Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 July 2025Main stream

HAARP nuk mund të shkaktojë përmbytje apo tërmete

25 July 2025 at 15:09

Pretendimi: HAARP qëndron pas përmbytjeve të Korrikut 2025 në Turqi dhe tërmetit të Qershorit 2025 në Kolumbi

Verdikti: E paprovuar

————————————————————–

Në rrjetet konspiracioniste vijon të qarkullojë pretendimi se projekti studimor HAARP është një armë që kontrollon motin dhe shkakton një sërë fatkeqësish natyrore.

Së fundmi, atij po i vishet përgjegjësia për përmbytjet në Turqi në Korrik 2025 dhe tërmetin në Kolumbi në Qershor 2025.

Shira të rrëmbyeshëm më 19 korrik 2025 shkaktuan përmbytje në Ankara, Turqi. Fatmirësisht, nuk raportohen viktima.

Më 8 qershor 2025, një tërmet 6.3 ballë goditi Departamentin e Cundinamarca në Kolombi. Si pasojë, 31 persona mbetën të lënduar. Fatmirësisht, nuk pati humbje jete.

Siç “Faktoje” ka shpjeguar më parë, HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015. 

Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore duke e etiketuar si shkaktar i përmbytjeve, uraganeve, thatësirave, tërmeteve, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve, sëmundjeve. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.

Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në një vend në Alaska dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhesh për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”

HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.

Profesor Bruce Malamud nga King’s College në Londër tha se “nuk ka lidhje të besueshme apo të mundura mes HAARP dhe shkaktimin e tërmeteve të çfarëdo shkalle […] HAARP është një program kërkimor përkushtuar studimit të jonosferës, që është pjesë e atmosferës së sipërme të Tokës (rreth 48 deri në 965 km mbi nivelin e detit). Nuk ka një mekanizëm të njohur fizik me anë të të cilit HAARP mund të ketë shkaktuar tërmete, dhe çdo pretendim për ndonjë lidhje të tillë qëndron jashtë fushëveprimit të shkencave natyrore. Përkrahësit e ekzistencës së një lidhje të tillë, si konspiracionistët, duhet të shpërfillen dhe pretendimet e tyre duhet të trajtohen si lajme të rreme.”

Sa i përket fenomenit të “tërmeteve artificialë”, është e vërtetë se veprimtaria njerëzore mund të shkaktojë tërmete (zakonisht të shkallës së ulët) duke ndryshuar forcat e tensionit në koren e Tokës. Shkak për këtë është shpesh nxjerrja apo futja e lëngjeve nga/në thellësi të Tokës. Këto veprimtari, që janë pjesë e procedurave të shfrytëzimit të minierave dhe nxjerrjes së gazit dhe naftës, mund të bëhen shkas për tërmete duke ndikuar në presionin nëntokësor, si në diagramin e mëposhtëm.

“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë pretendime të ngjashme mbi sistemin HAARP.

The post HAARP nuk mund të shkaktojë përmbytje apo tërmete appeared first on Faktoje.al.

E imagjinuar lidhja e gjakut mes Melania Trump dhe Romanovëve

25 July 2025 at 15:07

Pretendimi: Zonja e parë e ShBA Melania Trump është pasardhëse e carit rus Nikolla II Romanov 

Verdikti: E paprovuar

———————————————————-

Në rrjete sociale po qarkullon pretendimi i pazakontë se zonja e parë e ShBA, Melania Trump, është pasardhëse e carit të fundit rus Nikolla Romanov.

Postimi i mësipërm pretendon se Melania Trump është mbesa e vajzës më të vogël të carit Nikolla II, Anastasia Romanov.

Pas Revolucionit Rus të vitit 1917, Nikolla II u rrëzua nga froni dhe më 17 korrik 1918, u vra së bashku me gruan, katër vajzat dhe djalin e tij nga mbështetësit e bolshevikëve. Kjo i dha fund dinastisë Romanov dhe Rusia nuk patur më carë që atëherë.

Menjëherë pas ekzekutimit, qarkulluan thashetheme se Anastasia kishte mbijetuar mrekullisht. Në 1920, një grua u shfaq në Berlin, më vonë e quajtur Anna Anderson. Disa besonin se gruaja mund të kishte qenë Anastasia. Megjithatë, testet e ADN që atëherë kanë përjashtuar mundësinë që kjo grua të ishte Anastasia.

Anastasia ishte 17 vjeç në kohën e ekzekutimit të saj. Ajo nuk ishte ende e martuar dhe nuk ka të dhëna për ndonjë fëmijë që mund të ketë pasur. 

Sa i përket gjasave që që vajza e re t’i ketë mbijetuar ekzekutimit të familjes së saj, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, trupat e Romanovëve u zhvarrosën në vitin 1991. 

Fillimisht, në varr u gjetën vetëm eshtrat e carit, gruas së tij dhe tre fëmijëve (Olga, Tatiana dhe Maria ose Anastasia). Kjo ringjalli thashethemet se Anastasia me të vërtetë i kishte mbijetuar ekzekutimit. 

Megjithatë, në 2007, dy trupa të tjerë u gjetën në një varr aty pranë, që më vonë u zbulua se ishin Alexei dhe vajza e katërt. Testet e ADN më vonë konfirmuan se këta ishin vërtet Romanovët.

Prindërit e Melania Trump kanë lindur në vitet 1944 dhe 1945. Postimi nuk specifikon nëse Anastasia Romanov pretendohet të jetë gjyshja e Melania Trump nga nëna apo nga babai. Megjithatë, duke qenë se ajo vdiq në 1918, vështirë se mund të ketë qenë nëna e ndonjërit prej prindërve të Melania. Gjyshja e Melania Trump nga nëna është Amalia Ulčnik (mbiemri i vajzërisë Gliha), sipas shtypit slloven. Gjyshja e saj nga babai është Antonija Ribi.

The post E imagjinuar lidhja e gjakut mes Melania Trump dhe Romanovëve appeared first on Faktoje.al.

E rreme intervista ky Ilir Alimehmeti rekomandon trajtimin kundër parazitëve

25 July 2025 at 15:04

Pretendimi: Ilir Alimehmeti këshillon në një intervistë trajtimin ndaj parazitëve

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————————-

Reklamimi i medikamenteve në formën e këshillave mjekësore nga mjekë të rremë është një nga format e dizinformimit të qëllimshëm në rrjet. I tillë është dhe artikulli që shfaqet në Facebook, nën titullin “Rrëfimi tronditës i patologut: 9 nga 10 persona që kanë ndërruar jetë, janë plot me parazitë. Parazitët janë shkaku i vdekjes në 78% të rasteve! Ka shpëtim, por të gjithë heshtin për të! Kush përfiton nga kjo?”

Artikulli pretendon se mjeku Ilir Alimehmeti sugjeron një preparat për trajtimin e parazitëve. 

Faqja është ndërtuar për t’i përngjasuar një medie të mirëfilltë. Shkrimi është ndërtuar në formën e një interviste me mjekun e njohur.

