Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 11 August 2025Main stream

Zbulime arkeologjike në vendin e shenjtë etrusk

11 August 2025 at 11:58

Nga Gazeta “SI”- Gërmimet arkeologjike në Fanum Voltumnae, vendi i shenjtë qendror i federatës etruske, kanë nxjerrë në dritë objekte fetare të rralla që datojnë më shumë se 2,500 vjet më parë.

Sipas mediave italiane, në periferi të qytetit të Orvietos janë zbuluar dy koka deshësh prej guri, një kokë luani, altarë të mëdhenj dhe një rrugë e gjerë procesioni, të gjitha të ruajtura në gjendje të shkëlqyer. Ky kompleks u ndërtua në kulmin e epokës etruske, në shekullin e 6-të para Erës sonë.

Gërmimet, të udhëhequra që nga fillimi i viteve 2000 nga arkeologia Simonetta Stopponi, kanë sjellë në dritë një sërë objektesh që zbulojnë ritualet dhe besimet e popullit etrusk, një kulturë që mbizotëroi në Italinë qendrore nga shekulli i 9-të deri në shekullin e parë para Krishtit.

Origjina e etruskëve mbetet ende mister, me teori të ndryshme që i lidhin ata me Azinë e Vogël ose si një popull vendas që zhvilloi kulturën e vet. Analizat moderne të ADN-së nga rajoni i Toskanës japin mbështetje për prejardhjen aziatike.

Sot, ky zbulim i rëndësishëm në Fanum Voltumnae ofron një dritare të re në njohjen e një prej kulturave më enigmatike të antikitetit dhe rikthen në vëmendje rëndësinë historike të këtij vendi të shenjtë.

The post Zbulime arkeologjike në vendin e shenjtë etrusk appeared first on Gazeta Si.

‘Logu i bjeshkëve’- Tradita shekullore që kurorëzon më të bukurën e malësisë

11 August 2025 at 11:02

Nga Gazeta “SI”– Në zemër të Malësisë së Madhe, në Qafën e Predelecit të fshatit Lepushë, u zhvillua një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe më simbolike të traditës malësore: Logu i Bjeshkëve. Ky manifestim kulturor dhe historik mblodhi këtë vit një numër të madh pjesëmarrësish dhe vizitorësh nga e gjithë treva, ku pas një konkurimi të fortë, Aurora Lumaj, malësore nga Vukli i Kelmendit dhe me banim në Kanada, u shpall “Miss Bjeshka 2025”.

Logu i Bjeshkëve, një traditë me rrënjë shumëshekullore është një manifestim i pasurisë shpirtërore të Malësisë së Madhe, ku përfaqësohen veshjet tradicionale me xhubleta mbi 4000 vjeçare, këngët polifonike, vallet e lashta, instrumentet e lojërat popullore.

Aurora Lumaj

Historia e Logut të Bjeshkëve

Zgjedhja e vendit të Qafës së Predelecit në Lepushë nuk është rastësore. Ky vend ka një histori mbi tre shekullore kuvendesh dhe mbledhjesh fisnore, ku vendosej për paqen dhe luftën në Malësinë e Madhe. Alabanologu dhe studiuesi Franc Nopça e ka identifikuar këtë vend si një nga vendet kryesore të kuvendeve në këtë trevë.

Pamja nga Qafa e Predelecit është mahnitëse dhe vlerësohet si një kryevepër natyrore e Kelmendit dhe perlë e Alpeve Shqiptare. Në këtë vend, për shumë vite është kremtuar festa fetare e Shna Prendes më 26 korrik, me këngë, valle dhe lojëra popullore.

Në të kaluarën, “Logu i Bjeshkëve” zhvillohej si një ngjarje fetare ku vajzat e zonës garonin në bukuri dhe hijeshi, duke u vlerësuar nga komuniteti në një atmosferë festive. Kjo traditë, e njohur dikur si “Logu i Nuseve”, kishte karakter fetar dhe kulturore, ndërsa pjesëmarrësit visheshin me kostumet kombëtare të trevës, ku spikatnin xhubleta për gratë dhe çakçirët për burrat.

Në Log zhvilloheshin edhe lojëra popullore si loja për të fituar bajrakun (flamurin), loja me shami të kuqe dhe gjuajtja e shenjit me armë, që përbënte pikën kulmore të festës.

