Kompozitori Red Radoja krijoi veprën “Ëndrra e Gotfridit” që u ngjit në skenë në kuadër të edicionit të 20-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës.
Radoja, që jeton dhe krijon prej vitesh në Francë, e ka shkruar operën fillimisht në frëngjisht. Tani, për herë të parë, ajo vjen në versionin shqip, duke sjellë një premierë unike për skenën shqiptare, ku muzika klasike, elementet shqiptare, ëndrrat dhe realiteti bashkohen në një akt të vetëm.
Në skenë u ngjitën emra të njohur të muzikës lirike, si tenori Neron Kacerja, mezzo-sopranoja Anita Kërhani dhe bas-baritoni Hektor Leka. Vepra u shoqërua nga një kuartet instrumental, i cili u dirigjua në piano nga vetë autori.
“Ëndrra e Gotfridit” u prit me entuziazëm nga publiku dhe u përjetua si një moment i veçantë artistik, që lidh krijimtarinë shqiptare me standardet evropiane të muzikës së dhomës./ KultPlus.com
Magjia rikthehet me pamjen e parë nga adaptimi televiziv i shumëpritur i sagës “Harry Potter”. HBO publikoi sot fotografinë e parë zyrtare nga seriali, ku shfaqet aktori i ri Dominik McLaughlin në rolin e magjistarit të famshëm, duke mbajtur syzet karakteristike dhe veshjen klasike të shkollës së magjisë, Hogwarts. Në dorë ai mban një klaketë xhirimi, duke sinjalizuar fillimin e një epoke të re për fansat e kësaj bote të dashur.
Dominik McLaughlin do të pasojë Daniel Radcliffe në rolin që e bëri atë një ikonë globale, teksa HBO premton një “adaptim besnik” të librave të J.K. Rowling. Seriali do të publikohet në vitin 2027 në HBO dhe HBO Max, si dhe në disa tregje ndërkombëtare përfshirë Gjermaninë, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Produksioni ka zbuluar disa emra të rinj të kastit, si Rory Wilmot (Neville Longbottom), Amos Kitson (Dudley Dursley), Louise Brealey (prof. Rolanda Hooch) dhe Anton Lesser (Ollivander). Ndërkohë, emra të njohur që janë konfirmuar më herët përfshijnë John Lithgow si Albus Dumbledore, Paapa Essiedu si Minerva McGonagall, Janet McTeer si Severus Snape dhe Nick Frost në rolin e Hagridit.
Në qendër të serialit do të jetë treshja e re e protagonistëve: McLaughlin si Harry, Alastair Stout si Ron dhe Arabella Stanton si Hermione. Të tre aktorët e rinj pritet të udhëheqin projektin për të paktën një dekadë, sipas planeve afatgjata të HBO.
Autorja J.K. Rowling do të jetë vetë pjesë e ekipit si producente ekzekutive, duke garantuar që seriali do t’i qëndrojë sa më afër origjinalit letrar që ka magjepsur breza të tërë. Fansat anembanë botës tashmë janë në pritje të këtij udhëtimi të ri drejt Hogwarts-it./ KultPlus.com
Një grup arkeologësh dhe filologësh nga Austria i janë drejtuar sitit ku gjenden mbi 400 varre që datojnë nga mijëvjeçari i dytë para Krishtit si dhe objekte, stoli, armë dhe vegla që tregojnë shumë për jetën, zakonet, strukturat shoqërore dhe besimet e popullsisë ilire.
Për arkeologun Olsi Lafe, i cili ka qenë pjesë e gërmimeve në vitin 2000, Tuma Ilire e Kamenicës ka rëndësi të jashtëzakonshme nga pikëpamja arkeologjike dhe antropologjike.
Një grup vizitorësh nga Austria, të përfshirë kryesisht në fushën e arsimit dhe arkeologjisë, kanë zhvilluar një tur kulturor në Shqipëri, duke vizituar Tiranën, Shkodrën dhe disa site arkeologjike me rëndësi historike. Ata janë shprehur të impresionuar nga pasuria arkeologjike dhe prezantimi profesional i trashëgimisë kulturore shqiptare. Një pjesë e tyre janë mësues nga Vjena, të interesuar për arkeologjinë e Ballkanit, pasi kanë studentë nga vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja, dhe e konsiderojnë të vlefshme këtë eksperiencë për të kuptuar më mirë prejardhjen e tyre. Një vizitor tjetër, i specializuar në arkeologjinë nënujore dhe punonjës në universitetin e Salzburgut, ka vlerësuar rëndësinë unike të Tumës Ilire të Kamenicës dhe lidhjen e saj të veçantë me vendndodhjen gjeografike. Në përgjithësi, ata e kanë cilësuar Shqipërinë si një vend shumë interesant me potencial të madh arkeologjik. Vizitorët austriakë e kanë vlerësuar Tumën Ilire të Kamenicës si një destinacion me rëndësi të veçantë dhe vlera të jashtëzakonshme kulturore.
Tuma e Kamenicës, e vendosur vetëm pak kilometra larg qytetit të Korçës, përbën një nga monumentet më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri dhe në gjithë rajonin e Ballkanit. E njohur për përmasat e saj mbresëlënëse dhe për ruajtjen e jashtëzakonshme të strukturës, ajo konsiderohet si një nga tumat më të mëdha të periudhës ilire.
Kjo pasuri arkeologjike është shumë më tepër sesa një varrezë prehistorike, ajo është një dëshmi autentike e vazhdimësisë kulturore, sociale dhe shpirtërore të ilirëve. Përveç vlerës shkencore dhe historike, ajo përfaqëson një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit kulturor në rajon, duke e vendosur Shqipërinë në hartën e destinacioneve të rëndësishme për trashëgiminë iliro-ballkanike.
