njëjtin vend kishte ndodhur një vrasje tjetër me armë zjarri,” thotë ai.

Hetimi kishte kërkuar muaj të tërë ndjekjeje, kontakte të shumta dhe telefona të ndryshëm me numra francezë, gjermanë, turq e sirianë.

“Trafikantët ndërronin shpesh numrat. Ndonjëherë humbisje muaj pune për një çast,”tregon gazetari, i cili kishte kaluar netë pranë plazheve, stacioneve të trenit dhe vendeve të shpërndarjes së ushqimit, duke u përpjekur të kuptonte hierarkinë e bandës.

Në zhargonin e tyre, emigrantët quheshin “nafar”, ndihmësit e rinj “rebari”, ndërsa pylli ishte gjithmonë “xhungla”.

Pas takimit, gazetari u largua drejt ekipit që e priste në një supermarket aty pranë, me pyetje të shumta në mendje:

”A funksionoi kamera? A e regjistrova Abdullahun duke pranuar rolin e tij si trafikant? A po më ndjek dikush?”

Ky hetim i BBC-së synon të zbulojë dhe të godasë rrjetet e fshehta të trafikimit, që veprojnë mes veriut të Francës dhe brigjeve britanike, duke rrezikuar jetën e qindra njerëzve çdo vit./tvklan

Netanyahu mbron planet për Gazën, Izraeli kritikohet në Këshillin e Sigurimit të OKB

By: b b
10 August 2025 at 21:00

Ambasadorët e OKB-së kanë dënuar planet e Izraelit për të “marrë kontrollin” e Qytetit të Gazës, ndërsa Kryeministri Benjamin Netanyahu këmbënguli se kjo ishte “mënyra më e mirë” për t’i dhënë fund luftës.

Gjatë një konference për shtyp, të cilën Netanyahu tha se kishte për qëllim të “shpjegonte gënjeshtrat”, udhëheqësi izraelit tha se ofensiva e planifikuar do të “çlironte Gazën nga Hamasi”.

Ai gjithashtu pretendoi se pengjet izraelite të mbajtura në Gaza ishin “të vetmet që po vdisnin qëllimisht nga uria” dhe mohoi se Izraeli po vdiste banorët e Gazës nga uria.

Ndërkohë, Izraeli u kritikua ashpër në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), me Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe të tjerë që paralajmëruan se plani rrezikonte “shkeljen e ligjit ndërkombëtar humanitar”.

Së bashku me Danimarkën, Greqinë dhe Slloveninë, ata kërkuan që plani të përmbyset, duke shtuar se “nuk do të bënte asgjë për të siguruar kthimin e pengjeve dhe rrezikon të rrezikojë më tej jetën e tyre”.

Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Miroslav Jenca, tha gjatë takimit:

“Nëse këto plane zbatohen, ato ka të ngjarë të shkaktojnë një tjetër fatkeqësi në Gaza, duke u përhapur në të gjithë rajonin dhe duke shkaktuar zhvendosje të mëtejshme të detyruara, vrasje dhe shkatërrime.”

Mijëra protestues kanë dalë gjithashtu në rrugë në të gjithë Izraelin për të kundërshtuar planin e qeverisë, nga frika se ai vë në rrezik jetën e pengjeve.

Në konferencën e tij për shtyp, Netanyahu tha se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) ishin udhëzuar të çmontonin “dy fortesat e mbetura të Hamasit” në Qytetin e Gazës dhe një zonë qendrore rreth al-Mawasi. Ai gjithashtu përshkroi një plan me tre hapa për të rritur ndihmën në Gaza, duke përfshirë përcaktimin e korridoreve të sigurta për shpërndarjen e ndihmës humanitare dhe më shumë lëshime ajrore nga forcat izraelite dhe partnerë të tjerë.

Do të përfshinte gjithashtu rritjen e numrit të pikave të shpërndarjes së sigurt të menaxhuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) i mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli, i diskutueshëm.

OKB raportoi më parë këtë muaj se 1,373 palestinezë ishin vrarë duke kërkuar ushqim që nga fundi i majit, kur GHF ngriti vendet e shpërndarjes së ndihmës.

Turqia goditet nga një tërmet i fuqishëm

By: b b
10 August 2025 at 20:35

Një tërmet me magnitudë 6.1 ballë goditi Turqinë perëndimore mbrëmjen e sotme, duke tronditur disa qytete, përfshirë Stambollin dhe qendrën turistike të Izmirit.

Mësohet se tërmeti ndodhi në orën 19:53 në rrethin Sindirgi të provincës Balikesir, në një thellësi prej 11 km (6.8 milje).

Dridhja u ndje deri në 200 kilometra (125 milje) larg në Stamboll dhe u pasua nga disa lëkundje, përfshirë një me magnitudë 4.6, sipas agjencisë së lajmeve AP.

Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të mos hyjnë në ndërtesat e dëmtuara.

Qendra Gjermane e Kërkimit për Gjeoshkencat (GFZ) e mati dridhjen me magnitudë 6.19 ballë dhe thellësi 10 km.

Sipas mediave, tërmeti u ndje në disa provinca në perëndim, por nuk pati raportime të menjëhershme për viktima ose dëme të konsiderueshme. Megjithatë, media lokale e cituar nga AP tha se një ndërtesë u shemb në qytetin Sindirgi, epiqendra e tërmetit.

Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya tha në platformën “X” se ekipet e emergjencës kishin filluar inspektimet në Stamboll dhe provincat fqinje.

“Deri më tani nuk ka ardhur asnjë raport negativ,” postoi Yerlikaya.

Kujtojmë se në vitin 2023, një tërmet me magnitudë 7.8 goditi Turqinë, duke rezultuar në vdekjen e mbi 53,000 njerëzve dhe duke shkaktuar shkatërrime të gjera në qindra mijëra ndërtesa në 11 provinca në rajonet jugore dhe juglindore.

Rreth 6,000 njerëz humbën jetën gjithashtu në zonat veriore të Sirisë fqinje.

