Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 August 2025Main stream

“Guardian”: Vala vdekjeprurëse e të nxehtit nxit zjarret në Mesdhe

13 August 2025 at 15:40

MADRID, 13 gusht /ATSH/ – Vala vdekjeprurëse e të nxehtit që po nxit zjarret në rajonin e Mesdheut ka marrë të paktën tre jetë dhe ka detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, sipas “The Guardan”.

Zjarrfikësit vazhdojnë sot të luftojnë me flakët, ndërkohë, që  autoritetet po përgatitën për dëme të tjera, pasi temperaturat në disa zona u rritën ndjeshëm mbi 40°Celcius.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se vala e të nxehtit që po prek pjesë të mëdha të Evropës po krijon kushte ideale për zjarre dhe është një tjetër kujtesë për emergjencën klimatike.

“Falë ndryshimeve klimatike, ne tani jetojmë në një botë dukshëm më të ngrohtë”, tha Akshay Deoras, studiues në departamentin e meteorologjisë të Universitetit të Reading, duke shtuar se “shumë ende e nënvlerësojnë rrezikun”.

Zjarri në “Tres Cantos”, pranë Madridit, i nxitur nga erëra prej 70 km/h dhe që ka përpirë 1 000 hektarë tokë, ende nuk ishte nën kontroll dje në mbrëmje, kur priteshin sërish erëra të forta.  /Ad.Ab./

 

 

The post “Guardian”: Vala vdekjeprurëse e të nxehtit nxit zjarret në Mesdhe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BULLGARI – Ekipet e shpëtimit përballen me zjarret në malin Pirin  

13 August 2025 at 14:47

SOFJE, 13 gusht /ATSH-BTA/ – Operacionet e shuarjes së zjarrit në malin Pirin në Bullgari po vazhdojnë edhe sot, ku ekipet e shpëtimit po përpiqen të frenojnë flakët që tashmë kanë arritur kufijtë e parkut kombëtar dhe kanë dëmtuar midis 4 dhe 6 hektarë territor të mbrojtur.

Ekspertët e mjedisit paralajmërojnë se humbjet e biodiversitetin mund të jenë të pakthyeshme.

Situata mbetet e vështirë dhe shumë dinamike. Zjarri është përhapur në zona malore të vështira për t’u arritur, ku dhjetëra roje pyjore, zjarrfikës ushtarakë dhe vullnetarë të trajnuar po punojnë në terren. Kushtet janë të vështira, pasi terreni e komplikon operacionin.

Pritet që sot të përdoret ndihma nga ajri për të mbështetur ekipet e shpëtimit. Pasditen e djeshme, erërat e forta e kthyen zjarrin nga një djegie në nivel toke në një zjarr kurorash, duke prodhuar tym të dendur që detyroi evakuimin emergjent të personelit nga zona e prekur.

Aktualisht, zjarri është kthyer në një gjendje me intensitet të ulët dhe nuk pritet të përhapet më tej.

Sipas vlerësimeve fillestare, sipërfaqja e djegur brenda parkut përfshin 4-6 hektarë.

“Përpjekjet për shuarjen e zjarrit mbi fshatin Ilindenci vazhdojnë pasi flakët janë rindezur në zonë. Për arsye sigurie, ekipet tokësore janë tërhequr”, tha Valentin Vassilev, shefi i zjarrfikësve të Blagoevgradit. /Ad.Ab./

 

The post BULLGARI – Ekipet e shpëtimit përballen me zjarret në malin Pirin   appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Zelensky: Moska nuk tregon gatishmëri për paqe para samitit në Alaskë

13 August 2025 at 13:44

KIEV, 13 gusht /ATSH – DPA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Moska nuk po tregon asnjë gatishmëri për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke u bërë thirrje Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të Kievit të shtojnë presionin ndaj Rusisë para samitit SHBA-Rusi që do të zhvillohet këtë javë.

“Kjo luftë duhet të marrë fund. Duhet ushtruar presion mbi Rusinë për një paqe të drejtë”, shkroi Zelensky sot në Telegram. Ai theksoi se Ukraina, Evropa dhe SHBA –ja duhet të veprojnë së bashku për ta detyruar Moskën të negociojë.

Zelensky pritej të merrte pjesë në Berlin në bisedime me video të organizuara nga kancelari gjerman Friedrich Merz. Pjesëmarrës janë liderë evropianë dhe presidenti amerikan Donald Trump.

Qëllimi, sipas zyrtarëve në Berlin, është të bëhet e qartë se asnjë vendim që prek Ukrainën nuk do të merret nga SHBA-ja dhe Rusia pa pëlqimin e Kievit.

Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin janë planifikuar të takohen të premten në Anchorage, Alaska, për të diskutuar mënyrat për t’i dhënë fund luftës. /Ad.Ab./

The post UKRAINË – Zelensky: Moska nuk tregon gatishmëri për paqe para samitit në Alaskë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BEOGRAD- Përleshje në protestat antiqeveritare në Serbi, dhjetëra të plagosur

13 August 2025 at 12:58

BEOGRAD, 13 gusht /ATSh-DPA/ — Përleshjet kanë shpërthyer në Serbi mes kundërshtarëve dhe mbështetësve të qeverisë, duke shënuar një përshkallëzim të tensioneve pas më shumë se nëntë muajsh protestash të vazhdueshme kundër presidentit populist Aleksandar Vuçiq, sipas “Ap”-së.

Incidentet nisë mbrëmë në qytetin Vrbas, në veriperëndim të kryeqytetit Beograd, ku policia e  shpërndau protestuesit e dy kampeve kundërshtare përpara zyrave të Partisë Progresive Serbe në pushtet.

Pamjet filmike nga vendi i ngjarjes treguan mbështetës të qeverisë duke hedhur fishekzjarrë, gurë dhe shishe ndaj protestuesve, të cilët hodhën mbrapsht objekte të ndryshme. Policia tha se dhjetëra persona u plagosën, përfshirë 16 policë. Incidente të ngjashme u raportuan edhe në protesta në zona të tjera të vendit.

Protestat e udhëhequra nga studentët në Serbi nisën në nëntor, pas shembjes së çatisë së një stacioni treni në qytetin verior të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona, duke nxitur akuza për korrupsion në projektet infrastrukturore shtetërore. /Ad.Ab./

The post BEOGRAD- Përleshje në protestat antiqeveritare në Serbi, dhjetëra të plagosur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Britania e Madhe përjeton temperatura mbi 34 gradë Celsius

13 August 2025 at 12:28

LONDËR, 13 gusht /ATSH-DPA/ – Vala e katërt e të nxehtit për këtë verë përfshiu sot Britaninë e Madhe me temperatura që priten të arrijnë deri në 34 gradë Celsius në disa pjesë të Anglisë.

Një paralajmërim për valën e të nxehtit eshtë për West Midlands, East Midlands, South East, Londër dhe zonën lindore të  Anglisë  me temperatura mbi 34 gradë Celcius.

Dita më e nxehtë ndonjëherë e gushtitit ka qenë 38,5 gradë në Faversham, Kent, më 10 gusht 2003, ndërsa dita më e nxehtë e vitit 2025 deri tani ishte 35,8 gradë, gjithashtu në Faversham, më 1 korrik.

“Dita e sotme  do të jetë kryesisht e thatë me diell shumë të ngrohtë ose të nxehtë, por do të ketë reshje, veçanërisht në jug-lindje gjatë pasdites dhe disa edhe në Skoci, që mund të jenë të forta dhe me bubullima”, tha meteorologu Marco Petagna nga “Met Office”.

“Do të jetë një ditë tjetër e nxehtë me temperatura maksimale 33-34°Celcius, më të larta në Lincolnshire dhe Yorkshire”.

Paul Coleman, konsulent i shëndetit publik në UKHSA, tha se “temperaturat parashikohet të kalojnë 30°Celcius në pjesët qendrore dhe jugore të vendit gjatë ditëve në vijim, dhe moti i nxehtë pritet në shumicën e rajoneve të Anglisë.

Këto temperatura mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, veçanërisht tek të moshuarit ose personat me sëmundje serioze, prandaj është e rëndësishme që të gjithë të marrin masa të arsyeshme mbrojtjeje gjatë qëndrimit në diell”.

Zyrtarët paralajmërojnë se vendi po përballet me mungesa të ujit “me rëndësi kombëtare” pavarësisht reshjeve në korrik.

Britania  po përjeton ndikime të gjera mjedisore dhe bujqësore nga mungesa e ujit, duke ndikuar në rendimentin e kulturave, uljen e ushqimit për bagëtinë, dëmtimin e zonave të lagështa dhe të jetës së lumit, si dhe rritjen e zjarreve të egra. /Ad.Ab./

The post METEO – Britania e Madhe përjeton temperatura mbi 34 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Gjermania përshihet nga vala e të nxehtit, temperaturat mbi 38 gradë Celsius

13 August 2025 at 10:38

BERLIN, 13 gusht /ATSH-DPA/ – Gjermania po përballet sot me një valë të nxehti, me temperatura që po shkojnë mbi 30 gradë Celsius në pjesën më të madhe të vendit.

