Në Ditën Botërore të Fotografisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ndau një ansambël imazhesh nga Fototeka e saj, që rrëfejnë historikun e vendit.
E dyta në rang republike për nga madhësia, pas Fototekës “Marubi” (për fotot para ‘44-s), fototeka.arkiva.gov.al është tërësisht e digjitalizuar, duke garantuar akses të menjëhershëm të qytetarëve, blerjen e imazheve të riprodhuara me rezolucion të lartë, si edhe ruajtjen e tyre afatgjatë në trajtën autentike.
Fototeka e DPA-së përllogarit rreth 135 mijë fotografi origjinale, prej të cilave afro 41 mijë ilustrojnë jetën politike nga Pavarësia deri në shtetndërtim.
Përmes imazheve paraqitet edhe jeta shoqërore nëpërmjet aktivitetit ekonomik, kulturor, arsimor dhe fetar.
Fondi prej rreth 43 mijë fotografish të Institutit “Luce” kryen një retrospeksion në Shqipërinë nën Italinë fashiste. Mes tyre, rreth 13 mijë fotografi që gjenden në negativë, u përkasin fotografëve të njohur korçarë Vani Burda dhe Thimi Raci./atsh/KultPlus.com
Kur Taylor Swift të publikojë albumin e saj më të ri Life of a Showgirl, ai nuk do të jetë i disponueshëm vetëm në platformat e transmetimit apo në vinil, por edhe në kasetë. Formati i dikurshëm, që në vitet ’80 e ’90 mbizotëronte në tregun muzikor para se të zëvendësohej nga CD-të dhe më pas nga shërbimet online, po përjeton një ringjallje të papritur. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, shitjet e kasetave janë rritur nga rreth 80 mijë kopje në vitin 2015 në mbi 436 mijë në vitin 2023.
Ekspertët e industrisë thonë se ky rikthim është kryesisht meritë e të ashtuquajturve “super fansa” – dëgjues të përkushtuar që shpenzojnë më shumë, ndjekin çdo publikim të artistit të preferuar dhe kërkojnë formate fizike përtej transmetimit digjital. Ky grup përbëhet kryesisht nga të rinjtë e Gjeneratës Z dhe Milenialët, të cilët po zgjedhin një mënyrë më intime për të dëgjuar muzikë.
Pse kthehen tek kasetat?
Përvoja prekshme – dëgjuesit thonë se duan “diçka që mund ta mbajnë në dorë”. Ndryshe nga platformat digjitale, kasetat i detyrojnë të dëgjosh albumin nga fillimi deri në fund, duke i dhënë procesit një ndjenjë më aktive.
Nostalgjia dhe koleksionimi – edhe pse blerësit janë shpesh shumë të rinj për ta kujtuar epokën e kasetave, ata i shohin si objekte të veçanta koleksioni që forcojnë lidhjen me artistin.
Pushim nga “playlist”-et – ndryshe nga kalimi i menjëhershëm nga një këngë në tjetrën, kasetat kërkojnë durim dhe përqendrim te muzika si një e tërë.
Taylor Swift nuk është e para që e përqafoi këtë trend. Ajo ka publikuar edhe albumet e saj të ri-regjistruara në këtë format, përfshirë 1989 (Taylor’s Version), që vetëm vitin e kaluar shiti mbi 17 mijë kopje në kasetë. Ky rikthim është vënë re edhe tek artistët e rinj, si Chappell Roan apo Sabrina Carpenter, duke treguar se kaseta po fiton sërish vend në industrinë muzikore.
Megjithëse transmetimi online mbetet mënyra kryesore e konsumit muzikor, rritja e kasetave dëshmon se muzika nuk është vetëm tingull, por edhe përvojë fizike – një mënyrë që brezat e rinj e shohin si më autentike dhe personale./KultPlus.com
Bashkimi Evropian i ka inkurajuar të mërkurën partitë politike në Kosovë ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të konstituojnë shpejt Kuvendit, pak orë pas dështimit më të fundit të deputetëve për ta zhbllokuar ngërçin.
Zyra e BE-së në Kosovë tha për Radion Evropa e Lirë se blloku “po i ndjek me kujdes zhvillimet që lidhen me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë”.
Deputetët u mblodhën të mërkurën paradite për vazhdimin e seancës konstituive, pasi dy ditë më parë gjykata më e lartë e vendit e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me këtë çështje, i cili i detyron ata ta bëjnë Kuvendin e ri brenda një afati prej 30 ditëve, i cili skadon më 18 shtator.
Megjithatë, konstituimi dështoi pasi asnjëra prej dy kandidateve të propozuara nga partia fituese e zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje – Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla – nuk arritën t’i marrin më shumë se 57 vota, që është 4 vota më pak se të paktën 61 votat e kërkuara për t’u zgjedhur.
Zyra e BE-së theksoi se “formimi i shpejtë i Kuvendit dhe i Qeverisë është thelbësor për Kosovën që të ecë përpara me reformat e rëndësishme në të gjitha sektorët, të cilat do të përmirësojnë cilësinë e jetës dhe standardin e jetesës së qytetarëve të Kosovës”.
Ndërkohë, Ambasada e Italisë në Prishtinë, e pa si diçka inkurajuese faktin që Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, propozoi një kandidat të ri për kryeparlamentar, pasi në të kaluarën kishte propozuar vetëm Haxhiun.
Në një përgjigje me shkrim për REL-in, Ambasada italiane tha se propozimi i Gërvallës “tregon gatishmëri për të bërë përparim, i cili do të duhet të konfirmohet në ditët në vijim”.
“Shpresojmë që të gjithë aktorët politikë të punojnë me përgjegjësi për të siguruar konstituimin e Kuvendit me kohë, në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.
Pas seancës, Vetëvendosje i akuzoi partitë e tjera të mëdha në Kuvend, si PDK, LDK dhe AAK, se me këtë dëshmuan se emri i Haxhiut nuk ishte problemi kryesor, por se ato “po synojnë bllokimin e formimit të institucioneve”.
PDK-ja përsëriti qëndrimin se ka votë vetëm për një kandidat të Vetëvendosjes, i cili nuk ka qenë pjesë e Qeverisë në mandatin paraprak.
LDK-ja tha Vetëvendosje e ka ditur që Haxhiu dhe Gërvalla nuk kanë vota të mjaftueshme. Në të kaluarën, LDK ka thënë vazhdimisht se nuk e voton asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.