Autoritetet po vazhdojnë të monitorojnë situatën.

Milani në shenjën e shqiptarëve, Igli Tare mahnit me transferimet

By: b b
10 August 2025 at 20:22

Milani ka gjetur heronjtë e rinj, që japin shpresë për të ardhmen.

Nga manovrat e Igli Tares në merkato, te paraqitja e Ardon Jasharit, shqiptarët po lënë shenjë te kuqezinjtë.

Mesfushori i blerë nga Brugge ishte titullar në debutimin me ekipin e ri dhe luajti 60 minuta në miqësoren e barazuar 1-1 përballë Leeds në Dublin. Me paraqitjen e tij në fushë, 23-vjeçari meritoi elozhet nga trajneri Massimiliano Allegri.

“Më mrekulloi mënyra si luajti, sepse gjatë këtyre ditëve ishte stërvitur gjithmonë veçmas dhe nuk e kishte prekur asnjëherë topin. Ashtu si për të gjithë, tashmë duhet të përmirësojë gjendjen fizike dhe psikologjike.”

Shqiptari tjetër që ka mahnitur, por me manovrat në merkato, është Igli Tare.

Opinioni publik dhe tifozët e cilësojnë si drejtorin sportiv që Milanit i mungonte. Përpos afrimeve të Jasharit dhe Modric, vlerësime ka edhe për largimet.

Lëvizja më e fundit ishte shitja e Malick Thiaws te Newcastle për 40 milionë euro, edhe pse bëhej fjalë për një rezervë.

Më parë, Tare vendosi rekordin me transferimin e Reijnders te Manchester City për 70 milionë euro, por edhe me shitjet e Theo Hernandez, Emerson Royal dhe Pellegrino. Tashmë synohet edhe shitja e Yunus Musah për 30 milionë euro te Napoli ose Nottingham Forest.

Tv Klan

Dy boksierë japonezë humbin jetën pas dueleve në të njëjtin event sportiv

By: b b
10 August 2025 at 19:57

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë një ndeshje boksi në Japoni.

Sipas mediave të huaja mësohet se dy boksierë japonezë humbën jetën si pasojë e dëmtimeve cerebrale të pësuara gjatë ndeshjeve të tyre, të zhvilluara në të njëjtin event.

Ngjarja ndodhi gjatë eventit sportiv të Korakuen Hall të Tokios, më 2 gusht.

Viktimat janë Shigetoshi Kotari dhe Hiromasa Urakawa, të dy 28-vjeçarë, të cilët ndërruan jetë të premten dhe të shtunën.

Pas ndeshjeve, të dy boksierët u dërguan menjëherë në spital dhe iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale, por nuk mbijetuan.

Sipas Tsuyoshi Yasukochi, sekretarit të Përgjithshëm të Komisionit Japonez të Boksit, kjo është hera e parë në histori që dy boksierë operohen për hematoma në tru pasi morën pjesë në të njëjtin event.

Edhe rivali i Kotarit, Yamato Hata, ka pësuar të njëjtin dëmtim dhe ndodhet në koma. Mjekët nuk japin asnjë garanci për jetën e tij.

Komisioni njoftoi se të gjitha ndeshjet e Federatës së Boksit Oriental dhe Paqësorit do të shkurtohen në dhjetë raunde, nga 12.

Kjo masë synon të rrisë sigurinë e boksierëve.

Vera shton rastet me infeksione në lëkurë

By: b b
10 August 2025 at 19:28

Rrezet e diellit, temperaturat e larta dhe frekuentimi i plazhit, sjell edhe shtim të rasteve me problemet në lëkurë.

Sipas dermatologëve problemet më të shpeshat janë myku si dhe infeksionet bakteriale tek fëmijët.

“Myku është më i shpeshti që del në pah, më shumë tek pjesa e këmbëve ose në pjesët palosëse të trupit. Infeksionet bakteriale edhe ato janë të mundura në lëkurat që kanë një sistem mbrojtës lehtësisht akoma duke u ndërtuar, kryesisht tek fëmijët i gjejmë më të shpeshtë sëmundjet me ngarkesa bakteriale në lëkurë.

Sëmundjet bakteriale, mykotik edhe disa sëmundje të lëkurës që janë kronike dhe të sëmurët kronikë e që kanë një ndjeshmëri të lartë nga dielli, ne themi që ta evitojnë diellin e fortë kryesisht ato që kanë lupus, dermatozët që kanë ndjeshmëri nga rrezatimi diellor”, u shpreh Blerta Gjoni, dermatologe.

Nuk  mungojnë edhe alergjitë nga rrezet e diellit apo djegiet në lëkurë.

“Dermatikët e shpeshta në lëkurë, janë ato kategori njerëzish që pëlqejnë të rrezatohen, kryesisht tek moshat e reja, pasi ato qëndrojnë shumë më tepër në kohën e pikut në ujë. Por, kemi pasur shfaqje të rastëve të herpes simplex edhe tek fëmijët e tek mosha e adoleshencës.

Rastet që janë përkeqësuar më shumë janë ato të akneve, pasi ndonjëherë temperaturat e larta bën të mundur që kur kemi mbiprodhim të tepërt të djersës të çrregullojnë gjëndrat e yndyrnës dhe të përkeqësojë aknet”, shtoi dermatologia.

Mjekët rekomandojnë që të përdoren produkte për mbrojtjen e lëkurës si dhe të evitohet qëndrimi në diell në pikun e të nxehtit, jo vetëm për fëmijët dhe të sëmurët kronikë, por edhe ata që kanë nishane të shumta./tvklan

Zjarret në vend/Vengu: Flotës do i bashkohen dhe ndihma nga ndërkombëtarët

By: b b
10 August 2025 at 19:08

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka njoftuar se Forcat e Armatosura, zjarrfikëse dhe ato të Policisë janë angazhuar për të siguruar zonat e banuara përreth të cilave po punohet për të krijuar perimetër sigurie në të gjitha vatrat problematike.