Shërbimi meteorologjik gjerman (DWD) parashikon temperatura maksimale rreth 37 gradë, me përjashtim të bregdetit verior ku pritet të jetë disi më freskët. Vala e të nxehtit pritet të intensifikohet  nesër, duke arritur deri në 38 gradë.

Landi jugperëndimor i Baden-Württemberg regjistroi disa nga temperaturat më të larta, me 35,4 gradë pranë kufirit me Francën. Meteorologët theksuan se kulmi i valës së të nxehtit ende nuk ka ardhur.

“DWD” – ja ka paralajmëruar për “të nxehtë intensiv” që do të zhvendoset  sot në veri të Gjermanisë dhe  do të përhapet më tej në rajonet lindore.

Këto temperatura ekstreme paraqesin rreziqe serioze për shëndetin, veçanërisht për të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe punëtorët pa akses në ambiente me ajër të kondicionuar.

Ekspertët thonë se shumë spitale dhe shtëpi kujdesi në Gjermani nuk janë të pajisura siç duhet për t’u përballur me të nxehtin.

Henriette Neumeyer, nënkryetare e Federatës Gjermane të Spitaleve (DKG), i tha grupit mediatik “RND” se shumica e spitaleve nuk kanë sisteme të plota ajri të kondicionuar për shkak të viteve të mospërkujdesjes në investime.

Federata e Spitaleve po kërkon një program investimi shumëvjeçar prej 31 miliardë eurosh (36.2 miliardë dollarë) për të rinovuar spitalet me teknologji miqësore me klimën. /Ad.Ab./

The post METEO – Gjermania përshihet nga vala e të nxehtit, temperaturat mbi 38 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 12 August 2025Main stream

BRUKSEL- Hungaria kundër deklaratës së BE-së për paqen në Ukrainë

12 August 2025 at 14:26

BRUKSEL, 12 gusht /ATSH-DPA/ – Hungaria ka refuzuar të mbështesë një deklaratë të përbashkët të 26 vendeve të tjera anëtare të BE-së, e cila mirëpriste përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, përpara takimit të tij me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë.

Deklarata, e lëshuar sot  nga udhëheqësit e BE-së, theksonte se kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë dhe se çdo “paqë e drejtë dhe e qëndrueshme” duhet të respektojë ligjin ndërkombëtar, përfshirë parimet e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial.

“Hungaria nuk e bashkangjit veten me këtë deklaratë”, përfundonte teksti.

Kryeministri hungarez Viktor Orban e justifikoi vendimin në një postim në Facebook, duke argumentuar se deklarata përpiqej të “vendoste kushte për bisedime ku politikanët kryesorë të BE-së as nuk ishin ftuar”.

Ai shtoi se ishte “mjaft e trishtueshme që BE-ja është lënë mënjanë” dhe se “mund të bëhet edhe më keq nëse ne japim udhëzime nga jashtë”.

Qeveria e djathtë e Orban-it kundërshton ndihmën ushtarake të BE-së për Ukrainën, duke thënë se ajo vetëm po zgjat konfliktin, dhe ka kritikuar sanksionet ndaj Rusisë si joefektive dhe të dëmshme për ekonominë e Europës.

Kryeministri ka kërkuar më parë heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj disa individëve rusë.

Deklarata e BE-së rikonfirmoi mbështetjen për të drejtën e Ukrainës për të vendosur vetë të ardhmen e saj, duke theksuar se negociatat kuptimplota janë të mundshme vetëm në kushtet e një armëpushimi ose uljeje të armiqësive. /Ad.Ab./

 

The post BRUKSEL- Hungaria kundër deklaratës së BE-së për paqen në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Madonna i bën thirrje Papës të vizitojë Gazën

12 August 2025 at 13:47

NJU JORK, 12 gusht /ATSH-DPA/ – Ikona e muzikës Pop, Madonna, i ka bërë thirrje Papa Leone XIV të vizitojë Rripin e Gazës, i cili ndodhet nën bllokadën izraelite, mes një krize urie që ka shkaktuar një indinjatë ndërkombëtare.

“Ju jeni i vetmi të cilit nuk mund t’i ndalohet hyrja”, shkroi këngëtarja amerikane në platformën X.

“Ne kemi nevojë që portat njerëzore të hapen plotësisht për të shpëtuar këta fëmijë të pafajshëm. Nuk ka më kohë”, shtoi ajo.

Në  25-vjetorin e lindjes së djalit të saj, Rocco Ritchie, Madonna njoftoi gjithashtu se do të dhuronte fonde për organizatat humanitare që punojnë në Gazë.

“Mendoj se dhurata më e mirë që mund t’i jap atij si Nënë është t’i kërkoj të gjithëve të bëjnë çfarë munden për të shpëtuar fëmijët e pafajshëm në Gaza”, shkroi ajo.