Ndërkaq, AAK-ja tha se pret që edhe në seancën e radhës Vetëvendosje të propozojë emra për të cilët nuk ka mbështetje.
Nisma Socialdemokrate tha se do të abstenojë dhe nuk do të japë votë për pa u arritur një marrëveshje politike.
Vazhdimi i seancës u caktua për të premten, më 22 gusht.
Kosova mbajti zgjedhje parlamentare në shkurt, por nuk ka qenë në gjendje t’i themelojë institucionet e reja prej atëherë.
E gjithë kjo krizë disamujore vjen si pasojë e mungesës së një marrëveshje politike mes partive parlamentare, pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme.
Vetëvendosje i fitoi 48 ulëse, PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.
Regjisori i njohur i Hollivudit, Quentin Tarantino, ka zbuluar se cilin nga filmat e tij e konsideron më të mirin, dhe ndoshta nuk është ai që do të prisnit.
Regjisori amerikan ka fituar dy çmime Oscar: një për skenarin e “Pulp Fiction” në vitin 1994 dhe një tjetër për skenarin e “Django Unchained” 18 vjet më vonë.
Por, asnjë nga këta nuk është filmi që ai e konsideron më të mirë, madje as të preferuarin e tij.
Në vend të tyre, Tarantino tha se filmi i vitit 2009 “Inglourious Basterds” është vepra e tij më e mirë, ndërsa i preferuari i tij është filmi i fundit që ka realizuar, “Once Upon a Time… in Hollywood”. Ai i bëri këto komente gjatë një interviste në podkastin “The Church of Tarantino”, në një episod të publikuar të premten.
I pyetur se cili film i tij është i preferuari, regjisori 62-vjeçar u përgjigj: “‘Once Upon a Time… in Hollywood’ është i preferuari im, ‘Inglourious Basterds’ është më i miri, por mendoj se ‘Kill Bill’ është filmi më ‘Quentin’ nga të gjithë, askush tjetër nuk mund ta kishte bërë atë.”
I vendosur në Francën e pushtuar nga nazistët dhe me Brad Pitt e Christoph Waltz në rolet kryesore, “Inglourious Basterds” ndjek një grup ushtarësh hebrenj amerikanë që planifikojnë të vrasin liderët nazistë. Tarantino shtoi se çdo aspekt i historisë së dy pjesëve të “Kill Bill”, ku Uma Thurman luan një vrasëse që kërkon hakmarrje pasi zgjohet nga koma, buron nga imagjinata, pasionet dhe dashuritë e tij.
“Prandaj mendoj se ‘Kill Bill’ është filmi që kam lindur për ta bërë. Mendoj se ‘Inglourious Basterds’ është kryevepra ime, por ‘Once Upon a Time… in Hollywood’ është i preferuari im,” tha ai.
Megjithatë, disa nga filmat e tij kanë marrë edhe kritika.
I pyetur nëse do të ndryshonte ndonjë gjë nga veprat e tij, Tarantino pranoi se kishte bërë disa gabime gjatë rrugës.
“E vetmja gjë që më ‘pickon’ është disa pamje të vogla në ‘Reservoir Dogs’ dhe ‘Pulp Fiction’,” tha ai, duke shtuar se të dy kishin disa elemente “amatore”. Edhe pse ai “i do” të dy filmat, pranoi se ishin bërë në fillimet e karrierës së tij, kur “nuk e dija çfarë nuk dija.” Ai nuk deshi të tregonte gabimet specifike, por përmendi pajisje të dukshme në skenë, hijen e mikrofonit boom dhe shenjat në dysheme për pozicionimin e aktorëve. “Të duhen të paktën dy filma për të kuptuar se si bëhet,” tha me shaka.
Gjatë intervistës, Tarantino tha se projekti i tij i fundit, “The Adventures of Cliff Booth”, vazhdim i “Once Upon a Time… in Hollywood”, ka nisur tashmë xhirimet.
“Once Upon a Time… in Hollywood” kishte në rolet kryesore Leonardo DiCaprion si aktorin televiziv në rënie Rick Dalton, dhe Brad Pitt si dublanti i tij Cliff Booth. Së bashku, përpiqen të rifitojnë famën dhe suksesin.
Tarantino kishte thënë më parë se filmi i radhës që do të regjistronte do të ishte edhe i fundit i tij. Fillimisht ishte përfolur se do të ishte një skenar i titulluar “The Movie Critic”, por ai e hoqi dorë nga ideja vitin e kaluar.
Duke shpjeguar pse e anuloi projektin, ai tha se humbi interesin për ta sjellë atë histori në ekran.
“E tërhoqa prizën,” tha ai. “Isha shumë i entuziazmuar për shkrimin, por nuk isha edhe aq i ngazëllyer për ta dramatizuar atë që kisha shkruar kur nisëm përgatitjet. Pjesërisht sepse po përdorja të njëjtën qasje që kisha mësuar nga ‘Once Upon a Time… in Hollywood’,” shtoi ai, duke shpjeguar se “The Movie Critic” do të ishte vendosur në të njëjtën kohë dhe vend./CNN/KultPlus.com
“Ka disa gjëra që duhet t’i di – si nëna e tyre,” thotë Cindy Gambino në librin This House Of Grief të Helen Garner. Është një fjali që shkon drejt e në zemër të leximit të përzgjedhur nga Dua për gushtin.
Në intervistën për Service95 Book Club, Dua ndalet te rrëfimi i Helen për një krim të vërtetë që tronditi Australinë: gjyqi i Robert Farquharson, një baba i akuzuar se me qëllim e drejtoi makinën e tij drejt një rezervuar uji, duke shkaktuar vdekjen e tre djemve të tij të vegjël. This House Of Grief nuk është vetëm një rikthim në sallën e gjyqit si skenë teatri, është një reflektim mbi drejtësinë, humbjen dhe kompleksitetin e pashpjegueshëm të natyrës njerëzore, shkruan KultPlus.
Kjo është edhe ndjesia e parehatshme që libri mbart. “Njerëzit gjykojnë shumë shpejt në raste të tilla,” shpjegon Helen. “Më pas fillojnë të përdorin terma psikiatrikë si ‘psikopat’. Por kur shkon në gjyq, nuk sheh ndonjë përbindësh; sheh një njeri të thyer, dikë që ka bërë diçka të tmerrshme, që secili prej nesh mund të shtyhej ta bënte nga dhimbja e jetës.”
