Edi Rama, zhvilloi këtë pasdite një mbledhje të gjatë me dyer të mbyllura me ministrat dhe drejtuesit e Bashkisë Tiranë, ku takimi zgjati disa orë. Duket se Edi Rama po përgatitet për zgjedhje të reja në Bashkinë e Tiranës, ku referuar burimeve mediatike, drejtimin e organizimit të ri të strukturave të Bashkisë ia ka lënë […]
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka reaguar ndaj kritikave për ndërhyrjet e nisura në ish-burgun e Spaçit, duke i cilësuar pretendimet e aktivistëve si “tymnajë e panevojshme” dhe akuzat për manipulim të kujtesës historike si “keqinformime dashakeqe”.
Deklarata e tij vjen pas nisjes së një peticioni publik nga një grup qytetarësh dhe aktivistësh që kundërshtojnë mënyrën e ndërhyrjes në një nga simbolet më të errëta të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Ata pretendojnë se punimet janë bërë pa transparencë dhe në kundërshtim me standardet për ruajtjen e trashëgimisë.
Projekti për rehabilitimin e Spaçit, tashmë i besuar organizatës CHwB Albania, përfshin ndërhyrje konservuese dhe funksionalizimin e disa godinave, me synimin për ta kthyer zonën në muze. Mirëpo paralelisht një pjesë e këtij projekti duket të jetë çuar para për të ndihmuar në realizimin e një filmi.
Gonxhja: Pretendimet, tymnajë e panevojshme
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i konsideroi punimet e nisura në muajin maj në ish-burgun e Spaçit “pjesë të një strategjie më të gjerë” që synon “rehabilitimin e vlerave dhe peizazhit në gjendjen sa më origjinale”.
Në një reagim në Facebook, të premten, ai hodhi poshtë pretendimet për tjetërsim të historisë, apo qokë, kinse punimet po bëhen për hir të filmit të Namik Ajazit dhe Visar Zhitit. Gonxhja.
Ministri kujtoi miratimin e planit të menaxhimit (2024), që synon ta kthejë Spaçin muze. Ai theksoi se ky plan është miratuar pas “një raundi konsultimesh me grupe interesi” që përfshinin më shumë se 58 persona, ish-të burgosur politikë, profesorë, muzeologë, profesionistë të ruajtjes së kujtesës, përfaqësues të komunitetit, etj.
Por, sipas Gonxhes, plani për realizimin e muzeut kërkon një kohë shumë më të gjatë se ajo që ka parashikuar për xhirimet grupi i kineastëve shqiptaro-italian me në krye regjisorin Ajazi dhe shkrimtarin Zhiti, të cilët kanë qenë gjithashtu ish-të përndjekur dhe të burgosur gjatë diktaturës.
Për këtë, ai tha se ishte kërkuar realizimi me prioritet i disa ndërhyrjeve përforcuese të pjesshme që do ta mundësonin sigurinë dhe rikrijimin e atmosferës së vitit 1973 kur u krye revolta në ish-burgun e Spaçit. Ministri theksoi se buxheti dhe ndërhyrjet “janë minimale”.
Postimi i tij u shoqërua me disa foto nga vendi, përfshirë një godinë me dritare blu, për të cilën ai pyeti se pse nuk ka pasur reagime në të kaluarën kur u vendosën ato elemente.
“Ky projekt nuk ka për qëllim modifikimin e kujtesës historike, përkundrazi – synon të sigurojë vazhdimësinë e saj,” tha Gonxhja, i cili e përmbylli reagimin duke etiketuar një pjesë të aktivistëve si “Sanço Panço të politikës së vjetër”.
Ish-burgu i Spaçit, me katin e parë me dritare blu/Foto Blendi Gonxhja, Facebook.
Reagime ndaj ndërhyrjeve: Kujtesa kolektive përballë rikonstruksionit estetik
Arkitektë dhe aktivistë të zëshëm në çshtjet publike kanë reaguar ashpër ndaj ndërhyrjet në ish-burgun e Spaçit, por edhe për gjuhën dhe argumentet e përdorura nga ministri Gonxhja.
Urbanistja Doriana Musai i cilësoi këto veprime si “art-washing institucional”, ku arti përdoret si mbulesë për shkeljen e parimeve të ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
Sipas saj, suvatimi dhe rilyerja e mureve “të një kampi torture për hir të estetikës filmike është njësoj si të zbukurosh Auschwitz-in për të xhiruar një dramë më realiste”. Ajo e konsideroi këtë ndërhyrje si formë të re dhune ndaj kujtesës, që përpiqet të zëvendësojë autenticitetin historik me një version të sterilizuar dhe politikisht të kontrolluar të së kaluarës.