Një agjenci e Kombeve të Bashkuara tha javën e kaluar se kequshqyerja tek fëmijët në Gazë ka arritur nivelet më të larta.

Sipas zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), vetëm gjatë muajit korrik, rreth 12 000 fëmijë nën moshën 5-vjeçare ishin të kequshqyer – ndërsa 2 500 të tjerë vuanin nga kequshqyerja akute, forma më kërcënuese për jetën.

Izraeli kontrollon rrugët hyrëse në Gazë dhe e ka bllokuar zonën bregdetare.

Nën presionin ndërkombëtar, Izraeli së fundmi ka filluar të lejojë më shumë autokolona me ndihma në territor, ndërsa disa vende kanë hedhur nga ajri pako me ndihma.

Të dielën, grupi irlandez i muzikës “U2” kritikoi ashpër veprimet e qeverisë izraelite.

“E dimë që Hamasi po përdor urinë si armë në luftë, por tani e njëjta gjë po ndodh edhe nga Izraeli dhe unë ndiej neveri për këtë dështim moral”, shkroi këngëtari Bono Vox. /Ad.Ab./

The post Madonna i bën thirrje Papës të vizitojë Gazën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

STUDIM – Demenca tek macet zhvillohet njësoj si Alzheimeri tek njerëzit

12 August 2025 at 13:28

LONDËR, 12 gusht /ASH-DPA/ – Maceve u zhvillohet demenca në mënyrë të ngjashme me njerëzit që vuajnë nga sëmundja e Alzheimerit, gjë që ka rritur shpresat për një përparim në kërkime, sipas shkencëtarëve.

Ekspertë nga Universiteti i Edinburgut kryen ekzaminime post-mortem të trurit të 25 maceve që kishin treguar shenja të demencës gjatë jetës, si konfuzion, çrregullime të gjumit dhe rritje të vokalizimit, me synim gjetjen e trajtimeve të reja për njerëzit.Më parë, studiuesit kishin përdorur brejtës të modifikuar gjenetikisht, megjithëse kjo specie nuk zhvillon natyrshëm demencë.

Tek truri i maceve me demencë u gjet grumbullim i proteinës toksike amiloid-beta, një nga shenjat dalluese të Alzheimerit, duke u cilësuar nga shkencëtarët si një “model natyral perfekt për Alzheimerin” për shkak të ngjashmërive të mëdha.

Pamjet nga mikroskopia treguan grumbullime të amiloid-betës brenda sinapseve të maceve më të vjetra dhe atyre me demencë. Shkencëtarët shpresojnë se këto zbulime do të ndihmojnë në kuptimin e mënyrës se si amiloid-beta çon në çrregullim kognitiv dhe humbje të kujtesës, duke ofruar një model të vlefshëm për studimin e demencës tek njerëzit.

Sinapset lejojnë transmetimin e mesazheve midis qelizave nervore dhe humbja e tyre shkakton rënie të kujtesës dhe aftësive mendore tek pacientët me Alzheimer. Studiuesit gjetën prova se qelizat mbështetëse të trurit, astrocitet dhe microglia, përfshijnë sinapset e prekura, një proces i njohur si “krasitje sinaptike”, i cili është i rëndësishëm gjatë zhvillimit të trurit, por që ndikon negativisht në demencë.

Ekspertët besojnë se këto zbulime mund të çojnë në zhvillimin e trajtimeve të reja për Alzheimerin, si dhe të ndihmojnë në kuptimin dhe menaxhimin e demencës tek macet.

“Demenca është një sëmundje shkatërruese, qofshin njerëz, mace apo qen. Zbulimet tona theksojnë ngjashmëritë e habitshme mes demencës së maceve dhe Alzheimerit tek njerëzit. Kjo hap mundësinë të shohim nëse trajtimet premtuese për Alzheimerin tek njerëzit mund të ndihmojnë edhe kafshët tona të moshuara”, tha Robert McGeachan, drejtues i studimit nga Royal  School of Veterinary Studies në Universitetin e Edinburgut

Ai shtoi se, për shkak se macet zhvillojnë natyrshëm këto ndryshime në tru, ato mund të ofrojnë një model më të saktë të sëmundjes sesa kafshët tradicionale të laboratorit, duke përfituar kështu si njerëzit ashtu edhe kafshët shtëpiake dhe kujdestarët e tyre. /Ad.Ab./

The post STUDIM – Demenca tek macet zhvillohet njësoj si Alzheimeri tek njerëzit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Franca në gatishmëri të lartë, ndërsa temperaturat arrijnë mbi 40 gradë Celsius

12 August 2025 at 12:32

PARIS, 12 gusht  /ATSH-DPA/ – Vala e të nxehtit me temperatura mbi 40 gradë Celsius ka vënë Francën në gjendje të lartë gatishmërie.