Në prozën e saj të kthjellët dhe plot dhembshuri, Helen e rrëfen tmerrin dhe paqartësinë e procesit gjyqësor. Ajo prek edhe peshën emocionale të të shkruarit për një histori të tillë: “Është si një thikë që të shpon vazhdimisht… dhe ti nuk di nëse je i aftë ta mbash dhe ta përcjellësh me dinjitet.”
Me This House Of Grief, Garner na fton të mos kthejmë shikimin, por të dëshmojmë jo vetëm faktet e një krimi, por edhe valët që ai krijon në jetën e të gjithëve që prek./KultPlus.com
Mihal Duri është një nga figurat e rëndësishme të rezistencës antifashiste shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. I lindur në fshatin Erind të Gjirokastrës në vitin 1916, ai u bë pjesë aktive e lëvizjes komuniste dhe antifashiste që në fillimet e saj. Përkushtimi i tij ndaj çështjes së çlirimit kombëtar dhe idealet revolucionare e vendosën në qendër të veprimtarisë së fshehtë në vitet e pushtimit italian.
Në fillim të viteve ’40, Duri ishte pjesë e strukturave të organizuara të Grupit Komunist të Korçës, një nga bërthamat e para të lëvizjes komuniste në Shqipëri. Ai kontribuoi aktivisht në përgatitjen dhe shpërndarjen e trakteve propagandistike antifashiste, që synonin të ngrinin vetëdijen e popullit dhe të nxisnin rezistencën ndaj pushtuesve italianë, transmeton KultPlus.
Në veprën “Retë dhe gurët: Intervistë me vetveten”, shkrimtari Petro Marko, i cili ndodhej në burg gjatë të njëjtës kohë, përshkruan me dhimbje momentin kur Mihal Duri u burgos nga autoritetet fashiste, duke treguar vendosmërinë dhe karakterin e tij të fortë edhe përballë torturave dhe presionit.
Pas lirimit nga burgu, Duri nuk reshti së vepruari për lëvizjen antifashiste. Veprimtaria e tij vazhdoi me intensitet në Tiranë, ku kontribuoi në përhapjen e materialeve të rezistencës dhe në organizimin e elementëve të rinj të lëvizjes.
Në vitin 1942, në Domje të Tiranës, Mihal Duri ra dëshmor në një përplasje me forcat fashiste, duke treguar edhe njëherë vendosmërinë e tij për të mos u dorëzuar para armikut. Vdekja e tij u bë simbol i sakrificës së brezit të rinj që luftuan për një Shqipëri të lirë dhe të pavarur.
Për kontributin e tij të shquar në luftën kundër pushtuesve, Mihal Duri u nderua pas vdekjes me titullin e lartë “Hero i Popullit”, një vlerësim që i takon me të drejtë për guximin, përkushtimin dhe idealizmin e tij.
Edhe pse emri i tij nuk përmendet shpesh në tekstet e historisë moderne, figura e Mihal Durit mbetet një shembull frymëzues i qëndresës kundër fashizmit dhe i sakrificës për atdheun. Historia e tij duhet të ruhet e të përcillet brezave të rinj si një dëshmi e gjallë e rezistencës së popullit shqiptar në një nga periudhat më të vështira të tij./KultPlus.com
Salla “Kardinal Mikel Koliqi” hapi dyert për edicionin e IX të festivalit “Shkodra Sounds”, i cili nisi me një koncert të veçantë nga “Skanderbeg Chamber Orchestra”.
E themeluar në vitin 1997 nga artisti i ndjerë Rrok Jakaj, orkestra mbetet një ndër ansamblet më të veçanta të muzikës së dhomës. Drejtori artistik, Florian Jakaj, theksoi rëndësinë e festivalit si hapësirë kulturore për qytetin, duke e parë si një moment për reflektim dhe synime të reja.
Violinisti Paçalin Pavaci, i cili jeton jashtë vendit, shprehu emocionin e rikthimit në Shkodër: “Është një emocion i madh, sepse mblidhen të gjithë shkodranët që punojnë kudo në botë në profesionin e tyre. Është një dëshmi e fuqisë së shkollës sonë muzikore dhe e lidhjes së fortë me qytetin.”
Ky koncert shënoi hapjen e një jave të mbushur me aktivitete muzikore, ku Shkodra përjeton edhe një herë atmosferën e “Shkodra Jazz Festival”./rtsh
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka investuar në projektin e ndriçimit dekorativ të kalasë së Himarës, duke i dhënë jo vetëm dritë, por edhe ngjyra që e bëjnë më madhështore këtë monument mbi 3500-vjeçar.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kalaja e Himarës, Monument Kulture i Kategorisë I.
Gonxhja vlerësoi se ky investim, i realizuar në një ansambël ku bashkëjetojnë banesa dhe objekte fetare, vjen si angazhim i bashkisë së Himarës, duke rritur kushtet për banorët dhe vlerën turistike të kalasë, e cila tashmë, falë këtij bashkëpunimi, vizitohet edhe në orët e mbrëmjes.
“Kalaja, Monument Kulture i Kategorisë I, në administrimin e DRTK Vlorë, ka qenë qendër e rëndësishme historike dhe kishtare që nga shekulli VIII. Sot, ajo është një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë së Himarës dhe një ftesë për ta vizituar jo vetëm për bregdetin”, theksoi ministri.
Kalaja e Himarës e cila të ofron një pamje të mrekullueshme nga zemra e Rivierës Shqiptare, vizitohet nga pushues të shumtë gjatë sezonit veror.
Turistë nga vende të ndryshme shprehen të mahnitur nga panorama që ofrohet teksa vizitojnë Kalanë e ndërtuar nga kaonët, një fortesë e fuqishme nëpër shekuj./atsh/KultPlus.com
Aktorja Aubrey Plaza ka folur për herë të parë për humbjen e bashkëshortit të saj, regjisorit Jeff Baena, i cili vdiq shtatë muaj më parë, në janar, në moshën 47-vjeçare.
