Themeluesi i kompanisë Meta, Mark Zuckerberg, ka njoftuar se kompania e tij do të investojë qindra miliarda dollarë për ndërtimin e qendrave të mëdha të të dhënave të dedikuara për inteligjencën artificiale në Shtetet e Bashkuara.
Zuckerberg bëri të ditur se qendra e parë me kapacitet shumë-gigavat, e quajtur Prometheus, pritet të vihet në funksion në vitin 2026 dhe do të ndërtohet në New Albany, Ohio. Një tjetër qendër, Hyperion, do të ngrihet në Louisiana dhe sipas planit do të jetë plotësisht funksionale deri në vitin 2030.
Sipas Zuckerberg, disa nga këto qendra do të jenë aq të mëdha sa do të mbulojnë sipërfaqe të krahasueshme me ishullin Manhattan në New York, që ka një sipërfaqe prej 59.1 kilometrash katrorë. “Po ndërtojmë disa klasterë titanikë. Vetëm një prej tyre zë një pjesë të konsiderueshme të sipërfaqes së Manhattanit,” shkroi Zuckerberg në platformën e tij sociale, Threads.
Meta po përgatitet të fuqizojë zhvillimin e asaj që e quan “superinteligjencë”, teknologji që, sipas kompanisë, mund të tejkalojë aftësitë mendore të njeriut më të zgjuar.
Zuckerberg deklaroi se Meta do të ndërtojë disa klasterë shumë-gigavatësh, përfshirë Hyperion, i cili pritet të arrijë deri në pesë gigavat kapacitet gjatë viteve të ardhshme.
“Do të investojmë qindra miliarda dollarë për të ndërtuar superinteligjencën,” tha ai, duke shtuar se qendrat po marrin “emra që përfaqësojnë përmasat dhe ndikimin e tyre”.
Efekti në treg dhe reagimi i ekspertëve
Sipas analistit Karl Freund nga Cambrian AI Research, kjo strategji tregon se Zuckerberg është i vendosur të arrijë majat e teknologjisë përmes investimeve masive: “Talenti që po punëson do të ketë në dispozicion një nga pajisjet më të fuqishme të inteligjencës artificiale në botë,” tha ai për BBC.
Pas njoftimit, aksionet e kompanisë Meta u rritën me 1%, sipas Reuters. Që nga fillimi i vitit, vlera e aksioneve është rritur me më shumë se 20%.
Në vitin 2024, Meta gjeneroi mbi 160 miliardë dollarë të ardhura, kryesisht nga reklamat online.
Kosto të mëdha për mjedisin
Sot ekzistojnë mbi 10,000 qendra të të dhënave në mbarë botën që mbështesin funksionimin e cloud-it (serverëve të largët që ruajnë informacion digjital), shumica prej të cilave ndodhen në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani.
Qendrat e të dhënave që mbështesin inteligjencën artificiale kanë kërkesa shumë të larta për energji dhe ujë. Një studim vlerëson se deri në vitin 2027, ato mund të konsumojnë deri në 1.7 trilionë gallonë ujë në nivel global. Vetëm një kërkesë e vetme e bazuar në AI, si një pyetje për ChatGPT mund të konsumojë sasi të ngjashme me një shishe të vogël uji./abcnews.al