VLEN: Nga fillimi i mandatit kemi paguar mbi 9 miliardë denarë subvencione të papaguara për bujqit, kemi investuar për një bujqësi të fortë dhe të sigurt
Koalicioni VLEN ka numëruar sot të arriturat e kësaj qeverisje në sektorin e bujqësisë.
Sipas tyre, që nga fillimi i mandatit janë paguar mbi 9 miliardë denarë subvencione të papaguara dhe janë ndërmarrë disa masa për mbrojtjen e produkteve vendore.
Njoftimi i plotë:
Me lejoni që sot t’ju informoj për masat konkrete që kemi ndërmarrë në sektorin e bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë së ujërave – sektorë që përbëjnë shtyllën e jetës rurale dhe të sigurisë ushqimore në vend.
Subvencionet dhe pagesa direkte
Prej fillimit të mandatit tonë, janë paguar mbi 9 miliardë denarë subvencione të papaguara dhe aktuale për mbi 70.000 bujq, duke zhbllokuar vonesat që i kemi trashëguar dhe duke rikthyer besimin e bujqve tek shteti.
Kemi realizuar shumicën e masave dhe nënmasave të parashikuara në Programin vjetor të pagesave direkte, përfshirë:
– 2.43 miliardë denarë për prodhuesit e duhanit – subvencioni më i lartë ndonjëherë.
– 602 milionë denarë për lopët e shënuara (masë bazë dhe shtesë).
– 656 milionë denarë për prodhimin dhe dorëzimin e qumështit.
– 221 milionë denarë për delet e shënuara dhe 177 milionë denarë për qengjat e dorëzuar në thertore.
– 179 milionë denarë për bletarinë.
– 625 milionë denarë për kulturat bujqësore, përfshirë farën e certifikuar.
Masa ndërhyrëse për bujqit
Për të përballuar sfidat në treg, kemi miratuar masa ndërhyrëse si:
– 5 denarë për kg për prodhuesit e kumbullës.
– 3 denarë për kg për grurin e dorëzuar nga viti i kaluar.
– 6 denarë për kg për orizin e grumbulluar në vitin 2024.
– Rritje 100% e subvencioneve për elbin – nga 6.000 në 12.000 denarë për hektar.
Rritje rekord në çmimin e duhanit
Me përkrahje të drejtpërdrejtë dhe koordinim me blerësit e duhanit:
– Çmimi i blerjes u rrit nga 375 në 400 denarë/kg.
– Subvencioni u rrit nga 80 në 100 denarë/kg.
Kjo solli çmimin më të lartë historik për blerjen e duhanit dhe ndikoi në:
– Rritje prej 4.5 miliardë denarësh në çmimin eksportues.
– Zgjerim të sipërfaqeve të mbjella me duhan: nga 12.959 ha në vitin 2024, në 14.475 ha për vitin 2025.
Rritje e tregtisë bujqësore dhe kontraktimeve
Sipas Entit Shtetëror të Statistikës, kemi një rritje prej 5% në blerjen dhe shitjen e produkteve bujqësore në tremujorin e parë të vitit 2025 krahasuar me atë të 2024.
Janë lidhur mbi 2.100 kontrata për sipërfaqe prej 5.942 hektarësh.
Investime për bujqësinë moderne
Nga Programi për Zhvillim Rural, janë hapur thirrje publike për:
– Masa 112 – mbështetje për bujqit e rinj (18–40 vjeç), me grant 10.000 euro për nisje të aktivitetit bujqësor.
– Masa 121 – modernizimi i ekonomive bujqësore: për traktorë, mekanizëm ndihmës, sisteme ujitjeje dhe investime për prodhim vere, pijeve alkoolike dhe birrës me kapacitet të vogël.
Nga IPARD programi, janë shpallur thirrje për:
– Masa 7 – Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i bizneseve rurale, me fond 14 milionë euro.
– Masa 1 – Investime në asete themelore, me fond 7.4 milionë euro.
Po punojmë me intensitet për akreditimin e masave të reja të IPARD 3.
Ujërat, pylltaria dhe infrastruktura
Siguruam 250 milionë denarë për pagat në NP “Pyjet Kombëtare” dhe 100 milionë denarë për SHA “Ekonomia e Ujërave”, për të shlyer pagat e vonuara që i trashëguam nga qeveria e kaluar.
Investuam 132 milionë denarë shtesë për infrastrukturën e ujitjes, në gjithë territorin, përveç programit ekzistues mbi 7 milionë euro.
Me ndërmjetësim të drejtpërdrejtë të zëvendësministrit Albrim Hoxha, u zgjidh ngërçi për vazhdimin dhe përfundimin e projektit të sistemit të ujitjes në Kolibar – Cërvicë të Kërçovës, një projekt i rëndësishëm për bujqit dhe tokat e atij rajoni.
Mbështetje për institucionet shkencore dhe arsimin bujqësor
Janë ndarë 61.5 milionë denarë për:
– Institutin e Duhanit – Prilep,
– Institutin për Blegtori dhe Peshkim,
– Fakultetin për Shkencat Bujqësore dhe Universitetin e Tetovës.
Thjeshtim i procedurave dhe reforma ligjore
U thjeshtuan procedurat – bujqit tani dorëzojnë deklaratën e prodhimit vetëm një herë në vit për të përfituar subvencione.
U sollën ndryshime ligjore në:
– Ligjin për pyje,
– Ligjin për tokën bujqësore,
– Ligjin për gjahun dhe gjuetinë,
– Ligjin për fitofarmaci.
Po përgatisim një ligj të ri për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për të cilin tashmë është mbajtur debat publik.
Është kryer analizë e Strategjisë Kombëtare për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, dhe po përgatitet rishikimi i saj.
Policia pyjore dhe mbështetja për shoqatat
U pranua kërkesa e sindikatës së pavarur për njohjen e stazhit të beneficuar për pjesëtarët e policisë pyjore – kjo do të hyjë shumë shpejt në fuqi.
Në vitin 2025 janë mbështetur 54 shoqata me gjithsej 10.9 milionë denarë për panaire dhe aktivitete promovuese në zonat rurale.
Të nderuar qytetarë,
Këto nuk janë vetëm shifra. Janë ndryshime reale në jetën e bujqve, fermerëve, punëtorëve pyjorë dhe gjithë atyre që jetojnë dhe punojnë në fshat.
Si Koalicion VLEN, kjo periudhë flet vetë: kemi qenë pranë bujqve shqiptarë.
Gjatë kësaj kohe kemi dëshmuar me vepra përkushtimin tonë ndaj zhvillimit të bujqësisë dhe mbështetjes së bujqve shqiptarë. Kemi rritur subvencionet, kemi mbështetur fermerët e vegjël dhe kemi hapur mundësi të reja për investime në sektorin rural.
Angazhimi ynë ka qenë i qartë: një bujqësi më e fortë, më moderne dhe më e drejtë për të gjithë.
The post VLEN: Nga fillimi i mandatit kemi paguar mbi 9 miliardë denarë subvencione të papaguara për bujqit, kemi investuar për një bujqësi të fortë dhe të sigurt appeared first on Telegrafi.