Në një intervistë në podkastin e Amy Poehler, shoqja e saj nga seriali “Parks and Recreation”, Plaza tregoi se jeta është një “luftë e përditshme”. E pyetur se si ndjehej, ajo tha: “Mendoj se jam mirë,” përpara se të krahasonte zinë me një “oçean të madh tmerri”. “Ndonjëherë dua të futem brenda dhe ta përjetoj plotësisht,” tha ajo. “Ndonjëherë vetëm e shikoj, e ndonjëherë përpiqem të largohem prej tij. Por ai është gjithmonë aty.”
Plaza dhe Baena u martuan në vitin 2021 dhe kishin bashkëpunuar në filma si komedia horror “Life After Beth” (2014) dhe “The Little Hours” (2017). Ata ishin ndarë në shtator 2024, sipas hetimeve të bërë nga Zyra e Mjekësisë Ligjore në Los Anxhelos.
Në podkast, Poehler e pyeti në fillim se si ishte, dhe Plaza u përgjigj: “Në këtë moment të tanishëm, ndihem e lumtur që jam me ty.” “Në përgjithësi, jam këtu dhe funksionoj. Ndihem mirënjohëse që po ec nëpër botë. Mendoj se jam mirë, por është një luftë e përditshme, natyrisht.”
Për të përshkruar ndjenjën e zisë, ajo përmendi filmin e vitit 2025 “The Gorge”, që tregon për dy snajperë në anët e kundërta të një humnere të thellë plot me krijesa të frikshme. “Kur e pashë atë film, mendova: kjo është si ndjehet zia ime. Gjithmonë është një humnerë e madhe me përbindësha, një oçean i tmerrshëm që është aty,” tha ajo.
Aubrey Plaza njihet gjithashtu për rolet në “The White Lotus” dhe në serialin e Marvel “Agatha All Along”, dhe ishte duke promovuar filmin e saj të ri “Honey Don’t!”.
Jeff Baena ishte i njohur për skenarin e filmit “I Heart Huckabees” (2004) dhe për regjinë e filmave si “Joshy” (2016), “The Little Hours” (2017) dhe “Horse Girl” (2020)./BBC/KultPlus.com
Ingvar Sigurdsson është një nga aktorët më të vlerësuar të Islandës, me një karrierë mbi tre dekada në film, televizion dhe teatër.
Kreditet e tij filmike përfshijnë Godland, The Northman, A White, White Day, The Shrouds, Lamb, Of Horses and Men dhe Sebastian, si dhe filmat ndërkombëtarë si Justice League, Fantastic Beasts, Everest, Beowulf and Grendel, K-19: The Widowmaker dhe Rebel Moon pjesët 1 dhe 2. Në televizion, ai është paraqitur në serialet Trapped, Succession, Katla, Blackport, Balls, Killing Eve dhe King and Conqueror.
Çmimet e Sigurdsson përfshijnë Çmimin danez Bodil 2023 për Godland, Aktorin më të mirë në Java e Kritikës në Kanë për A White, White Day, dhe Aktorin më të mirë në Clermont-Ferrand për O (Hringur). Ai është nominuar tre herë për Çmimet e Akademisë Evropiane të Filmit, duke fituar në vitin 2000 për Angels of the Universe, dhe është përzgjedhur në Shooting Stars në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin.
PriFest mbahet nga 9-14 shtator në Kino Armata, Prishtinë./ KultPlus.com
Shqipëria po e vendos veten me shpejtësi si një nga destinacionet më të habitshme në Ballkan dhe Tirana përfaqëson zemrën që rreh në këtë transformim, shkruan Federico Sala për faqen e njohur turistike italiane agriturismolebalzarine.it.
Nëse jeni duke kërkuar një përvojë autentike udhëtimi, plot kontraste interesante dhe larg nga rruga e rrahur e turizmit masiv, kryeqyteti shqiptar do t’ju ofrojë emocione të papritura.
Me ngjyrat e saj të gjalla, historinë e saj të trazuar dhe energjinë e saj ngjitëse, Tirana është gati t’ju magjepsë.
Duke ecur nëpër rrugët e Tiranës, do të gjeni veten të zhytur në një kaleidoskop përvojash që tregojnë historinë komplekse dhe interesante të Shqipërisë.
Qyteti është si një muze i hapur, ku arkitektura osmane përzihet me arkitekturën italiane nga periudha fashiste, ndërsa ndërtesat e epokës komuniste bashkëjetojnë në mënyrë harmonike me ndërtimet moderne bashkëkohore.
Qendra e qytetit sillet rreth sheshit madhështor ”Skënderbej”, i dedikuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Këtu mund të admironi Xhaminë e Et’hem Beut, një xhevahir i arkitekturës osmane të shekullit XVIII, i rrethuar nga Kulla e Sahatit që dominon peizazhin e qytetit.
Një nga zonat më interesante është padyshim Blloku, ish-lagjja e elitës komuniste që sot përfaqëson zemrën e jetës së natës dhe argëtimit të Tiranës.
Dikur i ndaluar për qytetarët e zakonshëm, sot Blloku pulson me jetë me kafenetë e tij moderne, restorantet gurme’ dhe butikët modernë.
Për të kuptuar vërtet Shqipërinë bashkëkohore, një vizitë në Bunk’Art është thelbësore. Ky muze, i vendosur në një bunker bërthamor të epokës komuniste, ofron një perspektivë prekëse mbi historinë e kohëve të fundit të vendit. Përvoja është si edukative ashtu edhe emocionalisht tërheqëse.
Nuk mund ta humbisni Piramidën e famshme, ish-mauzoleun e Enver Hoxhës të transformuar në një qendër kulturore. Kjo ndërtesë kontroverse është bërë një simbol i aftësisë së Shqipërisë për të rishpikur veten dhe për të parë drejt së ardhmes.
Përvoja gastronomike që nuk duhet të humbni
Kuzhina shqiptare është një zbulim për shijen, me ndikime osmane, italiane dhe ballkanike që krijojnë shije unike.
Në tregun e Pazarit të Ri, mund të provoni specialitete lokale si tavë kosi (qengj i pjekur me kos) ose byrek në të gjitha variacionet e tij, duke shpenzuar mesatarisht midis 5 dhe 15 euro për një vakt të plotë.
Restorantet në qendrën historike ofrojnë përvoja të rafinuara kulinare me çmime të përballueshme: një darkë e plotë në një lokal të nivelit të lartë rrallë do të kalojë 25-30 euro për person, përfshirë verën.