Ali Podrimja lindi më 1942 në Gjakovë, ku përfundoi shkollën fillore dhe gjimnazin, ndërsa studimet e larta i kreu në Fakultetin Filozofik, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës.
Përmbledhja më prekëse kushtuar humbjes së djalit të tij, që mbetet një nga veprat më kulmore, emocionale dhe letrare të tij është “Lum Lumi”.
Humbja tragjike e djalit, Lumit, për Podrimjen shndërrohet në një shtysë për të krijuar ‘elegjinë’ për të birin, si krijimi i tij më i thellë, më i ndjeshëm e më filozofik i gjithë krijimtarisë.
Kryesisht “Lum Lumi” si tërësi poetike shpërfaq tri periudha:
-para vdekjes së Lumit;
-në vdekjen e Lumit;
-pas vdekjes së Lumit.
Në të tri periudhat para del një Ali i dërrmuar dhe skajshëm i pashpresë. Përpos një lidhjeje prind fëmijë dhe një dashurie prindërore, vepra përçon kryesisht një vuajtje, e cila herë-herë edhe e plotëson idenë e fundit shpirtëror të poetit. Në heshtjen e vargut, poeti mban dritën e tij të thyer, Lumin. Jo vetëm si emër, por si plagë e hapur, jo si fëmijë por si dhembje që flet.
Në një gjendje të tillë deliriumi, mërzie e krijimi njëherësh, dhembja e Podrimjes kthehet në një dhembje të “lumshme”.
Poeti e lumnon qysh në titull të veprës Lumin, por Lumi për të është humbja e rrëzimi, dhembja e silueta e një distopie. E ardhmja ideale e Podrimjes rrënohet, por e rrënuar lumnohet.
Në një rrënim të tillë ekzistencial qenia poetike është përherë në një kërkim, kërkim ky që çon drejt një instance më të madhe e më të fuqishme se vetë njeriu. Podrimja nuk kërkon shkas për vdekjen e Lumit, por vdekjen e kthen në një paradoks, aty ku jeta mbaron, poezia rilind, vdekja lumnohet, vepra kthehet në një tempull për të birin.
Në thelb të “Lum Lumit” pra, shohim se si mungesa bëhet lëndë ndërtuese dhe dhembja bëhet formë e përjetësisë. Ai nuk shkruan poezi për të vajtuar, por për të gdhendur në gjuhë një përballje ekzistenciale, gjë që e pohon edhe vetë ai në parathënien e veprës:
“Nuk i kam respektuar disa trajta të gjuhës standarde. Kam dëshiruar të “shpirtëroj” fjalën dhe ta mbaj gjallë kujtimin për Lumin.”
Poezia e këtij vëllimi poetik, si akt krijimi, është një manifest poetik mbi qenien, humbjen.
Podrimja nuk i gjen e as nuk arrin t’i jap përgjigje pyetjes përse vdes Lumi por ia mvesh një domethënie poetike vdekjes së tij. Ai e lumnon Lumin jo përmes iluzioneve, por përmes artit dhe e bën atë të mbetet i gjallë në një mënyrë më të thellë se sa do ta lejonte vetë jeta. Në këtë përballje, poezia fiton ku jeta dorëzohet./ KultPlus.com
Parë jashtë domenit ideologjik të kohës, rilindasit shqiptarë, përpos krijimit të një letërsie fund e krye misionare, binin pre edhe të ndjenjave të brishta njerëzore. Qenia e tyre, krahas një strukturimi jashtëzakonisht kombëtar e politik, preket edhe prej ndjenjës së dashurisë, si një ndër ndjenjat më sublime si te njeriu, njëlloj edhe te krijimet letrare.
Pashko Vasa, i njohur si një ndër figurat kyçe të romantizmit shqiptar, krahas krijimeve letrare me karakter plotësisht patriotik, gjithëherë me idealin për zgjimin e vetëdijes kombëtare, la pas edhe krijimtari poetike jashtë kontekstit idealist kombëtar.
Në veprën “Trëndafila e gjemba” (Rose e Spine), qysh në nisje hasim dedikimin e dashuruar të poetit.
Njihemi me një Tali, një Ajo e shkrirë në poezi e vargje, një Ajo që lë në hije atdheun, popullin, idealin për të hedhur dritë kah njeriu, kah ndjenja. Talia e Pashko Vasës e krijon poetin, e formon atë, i zgjon veten tjetër, atë poetike. Një ndërdije që është më e lartësuar se vetëdija, një Unë i dytë që kërkon me patjetër një shkas për të Qenë. E te Vasa, shkasi, Ajo, është Talia, muza e frymëzimeve rinore, krijuesja e ëndrrave të munguara, e një bote krejtësisht jashtë të zakonshmes.
Talisë
Ty, o Muzë, po ta kushtoj këtë grumbull vjershash, fryt i zgjimeve të mia rinore dhe jehonë e vuajtjeve të shpirtit tim. Dhe në të vërtetë ty ta kisha borxh këtë tribut mirënjohjeje, sepse me frymëzimet e tua ti me mua bëre një mrekulli të tillë, që ishte marrëzi ta shpresoja; ti më dhe një kurajë krejt të re, e cila më mungonte.
Duke t’i blatuar këto vargje, unë nuk synoj të parashtroj diçka që në realitet t’ia vlejë, apo që të jetë e denjë për ty; desha që ky libërth të dilte në dritë vetëm e vetëm, sepse, pajisur me emrin tënd të bukur, të ma kujtonte rininë time të kaluar dhe ato ditë të lumtura, në të cilat jeta është plot me ëndërrime të ëmbla dhe me shpresa të këndshme; desha që ndokush, duke e lexuar, të mund të thoshte: “Ky paska qenë me të vërtetë i ri kur i ka shkruar këto vjersha”.
