Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 August 2025Main stream

Netflix nënshkruan marrëveshje me një tjetër yll të YouTube për një seri të re, Mark Rober

By: Kult Plus
21 August 2025 at 21:50

Ish-inxhinieri i NASA-s, Mark Rober, është bërë më i fundit ndër yjet e YouTube-it që siguron një marrëveshje me Netflix.

45-vjeçari ka më shumë se 70 milionë ndjekës në YouTube dhe njihet për videot e tij të lidhura me shkencën dhe teknologjinë.

Tani, Rober ka krijuar një seri garuese për Netflix-in, të cilën po e realizon në bashkëpunim me kompaninë e produksionit të prezantuesit amerikan të “talk-show”, Jimmy Kimmel.

Rober po ndjek hapat e disa YouTuberëve të tjerë të famshëm, Netflix firmosi një marrëveshje me argëtuesen për fëmijë Ms Rachel më herët këtë vit dhe bëri një marrëveshje me krijuesit britanikë “The Sidemen” në vitin 2024.

Jimmy Kimmel, i cili e ka ftuar Rober disa herë në emisionin e tij Jimmy Kimmel Live!, tha:

“Nuk mund të presim ta prezantojmë një nga krijuesit më të zgjuar dhe më të mirë te Netflix.
Videot e Mark-ut janë kaq të zgjuara dhe shpikëse, sa është e lehtë të harrosh që janë edukative.”

Videot e Rober-it zakonisht arrijnë të paktën 10 milionë shikime, me shumë prej tyre që kalojnë 100 milionë.

Ekspertja e medias, Jo Redfern, thotë se platforma si Netflix po nënshkruajnë me krijues të suksesshëm të YouTube-it sepse ata tashmë kanë një audiencë të madhe dhe besnike.

“Ata nuk janë suksese të çastit, kanë kaluar vite duke ndërtuar audiencën e tyre, duke testuar përmbajtje dhe duke parë se çfarë funksionon,” tha ajo për BBC-në.

Sipas Redfern, shumë nga këta krijues janë prodhues, regjisorë dhe montazhierë të vetvetes, dhe zotërojnë një aftësi të veçantë, që shpesh mungon te platformat tradicionale të transmetimit.

Ndërsa shfaqja e Ms Rachel në YouTube u mor nga Netflix në të njëjtin format me katër episode ekskluzive, Rober do të zhvillojë një seri krejtësisht origjinale për audiencën e re.

Për shembull, CoComelon, një serial i animuar që nisi në YouTube në vitin 2006, u ble nga Netflix në 2020, por së fundmi kompania vendosi të mos rinovojë marrëveshjen. Tani, shfaqja me gati 200 milionë ndjekës në YouTube do të kalojë në Disney+.

Ndërkohë, The Sidemen, që përbëhet nga shtatë krijues britanikë, sollën reality-shfaqjen “Inside” në Netflix dhe kanë në plan të krijojnë edhe një version amerikan.

Duke folur për BBC-në vitin e kaluar, Vik Barn, një prej anëtarëve të Sidemen, tha se ata kishin “arritur kufirin” e asaj që mund të realizonin në YouTube.

Redfern shton se për krijues si Sidemen, që janë kontaktuar nga platformat e mëdha:

“Ekziston ende një lloj prestigji dhe legjitimiteti në bashkëpunimin me këto platforma.”

“Këta krijues janë operatorë të zgjuar dhe biznese mediatike në vetvete, dhe e dinë se të mbështeten vetëm te YouTube është e rrezikshme,” shtoi ajo.

Ata janë të interesuar të zgjerojnë aktivitetin, pasi mund të mjaftojë vetëm një ndryshim algoritmi për të tronditur të gjithë modelin e tyre të biznesit në YouTube.

Sidoqoftë, kalimi nga YouTube në platformat e mëdha nuk është gjithmonë i lehtë, siç tregon edhe shembulli i MrBeast me emisionin e tij në Amazon Prime, “Beast Games”, në vitin 2024.

Ky program ofroi një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për 1,000 pjesëmarrës dhe u promovua si shfaqja më e madhe garuese live në botë.

Megjithatë, një proces gjyqësor në SHBA është ende në zhvillim, pasi disa konkurrentë pretendojnë se janë keqtrajtuar gjatë xhirimeve.

Amazon thuhet se investoi 100 milionë dollarë në sezonin e parë, por MrBeast tha se gjithsesi doli jashtë buxhetit.

Megjithatë, “Beast Games” është rinovuar për dy sezone të tjera, dhe sipas Variety, tërhoqi 50 milionë shikime në vetëm 25 ditë pas premierës.

Sipas Redfern, platformat si Netflix dhe Amazon mendojnë vazhdimisht për “audiencat e së ardhmes”, por paralajmëron për rrezikun e lodhjes nga abonimet te të rinjtë.

Avantazhi i YouTube-it qëndron në faktin që është falas për përdoruesit, gjë që Redfern e përshkruan si “jashtëzakonisht tërheqëse”, për më tepër që shumë krijues gjenden në një platformë të vetme./BBC/KultPlus.com

Shfaqet ‘Hëna e zezë’, fenomeni i rrallë që ndodh një herë në 33 vjet

By: Kult Plus
21 August 2025 at 21:20

Një nga fenomenet më të veçanta astronomike, i njohur si “Hëna e zezë”, do të ndodhë këtë fundjavë, duke shënuar një rast që përsëritet mesatarisht vetëm një herë në 33 vjet.

Ky fenomen ndodh gjatë fazës së hënës së re, kur sateliti ynë natyror vendoset midis Tokës dhe Diellit. Për shkak se ana e ndriçuar është e kthyer nga Dielli, ndërsa ajo që shohim nga Toka mbetet në errësirë, hëna bëhet praktikisht e padukshme në qiellin e natës.

Termi “hënë e zezë” nuk është zyrtar në astronomi, por përdoret për dy skenarë të rrallë:

kur ka dy hëna të reja në një muaj kalendarik, ose

kur në një stinë shfaqen katër hëna të reja, në vend të treve të zakonshme. Në këtë rast, e treta quhet “e zezë”.

“Hëna e zezë” e këtij gushti është pikërisht hëna e tretë e re e verës, ndërsa e katërta pritet më 21 shtator, një ditë para ekuinoksit vjeshtor në Hemisferën Veriore.

Edhe pse fenomeni nuk do të jetë i dukshëm, kjo periudhë është shumë e favorshme për vëzhgimin e yjeve dhe sidomos të shiut të meteorëve Perseid, i cili këtë muaj arrin kulmin e tij deri më 24 gusht.

Sipas astronomëve, “Hëna e zezë” e radhës do të ndodhë më 31 gusht 2027, kur dy hëna të reja do të përkojnë brenda të njëjtit muaj./KultPlus.com

Netflix përdor për herë të parë Inteligjencën Artificiale në një serial: “10 herë më shpejt dhe më lirë”

By: Kult Plus
21 August 2025 at 20:25

Netflix ka bërë një hap historik në industrinë e argëtimit, duke përdorur për herë të parë efekte vizuale të krijuara nga Inteligjenca Artificiale gjenerative (AI) në një nga prodhimet e tij origjinale.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Ted Sarandos, bëri të ditur se teknologjia u aplikua për një skenë rrëzimi ndërtesash në serialin fantastiko-shkencor argjentinas The Eternauts. Sipas tij, përdorimi i AI-së uli ndjeshëm kohën dhe shpenzimet e prodhimit:
skena u realizua 10 herë më shpejt dhe me kosto shumë më të ulët krahasuar me metodat tradicionale.

“Kostoja për atë skenë do të kishte qenë e papërballueshme për një serial me atë buxhet. Kjo është pamja e parë përfundimtare me AI gjenerative që shfaqet ndonjëherë në një prodhim origjinal të Netflix,” – deklaroi Sarandos, duke shtuar se ekipi i krijuesve ishte i kënaqur me rezultatin.