Vetëm 30 minuta nga qendra e qytetit, teleferiku ju çon në malin e Dajtit, duke ofruar pamje marramendëse të të gjithë luginës së Tiranës. Një biletë teleferiku kushton rreth 8 euro vajtje-ardhje, një investim minimal për pamje spektakolare.
Nëse keni kohë për një udhëtim njëditor, Kruja është vetëm një orë me autobus nga Tirana. Ky qytet mesjetar, djepi i rezistencës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane, do t’ju mirëpresë me kështjellën e tij, pazarin tradicional dhe pamjet e paharrueshme të maleve përreth.
Tirana është një qytet jashtëzakonisht i përballueshëm sipas standardeve evropiane.
Një kafe kushton mesatarisht një euro, ndërsa një biletë autobusi për qytetin kushton jo më shumë se gjysmë euro.
Akomodimi në një hotel të mirë kushton rreth 40-60 euro për natë për një dhomë dyshe në qendër të qytetit.
Monedha lokale është leku shqiptar, por eurot pranohen pothuajse kudo. Gjuha zyrtare është shqipja, por shumë flasin italisht, veçanërisht në zonat turistike dhe hotelet.
Koha ideale për ta vizituar
Fundi i gushtit është koha ideale për të vizituar Tiranën, pasi temperaturat janë ende të ngrohta pa qenë shtypëse dhe qyteti është në nivelin e tij më të lartë.
Mbrëmjet janë perfekte për të shëtitur përgjatë rrugës kryesore ose për të shijuar një aperitiv në një bar në çati me pamje nga qyteti.
Tirana ju pret të tregoni historinë e saj të transformimit dhe qëndrueshmërisë, duke ju ofruar një përvojë udhëtimi që nuk do ta harroni kurrë./ atsh/ KultPlus.com
Salvatore Quasimodo (Salvatore Kuazimodo) ishte një nga poetët e shumënjohur italian. Kritik dhe përkthyesit po kaq i përkushtuar që plazmoi gjurmë të shndritshme në historinë e letërsisë italiane dhe asaj botërore. “Ai ka shkruar me një delikatesë meditative dhe përsiatje të holla si askush në poezinë moderne italiane”, mëton Moikom Zeqo. Poezia e tij e ngërthyer në një modus shprehës forcash dhe thellësish, elaburuar përmes një lirike përshkuese dhe tronditëse njiherash, zë vend në magjinë e komunikimit poetik si një identitet i pagjasshëm dhe një zë i fuqishëm. Sipas tij “pozicioni i poetit nuk mund të jetë pasiv në shoqëri, ai, kemi thënë, e ndryshon botën. Figurat e tij të forta, ato të krijuarat, rrahin në zemrën e tij më shumë sesa filozofia dhe historia”.
Salvatore Quasimodo u lind më 20 gusht 1901 dhe u shua në moshën 66-vjeçare më 14 qershor 1968. Në vitin 1959 fitoi Çmimin Nobel në Letërsi “për poezinë e tij lirike, e cila me zjarr klasik shpreh përvojën tragjike të jetës në kohët tona”. Së bashku me Giuseppe Ungaretti dhe Eugenio Montale , ai është një nga poetët më të shquar italian të shekullit të 20.
Kritika tradicionale letrare ndan punën Quasimodo-së në dy periudha kryesore: hermetik periudhën deri në Luftën e Dytë Botërore dhe epokën post-hermetike deri në vdekjen e tij. Edhe pse këto periudha janë të ndryshme, ato duhet të shihen si një kërkim të vetëm poetik. Ky kërkim apo eksplorimi për një gjuhë unike e çoi nëpër faza të ndryshme dhe modaliteteve të ndryshme të shprehjes.
Si një poet inteligjent dhe të mençur, Quasimodo përdorur një hermetical , gjuhë “të mbyllura” të skemë përsëritur motive si Sicilia, fesë dhe vdekjes. Më pas, përkthimi i autorëve nga romake dhe greke antikiteti ia ka mundësuar për të zgjatur instrumentin e tij gjuhësor. Neveri dhe ndjenjën e absurditetit të Luftës së Dytë Botërore gjithashtu kishte ndikimin e saj në gjuhën e poetit. Ky hidhërim, megjithatë, i venitur në shkrimet e tij të ndjerë, dhe u zëvendësua nga zëri pjekur e një poeti të vjetër duke reflektuar mbi botën e tij.
Ai ka shkruar me një delikatesë meditative dhe përsiatje të holla si askush në poezinë moderne italiane.
Poezia shndërrohet në etikë pikërisht përmes përftimit të së bukurës: përgjegjësia e saj është në raport të drejtpërdrejtë me përsosmërinë e saj. Të shkruash vargje do të thotë t’i nënshtrohesh një gjykimi; gjykimi estetik përfshin në mënyrë të heshtur reagimet shoqërore që shkakton një poezi. I njohim rezervat për këto parashtrime. Por një poet është i tillë kur nuk heq dorë nga prania e tij në një tokë të dhënë, në një kohë të saktë, të përcaktuar politikisht. Dhe poezia është liri dhe e vërtetë e asaj kohe, jo shumëfishimi abstrakt i ndjenjës.
“Miti” i Salvatore Quasimodo buron nga pjekuria e veprave “Oboe e mbytur” dhe “Erato e Apollion”: është miti i vetmisë psikologjike e metafizike të njeriut në dhembjen e jetës, asgjëja e gërmadhave të zemrës, zhgënjimi i plotë i ekzistencës, të cilat bëhen këngë e poezi në vetë gjendjen e dëshpërimit shumë të madh abstrakt. Në teknikën e përkryer të një gjuhe të përpiktë, të fisme, të mbyllur, asnjëherë krejt e shtendosur apo e lënë pas dore; në sigurinë e skajshme të përfytyrimeve që kujtohen ose nuk mbahen mend, trupore apo jolëndore, të pranëvënieve analogjike të pazakonta, nganjëherë edhe të detyrueshme, gjendet masa dhe vërtetimi i asaj që kritika e quan “Poetika e fjalës”.
Poeti beson gjithnjë te njeriu, mendonte Quasimodo, megjithë rravgimet e luftës dhe ato – në një farë kuptimi edhe më të këqia – të paqes e të “qytetërimit të atomit”. Beson në mundësitë e ndryshimit të botës e të shoqërisë, beson në historinë e bërë nga njeriu: histori rrënqethëse, kriminale, cfilitëse, që çon detyrimisht në trajtimin pa rrugëdalje të epokës sonë, kur nuk ecet drejt një shndërrimi të plotë të njeriut, drejt një verifikimi të miteve të tij, në themelimin e një ekzistence të denjë për t’u jetuar.
