Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 August 2025Main stream

Odiseu, një vazhdim modern, pjesa 1

By: Kult Plus
13 August 2025 at 13:00

Poezi nga Nikos Kazantzakis

Më pas mishi u tret, shikimet u ngurtësuan, rrahjet e zemrës u ndalën,
dhe mendja e madhe kërceu në majë të lirisë së saj të shenjtë,

fluturoi me krahë bosh, pastaj drejt nëpër ajër

u ngjit lart dhe u çlirua nga kafazi i saj i fundit, liria e saj.

Gjithçka si mjegull e brishtë u shpërnda derisa vetëm një britmë e guximshme

për një moment të shkurtër mbeti e varur në ujërat e qeta të errësirës:

“Përpara, djemtë e mi, lundroni përpara, sepse flladi i Vdekjes fryn me erë të mirë!”/KultPlus.com

Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare dhe disidente e regjimit komunist

By: Kult Plus
13 August 2025 at 12:30

Më 13 gusht të vitit 1983, ndërroi jetë Musine Kokalari.

Ajo ishte një prej intelektualeve më në zë të Shqipërisë, që do të spikaste që në moshë të hershme për veprimtarinë e saj politike dhe letrare.

Në vitin 1939, ende në auditor, botoi librin e saj të parë “Siç më thotë nënua plakë”. Në vitin 1943, së bashku me një grup intelektualësh, themeloi Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”.

Në vitin 1944, pas botimit të librit të saj të dytë “Rreth vatrës”, do të niste një kalvar përndjekjeje për familjen e saj. Më 12 nëntor të atij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më pas, do të arrestonin edhe Musinenë, e cila u mbajt në burg për 17 ditë. Pas arrestimit të janarit 1946, u dënua me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961 e nxjerrin nga burgu dhe e internojnë në Rrëshen. Në vitin 1981 u sëmur rëndë dhe pas dy vjetësh ndërroi jetë. Në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.

Në shkurt të vitit 2022, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave mori në dorëzim nga familja Kokalari një material dokumentar prej 3112 fletësh të shkrimtares, të etnografes dhe të veprimtares politike. Ky korpus i veprës së Kokalarit iu bashkëngjit fondit personal të saj, të përbërë nga 100 dosje, që datojnë në intervalin e vjetëve 1921-1983, duke mbuluar në mënyrë të konsiderueshme jetëshkrimin e saj. Në Arkivin Qendror Shtetëror strehohen dorëshkrime të shumta të Musinesë, në përmbushje të vullnetit të saj që “një pjesë e dorëshkrimeve të dorëzoheshin në Arkivin e Shtetit, pranë Sotir Kolesë”./atsh/KultPlus.com

‘Kuartet buzë detit’ – Rikthimi i Parasite 2.0 në Shqipëri

By: Kult Plus
13 August 2025 at 11:30

Në Galerinë e Bregdetit është hapur ekspozita “Kuartet buzë detit”, një projekt që shënon rikthimin e kolektivit artistik Parasite 2.0 në Shqipëri. Kjo vepër sjell një përvojë unike për vizitorët, ku skulptura dhe tingulli ndërthuren për të krijuar një ambient të gjallë, eksperimental dhe ndijor.

Instalacioni përfshin katër sisteme zëri të rindërtuara, gramafonë dhe disqe vinili të përzgjedhur me kujdes, që bashkëveprojnë si një kuartet jazz-i. Kombinimi i tyre gjeneron tekstura zanore spontane dhe atmosferike, duke transformuar hapësirën në një eksperiencë imersive.

E kuruar nga Elian Stefa, ekspozita shqyrton marrëdhënien mes muzikës dhe arkitekturës, duke e trajtuar tingullin si një element që jo vetëm plotëson hapësirën, por edhe i rikthen jetë sistemeve tradicionale të zërit, duke i lidhur me origjinën e tyre autentike. Projekti është mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./KultPlus.com

‘Heldin’ në garë për Oscars – Aktori shqiptar Ridvan Murati në një ndër rolet kryesore

By: Kult Plus
13 August 2025 at 11:00

Filmi “Heldin”, ku një nga rolet kryesore interpretohet nga aktori shqiptar Ridvan Murati, po vazhdon të korrë suksese në skenën ndërkombëtare të kinemasë. Pas premierës në Festivalin e Filmit në Berlinale dhe lançimit në platformën Netflix, projekti ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme: kompania prestigjioze Music Box Films ka marrë të drejtat për shpërndarjen e filmit në Amerikën e Veriut.