Musai theksoi se përgjegjësinë morale për ruajtjen e Spaçit e ka pushteti aktual, si trashëgimtar politik i Partisë së Punës që ndërtuan kampin dhe sistemin represiv. Në këtë kontekst, reagimin e Ministrit Gonxhja ajo e cilëson si “përçmues dhe të cekët”, duke kritikuar mungesën e transparencës dhe refuzimin për t’u përballur me kritikat e shoqërisë civile dhe komunitetit të ish-të përndjekurve.
Arkitekti Arnen Sula kritikoi ashpër gjuhën përçmuese të përdorur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ndaj kritikëve dhe theksoi se ndërhyrjet aktuale bien ndesh me planin e miratuar të menaxhimit, duke transformuar vendin nga një hapësirë e kujtesës në një skenografi të gënjeshtërt.
Edhe Qëndresa Qytetare e kundërshtoi rikonstruksionin, duke paralajmëruar se Spaçi po rrezikon të banalizohet në formën e një “kioske makinash me qira”, ndërsa kërkohet një projekt serioz me garanci ligjore dhe profesionale që ruan autenticitetin dhe nderon vuajtjet njerëzore.
Sidorela Vatnikaj, e cila është marrë me një pjesë të organizimeve për të adresuar shqetësimet për këtë çështje e konsideroi reagimin e ministrit si “të turpshëm” dhe konfirmues se “Spaçi po shkatërrohet dhe qytetarët duhet ta mbrojnë”. Vatnikaj i bëri thirrje ministrit Gonxhja për pjesëmarrje në një takim me qytetarët, të shtunën në Spaç, takim që ajo e cilësoi “konsultimi publik që nuk u bë nga qeveria”.
Të katërta reagimet theksojnë nevojën për ndjeshmëri, respekt dhe dinjitet në trajtimin e kësaj hapësire të ngarkuar me dhimbje historike.
Aktivistët nisin peticion: Dëmtohet kujtesa historike
Një peticion publik i nisur nga një grup aktivistësh dhe qytetarësh të angazhuar në mbrojtjen e kujtesës historike, ka nxitur debat mbi ndërhyrjet që po kryhen në ish-burgun famëkeq të Spaçit. Sipas tyre, punimet po zhvillohen pa konsultuar dhe po dëmtojnë autenticitetin e një prej simboleve të dhunës së diktaturës komuniste.
Në tekstin e peticionit, të publikuar nga platforma “Qytetarin.com”, theksohet se suvatimet, lyerjet dhe transformimet e brendshme janë realizuar pa transparencë, pa një konsultim me publikun dhe në kundërshtim me standardet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Firmëtarët kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të ndërhyrjeve dhe përfshirjen e ish-të përndjekurve, studiuesve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile në procesin e vendimmarrjes për të ardhmen e Spaçit.
Aktivistët kanë paralajmëruar një deklaratë publike në vetë ish-burgun e Spaçit të shtunën, më 7 qershor, ku do të denoncojnë dëmet e shkaktuara dhe do të kërkojnë llogaridhënie institucionale. Ata kanë ftuar qytetarë, gazetarë dhe përfaqësues të institucioneve që të marrin pjesë për të parë nga afër gjendjen aktuale të vendit.
Spaçi u hap në vitin 1968 si kamp i punës së detyruar për mbi 1 mijë të burgosur, të cilët u angazhuan në minierën e bakrit. Në fillim të viteve 90-të kampi iu kalua plotësisht minierës dhe më pas u braktis dhe vandalizua.
Kërkesat për ta kthyer në muze vijuan ndër vite. Zona, e përbërë nga rreth 7 godina, mori statusin e “Monumentit të Kulturës, Kategoria II” vetëm në vitin 2007. Projekti i fundit, i vitit 2023, duket të ketë marrë mbështetje për t’u konkretizuar, pas vendimit të qeverisë për t’ia besuar menaxhimin Organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Albania).
Çfarë parashikon projekti?
Në një artikull të mëparshëm, Citizens.al, ka treguar detajet e ndërhyrjeve të parashikuara nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) në strukturat e Spaçit. Projekti me vlerë rreth 100 mijë euro, po zbatohet nga “Martini Konstruksion & Real Estate”.
Nga janari deri në fund të muajit mars, IKTK anuloi të paktën tre herë tenderin për mungesë ofertash.
Projekti parashikon meremetime në të paktën 8 hapësira: vendroja, komanda, dhoma e takimeve, infermieria, kuzhina/mensa, fjetorja, vendi i apelit dhe tualetet.
Në relacionin teknik grupi i projektit, drejtuar nga arkitektët Genci Tufi e Klejdia Kore dhe inxhinieri Sokol Ismaili, e konsideron ndërhyrjen e nevojshme për ta bërë zonën “të vizitueshme dhe të sigurt për vizitorët”.
Ndërhyrjet cilësohen të pjesshme dhe përshkruhen kryesisht si plotësime muresh, riparime shkallësh, vendosje parmakësh, dyersh dhe dritaresh.
Paralelisht është planifikuar ngritja e një kulle vrojtimi, vendosja e një porte hekuri në hyrje dhe rrethimi me tela me gjemba i disa hapësirave, si për shembull oborri i brendshëm, apo vendi ku bëhej apeli.