Mësohet se që nga mëngjesi i sotëm janë evidentuar 21 vatra zjarri në vend, prej të cilave 7 janë shuar dhe 14 vijojnë aktive.

Avioni Canadair kroat ka operuar aty ku nevoja ka qenë më e madhe, në Krane të Finiqit dhe Lukovë të Himarës, ndërsa ekuipazhet e Bazës Ajrore Farkë kanë ndërhyrë në Ballaj dhe Zhabjak të Rrogozhinës dhe aktualisht në Poliçan, ku flakët nuk rrezikojnë perimetrin e ish-Kombinatit Mekanik.

Misionet nga ajri dhe ndërhyrja nga toka në këto zona kanë ulur rrezikun për banorët, shtëpitë dhe bizneset, por situata vazhdon të mbetet dinamike si pasojë e erërave të forta dhe temperaturave të larta që do të vazhdojnë të dominojnë në vend.

Gjatë orëve të ardhshme, flotës në veprim do t’u bashkohen edhe dy helikopterë të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe, 1 Canadair nga Greqia dhe dy helikopterë të mekanizmit evropian nga Çekia dhe Sllovakia të cilët do dislokohen që sonte në Rinas dhe Bazën Ajrore të Kuçovës.

Sakaq, Komiteti Shtetëror i Emergjencave Civile ka urdhëruar rritjen e gatishmërisë së Bashkive në nivelin maksimal në mbarë vendin teksa forcat operacionale janë të angazhuara në çdo vatër që konsiderohet kritike në territor.

FOTO/Vrasja në Gjilan, shpallen në kërkim edhe dy djemtë e autorit të dyshuar

By: b b
10 August 2025 at 18:44

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gjilan, ku mbetën të vrarë tre persona me armë zjarri, policia e Kosovës ka shpallur në kërkim tre persona.

Fillimisht ishte shpallur në kërkim vetëm shtetasi Mefail Shkodra.

Tashmë, uniformat blu të Kosovës bëjnë me dije se janë shpallur në kërkim dhe dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra.

Mefail Shkodra u dyshua si autori i vrasjes së trefishtë. Sakaq, ende nuk dihet roli i dy djemve të autorit të dyshuar, të cilët janë shpallur në kërkim.

“Policia e Kosovës shpall në kërkim personat:

Mefail Shkodra, Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra

Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve, lëshon këtë kërkesë për bashkëpunim me qytetarët dhe mediat.

Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale në Gjilan, kërkon nga qytetarët dhe mediat që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personave në fotot e bashkëngjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës në stacionin më të afërt policor apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”, E-mail: info@kosovopolice.com dhe numrat kujdestarë 038 504 504 7299 dhe 038 504 504 7201”, njofton Policia e Kosovës.

Liderët evropianë: Duhet të mbrojmë interesat e Ukrainës para takimit Trump–Putin

By: b b
10 August 2025 at 18:20

Udhëheqësit evropianë e kanë përshëndetur vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por theksuan nevojën për ta vazhduar trysninë mbi Moskën dhe për t’i mbrojtur interesat e sigurisë së Ukrainës dhe Evropës.

Trumpi do të takohet me Putinin në Alaskë të premten, për të biseduar për arritjen e një marrëveshjeje që mund ta zgjidhë konfliktin gati katërvjeçar.

Hollësitë e një marrëveshjeje të mundshme nuk janë bërë të ditura, por Trumpi tha se ajo do të përfshinte “disa shkëmbime territoresh për përfitimin e të dyja palëve”.

Marrëveshja mund të kërkojë që Ukraina t’i dorëzojë pjesë të mëdha të tokës së vet, gjë që, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe aleatëve të tij evropianë, vetëm sa do ta nxiste agresionin rus.

NBC News, duke cituar një zyrtar të lartë amerikan dhe tre të tjerë të informuar mbi çështjen, raportoi mbrëmjen e së shtunës se Shtëpia e Bardhë po shqyrtonte mundësinë për ta ftuar Zelenskyn në takimin në Alaskë.

Megjithatë, Reuters më vonë citoi një tjetër zyrtar të Shtëpisë së Bardhë të ketë thënë se, ndonëse Trump do të ishte i hapur për një takim trepalësh në Alaskë, për momentin planet janë vetëm për bisedime dypalëshe Trump–Putin, siç ka kërkuar lideri rus.

Putin deri tani e ka përjashtuar mundësinë e një takimi me Zelenskyn, i cili ka deklaruar se është i gatshëm për bisedime të tilla të drejtpërdrejta.

Nënpresidenti amerikan, JD Vance, u takua të shtunën në Londër me ministrin e Jashtëm britanik, David Lammy, dhe përfaqësues të Ukrainës dhe aleatëve evropianë për të diskutuar për përpjekjet e Trumpit për paqe.

Në një komunikatë të përbashkët të shtunën mbrëma, udhëheqësit e Francës, Italisë, Gjermanisë, Polonisë, Britanisë, Finlandës dhe presidentja e Komisionit Evropian, mirëpritën përpjekjet e Trumpit, duke theksuar ndërkohë nevojën për ta ruajtur mbështetjen për Ukrainën dhe presionin mbi Rusinë.

“Ne ndajmë bindjen se një zgjidhje diplomatike duhet t’i mbrojë interesat jetike të sigurisë së Ukrainës dhe Evropës”, thuhet në komunikatë.

“Ne pajtohemi se këto interesa jetike përfshijnë nevojën për garanci të forta dhe të besueshme sigurie që ia mundësojnë Ukrainës ta mbrojë në mënyrë efektive sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”, theksuan ata, duke shtuar: “Rruga drejt paqes në Ukrainë nuk mund të vendoset pa Ukrainën”.

Udhëheqësit deklaruan se “mbeten të përkushtuar ndaj parimit që kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë”.

Ata theksuan se negociatat mund të zhvillohen vetëm në kontekstin e një armëpushimi ose uljeje të armiqësive.