Pas “poetikës së fjalës”, kumbimit të pastër, figurave të tejpashme dhe muzikës së vëllimit “E mbrëmja ia beh në çast”, në poezinë e Quasimodos bën udhë një ndërgjegjësim gjuhësor i cili kundrejt përsosjes formale – edhe pse të ruajtur e të përçuar në çdo ngjarje poetike të mëpasshme – parapëlqen domethënien dhe komunikimin. Tipik për këtë është kalimi (i ndërlidhur me temat popullore dhe me projektimin e një njerëzimi të ardhshëm, të mundshëm) nga monologu lirik në dialogun dramatik, në epikë apo në formën epiko–lirike, karakteristike për krijimtarinë e vonshme të Quasimodos.
***
Salvatore Quasimodo u lind më 20 gusht në Sicili, ishte biri i një punonjësi hekurudhash. Pas tërmetit të tmerrshëm të vitit 1908- shkon pas të atit, i cili transferohet në Mesinën e shkatërruar. Për gjithë jetën e tij, megjithë kohën e kaluar, poeti thuhet se do të ketë në mëndje përgjithnjë jetesën e çuditshme në vagonët hekurudhorë, midis gërmadhave, vrasjeve të çakejve, lëkundjeve sizmike të njëpasnjëshme. Më pas ai studion në Palermo: por nuk mundet të përfundojë në fakultetin e inxhinierisë. Gjendja e vështirë ekonomike e bën që të kërkojë herët punë. Pasi punon si projektues teknik në një ndërmarrje ndërtimesh, komisionar dyqanesh, nëpunës teknik pranë një magazine romane, pasi organizon, – siç rrëfente vetë – një grevë, pikërisht në vigjilje të hyrjes në fuqi të ligjit fashist antigrevë, gjeti një punë të re, më të qëndrueshme, në xhenjon civile. Shkruan shpejt vargje dhe auditori i parë i tij janë miqtë e ngushtë Puliati e Elio Vitorini dhe, në vijim të ftesës së Vitorinit, më 1929, shkon në Firence, ku njeh, ndër të tjerë, Euxhenio Montalen, Manzaninën, Lorian e Bonsantin, i cili boton, për herë të parë, tre poezi të të riut sicilian në revistën “Solaria”. Vite më vonë e gjejmë që i jepet përkthimit , ku vepra e tij e parë e rëndësishme në fushën e përkthimit poetik është “Lirikë grekë” (“Lirici greci”) botuar për herë të parë më 1940 me parathënie të Luçiano Ansekit. (Ansechi). Më 1942 pason vëllimi që përmbledh krijimtarinë poetike të të gjithë periudhës së mëparshme, “Dhe mbrëmja ia beh në çast”. “Odiseja” e nga Katuli, “Edipi-n mbret” të Sofokliut dhe “Ungjillin” e Shën Gjonit. Boton këngën epike të “Ditë pas dite” (Giorno dopo giorno”), 1947, të cilën do ta ndjekin vepra gjithashtu me vlerë: “Jeta nuk është ëndërr” (“La vita non e sogno”), 1949, “Blerimi i rremë dhe i vërtetë” (“Il falso e vero verde”), 1956. Në vitin 1958, për veprën “Toka e pakrahasueshme” (“La terra imparegiabbile”) poetit i jepet çmimi “Viareggio” (më 1953 kishte marrë, bashkë me anglezin Dylan Thomas, çmimin Etna – Taormina). Më në fund, një vit më pas (1959), Salvatore Quasimodo fitoi vlerësimin më të madh, çmimin “Nobel” për letërsi.
Pas luftës, pikpamjet sociale të Salvatore Quasimodo, formësuan veprimtarinë e tij dhe përmbush korpusin krijues në kuptimin tërësor me botimin “Giorno dopo giorno” (1947), “Dita pas dite”. Shumë nga poemat e Quasimodos fshikullojnë padrejtësitë e regjimit fashist, tmerret e luftës dhe fajësinë italiane. Poezitë e mëvonshme në të njëjtën mënyrë, të thjeshta në gjuhë, shfaqin imazhe konkrete dhe të menjëhershme. Salvatore Kuazimodo ishte një nga më të mëdhejtë e poezisë italiane. Është mjaft e njohur fjala e tij në ceremoninë e marrjes së çmimit Nobel në vitin 1959. Pjesë nga ajo: “Ndërsa poeti është i ndërgjegjshëm për fuqinë e politikanit, këtij të fundit i bie ndërmend për poetin kur zëri i këtij depërton thellë në shtresa të ndryshme shoqërore dhe prej atij çasti fillon lufta e nëndheshme ndërmjet politikanit dhe poetit[……] me fjalë politikani mbështet kulturën, por në të vërtetë rreket t’ja mehë fuqinë, t’ja heqë poetit tri a katër liritë themelore të njeriut, deri sa poeti të vazhdojë, në këtë qerthull të përjetshëm, të rifitojë çka i kanë grabitur.” Salvatore Quasimodo vdiq në Napoli më 14 qershor 1968.