Ndërkohë, kompania raportoi një rritje prej 16% të të ardhurave në tremujorin e dytë, duke arritur në 11 miliardë dollarë, ndërsa fitimet u rritën nga 2.1 në 3.1 miliardë dollarë. Një pjesë e kësaj performance lidhet me suksesin e sezonit të tretë dhe të fundit të trillerit jugkorean Squid Game, i cili ka grumbulluar mbi 122 milionë shikime.

Megjithatë, përdorimi i AI-së vazhdon të ngjallë debate në industrinë kinematografike. Kritikët paralajmërojnë se kjo teknologji shpesh përdor punën e artistëve pa leje dhe mund të rrezikojë mijëra vende pune në sektorin kreativ./BBC/KultPlus.com

Veprat e panjohura të Frida Kahlo-s

By: Kult Plus
21 August 2025 at 20:00

Veprat e humbura ose pak të njohura të artistes meksikane ofrojnë këndvështrime të reja për jetën dhe krijimtarinë e saj. Holly Williams eksploron artin e rrallë që përfshihet në një libër të ri mbi pikturat e plota të saj.

Frida Kahlo është artistja femër më e famshme e të gjitha kohërave dhe imazhi i saj është menjëherë i dallueshëm dhe i kudondodhur. Ajo gjendet kudo, në bluza, fletore, filxhanë. Ndërsa shkruaja këtë artikull, pashë disa suvenire me imazhin e saj në një vitrinë dyqani, vetëm tre minuta larg shtëpisë sime. Ndoshta edhe ju jeni afër ndonjë imazhi të saj, me vetullën karakteristike, veshjet tradicionale meksikane, kurorat me lule dhe buzëkuqin e kuq.

Një pjesë e këtij popullariteti vjen nga fakti që vetë imazhi i saj ishte subjekt i rëndësishëm në veprat e saj, rreth një e treta e pikturave të saj janë autoportrete. Edhe pse vdiq në vitin 1954, pikturat e saj duken ende të freskëta dhe të fuqishme: autoportretet e saj flasin për identitetin, për nevojën për të krijuar imazhin tënd dhe për të treguar historinë tënde. Ajo e pikturon veten duke parë drejt shikuesit, drejtpërdrejt, me forcë, sfiduese.

Për këtë arsye, Kahlo përshtatet mirë në narrativat feministe bashkëkohore, gruaja e fortë dhe e pavarur, që e përdor veten si subjekt dhe eksploron hapur aspektet e ndërlikuara dhe të dhimbshme të të qenit grua. Pikturat e saj shpesh pasqyrojnë dramën e jetës së saj: një abort, pamundësia për të pasur fëmijë; dhimbja trupore (për shkak të një aksidenti të tmerrshëm që pati në moshën 18-vjeçare); dashuria e madhe dhe e trazuar me artistin meksikan Diego Rivera, si dhe xhelozia e madhe (Rivera e tradhtoi disa herë, madje edhe me motrën e saj).

Por veprat e saj nuk flasin vetëm për jetën e saj, edhe pse kjo ide është shumë e përhapur. Librat janë shkruar për traumën e saj, për jetën e saj të dashurisë; është bërë një film nga Hollivudi ku e luan Salma Hayek. Kahlo është kthyer në një temë me ndikim të garantuar, që tërheq audiencë në galeri, edhe kur ajo që prezantohet është më shumë historia e saj sesa arti i saj.

Për shumë historia në arti, fokusi i tepruar te personi dhe jo te krijimtaria është bërë i lodhshëm. Prandaj është publikuar një libër monumental i ri nga shtëpia botuese Taschen, me titull “Frida Kahlo: Pikturat e Plota”, që ofron për herë të parë një vështrim të plotë mbi të gjithë veprën e saj. Historiani i artit meksikan Luis-Martín Lozano, së bashku me Andrea Kettenmann dhe Marina Vázquez Ramos, përshkruajnë çdo vepër të njohur të saj, gjithsej 152, përfshirë edhe shumë vepra të humbura që njihen vetëm përmes fotografive.

Lozano thotë se shumica e ekspozitave janë përqendruar te personaliteti i saj: si dukej, si vishej, me kë flinte. Si rezultat, ekspozitat dhe katalogët shpesh ripërsërisin të njëjtat vepra dhe të njëjtat interpretime. “E njëjta pikturë, të njëjtat fjalë: ‘sepse ajo e dashuronte Riverën’, ‘sepse nuk mund të kishte fëmijë’, ‘sepse ishte në spital’. Në disa raste, kjo është e vërtetë, por ka shumë më tepër se kaq,” thotë ai.

Nga 152 pikturat e saj, disa nuk janë komentuar kurrë më parë në ndonjë botim. Shumë prej tyre janë të panjohura sepse janë në koleksione private ose janë zbuluar në ankande vetëm në dekadat e fundit. Ndër to përfshihet edhe një vepër e hershme “Still Life (with Roses)” nga viti 1925, që nuk është ekspozuar që nga viti 1953 dhe që duket qartë se është ndikuar nga babai i saj, Guillermo, një fotograf profesionist dhe piktor amator.

Kahlo krijoi gjatë gjithë jetës piktura të mrekullueshme me natyrë të qetë, me fruta, lule dhe simbole, edhe pse ato nuk janë aq të njohura sa autoportretet e saj. Këto vepra kanë fituar rëndësi të re pas zbulimit të letrave mes saj dhe gjysmë-motrës Margarita, ku flitet për kuptimin simbolik të luleve dhe trupit si kopshti i Edenit.

Një nga interpretimet e reja është për pikturën “Tunas” nga viti 1938, tre fiq kaktusi në faza të ndryshme pjekjeje, që mendohet të pasqyrojë maturimin e saj si artiste dhe si grua, por edhe të ketë simbolikë fetare.

Libri gjithashtu tregon se Kahlo ishte shumë më tepër sesa një artiste që pikturonte vetëm nga ndjenjat personale. Ajo hulumtonte rrymat artistike të kohës: nga modernizmi meksikan dhe kubizmi, te surrealizmi. Që para se të njihte Riverën në vitin 1928, ajo po eksperimentonte me format avangardë, si në pikturat “Pancho Villa and Adelita” dhe një vepër e humbur “If Adelita”.

Ajo ishte e ndikuar edhe nga mjeshtrit e vjetër të Rilindjes, përmes printimeve që kishte në bibliotekën e të atit. Piktura “Dy gra (Portret i Salvadora-s dhe Herminia-s)” nga viti 1928 u ndikua nga portretet e Leonardo da Vinçit, kjo vepër u bë e njohur publikisht vetëm pasi u ble nga Museum of Fine Arts në Boston në vitin 2015.

Duke qenë se Kahlo nuk ishte shumë e suksesshme gjatë jetës, shumë piktura të saj u dhuruan ose u shitën drejtpërdrejt miqve, artistëve, familjarëve dhe admiruesve të pasur, gjë që e bën më të vështirë gjurmimin e tyre sot. Ka disa imazhe tronditëse që janë humbur, si “Girl with Death Mask II” apo “The Airplane Crash”, për të cilën ekziston vetëm një foto. Kjo e fundit është bazuar në një ngjarje reale, një aksident ajror, dhe përbën një paralelizëm të errët me dhimbjet personale që po përjetonte në atë kohë.

Kahlo ishte komuniste e deklaruar dhe aktive politikisht. Në vitet e fundit, megjithë dhimbjen dhe operacionet (përfshirë amputimin e këmbës), ajo vazhdoi të pikturonte. Një nga veprat e saj të fundit është “Kongresi i Popujve për Paqe” (1952), një pemë frutore me një pëllumb dhe dy re atomike, që pasqyrojnë ankthin e saj për luftën bërthamore.