Orkestra e fëmijëve të Prishtinës ‘’Amadeus’’, ka ngritur lart identitetin shqiptar në një nga skenat më të rëndësishme ndërkombëtare në Vjenë, përmes një përformance unike ku muzika dhe trashëgimia kulturore janë ndërthurur në mënyrë autentike. Në qendër të këtij koncerti që mbledh orkestrat e reja nga e gjithë Evropa, ‘’Amadeus’’ jo vetëm që është shpërblyer me cmimin e argjendtë, kjo orkestër ka spikatur për talentin muzikor, por edhe për pamjen e jashtëzakonshme me veshjet tradicionale të realizuara me dorë nga kreatorja Tolinda Gojani Asani, shkruan KultPlus.
Kjo është hera e parë që një orkestër fëmijësh nga Kosova paraqitet në një garë ndërkombëtare të nivelit të tillë, e veshur me kostume që përfaqësojnë të gjitha krahinat e vendit. Nga Dukagjini në Medvegjë, nga Rugova në Has e Gollak, çdo pjesëtar i orkestrës ka mbajtur mbi supe një fragment historie, të qëndisur me kujdes dhe dashuri përmes teknikave artizanale që po rrezikojnë të zhduken. Të krijuara nga kreatorja dhe artizanja Tolinda Gojani Asani, veshjet janë realizuar për secilin instrumentist në mënyrë që të përfaqësojnë laramaninë kulturore dhe identitare të të gjitha krahinave të Kosovës. Kjo përzgjedhje e kujdesshme i ka dhënë koncertit jo vetëm një dimension artistik, por edhe një përmasë të thellë simbolike dhe historike.
Përfaqësimi i krahinave në këtë koncert është bërë si më poshtë:
Flauta – me veshjen e Medvegjës, që ruan motivet e lashta të kësaj krahine të lashtë shqiptare.
Klarineti – me veshje tradicionale shqiptare që përfaqëson motive të hasura në të gjitha trevat shqipfolëse.
Violina 1 – me veshjet e Dukagjinit, Rugovës, Anamoravës dhe Llapit, duke bashkuar elemente nga perëndimi dhe lindja e Kosovës.
Violina 2 – me veshjet e Dukagjinit, Hasit, Gollakut dhe Drenicës, që përçojnë një mozaik unik simbolesh dhe ngjyrash.
Violonçeli – me veshjen aristokratike të qytetit, që ruan finesën dhe elegancën e shtresave të mesme të shekujve të kaluar.
Perkusionet – vajzat kanë veshur kostume të Drenicës, ndërsa djali veshjen aristokratike të qytetit, duke reflektuar ekuilibrin mes ruralitetit dhe urbanitetit në traditën tonë.Piano, fizarmonika dhe kontrabasi – gjithashtu me veshje aristokratike të qytetit, që përfaqësojnë stilin klasik shqiptar të qyteteve si Prizreni, Gjakova e Peja.
Interpretimi i veprës ‘’Malësorja’’ nga kompozitori Lorenç Antoni ka marrë dimension të ri emocional, ndërkohë që publiku ndërkombëtar në Vjenë është bërë dëshmitar i një ringjalljeje të kulturës shqiptare përmes muzikës dhe veshjes.
Veshjet janë konceptuar jo vetëm si dekor apo element skenik, por si pjesë e rrëfimit. Siç thekson kreatorja Gojani Asani, çdo motiv, çdo fije ari apo grep i dorës është një formë komunikimi pa fjalë, një ‘’dorëshkrim i heshtur’’ që lidh brezat dhe ruan kujtimin kulturor në një kohë kur globalizmi rrezikon t’i minimizojë veçantitë lokale.
Ky koncert ka dëshmuar se ruajtja e trashëgimisë kulturore nuk është një akt nostalgjik, por një mënyrë për të treguar se edhe popujt e vegjël kanë storie të mëdha për të ndarë me botën. ‘’Amadeus’’ nuk ka shkuar në Vjenë vetëm për të konkurruar, por për të përfaqësuar një popull, një histori dhe një trashëgimi që flet përmes artit./ KultPlus.com
Në vitin 2014, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 15 Korrikun si Dita Botërore e Aftësive të të Rinjve, për të theksuar rëndësinë strategjike të pajisjes së të rinjve me aftësi për punësim, punë të denjë dhe sipërmarrje.
Më 15 Korrik 2025 shënohet 10-vjetorii kësaj dite të rëndësishme. Tema e këtij viti është: “Fuqizimi i të rinjve përmes inteligjencës artificiale dhe aftësive digjitale”.
Në epokën e katërt industriale, ku inteligjenca artificiale (IA) po transformon ekonomitë, shoqëritë dhe mënyrën sesi jetojmë, mësojmë dhe punojmë, Arsimi dhe Trajnimi Teknik dhe Profesional (Technical and Vocational Education andTraining – TVET) duhet të përshtatet për të pajisur të rinjtë me aftësi të përgatitura për të ardhmen. Inteligjenca artificiale ofron mundësi të mëdha, por edhe rreziqe serioze nëse nuk zbatohet në mënyrë të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
Në këtë Ditë Botërore të Aftësive të të Rinjve, kërkohet bashkimi për të njohur rolin jetik të tyre si force e ndryshim dhe kërkohet angazhimi për t’i fuqizuar ata me aftësi në fushën e Inteligjencës Artificiale dhe teknologjisë digjitale, në mënyrë që të përballen me sfidat e sotme dhe të ndërtojnë një të ardhme më paqësore, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme./ KultPlus.com
Miliarderi amerikan dhe ish-bashkëpunëtori i Donald Trump, Elon Musk, ka ndarë së fundmi në profilin e tij në rrjetin social X një hartë që tregon situatën e natalitetit në vendet evropiane. Harta, e cila ka ngjallur vëmendje të gjerë në rrjet dhe në media ndërkombëtare, klasifikon vendet sipas numrit mesatar të pritur të fëmijëve për familje, duke nxjerrë në pah një rënie alarmante të lindshmërisë në pjesën më të madhe të kontinentit.