Zelensky tha të dielën se Kievi “vlerëson dhe mbështet plotësisht” deklaratën e përbashkët të udhëheqësve evropianë për arritjen e paqes në Ukrainë, duke mbrojtur interesat ukrainase dhe evropiane.

Ukraina dhe BE-ja kanë kundërshtuar propozime që i shohin si lëshime të tepërta ndaj Putinit, i cili dërgoi trupat ruse në Ukrainë në shkurt 2022.

Rusia e justifikon luftën me arsyetimin e asaj që e quan kërcënim ndaj sigurisë së saj nga orientimi i Ukrainës drejt Perëndimit.

Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë thonë se pushtimi është një grabitje tokash në stilin imperialist.

Moska i pretendon si të vetat katër rajone ukrainase: Luhanskun, Donjeckun, Zaporizhjan dhe Hersonin – si dhe gadishullin e Detit të Zi, Krimenë, të cilën e aneksoi në vitin 2014./REL

Fluks udhëtarësh në Kakavijë/Policia kufitare: Po punojmë me ritme të përshpejtuara

By: b b
10 August 2025 at 17:58

Policia e Gjirokastrës ka reaguar pas një lajmi të publikuar në media, lidhur me krijimin e radhëve të gjata kilometrike në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë.

Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër sqaron se situata është pasojë e një fluksi të shtuar të qytetarëve që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Policia Kufitare e Kakavijes ka kontaktuar me homologët e saj grek, të cilët kanë shtuar sportelet për në hyrje të Shqipërisë dhe po punohet me ritme të përshpejtuara për të mos krijuar radhë të gjata.

Aktualisht, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, po punohet me 5 sportele dhe 2 sportele në dalje kurse nga pala greke po punohet me 3 sportele në hyrje dhe 2 sportele në dalje. Prej orës 08:00-16:00, nëpërmjet pkk Kakavije kanë hyrë dhe dalë 5482 shtetas dhe 2090 automjete.

Pika e Kalimit Kufitar Kakavije është në kontakt të vazhdueshëm me palën greke, me qëllim menaxhimin e fluksit dhe shmagien e radhëve të gjata.

 

Babë e bir të vrarë në Gjilan/ Shpallet në kërkim autori, i njohur për fajde

By: b b
10 August 2025 at 17:28

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditen e sotme në Gjilan, ku një person me armë zjarri ka vrarë tre persona, si dhe ka plagosur një tjetër.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Ibrahim Rugova”, rreth orës 12:32, sipas njoftimit të uniformave blu të Gjilanit. Fillimisht ndërruan jetë dy persona, duke mbetur të plagosur dy të tjerë. Por, një prej të plagosurve nuk arriti t’u mbijetonte plagëve, duke ndërruar jetë më vonë.

Nuk dihet se si është gjendja shëndetësore e të plagosurit.

Sakaq, autori është ende në arrati. Sipas Klan Kosovës, në kërkim është shpallur Mefail Shkodra, i dyshuar si autori për ngjarjen tragjike të Gjilanit. Shkodra, është personazh i njohur për autoritetet, pasi një vit më parë ai është arrestuar për fajde.

Ende nuk dihet motivi i kësaj ngjarje të rëndë.

 

Tribunat sportive si arenë e nacionalizmit: Politika dhe gjuhë urrejtjeje

By: b b
10 August 2025 at 16:55

Përdorimi i tribunave sportive për betejat politike me ngjyrim etnik është bërë praktikë para zgjedhjeve, thonë analistët për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tyre, partive politike u është më e lehtë të debatojnë për gjuhën e urrejtjes sesa për projektet lokale të realizuara.

Brenda vetëm një jave, në dy ndeshje të ndryshme ndërkombëtare – një basketbolli dhe një futbolli – ku ishin të pranishëm zyrtarë të lartë politikë, u dëgjuan nga tribunat thirrje me përmbajtje etnike dhe gjuhë urrejtjeje. Thirrje për dënimin e tyre erdhën nga elitat politike vendore, por edhe nga rajoni.

Pas skandimeve fyese ndaj shqiptarëve në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë më 2 gusht, incidenti tjetër ndodhi më 5 gusht në takimin mes Shkëndijës së Shkupit dhe Karabakut të Azerbajxhanit, ku një pjesë e tifozëve të Shkëndijës brohoritën “Shqipëria e Madhe”.

Analistët thonë se terrenet sportive, si pasqyrë e shoqërisë, bëhen veçanërisht të ndjeshme para zgjedhjeve. Profesori i Fakultetit të Kulturës Fizike, Ivan Atanasovski, thekson se kjo është shndërruar në praktikë në vend.

“Nuk po flas për atmosferën sportive, e cila normalisht është e zjarrtë, sepse sporti është rivalitet. Por kur atmosfera politike transmetohet në tribuna, partitë kanë interes serioz t’i përfshijnë grupet e tifozëve për të brohoritur mesazhe që nuk kanë përmbajtje sportive, por retorikë politike ose nacionaliste”, thotë ai.

Edhe analisti politik Xhelal Neziri pajtohet se para çdo cikli zgjedhor, “vihet në tavolinë karta e nacionalizmit” dhe partitë nuk zgjedhin mjete për të fituar më shumë vota.

“Etnonacionalizmi gjithmonë shkakton reagime, të cilat mund të sjellin incidente konkrete. Mendoj se kjo u shkon për shtat partive dhe qendrave të fuqisë që llogarisin për zgjedhjet lokale, jo vetëm për numrin e komunave që do të fitojnë, por edhe për hapat e ardhshëm. Gjithçka është pjesë e një fushate të nisur para kohe”, thotë Neziri.

Atanasovski shton se mesazhet negative nga tribunat shpesh shfaqen në ndeshje ndërkombëtare, kur vëmendja e publikut është më e madhe. Neziri ndërkohë thekson se partive u leverdis më shumë të flasin për gjuhën e urrejtjes me bazë etnike sesa për problemet lokale, si mungesa e kanalizimit, hapësirat e parkimit ose rrugët e paasfaltuara.