Në këtë periudhë, në pikturat e saj shfaqen gjithnjë e më shumë simbole politike, pëllumba, flamuj meksikanë, ngjyra të revolucionit, si dhe portrete dashamirëse të Stalinit.

Por ndoshta piktura më prekëse e saj e fundit është “Frida në Flakë (Autoportret brenda një luledielli)”, ku ajo, para vdekjes, e gërvishti pikturën me thikë, një akt simbolik i frustrimit, dhimbjes dhe, sipas dëshmive, një “ritual vetëflijimi”. Është një vepër e dhimbshme, e papërfunduar, por jashtëzakonisht e fuqishme. Edhe në shkatërrimin e vetvetes, Frida e bëri artin e saj të flasë me forcë./BBC/KultPlus.com

Drita një hap larg historisë në garat evropiane

By: Kult Plus
21 August 2025 at 19:30

Skuadra kampione e Kosovës, Drita, sot zhvillon ndeshjen e parë të play-offit në Ligën e Konferencës kundër ekipit nga Luksemburgu, Differdange. Përballja do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:00.

Ky duel është i një rëndësie të veçantë për gjilanasit, të cilët kanë mundësinë të shkruajnë historinë duke u kualifikuar për herë të parë në fazën e grupeve të një kompeticioni evropian.

Drita e njeh mirë kundërshtarin, pasi vetëm pak javë më parë e eliminoi në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, duke e mposhtur në të dyja ndeshjet, me rezultatet 1-0 dhe 3-2.

Ndeshja e kthimit zhvillohet javën e ardhshme në Luksemburg, ndërsa rezultati i kësaj sfide do të jetë vendimtar për ëndrrën evropiane të kampionëve të Kosovës./KultPlus.com

Shpëtimi në Dongji dhe historia e vërtetë e një akti të harruar heroizmi në Luftën e Dytë Botërore

By: Kult Plus
21 August 2025 at 19:00

Një film i ri dramatizon shpëtimin gjatë Luftës së Dytë Botërore të qindra robërve britanikë nga anija Lisbon Maru, një anije mallrash japoneze. Kjo histori nuk është treguar gjerësisht deri tani.

Më 1 tetor 1942, Lisbon Maru po transportonte 1,816 robër britanikë drejt Japonisë. Ajo u ndal pranë bregut të Kinës nga një nëndetëse amerikane, e cila nuk ishte në dijeni që kishte robër aleatë në bord. Sipas të mbijetuarve, trupat japoneze mbyllën me kapakë të rëndë hapjet e brendshme të anijes përpara se të largoheshin prej saj, duke i lënë britanikët brenda të mbyllur.

Ndërsa anija po fundosej, britanikët tentuan të arratiseshin, por u qëlluan nga trupat japoneze. Ndihma erdhi nga peshkatarë kinezë nga ishujt aty pranë, të cilët shpëtuan 384 burra nga deti. Këto ngjarje të vërteta ishin frymëzimi për një dokumentar të realizuar nga kineasti Fang Li, “The Sinking of the Lisbon Maru”, që u publikua në Kinë në vitin 2024, dhe tani për një film madhështor aksioni të quajtur “Dongji Rescue”.

Në një intervistë për Muzeun Imperial të Luftës në Londër, marinari Jack Hughieson përshkruan sesi dëgjoi zërat e burrave që ishin ende të mbyllur në mbajtëset e anijes duke kënduar këngën e famshme “It’s A Long Way to Tipperary”. “E dëgjoj ende edhe sot,” thotë ai. “Mes ulërimave dhe thirrjeve për ndihmë, dëgjohej kënga. Nga deti dëgjoje britmat e burrave që po shkonin drejt vdekjes.”

Fang Li kaloi gati një dekadë duke hulumtuar dhe prodhuar dokumentarin, bazuar në librin e historianit Tony Banham. Ai takoi familjet e robërve britanikë që vdiqën ose mbijetuan nga fundosja, si dhe dy të mbijetuar që ishin ende gjallë: William Beningfield dhe Dennis Morley. Ai gjithashtu takoi edhe shpëtimtarin e fundit të gjallë kinez, Lin Agen, atëherë 94 vjeç (të tre burrat vdiqën para publikimit të filmit).

Të mbijetuarit rrëfejnë se britanikët, të kapur rob pas betejës së Hong Kongut, po mbaheshin në kushte çnjerëzore në fundet e anijes, siç e përshkruan Morley, “duke notuar në jashtëqitje, praktikisht.” Kur anija u torpedua, një rob lufte, kasap me profesion, që ende kishte një thikë, preu pëlhurën dhe ndihmoi për arratisjen. Ata zmbrapsën rojet, vetëm që të qëlloheshin nga ushtria japoneze. “Ata po argëtoheshin,” thotë Morley në film. “Ne ishim objektiv stërvitjeje.”

Shpëtimi i tyre erdhi nga një flotë varkash peshkimi nga arkipelagu i Zhoushan, që kishin parë njerëz në det. Peshkatarët arritën të shpëtojnë 384 ushtarë britanikë, dhe kjo i detyroi japonezët të ndalonin të qëlluarit dhe të fillonin të shpëtonin njerëz gjithashtu, sipas Major Brian Finch, historian ushtarak dhe këshilltar i dokumentarit.

Sipas Finch: “Kur anija po fundosej, uji hyri në dhomën e kaldajës dhe shpërtheu një eksplozion i madh që tërhoqi vëmendjen e peshkatarëve. Ata kishin dalë për të mbledhur copat e rrobave të hedhura nga shpërthimi, por kur panë njerëz në det, nisën t’i shpëtonin. Kjo u kthye në një operacion të vërtetë shpëtimi.” Ai shton: “Dennis Morley u shpëtua nga japonezët, por tha se jetën ia kishte borxh peshkatarëve kinezë.”

828 ushtarë britanikë vdiqën atë ditë, por të tjerët u shpëtuan. Dokumentari u prit shumë mirë në Kinë dhe fitoi mbi 6 milionë dollarë në arkë, diçka e rrallë për një dokumentar. Tani filmi aksion “Dongji Rescue”, përpiqet të shfrytëzojë këtë interes.

Filmi i madh, i xhiruar në IMAX dhe me buxhet prej 80 milionë dollarësh, është bashkëregjisoruar nga Guan Hu dhe Fei Zhen Xiang. Ai ndjek një rrëfim më të trilluar: përqendrohet në dy vëllezër heroikë (të interpretuar nga Wu Lei dhe Zhu Yilong) dhe një grua (aktorja Ni Ni) që udhëheq operacionin e shpëtimit, asgjë nga këto nuk ndodhi në realitet.

Disa familjarë të robërve britanikë janë ndjerë të fyer nga skena ku thuhet se peshkatarët hapën kapakët, duke zbehur trimërinë e robërve që u arratisën vetë. Filmi gjithashtu tregon një hakmarrje të banorëve ndaj japonezëve, diçka që nuk ndodhi kurrë, pasi këto ishuj nuk ishin të pushtuar.

Megjithatë, regjisori Fei thotë se kjo është një mënyrë tjetër për të treguar historinë: “Dokumentari ishte një rrëfim i saktë historik që përqendrohej te ushtarët britanikë. Ne donim të përqendroheshim te peshkatarët kinezë dhe për këtë, duhej të sillnim emocione dhe rrëfime të shtuara.”

Filmi gjithashtu tregon ushtarët britanikë që formojnë rresht dhe përshëndesin shpëtimtarët, diçka që regjisori thotë se u bazua në një kujtim të njërit prej peshkatarëve. “Ata s’kishin si t’i falënderonin në gjuhën kineze, ndaj bënë një përshëndetje ushtarake.”

Shumica e britanikëve të shpëtuar u morën sërish robër dhe u çuan në Japoni (mbi 700 do mbijetonin deri në Ditën e Fitores ndaj Japonisë – VJ Day). Por historia ka edhe një kthesë të fundit: tre burra britanikë që flisnin kinezçe u fshehën në një shpellë deti dhe më pas u ndihmuan nga rezistenca kineze të arratiseshin nëpër Kinë dhe të arrinin lirinë. “Ishte një akt i jashtëzakonshëm guximi,” thotë Finch.