Sipas kategorizimit në hartë, nën 1 fëmijë për familje konsiderohet “shkallë jashtëzakonisht e ulët”, deri në 1 si “shkallë e ulët”, deri në 1.5 si “pamjaftueshme”, deri në 1.9 si “afër shkallës së zëvendësimit”, ndërsa mbi 2.1 fëmijë është “mbi shkallën e zëvendësimit”, që do të siguronte që popullsia të mos bjerë në mënyrë natyrore.
Zona më e kuqe në hartë është Ukraina, me një normë alarmante prej vetëm 1.0, ndër më të ultat në Evropë. Edhe vende si Spanja (1.12), Lituania (1.13) dhe Estonia (1.17) janë ndër më të prekurat nga rënia e lindshmërisë.
Në kontrast me këtë tablo të zymtë, vendet e Ballkanit shfaqen më mirë. Kosova vlerësohet si “rekordmbajtësja absolute evropiane”, me një normë prej 1.9 fëmijë për familje, duke qëndruar në kufijtë e zëvendësimit natyror të popullsisë. Edhe Mali i Zi (1.79), Bullgaria (1.72), Moldavia (1.66), Serbia (1.61) dhe Bosnja dhe Hercegovina (1.58) shfaqin shifra relativisht pozitive në krahasim me pjesën më të madhe të Evropës.
Në Perëndim, Franca është një nga përjashtimet, me një normë relativisht të mirë prej 1.63, që mbetet ndër më të lartat në rajon, ndërsa vendet e tjera si Gjermania dhe Italia vazhdojnë të përballen me rënie të theksuar të natalitetit.
Musk, i njohur për qëndrimet e tij publike në lidhje me rënien demografike si një nga kërcënimet më serioze të shoqërive moderne, ka komentuar edhe më parë mbi rëndësinë e mbështetjes për familjet dhe lindshmërinë. Postimi i tij i fundit ka ringjallur debatin mbi politikat sociale, migracionin dhe të ardhmen demografike të Evropës.
ETNO FEST 2025 Nata e pestë Janet Reincek dhe hrpi nga Opoja Liburn Jupolli Ensamble Shfaqja “ADN” e Fatos Berishës TK Shkup
Agron Gërguri
Janet Reincek antropologe amerikane prezantoj grupin e Opojës dhe nevojen e përfshirjes të gjeneratave të reja në përtritjen e valleve të traditës ndër to prezantoj vallen “Kalçoja” e cila në strukturën e saj ka 12 valle. Janet Reincek në Kosovë ka aktivizuar grupe që vallëzojnë valle të popujve të ndryshëm për me përhapë paqe përmes vallëzimit. Në finale të prezantimit u bë një vallëzim i përbashkët që kulmoj me vibrime të mira emocionale.
Muzika si shteg për të dalë nga kaosi Liburn Jupolli Ensemble performuan muzikë e cila përkufizohet post-zhanër, që për bazë ka folklorin shqiptar ngjyrat muzikore të instrumenteve dhe zërave që Ansambli i ekzekuton me instrumenta tradicionale me tone të ripërpunuara me një qasje moderne dhe elektronike. Paraqitja e Liburnit ishte një polifoni zërash me ngjyrime folklorike me kontributin e efektshëm të instrumenteve frymore dhe perkusione, që nxirrnin tinguj unik që prekin të kaluren si kujtesë dhe të tashmen si pretendim i arritshmërisë në komunikimin muzikor. E tëra tingëllonte si një kërkim identiti në shumësinë kaotike të zërave që ofrohen si mundësi identifikimi me përkatësinë. Brenda muzikës së Libunit ka dramë, kërkim, frikë, emocion që është në proces të artikulimit. Muzikë jo e popullarizuar por që cyt në meditim dhe shtron pyetje se ku nis e ku mbaron tingulli. I kujt është dhe sa ne jemi pjesë e tij. Ai jo vetëm se luanë në instrumenta por interpreton gjendje kaotike të galaktikes ku jemi apo nuk jemi por ka disa tinguj që na thërrasin dhe nusja me vello të zezë nis të artikuloj zëra që bëheshin thirrje shpirtnore apo si lexim kodesh kosmike. Shfaqje muzikore e jashtëzakonshme që të shqetëson kënaqshëm.
Shfaqja “ADN” e Fatos Berishës
Shfaqje me energji, temë, probleme e dilema rinore. Në një atmosferë ku disa të rinjë mundohen të fshehin një vdekje e cila duket se ka lidhje me ta….pastaj në fragmente apo pamje që ndërrohen shpesh ku ata debatojnë, planifikojnë, gjykojnë dhe shtiren, ekzaltohen e stërkeqen bulizojnë por ku një vajzë thërret për dashuri derisa partneri i saj heshtë…ajo rrëfen, flet sa për të folur, qesh, improvizon edhe varjen, qanë por partneri i saj nuk flet se nuk flet. Një fakt kjo i jep frymë njerëzore një ambienti të kontaminuar ku bëhet një lojë me krimin që duan ta fshehin por që nuk duanë dikush tjeter të akuzohet pa faj. Si kontrapunkt i qiftit një qift tjeter drogohet dhe për ta shqetësimi është krejt i relativizuar. Në përgjithësi rrëfimi tingëllon si një trillë që edhe mund të mos ketë ndodhur, e tëra është një mospërfillje e rregullave të jetës ku duket se gjithçka ka rënë përtoke si kur bien gjethet e vjeshtës në pranëverë. Një jetë virtuale ku provokohen edhe gjëra me potencial tragjik duke menduar se me një status a klikim në aparat lojërash gjërat kthehen aty ku ishinë. Eli lufton të mbetet normale, reagon përpëlitet që të ruaj adn-në njerëzore derisa Timi i dashuri i saj kryesisht heshtë dhe nuk dihet a po reflekton për gjendjen apo po planifikon diçka që do ta pëlcas shkaku i veprimeve që nuk e kanë menduar pasojën. Një gjendje krejt e pakuptimit ku secila fjalë i drejtohet moskuptimit ngjashëm si kur hamendsojmë për kosmosin dhe mundësinë e jetës atje..Një gjendje e përzier mendimesh të pasistemuara që mbesin në provë. Rotuali i heshtjes Timin e dërgon në vetëvrasje të “pakuptimit” vrasje e cila e forcon dilemën deri në ç’masë është dëmtuar ADN e njerëzores. Shfaqja sikur na dërgon rrugës njëdrejtimëshe me sinjalistikë të prishur, ku ka hyrje pa dalje shkaku se e gjelbërta nuk ndizet…E gjitha sikur e pret që personazhi Elit në interpretim të Sara Bajramit ta thonte fjalën “të dua Tim” si një litar shpëtimi nga gjendja e zvetnimit dhe tjetërsimit apo ndoshta bota njerëzore(lexo rinore) po shkon dikah që nuk ka më frikë motivuese por vetëm udhëtim pa adresë.