“Këto thirrje janë shndërruar në himne të klubeve sportive. Nuk besoj se janë të nxitura drejtpërdrejt, por një atmosferë e tillë, si ajo në ndeshjen Shkëndija–Karabak, u përshtatet partive. Të gjithë liderët, nga pushteti dhe opozita, ishin në tribuna. Në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë dhe Rumanisë ishin të pranishëm zyrtarë të VMRO-DPMNE-së. Heshtja e tyre dukej më shumë si skenar i organizuar sesa reagim spontan”, thotë Neziri.

Komiteti i Helsinkit: Thirrjet etnike nxisin përçarje ndëretnike

Komiteti i Helsinkit reagoi duke thënë se mesazhet etnike janë larg shpirtit sportiv dhe kontribuojnë në nxitjen e përçarjes ndëretnike, duke rrezikuar kohezionin shoqëror dhe duke pasur potencial për të shkaktuar krime nga urrejtja.

“Veçanërisht shqetësues është fakti që këto thirrje nuk kanë ardhur vetëm nga grupi i tifozëve ‘Ballistët’, por edhe nga pjesë e publikut, dhe kjo në prani të zyrtarëve të lartë shtetërorë,” thuhet në reagim.

Ndeshjen e futbollit e ndoqën zëvendëskryeministri Izeti Mexhiti, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, ministri i Ekonomisë Besar Durmishi, si dhe liderët opozitarë Ali Ahmeti e Arben Taravari. Në tribuna ishin edhe kryeministri Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri Ivan Stoiljkoviq dhe ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski, të cilët një ditë më pas dënuan publikisht skandimet fyese.

Siljanovska-Davkova: Dënim i përgjithshëm i primitivizmit të tifozëve

Pas ndeshjes ndërkombëtare mes klubeve të futbollit Shkëndija dhe Karabak, reagoi publikisht presidentja Gordana Siljanovska-Davkova. Në një postim në Facebook më 7 gusht, ajo bëri thirrje për dënimin e përgjithshëm të primitivizmit në tribuna.

“Apelët për t’i dhënë fund thirrjeve nacionaliste dhe shoviniste nga tribunat tingëlluan ndriçues. Por skenat e nga ndeshja ndërkombëtare Shkëndija – Karabak ishin përsëritje e tragjedisë së Kumanovës. Hipokrizi dhe cinizëm është reagimi selektiv ndaj vandalizmit josportiv”, shkroi Davkova.

Presidentja kishte reaguar edhe më herët ndaj skandimeve gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë të shtunën, duke theksuar se është e papranueshme të keqpërdoret terreni sportiv për “ushtrime” të gjuhës së urrejtjes dhe fyerjeve.

Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) dënoi ashpër dhe hapi hetim për skandimet ksenofobike kundër shqiptarëve gjatë ndeshjes së 2 gushtit në Kumanovë mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.

“Kjo është një çështje me rëndësi të madhe për FIBA-n. Ju njoftojmë se ngjarjet për të cilat bëni fjalë janë aktualisht objekt i një hetimi të hapur nga FIBA”, thuhet në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, Gjykata Themelore Penale në Shkup ka dënuar me dy vjet burg me kusht një shtetas gjerman për nxitje urrejtjeje gjatë një ndeshjeje futbolli. Vendimi erdhi pasi Ministria e Brendshme identifikoi të dyshuarin dhe Prokuroria Themelore Publike ngriti aktakuzë me procedurë të përshpejtuar.

“Më 5 gusht, pak para fillimit të ndeshjes mes FC Shkëndija dhe FC Karabak, ai, duke shfaqur dhe valëvitur një flamur të ‘Shqipërisë së Madhe’ me mbishkrimin ‘Autoktonë’, shkaktoi ndjenja urrejtjeje, përçarjeje dhe mosdurimi mbi bazë etnike. Ngjarja u vërejt nga policia, e cila e arrestoi në vend”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shkupit.

Sipas vendimit, dënimi me burg nuk do të ekzekutohet nëse i dënuari nuk kryen vepër të re penale brenda pesë viteve.

Ministria e Brendshme tha se, mbi bazën e materialit të dokumentuar, po vepron në koordinim me prokurorinë dhe se për çdo shkelje ligjore do të ketë procedura përkatëse, për të cilat publiku do të njoftohet me kohë.

Prokuroria konfirmoi se po punon me institucionet e tjera për zbardhjen e plotë të rastit. Lidhur me incidentin në ndeshjen e basketbollit të 2 gushtit në Kumanovë, disa të dyshuar janë thirrur për intervistim, ndërsa një person është arrestuar dhe ndaj tij do të ndërmerren procedurat përkatëse.

Hetimet e MPB-së vazhdojnë edhe për incidentet gjatë ndeshjes Shkëndija – Karabak, të zhvilluar më 5 gusht në Arenën “Todor Proeski” në Shkup./REL

Trafik i rënduar në Lezhë/Radhë makinash në rrugët që të çojnë drejt plazheve

By: b b
10 August 2025 at 16:34

Edhe kjo e dielë ka sjell trafik të rënduar në Lezhë.

Bëhet fjalë për akset rrugore që të çojnë drejt zonave bregdetare si Shëngjini, Tale dhe Velipojë, ku këtë fundjavë ka patur fluks të shtuar pushuesish.

Siç shihet edhe në pamje në rrugë janë krijuar radhë të gjata makish, të cilat ishin nisur drejt zonave bregdetare.

Aksesi nga Shkodër–Lezhë, Lezhë–Milot dhe Shëngjin–Lezhë konsiderohen pjesët më problematike të rrugëve në këtë qark.

Tv Klan

Lindja e Mesme: Thesaret kulturore në rrezik nga konfliktet

By: b b
10 August 2025 at 16:18

Si mund të mbrohen artifaktet dhe sitet historike gjatë konflikteve?

Sulmet me raketa mes Izreaelit e Iranit nuk morën vetëm jetë njerëzish e plagosën civilët, por rrezikuan edhe trashëgiminë kulturore në rajon.

Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM), me bazë në Paris, shpërndau një deklaratë pas lëshimit të raketave të para mes Iranit dhe Izraelit në luftimet para disa javësh, ku theksoi se ka “rrezik të shtuar” për muzetë dhe punonjësit e tyre në Izrael dhe  në Iran.

ICOM, i cili përbëhet nga 8 mijë profesionistë të muzeve në mbarë botën, duke përfshirë anëtarë nga Izraeli dhe Irani. Këshilli Ndërkombëtar u kërkoi palëve që t’u përmbahen konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, edhe gjatë konflikteve. “Gjithsesi, ne s’mund të bëjmë më tepër se sa të këshillojmë dhe paralajmërojmë, tha për DW, Felicia Sternfeld, presidente e Komitetit Kombëtar Gjerman pranë ICOM.

Po sa ndikim pati apeli i Këshillit?

Pavarësisht se luftimet u ndalën situata në terren është ende e nderë. Nga Irani vijnë informacione të vakëta, pasi qeveria vështirë se lejon gazetarë të huaj që të hyjnë në vend dhe e ka kufizuar ndjeshëm praninë e shtypit. Megjithatë, një gjë është e sigurt: planet e emergjencës u aktivizuan në të dyja vendet, sapo nisi konflikti Izrael-Iran. Me aq sa mundën, ekspertët punuan për të siguruar, hequr dhe zhvendosur asetet kulturore.

Evakuimi i Muzeut Kombëtar në Teheran

Irani është vend me trashëgimi të pasur kulturore, e cila përfshin 28 site të trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe rreth 840 muze, 300 prej të cilëve administrohen nga Ministria e Kulturës. “Irani ka një autoritet të mirë-organizuar dhe profesionist të trashëgimisë kulturore”, tha gjatë një interviste në radion “Deutschlandfunk”, Judith Thomalsky, drejtuesja e departamentit të Teheranit në Institutin Gjerman të Arkeologjisë.

Zyra e drejtuar nga Thomalsky vepron në Berlin që prej vitit 2023, kohë kjo kur mijëra iranianë protestuan kundër regjimit dhe Ministria e Jashtme e Gjermanisë tërhoqi stafin nga institucionet si masë parandaluese. Vetë Instituti e vijon punën e tij me staf vendas, në mjediset e ambasadës gjermane në Teheran, dhe Thomalsky mban aq sa mundet kontakt me rrjetin e saj iranian.

Barbara Helwing, drejtuese e Muzeut të Antikitetit pranë Lindjes së Afërt në Berlin, njëkohësisht parardhëse e Thomalskyt nga viti 2000-2014, është gjithashtu eksperte për Iranin. Për televizionin lokal gjerman RBB, Helwing tha se ishte në kontakt me kolegët e saj të Muzeut Kombëtar deri para pak ditësh, por më pas nuk ka pasur komunikim pasi regjimi i Iranit ka bllokuar internetin.  “Dimë që muzeu dhe dy ndërtesat e tij të mëdha pranë Ministrisë së Jashtme janë zbrazur”,  tha Helwing.

Thasët me rërë mbrojnë ekspozitat e rëndësishme 

Muzeu Kombëtar i Iranit nuk është vetëm më i vjetri por edhe më i rëndësishmi në vend. I përbërë nga dy ndërtesa të mëdha, në të gjenden më shumë se 300 mijë zbulime arekologjike nga periudha para-Islamike dhe Islamike, ku përfshihen shumë sende guri, qeramike, xhami dhe metalesh.

“Marrëdhënia me trashëgiminë kulturore në Iran është shumë e ngushtë” – thotë Helwing. Identiteti kulturor në Iran bazohet mbi një histori të gjatë dhe vetëdijen se e para perandori në histori, Perandoria Perse në lashtësi (rreth 550 deri në 330 para Krishtit), u krijua në Iran. Sipas Helwing, të gjitha sendet muzeale të lëvizshme, u transportuan nxitimthi në bodrume.

Artifaktet e palëvizshme, kryesisht sende guri, u mbuluan me thasë rëre për t’i mbrojtur ato nga sulmet. Në ndryshim nga Izraeli, Irani nuk ka bunkerë, as për njerëzit dhe as për thesaret artistike.

Mbrojtja e siteve arkeologjike, të cilat shpesh ndodhen në mjedise të hapura, ka rezultuar shumë më e vështirë. “Nuk mund të mbrohen. Thjesht duhet shpresuar që ato janë shumë larg shenjestrave të mundshme” – thekson Helwing.

Mbrojtja e Trashëgimisë Kulturore me ligje ndërkombëtare 

Izraeli ka aktualisht 9 site të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, ku përfshihen Qyteti i Bardhë i Tel Aviv, një lagje me shumë ndërtesa të stilit arkitekturor Bauhaus, kalaja Masada në majë të malit dhe Qyteti i Vjetër i Akre. “Në dijeninë tonë nuk ka pasur dëme të artifakteve arkeologjike, objekteve apo muzeve që janë nën menaxhimin e Autoritetit Izraelit të Antikitetit” – raportuan “Tehran Times” dhe Times of Israel”, duke cituar autoritetin përkatës.

Sitet e trashëgimisë botërore mbrohen zyrtarisht nga bashkësia ndërkombëtare. Konventa e Hagës e vitit 1954 parashikon mbrojtjen e siteve kultutore gjatë konflikteve të armatosura, ndërsa Konventa e Trashëgimisë Botërore e UNESCO-s siguron ruajtjen e pasurive kulturore midis kombeve./DW

Njohja e hapësirës ajrore shqiptare nga NATO, strategjike

By: b b
10 August 2025 at 15:54

Pak ditë më parë, Autoriteti i Aviacionit Civil i Shqipërisë është njohur nga NATO për vlefshmërinë ajrore.

Kreu i këtij autoriteti rendit disa nga avantazhet që vijnë nga kjo njohje, që nga rëndësia strategjike, por edhe niveli operacional në fushën ajrore.

