Prokuroria e Fierit ka dhënë pretencën për 3 personat e akuzuar, Albi Mecini, Ervis Cukali dhe Arafat Manërkolli, se po transportonin një sasi prej më shumë se 21 kg lëndë plasëse në qytetin e Fierit.
Ata akuzohen për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, ndërsa në momentin e kapjes me lëndë eksplozive policia informoi se kishte dyshime se do të kryenin atentat.
Prokuroria ka kërkuar dënimin me 18 vite burgim për Albi Mecinin, i cili përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe nëse dënohet nga gjykata do qëndrojë pas hekurave 12 vite.
Për Ervis Cukali, Prokuroria kërkoi dënimin me 14 vite burgim. Ai përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe nëse dënohet nga gjykata do qëndrojë pas hekurave 9.4 vite.
I njëjti dënim si për Ervis Cukalin u kërkua edhe për Arafat Manërkolli, i cili do qëndrojë pas hekurave 9.4 vite nëse dënohet.
“Nga hetimi dhe gjykimi i këtij procedimi penal rezultoi e provuar se, të pandehurit A.M., Ar.M. dhe E.C., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datë 28 Gusht 2023 kanë poseduar dhe transportuar 21 kg e 265 gr lëndë eksplozive në qytetin e Fierit”, informoi Prokuroria.
Prokuroria pranë Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, kërkon dënimin me 14 deri në 15 vite burgim për secilin prej tre shtetasve A.M., Ar.M. dhe E.C., të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin tentuan të transportonin 21 kg e 265 gr lëndë eksplozive në qytetin e Fierit dy vite më parë.
Shtetasit në fjalë, janë hetuar e gjykuar në kuadër të procedimit penal nr.1070, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, parashikuar nga nenet 278/7 dhe 236/2 të Kodit Penal.
Nga hetimi dhe gjykimi i këtij procedimi penal rezultoi e provuar se, të pandehurit A.M., Ar.M. dhe E.C., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datë 28.09.2023 kanë poseduar dhe transportuar 21 kg e 265 gr lëndë eksplozive në qytetin e Fierit.
Në diskutimet përfundimtare Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier kërkoi:
– Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin e tij me 9 vjet e 4 muaj burgim.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që kryejnë vepra penale në fushën e narkotikëve, si dhe që gjatë ushtrimit të detyrës kryejnë veprime në kundërshtim me ligjin.
Kujtojmë që Ervis Cukali është arrestuar nga policia në Sarandë gjatë një aksioni policor në lagjen nr.1 të qytetit mbrëmjen e 12 Korrikut teksa udhëtonte në automjet me Endri Dokun dhe Imer Gegën.
Gjatë veprimeve, njëri prej tyre, 27-vjeçari Endri Doku, tentoi të largohej duke u hedhur në det, së bashku me çantën ku ndodhej arma e zjarrit.
Në ndihmë të efektivëve kanë ardhur Policia Kufitare që ndodhej në patrullim në afërsi me mjetin e tyre lundrues, duke bërë të mundur kapjen në det të të riut nga Kamza.
Gjithashtu, efektivët gjetën çantën me armën që 27-vjeçari Endri Doku tentoi të fshihte duke e hedhur në det.
Albi Mëcini nga Kamza, i cili dyshohet se është një ndër autorët e rrëmbimit të Leonard Theodhorit dhe Fatmir Sulovarit në Sarandë, u kap në flagrancë me dy çanta brenda të cilave kishte eksploziv të montuara me celular për shpërthim në distancë.
Po ashtu policia njoftoi se kishte shpallur në kërkim dhe bashkëpuntorë të tjerë të 29-vjeçarit që ishin bërë gati për të kryer një vrasje, Ervis Cukali, Sebastian Lataj dhe Arafat Manërkolli.
Dërgimi për gjykim nga Prokuroria
Transportonin 21 kg lëndë eksplozive, Prokuroria Fier dërgon për gjykim tre shtetasit A.M, E.C dhe A.M
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq tre shtetasit A.M., E.C., dhe A.M. për ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit’ e kryer në bashkëpunim dhe në sasi të mëdha, parashikuar nga neni 278/6 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.1070, i kryer në bashkëpunim me policinë gjyqësore, rezultoi se shtetasi A.M u kap nga policia gjyqësore në flagrancë në fshatin Vajkan, të qarkut Fier, ku kishte lënë mjetin e tij pranë lëndës eksplozive, në një rrugë dytësore pranë rrethrrotullimit përballë qëndrës “Viva” në rrugën për tek vendi i quajtur “Safari”. Ndërkohë që bashkëpunëtorët e tjerë ishin duke u afruar pranë tij me një mjet tjetër pa targa, i trafikuar dhe me shasi të falsifikuar, brenda të cilës u sekuestruan 3 bidona me lëndë djegëse benzinë.
Nga hetimet rezultoi se të tre të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetërin, më datë 28.09.2023 kanë poseduar dhe trasportuar lëndën eksplozive prej 21 kilogram e 265 gram në qytetin e Fierit. Të pandehurit, janë të dënuar më parë dhe dyshohet se janë përfshirë në ngjarje të rënda.
Pas kryerjes së veprime të plota, organi i akuzës ka arritur të provojë se të pandehurit kanë konsumuar plotësisht veprat penale për të cilën akuzohet dhe për këtë shkak ka përpiluar kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike.
Albi Mecini nga Kamza u kap me dy çanta brenda të cilave kishte eksploziv të montuara me celular për shpërthim në distancë. Përmes inteligjencës informative, blutë kishin të dhëna se do të kryhej një atentat me tritol ndaj një personi me rekorde kriminale që ushtron aktivitetin e tij në Fier, identitetin e të cilit policia nuk e tregoi për shkak të hetimeve.
Gjatë kontrollit policia gjeti dhe një tjetër automjet, brenda të cilit ishin 3 bidonë me benzinë dhe dy karta ID, të Arafat Manërkollit, 28 vjeç, nga Dibra, dhe Ervis Cukalin, 26 vjeç, nga Tirana.
Mendohet se makina ku u gjetën bidonët me benzinë do të përdorej për të asgjësuar gjurmët pas atentatit që u parandalua.
30-vjeçari dyshohet se së bashku me një person tjetër rrëmbyen Leonard Theodhorin, i njohur si Koçole, dhe Fatmir Sulovarin në Sarandë në prill të 2023 për llogari të një grupi kriminal.
Pak javë pas zhdukjeve së tyre, policia zbuloi 3 automjete në një vilë që autorët e dyshuar kishin marrë me qira në Nivicë. Në njërën prej tyre janë përftuar profile ADN-je të Albi Mecinit.
Ndërkohë, policia zbuloi se ka emrin e një tjetër të dyshuari që mund të fshihet pas rrëmbimeve, Sebastjan Lataj, 26 vjeç, gjithashtu nga Kamza.
Gjithashtu, 29-vjeçari Albi Mecini rezulton me precedent të theksuar kriminal edhe jashtë shtetit, në Angli dhe Francë, për trafikim droge dhe krime kundër personit.
Albi Mecini njihet dhe si miku i ngushtë i Admir Tafilit dhe është akuzuar nga Prokuroria e Korçës si bashkëpunëtor për arratisjen e Tafilit dhe 6 personave të tjerë nga burgu i Drenovës mbrëmjen e 23 Nëntorit 2013.
The post U kap me lëndë plasëse, Prokuroria e Fierit kërkon dënimin me 30.8 vite burg të krahut të djathtë të Admir Tafilit first appeared on JavaNews.al.