Ndërhyrja më kryesore konsiderohet rindërtimi i tualeteve dhe krijimi sipër tyre i vendit të ajrosjes së të burgosurve zonë kjo e rrënuar për shkak të vandalizimit dhe degradimit ndër vite.
TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, mori pjesë në takimin që zhvilloi sot në Berat, Kryeministri Edi Rama me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe start up-eve, ku u diskutua mbi rrugën e bërë dhe sfidat për “Shqipërinë 2030” në Bashkimin Europian.
Duke marrë fjalën Gonxhja tha se, “për MEKI-n mbetet prioritet zhvillimi i mëtejshëm i ekosistemit të inovacionit në vend, duke nxitur bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë, për një mjedis sa më të qëndrueshëm dhe konkurrues”.
Spas tij, forcimi i infrastrukturës ligjore dhe institucionale, mbështetja për sipërmarrjet inovative dhe përfshirja në rrjetet europiane janë shtyllat ku mbështetemi për ta çuar përpara këtë mision.
Ai theksoi se, “nevoja për një qasje gjithëpërfshirëse, me një strategji të qartë, një buxhet të dedikuar dhe një mekanizëm të vetëm monitorimi, mbetet thelbësore për të garantuar koherencë ndërinstitucionale dhe për t’i dhënë inovacionit vendin që i takon në zhvillimin e vendit”.
“Në këtë kuadër, po finalizojmë ligjin bazë për inovacionin, i cili vendos rregulla të qarta për funksionimin e ekosistemit, ndërsa ligjet për byrotë e kreditit dhe për crowdfunding synojnë të lehtësojnë aksesin në financim për individët dhe bizneset, duke nxitur sipërmarrjen dhe transformimin teknologjik”, u shpreh Gonxhja. /j.p/
TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Enti Kombëtar i Banesave, në bashkëpunim me Bashkinë Roskovec, po finalizon ndërtimin e një objekti strehimi social që do t’u ofrojë strehim të sigurt dhe dinjitoz 29 familjeve në nevojë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjete sociale pamje nga godina e re, që përfshin 2400 m² ndërtim, 6 kate banimi me 29 apartamente të tipit 1+1 dhe 2+1, të ndërtuara me standarde bashkëkohore.
Ky investim është realizuar me fondet e vetë Entit Kombëtar të Banesave.
Gonxhja tha se, punimet janë drejt përfundimit dhe objekti është pothuajse gati për t’u dorëzuar tek familjet përfituese.
Ai e cilësoi këtë një tjetër shembull konkret i bashkëpunimit me pushtetin vendor, në funksion të mbështetjes sociale dhe strehimit të familjeve në nevojë. /j.p/
Prej datës 1 korrik 2025 ka hyrë në fuqi marrëveshja Shqipëri-Itali për njohjen e sigurimeve shoqërore. Që prej asaj date, deri më tani kanë aplikuar 150 qytetarë shqiptarë për njohjen e këtyre sigurimeve me Italinë. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka pritur në një takim sot drejtoreshën e Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore në Itali, dhe së bashku me përfaqësues të…
TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Mbi 150 shtetas shqiptarë kanë nisur tashmë procedurat për përfitimin e pensionit në kuadër të marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë, e cila ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2025.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, zhvilloi sot një takim me drejtoreshën e përgjithshme të Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore në Itali, Valeria Vittimberga, ku u diskutua mbi ecurinë e zbatimit të marrëveshjes.
Marrëveshja i hap rrugë njohjes së ndërsjellë të periudhave të sigurimit dhe mundëson përfitimin e pensioneve sipas legjislacionit kombëtar të secilit shtet.
“Deri tani, kërkesat e para janë kryesisht për bashkimin e periudhave të sigurimit për qëllime pensioni në Itali, si dhe nga individë që nuk plotësojnë minimumin prej 15 vite sigurim në Shqipëri”, informoi ministri.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka ngritur të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të pritur dhe përpunuar këto kërkesa, si dhe për të realizuar komunikimin e drejtpërdrejtë dhe efikas me palën italiane.
“Shkëmbimi i formularëve midis dy institucioneve do të kryhet në mënyrë elektronike, duke reduktuar ndjeshëm kohën e procedurës dhe duke lehtësuar ndjeshëm shërbimin për qytetarët”, shtoi Gonxhja.
Në funksion të transparencës dhe udhëzimit të saktë për qytetarët, janë publikuar tashmë të gjitha udhëzimet dhe manualet që shpjegojnë hapat që duhen ndjekur për çdo kategori aplikuesi.
Kjo marrëveshje përfaqëson një hap domethënës në drejtim të mbrojtjes sociale dhe është një model bashkëpunimi që synohet të zgjerohet edhe me vende të tjera ku jetojnë dhe kontribuojnë shtetasit shqiptarë.