Kapiteni i Lisbon Maru, Kyoda Shigeru, u dënua me 7 vjet burg në vitin 1946, por oficeri japonez përgjegjës për robërit, Wada Yoshio, vdiq para se të dilte në gjyq. Në gjyq, kapiteni Shigeru deklaroi se kishte kërkuar leje për të evakuuar të gjithë, përfshirë robërit britanikë, dhe “ndihej shumë keq për vuajtjen që u shkaktoi atyre.” Dokumentari takon fëmijët e tij, që përshkruajnë një burrë për të cilin “jeta ishte e dhimbshme”.

Lisbon Maru nuk është nxjerrë kurrë nga deti, por një memorial për fundosjen e saj u zbulua në maj të vitit 2025. Finch thotë se kjo histori mund të mos jetë bërë e njohur për shkak të përulësisë së atyre që e përjetuan. “Kur robërit britanikë u kthyen nga Lindja e Largët, ndoshta ishte një vit pas mbarimit të luftës. Ata nuk u trajtuan si heronj. Ndoshta s’donin të flisnin për atë që përjetuan, thjesht donin të vazhdonin jetën.”

“Edhe pse veprimet e peshkatarëve kinezë ishin heroike, ata bënë atë që çdo komunitet detar do të bënte: nëse sheh dikë në ujë, mendimi i parë është t’i shpëtosh.”

“Dongji Rescue” publikohet në SHBA dhe Britani më 22 gusht.
“The Sinking of the Lisbon Maru” mund të shikohet në Britani në Odyssey Chinese Cinema për të shënuar 80-vjetorin e Ditës së Fitores ndaj Japonisë (VJ Day)./BBC/KultPlus.com

100 thënie inspiruese nga personalitete të shquara

By: Kult Plus
21 August 2025 at 18:40

Çdo mendje e ndritur e kohërave ka lënë trashëgiminë personale. Për disa janë veprat, për disa të tjerë aseti më i madh janë thëniet në letër.

Shumë prej tyre janë sfiduese, frymëzuese dhe interesante, optimiste, por vetëm të vërtetat, ato që i rezistojnë brezave janë më të vlefshmet.

Lexoni 100 thëniet më inspiruese nga personalitete të shquara botërore:

Kur çdo gjë shkon kundër teje, kujto që avioni gjithmonë ecën kundër erës, jo me të – Henry Ford

Ne bëhemi çfarë mendojmë – Earl Nightingale

Jeta duhet bërë për të lënë një impakt, jo për të bërë të ardhura – Kevin Kruse

Çfarëdo që mendja e njeriut mund të konceptojë dhe besojë, mund ta arrijë – Napoleon Hill

Dy ditët më të rëndësishme në jetën tënde janë kur lind dhe ditën që zbulon pse linde – Mark Twain

Mos u përpiq të kesh sukses, por përpiqu të jesh një vlerë – Albert Einstein

Edukimi kushton para. Por më shtrenjtë kushton injoranca – Sir Claus Moser

Unë zgjodha rrugën më pak të shkelur. Kjo bëri diferencën –  Robert Frost

Ia atribuoj suksesin këtij veprimi: Nuk pranoj apo bëj justifikime – Florence Nightingale

Ju nuk ja dilni në 100% mundësitë që nuk shfrytëzoni – Wayne Gretzky

Kam gabuar në 9000 gjuajtje në karrierën time. Kam humbur 300 ndeshje. 26 herë më është besuar gjuajtja e fundit dhe e kam gabuar. Kam dështuar mijëra herë në jetë. Dhe kjo është arsyeja pse arrita të kem sukses – Michael Jordan

Gjëja më e vështirë është vendimi për të vepruar, pjesa tjetër është thjesht këmbëngulje – Amelia Earhart

Çdo lëvizje më sjell më afër qëllimit tim – Babe Ruth

Përcaktimi i qëllimit është fillimi i arritjes – Clement Stone

Jeta nuk është të marrësh dhe të kesh, është të japësh dhe të jesh – Kevin Kruse

Jeta është ajo çka të ndodh ndërkohë që ti je i zënë duke bërë plane të tjera – John Lennon

20 vjet nga tani ne do të jemi më të zhgënjyer për gjërat që nuk bëmë, sesa nga gjërat që bëmë. Eksploro, ëndërro, zbulo – Mark Twain

Jeta është 10% ajo që më ndodh mua, dhe 90% se si unë reagoj – Charles Suindoll

Do të zhgënjehesh nëse dështon, por do të ndihesh i dënuar nëse nuk provon – Beverly Sills

Kujto që asnjë nuk mund të bëjë të ndihesh inferior pa miratimin tuaj – Eleanor Roosevelt

Jeta ka qenë, është dhe do të mbetet gjithnjë se si ne e bëjmë atë – Grandma Moses

Mënyra më e zakonshme se si njerëzit i dorëzojnë fuqitë e tyre është se mendojnë se nuk kanë – Alice Walker

Mendja është gjithçka. Çfarë mendon bëhesh – Buda

Koha më e mirë për të mbjellë një pemë është para 20 vitesh. Koha e dytë më e mirë është tani. Proverb kinez

Një jetë e pakontrolluar nuk ja vlen të jetohet – Sokrati

80% e suksesit është të tregosh që vlen – Woody Allen

Jeta jote është e limituar, kështu që mos e shpenzo duke jetuar jetën e dikujt tjetër – Steve Jobs

Të fitosh nuk është gjithçka, por të duash të fitosh po – Vince Lombardi

Unë nuk jam produkt i rrethanave të mia. Jam produkt i vendimeve të mia – Stephen Covey

Çdo fëmijë është artist. Problemi është si të vazhdosh të mbetesh artist kur rritesh – Picasso

Nuk mund ta kalosh kurrë oqeanin nëse s’ke guxim të shohësh mbrapa që bregu nuk duket – Cristoforo Colombo

Kam mësuar që njerëzit do ta harrojnë çfarë the, njerëzit do ta harrojnë çfarë bëre, por njerëzit nuk do ta harrojnë kurrë se si i bëre të ndihen – Maya Angelou

Ose ti e bën ditën tënde ose dita të drejton ty – Jim Rohn

Për çdo gjë që mendon se mund të bësh ose çfarë nuk mund të bësh, ke të drejtë – Henry Ford

Çfarëdo mendon të bësh, apo e ke ëndërr, filloje. Guximi ka gjenialitet, pushtet dhe magji brenda – Johann Volfgang von Goethe.

Hakmarrja më e mirë është suksesi masiv – Frank Sinatra

Njerëzit shpesh thonë se motivimi nuk zgjat. Dakord, por edhe fjalët e këqija nuk kanë rezultat, prandaj motivimi këshillohet të jetë i përditshëm – Zig Ziglar

Jeta zvogëlohet ose zgjerohet në proporcion të kurajos së dikujt – Anais Nin

Nëse dëgjon brenda vetes një zë që thotë “nuk mund të pikturosh”,  atëherë nuk mund të pikturosh – Vincent Van Gogh.