Regjisori Berisha ka “shfrytëzuar” mirë energjinë e moshës së personazheve dhe ka mizenakenuar me një tempo-ritëm i cili i korespondonte me temën. Hyrje daljet e shpeshta e përshpejtonin rrëfimin dhe dukej sikur nuk kishte nevojë për ato errësime të shpeshta ndarje në tabllo meqë ambienti ku zhvillohej ngjarja ishte gjithëherë i njëjët.
Interpretimi i Visar Ademit, Sabina Memishit, Fisnik Zeqirit, Mentor Kurtit, Gentiana Ramadanit, Genci Mrizos, Arben Rasimit, Hetem Etemit, Abedin Alimit ishte shprehje e një loje kolektive harmonike
Skenografia e verfër por funksionale e Bujar Muçës dhe kostumet e Alma Krasniqit ishin në funksion të rrëfimit teatror.
Në Etno nejë sonte mysafirët e shumtë të festivalit i kënaqi me këngë grupi Strings Stings.
Tradita e interpretuar në mënyrë moderne po ndodhë fuqishëm e përmbajtshëm në Etno Fest 2025./ KultPlus.com
Franshiza legjendare “Pirates of the Caribbean”, një nga më të suksesshmet në historinë e kinemasë, duket se është gati për një rikthim të madh. Sipas raportimeve të fundit nga The DisInsider, kompania Disney është në diskutime për të rikthyer kastin origjinal, përfshirë yjet Johnny Depp, Orlando Bloom dhe Keira Knightley, në kapitullin e gjashtë të sagës që ka magjepsur miliona shikues në mbarë botën.
Rikthimi i personazheve ikonikë Jack Sparrow, Will Turner dhe Elizabeth Swann do të shënonte një kthim në rrënjët e sagës, e cila që në fillim u mbështet te dinamika unike e këtij treshi. Prodhuar nga Jerry Bruckheimer, aventurat në det të hapur morën përmasa të jashtëzakonshme që nga debutimi i filmit të parë në vitin 2003.
Pas largimit të Bloom dhe Knightley në filmat pasues, Depp mbeti qendra e serisë përkrah emrave si Geoffrey Rush, por mungesa e kastit origjinal u ndje fort nga fansat. Skena pas titrave e filmit të fundit, ku shfaqen Will Turner dhe Elizabeth Swann bashkë, ka ndezur spekulimet se Davy Jones mund të rikthehet si antagonisti kryesor, duke hapur rrugën për një vazhdim që përfshin gjithë linjën origjinale të historisë.
Sipas burimeve, projekti i ri mund të drejtohet nga Joachim Rønning, ndërsa skenari është në duart e Jeff Nathanson, i njohur për punën në “Pirates of the Caribbean: Dead Men Tell No Tales”.
Ndërkohë, fansat e sagës presin me padurim një konfirmim zyrtar, i cili mund të vijë gjatë D23 Expo -eventi më i madh i Disney që zhvillohet nga 29 deri më 31 gusht 2025. Nëse këto lajme bëhen realitet, ky do të ishte një nga rikthimet më të bujshme në kinemanë e aventurës, duke rilindur një univers që prej vitesh ka qenë në pritje të ringjalljes./ KultPlus.com
Scarlett Johansson ka hyrë zyrtarisht në histori si aktorja kryesore me fitimet më të larta në botë, duke kaluar emra të mëdhenj të Hollivudit si Robert Downey Jr. dhe Samuel L. Jackson.
Ky rekord vjen pas suksesit të jashtëzakonshëm të filmit të ri “Jurassic World: Rebirth”, ku Johansson interpreton Zora Bennett, një ish-ushtarake e përfshirë në një mision të rrezikshëm në një nga ishujt e fundit të banuar nga dinosaurët. Filmi ka arkëtuar plot 318 milionë dollarë në vetëm gjashtë ditë, duke e katapultuar aktoren në krye të listës së yjeve më fitimprurës të kinemasë.
Me këtë sukses, të ardhurat totale nga biletat për filmat në të cilët Scarlett Johansson ka pasur një rol kryesor ose bashkë-drejtues kanë arritur në 14.8 miliardë dollarë globalisht – një shifër që asnjë aktore tjetër nuk e ka arritur ndonjëherë.
Ky arritje nuk është thjesht çështje numrash, por pasqyrë e karizmës, shkathtësisë dhe talentit të shumëanshëm të Johansson, e cila ka ditur të spikasë në çdo zhanër nga komeditë elegante dhe dramat emocionale, deri te filmat aksion dhe animacionet.