TIRANË, 14 korrik//ATSH/ Fortesa Trekëndore është një nga objektet historike më të dukshme dhe më madhështore të Butrintit. Fortesa është vendi ideal për të interpretuar rolin e venecianëve në Butrint, bashkë me të edhe arkeologjinë pas-klasike, ku për ta vizituar udhëtohet me lundër përmes Kanalit të Vivarit. Lundra është mjeti i aksesit për stafin e menaxhimit dhe vizitorët për në Fortesën Trekëndore.
Kjo kala ka nevojë për konservim dhe këto punime janë përfshirë në ndërhyrjet e rekomanduara në Planin e Konservimit të Planit te Menaxhimit te Integruar te Butrintit. Ajo ka një oborr të brendshëm mjaft të madh për komunitetin dhe kryerjen e veprimtarive të tjera.
Kalaja Trekëndore ndodhet në bregun jugor të kanalit të Vivarit, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Emri rrjedh nga planimetria e saj në formën e një trekëndëshi. Në të tri këndet e saj janë ndërtuar kulla në formë rrethore prej të cilave ajo jugperëndimore ruhet në lartësinë e plotë.
Ndërtimi i saj i takon disa fazave. Muret e kalasë, frëngjitë me mbulesë pllakash në formë çatie dhe kulla dykatëshe në pjesën jugperëndimore janë ndër ndërtimet më të hershme të saj.
Kalaja Trekëndore është pjesë e rëndësishme e sistemit fortifikues të Butrintit duke siguruar mbrojtjen si nga pjesa fushore ashtu dhe nga pjesa e detit Jon me të cilin lidhet përmes kanalit të Vivarit. /j.p/
TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Qyteti antik i Bylisit është një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike në territorin e Shqipërisë. Ai shtrihet sapo del nga qyteti i vogël i Ballshit, 10 km larg tij, në krahun e djathtë të rrugës, ku të bie në sy një varg kodrash të larta.
Ministri i Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot pamje nga mozaikët e Bazilikës B në Bylis, duke e cilësuar këtë si një vend ku historia është qëndisur me gurë.
Ky destinacion është një magnet për turistët që janë të interesuar për të zbuluar thesarin e pasur të trashëgimisë arkeologjike të Shqipërisë.
Në hyrje të parkut, vizitorët përballen me një peizazh të shkëlqyer natyror, me kodra të gjelbëruara që rrethojnë vendin. Në horizont, pamjet e rrënojave të lashta bëjnë që zemra të dridhet me emocion.
Kjo zonë është një muze i hapur nën qiell, që ofron një udhëtim emocionues nëpër kohë për të zbuluar pasurinë e lashtë të Bylisit.
Në brendësi të parkut, vizitorët ndeshen me strukturat e mrekullueshme të qytetit ilir të Bylisit. Ndër të tjera, një pamje e mahnitshme është amfiteatri i lashtë që ngrihet përpara tyre. Ky amfiteatër i lashtë ka një pamje impresionuese, duke u ngritur midis kështjellës së shkëlqyer dhe fushës së hapur. Kur shikon përgjatë mureve të tij të lashta, ndihesh i kapur nga ndjenja e përjetshme e historisë.
Pamjet e mrekullueshme të Parkut Arkeologjik të Bylisit nuk janë vetëm një shfaqje e këndshme për sytë, por ato shpalosin thellësinë e një trashëgimie të pasur historike dhe kulturore. Në këtë mjedis të pazakontë, vizitorët ndihen të lidhur ngushtë me kohën dhe historinë, duke bërë që kjo përvojë të jetë një udhëtim i paharrueshëm nëpër epokat e lashta të Shqipërisë.
TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Takimi i radhës së Komitetit Drejtues të EU4Culture mori nv shqyrtim ecurinv e punimeve në disa projekte të mëdha.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit mori pjesë në takim ndërsa ministri Blendi Gonxhja e cilësoi hap të rëndësishëm për vijimin e transformimit të infrastrukturës kulturore.
Dskutimet u fokusuan mbi ecurinë e punimeve në Muzeun Historik Kombëtar; hapjen për publikun të Hamamit të Durrësit; përfundimin e punimeve në Kalanë e Bashtovës, një hap i rëndësishëm drejt aktivizimit të potencialit të saj kulturor e turistik; riorganizimin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit dhe procesin e muzealizimit; si edhe koordinimin e një kalendari të përbashkët eventesh kulturore në sitet përfituese të projektit.
“Në qendër të vëmendjes mbetet përfundimi në kohë dhe me cilësi i ndërhyrjeve në objektet kulturore, në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët përfshirë Delegacionin e BE-së dhe UNOPS”, tha Gonxhja.
Vlerësimi i këtyre hapësirave si qendra kreativiteti dhe lidhjeje me komunitetin do të mbetet prioritet për MEKI-n në vijim.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja në takimin e Komitetit Drejtues ...
TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Bullgarisë në Shqipëri, Ivaylo Kirov.