Ndërkohë, “Heldin” është zgjedhur zyrtarisht si përfaqësuesi i Zvicrës për kategorinë Best International Feature Film në edicionin e 98-të të çmimeve Academy Awards (Oscars). Ky përfaqësim e vendos filmin në rrugën drejt një prej njohjeve më të mëdha në industrinë globale të filmit, transmeton KultPlus.

Regjisorja Petra Volpe sjell një dramë të fuqishme që ndjek historinë e Florian, një infermier në repartin e kirurgjisë, i cili përjeton një sërë ngjarjesh tronditëse gjatë një ndërrimi të vonë në spital. Me një narrativë të ngjeshur dhe emocionale, “Heldin” ka tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe publikut njësoj.

Pjesëmarrja e Ridvan Muratit në këtë produksion i shton filmit një tjetër dimension. Me një interpretim të ndjerë dhe të përmbajtur, Murati forcon pozicionin e aktorëve shqiptarë në produksionet evropiane me ndikim të gjerë ndërkombëtar.

Për publikun, kjo do të thotë një mundësi për të parë një film me vlera artistike të larta në platformat më të njohura, ndërsa për ekipin realizues, kjo është një mundësi reale për të hyrë në garë për një nga çmimet më prestigjioze në botë, nominimet Oscars./KultPlus.com

Restaurohet rrethimi i Parkut Kombëtar të Butrintit sipas projektit të viteve `60

By: Kult Plus
13 August 2025 at 10:00

Në Parkun Kombëtar të Butrintit përfundoi restaurimi i rrethimit.

Rrethimi ishte projektuar nga arkitekti Gani Strazimiri në vitet ’60. Pas më shumë se dy dekadash pa ndërhyrje të rëndësishme, ky element i infrastrukturës është rikthyer në gjendjen e tij të plotë funksionale dhe estetike.

Procesi është kryer duke përdorur materiale origjinale dhe duke respektuar konceptin arkitektonik fillestar. Parku Kombëtar i Butrintit theksoi në një postim në rrjetet sociale se ky projekt nuk është thjesht një punim restaurimi, por një homazh për mjeshtërinë e projektuesit dhe një investim në mbrojtjen e trashëgimisë së Butrintit për brezat që vijnë.

Parku Kombëtar i Butrintit renditet i pari ndër 5 institucionet e trashëgimisë kulturore më të vizituara për periudhën janar-korrik 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, Butrinti është vizituar gjatë këtyre muajve nga 150,178 vizitorë, vendas e të huaj./atsh/KultPlus.com

Vdekja e Eqrem Çabej – Humbja e një kolosi të gjuhësisë shqiptare

By: Kult Plus
13 August 2025 at 09:30

Më 13 gusht 1980, shkencat albanologjike humbën një prej figurave më të shquara të tyre, Eqrem Çabejn. I lindur në Gjirokastër në vitin 1908, Çabej u arsimua në shkollat më të mira të kohës në Vjenë dhe Grac, duke e përqendruar punën e tij jetësore në gjuhësinë historike dhe krahasuese. Në dekada pune të palodhur, ai e ngriti studimin e shqipes në nivel të barabartë me gjuhët e mëdha të Europës, duke i dhënë një bazë shkencore të pathyeshme.

Vepra e tij më e njohur, cikli “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, është një pasuri e pamatshme për çdo studiues, sepse jo vetëm gjurmon rrënjët e fjalëve, por edhe shpalos historinë, kulturën dhe shpirtin e popullit shqiptar, përcjellë KultPlus.