Pjesë e suksesit të saj janë padyshim edhe rolet në universin Marvel, ku ajo u bë ikonike si Black Widow. Por ajo ka shkëlqyer edhe në filma si Sing, Marriage Story, Jojo Rabbit dhe shumë të tjerë.
Një tjetër fakt i jashtëzakonshëm: Johansson ka arritur këtë rekord pas vetëm 36 filmash, krahasuar me 71 projekte të Samuel L. Jackson. Fitimet e saj mesatare bruto për film kalojnë 400 milionë dollarë, një tjetër tregues i ndikimit të saj të jashtëzakonshëm në industrinë e filmit.
Scarlett Johansson nuk është vetëm një yll kinemaje,ajo është tashmë një ikonë historike e ekranit të madh./ KultPlus.com
Një hap historik për komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara është përfshirja e gjuhës shqipe në komunikimet zyrtare të shkollave publike të qytetit të Nju Jorkut. Kjo do të thotë që prindërit dhe familjet shqiptare do të kenë mundësinë të marrin informacione, njoftime dhe dokumente shkollore në gjuhën e tyre amtare.
Ky vendim shënon një njohje të rëndësishme të pranisë dhe kontributit të komunitetit shqiptar në Nju Jork dhe përbën një hap domethënës drejt përfshirjes, barazisë dhe respektimit të të drejtave gjuhësore të të gjithë qytetarëve. Ai gjithashtu lehtëson komunikimin mes shkollave dhe familjeve shqiptare, duke forcuar bashkëpunimin për arsim cilësor dhe të suksesshëm për fëmijët e tyre.
Kancelarja e Arsimit të qytetit të Nju Jorkut, Melissa Avilés-Ramos, ka shpallur zyrtarisht se gjuha shqipe është përfshirë ndër gjuhët e përdorura për komunikimin zyrtar nga Departamenti i Arsimit i qytetit. Lajmi u bë i ditur nga gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria”, dhe përfaqëson një arritje të rëndësishme për komunitetin shqiptar në SHBA.
Ky vendim shënon një fitore historike dhe hap një kapitull të ri për mijëra familje shqiptare në Nju Jork. Nga rreth 180 gjuhë që fliten në qytet, vetëm 10 prej tyre ishin përfshirë deri më tani në komunikimet zyrtare të shkollave publike. Me vendimin më të fundit, janë shtuar edhe tre gjuhë të tjera, mes tyre edhe gjuha shqipe, duke e çuar numrin total në 13 gjuhë (përfshirë anglishten).
Kjo do të thotë se çdo dokument i rëndësishëm, njoftim apo informacion që shkolla u dërgon prindërve, do të jetë i disponueshëm edhe në gjuhën shqipe. Një ndryshim i madh që do të lehtësojë ndjeshëm përfshirjen e prindërve shqiptarë në jetën arsimore të fëmijëve të tyre.
Prej vitesh, shumë prindër shqiptarë kanë pasur vështirësi të ndjekin nga afër procesin mësimor për shkak të barrierës gjuhësore. Tashmë, me dokumente në gjuhën amtare, ata ndihen të përfaqësuar dhe të respektuar. Do të mund të kuptojnë më mirë çdo informacion, të reagojnë me më shumë siguri dhe të marrin pjesë aktive në vendimmarrjet që prekin të ardhmen arsimore të fëmijëve të tyre.
Ky zhvillim ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe te nxënësit shqiptarë, të cilët tashmë ndihen më të përfshirë, më të vlerësuar dhe të motivuar, si në aspektin akademik ashtu edhe emocional. Fakti që gjuha shqipe është bërë pjesë e dokumentacionit zyrtar në një sistem arsimor si ai i Nju Jorkut, është një mesazh i fuqishëm: identiteti nuk është pengesë, por pasuri.
Në lidhje me këtë akt fuqizues për shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, ka reaguar edhe Drita Gjongecaj, një prej zërave më të përkushtuar të diasporës shqiptare në SHBA, edukatore, aktiviste dhe pjesë kyçe e Këshillit Koordinues të Diasporës. Në një intervsitë të mbajtur, Gjongecaj shprehet se ndihet krenare, si aktiviste por edhe si prind.
“Për mua ky është një moment shumë i veçantë dhe thellësisht emocional. Është ndjenjë krenarie dhe mirënjohjeje jo vetëm si profesioniste e arsimit dhe si prind, por edhe si kontribuuese e drejtpërdrejtë në realizimin e kësaj arritjeje historike.”“Ta shohësh gjuhën tonë të renditur në faqen zyrtare të sistemit arsimor të Nju Jorkut, përkrah vetëm 12 gjuhëve (përveç anglishtes) të përzgjedhura nga mbi 180 gjuhë që fliten në familjet e këtij qyteti gjigant, është një ndjenjë që të emocionon thellë. Është një moment i madh krenarie dhe një dëshmi se shqipja ka hyrë në një fazë të re, ku roli dhe vlera e saj afirmohen institucionalisht. Ky hap na mbush me optimizëm dhe besim se trashëgimia gjuhësore e shqiptarëve në diasporë është më e mbrojtur se kurrë më parë.” – tha Drita Gjongecaj./ KultPlus.com
Nëntogerja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Vesa Ibrahimi, ka shënuar një tjetër kapitull të jashtëzakonshëm në historinë e ushtrisë së Kosovës, duke përfunduar me sukses Shkollën Ranger të Ushtrisë së SHBA-së (U.S. Army Ranger School) – një ndër trajnimet më të vështira dhe elitare në botë.
Ambasada e SHBA-së në Kosovë e cilësoi këtë arritje si një moment krenarie, duke ndarë një fotografi të Nëntogeres Ibrahimi dhe duke theksuar rëndësinë e suksesit të saj.