Gonxhja tha se gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë e ndërsjella të bashkëpunimit, mes të cilave mbi klimën e favorshme për investitorët e huaj në Shqipëri.
Ministri i MEKI-t pohoi se njëherësh gjatë takimit u diskutua edhe mbi rolin e inovacionit si motor zhvillimi dhe rëndësinë që i japet bashkëpunimit në fushën e industrive krijuese dhe trashëgimisë kulturore.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja takim me ambasadorin e Bullgaris...
TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri publike sot statistikat e vizitueshmërisë së siteve kulturore në gjysmën e parë të vitit.
Sitet tona kulturore kanë mirëpritur 569.089 vizitorë gjatë periudhës janar-qershor 2025. Rritja llogaritet në 74% krahasuar me vitin 2023, ndërsa sa i përket të ardhurave, ato janë shtuar me 119% krahasuar po me 2023-shin.
5 destinacionet e preferuara të vizitorëve janë:
– Parku Arkeologjik Butrint, me 105.623 vizitorë;
– Kalaja Gjirokastër, me 92,999 vizitorë;
– Parku Arkeologjik Shkodër, me 79.885 vizitorë;
– Muzeu “Gjergj Kastrioti” Krujë, me 74.636 vizitorë;
– Parku Arkeologjik Apoloni, me 58.059 vizitorë.
Pjesa më e madhe e turistëve duket se preferojnë të vizitojnë parqet arkeologjike, më pas renditen muzetë kombëtarë dhe kalatë e monumentet e tjera të kulturës.
Me nisjen e sezonit turistik, oraret e vizitave janë zgjatur deri në orën 19:00 në të gjitha sitet kulturore.
TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri me dije sot se në krye të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit është emëruar Eljan Tanini.
Ministri Gonxhja tha se, Tanini është një artist pamor, gazetar dhe autor projektesh që ndërthurin artin me memorien kolektive.
“Eljan Tanini vjen në krye të AQSHF me një profil të veçantë dhe një angazhim të hershëm në rrëfimin e Shqipërisë përmes historisë, nostalgjisë dhe arkivës vizuale. Nga krijimet murale e instalacionet publike, te kontributet në media dhe ekspozitat brenda e jashtë vendit, Tanini sjell një vizion artistik dhe narrativ që pasuron më tej rolin e këtij institucioni të rëndësishëm kulturor”, u shpreh Gonxhja.
Eljan Tani zëvendëson në këtë detyrë Marinela Ndrian, ndërsa ministri Gonxhja shpreh falënderimet për Ndrian, për kontributin dhe drejtimin e saj gjatë këtyre viteve.
TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Një total prej 104 familjeve nga komunitete të varfëra dhe të pafavorizuara në bashkinë Devoll do t’u përmirësohen kushtet e banimit, falë projekteve fituese për vitin 2025 të Programit Kombëtar të Strehimit Social.
Ky program ka si qëllim sigurimin e një strehimi të denjë për çdo qytetar në nevojë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se me një investim prej 59 milionë lekësh, do të realizohen ndërhyrje në banesat ekzistuese, me qëllim garantimin e më shumë sigurisë, komoditetit dhe dinjitetit për familjet përfituese.
“Ky është një tjetër shembull i qartë i angazhimit tonë për përfshirje sociale dhe zhvillim të barabartë në çdo bashki të vendit”, deklaroi ministri Gonxhja.
TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja priti sot në një takim ministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës në qeverinë e Izraelit, Eli Cohen, me të cilin shkëmbyem mendime për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në disa sektorë me interes të ndërsjelltë.
Ministri Gonxhja bëri të ditur se gjatë takimi u diskutua mbi iniciativa konkrete, ku një theks i veçantë iu kushtua forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjes së inovacionit mes dy vendeve, me synimin për të krijuar një klimë sa më të favorshme për investimet izraelite në Shqipëri.
“U theksua rëndësia e zhvillimit të një ekosistemi të qëndrueshëm ekonomik që mbështet sipërmarrjen, teknologjinë dhe digjitalizimin”, shtoi ministri.
Po ashtu, sipas Gonxhes, vëmendja u përqendrua sidomos në promovimin e partneriteteve në fushat e kërkimit dhe zhvillimit (R&D), ku siç theksoi ministri, përvoja izraelite përbën një aset të çmuar për avancimin e kapaciteteve vendase dhe gjenerimin e zgjidhjeve të reja inovative me impakt konkret në ekonomi.
“Diskutuam gjithashtu mbi mundësitë për të zhvilluar projekte inovatore në sektorin e agritech dhe menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore, fusha me potencial të lartë për ndikim afatgjatë, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë mjedisor, ku teknologjia luan një rol kyç”, deklaroi Gonxhja.
Në takim, tha ai, u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit edhe në fushën e edukimit dhe inovacionit shkencor, përmes shkëmbimeve akademike dhe ndërtimit të urave të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe qendrave të ekselencës kërkimore të të dy vendeve.