Vdekja e tij më 13 gusht 1980 u përjetua si një humbje kombëtare. Megjithatë, trashëgimia e tij nuk u shua. Sot, veprat e Çabejt janë një dritë e pashuar në rrugën e kërkimeve gjuhësore dhe një testament i përjetshëm se si dashuria për gjuhën mund të bëhet një mision jetësor. Ai mbetet një simbol i përkushtimit, dijes dhe përulësisë para madhështisë së gjuhës amtare./KultPlus.com

Lindja e Alfred Hitchcock – Mjeshtri që ndryshoi kinemanë

By: Kult Plus
13 August 2025 at 09:00

Më 13 gusht 1899, në një familje të thjeshtë katolike në Londër, erdhi në jetë Alfred Hitchcock, njeriu që do ta kthente frikën dhe misterin në art të pastër filmik. Që në fëmijëri, Hitchcock tregoi një imagjinatë të pazakontë, e ushqyer nga tregime misterioze dhe eksperienca personale që do të gdhendeshin më vonë në veprat e tij.

Pas një fillimi modest si dizajner titrash për filma të heshtur, ai e ndërtoi me durim rrugën drejt majës, duke revolucionarizuar mënyrën se si rrëfehet një histori në ekran.

Me filma si “Psycho”, “Vertigo”, “Rear Window” dhe North by Northwest, Hitchcock nuk u mjaftua thjesht të frikësonte publikun, ai e bëri atë pjesë aktive të lojës së dyshimit dhe pritjes. Shkolla e tij e suspensës ishte e thjeshtë në parim, por e pakapshme në realizim: tregimi duhet të mbajë shikuesin në buzë të karriges, duke e ditur pak më shumë se personazhet, por kurrë aq sa të ndihet i sigurt, transmeton KultPlus.

Hitchcock fitoi famë botërore jo vetëm si regjisor, por edhe si figurë e njohur publike, me paraqitjet e tij ikonike në trailerët e filmave dhe në serialin televiziv Alfred Hitchcock Presents. Ai la pas një trashëgimi që vazhdon të studiohet në shkollat e kinemasë dhe një ndikim që ndihet në çdo film modern të suspensës. Lindja e tij më 13 gusht është kujtesa e një fillimi që do të shndërrohej në një epokë të artë për zhanrin e misterit./KultPlus.com

Në vend të përshëndetjes

By: Kult Plus
12 August 2025 at 23:55

Në vend të përshëndetjes
Azem Shkreli


Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal.
Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.

Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë.
Mos u kthe pas.
Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
Asgjë mos thuaj.
Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.
Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time.
Bëhu shkrepetirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim.
Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë.
Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.

Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes.
Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas.
Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes
Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj.
Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur./KultPlus.com

Harry dhe Meghan rinovojnë bashkëpunimin me Netflix, por me kushte të reja

By: Kult Plus
12 August 2025 at 23:03

Meghan Markle dhe Princi Harry do të vazhdojnë bashkëpunimin me Netflix, ndonëse me një marrëveshje të re dhe më pak fitimprurëse se ajo fillestare prej 100 milionë dollarësh. Burime për The Times bëjnë të ditur se kontrata e re është e tipit “first-look”, që i jep Netflix-it të drejtën e parë për të pranuar ose refuzuar projektet e çiftit, pa detyrime financiare për çdo ide.

Në njoftimin e bërë nga Archewell Productions, u konfirmua se sezoni i dytë i emisionit “With Love, Meghan” do të publikohet këtë muaj, ndërsa në dhjetor do të transmetohet speciali festiv “With Love, Meghan: Holiday Celebration”. Programi do të sjellë momente festive me miq dhe familjarë, gatime tradicionale, dhurata të punuara me dorë dhe këshilla të thjeshta për publikun.

Gjithashtu, pritet edhe dokumentari “Masaka Kids, A Rhythm Within”, mbi jetën e fëmijëve jetimë në Ugandë, si dhe përshtatja filmike e romanit bestseller “Meet Me At The Lake” nga Carley Fortune, një dramë romantike që shtrihet në një periudhë prej më shumë se një dekade.

Shefja e përmbajtjes në Netflix, Bela Bajaria, tha se bashkëpunimi me çiftin do të vazhdojë: “Harry dhe Meghan janë zëra me ndikim, dhe rrëfimet e tyre prekin audiencën kudo. Dokumentari ‘Harry & Meghan’ ishte një nga më të ndjekurit në historinë e platformës.”