Megjithatë, në brendësi të ‘artikullit’, të gjitha rrugët të çojnë tek një produkt, të cilin mund ta blejë dhe vetë lexuesi për vetëm 9,400 lekë, ose 4,700 lekë me ulje.

Artikulli pretendon se Ilir Alimehmeti është patolog në Spitalin e Parë Klinikë të Tiranës, por Alimehmeti është mjek epidemiolog klinik dhe jo patolog.

Vetë Alimehmeti ka njoftuar në Maj 2024 se intervista është e rremë, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e mashtrimeve.

“Tjetër mashtrim që përdor jo vetëm emrin tim, por edhe logon e medias Newsbomb. Ju lutem, mos bini pre e këtyre mashtrimeve të rëndomta që kanë për arsye vetëm shitjen e këtyre produkteve mashtruese. Nëse keni informacion për autorët, ju lutem t’i denonconi tek autoritetet,” apelonte mjeku.

The post E rreme intervista ky Ilir Alimehmeti rekomandon trajtimin kundër parazitëve appeared first on Faktoje.al.

Before yesterdayMain stream

Vajza e ish-kreut të Forumit Ekonomik Botëror nuk zbuloi komplotin për vrasjen e miliardave

23 July 2025 at 16:20

Pretendimi: Nicole Schwab, vajza e ish kreut të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) Klaus Schwab, ka rrëfyer se WEF planifikon të vrasë miliarda.

Verdikti: E pavërtetë

———————————————

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi i pazakontë se Nicole Schwab, vajza e ish kreut të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) Klaus Schwab, ka rrëfyer se WEF planifikon të vrasë miliarda.

Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk përmban ndonjë referencë apo ndonjë burim për të mbështetur pretendimin e jashtëzakonshëm.

Postimi duket se i referohet një artikulli të botuar më 29 prill 2024 në portalin amerikan “The People’s Voice”, i njohur më parë si “News Punch”. 

Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, “NewsPunch” ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.

Forumi Ekonomik Botëror, në veçanti, është një nga objektivat e tij të preferuar, siç e ka treguar vazhdimisht Faktoje.

Sipas postimit në Facebook, Nicole Schwab dyshohet se zbuloi një plan të supozuar sekret nga WEF për të “vrarë miliarda njerëz”. Këto zbulime të supozuara erdhën si pjesë e një hetimi nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), e cila pretendohet se dyshon Forumin Ekonomik Botëror për krime kundër njerëzimit.

Por kjo histori nuk ka kuptim. Asnjë nga njerëzit e akuzuar për krime kundër njerëzimit nga ICC, e cila gjykon individë, jo organizata, nuk është anëtar i WEF. As shtypi ndërkombëtar nuk ka raportuar ndonjë rast të tillë.

Më 22 prill 2025, ëall Street Journal zbuloi hapjen e një hetimi të pavarur ndaj Klaus Schwab nga Forumi Ekonomik Botëror.

Një ditë më parë, ekonomisti gjerman kishte njoftuar dorëheqjen e tij nga pozicionet e tij si president dhe anëtar i bordit të drejtorëve të organizatës, pa përmendur hetimin.

Ky hetim, i konfirmuar më vonë nga WEF për media të tjera, nisi pas akuzave për keqpërdorim financiar, të bëra në mënyrë anonime. Rasti përfshin gjithashtu Hilde Schwab, gruan e Klaus Schwab, e cila është gjithashtu aktive në Forumin e Davosit.

Çifti akuzohet për përdorimin e fondeve të organizatës për përfitime personale. Sipas ëall Street Journal, Schwab, i cili i mohon akuzat, dyshohet se i udhëzoi punonjësit të tërhiqnin “mijëra dollarë” nga llogaritë e WEF në emër të tij, të cilat dyshohet se i përdori për të paguar masazhet e hoteleve.

Megjithatë, ky është një hetim i brendshëm nga Forumi Ekonomik Botëror dhe jo një hetim ndërkombëtar për krime kundër njerëzimit, siç pretendohet në postimet e rrjeteve sociale.

The post Vajza e ish-kreut të Forumit Ekonomik Botëror nuk zbuloi komplotin për vrasjen e miliardave appeared first on Faktoje.al.

Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara nuk ka njoftuar shtypje parash këtë vit

23 July 2025 at 14:58

Pretendimi: FED do të nisë shtypjen e parave në tremujorin 3 dhe 4 të këtij viti dhe triliona dollarë do të hyjnë në tregun e kriptomonedhave

Verdikti: E pavërtetë

———————————————-

Në rrjete sociale shqipfolëse po qarkullon lajmi se Sistemi i Rezervës Federale (FED), sistemi bankar qendror i Shteteve të Bashkuara, do të nisë shtypjen e parave në tremujorin e tretë dhe të katërt të këtij viti. Si pasojë, triliona dollarë pretendohet se do të hyjnë në tregun e kriptomonedhave.

Megjithatë, ky pretendim nuk shoqërohet me ndonjë burim apo referencë për ta mbështetur.

Imazhi që shoqëron duket se është përkthyer automatikisht nga anglishtja. Një kërkim me fjalë kyçe në anglisht na tregon se ky ‘lajm’ nuk është raportuar në ndonjë media të besueshme kombëtare apo ndërkombëtare.

Në vend të kësaj, ky pretendim shfaqet vetëm në disa postime nga përdorues anonimë në rrjete sociale dhe në Binance, një platofrmë shkëmbimi kriptomonedhash.

Në këtë kontekst, “shtypje parash” i referohet Lehtësimit Sasior (QE), një politikë monetare ku një bankë qendrore blen shuma të paracaktuara të bonove qeveritare ose aseteve të tjera financiare me qëllim stimulimin e aktivitetit ekonomik. Lehtësimi Sasior është një formë e re e politikës monetare që hyri në zbatim të gjerë pas krizës financiare të vitit 2008.

QE është e kundërta e Shtrëngimit Sasior (QT), i cili aplikohet nga bankat qendrore për të ulur sasinë e likuiditetit ose ofertës monetare në ekonomi. Një bankë qendrore zbaton shtrëngim sasior duke zvogëluar asetet financiare që mban në bilancin e saj duke i shitur ato në tregjet financiare, gjë që ul çmimet e aseteve dhe rrit normat e interesit.

Rezerva Federale filloi programin e saj të Shtrëngimit Sasior (QT) në Qershor 2022, pas ndërprerjes së Lehtësimit Sasior (QE) në Tetor 2021 pas pandemisë Covid-19.

Deri në Korrik 2025, nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar nga FED për “shtypje parash” në tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit 2025. 

FED ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm, me normat e interesit të mbajtura të qëndrueshme midis 4.25% dhe 4.5% që nga Qershori 2025, sipas CME Fedëatch

Pretendimi që po qarkullon në rrjet është spekulim financiar dhe i pabazuar në prova.

The post Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara nuk ka njoftuar shtypje parash këtë vit appeared first on Faktoje.al.