Në një ese për poezinë Salvatore Quasimodo thotë: “Filozofët, armiqtë e natyrshëm të poetëve, dhe skeduesit e përhershëm të mendimit kritik, pohojnë se poezia (dhe të gjitha artet), ashtu si veprat e natyrës, nuk pësojnë ndryshime as gjatë dhe as pas një lufte. Ky është iluzion, sepse lufta ndryshon jetën morale të një populli dhe njeriu, në rikthimin e tij, nuk gjen më masa sigurie në një modus jetese të brendshëm, të harruar apo të ironizuar gjatë provave të tij me vdekjen. Lufta rivendos me dhunë një rregull të pashpallur në mendimin e njeriut, një zotërim më të madh të së vërtetës: shfaqjet e realitetit ndikojnë në historinë e saj. ”
Vepra të Salvatore Quasimodo
Poezi:
“Ujëra dhe toka”, Firence, 1930
“Oboe e mbytur” , Xhenova, 1932
“Aromë ekualipti e vargje të tjera”, Firence, 1933
“Erato e Apollion”, Milano, 1936
“Poezi” Milano, 1938
“E mbrëmja ia beh në çast”, Milano, 1942
“Me këmbën e huaj përmbi zemër”, Milano, 1946
“Ditë pas dite”, Milano, 1947
“Jeta nuk është ëndërr”, Milano, 1949
“Blerimi i rremë e i vërtetë”, Milano, 1953
“Toka e pakrahasueshme”, Milano, 1958
“Poezi të zgjedhura” Parma, 1959
“Të gjitha poezitë”, Milano, 1960
“Të japësh e të kesh”, Milano, 1966
“Poezi e ligjërime për poezinë”, Milano, 1971 (pas vdekjes)”
Studime
“Petrarka dhe ndjenja e vetmisë” Milano, 1959
“Poeti e politikani dhe studime të tjera”, 1960
“Shkrime për teatrin”, Milano, 1961
Veprat e Kuazimodos janë përkthyer në 35 gjuhë./ KultPlus.com
Një vepër arti e krijuar gjatë luftës së dytë botërore e skulptores britanike Dame Barbara Hepworth do të qëndrojë përgjithmonë në Mbretërinë e Bashkuar, pasi një galeri arti ka arritur me sukses të mbledhë shumën prej 3.8 milionë paundësh për blerjen e skulptures.
Pas një fushate intensive, e cila përfundon më 27 gusht , galeria Hepworth Wakefield siguroi fondet përmes shumës së 2,800 donacioneve publike, si dhe shërbimeve institucionale nga Fondi Kombëtar i Trashëgimisë së Lotarisë me 1.89 milionë paund dhe një grant prej 750,000 paundësh nga fondi i Artit.
Skulptura në formë ovale në ngjyrë blu të zbehtë, e krijuar në vitin 1943 gjatë Luftës së Dytë Botërore, është një nga veprat e rralla me gdhendje druri të bëra nga artistja e lindur në Wakefield. Vepra është e gdhendur në dru me tela, një teknikë që ajo e zhvillon në një periudhë të sfiduar nga mungesa e materialeve.
Duke qenë në pronësi private që nga krijimi i saj dhe i ekspozuar publikisht në ankand nga Christie’s në vitin 2024, ku arriti çmimin prej 3.5 milionë dollarësh.
Olivia Colling, drejtoresha e galerisë, u shpreh se artistja do të ishte thellësisht e imresionuar nga ky solidaritet. “Barbara Hepworth fliste shpesh për lidhjen e saj me komunitetin dhe rolin e saj artistik.
Jemi mirënjohës për bujarinë e publikut që na ndihmon të sjellim këtë vepër të njohur në qytetin e saj të lindjes”, tha drejtoresha e galerisë së artit. Ajo shtoi se skulptura do të shfaqet përgjithmonë në galeri dhe do t’u huazohet dhe muzeve dhe galerive të tjera në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar për të siguruar akses të gjerë publik.
Fushata u mbështet nga emra të njohura të artit dhe kulturës, që përfshijnë Sir Antony Gormley, Anish Kapoor dhe Dame Rachel Whiteread.
Teleskopi Hapësinor “James Webb” ka zbuluar një hënë shumë të vogël që rrotullohet rreth Uranit, sipas “AP”- së.
NASA njoftoi se objekti i ri qiellor është vetëm rreth 10 kilometra i gjerë dhe u pa me kamerën infra të teleskopit.
Shkencëtarët besojnë se kjo hënë ka mbetur e fshehur për kaq gjatë për shkak të madhësisë së vogël dhe dritës së zbehtë, madje as sonda “Voyager 2”, gjatë fluturimit të saj pranë Uranit rreth 40 vite më parë, nuk arriti ta dallonte.
Deri tani Uranit i njiheshin “28 hëna”, shumica të vogla dhe pranë planetit.
Me këtë zbulim, numri i tyre shkon në 29.
Hëna e re ende nuk ka marrë emër, por si traditë, hënat e Uranit pagëzohen me personazhe nga Shekspiri dhe Aleksandër Popi.
Sipas ekspertëve, ky zbulim sugjeron se rreth Uranit mund të fshihen edhe shumë hëna të tjera të vogla.
Pas suksesit të edicionit të parë, Komuna e Prishtinës rikthehet me një tjetër mbrëmje magjike të Kinemasë së Hapur, dedikuar fëmijëve të vegjël.
Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ka njoftuar se Kinemaja e Hapur për Fëmijë do të shfaq filma të përzgjedhur te parku në mes të lagjeve Ulpiana dhe Dardania.
“Nën qiellin e hapur, do të shfaqim filma të përzgjedhur për fëmijë, sepse filmi nuk është vetëm argëtim, por një udhëtim i heshtur drejt botës së brendshme, ku fëmijët mësojnë të ëndërrojnë, të ndjejnë dhe të kuptojnë më thellë botën që i rrethon”, thuhet në njoftimin e drejtoreshës Halimi.
Kjo mbrëmje magjike mbahet më 28 gusht në ora 19:30./ KultPlus.com
Shqipëria është prezantuar në Festival du Périgord Noir, një nga festivalet muzikore më të njohura në Francë, ku muzika ndërthuri traditat, kulturat dhe historitë e Mesdheut.
Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, këtë përvojë e ka cilësuar një udhëtim i paharrueshëm, ku Shqipëria jo vetëm u dëgjua, por edhe u ndje me emocion, nostalgji dhe gëzim.
“Flaka Goranci & Togha Quartet sollën “Meloditë Shqiptare”, duke rikthyer në skenë thellësinë e zërit dhe fuqinë e këngëve popullore. Miksi, Yara Kasti & Tsanta ndezën atmosferën me një koncert të hapur nën qiellin e Terrasson-Lavilledieu, duke ndërthurur muzikë nga Shqipëria në Siri, Liban, Francë e Iran”, ka thënë ministri Blendi Gonxhja.
Tedi Papavrami & Maki Okada po ashtu kanë dhuruar një udhëtim virtuoz që kaloi përmes Shqipërisë, Italisë, Spanjës e Polonisë me pasion dhe mjeshtëri të rrallë.