“E para është auditi ndërkombëtar nga ICAO ku Autoriteti i Aviacionit Civil u vlerësua me 89% implementim efektiv të standardeve. E dyta është raporti i Komisionit Europian ku Shqipëria vlerësohet me risk të ulët për sa i përket operimeve. E treta është suporti dhe shtytja që ne i japim turizmit në vend.

E katërta është strategjikisht dhe politikisht arritja më e madhe, rritja e kapaciteteve të Shqipërisë dhe rritja e aseteve të NATO-s për vlefshmërinë e avionëve të saj për misionet e tyre”, tha Maksim Et’hemaj, drejtor ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil.

Vlefshmëria e kësaj njohjeje nga NATO është pa kushte, për aq kohë sa ruhen standardet e përcaktuara.

Shqipëria mbetet një partnere e rëndësishme e Aleancës së Atlantikut Verior, e sidomos në rajonin e Ballkanit Perëndimor për operacione të ndryshme strategjike.

Klan News

Tkurret ushtria e Koresë së Jugut, në gjashtë vitet e fundit ka pësuar rënie me 20%

By: e xh
10 August 2025 at 15:38

Ushtria e Koresë së Jugut është tkurrur me 20% në gjashtë vitet e fundit, kryesisht për shkak të një rënie të ndjeshme të numrit të meshkujve në moshën e rekrutimit për shërbim të detyrueshëm ushtarak, sipas një raporti të publikuar.

Kjo rënie po shkakton gjithashtu një mungesë të numrit të oficerëve dhe mund të rezultojë në vështirësi operacionale, tha ministria e mbrojtjes në raport.

Madhësia e ushtrisë së Koresë së Jugut ka rënë vazhdimisht që nga fillimi i viteve 2000, kur kishte rreth 690,000 ushtarë. Ritmi u përshpejtua gjatë fundit të viteve 2010 dhe tani ka rreth 450,000 trupa.

Sipas të dhënave, numri i të rinjve 20-vjeçarë në Korenë e Jugut ra me 30% midis viteve 2019 dhe 2025, në 230,000. Koreja e Jugut është një nga vendet me plakjen më të shpejtë në botë dhe ka shkallën më të ulët të fertilitetit në botë me 0.75 për vitin 2024. Popullsia e saj, e cila arriti një kulm prej 51.8 milionë në vitin 2020, pritet të tkurret në 36.2 milionë deri në vitin 2072.

Ushtria ka përmendur përmirësimin e aftësive si arsye kryesore për shkurtimin e periudhës së shërbimit, e mundësuar nga aleanca ushtarake me Shtetet e Bashkuara dhe zhvillimi i industrisë së mbrojtjes, e cila është bërë eksportuese e madhe armësh.

Meshkujt e aftë për shërbim shërbenin 36 muaj në vitin 1953, kur Lufta e Koresë përfundoi me armëpushim.

Buxheti i mbrojtjes së Koresë së Jugut, që në vitin 2025 do ta kalojë shumën 43.9 miliardë dollarë, është më i madh se madhësia e vlerësuar e gjithë ekonomisë së Koresë së Veriut.

Megjithatë, ushtrisë i mungojnë 50.000 trupa për të ruajtur gatishmërinë mbrojtëse. Rreth 21.000 prej kësaj mungese janë në radhët e nënoficerëve, tha Ministria.

Goditja e grupit të Çopjave/ GJKKO lë në burg 7 të arrestuarit, 1 në arrest shtëpie

By: e xh
10 August 2025 at 15:11

GJKKO ka konfirmuar masat e sigurisë për të arrestuarit në kuadër të operacionit të SPAK pak ditë më parë, ku u godit organizata kriminale e Çopjave, ku u sekuestruan 17 ton kokainë. 7 nga të arrestuarit mbeten në burg, njëri lihet në arrest shtëpiak. Dy të tjerët në detyrim paraqitje.

Arrest në burg:

  1. Ervis Çela
  2. Albin Çela alias Defrim Çela
  3. Petrit Lakatos alias Petrit Sulejmani
  4. Renato Musaku
  5. Gert Çerma
  6. Marenglen Kamami
  7. Elidon Çela

Arrest në shtëpi

  1. Riza Çela

Detyrim paraqitje

  1. Kujtim Gjyla
  2. Ditjon Pepa

Njoftimi i gjykatës:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 09.08.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve e nevojave të sigurimit, në respektim të nenit 248 të Kodit të Procedurës Penale, për personat nën hetim Ervis Çela, Albin Çela alias Defrim Çela, Riza Çela, Petrit Lakatos alias Petrit Sulejmani, Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami, Elidon Çela, Kujtim Gjyla dhe Ditjon Pepa. 2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, me vendimin Nr. 84, datë 10.08.2025 vendosi: 1. Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale caktuar ndaj personit nën hetim Ervis Ibrahim Çela me vendimin Nr. 82, datë 06.08.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. 2. Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale caktuar ndaj personit nën hetim Albin Çela alias Defrim Çela me vendimin Nr. 82, datë 06.08.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. 3. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” caktuar ndaj personit nën hetim Riza Çela me vendimin Nr. 82, datë 06.08.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale. 4. Detyrohet personi nën hetim Riza Çela të mos largohet nga banesa e tij me adresë: Ndërtesa nr. **, Hyrja nr. *, Njësia Administrative *****, fshati ****, ****. 5. Detyrimin e personit nën hetim Riza Çela, të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me të. 6. Zbatimi dhe mbikëqyrja e kësaj mase të bëhet nga oficerët e policisë gjyqësore që mbulojnë vendbanimin e personit nën hetim Riza Çela. 7. Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale caktuar ndaj personit nën hetim Petrit Lakatos alias Petrit Sulejmani me vendimin Nr. 82, datë 06.08.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. 8. Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Rruga “Jordan Misja” Nr.1, 1057 Tiranë; tel/fax 0035542231527; www.gjp.gov.al K.Pr.Penale caktuar ndaj personit nën hetim Renato Musaku me vendimin Nr. 82, datë 06.08.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. 9. Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale caktuar ndaj personit nën hetim Gert Çerma me vendimin Nr. 82, datë 06.08.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. 10. Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale caktuar ndaj personit nën hetim Marenglen Kamami me vendimin Nr. 82, datë 06.08.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. 11. Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale caktuar ndaj personit nën hetim Elidon Çela me vendimin Nr. 82, datë 06.08.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. 12. Vazhdimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Kujtim Gjyla me vendimin Nr. 82, datë 06.08.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. 13. Vazhdimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Ditjon Pepa me vendimin Nr. 82, datë 06.08.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. 14. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin. 15. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e marrjes dijeni për këtë vendim.