“Që nga drejtimi i operacioneve komplekse nën stres ekstrem, e deri te orientimi në terrene të ashpra me mbështetje minimale, arritja e Togeres Ibrahimi pasqyron vendosmërinë, qëndrueshmërinë dhe udhëheqjen e jashtëzakonshme që garanton sigurinë e vendeve tona”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Me këtë sukses, Vesa Ibrahimi bëhet gruaja e tretë nga FSK-ja që përfundon këtë trajnim sfidues, duke përforcuar rolin e grave në forcat e armatosura dhe duke e vendosur Kosovën në hartën e vendeve që prodhojnë liderë ushtarakë të nivelit të lartë ndërkombëtar.
Shkolla Ranger është e njohur për intensitetin ekstrem fizik dhe mendor që kërkon, dhe vetëm një përqindje e vogël e pjesëmarrësve arrijnë ta përfundojnë me sukses. Prandaj, diplomimi i Ibrahimit përfaqëson një arritje të jashtëzakonshme personale dhe një fitore të rëndësishme për FSK-në dhe Kosovën./ KultPlus.com
Orkestra e Fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” që mori cmimin e argjendtë në Vjenë, ishte suksesi i fundit i kësaj orekstre që po përcillet me shumë vëmendje, shkruan KultPlus.
Por këtë orkestër e bën më të vecantë edhe përbërja e saj. SOS fshati ka njoftuar se pikërisht një fëmijë i këtij institucioni ishte pjesë e këtij triumfi, duke qenë pjesë e bashkëmoshatarëve.
KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e SOS Fshatit.
Nga SOS Fshati në një skenë botërore në Vjenë.
Në mesin e isntrumentistëve, emocioneve dhe duartrokitjeve që jehonin në Vjenë, një fëmijë nga SOS Fshati interpretoi përkrah dhjetra bashkëmoshatarëve të tij në Orkestrën e Fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” dhe së bashku, sollën në shtëpi cmimin e argjendtë në Festivalin Botëror të Orkestrave.
“Po, një fëmijë që ka kaluar sfida më të mëdha se sa notat më të vështira në partiturë, preku majat me talentin e tij”, kanë shkruar nga SOS Fshati./ KultPlus.com
Romani “Gërsheti i prerë” i autores shqiptare Majlinda Bregasi është botuar së fundmi në gjuhën bullgare nga shtëpia botuese prestigjioze Isis Izida në Sofje. Në kopertinën e librit, romani cilësohet si “Një roman ballkanik me përmasa europiane”, duke theksuar rëndësinë dhe thellësinë e tij përtej kufijve kombëtarë.
Përkthimi në gjuhën bullgare është realizuar nga profesoresha Ekaterina Tarpomanova, të cilës autorja i ka shprehur mirënjohjen për përkushtimin dhe punën e shkëlqyer që ka bërë në sjelljen e veprës në një kontekst të ri gjuhësor dhe kulturor. Gjithashtu, Bregasi ka falënderuar edhe botuesin Plamen Totev, i cili ka kuruar me kujdes të veçantë çdo detaj të botimit.
Kjo është vepra e dytë e Bregasit që botohet nga Isis Izida, pas romanit të mëparshëm “Ikje”, duke treguar kështu një vazhdimësi të suksesshme të bashkëpunimit mes autores shqiptare dhe kësaj shtëpie botuese të njohur në Bullgari.
Në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, autorja ka shprehë emocionin e saj për botimin dhe lidhjen e veçantë me vendin fqinj: “Bulgaria, të dua! Së shpejti do të vij në Sofje për të takuar miq, lexues dhe për të shijuar bukuritë tuaja!”
“Gërsheti i prerë” është një roman që trajton me ndjeshmëri dhe forcë përjetimet e grave shqiptare gjatë diktaturës komuniste, një vepër që ka marrë vlerësime të shumta për fuqinë e rrëfimit dhe rëndësinë që ka në kujtesën kolektive të rajonit ballkanik. Botimi i tij në Bullgari forcon më tej praninë e letërsisë shqipe në hapësirën letrare europiane dhe dëshmon për vlerat universale të një rrëfimi të rrënjosur në histori, por thellësisht njerëzor. / KultPlus.com
Këngëtarja e re Klea Dina ka marr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Virginia Woolf në Londër, e cila ka përfaqësuar Kosovën në këtë konferencë ku kanë marr pjesë mbi 350 pjesëmarrës nga universitetet dhe institucionet më të njohura të botës.
Klea mori pjesë në Konferencën e 34-të Ndërkombëtare për Virginia Woolf, që u zhvillua nga 4 deri më 8 korrik 2025 në King’s College London dhe University of Sussex. Ajo prezantoi atje projektin e saj muzikor të titulluar “Time to Go”, një krijim origjinal që ndërthur muzikën me tekstin dhe ndjeshmërinë e veprës së Virginia Woolf.
Kjo këngë është realizuar në bashkëpunim me kompozitorin e njohur Florent Boshnjaku, dhe përfaqëson një qasje artistike të thellë ndaj temës së disidencës së brendshme dhe ndjeshmërisë njerëzore, në linjë me frymën e konferencës.
“Në këtë konferencë, për herë të parë Kosova u përfaqësua me një zë të ri dhe të guximshëm, dhe unë pata nderin të jem pjesë e saj si folëse dhe artiste, duke prezantuar një projekt të veçantë muzikor të realizuar mbi fjalët e fundit të Virginia Woolf. Kënga u prezantua në fund të fjalimit tim dhe ngjalli emocione të mëdha te të pranishmit” ka thënë Klea, e cila ka shpjeguar se në fjalimin e saj në këtë konferencë ka thënë se vjen nga një vend i vogël si Kosova, por me shpirt të madh dhe zë që nuk ka frikë të dëgjohet./ KultPlus.com
Ekipi olimpik i të rinjve të Kosovës do të përfaqësohet në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj (EYOF) Shkupi 2025.