‘Efekti kandil’ pas raketës kineze nuk provon ekzistencës e kupolës qiellore

22 July 2025 at 16:35

Pretendimi: Kjo video tregon një raketë duke kaluar ‘firmamentin’, shtresën e ujit qiellor që mbulon një Tokë të sheshtë

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————–

Një video që po qarkullon nëpër rrjetet konspiracioniste pretendohet se tregon një raketë duke kaluar nëpër një shtresë uji në qiell që quhet “firmament” dhe “që është tavani i qiellit.”

Video e mësipërme tregon vërtet anijen kozmike kineze të mallrave Tianzhou-9, e cila u ngrit në ajër më 15 korrik, për të transportuar furnizime në stacionin hapësinor Tiangong ku ndodhet misioni Shenzhou 20, i cili pritet të kthehet në Tokë deri në Nëntor 2025

Ndërsa drita godet shtëllungën e raketës lart në atmosferë, ajo krijon një efekt pamor që i ngjan një kandili deti që fluturon nëpër qiell. Ky fenomen ndodh aq shpesh gjatë hedhjeve të raketave sa është pagëzuar me emrin “efekti kandil.”

Efekti kandil shkaktohet nga bashkëveprimi i dritës së diellit me tymin e shkarkimit të raketës që zgjerohet në atmosferën e sipërme. Ndodh kur një raketë lëshohet gjatë muzgut ose orëve para agimit, duke i lejuar diellit të ndriçojë tymin ndërsa qielli është ende i errët poshtë.

Ndërsa raketa ngrihet lart, gazrat e saj të shkarkimit zgjerohen dhe shpërndahen në atmosferën e sipërme, duke krijuar një formë të rrumbullakosur ‘trupi’. Gjurmët e holla të gazrave të shkarkimit pas raketës ngjajnë me tentakulat, duke e bërë tymin të duket si një kandil deti.

Hedhja e Falcon 9 të SpaceX në 2017 pranë Kalifornisë, pas muzgut

Fjala “firmament” në përgjithësi i referohet harkut të qiellit, por në kozmologjinë biblike konsiderohet si kupola e krijuar nga Zoti që ndan mbretërinë tokësore nga qiejt.

“Firmamenti” është një koncept i përdorur në teoritë konspiracioniste të Tokës së Sheshtë. 

Sipas konspiracionistëve të Tokës së Sheshtë, nuk mund ta kalosh firmamentin sepse bota është e sheshtë dhe nën një kupolë. 

Megjithatë, nëse do të kishte një kupolë që mbulonte Tokën, astronautët do ta kishin hasur atë deri tani.

Lora Bleacher, menaxhere e komunikimit në Qendrën e Fluturimeve Hapësinore Goddard të NASA, tha për Reuters se “NASA ka çuar anije kozmike larg në sistemin diellor dhe më gjerë, dhe ne nuk kemi hasur në një kupolë.” Imazhet e Tokës të marra nga hapësira nga NASA, pa asnjë kupolë ose qiell në horizont, mund të shihen këtu.

Mbi 250 anije kozmike robotike janë dërguar në hapësirë që nga viti 1958, kur NASA “filloi të eksploronte përtej atmosferës së Tokës”, sipas faqes së internetit të agjencisë. NASA gjithashtu ka një rekord prej qindra fluturimesh hapësinore njerëzore, duke filluar me lëshimin e parë të Projektit Mercury në vitin 1961 dhe duke vazhduar deri në misionin aktual të Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor. Të gjitha janë larguar nga Toka dhe janë kthyer pa goditur ndonjë kupolë.

NASA ka publikuar gjithashtu video të nisjeve të anijeve kozmike, përfshirë nisjen e anijes kozmike Atlantis, ku një ekuipazh prej katër astronautësh veteranë arritën me sukses në hapësirë – pa goditur një kupolë.
Thorsten Becker, një profesor në departamentin e shkencave gjeologjike në Universitetin e Teksasit në Austin, tha se “ne dërguam astronautë në hënë të cilët bënë fotografi të një zari dhe jo të një cope drejtkëndëshe” dhe se “ata gjithashtu nuk u përplasën” me një kupolë ose “firmament.”

The post ‘Efekti kandil’ pas raketës kineze nuk provon ekzistencës e kupolës qiellore appeared first on Faktoje.al.

E rreme letra e kërkimit të faljes nga CEO i pabesë

22 July 2025 at 16:32

Pretendimi: CEO që u filmua duke u përqafuar me shefen e burimeve njerëzore në koncertin e Coldplay i ka kërkuar falje publike gruas së tij

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————

Një video e parë mbi 600 mijë herë në Facebook pretendon se Andy Byron, tani ish-drejtor ekzekutiv i kompanisë teknologjike Astronomer, ka kërkuar falje pasi u kap në një kamera në një koncert të Coldplay ndërsa përqafonte me dashuri menaxheren e burimeve njerëzore të kompanisë, Kristin Cabot (të dy janë të martuar, por me persona të tjerë). 

Byron citohet të ketë thënë: 

“Dua të kërkoj sinqerisht falje ndaj gruas sime, familjes sime dhe ekipit në Astronomer. Ju meritoni më mirë nga unë si partner, si baba dhe si lider. Ky nuk është njeriu që dua të jem, as mënyra si dua të përfaqësoj kompaninë që ndihmova të ndërtoja. Po marr kohë për të reflektuar, për të marrë përgjegjësi dhe për të kuptuar hapat e ardhshëm, si personalisht ashtu edhe profesionalisht. Shpresoj që të gjithë të mendojmë më thellë për ndikimin që ka shndërrimi i jetës së dikujt tjetër në spektakël.” 

Megjithatë, ky lajm është i rremë.

Nuk ka konfirmim zyrtar që Byron ka lëshuar ndonjëherë një deklaratë të tillë. I kontaktuar nga kolegët e AFP, Mark ëheeler, nënkryetar i lartë i marketingut në Astronomer, konfirmoi se ishte lajm i rremë. Astronomer sqaroi gjithashtu në Tëitter se Byron nuk ka lëshuar asnjë deklaratë në lidhje me atë që ndodhi në koncert.

Origjina e deklaratës së pretenduar duket se gjendet në llogarinë Tëitter të një personi që pretendon të jetë gazetari i CBS, Peter Enis. Llogaria e z. Enis është etiketuar si një llogari parodie, me biografinë e tij që tregon se emri i “gazetarit” është menduar të jetë një lojë fjalësh falike.

Pasi shkaktoi konfuzion masiv midis përdoruesve të mediave sociale dhe mediave, llogaria postoi një deklaratë pasuese duke konfirmuar se deklarata nuk ishte e vërtetë dhe ishte sajuar prej tij.

“Epo djema, u kapa – raporti është i rremë,” tha ai pasi deklarata u konfirmua të ishte e rreme. “Faleminderit të gjithëve që e bëtë ditën e sotme kaq qesharake, jam i lumtur që ju pëlqeu teksti i këngës “Fix You” në fund – debatova për ta përfshirë atë.”