Megjithatë, disa projekte të mëparshme si “Live to Lead” (2022) dhe “Heart of Invictus” (2023) nuk patën jehonën e pritur te publiku./KultPlus.com

Yesterday — 12 August 2025Main stream

“Festa e Malit të Thatë” – Tradita, natyra dhe historia bëjnë bashkë banorët e vizitorët

By: Kult Plus
12 August 2025 at 22:55

Në zemër të një prej zonave më piktoreske të Pogradecit u zhvillua për herë të parë “Festa e Malit të Thatë”, një aktivitet që mblodhi bashkë banorët vendas dhe vizitorët për të festuar natyrën, historinë dhe trashëgiminë kulturore të kësaj treve.

Atmosfera nisi me muzikë e valle popullore, ndërsa nuk munguan edhe gatimet tradicionale.

Një vlerë të veçantë festës ia shtoi ekspozita e studiuesit Ledjan Zeqollari, ku u prezantuan dokumente dhe fotografi të rralla, që tregojnë historinë e Malit të Thatë dhe fshatrave përreth.

“Është një ekspozitë e cila promovon kryesisht dokumente dhe aspekte të vlerave kryesore historike-kulturore të krahinës së Malit të Thatë,” u shpreh studiuesi Zeqollari.

Në fjalën e tij, Lavdërim Mimimllari nga Shoqata “Mali i Thatë” u shpreh se kjo festë synon të kthehet në një traditë të përvitshme.

“Festa ka si objektin e saj ngritjen lart të vlerave të kësaj zone, të kulturës dhe të njerëzve që kanë kontribuar në kohë për ta mbajtur këtë zonë,” tha z. Mimimllari.

Organizatorët e konsiderojnë këtë edicion të parë një hap të rëndësishëm në promovimin e Malit të Thatë si destinacion turistik e kulturor, ku bukuritë natyrore, mikpritja dhe historia ndërthuren për t’i ofruar çdo vizitori një përvojë të paharrueshme./rtsh

Hasan Masurica – Shqiptari që shpiku fluturaken katër vjet para vëllezërve Wright

By: Kult Plus
12 August 2025 at 22:33

Historia e aviacionit botëror mund të kishte një faqe krejt ndryshe nëse bota do t’i njihte më herët veprat e Hasan Masuricës, novatorit shqiptar nga Zarbinca e Luginës së Preshevës. Sipas dëshmive historike, në vitin 1899 plot katër vjet para vëllezërve Wright, Masurica ndërtoi fluturaken e parë pa motor, e njohur në atë kohë si “ballon”.

Kjo shpikje u realizua me ndihmën e kovaçit të fshatit dhe u provua nga i biri i tij 12-vjeçar, i cili arriti të ngrihej deri në 70 metra lartësi dhe të përshkonte afro katër kilometra në ajër, duke lënë të habitur banorët e zonës.

Por Masurica nuk ndalet këtu. Nga viti 1901 deri më 1905 ai ndërtoi pushkë automatike me një, pesë dhe 25 fishekë, të cilën e demonstroi personalisht para Sulltan Abdyl Hamidit në Stamboll. I mahnitur nga mjeshtëria e tij, Sulltani i ofroi kushte për të rindërtuar aeroplanin dhe për të prodhuar armët, por Masurica refuzoi që shpikjet e tij të përdoreshin kundër shqiptarëve.

I njohur për inteligjencën, dijen dhe patriotizmin e tij, Masurica parashikoi zhvillime të mëdha teknologjike që sot po realizohen: komunikimin ndërkontinental në kohë reale, udhëtimet në hapësirë dhe automatizimin e plotë të punës.

Figura e Hasan Masuricës, shpikës, mësues, imam dhe patriot, mbetet një thesar i pazbuluar plotësisht i historisë shqiptare dhe botërore, që meriton të ndriçohet nga studiuesit./KultPlus.com

Katy Perry bën shaka për Dua Lipën gjatë koncertit në Filadelfia

By: Kult Plus
12 August 2025 at 21:40

Këngëtarja me famë botërore, Katy Perry, ka bërë një koment me humor gjatë një prej koncerteve të saj në kuadër të turneut “Lifetimes Tour” në Filadelfia më 9 gusht 2025, duke përmendur këngëtaren shqiptare me famë botërore, Dua Lipa.

