Gjatë 24 orëve të fundit, janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 8 vijojnë të jenë ende aktive dhe 3 janë në monitorim. Situata më problematike është evidentuar në qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër, Elbasan dhe Gjirokastër.
Në vatrën e zjarrit, në vendin e quajtur “Maja e Paliskës”, mbi fshatin Dukat pati një përmirësim të situatës pas ndërhyrjes edhe nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Por më vonë në mbrëmje zjarri u riaktivizua. Gjatë natës vatra është mbajtur në monitorim nga forcat zjarrfikëse. Ditën e sotme në terren kanë shkuar forca nga strukturat vendore dhe 40 efektivë nga Forcat e Armatosura. Pritet gjithashtu edhe ndërhyrje nga ajri me 1 helikopter të Forcës Ajrore.
Po ashtu, në vatrën e zjarrit pranë Parkut Kombëtar të Lurës, dje u ndërhy edhe me avionin Canadair kroat nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile, gjë që solli një përmirësim të situatës në njërën nga vatrat. Megjithë përpjekjet e forcave operacionale në terren, nuk u arrit të shuhej zjarri. Puna po vijon sërish sot.
Një tjetër vatër problematike është ajo në vendin e quajtur “Përroi i Zi” , ku dje, ndërhyrja edhe me avionin Canadair kroat ngadalësoi përhapjen e flakëve drejt disa banesave dhe staneve në zone, por temperaturat e larta dhe erërat e forta ndikuan negativisht në vënien nën kontroll të vatrës, e cila pati një perimetër shumë të madh. Sot vijon puna për shuarjen e zjarrit.
Gjatë orëve të pasdites, pati një riaktivizim të fuqishëm të vatrës së zjarrit nga kufiri me Mirditën. Sot në terren pritet të operojnë 2 helikopterët hungarezë dhe avioni kroat Canadair.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar:
– 40 automjete zjarrfikëse
– 776 forca operacionale nga strukturat vendore dhe qendrore
Gjatë ditës së djeshme morën pjesë në operacione:
– 345 forca nga Forcat e Armatosura (FA), me 3 mjete dhe 3 helikopterë
– 1 avion Canadair i ardhur nga shteti kroat
– 2 helikopterë për misione rikonjicioni nga Hungaria
Për ditën e sotme, janë në vijim të operacioneve:
– 215 efektivë të FA
– 1 helikopter nga FA
– 1 avion Canadair kroat
– 2 helikopterë hungarezë, në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile
Sipas IGJEO-s, sot nuk priten reshje në të gjithë territorin. Sa i përket zjarreve, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” në të gjitha qarqet.
Autoritetet qëndrojnë në gatishmëri të plotë dhe janë në bashkëpunim të ngushtë me strukturat vendore dhe ndërkombëtare për menaxhimin dhe shuarjen e zjarreve. U bëjmë thirrje për kujdes dhe bashkëpunim qytetarëve, për të shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshuar pranë autoriteteve përkatëse.