Byron dha dorëheqjen pasi u pezullua nga kompania. Më 19 korrik 2025, Astronomer lëshoi një deklaratë zyrtare në rrjete sociale duke njoftuar se kishte hapur një hetim të brendshëm për incidentin, duke specifikuar se “udhëheqësit e saj duhet të vendosin standardin si për sjelljen ashtu edhe për llogaridhënien, dhe ky standard kohët e fundit nuk është përmbushur.”

The post E rreme letra e kërkimit të faljes nga CEO i pabesë appeared first on Faktoje.al.

The Simpsons nuk parashikuan skandalin në koncertin e Coldplay

22 July 2025 at 11:54

Pretendimi: The Simpsons e parashikuan skandalin në koncertin e Coldplay

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————–

Në Korrik 2025, në media dhe rrjete sociale nisi të qarkullojë pretendimi se seriali vizatimor amerikan The Simpsons kishte parashikuar kapjen nga kamera në koncertin e Coldplay të një përqafimi intim mes ish-drejtorit ekzekutiv të kompanisë teknologjike Astronomer, Andy Byron, dhe drejtoreshës së burimeve njerëzore të kompanisë, Kristin Cabot.

Si provë për këtë citohet “një pamje e famshme e The Simpsons, ku Homer dhe Marge shfaqeshin në “kiss cam” në një episod të supozuar të vitit 2017 me titullin “Kiss Kiss.”

Megjithatë, një episod i tillë i serialit nuk ekziston. Një episod i The Simpsons me titull “Kiss Kiss, Bang Bangalore” ekziston, por ai është transmetuar në vitin 2006, jo 2017.

Një shikim i plotë i episodit në fjalë nuk zbuloi asnjë moment që mund të klasifikohej në mënyrë të arsyeshme si një parashikim ose një përputhje vizuale për imazhin që qarkullon në internet.

Me gjasa imazhi është manipuluar në mënyrë dixhitale, qoftë përmes inteligjencës artificiale gjeneruese ose një mjeti redaktimi dixhital si Photoshop. Sipas platformës së zbulimit të përmbajtjes së gjeneruar me inteligjencë artificiale (AI), Hive Moderation, me 99.9% imazhi ishte krijuar duke përdorur inteligjencën artificiale.

Për më tepër, Mashable Middle East raportoi se drejtuesi i serialit “The Simpsons”, Al Jean, u tha: “Ne shkruajmë satirë, jo profeci. Çdo ngjashmëri është rastësi e pastër.”

Megjithatë, më parë, seriali “The Simpsons” ka ‘parashikuar’ disa ngjarje, duke përfshirë këtu zgjedhjen e Donald Trump si president i ShBA në 2016, fituesin e një çmimi Nobel, dhe një grip të rrezikshëm që filloi në Azi, ndër të tjera

Kjo, sipas vetë autorëve të serialit, nuk vjen si pasojë e ndonjë aftësie mbinatyrore për të parë të ardhmen por thjesht si pasojë e faktit që seriali ka mbi 700 episode dhe transmetohet që nga viti 1989. “Nëse bën më shumë episode për më shumë dekada se gjithë serialet e tjera, do të parashikosh më shumë gjëra saktësisht,” tha autori Matt Selman. Ndërsa Bill Oakley, një ish-skenarist i The Simpson, tha për The Hollyëood Reporter se çfarë shihet nga disa si ‘parashikime’ të bëra nga seriali janë në fakt thjesht koinçidenca “sepse episodet janë aq të vjetra sa historia ripërsëritet. Shumica e këtyre episodeve janë bazuar në ngjarje të vërteta që kanë ndodhur në vitet ‘60, ‘70 ose ‘80.”

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë ‘parashikime’ të supozuara nga The Simpsons.

The post The Simpsons nuk parashikuan skandalin në koncertin e Coldplay appeared first on Faktoje.al.

Gjykata hollandeze nuk fajësoi Bill Gates për vaksinimin anti-Covid

21 July 2025 at 17:16

Pretendimi: Gjykata holandeze hedh poshtë përpjekjet e Bill Gates për t’i ikur Drejtësisë për dëmet nga vaksinimi anti-Covid.

Verdikti: Mungon konteksti

———————————

Në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se një gjykatë hollandeze ka hedhur poshtë përpjekjet e miliarderit amerikan Bill Gates për t’i shpëtuar Drejtësisë së këtij vendi lidhur me dëmet nga vaksinimi anti-Covid.

Duket se ky pretendim e ka zanafillën në një padi civile të depozituar në një gjykatë të Leeuwarden, Hollandë, e cila përshkruhet në një artikull të gazetës hollandeze Volkskrant.

Në padinë e depozituar nga fondacioni Recht Oprecht, 7 paditës akuzojnë 17 të paditur, përfshi këtu Bill Gates, shtetin hollandez, ish-kryeministrin Mark Rutte, dhe drejtorin e Pfizer, Albert Bourla për dëme nga vaksina anti-Covid. Faqja e Recht Oprecht thekson se padia është civile.

Një vendim i Gjykatës së Hollandës Veriore të 16 tetorit vendosi mbi argumentin e Gates se gjykata nuk kishte juridiksion për të dëgjuar çështjen sepse Gates nuk jeton në Hollandë.

Një dispozitë në Kodin Hollandez të Procedurës Civile lejon një gjykatë hollandeze të fitojë juridiksion për sa kohë që ka juridiksion mbi të paktën një të pandehur dhe me kusht që pretendimet kundër të pandehurve të kenë të njëjtin grup faktesh themelore dhe të jenë të lidhura ngushtë ligjërisht.

Gjykata vendosi se ka “juridiksion ndërkombëtar mbi bashkë-të pandehurin amerikan” dhe i ngarkoi Gates shpenzime ligjore në vlerë prej 1,406 eurosh (që nga 3 dhjetori). Në një gjykatë holandeze, pala humbëse mban mbi vete shpenzimet ligjore.

Gates nuk është i detyruar të paraqitet personalisht kur çështja më e madhe shkon në gjyq civil, tha një zëdhënëse e gjykatës për PolitiFact, por avokatët e tij mund ta përfaqësojnë atë.

Siç shpjegohet nga një nga kanalet e para që raportuan mbi çështjen, ligji civil kompenson dëmin e bërë ndaj një personi, zakonisht duke dhënë dëmshpërblim monetar. Nëse gjykata konstaton se Gates dhe të pandehurit e tjerë kanë shkelur detyrat e tyre qytetare, atyre do t’u kërkohet t’i paguajnë dëmet paditësve.

The post Gjykata hollandeze nuk fajësoi Bill Gates për vaksinimin anti-Covid appeared first on Faktoje.al.