Gjatë performancës, Perry iu drejtua audiencës, veçanërisht fansave më të rinj, me fjalët:
“Ata që janë 8 vjeç e më poshtë… unë nuk jam Dua Lipa. Unë jam tezja e Dua Lipës, Katy Perry.”

Ky koment me humor vetë-ironizues u bë për të theksuar ndryshimin mes saj dhe Dua Lipës, duke treguar me ngrohtësi dallimet në moshë dhe stil mes dy artistëve.

Katy Perry e përdori këtë shaka për t’u lidhur më mirë me fansat, duke kujtuar se që nga turneu i saj i fundit ajo tashmë është bërë nënë. Baza e adhuruesve të saj kryesisht përbëhet nga adoleshentë, të njëjtën grupmoshë që dy dekada më parë ndiqnin koncertet e saj.

Kjo ndërveprim me audiencën tregon aftësinë e Perry për të ruajtur humorin dhe lidhjen me fansat edhe pas shumë viteve në industrinë muzikore./KultPlus.com

Lansimi i “Shrek 5” shtyhet për qershor 2027

By: Kult Plus
12 August 2025 at 21:00

Fansat e “Shrek” do të duhet të presin më gjatë për filmin e shumëpritur të serisë, pasi studioja “Universal” dhe “DreamWorks Animation” kanë shtyrë datën e lansimit të “Shrek 5” për qershor të vitit 2027. Kjo është hera e dytë që data e publikimit ndryshohet, pasi fillimisht ishte planifikuar për dhjetor 2026.

Aktorët e njohur Mike Myers, Eddie Murphy dhe Cameron Diaz do të rikthehen për t’u rikthyer në rolet e tyre si Shrek, Donkey dhe Princesha Fiona, ndërkohë që aktorja e njohur Zendaya do t’i bashkohet kastit.

Regjinë do ta mbajnë veteranët Conrad Vernon dhe Walt Dohrn, të cilët kanë punuar edhe në filmat e mëparshëm të franxhizës.

Që prej lansimit të filmit origjinal në vitin 2001, “Shrek” u bë një fenomen me fitime prej rreth 500 milionë dollarësh në mbarë botën, duke qenë edhe filmi i parë i animuar që fitoi çmimin prestigjioz “Oscar”.

Studioja nuk ka dhënë arsye specifike për shtyrjen, por “Universal” vazhdon të korrë sukses me projekte të tjera të mëdha si “Despicable Me”, “How to Train Your Dragon” dhe “The Super Mario Bros. Movie”.

Filmi i ri do të publikohet vetëm disa ditë pas animacionit tjetër të pritur, “SpiderMan: Beyond the Spider-Verse” nga kompania “Sony”.

Në historikun e serisë, pas filmit të parë, janë publikuar edhe tri vazhdime: “Shrek 2” (2004), “Shrek the Third” (2007) dhe “Shrek Forever After” (2010)./KultPlus.com

Nis më 18 gusht Seminari i 43-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë

By: Kult Plus
12 August 2025 at 20:23

Të hënën më 18 gusht 2025, në ora 11:00, do të bëhet hapja solemne e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, edicioni i 43-të, në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare në Prishtinë. Punimet e këtij seminari do të zhvillohen në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë, nga 18 deri më 29 gusht.

Ky event tradicional mbledh studiues dhe ekspertë nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora albanologjike në mbarë botën, të cilët do të prezantojnë punimet e tyre më të fundit shkencore në fushën e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Në fokus të këtij viti do të jenë temat:

Zhvillimet aktuale të leksikut të gjuhës shqipe,

Përdorimi i shqipes në rrjetet sociale,

Postmodernizmi në letërsinë shqipe.