Shërbimi kombëtar i motit, “Meteo France”, u ka bërë thirrje sot  banorëve në pjesën më të madhe të vendit që të tregojnë kujdes të jashtëzakonshëm.

Katërmbëdhjetë departamente administrative janë vendosur në nivelin më të lartë të alarmit për të menaxhuar këtë valë të nxehti

Ministrja e Shëndetësisë, Catherine Vautrin, tha se spitalet janë vënë në gatishmëri për të pranuar pacientë të mundshëm për shkak të temperaturave ekstreme, ndërkohë që kushtet atmosferike kanë shkaktuar rritje të niveleve të ozonit dhe përkeqësim të cilësisë së ajrit në qytete.

Për të ndihmuar qytetarët të freskohen, qyteti i Lion ka mbajtur një park hapur gjatë gjithë natës, duke u lejuar njerëzve të flenë jashtë, ndërsa disa muzeume me ajër të kondicionuar kanë hapur dyert falas për publikun.

Hapësirat publike, përfshirë metronë e Parisit, po shfaqin njoftime që i inkurajojnë njerëzit të pijnë mjaftueshëm lëngje dhe të mbrohen nga dielli.

Ndërkohë, rreziku i zjarreve mbetet jashtëzakonisht i lartë për shkak të temperaturave dhe thatësirës.

Gjatë fundjavës së kaluar, zjarrfikësit arritën të vendosin nën kontroll zjarrin më të madh ndër dekada, i cili përfshiu  jugun e vendit. /Ad.Ab./

The post METEO – Franca në gatishmëri të lartë, ndërsa temperaturat arrijnë mbi 40 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPORT – Ronaldo fejohet me partneren afatgjatë Georgina Rodriguez

12 August 2025 at 10:42

LONDËR, 12 gusht  /TSH-DPA/ – Cristiano Ronaldo ka shpallur fejesën me partneren e tij afatgjatë Georgina Rodriguez, pas nëntë vitesh së bashku.

Rodriguez, 31 vjeçe, ndau lajmin mbrëmë në Instagram me një fotografi ku shfaqej një unazë e madhe diamanti në gishtin e saj, duke prekur dorën e yllit të futbollit portugez, 40 vjeç.

Ajo e shoqëroi imazhin me mbishkrimin: “Po, pranoj. Në këtë dhe në të gjitha jetët e mi”.

Çifti kanë dy vajza së bashku, Alana, 7 vjeçe, dhe Bella, 3 vjeçe, ndërsa binjaku i Bellës, Angel, vdiq gjatë lindjes.

Rodriguez gjithashtu ka ndihmuar në rritjen e tre fëmijëve të tjerë të Ronaldos,  Cristiano Jr, 15 vjeç, dhe binjakëve Mateo dhe Eva Maria, të dy 8 vjeç.

Ata u njohën në vitin 2016, kur Rodriguez punonte në një dyqan “Gucci” në Madrid.

Familja tani jeton në Riad, ku Ronaldo luan për ekipin saudit “Al-Nassr”.  Rodriguez e publikoi lajmin e fejesës nga kryeqyteti saudit./Ad.Ab./

The post SPORT – Ronaldo fejohet me partneren afatgjatë Georgina Rodriguez appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON- Trump:  Nuk do të bëj një marrëveshje me Putinin

12 August 2025 at 10:04

UASHINGTON, 12 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk synon një marrëveshje mbi luftën në Ukrainë nga takimi i ardhshëm me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Nuk do të bëj një marrëveshje”, tha ai mbrëmë në një konferencë shtypi në Uashington. “Nuk më takon mua të bëj një marrëveshje. Mendoj se duhet të bëhet një marrëveshje për të dy palët”, tha Trump.

Ai tha se do të donte të shihte një armëpushim dhe marrëveshjen më të mirë të mundshme që mund të arrihej për të dyja palët.

Presidenti Trump gjithashtu tha se dëshironte që Putini dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të takoheshin pas samitit të ardhshëm të së premtes.

“Takimi tjetër do të jetë, Zelensky me Putin, ose Zelensky,  Putin dhe unë. Unë do të jem aty nëse kanë nevojë, por dua të organizoj një takim mes dy liderëve”, tha Trump.