Ky snajper izraelit nuk u rrëzua nga tarraca për shkak të një blete

21 July 2025 at 17:08

Pretendimi: Snajperisti izraelit që duket në këtë imazh vdiq pasi ra nga një ndërtesë në Gaza duke tentuar të vrasë një bletë

Verdikti: E pavërtetë

‐———————————

Në rrjete sociale po qarkullon pretendimi i pazakontë se një snajperist izraelit, Alias Nada, ra nga kati i 13-të i një godine në Gaza, teksa përpiqej të vriste një bletë.

Megjithatë, asnjë provë nuk sillet për të mbështetur këtë pretendim që i ngjan më shumë një fabule.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se burri në imazhin që shoqëron postimin është vërtet një snajperist izraelit.

Megjithatë, kjo është e vetmja lidhje mes tij dhe historisë që rrëfen postimi i mësipërm.

Sipas Fondacionit Hind Rajab, një organizatë ligjore dhe për të drejtat e njeriut me seli në Bruksel, snajperisti në foto është Dani Adonya Adega.

Sipas deklaratës së Fondacionit më 14 korrik, Adega shërbeu si snajper në divizionin e 252 të ushtrisë izraelite. Në fillim të këtij viti, ai postoi një imazh në rrjetet sociale duke mbajtur një pushkë snajperi me mbishkrimin: “4 fishekë, 0 huq”

Fondacioni deklaroi se Divizioni 252 operonte në boshtin Netzarim, ku snajperët dhe patrullat e blinduara izraelite u dokumentuan duke qëlluar sistematikisht civilët, shumica e të cilëve ishin fëmijë. Ai theksoi se vrasjet ndodhën gjatë një armëpushimi të shpallur dhe jo në kontekstin e luftimeve të armatosura, duke e bërë incidentin një akt vrasjeje të paramenduar.

Deklarata shtoi se rreth 170 civilë palestinezë u vranë gjatë periudhës së armëpushimit, duke e përshkruar këtë si një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe një krim të mundshëm lufte.

Fondacioni Hind Rajab tha se kishte siguruar prova të dokumentuara që tregojnë se Adega ndodhej në Portugali dhe u bëri thirrje autoriteteve portugeze ta arrestojnë dhe ndjekin penalisht atë bazuar në parimin e juridiksionit universal.

Ndërkaq, megjithëse postimi citon median turke Anadolu, nga një kërkim me fjalë kyçe nuk rezulton që agjensia të ketë raportuar ndonjë lajm të tillë.

The post Ky snajper izraelit nuk u rrëzua nga tarraca për shkak të një blete appeared first on Faktoje.al.

I gjeneruar përqafimi i Trump dhe Netanyahut me famëkeqin Epstein

21 July 2025 at 17:00

Pretendimi: Ky imazh tregon presidentin amerikan Donald Trump, kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, dhe trafikantin Jeffrey Epstein duke u përqafuar.

Verdikti: Gjeneruar me AI

——————————————————————

Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon një përqafim mes presidentit amerikan Donald Trump, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, dhe famëkeqit Jeffrey Epstein.

Imazhi i sipërm, megjithatë, është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).

Treguesit e zakonshëm të gjenerimit me AI, si përngjasimi pamor me një pikturë më shumë se me një fotografi dhe gjymtyrët e deformuar, janë të dukshëm me sy të lirë.

Jeffrey Epstein, financier dhe pedofil amerikan, u vetëvra në burg në vitin 2019, ndërsa priste të gjykohej për trafikim seksual të të miturve.

Imazhi i mësipërm po qarkullon ndërsa administrata Trump e gjen veten në mes të një stuhie pakënaqësie publike për shkak të vendimit të saj për të mos publikuar asnjë dosje shtesë hetimore mbi Epstein, pasi premtoi të nxirrte një të ashtuquajtur “listë klientësh” të njerëzve të lidhur me Epstein që mund të kenë marrë pjesë në akte të paligjshme.

Për ta bërë edhe më të prekshme imazhin, personazheve në foto i është shtuar edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, duke rikujtuar prejardhjen hebreje të Epstein si dhe përfshirë në imazh një nga politikanët më të akuzuar në rrjet si fajtor për vrasjet e mijëra civilëve në Gaza.

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.

The post I gjeneruar përqafimi i Trump dhe Netanyahut me famëkeqin Epstein appeared first on Faktoje.al.

Skemë mashtrimi me dhuratën e supermarketit Spar

21 July 2025 at 16:31

Pretendimi: Duke hyrë në këtë shorte mund të fitoni një kartë dhuratë me vlerë 500 euro nga Spar

Verdikti: E pavërtetë, Skemë mashtrimi

—————————————————

Një postim në Facebook pretendon se, me rastin e 45 vjetorit, kompania Spar po realizon një shorte ku përdoruesit mund të fitojnë një kartë dhuratë me vlerë 500 euro.

Mëgjithatë, ky shorte i pretenduar në fakt është një skemë mashtrimi.

E para gjë që duhet të na bëjë të dyshojmë është se faqja që ka postuar ‘shorteun nuk është faqja zyrtare e supermarketit, por një faqe e regjistruar me vendndodhje në New York, ShBA.

Postimi pretendon se kompania Spar u themelua 50 vite më parë në 1975. Kjo është e pavërtetë. Si data e themelimit të supermarketit në Hollandë jepet viti 1932.

Nëse ndjekim udhëzimet e faqes së rreme, duhet të plotësojmë të dhënat personale dhe të pagesës.

Kjo është një mënyrë që mashtruesit përdorin për të zhvatur para nga përdoruesit e rrjeteve sociale.

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë skema të tilla mashtrimi.

The post Skemë mashtrimi me dhuratën e supermarketit Spar appeared first on Faktoje.al.

E montuar hedhja nga tarraca e muslimanëve nga forcat Druze

18 July 2025 at 16:50

Pretendimi: Kjo video tregon forcat Druze duke hedhur dikë nga tarraca

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon forcat Druze në Siri teksa hedhin dikë nga tarraca e një godine. Ky veprim makabër sillet si një provë e mizorive të kësaj etnije të mbështetur nga Izraeli, ndaj civilëve muslimanë në këtë rajon të trazuar nga konfliktet e armatosura.

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht nga një llogari në TikTok e quajtur “Maxo Shamoiani.”

Video tregon një kukull që ngjan si njeri që hidhet nga çatia e një ndërtese të lartë.

Video origjinale tregon njerëz që qëndrojnë poshtë ndërtesës duke filmuar skenën. Po atë ditë, llogaria postoi një skenë tjetër që tregon njerëz me uniforma ushtarake duke sulmuar një vend ku ishin të pranishëm burra të armatosur. Kamerat dhe pajisjet e filmimit ishin gjithashtu të dukshme gjatë xhirimeve, duke vërtetuar se skena ishte e sajuar dhe jo e vërtetë.

Mediat siriane raportuan më 17 korrik se fraksionet lokale Druze kishin filluar të vendoseshin në Guvernatoratin As-Suwayda, që përkoi me një zhvendosje të pjesshme të fiseve beduine pas tërheqjes së ushtrisë siriane dhe forcave të sigurisë së brendshme nga zona.