Programi i seminarit përfshin edhe kurse intensive të mësimit të gjuhës shqipe në tri nivele, ligjërata dhe referime të shumta shkencore. Përveç punimeve akademike, organizatorët kanë planifikuar edhe një program kulturor që do t’i njohë pjesëmarrësit me traditat dhe bukuritë e Kosovës.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 dhe që nga ajo kohë ka zhvilluar 42 sesione, duke qenë një nga ngjarjet më të rëndësishme të albanologjisë në rajon./KultPlus.com

Qyteti fantazmë në Turqi: Burj Al Babas, projekti luksoz që dështoi dhe u braktis

By: Kult Plus
12 August 2025 at 19:49

Një nga projektet më ambicioze rezidenciale në Turqi, Burj Al Babas, është kthyer në një qytet fantazmë që tërheq vëmendjen e turistëve dhe fotografëve si një destinacion i pazakontë.

Ky kompleks luksoz me mbi 700 vila në stil neo-gotik francez, i ndërtuar për klientë të pasur nga vendet e Gjirit, përfundoi i papërfunduar dhe i braktisur për shkak të krizës ekonomike që goditi Turqinë në vitin 2018 dhe falimentimit të kompanisë ndërtuese, shkruan KultPlus.

Sot, mbi 500 vila janë gjysmë të ndërtuara dhe të rrënuara, duke krijuar një peizazh surreal që shpesh quhet “Disneyland i shkatërruar”, një simbol i dështimit të projekteve pa vizion dhe kapitalizmit të tepruar.

Ky qytet fantazmë u kthye në një shembull global për rëndësinë e planifikimit realist dhe qëndrueshmërisë sociale e ekonomike në zhvillimin urban.

Burj Al Babas tregon se edhe projektet më luksoze mund të përfundojnë bosh dhe të pajetueshme pa një vizion të mirëfilltë dhe vlerësim të nevojave reale të komunitetit./KultPlus.com

“Ditët e Shqiptarit” kthejnë Gjakovën në qendër të artit dhe kulturës shqiptare

By: Kult Plus
12 August 2025 at 19:35

Gjakova u mbush me art, muzikë dhe trashëgimi gjatë festivalit “Ditët e Shqiptarit”, që zgjati për javë me radhë dhe solli në skenë emra të njohur të muzikës dhe artit shqiptar. Performancat e Ermonela Jahos, Eugent Bushpepës, Elina Dunit, Jericho, Hersi Matmujës dhe dhjetëra artistëve të tjerë shndërruan qytetin në një skenë të hapur ku kultura shqiptare u festua me entuziazëm.

Çarshia e Madhe, parqet dhe hapësirat historike të Gjakovës u bënë pika takimi për shqiptarët nga mbarë vendi, duke afirmuar rëndësinë e këtij festivali në hartën kulturore shqiptare.

Hajrulla Çeku, i cili përmes rrjeteve sociale vlerësoi lartë këtë ngjarje, tha se “Ditët e Shqiptarit” kanë mbushur Gjakovën me art, muzikë dhe trashëgimi, duke falënderuar Fondacionin për Gjakovën për përkushtimin dhe organizimin e shkëlqyer që solli këtë festë kulturore në qytet.

Ky festival po i jep Gjakovës një rol qendror në hartën kulturore të shqiptarëve dhe shërben si një platformë e rëndësishme për promovimin e identitetit dhe kulturës shqiptare në rajon./KultPlus.com

Mbi angazhimin kombëtar të intelektualit

By: Kult Plus
12 August 2025 at 19:33

(Shkruar nga Avni Spahiu më 26 korrik 1997)

Koha kërkon përgjigje dhe thërret për të qenë kritikë. Të jemi kritikë ndaj raporteve që kemi krijuar, të kritereve që kemi shtruar kur personalisht vërejmë se tragjedia po bëhet fat i pjesës dërrmuese të popullsisë.