Kërko dhe do të të jepet, kërko dhe do të gjesh, trokit në dorë dhe do të të hapet – Jezusi

I vetmi person që është e thënë të bëhesh, është personi që vendos ti vetë të bëhesh – Ralph Valdo Emerson

Shko me besim drejt ëndrrave të tua. Jeto jetën që kishe imagjinuar – Henry David Thoreau

Kur të takoj Zotin në fund të jetës sime, shpresoj të mos më ketë ngelur asnjë pikë talent dhe t’i them, e përdora të gjithë atë që më dhe – Erma Bombeck

Më shumë se sa t’i vendosësh përgjegjësi një personi, është e mira t’i japësh besim për ta ndihmuar – Booker T. Washington

Shumë gjëra t’i kap syri, por ndiq ato që të kap zemra – Proverbë indiane

Beso që mundesh dhe je në gjysmë të rrugës – Theodore Roosvelt

Çdo gjë që ti kërkon është në anën tjetër të frikës – George Addair

Mund ta falim një fëmijë që është i frikësuar nga errësira, tragjedi e vërtetë është kur të rriturit kanë frikë nga drita – Platoni

Fillo aty ku je. Përdor atë që ke. Bëj atë që mundesh – Arthur Ashe

Kur isha 5 vjeç mamaja më thoshte që lumturia ishte kyçi i jetës. Kur shkoja në shkollë, më pyetën se çfarë doja të bëhesha kur të rritesha, shkruajta “të jem i lumtur”. Më thanë që nuk e kuptova pyetjen, dhe i thashë që ata nuk kuptonin jetën – John Lennon

Rrëzohu 7 herë, dhe ngrihu 8 – Proverb japonez

Kur një derë e lumturisë mbyllet, një tjetër hapet, por shikojmë aq shumë nga dera e mbyllur sa që nuk shohim atë që është hapur për ne – Helen Keller

Çdo gjë ka bukuri, por jo të gjithë kanë sy të shohin – Konfuci

Nëse e ëndërron, mund ta arrish – Zig Ziglar

Sa e mrekullueshme është se askush nuk duhet të presë qoftë dhe një moment të vetëm për të filluar për të përmirësuar botën – Anne Frank

Kur lë të shkojë personin që jam, filloj të jem ai që duhet – Lao Tzu

Jeta nuk numërohet nga numri i frymëmarrjeve që marrim, por nga momentet kur na është marrë fryma – Maya Angeloi

Lumturia nuk është diçka e bërë në moment. Vjen nga veprimet tona – Dalai Lama

Nëse të ofrojnë një vend në një anije kozmike, mos pyet çfarë vendi, thjesht hip – Sheryl Sandberg

Fillimisht ki një objektiv të qartë. Së dyti, gjej mjetet për ta arritur. Së treti përshtat mjetet – Aristoteli

Mënyra më e mirë për të bërë punë të mirë, është të duash atë që bën – Steve Jobs

Asgjë nuk është e pamundur – Audrey Hepburn

Ose shkruaj diçka më me vlerë për t’u lexuar ose bëj diçka më me vlerë se sa të shkruarit – Benjamin Franklin

Ndrysho mendimet dhe do të ndryshosh botën – Norman Vincent Peale

Nuk mund të biesh nëse nuk ngjitesh. Por nuk ka asnjë gëzim nëse e jeton jetën në Tokë – Autor anonim

Duhet ta besoj që jemi të talentuar në diçka, dhe kjo gjë duhet të gjendet me patjetër – Marie Curie

Shumica nga ne nuk po jetojnë ëndrrat e tyre pasi po jetojnë frikërat që kanë – Les Brown

Sfidat janë ato që e bëjnë jetën interesante dhe nëse i tejkalojmë ato kjo i jep jetës kuptim – Joshua Marine

Nëse do të ngrihesh vetë, mundohu të ngresh dikë tjetër – Booker T. Washington

Gjithmonë kam qenë i fiksuar me urgjencën e të bërit të gjërave. Dija nuk është mjaftueshëm, duhet të veprojmë – Leonardo Da Vinci

Limitet jetojnë vetëm në mendjen tonë. Por nëse përdorim imagjinatën, mundësitë tona janë të pafundme – Jamie Paolinetti

Merre jetën në dorë, dhe shiko ç’ndodh? Një gjë e tmerrshme, askush për t’u fajësuar – Erica Jong.

Çfarë janë paratë? Sukses është të ngrihesh në mëngjes dhe të shkosh në darkë në krevat duke menduar se ke bërë çfarë ke dashur – Bob Dylan

Nuk dështova në test. Gjeta 100 mënyra për ta bërë atë gabim – Benjamin Franklin

Për të arritur sukses, dëshira për sukses duhet të jetë më e madhe se frika nga dështimi – Bill Cosby

Një person që nuk bën asnjë gabim, nuk provon kurrë asgjë të re – Albert Einstein

Një person që thotë se nuk mund të bëhet, nuk duhet të ndërpresë personin që po e bën atë – Proverb kinez

Nuk ka trafik gjatë miljeve që bën shtesë – Roger Staubach

Nuk është kurrë vonë për të qenë ai që duhet të ishe – George Eliot

Njeriu bëhet atë që beson se mund të bëhet – Oprah Winfrey

Më mirë të vdes nga pasioni sesa nga mërzia – Vincent Van Gogh

Një burrë vërtetë i pasur është ai, fëmijët e të cilit vrapojnë në krahët e tij kur i ka duart bosh – Autor i panjohur

Nuk është çfarë ti bën për fëmijët, por çfarë u ke mësuar atyre të bëjnë për veten e tyre, kjo do t’i bëjë ata të suksesshëm – Ann Landers

Nëse doni që fëmijët tuaj t’ia dalin, shpenzoni dyfish kohë me ta – Abigail Van Buren

Ndërto ëndrrat e tua, ose ndonjëri do t’ju përdorë për të ndërtuar ëndrrat e tyre – Farrah Gray

Betejat që kanë rëndësi nuk janë ato për medalje ari. Betejat brenda vetes tuaj. Betejat e padukshme brenda nesh janë ato që kanë rëndësi – Jesse Ovens

Kam mësuar se kur dikush e mbledh mendjen, zvogëlohet frika – Rosa Parks

Nuk ka rëndësi se sa ngadalë ecën, për aq kohë sa nuk ndalon – Konfuci

Kur shikon tek gjërat që ke në jetë, gjithnjë do të kesh më shumë. Kur shikon tek gjërat që nuk ke në jetë, nuk do të kesh kurrë mjaftueshëm – Oprah Winfrey

Kujtoni se kur jo gjithnjë merrni atë që doni, shpesh është një goditje e mrekullueshme e fatit – Dalai Lama

Përdor kreativitetin, sa më shumë ta përdorësh aq më shumë do të kesh – Maya Angelou

Ëndërro shumë dhe guxo të dështosh – Norman Vaughan

Jeta jonë fillon për t’i dhënë fund ditës që heshtën për gjërat që patën rëndësi – Martin Luter King Jr.

Bëj atë që mundesh, aty ku je, me çfarë të kesh – Teddy Roosevelt

Nëse bën atë që ke bërë gjithnjë, do marrësh gjithnjë atë që ke marrë – Tony Robbins

Ëndrrat, në fund të fundit janë një formë planifikimi – Gloria Steinem

Është vendi yt në botë, është jeta jote. Bëj ç’të mundesh me të, dhe bëje për një jetë që ti dëshiron ta jetosh – Mae Jemison

Pyetja nuk është se kush do më lërë, po kush do arrijë të më ndalojë – Ayn Rand

Nuk kanë rëndësi vitet në jetë. Por jeta e kaluar në vite – Abraham Lincoln

Ka vetëm një mënyrë për të shmangur kriticizmin: mos bëj asgjë, mos thuaj asgjë dhe ji thjesht asgjë – Aristoteli./KultPlus.com

    Rama: Inva Mula, performancë të jashtëzakonshme në Amfiteatrin e Durrësit

    By: Kult Plus
    21 August 2025 at 18:20

    Sopranoja Inva Mula u ngjit në skenën e Amfiteatrit antik në Durrës, ku zhvilloi koncertin “Meloditë e Mesdheut”.

    Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga ky koncert teksa theksoi në një postim në rrjetet sociale se, “sopranoja shqiptare Inva Mula së bashku me mjeshtrin e pianos Ekland Hasa dhe virtuozin e violonçelit Redi Hasa, sollën një performancë të jashtëzakonshme në Amfiteatrin e lashtë të Durrësit, nën jehonën e historisë, tingujt e melodive më të bukura mesdhetare”.