Televizioni Al-Arabiya monitoroi automjete civile të ngarkuara me mobilje shtëpiake, gra dhe fëmijë që po largoheshin nga periferia e Suwayda drejt fshatit Daraa. Kjo vjen mes frikës së madhe midis familjeve beduine për hakmarrje të mundshme, duke pasur parasysh se bijtë e tyre ishin midis palëve në luftime kur ato filluan në Suwayda.

The post E montuar hedhja nga tarraca e muslimanëve nga forcat Druze appeared first on Faktoje.al.

Përmbytjet në Indi ndahen si në Texas

18 July 2025 at 08:34

Pretendimi: Këto video tregojnë përmbytjet e vitit 2025 në Texas, ShBA

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————-

Një sërë klipesh, të montuar në një video të vetme, po qarkullojnë në rrjete sociale, përfshi dhe ato shqipfolëse, me pretendimin se tregojnë përmbytjet katastrofike që pa shteti amerikan Texas në fillim të korrikut 2025.

Më shumë se 120 persona, përfshirë të paktën 27 vajza dhe kujdestarë nga një kamp veror për të rinj, u vranë ndërsa përmbytjet katastrofike përfshinë Texasin gjatë festës së 4 korrikut 2025.

Megjithatë, klipet që përmban video e mësipërme janë të vjetra dhe nuk kanë lidhje me katastrofën në Texas.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e parë është postuar në Instagram të paktën që më 3 korrik 2025, përpara se të ndodhte përmbytja në Texas. 

Videoja e dytë, që tregon makina të marra nga ujërat e rrëmbyeshme, daton të paktën që më 3 dhjetor 2023. Ajo është përshpejtuar dhe përmbysur. Sipas një postuesi në platformën X dhe Times of India, pamjet tregojnë ciklonin Michaung duke u përshkuar me shpejtësi lagjen Chennai, Indi.

Me anë të Google Lens, Faktoje gjeti se video e tretë është postuar në internet të paktën që 10 muaj më parë, përpara se të ndodhte përmbytja në Texas. 

Po me Google Lens, Faktoje gjeti se video e radhës ishte postuar në mediat spanjolle në 2024 si pamje nga përmbytjet e tetorit 2024 në Valencia, Spanjë.

Video e radhës është postuar që në 2022 në Facebook nga media amerikane ABC Neës, dhe tegonte “një autobus që mbushej me ujë në një periferi pranë kryeqytetit të Francës” ndërsa “reshjet e dendura të shiut në Paris dhe përreth tij shkaktuan përmbytje në rajon” në Gusht 2022.

Video e fundit rezulton të jetë mbi 10 vjeçare, postuar në Youtube më 21 maj 2011 me përshkrimin “Tërmeti i Madh i Japonisë Lindore: Momenti i cunamit në Ishinomaki, Prefektura Miyagi.”

Kështu, si përfundim, ndryshe nga ç’pretendohet, asnjë nga klipet në videon e mësipërme nuk tregon përmbytjet që ndodhën në Texas, ShBA, gjatë 4 korrikut 2025.

The post Përmbytjet në Indi ndahen si në Texas appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar video e ushtarëve izraelitë të vrarë nga Irani

17 July 2025 at 14:43

Pretendimi: Kjo video tregon arkivolët e ushtarëve izraelitë të vrarë nga Irani

Verdikti: Gjeneruar me AI

—————————————————–

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon dhjetëra arkivolë të mbuluar me flamurin izraelit dhe mban mbishkrimin “Fuqia e Iranit,” duke lënë të kuptohet se arkivolët përmbajnë viktimat izraelite të sulmeve iraniane.

Megjithatë, video e mësipërme përmban tregues të zakonshëm të pamjeve të gjeneruara me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).

Që me vështrimin e parë, dallohet se flamujt që mbulojnë arkivolët e supozuar variojnë në pamje dhe nuk i përmbahen një standarti.

Për më tepër, në disa prej tyre duket se ka mbishkrime të cilat, kur i zmadhojmë, vërejmë se nuk kanë ndonjë kuptim dhe nuk i përngjasojnë ndonjë fjale të shkruar me alfabetin latin, hebre, apo tjetër. 

“Emrat” mbi arkivolet e pretenduar në fakt janë simbole të pakuptimta

Simbolet e pakuptimta në vend të fjalëve të shkruara me shkronja janë dëshmi e përpjekjes dhe dështimit së programit të inteligjencës artificiale për të gjeneruar tekst koherent brenda një imazhi.

Sipas Times of Israel, sulmet me raketa balistike të Iranit ndaj Izraelit gjatë 12 ditëve të luftës morën jetën e 28 personave – të gjithë civilë, përveç njërit. 

Dukshëm, në video ka më shumë se 28 arkivole.

The post E gjeneruar video e ushtarëve izraelitë të vrarë nga Irani appeared first on Faktoje.al.

Ngrënia e frutave me stomakun bosh nuk trajton kancerin

17 July 2025 at 13:29

Pretendimi: Agjërimi mund të parandalojë dhe shërojë kancerin dhe mjeku britanik Stephen Mac përdor ngrënien e frutave me stomak bosh për të trajtuar në mënyrë të suksesshme kancerin

Verdikti: E paprovuar

—————————————————————–

Në rrjete sociale po riqarkullon pretendimi se në vendet myslimane kanceri shërohet brenda disa ditësh përmes agjërimit strikt. 

Kësaj radhe, atij i është bashkangjitur edhe pretendimi se një mjek britanik i quajtur Dr. Stephen Mac i trajton pacientët me kancer duke u këshilluar të hanë fruta me stomak bosh.

Pretendimi se agjërimi mund të shërojë kancerin nuk mbështetet nga prova të qëndrueshme shkencore. Kanceri është një sëmundje komplekse që kërkon trajtime specifike, të tilla si kimioterapia, radioterapia dhe ndërhyrjet kirurgjikale, në varësi të tipit dhe fazës së sëmundjes.

Ndërsa agjërimi mund të ketë disa përfitime për organizmin në raste të caktuara, nuk ekziston asnjë provë e fortë që sugjeron se ai mund parandalojë apo shërojë kancerin.

Hulumtimet e hershme tregojnë se agjërimi mund të rrisë potencialisht efektivitetin e trajtimeve si kimioterapia duke i bërë qelizat kancerogjene më të ndjeshme. Megjithatë, këto gjetje janë ende në fazat e hershme dhe nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar plotësisht ndikimin.

Megjithatë, agjërimi mund të ketë efekte të dëmshme, veçanërisht për individët me sëmundje kronike si kanceri. Ndërsa agjërimi mund të paraqesë rreziqe të tilla si dehidratimi, mungesa e lëndëve ushqyese dhe një sistem imunitar të dobësuar për popullatën e përgjithshme, këto rreziqe janë edhe më të theksuara për pacientët me kancer. Për ata që i nënshtrohen trajtimit të kancerit, agjërimi mund të çojë në humbje të rëndë në peshë, kequshqyerje dhe një aftësi të reduktuar për të përballuar trajtimet në mënyrë efektive. Këto efekte anësore mund të tejkalojnë lehtësisht çdo përfitim të mundshëm, duke e bërë agjërimin një praktikë veçanërisht të rrezikshme për pacientët me kancer. Është thelbësore që pacientët me kancer të ruajnë një ushqyerje të ekuilibruar për të ruajtur forcën e tyre dhe për të mbështetur sistemin e tyre imunitar gjatë trajtimit.