TIRANË, 6 korrik/ATSH/ Gjatë periudhës shkurt–qershor 2025, 50 persona të regjistruar si të papunë janë rekrutuar në projektet e prokuruara nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, (OBP).
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.
“Kjo është realizuar përmes vendosjes së kriterit me pikëzim gjatë fazës së tenderimit të procedurave, ku Operatorët Ekonomikë marrin angazhimin për të rekrutuar punëkërkues të papunë të regjistruar pranë Zyrave të Punës”, theksoi Gonxhja.
Gonxhja tha se “me këto punësime kanë nisur efektet e para të zbatimit të marrëveshjes mes OBP dhe Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive lidhur me rekrutimin e punëkërkuesve të papunë në projektet e tenderuara nga organi qendror blerës”.
Marrëveshja e bashkëpunimit mes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara dhe Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA) krijon mundësi të reja punësimi për punëkërkuesit e regjistruar pranë Zyrave të Punës, duke i integruar ata në tregun e punës, përmes vendeve të reja të punës që krijohen nga investimet publike, të prokuruara nga OBP.
Kjo marrëveshje synon të krijojë mundësi të reja punësimi për punëkërkuesit e regjistruar pranë AKPA, duke i integruar ata në tregun e punës përmes procedurave të prokurimit publik. Procedurat e prokurimit kanë një metodologji pikëzimi, e cila konsiston në vlerësimin e operatorëve sa i përket numrit të punonjësve që rekrutohen nga target grupi i punëkërkuesve të papunë.
TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Fshati turistik i Voskopojës në Korçë, mbetet një nga qendrat më të rëndësishme kulturore, artistike e historike të Ballkanit, një perlë e kulturës ballkanike dhe evropiane.
Ky fshat malor ofron mundësi për të shijuar natyrën, kulturën dhe historinë dhe mund të vizitohet çdo periudhë të vitit pasi secila stinë sjell një përvojë të veçantë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale ndau sot pamje nga turistët e shumtë që po vizitojnë kishat dhe manastiret në zonë.
Gonxhja thekson se Voskpoja është “një nga thesaret më të bukura të juglindjes shqiptare që mikpret vizitorë çdo ditë të vitit”, shkruan Gonxhja.
E veçanta e Voskopojës, janë objektet e kultit, kishat, të cilat i kanë shpëtuar deri diku rrënimit dhe këto janë: ”Shën Nikolla”, ”Shën Maria”, ”Shën Ilia”, manastiri i ”Shën Prodhromit”, ”Shën Thanasi”, ”Shën Mehilli”, të cilat janë monument kulture të kategorisë I dhe për të cilat në vazhdimësi është treguar kujdes për t’i restauruar dhe për t’i ruajtur vlerat arkitekturore të këtyre monumenteve.
Në fshatin turistik të Voskopojës, përveç bukurisë, argëtimit me dëborën shijohen edhe gatime tradicionale si lakrorët e ushqime të tjera me produkte bio të prodhuara në fshat.
TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja priti sot një delegacion të nivelit të lartë në kuadër të bashkëpunimit strategjik ndërmjet institucioneve kulturore shqiptare dhe atyre italiane.
Delegacioni përfaqësues italian ishte nga MAXXI, Muzeu Kombëtar i Arteve të Shekullit XXI, Ministria e Jashtme Italiane, Ambasada Italiane dhe Instituti Italian i Kulturës.
Gonxhja tha se “takimi vuri theksin në rëndësinë e shkëmbimit të përvojave në fushën e menaxhimit të institucioneve muzeale bashkëkohore dhe në ndërtimin e urave të qëndrueshme bashkëpunimi që do të shërbejnë si themel për zhvillimin e Muzeut të ardhshëm Kombëtar të Arteve të Bukura të Shqipërisë”.
Sipas ministrit Gonxhja, “ky bashkëpunim synon të mundësojë akses në praktikat më të mira evropiane në fushat e ekspozimit artistik, ruajtjes së trashëgimisë muzeale, digjitalizimit të arkivave dhe promovimit të artit bashkëkohor”.
“Në këtë kuadër, një rol të veçantë zënë programet e përbashkëta të trajnimit, shkëmbimi i eksperiencave dhe ekspertizës mes institucioneve tona, një qasje që garanton jo vetëm përfitim të ndërsjellë, por edhe një vizion të përbashkët për të ardhmen e kulturës”, tha Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale.
Nga vizita e delegacionit përfaqësues Italian ishte nga MAXXI, Muzeu Kombëtar i Arteve të Sheku...
TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti në një vizitë në Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” Shkëlqesinë e Saj Sheikha Al Mayassa bint Hamad Al Thani, një personalitet i njohur në arenën ndërkombëtare për kontributin e saj të spikatur në fushën e artit, kulturës dhe ruajtjes së trashëgimisë.