    Sopranoja shqiptare me famë botërore Inva Mula, ngjitej për herë të parë në skenën e Amfiteatrit antik. Ajo kishte në krah instrumentistët virtuozë, vëllezërit Ekland Hasa në piano dhe Redi Hasa në violonçel, si dhe korin e fëmijëve “Okarina”. Repertori dhe çdo detaj ishte menduar në harmoni me vendin dhe qytetin ku u mbajt koncerti.

    Instrumentisti i njohur Ekland Hasa ka bërë dhe orkestrimin e shumë këngëve që vijnë nga Turqia, Italia, Spanja, Kroacia

    Publiku, mes qytetarëve dhe turistëve të shumtë, përjetoi një udhëtim muzikor në brigjet e Mesdheut, nën tingujt e melodive më të bukura të këtij rajoni. Një ngjarje artistike që do të mbetet gjatë në kujtesën e të pranishmëve, duke e kthyer Durrësin në një skenë të vërtetë emocioni dhe kulture./atsh/KultPlus.com

    Egjipt, ekspozohen artefaktet e nxjerra nga qyteti i fundosur në Mesdhe

    By: Kult Plus
    21 August 2025 at 17:50

    Përmes një ekspozite të mbajtur në Egjipt, u prezantuan artefaktet e nxjerra nga thellësitë e qytetit të fundosur në Detin Mesdhe.

    Ministri egjiptian i Turizmit dhe Antikiteteve, Sherif Fathy dhe guvernatori i Aleksandrisë, Ahmed Khaled përuruan në Muzeun Kombëtar të Aleksandrisë ekspozitën arkeologjike “Sekretet e qytetit të fundosur”.

    Sekretari i përgjithshëm i Këshillit Suprem të Antikiteteve, Mohamed Ismail Khaled tha se ekspozita përfshin 86 artefakte të rralla të zbuluara nga vende të ndryshme, raporton Anadolu.

    Ekspozita përfshin një koleksion artefaktesh të lëvizshme të nxjerra nga Gjiri i Abukirit në veri të Egjiptit që nga viti 2000 nga Instituti Evropian i Arkeologjisë Nënujore si dhe sendeve të nxjerra nga “Qyteti Mbretëror” i fundosur në portin lindor të Aleksandrisë.

    Skulpturat, qeramikat dhe bizhuteritë në ekspozitë hedhin dritë mbi qytetërimet që kanë jetuar mijëra vjet më parë në qytetin e fundosur në Mesdhe.

    Patricia Arquette thotë se nuk do të na duhet të presim ‘shumë gjatë’ për sezonin e ardhshëm të ‘Severance’

    By: Kult Plus
    21 August 2025 at 17:20

    Aktorja fituese e çmimit Oscar dhe dy herë e çmimit Emmy, Patricia Arquette, e cila është sërish e nominuar këtë vit për rolin e saj si drejtuesja manipuluese Harmony Cobel në “Severance”, tha në një intervistë se fansat nuk do të presin “shumë gjatë” për rikthimin e serialit.

    “E di që njerëzit kanë qenë shumë të duruar dhe mendova, ‘Oh, ata nuk do të presin aq gjatë sa për sezonin e dytë,’” tha ajo. “Por nuk mendoj se do të zgjasë aq shumë.”

    Megjithatë, ajo shtoi me rezervë: “Por kurrë nuk i dihet. Sezoni i parë u pengua nga Covid, i dyti nga një grevë e madhe, kështu që nuk dimë çfarë na pret në këtë botë.”

    Sezoni i dytë i “Severance” filloi në janar, pothuajse tre vjet pas sezonit të parë. Arquette tha se nuk ka parë ende një skenar për sezonin e tretë, por është në komunikim me shkrimtarët. Ajo theksoi se prodhuesit janë shumë të kujdesshëm për cilësinë dhe duan që gjithçka të jetë në nivel të lartë.

    Sa i përket asaj se çfarë mund të ndodhë në sezonin e ardhshëm, Arquette qëndroi diskrete, duke thënë: “Kam disa informacione të brendshme, por kurrë nuk do t’jua tregoj.”

    “Madje as miqve të mi më të ngushtë nuk u them asgjë,” shtoi ajo.

    Ajo është e vetëdijshme për dëshirën e zjarrtë të fansave për më shumë rreth botës enigmatike të “Severance”. Lidhur me teoritë e shumta të fansave në internet, ajo tha se ka lexuar disa dhe i pëlqen shumë që njerëzit përpiqen të kuptojnë më tepër.

    “Njerëzit janë të zgjuar, janë interesantë,” tha ajo. Por theksoi se disa teori janë “qesharake” dhe tërësisht të pamundura. “Kam lexuar disa që janë aq të pabesueshme, saqë pyes veten: nga e keni nxjerrë këtë?”

    “Severance” kryeson këtë vit me 27 nominime për çmimet Emmy, përfshirë: seriali më i mirë dramatik, aktori më i mirë (Adam Scott), aktorja më e mirë (Britt Lower), aktori më i mirë në rol dytësor (John Turturro dhe Tramell Tillman), dhe aktorja më e mirë në rol dytësor (Arquette, e cila është gjithashtu producente e serialit)./CNN/KultPlus.com

    Biblioteka Kombëtare e Kosovës prezantohet në Kongresin Botëror të IFLA-s

    By: Kult Plus
    21 August 2025 at 17:00

    Në Kongresin Botëror të IFLA-s, Biblioteka Kombëtare e Kosovës u përfaqësua me kumtesën:
    “Rebuilding Memory through Digital Collecting: The Case of the National Library of Kosovo”, të mbajtur nga drejtoresha e saj, Blerina Rogova Gaxha.

    Në këtë prezantim u shpalosën projektet e bibliotekës në fushën e ruajtjes së trashëgimisë dhe theksimi i rolit të saj si institucion mbrojtës i identitetit kulturor të vendit. Kumtesa ishte pjesë e sesionit “Collecting in a Digital World: Inclusivity and Sustainability”, ku u vu në pah rëndësia e digjitalizimit për të siguruar qasje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë ndaj burimeve kulturore.

    Ky angazhim i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u vlerësua si një kontribut domethënës në debatin global mbi bibliotekat dhe sfidat e ruajtjes së trashëgimisë kulturore në epokën digjitale./KultPlus.com

    “Peep Show Box” sjell Pazarit të Vjetër të Shkodrës në mini-teatër letre

    By: Kult Plus
    21 August 2025 at 16:40

    Më 27 gusht, nga ora 10:00 deri në 13:00, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” do të zhvillohet punëtoria krijuese “Peep Show Box: Një teatër prej letre i Pazarit të Vjetër të Shkodrës”, e udhëhequr nga artistja Jozefina Vokrrin.

    Kjo veprimtari u dedikohet nxënësve, të cilët do të mësojnë të ndërtojnë një mini-teatër prej letre, të frymëzuar nga fotografitë e Koleksionit Marubi që dokumentojnë jetën e gjallë të dikurshme të Pazarit të Vjetër të Shkodrës.

    “Peep Show Box” është një format vizual ku përmes një kutie të punuar me dorë, krijohet një skenë me disa shtresa, duke i dhënë spektatorit ndjesinë e thellësisë dhe një rrëfim vizual të gjallë. Teknikë e njohur që prej shekullit XIX, ajo rikthehet sot si një mjet edukativ dhe imagjinativ për të sjellë më afër trashëgiminë urbane dhe vizuale të qytetit.

    Ky aktivitet synon jo vetëm të nxisë kreativitetin, por edhe të afrojë të rinjtë me artin, fotografinë dhe historinë e Shkodrës përmes lojës dhe krijimit./KultPlus.com

    Rama ndan rrëfimet e pushuesve në plazhet e jugut: Janë fantastike, mikpritja dhe ushqimet gjithashtu

    By: Kult Plus
    21 August 2025 at 16:19

    Kryeministri Edi Rama ndau sot rrëfimet e pushuesve që kanë zgjedhur plazhet e jugut të Shqipërisë në këtë gusht.