Presidenti amerikan  tha se do të telefononte presidentin Zelensky dhe liderët evropianë “menjëherë pas takimit” me presidentin rus. /Ad.Ab./

 

The post UASHINGTON- Trump:  Nuk do të bëj një marrëveshje me Putinin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

PAKISTAN – Shtatë të vdekur nga përmbytjet në veri të vendit

11 August 2025 at 16:03

ISLAMABAD, 11 gusht /ATSH-DPA/ – Të paktën shtatë persona humbën sot jetën nga përmbytjet e rrëmbyeshme në Pakistanin verior, tha një zyrtar, në një tjetër fatkeqësi që goditi rajonin e Himalajeve mes ndikimeve në rritje të ndryshimeve klimatike.

Viktimat ishin vullnetarë që punonin për të restauruar një kanal uji në një luginë malore në rajonin Gilgit-Baltistan kur pati përmbytje uji pas shpërthimit të një liqeni akullnajor, tha zyrtari lokal i shpëtimit Tahir Shah.

“Të paktën gjashtë të tjerë u plagosën dhe po marrin trajtim në spital”, shtoi ai.

Përmbytjet bllokuan një autostradë që lidh Pakistanin me Kinën fqinje dhe i prenë disa fshatra malore nga rrugët e furnizimit, sipas një zyrtari tjetër, Islam Uddin.

Ekipet e shpëtimit po përpiqen të arrijnë mijëra njerëz të bllokuar në fshatra të largëta ku bashkohen vargmalet Karakoram dhe Himalaje, tha Haroon Gull nga agjencia e fatkeqësive. /Ad.Ab./

The post PAKISTAN – Shtatë të vdekur nga përmbytjet në veri të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – Zjarrfikësit luftojnë me “vorbullat  e zjarrit” në veri të vendit

11 August 2025 at 15:55

MADRID, 11 gusht /ATSH/ – Nxehtësia ekstreme dhe erërat e forta shkaktuan zjarre  të fuqishme duke detyruar evakuimin e qindra njerëzve pranë një parku kombëtar trashëgimi e UNESCO -s në veri të Spanjës, thanë  sot autoritetet , sipas Reuters.

Tetëmbëdhjetë zjarre shpërthyen në veri të rajonit Kastili dhe Leon, ku rreth 700 banorë u urdhëruan të braktisin shtëpitë e tyre në gjashtë fshatra.

”Katër zjarre vazhdojnë të jenë ende aktive”, tha Juan Carlos Suarez-Quinones, kreu i ambientit për qeverinë rajonale.

Zjarrfikësit kishin shuar nëntë vatra të tjera zjarri.

Zjarret  shpërthyen pranë parkut “Las Medulas”, duke detyruar zjarrfikësit të tërhiqeshin dhe duke djegur disa shtëpi në fshatin përreth, sipas Suarez-Quinones.

Zjarrfikësit po luftojnë edhe me zjarre në Navara në verilindje të Spanjës dhe në Huelva në jugperëndim, thanë autoritetet. /Ad.Ab./

The post SPANJË – Zjarrfikësit luftojnë me “vorbullat  e zjarrit” në veri të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Gjermania përgatitet për një valë të nxehti me temperatura rreth 40 gradë

11 August 2025 at 15:42

FRANKFURT, 11 gusht /ATSH-DPA/ – Gjermania po përgatitet për një valë të nxehti me parashikimet që paralajmërojnë se temperaturat mund të arrijnë rreth 40 gradë Celsius deri në mesin e javës.

Shërbimi Gjerman i Motit (DWD) njoftoi se i nxehti do të shtohet gradualisht, përpara se të mbërrijnë shirat në fund të javës, duke sjellë njëfarë freskimi.

DWD paralajmëron për “probleme të mëdha nga i nxehti” në disa zona të jugperëndimi të vendit  Pjesa më e madhe e vendit do të mbetet me diell, megjithëse mund të ketë reshje të izoluara mbi zonat malore jugore.

Kjo periudhë e të nxehtit pritet të zgjasë deri të premten,  kur do të ritet mundsia për rreshje shiu. /Ad. Ab./

The post METEO – Gjermania përgatitet për një valë të nxehti me temperatura rreth 40 gradë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Merz mbështet embargo të pjesshme të armëve për Izraelin mes përçarjeve në parti

11 August 2025 at 14:59

BERLIN, 11 gusht  /ATSH-DPA/ – Embargoja e pjesshme e Gjermanisë për eksportin e armëve drejt Izraelit mund të ketë ndikim të kufizuar praktik, pasi Berlini tashmë ka vendosur kufizime për shitjen e armëve dhe pajisjeve që përdoren nga ushtria izraelite në Gaza, sipas një dokumenti të brendshëm të bërë sot public.

Shënimi me gjashtë pika nga kancelari Friedrich Merz, drejtuar drejtuesve të partisë së tij konservatore CDU, tregon se”vendimi për mallrat e tjera ushtarake kufizohet shprehimisht vetëm për një përdorim të mundshëm në Gaza; ai bazohet në kushtet aktuale atje”.

