Artistët e TKOBAP në turne, sot performojnë në Kalanë e Gjirokastrës
TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Artistët e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit nuk e kanë ndalur aktivitetin edhe gjatë sezonit veror.
Vetëm gjatë kësaj jave, ata do të udhëtojnë nga Tirana në Gjirokastër e më pas në Ulqin, për të ndarë me publikun brenda dhe jashtë kufijve, shpirtin e artit shqiptar. Sot në Kalanë e Gjirokastrës, do të interpretohet “Cantata”, me herët e vënë në skenën e TKOB nga koreografi Mauro Bigonzetti. Baleti modern do të shoqërohet nga tingujt e grupit “Assurd”.
Pas premierës së sukseshme në TKOBAP, “Cantata” udhëton drejt Gjirokastrës ku pritet të ndezë Kalanë e Argjirosë me ritmin, pasionin dhe shpirtin e Italisë së Jugut. Në freskinë magjike të një nate vere, muzika autentike e grupit “Assurd” dhe koreografia e zjarrtë e Mauro Bigonzetti-t do të krijojnë një atmosferë që shpërthen plot energji, pikërisht në ditën e 20-vjetorit të shpalljes së Gjirokastrës si pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Ndërsa “Gloria” e Vivaldit, do të interpretohet përgjatë dy ditëve në dy lokacione të ndryshme, nesër (16 korrik) në Kryeministri dhe në 17 korrik në Kishën Katolike “Zemra e Krishtit”.
Artistët e Ansamblit Popullor do të performojnë në Muzeun Vendor, në Kalanë e Ulqinit me shfaqjen “Folk on Tour”, ditën e enjte (17 korrik). /j.p/
The post Artistët e TKOBAP në turne, sot performojnë në Kalanë e Gjirokastrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.