Kosovë/ Haxhiu: Dyshohet se gjyqtari Llaban është bashkëpunëtor i BIA-s serbe

By: e xh
10 August 2025 at 14:59

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se dielën se gjyqtari i pakicës serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Radomir Llaban, dyshohet se është “bashkëpunëtor i Agjencisë për Siguri dhe Informim të Serbisë, BIA”.

Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Haxhiu tha se dyshimet bazohen në informacionet që ajo ka nga institucionet e sigurisë së Kosovës.

Ajo tha se BIA serbe e “komprementoi dhe ia organizoi zhvendosjen në Kosovë Llabanit” pasi ai ishte dënuar me gjashtë vjetë burgim në Serbi në vitin 2011.

“Mënyra se si ai u largua nga Serbia është enigmë, por dihet se Serbia e ka ende aktiv fletarrestimin për Llabanin”, tha Haxhiu.

Ajo tha se Llabani “ka raporte shumë të afërta me kryeterroristin, Millan Radoiçiq”, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin e një grup serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku u vra një rreshter policor dhe tre sulmues.

“Falë këtyre marrëdhënieve, ai ka përfituar në prona të paluajtshme e punësim të familjarëve”, tha ajo.

“Me mjetet financiare dhe pasurinë e patundshme që merr edhe sot nga Serbia, Llaban paraqet kërcënim për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës”, tha ajo.

Kush është Radomir Llaban?

Radomir Llaban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.

Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretojë Llabanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.

Në vitin 2011, Llaban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.

Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Llabanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.

Radomir Llaban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.

Mandati i gjyqtarit Llaban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet.

Llaban është person i kërkuar në Serbi, pasi ka shmangur vuajtjen e një dënimi prej gjashtë vjetësh burgim, të shqiptuar si pjesë e të ashtuquajturës “mafia doganore” – një grup i përbërë nga persona të akuzuar për marrje dhe dhënie të ryshfetit, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim dokumentesh.

Emri i tij ndodhet në listën e të kërkuarve në Serbi që nga viti 2012 dhe në atë të Interpolit që nga viti 2014.

Llaban mori vëmendje pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – për shkak të Llabanit – e tërhoqi edhe kërkesën që në korrik ia kishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për të kërkuar sqarim lidhur me hapat e mëtejmë në rast se Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afat i caktuar më herët nga kjo gjykatë.

Si arsye për tërheqjen e kërkesës së saj, Osmani përmendi emërimin e gjyqtarit Llaban si gjyqtar raportues në këtë rast, duke e cilësuar një veprim të tillë si “shqetësues dhe të rrezikshëm”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha ditë më parë se Llaban u emërua më 2018 pasi i ishte nënshtruar “të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore”, për propozimin e tij nga Kuvendi i Kosovës dhe dekretimit nga presidenti i Kosovës.

Kushtetuesja tha se Llaban ka qenë i punësuar në gjykatën më të lartë të vendit nga viti 2011, fillimisht si këshilltar juridik, para se të emërohej gjyqtar më 9 gusht 2018.

Një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohen nga presidenti i Kosovës vetëm me propozimin e dy të tretave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dhe vetëm për kryerjen e krimeve të rënda ose për mospërfillje të rëndë të detyrave.

Haxhiu tha Prokuroria duhet “të nxjerrë aktvendim për fillim të hetimeve” ndaj Llabanit.

“Sot i bëjmë thirrje Prokurorisë që menjëherë t’i trajtojnë lëndët që ndërlidhen me Radomir Llabanin, që menjëherë të nxjerrin aktvendim për fillim të hetimeve nëse nuk e kanë bërë deri tash”, tha ajo.

Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

Në qershor, gjykata në Prishtinë dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).

Ekspertët kanë thënë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm.

Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare.

Haxhiu: Kushtetuesja i kaloi kompetencat e veta

Ministrja Haxhiu e komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila të enjten urdhëroi deputetët e Kuvendit të Kosovës ta zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditëve.

“Për mua njoftimi i Gjykatës Kushtetuese përbën shqetësim serioz, sepse është tejkalim flagrant i kompetencave që ka Gjykata Kushtetuese”, tha Haxhiu.

E pyetur nëse partia e saj, Lëvizja Vetëvendosje, do ta respektojë vendimin, Haxhiu tha: “Se cili do të jetë veprimi jonë pas këtij njoftimi, pas aktvendimit, do ta kuptoni kur të vijë koha. Në fakt unë nuk e di cilin ta respektoj tani, atë të vitit 2014, atë të para një muaji”.

“Natyrisht se vendimet e Kushtetues duhet të respektohen, por ato duhet të komentohen dhe të kundërshtohen siç po bëjmë sot këtu, pra nuk duhet të heshtim përballë të këtij tejkalimi flagrantë të kompetencave të Gjykatës Kushtetuese”, shtoi ai.

Vendimi është mirëpritur nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, por është kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.

Vetëvendosje e quajti vendimin arbitrar, Partia Demokratike e Kosovës, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cilësuan fitore kushtetuese e demokratike, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës foli për rrëzimin e diktatit.

Haxhiu është kandidate e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, por ajo ka dështuar të emërohet në votim të hapur, ndërsa edhe votimi i fshehtë për të është kundërshtuar nga deputetët prej se u thirr seanca konstituive më 15 prill, pas zgjedhjeve të shkurtit./REL

❌
❌