    “Bregdeti i Himarës, Dhërmiut dhe Borshit, ku plazhet janë fantastike, mikpritja gjithashtu, por më emocionuese akoma janë rrëfimet e vetë pushuesve shqiptarë e nga vende të ndryshme të botës për përvojat në rivierën tonë”, shkruan Rama.

    “Mirë shumë. Jemi duke u kënaqur. Uji na ka qëlluar shumë i bukur këtu. Po e shijojmë shumë, është shumë i shëndetshëm dhe po shohim që shumë njerëz po vijnë gjithë kohën. Jemi të kënaqur, edhe moti është super”, u shpreh një pushuese nga Kosova.

    Një tjetër pushues tha se vjen për të katërtin vit radhazi. “Është viti i katërt radhazi që po vij në Dhërmi. Për herë të parë kur kam ardhur këtu, jam dashuruar me Dhërmiun edhe më pëlqen shumë, sidomos ushqimi, deti, plazhi, e të gjitha”, tha ai.

    Një turist i huaj u shpreh se po ia kalon shumë mirë. “Deti është i mahnitshëm, rëra është e bukur, njerëzit janë të bukur, absolutisht na pëlqen”, tha ai.

    Një shqiptar që jeton prej 20 vitesh në Angli u shpreh se, po kalon shumë bukur. “Siç e shikoni, koha është shumë e bukur, me diell, temperatura është shumë e mirë, ushqimi është shumë i mirë. Njerëzit janë shumë të sjellshëm. Unë kam lindur këtu në Shqipëri, por jetoj në Angli, kam njëzet vjet që jetoj dhe vij për pushime këtu i kaloj në Shqipëri”, tha ai.

    Një turist nga Australia, u shpreh se, “këtu më pëlqen absolutisht. Plazhi është i mahnitshëm, tepër i bukur, ushqimi është i mirë, pijet të mira. Do t’ia rekomandoja kujtdo”, tha ai.

    Ndërsa një turiste polake u shpreh se atmosfera është fantastike. “Jemi me familjen. Kohë e bukur, plazh i bukur”, tha ajo.

    “Duket shumë bukur. Ka banorë të dashur, dyqane të bukura dhe restorante të mira. E dua Shqipërinë të gjithin, si vend është i bukur. Njerëzit janë shumë të sjellshëm. Gjithçka është e bukur”, tha një tjetër turist i huaj.

    Një turist italian, i ardhur nga Milano, tha se, “vendi na ka pëlqyer shumë, deti është i mrekullueshëm, është një vend shumë natyral, nuk e kishim imagjinuar. Kërkuam në internet për të ardhur këtu. Kemi parë shumë, por Himara është vendi që preferojmë”.

    “Ky është një plazh fenomenal, një plazh i mrekullueshëm, një ushqim i mrekullueshëm, një mjedis i mrekullueshëm. Po kalojmë shumë mirë. Kam një mendim shumë të mirë, sepse erdha të zbuloj tiparet e vendit tuaj të bukur, dhe ato janë shumë, shumë të bukura”, tha një tjetër turiste e huaj.

    Ndërsa një çift turistësh nga Polonia vlerësuan mjaft bukuritë e Shqipërisë.

    “Shumë bukur, keni male të bukura, diell të bukur, vend simpatik. Kam udhëtuar shumë, por e sugjeroj këtë vend për ta parë”, thanë ata.

    Një turist nga SHBA vlerësoi Rivierën shqiptare.

    “Bukur të shikosh Rivierën shqiptare, vend fantastik për të ardhur me pushime, vend i bukur. Vijmë nga Shtetet e Bashkuara, kemi udhëtuar në të gjithë Shqipërinë, duke parë të gjitha bukuritë, tingujt e ndryshëm dhe po kënaqemi me të gjithë njerëzit”, tha ai./ atsh/ KultPlus.com

    Kënga ‘Levitating’ e Dua Lipës kalon shifrën 1 miliard shikime në Youtube

    By: Kult Plus
    21 August 2025 at 15:47

    Kënga “Levitating” e Dua Lipës vazhdon të ngjitet në lartësi të reja, duke arritur shifrën e një miliard shikimeve në YouTube. Kjo shënon videon e saj të tretë muzikore që arrin këtë arritje, pas “New Rules” të vitit 2017 dhe “No Lie”.

    Videoklipi i realizuar nga Warren Fu dhe xhiruar në bashkëpunim me TikTok, videoja e “Levitating” e paraqet këngëtaren e popit duke hyrë në një portal galaktik që nga brenda duket si një ashensor retro. E veshur me një fustan blu me shkëlqim dhe me shkëlqim në qepallat e syve — që përputhet me vargjet “Glitter in my eye, shining just the way you like” — Lipa dhe disa miq kërcejnë në ritmin e këtij hiti të madh, trannsmeton Billboard.

    Në videoklip i bashkohet edhe DaBaby, bashkëpunëtori i saj, remiksi i të cilit e ndihmoi këngën të ngjitej në vendin e dytë në Billboard Hot 100 në vitin 2021. “Levtating është një nga këngët kryesore të albumit Future Nostalgia, dhe u bë një nga këngët më përcaktuese të vitit 2024.

    Që atëherë kanë ndodhur shumë ndryshime. Përveç se është fejuar me aktorin Callum Turner dhe ka publikuar albumin Radical Optimism në vitin 2024.

    Ajo gjithashtu është distancuar nga DaBaby pas komenteve të tij homofobike në festivalin “Rolling Loud” në vitin 2021.

    “Jam e habitur dhe e tmerruar nga komentet e DaBaby-t,” shkroi ajo në një deklaratë menjëherë pas fjalës fyese të reperit, ku ai përhapte keqinformim ofendues për komunitetin LGBTQ. “Nuk e njoh këtë si personin me të cilin kam punuar.”/ KultPlus.com

    Quentin Tarantino zbulon se cilin film e konsideron ‘më të mirin’ e tij

    By: Kult Plus
    21 August 2025 at 15:26

    Regjisori i famshëm i Hollivudit, Quentin Tarantino, ka zbuluar se cilin nga filmat e tij e konsideron veprën më të mirë, duke ndarë me publikun edhe filmin e tij të preferuar personal dhe atë për të cilin ndihet se “ka lindur” për ta bërë.

    Në një intervistë për podkastin “The Church of Tarantino”, regjisori 62-vjeçar bëri një ndarje të qartë mes tre filmave kryesorë të tij:

    Filmi i tij më i mire

    Tarantino e cilësoi filmin e vitit 2009, “Inglourious Basterds”, si “kryeveprën” e tij. Filmi, me protagonistë Brad Pitt dhe Christoph Waltz, ndjek një grup ushtarësh amerikanë që planifikojnë të vrasin udhëheqës nazistë.

    Filmi i tij i preferuar

    Për këtë kategori, ai zgjodhi filmin e tij më të fundit me metrazh të gjatë, “Once Upon a Time… in Hollywood”.

    Filmi që ndien se ka lindur për ta bërë

    Tarantino tha se filmi “Kill Bill”, i ndarë në dy vëllime, është filmi për të cilin ai ndjen se “ka lindur”. Ai theksoi se çdo aspekt i këtij filmi vjen drejtpërdrejt nga imagjinata dhe pasionet e tij.

    Tarantino, fitues i dy çmimeve Oscar për skenarët e filmave “Pulp Fiction” dhe “Django Unchained”, theksoi gjithashtu se, pavarësisht sa i do këta filma, ai i vlerëson “Pulp Fiction” dhe “Reservoir Dogs” si vepra me “budallallëqe amatoreske”, duke pranuar se i kishte bërë në fillim të karrierës kur “nuk dinte se çfarë duhej të dinte”.