Ndalimi i eksporteve të armëve që mund të përdoren në Gaza u njoftua të premten, pasi kabineti i sigurisë i Izraelit miratoi një plan për zgjerimin e operacioneve ushtarake në këtë territor.

Lëvizja e papritur e Merz-it, që shënon një largim nga mbështetja e pakushtëzuar e Gjermanisë për Izraelin në luftën kundër Hamasit, ka shkaktuar përçarje brenda bllokut të tij qendror të djathtë.

Kancelari ka nxituar të sigurojë aleatët se kjo politikë nuk nënkupton braktisjen e sigurisë së Izraelit, e cila konsiderohet një “arsye shtetërore” për Gjermaninë.

Dokumenti sqaron se embargoja nuk zbatohet për “armët për mbrojtjen ajrore dhe detare, të cilat janë thelbësore për vetëmbrojtjen e Izraelit”.

“Ky përshkallëzim ndikon gjithashtu në përkeqësimin e konflikteve shoqërore në Gjermani dhe Evropë, të cilat duhet t’i shmangim edhe për shkak të detyrimit tonë ndaj shtetit të Izraelit”, shkruan ai. /Ad.Ab./

The post GJERMANI – Merz mbështet embargo të pjesshme të armëve për Izraelin mes përçarjeve në parti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN –  Gjermania rrit tregtinë me vendet e  Lindjes, Polonia në krye

11 August 2025 at 12:21

BERLIN, 11 gusht /ATSH-DPA/ – Eksportuesit gjermanë shohin potencial të madh në tregtinë me Evropën lindore dhe juglindore mes pasigurisë globale, me Poloninë që po shfaqet si partner i veçantë, sipas Komitetit Gjerman për Marrëdhëniet me Evropën Lindore.

Ndërsa eksportet totale të Gjermanisë ranë me 0,1% në 786 miliardë euro (916 miliardë dollarë) në gjysmën e parë të vitit 2025, dërgesat drejt 29 vendeve të Evropës Qendrore e Lindore dhe Azisë Qendrore të ndjekura nga komiteti u rritën me 2,2%, duke arritur në 144 miliardë euro.

Rritja u nxitur nga shtimi i dukshëm i tregtisë dypalëshe me Poloninë, e cila arriti një rekord prej mbi 90 miliardë euro në gjysmën e parë të 2025-ës, një rritje prej 4.6 miliardë euro ose 5.4% krahasuar me një vit më parë.

Eksportet gjermane drejt Polonisë u rritën me mbi 2,6 miliardë euro (5,7%), duke tejkaluar eksportet drejt Kinës, ndërsa importet nga Polonia u rritën me 2 miliardë euro (5,2%).

Polonia është partneri i pestë më i madh tregtar i Gjermanisë, shumë afër Francës.

Partnerët kryesorë në gjysmën e parë të 2025-ës ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina dhe Holanda. /Ad.Ab./

 

 

The post BERLIN –  Gjermania rrit tregtinë me vendet e  Lindjes, Polonia në krye appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump kërkon largim të menjëhershëm të të pastrehëve nga Uashingtoni

11 August 2025 at 10:29

UASHINGTON, 11 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti i amerkan Donald Trump, ka kërkuar largimin e menjëhershëm të personave të pastrehë nga Uashingtoni.

“Të pastrehët duhet të largohen menjëherë”, shkroi mbrëmë Trump në rrjetin e tij social Truth Social, duke postuar foto që tregonin çadra dhe mbeturina përgjatë rrugës.

“Do t’ju japim vende ku të qëndroni, por larg nga kryeqyteti. Kriminelë, nuk keni pse të largoheni.  Do t’ju fusim në burg, aty ku e keni vendin”, shtoi ai.

Trump përmendi gjithashtu një konferencë shtypi të planifikuar për sot  ku do të trajtonte çështjet e krimit dhe të  pastërtisë në kryeqytet. Ai tha se qyteti duhet të bëhet  “më i sigurt dhe më i bukur se kurrë më parë”.

Uashingtoni, si kryeqytet i SHBA-së, është unik pasi qeveriset nga një kryebashkiake dhe një këshill vendor, por mbetet nën mbikëqyrje të konsiderueshme federale.

Sipas mediave amerikane, qeveria federale po harton plane për të dislokuar qindra trupa të Gardës Kombëtare për të zbatuar synimet e presidentit Trump, por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. /Ad.Ab./

The post SHBA – Trump kërkon largim të menjëhershëm të të pastrehëve nga Uashingtoni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZË –  Pesë gazetarë të “Al Jazeera”-s vriten në një sulm izraelit

11 August 2025 at 07:52

TEL AVIV, 11 gusht /ATSH/  – Pesë gazetarë të “Al Jazeera”-s janë vrarë në një sulm izraelit pranë spitalit “Al-Shifa” të qytetit të Gazës, sipas BBC-së.