Vizita përfshiu një prezantim simbolik të historisë shqiptare në një nga hapësirat më domethënëse të kujtesës kolektive në vend.
“Një prezantim simbolik i historisë sonë, në një nga hapësirat më domethënëse të kujtesës kolektive në Shqipëri, ku së bashku edhe me Ambasadorin e Katarit në Shqipëri, z. Jabor bin Ali Al Dosari, bashkëbiseduam mbi mundësitë e shkëmbimit kulturor mes Shqipërisë dhe Katarit, si dhe ndamë vlerësime të përbashkëta për rolin që luajnë muzeumet në forcimin e dialogut ndërkombëtar përmes kujtesës dhe inovacionit”, shkruan Gonxhja.
TIRANË, 3 korrik/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha sot se projektligji “Për Patentat, Modelet e Përdorimit dhe Certifikatat e Mbrojtjes Shtesë” ka për qëllim forcimin e bazës ligjore për zhvillimin teknologjik, ekonomik dhe inovativ të vendit tonë.
Gjatë prezantimit të këtij projektligji në Kuvend, Gonxhja tha se “ky projektligj vjen si pjesë integrale e procesit të përafrimit të legjislacionit kombëtar me acquis communitaire të Bashkimit Evropian, duke adresuar në mënyrë konkrete kriteret e përcaktuara në Kapitullin 7, atë të Pronësisë Intelektuale. Ky hap reflekton angazhimin tonë për modernizimin dhe konsolidimin e sistemit tonë të pronësisë industriale, stimulimin e inovacionit, mbrojtjen e investimeve në kërkim-zhvillim dhe rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare në tregjet evropiane dhe ato ndërkombëtare”.
Gonxhja tha se “objektivat kryesorë të këtij projektligji janë qartësisht të përcaktuara dhe synojnë: të krijojnë një kuadër ligjor të plotë, të konsoliduar dhe harmonizuar për patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat shtesë; të garantojnë mbrojtje më efektive dhe më të zgjeruar ligjore për shpikësit dhe mbajtësit e të drejtave të pronësisë industriale; të sigurojnë zbatimin e drejtpërdrejtë të direktivave dhe rregulloreve specifike të Bashkimit Evropian; të plotësojnë objektivat strategjikë të Strategjisë Kombëtare të Pronësisë Intelektuale 2022–2025, në funksion të reformimit dhe përafrimit të të gjithë kuadrit ligjor për objektet e pronësisë industriale”.
Një rëndësi e veçantë në këtë projektligj, vijoi Gonxhja, i kushtohet certifikatave të mbrojtjes shtesë, të cilat për herë të parë trajtohen në mënyrë shteruese, duke qenë element thelbësor në mbështetjen e inovacioneve në sektorin farmaceutik dhe në mbrojtjen e bimëve.
Sipas tij, përgatitja e këtij projektligji është bërë në përputhje të plotë me aktet përkatëse të Bashkimit Evropian.
“Megjithë përpjekjet tona më të mira, vlen të përmendet një sfidë që ka qenë objekt diskutimesh të shumta, lidhur me përafrimin e plotë me Direktivën 2004/48/EC të Parlamentit Europian dhe Këshillit, për zbatimin efektiv të të drejtave të pronësisë intelektuale. Në këtë drejtim, ka pasur diskutime intensive me Ministrinë e Drejtësisë dhe palët e tjera të përfshira, mbi përafrimin e disa dispozitave të kësaj direktive, të cilat kanë të bëjnë me procedurat e mbrojtjes së të drejtave në fushën e pronësisë industriale. Në përfundim të këtij procesi është arritur një kompromis i rëndësishëm, që megjithëse nuk reflekton plotësisht përafrimin e kërkuar nga Direktiva, përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në këtë proces”, theksoi Gonxhja.
Gonxhja u shpreh se “ky dialog institucional duhet të mbetet i hapur dhe të vijojë puna për të përmirësuar më tej kuadrin ligjor shqiptar, duke garantuar përputhshmëri të plotë me standardet evropiane dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”.
Gonxhja ftoi deputetët ta miratojnë këtë projektligj të rëndësishëm, duke theksuar se “me miratimin e tij bëjmë një hap domethënës drejt një sistemi më të fortë dhe më efikas të mbrojtjes së pronësisë industriale, që mbështet inovacionin dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë të vendit tonë”.
TIRANË, 3 korrik/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja prezantoi sot në Kuvend projektligjin “Për Markat Tregtare”, duke e cilësuar një hap të rëndësishëm për të përafruar sistemin ligjor me acquis-in e Bashkimit Europian.
Në fjalën e tij Gonxhja tha se “ky projektligj garanton gjithashtu një kuadër ligjor bashkëkohor, të qartë dhe të zbatueshëm, i cili u përgjigjet nevojave të tregut shqiptar, sfidave të kohës dhe kërkesave të aktorëve ekonomikë”.