Festivali është gara më e rëndësishme e vitit për të rinj në kontinentin e Evropës, ku pjesëmarrës janë sportistë të moshës 14-18 vjeç.
EYOF-i nis më 20 korrik dhe mbahet deri më 26 të të njëjtit muaj. Krahas qytetit të Shkupit, garat mbahen edhe në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut, ndërsa sporti i gjimnastikës zhvillohet në Osijek të Kroacisë.
Listën e përbëjnë 32 sportistë (18 vajza dhe 14 djem) të 9 sporteve të ndryshme: Atletikë, çiklizëm, gjimnastikë, xhudo, taekëondo, badminton, not, pingpong dhe shenjëtari.
Për ekipin tonë është pjesëmarrja e pestë në EYOF veror, ku deri më tani numërojmë vetëm një medalje të fituar nga atleti Muhamet Ramadani në EYOF Baku 2015./ KultPlus.com
Me anë të një dekreti të firmosur nga Kryeministri Edi Rama, diplomatia Besiana Kadare, e bija e shkrimtarit Ismail Kadare, është liruar nga detyra si ambasadore e jashtëzakonshme dhe fuqiplotë e Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO).
Dekreti për lirimin e saj nga detyra nuk është shoqëruar me detaje për arsyet e ndryshimit apo emrin e pasuesit.
Kadare ka qenë pjesë e përfaqësimit të Shqipërisë në një nga institucionet më të rëndësishme globale që mbështet kulturën, trashëgiminë dhe edukimin që prej tetorit 2021./ KultPlus.com
Pas muajsh spekulimesh dhe diskutimesh të nxehta në rrjet, drejtuesit e Amazon dhe MGM kanë ngushtuar listën për aktorin që do të marrë rolin ikonik të James Bond. Sipas burimeve të Variety dhe DailyMail, në garë kanë mbetur vetëm tre emra: Jacob Elordi, Tom Holland dhe Harris Dickinson.
Të tre aktorët janë të rinj, të talentuar dhe me eksperiencë në projekte të mëdha, ndërsa përzgjedhja fokusohet në aktorë britanikë nën moshën 30 vjeçare. Megjithatë, edhe pse australian, Elordi vazhdon të konsiderohet një kandidat i fortë për rolin e agjentit sekret 007.
Filmi i ri do të drejtohet nga regjisori i njohur Denis Villeneuve (Dune, Blade Runner 2049), i cili e ka cilësuar këtë projekt si një nder dhe përgjegjësi të madhe. “Kam dashur gjithmonë Bond-in që në fëmijëri, është një ikonë që meriton një kapitull të ri spektakolar,” është shprehur ai.
Pas largimit të Daniel Craig, producentët e rinj Amy Pascal dhe David Heyman po përpiqen të sjellin një qasje të freskët, ndërkohë që Amazon ka marrë kontrollin krijues të ekskluzivitetit. Xhirimet mund të zhvendosen nga Londra në Liverpool për shkak të kufizimeve të reja në kryeqytet, ndërsa premiera pritet në fund të vitit 2026 ose në fillim të 2027-ës.
Ndërkohë, fansat janë të ndarë, sidomos pas lançimit të lojës së re zyrtare “007: First Light”, ku zëri i James Bond-it i përket aktorit Patrick Gibson. Kjo ka ngjallur spekulime se ai mund të jetë zgjedhja për film, por sipas burimeve nga studioja, loja dhe filmi nuk janë të lidhura drejtpërdrejt.
Një gjë është e sigurt: kapitulli i ardhshëm i agjentit më të famshëm në histori është më afër se kurrë dhe pritshmëritë janë të larta!/ KultPlus.com
Një ndër dëshmitë më të hershme letrare të Europës për figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, vjen për herë të parë në gjuhën shqipe, duke hedhur dritë mbi një kapitull të panjohur të pranisë së heroit tonë kombëtar në letërsinë evropiane të shekujve të kaluar.
Bëhet fjalë për romanin kalorësiak “Skënderbeu i Madh”, të shkruar nga autorja franceze Anne de La Roche Guilhem në shekullin XVII, tashmë i përkthyer në shqip nga prof. Ardian Ndreca. Kjo vepër, e ruajtur deri më sot në arkiva dhe biblioteka të huaja, risillet në qendër të vëmendjes si një dëshmi e hershme e figurisë mitike të Skënderbeut në imagjinatën letrare të kohës.
Promovimi i këtij botimi të rëndësishëm u zhvillua në bibliotekën “Zoja e Shkodrës”, në një aktivitet të organizuar nga famullia e Arqipeshkvisë Metropolitane. Ngjarja mblodhi studiues, lexues dhe përfaqësues të institucioneve kulturore, duke rikthyer në fokus vlerat e trashëgimisë historike nëpërmjet letërsisë së angazhuar ndërkulturore.
Ky botim është më shumë se një akt përkthimi, është një rivalorizim kulturor që forcon ndërveprimin mes kujtesës historike kombëtare dhe traditës letrare europiane. “Skënderbeu i Madh” i Anne de La Roche Guilhem jo vetëm pasuron fondin e letërsisë për Skënderbeun, por dëshmon se figura e tij ka frymëzuar mendje dhe zemra përtej kufijve të Shqipërisë, në një kohë kur Europa përballonte sfida të mëdha historike.
“Ajo që kuptojmë nëpërmjet romanit është fakti se historia e Shqipërisë, edhe në shek. XVII ka pas një lloj protagonizmi në gjirin e shoqërisë europiane, edhe pse kishim 200 vite që kishim rënë në robërinë osmane, vazhdonim të ishim pjesë e Europës dhe të frymëzonim shtresat e larta të shoqërisë europiane.”– tha përkthyesi i romanit, Ardian Ndreca./ KultPlus.com