Korrespondentët Anas al-Sharif dhe Mohammed Qreiqeh, së bashku me kameramanët Ibrahim Zaher, Mohammed Noufal dhe Moamen Aliwa, ishin në një tendë për gazetarët në portën kryesore të spitalit kur u goditën për vdekje, raportoi “Al Jazeera”.

“Vrasja  ishte në tjetër sulm i hapur dhe i paramenduar ndaj lirisë së shtypit”, tha Al Jazeera” në një deklaratë.

Menjëherë pas sulmit, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) konfirmuan se kishin  goditur Anas al-Sharif, duke shkruar në një postim në Telegram se ai kishte “shërbyer si kreu i një qelize terroriste në Hamas”.

IDF nuk përmendi asnjë nga gazetarët e tjerë që u vranë.

Në total, shtatë persona vdiqën në sulm, raporton “Al Jazeera”. Transmetuesi fillimisht tha se katër nga stafi i tij ishin vrarë, por e ndryshoi atë në pesë disa orë më vonë.

Redaktori i saj menaxhues, Mohamed Moawad, i tha BBC-së se al-Sharif ishte një gazetar i akredituar i cili ishte “zëri i vetëm” që bota të dinte se çfarë po ndodhte në Rripin e Gazës.

Gjatë gjithë luftës, Izraeli nuk i ka lejuar gazetarët ndërkombëtarë të hyjnë në Gaza të raportojnë lirisht. Prandaj, shumë media mbështeten te gazetarët vendas brenda territorit për mbulim.

“Ata u goditën në tendën e tyre, nuk po mbulonin nga vija e frontit,” tha Moawad për sulmin izraelit.

“Fakti është se qeveria izraelite po dëshiron të heshtë mbulimin e çdo kanali raportimi nga brenda Gazës,” tha ai për programin “The Newsroom”. /Ad.Ab./

The post GAZË –  Pesë gazetarë të “Al Jazeera”-s vriten në një sulm izraelit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ART – Ekspozita e Edward Munch hapet në Chemnitz, kryeqyteti evropian i Kulturës për vitin 20025

10 August 2025 at 08:36

CHEMNITZ/GJERMANI, 10 gusht  /ATSH-DPA/ – Koleksionet e Artit të Chemnitz-it në Gjermaninë lindore i dedikohen artistit norvegjez Edward Munch me një ekspozitë që do të çelet sot.

Rreth 140 vepra do të ekspozohen, duke përfshirë pothuajse 100 vepra të vetë Munch-it, si dhe punë të artistëve të tjerë si Andy Warhol, Neo Rauch dhe Karl Schmidt-Rottluff, të cilat lidhen me pikturat dhe grafikët e Munch-it, thanë kuratorët.

Ekspozita e Munch-it konsiderohet një nga pikat kulmore të programit të Chemnitz-it gjatë vitit të tij si kryeqytet Evropian i Kulturës, së bashku me Nova Gorica-n e Sllovenisë, në kufi me Italinë.

Përveç motivit shumë të njohur botëror të Munch-it, “Krik”, i cili shfaqet si një litografi, një pikturë e shitur nga nazistët në vitin 1937 po kthehet në Chemnitz.

“Two people.The Lonely Ones”  (Dy njerëz, Të vetmuarit), e blerë për koleksionin në vitin 1928, tregon një grua dhe një burrë në një plazh nordik duke parë drejt detit. Midis tyre ekziston një distancë jo vetëm fizike, por edhe emocionale.

Pas pothuajse 90 vjetësh, ajo po shihet përsëri në Gjermani dhe për herë të parë në Chemnitz, tha drejtoresha e përgjithshme e koleksioneve të artit, Florence Thurmes.

Munch (1863-1944) konsiderohet një pionier i rëndësishëm i modernizmit. Ai kaloi disa javë në Chemnitz në vitin 1905 me ftesë të një sipërmarrësi të industrisë tekstile.

Gjatë kësaj kohe, u krijuan disa piktura dhe vizatime, dy prej të cilave janë në ekspozitë: portreti i Herbert Esche dhe piktura peizazhi “Pamje e Luginës së Chemnitz-it.”

Ekspozita mund të vizitohet deri më 2 nëntor në koleksionet e artit në sheshin Theaterplatz përpara operas së qytetit. /Ad.Ab./

The post ART – Ekspozita e Edward Munch hapet në Chemnitz, kryeqyteti evropian i Kulturës për vitin 20025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