Kurse Marie-Ange Nguci fali një recital plot ndjenja në piano në një nga netët më magjike të festivalit./ KultPlus.com
Kompanitë shqiptare renditen të parat në rajon dhe mbi mesastaren e Bashkimit Europian përsa i përket përdorimit të teknologjive të avancuara dhe inteligjencës artificiale në aktivitetin e tyre .Në një raport të fundit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, rezulton se mbi 12% e kompanive shqiptare përdorin inteligjencën artificiale, nivel ky që rezulton sa dyfishi i mesatares rajonale që është 5% dhe mbi nivelin mesatar të Bashkimit Europian, që arrin në 7%.Por përtej kësaj bizneset shqiptare kanë vënë në përdorim edhe teknologji të tjera të avancuara dhe 23 % e kompanive raportuan se përdorin zgjidhje cloud, 33% përdorën analizat e të dhënave e cila qëndron mbi mesataren e rajonit .Në raport vlerësohet edhe niveli i e-faturimit i cili përdoret nga me 54% të bizneseve, krahasuar me 41% në rajon dhe 38% në BE.
Shqipëria ka në fokus zhvillimin e Inteligjencës Artificiale e cila është përcaktuar si një ndër prioritet e Shqipërisë për vitet që vijnë.Strategjia Kombëtare për periudhën 2025-2030 parashikon ngritjen e fabrikave të inteligjencës artificiale dhe përdorimin e teknologjisë në pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë dhe të shërbimeve.
Risi është edhe fakti se Shqipëria kryeson gjithashtu me përqindjen të lartë të kompanive që përdorin rrjetet sociale dhe mjete të tjera të komunikimit digjital në krahasim me vendet fqinje.
Por përtej bizneseve dhe qytetarët po përdorin gjithnjë e më shumë shërbimet online të shtetit, duke e renditur vendin mbi mesataren e BE-së dhe shumë më lart se Ballkani Perëndimor.
Sipas të dhënave 78.5% e përdoruesve të internetit në Shqipëri kanë përdorur e-qeverisjen, krahasuar me 43% të mesatares rajonale dhe 75% në Bashkimin Europian.
Portali e-Albania shërben si platforma qendrore për aksesin në shërbimet publike, duke funksionuar si një pikë e vetme kontakti për qytetarët dhe ndërmarrjet. Në mars 2025, portali ofronte 1,253 shërbime online dhe kishte rreth 3.21 milion përdorues. / abcnews.al / KultPlus.com
Fotografët shqiptarë po lënë gjurmë në galeritë, ekspozitat, shfaqjet dhe festivalet më të rëndësishme.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot shembujt e suksesit në skenën ndërkombëtare të disa prej tyre.
“Fotografët shqiptarë në skenën ndërkombëtare! Nga Roland Tasho me karrierë të gjatë e çmime prestigjioze, te Ilir Tsouko me tregime vizuale bashkëkohore; nga Burim Myftiu me festivalin ndërkombëtar FOTOIST, te Jetmir Idrizi me vepra të publikuara e vlerësuara në mbarë botën”, tha Gonxhja.
Ndërsa ndau informacion mbi eksperiencën profesionale të këtyre fotografëve, ministri Gonxhja vlerësoi se “artistët shqiptarë na nderojnë ndërkombëtarisht”.
“Ndiqni CulturAlb për të njohur më nga afër fotografët shqiptarë që po lënë gjurmë në galeritë, ekspozitat, shfaqjet dhe festivalet më të rëndësishme”, u shpreh ministri Gonxhja.
“Culturalb” është projekti më i ri për promovimin e kulturës shqiptare në botë. Trashëgimia dhe krijimtaria bashkëkohore shqiptare përmes këtij projekti bëhen pjesë e dialogut kulturor ndërkombëtar.
“Culturalb” është nisma zyrtare e qeverisë shqiptare që synon ta bëjë këtë realitet, përmes një kalendari të pasur me ekspozita, shfaqje, diskutime dhe ngjarje kulturore në qytete të ndryshme të botës. Me Culturalb, kultura shqiptare udhëton, bashkëbisedon dhe ndërvepron pa kufij.
Ish-komisionerja daneze e BE-së ka prezantuar linjën e saj të këpucëve dhe është imazhi i një prej dizajneve, duke shënuar një kapitull të ri në karrierën e saj pas Brukselit.
Vestager, e cila frymëzoi serialin televiziv “Borgen”, është rikthyer në qendër të vëmendjes si imazhi i koleksionit të këpucëve, të krijuara nga stilistja Frederikke Antonie Schmidt.
E famshme për suksesin në sigurimin e një gjobe prej 14 miliardë dollarësh kundër “Apple” për lehtësime të paligjshme tatimore – dhe e etiketuar nga Trump si “Zonja e Taksave”, ajo është shfaqur së fundmi në tabela gjigante në rrugët e kryeqytetit danez, Kopenhagë – duke buzëqeshur me një fustan të rehatshëm, flokë të thinjur, çizme deri në kyçin e këmbës dhe sloganin “Kush e ka pushtetin?”
BE shpjegoi se kompania që e zgjodhi atë, pavarësisht se është themeluar nga një stiliste daneze, Frederikke Antonie Schmidt, ka një stil italian, duke filluar me emrin e saj, Roccamore – një neologjizëm që kombinon “Roccaforte” dhe “Amore”, për të përmbledhur faktin se këpucët janë të rehatshme, të forta dhe gjithashtu femërore.
Për më tepër, themeluesja e linjës së kepucëve studioi në Polimoda, shkolla e modës me qendër në Firence – e renditur ndër dhjetë institutet më të mira të modës në botë – dhe këpucët prodhohen në Itali dhe Portugali.
Sipas njoftimit për shtyp të kompanisë, modeli i dedikuar Margrethe Vestager – u krijua si një homazh për të dhe për të gjitha gratë që përballen kur përgjegjësia është më e madhe.
“Është për ato gra që guxojnë të qëndrojnë në syrin e stuhisë, që vendosin për një axhendë të re dhe e bëjnë të gjithën me stil dhe me kokën lart”, tha kompania.
Çizmet e saj deri në kyçin e këmbës, të disponueshme në ngjyrë lisi dhe të zezë, shiten me pakicë për rreth 415 euro.
Ato janë pjesë e “Power Collection” të Roccamore, që përfshin edhe këpucë të frymëzuara nga Camilla Ley Valentin, bashkëthemeluese e sistemit të menaxhimit të radhëve online Queue-it, dhe Marianne Dahl, shefja e Boston Consulting Group, Inc. (BCG) – një kompani amerikane globale konsulence menaxhimi e themeluar në vitin 1963. /atsh / KultPlus.com