TIRANË, 5 korrik/ATSH/ Apolonia është ndër parqet arkeologjike më të mëdha në vend dhe pret një numër relativisht të lartë vizitorësh gjatë një viti, të cilët janë të kombësive të ndryshme, por shumica vijnë nga Evropa Perëndimore.
Drejtoresha e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Ornela Dyrmishaj, në një komunikim me ATSH-në tha se, vizitorët kanë qenë çdo vit në rritje konstante, pas bllokimit nga pandemia në 2020, duke arritur kulmin gjatë vitit të kaluar, me mbi 121 mijë vizitorë.
“Edhe këtë vit, gjatë këtij 6-mujori, kemi rritje në numrin e vizitorëve sidomos atyre që vijnë nga Franca, Gjermania dhe Holanda. Këtë 6-mujor kemi mbi 58 mijë vizitorë në PAA”, tha drejtoresha Dyrmishaj.
Megjithëse vizitorët e huaj kryesojnë në statistika, edhe shqiptarët përbëjnë një numër të konsiderueshëm, sidomos gjatë fundjavave kur lëvizin me familjen drejt jugut të vendit. Kjo vihet re kryesisht gjatë sezonit veror, në muajt korrik -gusht, kur fluksi i turistëve me grupe reduktohet ndjeshëm dhe ia lë vendin turistëve individualë apo familjarë.
Vizitorët e këtij parku, përveç qytetit antik të Apolonisë dhe monumenteve të tij, mund të shohin edhe objekte të tjera të vendosura në muzeun brenda parkut. Ky muze Arkeologjik është ndër më të pasurit e vendit, me objekte unike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe përtej saj.
Dyrmishaj thotë se vizitat mund të bëhen edhe më argëtuese nëpërmjet aplikacioneve digjitale si Apolonia-Bylis Parks dhe Action Bound ‘’Apollo Deus Solis’’, si informuese por edhe lojë interaktive për vizitorët me fëmijët e tyre.
Gjatë sezonit turistik, ky park u ofron turistëve edhe aktivitete kulturore, edukuese dhe interaktive, ku njihen jo vetëm me traditat myzeqare nëpërmjet Festës së Grurit, Art Koloni, ekspozitave fotografike, Teatrit Rinor, simulimeve të gërmimeve arkeologjike me ‘’Arkeologun e vogël’’ apo edhe podcast-eve si dhe mbrëmjeve artistike që zhvillohen gjatë muajve të verës.
Këto aktivitete kanë në fokus jo vetëm vizitorët vendas por edhe ata të huaj, të cilët gjatë muajit qershor u njohën jo vetëm me trashëgiminë kulturore arkeologjike por edhe me këto aktivitete, të cilat zhvillohen në bashkëpunim me Bashkinë Fier, shoqatat e artit, qendrën rinore Epoka e Re, Bankën e Shqipërisë apo shkollat e Bashkisë Fier, etj.
Drejtoresha e PAA-së theksoi se parku ka si aktivitet të tij të përvitshëm edhe kërkimin shkencor arkeologjik nga 2 misionet arkeologjike, të cilët si çdo vit rifillojnë gërmimin arkeologjik gjatë muajve gusht-shtator duke pasur në fokus sqarimin dhe njohjen e zhvillimit të qytetit dhe marrëdhënieve social-ekonomike.
Por PAA, gjatë këtij viti, ka një sërë investimesh me mbështetjen e MEKI-it dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për parkimin e ri, krijimin e shtigjeve të reja dhe sinjalistikën informuese/drejtuese si dhe zonën e infopoint të parkut, duke i krijuar atij një hapje të re për vizitorët. Gjithashtu, ka edhe një investim shumë i rëndësishëm për shtimin e sigurisë në park, mbështetur nga UNESCO dhe MEKI.
Parku Arkeologjik Apoloni. Fotot nga Andri Hoxha
The post Fotogaleri – Apolonia “joshje” e fortë për vizitorët e huaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.