Nuk ka të dhëna të besueshme për një mjek nga Mbretëria e Bashkuar me emrin Stephen Mac, Stephen Mark ose Stephen Mak. Njësoj, nuk ka ndonjë studim që vërteton se ngrënia e frutave me stomak bosh parandalon kancerin.

Historia e kurës me fruta të Dr. Stephen Mac ka qarkulluar në rrjet që nga viti 2001 dhe është shkruar fillimisht në vitin 1998 nga Devagi Sanmugam, një shef kuzhine dhe shkrimtar kulinarie që jeton në Singapor.

Kanceri është një term i përgjithshëm që përfshin dhjetëra lloje të ndryshme të sëmundjes. Nuk ka gjasa që të ketë një metodë të aftë për të parandaluar të gjitha llojet e kancerit. Në fakt, kjo shumëllojshmëri është një nga sfidat kryesore në gjetjen e një kure.

The post Ngrënia e frutave me stomakun bosh nuk trajton kancerin appeared first on Faktoje.al.

I manipuluar deformimi nga operacionet i aktorit Efron

16 July 2025 at 16:11

Pretendimi: Ky imazh tregon aktorin amerikan Zac Efron para dhe pas ndërhyrjeve plastike

Verdikti: Foto e manipuluar

——————————————————–

Një imazh që pretendohet se tregon aktorin Zac Efron po qarkullon në rrjete sociale si “shembulli perfekt se si fama dhe presioni i “përkryerjes” mund ta shtyjnë dikë të humbasë identitetin.”

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhet që pretendohet se tregojnë Efron pas ndërhyrjeve plastike janë të modifikuara për ta bërë pamjen e tij të duket ekstreme.

Fotot origjinale janë shkrepur një vit më parë, në qershor 2024 gjatë premierës së një filmi ku Efron aktronte, dhe gjatë një ceremonie nderimi për aktoren Nicole Kidman më 27 prill 2024.

Foto e modifikuar (majtas) dhe foto origjinale (djathtas)

Foto e modifikuar (majtas) dhe foto origjinale (djathtas)

Efron foli për ndërhyrjet plastike në një intervistë në shtator 2022. Ai zbuloi se kishte thyer nofullën në një aksident rreth vitit 2018, dhe kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale për ta rregulluar atë. Ai tha se iu nënshtrua edhe fizioterapisë, me anë të së cilës ndryshoi nofullën.

The post I manipuluar deformimi nga operacionet i aktorit Efron appeared first on Faktoje.al.

NASA nuk planifikon shfarosje në masë në vitin 2025

16 July 2025 at 14:59

Pretendimi: Dokumente të NASA përshkruajnë planin e agjencisë për një shfarosje masive.

Verdikti: E paprovuar

——————————————————————-

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi i pazakontë se dokumente të agjencisë hapësinore amerikane NASA zbulojnë një plan për të shfarosur 5 miliardë njerëz brenda vitit 2025.

Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk përmban ndonjë dokument apo ndonjë burim për të mbështetur pretendimin e jashtëzakonshëm.

Postimi duket se i referohet një artikulli të botuar më 27 gusht 2024 në portalin amerikan “The People’s Voice”, i njohur më parë si “News Punch”. 

Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, “NewsPunch” ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.

Sipas artikullit në fjalë, “dokumentet zyrtare të NASA zbulojnë se agjencia është përgatitur për dekada të tëra për të luajtur një rol udhëheqës në një ngjarje shfarosjeje masive në vitin 2025 që do të çojë në shembjen e qytetërimit dhe shpopullimin e shumicës së njerëzve në planetin Tokë.”

Ai citon një prezantim të NASA të vitit 2001 me titull “Çështjet Strategjike të së Ardhmes/Lufta e së Ardhmes [Rreth vitit 2025]”.

Megjithatë, prezantimi i vitit 2001 nuk përmend asnjë përgatitje nga NASA apo plan për “shfarosje masive.”

Në vend të kësaj, ai paraqet një analizë strategjike që diskuton teknologjitë në zhvillim dhe ndikimet e mundshme që ato do të kenë në luftë dhe shoqëri deri në vitin 2025.

Prezantuar nga Dennis Bushnell, shkencëtari kryesor i atëhershëm i NASA, prezantimi mbulon tema të tilla si inteligjenca artificiale, bioteknologjia dhe nanoteknologjia.

Në fillim të prezantimit thuhet qartë se qëllimi i tij është të “nxisë mendimin/diskutimin”.

Prezantimi në fjalë

Një zëdhënës i NASA tha për AAP FactCheck se prezantimi i vitit 2001 ishte bërë pjesë e një teorie konspirative të përsëritur.

“Qëllimi i sesionit të tij (të Dennis Bushnell) ishte të nxiste mendimin dhe diskutimin duke i kërkuar audiencës të imagjinonte se cilat teknologji mbrojtëse mund të zhvillohen në të ardhmen, dhe në këtë rast, në vitin 2025, bazuar në trendet në atë kohë,” tha zëdhënësi. “Prezantimi nuk është një dokument planifikimi dhe përmbajtja brenda prezantimit nuk përfaqëson ndonjë plan aktual ose të ardhshëm nga NASA.”

The post NASA nuk planifikon shfarosje në masë në vitin 2025 appeared first on Faktoje.al.

Ekspozita mbi hapësirën keqinterpretohet si inskenim i NASA

15 July 2025 at 16:24

Pretendimi: Kjo video tregon se NASA ka inskenuar udhëtimet hapësinore

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————————–

Një video që duket se tregon një intervistë në një model anijeje kozmike, po përdoret në rrjet si dëshmi se qendra amerikane hapësinore NASA ka inskenuar fluturimet hapësinore.

Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon ndonjë set xhirimesh për inskenimin e udhëtimeve hapësinore, por një ekspozitë interaktive mbi udhëtimin hapësinor.

Këtë na e tregon mbishkrimi i videos, i cili përkthehet nga hungarishtja në “Dávid jep një intervistë në Huniverzum.”

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale, të postuar në Youtube një muaj më parë nga kanali @spacejunkieH, i cili vetë-përshkruhet si “kanali më i mirë i udhëtimit hapësinor në Hungari.”

Huniverzum – Hungarezët në Hapësirë” është një ekspozitë interaktive hapësinore në Millenáris, Budapest, Hungari. 

E hapur nga 13 maji deri më 31 tetor 2025, ekspozita shfaq të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Hungarisë në eksplorimin e hapësirës.