“Në praktikë, ky ligj rregullon jo vetëm çështjet që lidhen me markat tregtare, por edhe ato që kanë të bëjnë me objektet e tjera të pronësisë industriale si patentat, modelet e përdorimit, dizenjot industriale dhe treguesit gjeografikë. Kjo përqasje e përbashkët ka krijuar jo pak problematika në administrimin e çështjeve të markave, pasi procedurat dhe kërkesat për secilën kategori janë të veçanta dhe kërkojnë një trajtim të diferencuar. Në këtë kontekst, është vlerësuar e domosdoshme ndarja e rregullimit të markave tregtare përmes një ligji të posaçëm, duke marrë në konsideratë rëndësinë e veçantë që kanë sot markat në tregun e lirë, në garantimin e konkurrencës së ndershme, në mbrojtjen e konsumatorit dhe në krijimin e një klime të sigurt biznesi”, nënvizoi Gonxhja.
Gonxhja tha se ky projektligj sjell një sërë risish të rëndësishme.
“Ndër këto risi do të veçoja: rregullimin e plotë të marrëdhënieve juridike që lidhen me markat tregtare, duke përfshirë: procedurat e regjistrimit, të mbrojtjes dhe të administrimit të të drejtave mbi to; sigurimin e një mbrojtjeje më të fortë për të drejtën e markës, duke forcuar mjetet ligjore për të ndaluar shkeljet dhe për të ndëshkuar abuzimet që cenojnë pronësinë tregtare; harmonizimin e kuadrit ligjor shqiptar me dispozitat e BE-së dhe të organizmave ndërkombëtarë, duke përfshirë Direktivën 2015/2436 dhe Rregulloren (BE) 2017/1001, që garantojnë një trajtim të barabartë dhe të drejtë për të gjithë operatorët ekonomikë, vendas dhe të huaj; rregullimin e sistemit të regjistrimit dhe mbrojtjes së markave ndërkombëtare, të cilat regjistrohen në Zyrën Botërore të Pronësisë Intelektuale dhe kanë efekt në territorin e Shqipërisë”, theksoi Gonxhja.
Një tjetër risi, tha Gonxhja, është përcaktimi i masave të detajuara administrative dhe civile që merren në rastet e shkeljeve të të drejtave të markave, përfshirë ndalimin e mallrave në treg, konfiskimin e tyre, ndalimin e shërbimeve që cenojnë markat tregtare si dhe bllokimin e pajisjeve dhe materialeve të përdorura për prodhimin e tyre.
Gonxhja vuri në dukje se në Shqipëri, konfliktet lidhur me të drejtat e markave janë rritur ndjeshëm vitet e fundit.
“Tregu është bërë më konkurrues dhe më i hapur, ndërsa spekullimet dhe përpjekjet për të regjistruar marka të ngjashme ose identike me ato të regjistruara më parë janë bërë një shqetësim real për operatorët ekonomikë. Ky projektligj synon pikërisht të garantojë një siguri më të madhe ligjore, të ulë numrin e konflikteve dhe të krijojë një treg të ndershëm, të pastër dhe të përafruar me praktikat europiane”, theksoi Gonxhja.
Sipas tij, procesi i hartimit të këtij projektligji ka kaluar përmes një konsultimi të gjerë me organizatat ndërkombëtare të pronësisë intelektuale, me institucionet shqiptare të përfshira në këtë fushë, si dhe me përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe profesionistëve të fushës.
“Projektligji “Për Markat Tregtare” është hartuar duke marrë në konsideratë:
Legjislacionin më të avancuar europian në këtë fushë, siç janë direktivat dhe rregulloret përkatëse të BE-së; Standardet ndërkombëtare të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO); Praktikat më të mira të vendeve të rajonit dhe më gjerë si dhe problematikat konkrete të hasura në praktikën administrative dhe gjyqësore në Shqipëri.
“Ky projektligj është gjithashtu një angazhim i parashikuar në Planin Kombëtar të Integrimit Europian dhe miratimi i tij është një hap tjetër i rëndësishëm drejt përmbushjes së detyrimeve tona në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ky projektligj nuk është thjesht një përditësim teknik i kuadrit ligjor, por një investim në të ardhmen e tregut shqiptar, në mbrojtjen e konsumatorit, në garantimin e konkurrencës së ndershme dhe në forcimin e pronësisë intelektuale si një aset ekonomik dhe zhvillimor. Me gjithë përpjekjet tona më të mira, vlen të përmendet një sfidë që ka qenë objekt diskutimesh të shumta, lidhur me përafrimin e plotë me Direktivën 2004/48/EC të Parlamentit Europian dhe Këshillit, për zbatimin efektiv të të drejtave të pronësisë intelektuale”, tha Gonxhja.
Gonxhja ftoi deputetët të miratojnë këtë projektligj, teksa theksoi se “me votimin e tij bëjmë një hap domethënës drejt një sistemi më të fortë dhe më efikas të mbrojtjes së pronësisë industriale, që mbështet inovacionin dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë të vendit tonë”.