Omar Khajam, libri i ‘mallkuar’ që u fundos me Titanikun dhe u ringjall

“Omari i Madh”, një libër i rrallë dhe i jashtëzakonshëm i zbukuruar me gurë të çmuar, u nis nga Londra për në Nju-Jork në prill të vitit 1912, por përfundoi në fund të Oqeanit Atlantik pas fundosjes së Titanikut. Ky libër, një përpunim i veçantë i “Rubairat” të Omar Khajam, mbetet një nga veprat më tragjike dhe misterioze të historisë së botimit.
Në vitin 1911, mjeshtri britanik Francis Sangorski përfundoi një punim që i kishte kushtuar mbi dy vjet përkushtim intensiv. Libri ishte me përmasa 40 cm me 35 cm dhe ishte i zbukuruar me 1050 gurë të çmuar, përfshirë rubinë dhe smeraldë. U përdorën rreth 9 metra katrorë fletë ari dhe rreth 5000 copë lëkure për përfundimin e tij. Punimi përfshinte elemente të tilla si gjethe, shpendë, kafka njerëzore, bimë dhe ornamente persiane që simbolizonin jetën dhe vdekjen, transmeton KultPlus.
Sangorski e perfeksionoi çdo detaj të librit, duke përfshirë përdorimin e kafkës së një njeriu për të realizuar me saktësi një vizatim anatomik. Madje i dha ryshfet një rojtari të kopshtit zoologjik të Londrës që t’i lejonte të shihte një gjarpër duke gëlltitur një mi të gjallë, vetëm për të mundësuar përshkrimin sa më real të skenës që do të pikturonte në libër.
Ideja për këtë projekt filloi në vitin 1907, kur Sangorski takoi John Stonehouse, menaxherin e librarisë Sotheran, e themeluar në vitin 1761 dhe ende aktive sot. Sipas Sangorskit, qëllimi ishte të krijonte një vepër të zbukuruar “me gurë të tillë që nuk ishin parë kurrë më parë” në botën e botimeve. Shtëpia botuese e përshkroi librin si “ekzemplarin më të mirë dhe më të shquar të projektuar ose të prodhuar ndonjëherë, në çdo periudhë ose në çdo vend”.
Vepra u nxor në shitje për një çmim që në vlerat e sotme do të ishte rreth 120,000 paundë. Megjithatë, nuk u shit. Aristokratët dhe koleksionistët britanikë e refuzuan, pjesërisht për shkak të paragjykimeve ndaj veprës së Omar Khajamit, i cili nuk vlerësohej aq shumë asokohe. Sir John Fortescue, menaxher i bibliotekës mbretërore në Kështjellën Windsor, e refuzoi duke e quajtur “një vepër të papërshtatshme, të paefektshme dhe të parëndësishme”.
Një tregtar nga Nju-Jorku, Gabriel Wells, ofroi 800 paundë për librin në verën e vitit 1911, por oferta u refuzua. Më vonë, për shkak të mungesës së interesit në Britani, u vendos që libri të dërgohej në Amerikë, ku tregu i librave ishte më i zhvilluar. Pas shumë përpjekjesh të pasuksesshme, më 29 mars 1912, libri iu shit sërish Gabriel Wells për 405 paundë dhe më 6 prill u nis për në Amerikë me anijen Titanic.
Katastrofa e Titanikut, ku humbën jetën më shumë se 1500 njerëz, shënoi edhe fundosjen e librit të famshëm. “Omari i Madh” u konsiderua si një nga thesaret më të vlefshme të humbura në fundin e oqeanit. Sir John, menaxher i Bibliotekës Kombëtare asokohe, do të deklaronte se “fundi i Atlantikut ishte padyshim vendi më i mirë për të”.
Vetëm dhjetë javë pas fundosjes së Titanikut, tragjedia vazhdoi. Francis Sangorski, mjeshtri i veprës, u mbyt në bregdetin e Sussexit në Angli. Sipas raportimeve, ai u rrëzua aksidentalisht dhe u tërhoq nga rryma e fortë e detit. Në epitafin e varrit të tij shkruhet: “Jeta për të si një mjeshtër sapo ka filluar”.
Në vitin 1924, nipi i George Sutcliffe, botuesit origjinal të librit, gjeti vizatimet origjinale të Sangorskit dhe vendosi të rikrijojë veprën. Stanley Bray, trashëgimtari i kësaj trashëgimie, punoi për vite me radhë për të realizuar botimin e dytë. Kur Lufta e Dytë Botërore shpërtheu, libri u ruajt në një kasafortë të sigurt në Londër. Pas një bombardimi gjerman, ndonëse kasaforta u gjet e paprekur, faqet e librit ishin djegur nga nxehtësia e madhe.
Pas përfundimit të luftës, Bray nisi përpjekjet për ta realizuar një herë të tretë librin. Përdori bizhuteritë e mbijetuara nga versioni i mëparshëm dhe pas 4000 orësh punë, më në fund e përfundoi. Ai nuk e bëri këtë për fitim, por për nderim, sepse “Omari i Madh” ishte shndërruar tashmë në një simbol të qëndrueshmërisë, përkushtimit dhe pasionit për artin e bukur të librit./KultPlus.com