    Gjatë intervistës, ai zbuloi se projekti i tij i fundit, “Aventurat e Cliff Booth”, një vazhdim i “Once Upon a Time… in Hollywood”, sapo ka filluar xhirimet. Kjo vjen pasi ai hoqi dorë nga ideja për filmin e tij të fundit, “The Movie Critic”, duke shpjeguar se kishte humbur entuziazmin për ta sjellë atë në ekranin e madh.

    ‘Vajzë Fest’ rikthehet në Vlorë: Tri ditë art, film, trashëgimi dhe mikpritje në zemër të Labërisë

    By: Kult Plus
    21 August 2025 at 15:00

    Për të tretin vit radhazi, fshati Vajzë në Vlorë kthehet në një qendër të gjallë arti dhe kulture me “Vajzë Fest”, që zhvillohet nga 22 deri më 24 gusht 2025.

    Festivali sjell bashkë artistë, kineastë, muzikantë, poetë dhe figura publike në një mozaik aktivitetesh që përfshijnë film, teatër, këngë polifonike, valle popullore, muzikë bashkëkohore dhe ekspozita.

    Risia e këtij edicioni është “Dita Olimpike” në Parkun Arkeologjik të Amantias, organizuar në bashkëpunim me KOKSH, si një rikthim simbolik i shpirtit të garave të lashta. Për të rinjtë dhe dashamirësit e natyrës do të ketë hiking, kampingje nën yje, net me zjarre dhe eksplorime në shpellat dhe ujëvarat e zonës.

    Përvoja pasurohet me kuzhinën tradicionale të Labërisë – gatime shtëpie, bulmet të freskët, mish të pjekur, raki dhe verë, të shërbyera në ambientin natyror të Shpellës së Bletës.

    Eventi organizohet nga Shoqata e fshatit Vajzë, në bashkëpunim me bashkinë Selenicë dhe komunitetin vendas, duke e kthyer Vajzën në një destinacion unik për artin, natyrën dhe trashëgiminë shqiptare.

    Kopja e rrallë e ‘The Hobbit’ / Rekord në ankand, libri me ilustrime shitet 50 mijë euro

    By: Kult Plus
    21 August 2025 at 14:00

    Një kopje e rrallë e librit “The Hobbit” është shitur në ankand në Angli për një vlerë gati 50 mijë euro. Vëllimi është një kopje e rrallë e botimit të parë me ilustrime nga autori John Ronald Reuel Tolkien. Stafi ai ankandit zbuloi librin ndërsa po rendiste sendet e një pronari shtëpie në Bristol që kishte vdekur.

    Një specialiste librash në shtëpinë e ankandeve tha se ajo po shfletonte në një bibliotekë të rregullt kur hasi një vëllim me kapak të fortë të zbukuruar me male dhe një dragua.

    Kur romani “The Hobbit” u botua në vitin 1937, u shtypën vetëm 1,500 kopje. Librat përmbanin ilustrime nga Tolkien, të cilat tregonin dragonj që fluturonin mbi male dhe pyje.

    Botimet e para përmbanin gjithashtu dhjetë ilustrime bardh e zi nga autori. Romani, i cili ndjek Hobbitin me emrin Bilbo Baggins, zhvillohet rreth 60 vjet para trilogjisë “Zoti i Unazave”.

    Ekspertët kishin pritur që libri të shitej 12,000 £. Çmimi përfundimtar prej 50 mijë eurosh është një rekord për një kopje të botimit të parë.

    Nis ‘Shkodra Jazz Festival’, ‘Skanderbeg Chamber Orchestra’ ekzekutoi vepra të njohura botërore

    By: Kult Plus
    21 August 2025 at 13:18

    Salla “Kardinal Mikel Koliqi” mirëpriti koncertin e hapjes së festivalit “Shkodra Sounds”, edicioni i IX, me pjesëmarrjen e “Skanderbeg Chamber Orchestra”.

    Orkestra u krijua në vitin 1997 nga artisti i ndjerë Rrok Jakaj dhe mbetet një ndër ansamblet më të veçanta të muzikës së dhomës. Drejtori artistik, Florian Jakaj, tha se festivali është një mundësi e mirë për jetën kulturore të Shkodrës.

    “Mbi të gjitha është një përvjetor ku bëhet edhe një bilanc se çfarë kemi bërë në të gjithë këto vite dhe kush është synimi ynë. E rëndësishme është që nuk jemi vetëm pasi bashkë mund të bëjmë gjëra më të mira”, u shpreh Jakaj.

    Violinisti Paçalin Pavaci, që jeton jashtë vendit, u shpreh se rikthimi në Shkodër për të interpretuar për publikun e tij është një emocion i veçantë.

    “Është një emocion shumë i madh se për herë të parë mblidhen të gjithë shkodranët që vijnë nga disa vetën të botës ku punojnë në zanatin e tyre. Është edhe një demonstrim dhe më madh për shkollën tonë që ka nxjerrë instrumentistë kaq të mirë. Shkodra është dashni, ne këtu kemi zemrën, tabanin dhe çdo gjë ka filluar këtu”, tha violinisti Paçalin Pavaci.

    Ky koncert shënoi një fillim të bukur të “Shkodra Jazz Festival” që do të vijojë me aktivitete të tjera muzikore. /RTSH/ KultPlus.com

    ‘Palace of Youth’ vjen me premierë në Kino Armata më 24 gusht

    By: Kult Plus
    21 August 2025 at 12:46

    Kino Armata këtë javë sjell premierë në Prishtinë filmin “Palace of Youth” nga Maddie Gwinn.

    Projekti “Palace of Youth” është realizuar ndër vite duke sjell në ekran realitetin e të rinjve kosovarë përmes muzikës, tregimeve personale dhe shprehjes kreative.

    Filmi i regjisores Maddie Gwinn sjell një pasqyrë të skenës muzikore underground në Kosovë, duke ndjekur jetën, sfidat dhe ëndrrat e një brezi që përfaqëson mbi 55% të popullsisë, të rinj nën moshën 25 vjeç.

    “Vendet shfaqen dhe zhduken — ne mund të kishim qenë thjesht një prej tyre. E zënë midis dukshmërisë dhe errësirës, skena muzikore underground e Kosovës është zëri i një brezi të pasluftës që përballet me izolimin në një komb gjysmë të njohur”, thuhet në sinopsisin e filmit.

    -Maddie Gwinn është regjisore debutuese nga Seattle. Ajo u diplomua me një BFA në prodhim filmi nga Chapman University dhe Filmakademie Baden-Württemberg.

    Premiera jepet më 24 gusht, në ora 20:00, në KinoArmata./ KultPlus.com

    Vdes Frank Caprio, gjykatësi i njohur amerikan

    By: Kult Plus
    21 August 2025 at 12:15

    Frank Caprio, një gjyqtar i njohur dhe yll televiziv në Shtetet e Bashkuara, ka vdekur në moshën 88-vjeçare.

    Caprio, i cili luajti për shumë vite në serialin ”Caught in Providence”, vdiq nga kanceri në pankreas, me të cilin u diagnostikua vitin e kaluar.

    Menjëherë pas ditëlindjes së tij të 87-të, gjyqtari iu nënshtrua trajtimit në fillim të vitit 2024.

    Më 19 gusht, në një video të postuar në rrjetet sociale nga shtrati i tij në spital, Caprio njoftoi rishtrimin e tij për shkak të përkeqësimit të shëndetit.

    Caprio, i zgjedhur në vitin 1985, u bë i famshëm për serialin “Caught in Providence”.

    Në sallën e gjyqit, gjyqtari merrte rregullisht vendime të buta dhe humane në rastet që përfshinin njerëz në nevojë dhe veteranët e luftës./ atsh/ KultPlus.com

    ❌
    ❌