Tragjedi e një lloji a një tjetri, që ka kapluar edhe intelektualin, qoftë të ambicieve të frustruara, qoftë të idealeve dhe besimit të luhatur nga rrethanat e krijuara, tepër komplekse që t’i zgjidhë vetëm një njeri dhe tepër madhore që të mos kenë angazhimin e të gjithëve. Shumica është e detyruar të bëjë kompromise vetëm për hir të vazhdimësisë ditore të jetës. Ballafaqohemi për çdo ditë me një mori faktesh dhe kushtesh që nuk bijnë në kategoritë të cilat i kemi kuptuar në të kaluarën. Çdo gjë duket jashtë vendit dhe objektivat që i kemi pasur në mendjet tona tani po qëndrojnë të nguritura derisa të mos shohim se nga jemi duke shkuar. Qëllimi nuk është më i qartë: ne e kemi fshehur pas një mijë e një modifikimesh. Ironikisht, qëllim i vetëm po na bëhet që të mos kemi qëllim tjetër, pos të jetojmë dhe këtë sikur e ndiejmë se është qëllimi më fisnik. Është jo larg së vërtetës nëse themi se fuqitë tona intelektuale kanë zënë të puqen me një pikë të kotësisë dhe të pakuptimësisë dhe pikërisht ata që puqen në këtë pikëpjekje (intelektualët, në rend të parë) i shtrojnë vetes pyetje irituese, hipotetikisht të këtij lloji: “Çfarë duhet të bëhet, për kombin dhe për njeriun tonë? Nga të vemi më tutje? Ç’është më me rëndësi tani?”. Përgjigjet duhen gjetur, nëse jo nga cytje të brendshme ndërgjegjësore, atëherë nga vetë reagimi socio-politik publik, që paraqet një realitet e që mbështet besimin në intelektualin si bazë e gjykimit ultimativ të motiveve dhe të veprimeve individuale.

Megjithëkëtë, janë pikërisht kohë të këtilla, që vënë barrë të rëndë mbi brezat, ato që do të duhej ta tundonin njeriun mbi indiferencën dhe qëndrimin flegman. Të na kujtohet se secili prej nesh ka prekur veten në zemër në adhurimin solemn të lirisë së kombit. Çdo komb që harron lirinë është në rrugë të vetëshkatërrimit dhe vetërrënimit. Dhe, ai komb që është i vetëdijshëm se ka një ideal sipëror që duhet ndjekur pareshtur do të mbijetojë dhe ata që i prijnë këtij ideali do të duhej të ishin pikërisht intelektualët.
Nuk mjafton denoncimi publik dhe fajësimi vetëshfajësues i politikës nga ana e intelektualit, e as heshtja kinse domethënëse e tij në raste dramatike në historinë e kombit, por pjesëmarrja e tij me komponentin vizionar në politikë; nuk arsyetohet heshtja e intelektualit të vërtetë në Shqipëri në kohën kur asaj i tundeshin themelet në duart e politikanëve diletantë, apo animi i tij lakuriq për njërën a tjetrën parti politike; nuk ka kuptim heshtja e intelektualit në Kosovë kur nga ai pritet të sugjerojë se nga duhet shkuar në këtë kohë kur qenia kombëtare në këto hapësira është aq e rrezikuar, apo për çështje madhore, siç është ideja e bashkimit të kombit të ndarë tragjikisht në copëza të robëruara.

Intelektuali i angazhuar kombëtarisht, (për t’i ikur disi termit “politikisht”, që vetëm ne e quajmë term pezhorativ), do të thotë intelektual i guximshëm, i pajisur me atë guxim të forcës mendore që e kanë pasur njerëzit e mëdhenj të kombeve të mëdha. Pikërisht ky ka qenë një problem që e ka shoqëruar shoqërinë shqiptare gjatë tërë ecjes së saj, siç është e njohur edhe nga të tjerët: një mungesë guximi që i ka pasur rrënjët, siç duket, në kundrimin pesimist të jetës, një kundrim mbi të cilin nuk kemi qenë në gjendje të ngriheshim.

Mbi këtë temë, që para një gjysmë shekulli (1941), duke sublimuar veprën letrare dhe patriotike të Fishtës, si “interpret i shpirtit shqiptar”, Ernest Koliqi thoshte:
“I gjithë pesimizmi që lëshoi rrënjë në shekuj të gjatë krajatash në shpirtin kombëtar shfren i pa-fre, i gjithë guximi dëshpërues i një fisi të mësuar ta përbuzë jetën, sepse kjo për të paraqitej si një varg mjerimesh të paprera…” Ndonëse shembujt nuk kanë munguar as në këtë kohë, një kalim prej kësaj gjendje në atë të intelektualit të guximshëm, optimist dhe të angazhuar na duhet pikërisht tani.
(Shkruar më 26 korrik 1997 për Rilindjen”)

107 oficerë doganorë të rinj diplomohen në 26-vjetorin e themelimit të Doganës së Kosovës

By: Kult Plus
12 August 2025 at 19:20

Në një ngjarje të veçantë, 107 oficerë doganorë të rinj kanë përfunduar trajnimin e tyre, duke shënuar kështu gjeneratën e parë të re që prej vitit 2008 në Doganën e Kosovës. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti uroi doganierët e rinj për diplomimin dhe i inkurajoi për sfidat e ardhshme në shërbim të vendit.

