LONDËR, 12 gusht /ASH-DPA/ – Maceve u zhvillohet demenca në mënyrë të ngjashme me njerëzit që vuajnë nga sëmundja e Alzheimerit, gjë që ka rritur shpresat për një përparim në kërkime, sipas shkencëtarëve.
Ekspertë nga Universiteti i Edinburgut kryen ekzaminime post-mortem të trurit të 25 maceve që kishin treguar shenja të demencës gjatë jetës, si konfuzion, çrregullime të gjumit dhe rritje të vokalizimit, me synim gjetjen e trajtimeve të reja për njerëzit.Më parë, studiuesit kishin përdorur brejtës të modifikuar gjenetikisht, megjithëse kjo specie nuk zhvillon natyrshëm demencë.
Tek truri i maceve me demencë u gjet grumbullim i proteinës toksike amiloid-beta, një nga shenjat dalluese të Alzheimerit, duke u cilësuar nga shkencëtarët si një “model natyral perfekt për Alzheimerin” për shkak të ngjashmërive të mëdha.
Pamjet nga mikroskopia treguan grumbullime të amiloid-betës brenda sinapseve të maceve më të vjetra dhe atyre me demencë. Shkencëtarët shpresojnë se këto zbulime do të ndihmojnë në kuptimin e mënyrës se si amiloid-beta çon në çrregullim kognitiv dhe humbje të kujtesës, duke ofruar një model të vlefshëm për studimin e demencës tek njerëzit.
Sinapset lejojnë transmetimin e mesazheve midis qelizave nervore dhe humbja e tyre shkakton rënie të kujtesës dhe aftësive mendore tek pacientët me Alzheimer. Studiuesit gjetën prova se qelizat mbështetëse të trurit, astrocitet dhe microglia, përfshijnë sinapset e prekura, një proces i njohur si “krasitje sinaptike”, i cili është i rëndësishëm gjatë zhvillimit të trurit, por që ndikon negativisht në demencë.
Ekspertët besojnë se këto zbulime mund të çojnë në zhvillimin e trajtimeve të reja për Alzheimerin, si dhe të ndihmojnë në kuptimin dhe menaxhimin e demencës tek macet.
“Demenca është një sëmundje shkatërruese, qofshin njerëz, mace apo qen. Zbulimet tona theksojnë ngjashmëritë e habitshme mes demencës së maceve dhe Alzheimerit tek njerëzit. Kjo hap mundësinë të shohim nëse trajtimet premtuese për Alzheimerin tek njerëzit mund të ndihmojnë edhe kafshët tona të moshuara”, tha Robert McGeachan, drejtues i studimit nga Royal School of Veterinary Studies në Universitetin e Edinburgut
Ai shtoi se, për shkak se macet zhvillojnë natyrshëm këto ndryshime në tru, ato mund të ofrojnë një model më të saktë të sëmundjes sesa kafshët tradicionale të laboratorit, duke përfituar kështu si njerëzit ashtu edhe kafshët shtëpiake dhe kujdestarët e tyre. /Ad.Ab./
The post STUDIM – Demenca tek macet zhvillohet njësoj si Alzheimeri tek njerëzit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.