Pikat kryesore përfshijnë simulatorët hapësinorë, shfaqjet planetare 360°, pajisjet origjinale të astronautëve dhe një zhytje të thellë në misionin e ardhshëm të astronautit Tibor Kapu.

Foto nga ekspozita korrespondojnë me pamjet që shfaqen në video.

The post Ekspozita mbi hapësirën keqinterpretohet si inskenim i NASA appeared first on Faktoje.al.

Të pabaza akuzat ndaj mbjelljes së reve për përmbytjet në Texas

15 July 2025 at 14:32

Pretendimi: Dy ditë përpara përmbytjeve në Texas u kryen operacione të mbjelljes së reve

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendon se dy ditë përpara përmbytjeve në Texas, ShBA, në këtë shtet u kryen “operacione të mbjelljes së reve.”

Si zakonisht, ky pretendim nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo dëshmi që e mbështet atë. 

Lajmi qarkullon në rrjete sociale pas përmbytjeve gjatë festës së 4 korrikut që shkatërruan rajonin Texas Hill Country, duke marrë mbi 120 jetë njerëzish, përfshirë shumë fëmijë. 

Mbjellja e reve, një teknikë që fut grimca të vogla në qiell për të shkaktuar shi mbi zona të vogla gjeografike, ka fituar popullaritet në të gjithë botën si një mënyrë për të luftuar thatësirën dhe për të rritur furnizimet lokale me ujë.

Efektiviteti i mbjelljes së reve është me të vërtetë i diskutueshëm. Shumica e studimeve vlerësojnë se mund të nxjerrë midis 0 dhe një maksimum prej 30 përqind shiu shtesë nga një re.

Që nga viti 2022, shtatë projekte të mbjelljes së reve mbuluan rreth 31 milion akra, ekuivalente me një të gjashtën e sipërfaqes tokësore të shtetit, sipas Departamentit të Licencimit dhe Rregullimit të Texas.

Megjithatë, shkencëtarët thonë se mbjellja e reve nuk mund të krijojë ngjarje moti me madhësinë e përmbytjeve të Teksasit.

“Mbjellja e reve nuk mund të shkaktojë përmbytje të kësaj madhësie,” tha profesorja e Universitetit të Kolorados në Boulder, Emily Yeh, për AFP.

Vlerësimet e përgjithshme të rritjes së shiut përmes mbjelljes së reve janë në rangun e 10%, shpjegoi Yeh. Të gjitha programet kanë kërkesa të rrepta pezullimi, tha ajo, dhe asnjë program operativ nuk do të përpiqej të mbillte një stuhi të madhe.

Pretendimi se mbjellja e reve shkaktoi përmbytjet në Texas duket se është frymëzuar pjesërisht nga Augustus Doricko, themeluesi i Rainmaker Technology Corp, i cili tha se kompania e tij kreu një operacion të mbjelljes së reve në rajon më 2 korrik.

Por operacioni nuk shkaktoi përmbytjet, thonë Doricko dhe ekspertët e pavarur.

“Padyshim, operacionet tona të mbjelljes së reve më 2 korrik nuk ndikuan në përmbytjet që ndodhën më vonë,” tha Doricko në një intervistë më 9 korrik në emisionin “The will Cain”.

“Ne kemi ato që quhen kritere pezullimi ku nëse ka paralajmërime për përmbytje të menjëhershme të Shërbimit Kombëtar të Motit ose paralajmërime të rënda për stuhi, atëherë nuk mund të operojmë në ato zona sipas kufizimeve dhe rregulloreve që kemi,” tha Doricko. “Meteorologu ynë në fakt pezulloi në mënyrë proaktive operacionet një ditë para se Shërbimi Kombëtar i Motit të lëshonte një paralajmërim për përmbytje të menjëhershme.”

Marya Al Homoud, një studiuese shkencore mbi mbjelljen e reve në Qendrën Almobdioon për Studime dhe Kërkime në Arabinë Saudite, konfirmoi se “mbjellja e reve nuk mund të aplikohet gjatë kushteve ekstreme të motit (si stuhitë që çojnë në përmbytje), pasi kjo teknologji aplikohet në kushte specifike dhe të sigurta”.

Homoud, e cila ka studiuar efikasitetin e mbjelljes së reve mbi Qarkun Tom Green në Texas, tha se nuk ekzistojnë prova shkencore që lidhin metodën e mbjelljes së reve me përmbytjet.

“Përmbytjet kanë disa shkaqe, duke përfshirë kushtet klimatike, atmosferike dhe të motit, si dhe kushtet mjedisore,” tha ajo.

Administrata amerikane Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) tha për Snopes se: “Sasia e reshjeve të krijuara nga mbjellja e reve është përgjithësisht e vogël dhe e lokalizuar. Meteorologët bien dakord se mbjellja e reve nuk mund të gjenerojë reshje të kësaj madhësie ose madhësie. Mbjellja e reve nuk shton lagështi në atmosferë. Kjo ngjarje mund të kishte ndodhur vetëm nëse lagështia e bollshme ishte tashmë e pranishme.”

Përmbytjet në Texas u shkaktuan nga reshjet e dendura të shiut. Një sasi e madhe lagështie në atmosferë erdhi nga Stuhia Tropikale Barry, e cila kishte shkaktuar përmbytje në Meksikë dhe më pas po lëvizte drejt veriut.

Peisazhi kodrinor i pjesës së Texas ku ndodhi katastrofa e shtyu ajrin e lagësht lart, duke krijuar re gjigante stuhie. Kushtet atmosferike bënë që stuhitë të lëviznin ngadalë dhe të qëndronin mbi të njëjtën zonë për orë të tëra.

Terreni i zonës gjithashtu rezultoi katastrofik. Toka shkëmbore e bën të vështirë thithjen e ujit, dhe shpatet e pjerrëta dhe shtretërit e ngushtë të lumenjve mund të shkaktojnë rritje të shpejtë të niveleve të ujit. Rajoni është i njohur për rrezikun e përmbytjeve dhe njihet si Rrugica e Përmbytjeve të Menjëhershme.

Një analizë paraprake nga ClimaMeter, një platformë jofitimprurëse që ofron njohuri pothuajse në kohë reale mbi dinamikën e ngjarjeve ekstreme dhe lidhjet e tyre me ndryshimet klimatike, zbuloi se kushtet meteorologjike që i paraprinë përmbytjeve në Texas, të cilat sollën më shumë se dyfishin e reshjeve mesatare mujore në një ditë të vetme, gjithashtu nuk mund të shpjegoheshin vetëm nga ndryshueshmëria natyrore.

Raporti, bazuar në fatkeqësi të ngjashme të kaluara në zonë, i karakterizoi përmbytjet në Texas si një “ngjarje shumë e jashtëzakonshme moti” “mund të jetë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, me një kontribut nga ndryshueshmëria natyrore.”

The post Të pabaza akuzat ndaj mbjelljes së reve për përmbytjet në Texas appeared first on Faktoje.al.

❌
❌