Kurti theksoi se kjo gjeneratë e re sjell energji të freskët, motivim dhe përkushtim për të ecur përpara, duke fuqizuar kështu institucionin e doganës, i cili ka përballuar sfida të mëdha gjatë viteve.

Në 26-vjetorin e themelimit të Doganës së Kosovës, ai përmendi arritjet e dukshme si rritjen e ndjeshme të konfiskimeve dhe kontrollin më të mirë të kufijve, duke nënvizuar rëndësinë e rolit që luan ky institucion për sigurinë dhe ekonominë e vendit.

“Urime diplomimi doganierëve të rinj dhe shumë suksese në përmbushjen e detyrave dhe shërbimin ndaj vendit”, tha Kryeministri Kurti./KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Kosovës në Kongresin Botëror të Bibliotekave dhe Informacionit në Kazakistan

By: Kult Plus
12 August 2025 at 19:00

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” do të përfaqësojë vendin në Kongresin Botëror të Bibliotekave dhe Informacionit, që do të mbahet nga 18 deri më 22 gusht 2025 në Astana, Kazakistan.

Si anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave dhe Institucioneve të Bibliotekave (IFLA), Biblioteka Kombëtare e Kosovës do të jetë pjesë e një prej ngjarjeve më të rëndësishme në fushën e bibliotekarisë dhe shkencës së informacionit.

Kongresi mbledh profesionistë, studiues dhe drejtues institucionesh nga mbarë bota për të shkëmbyer njohuri, përvoja dhe ide inovative, duke ndikuar në zhvillimin e politikave dhe praktikave moderne të shërbimeve bibliotekare. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë forum ndërkombëtar synon forcimin e bashkëpunimeve dhe avancimin e standardeve të bibliotekave në vend./KultPlus.com

Dokumentari me rrëfimin e Vasfije Krasniqi Goodman fiton çmim prestigjioz në Japoni

By: Kult Plus
12 August 2025 at 18:15

Një dokumentar i realizuar nga televizioni kombëtar japonez NHK, në bashkëpunim me RTK dhe regjisorin Rilind Gërvalla, që sjell historinë e guximshme të aktivistes Vasfije Krasniqi Goodman, është shpërblyer me çmimin “Motivues” nga juria prestigjioze japoneze, në mesin e mbi 200 projekteve nga mbarë bota.

Dokumentari, i xhiruar dhe publikuar këtë vit, trajton një kapitull të dhimbshëm të historisë së Kosovës, duke e paraqitur me sinqeritet dhe forcë rrëfimin e një gruaje që guxoi të flasë publikisht për përvojën e saj. Ky vlerësim, sipas Krasniqi Goodman, nuk është thjesht një njohje për punën e realizuar, por një dëshmi se kur e vërteta tregohet me zemër dhe guxim, ajo mund të prekë ndërgjegjen e publikut ndërkombëtar, pavarësisht distancës gjeografike, transmeton KultPlus.

“Ky çmim i dedikohet çdo zëri të heshtur, çdo plage që ende nuk është shëruar. Është nder që përvoja ime u bë pjesë e një rrëfimi që sot inkurajon edhe të tjerët të flasin. E vërteta ka fuqi,” u shpreh Krasniqi Goodman, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim.

Ky sukses shënon një tjetër moment ku historia dhe qëndresa e Kosovës marrin vlerësim ndërkombëtar, duke dëshmuar rëndësinë e rrëfimeve autentike në forcimin e ndërgjegjes globale për të kaluarën dhe të tashmen e vendit./KultPlus.com

❌
❌