Ndërprerja dhe Ringjallja e Traditës

Gjatë periudhës së regjimit komunist, kjo traditë u ndërpre, pasi u konsiderua e papërshtatshme dhe u zëvendësua me festa ideologjike. Megjithatë, me rënien e regjimit në vitin 1990, dhe sidomos gjatë periudhës së pluralizmit në fund të viteve ‘90, “Logu i Bjeshkëve” u ringjall , duke rifilluar traditën dhe duke i dhënë asaj edhe elemente bashkëkohore.

Sot, Logu është bërë një manifestim me vlera të mëdha kulturore dhe artistike, ku bukuria e vajzave shoqërohet me prezantimin e trashëgimisë kulturore të Malësisë, duke u kthyer në një festë që bashkon brezat dhe ruan identitetin e malësisë së veriut.

The post ‘Logu i bjeshkëve’- Tradita shekullore që kurorëzon më të bukurën e malësisë appeared first on Gazeta Si.

‘Filmi i shtetit’ i Roland Sejkos, një ditar i diktaturës shqiptare

11 August 2025 at 10:30

Nga Gian Antonio Stella– Pra, vendimi është: “Të përjashtohet pas vdekjes nga partia Mehmet Shehu për fajet e rënda në kundërshtim me vijën”. Dhe më 17 dhjetor 1981, komiteti qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë, para propozimit për të dëbuar nga Olimpi komunist kryeministrin e sapovdekur dhe të nderuar pa reshtur  për shtatë qeveri e 27 vjet rresht, nuk kundërshton aspak.

Sigurisht, askush nuk kujton diçka të ngjashme që nga koha kur trupi i Papës Formoso, njëmbëdhjetë shekuj më parë, u nxor nga varri, u lidh në një karrige që të qëndronte drejt, u gjykua nga pasardhësi Papa Stefano VI dhe u dënua me vdekje (një vendim absurd, mbi një kufomë), e më pas u hodh në lumin Tiber…

Por si mund t’i thuhej “Jo” Enver Hoxhës, diktatorit më jetëgjatë në botë, tashmë në pushtet prej 37 vjetësh , 4 më shumë se Kim Il-Sung në Kore, 15 më shumë se Fidel Kastro në Kubë, 21 më shumë se Mobutu në Kongo? Lideri  Suprem vendosi: “Votojmë: kush është pro, ta ngrejë dorën”. Të gjithë. “Kush është kundër? Askush. Rroftë Partia!”.

Të ngrin gjakun “Filmi i Shtetit” i Roland Sejkos, prodhim i Istituto Luce-Cinecittà, që do të prezantohet më 14 shtator gjatë Festivalit të Filmit në Venecia. Pa zë jashtë kornizës, pa hyrje shpjeguese. Vetëm titra për të ndihmuar ndjekjen e një parade të jashtëzakonshme videosh propagandistike që flasin vetë. Pamje të xhiruara për dekada nga shërbëtorë të bindur të regjimit për të ndërtuar epopenë e atij satrapi të egër, këngëtar i stalinizmit.

Mes këtyre shërbëtorëve, siç tregoi vetë Sejko në filmin “Makina e imazheve e Alfredo C.” (fitues i “Nastro d’Argento” si dokumentari më i mirë në 2022), aty ishte edhe Alfredo Cecchetti, një kameraman italian i Institutit “Luce” i dërguar në Shqipëri për t’i bërë shërbimet Duçes italian, por pas 8 shtatorit dhe që në ’44 kaloi në shërbim të Duçes së ri shqiptar.

Regjisori, që prej tridhjetë vitesh jeton në Itali, por i lindur dhe rritur në vendin e shqiponjave, nga ku u largua me anijen e parë që u nis nga Durrësi drejt Brindisit në mars të 91, i kujton fare mirë  ato imazhe që plazmojnë adhurimin për Enver Hoxhën.

Lotët e dëshpëruara për vdekjen e despotit në 1985. Mercedesin e stërmadh tip 600, me 6 dyer që lëvizte me perdet e mbyllura dhe i vetmuar (makina private zero, të ndaluara me rreptësi) mes rrugëve të varfra, mes karrove, gomerëve dhe njerëzve që ecnin në këmbë, vetëm në këmbë. Apo marshimet festive me të rinj me kanotiere që mbanin në duar kazmat, simbolika të punës dhe ndoshta të kafkës së thyer të Lev Trockit. Apo stërvitjet e nxënësve me maskat kundragaz për t’i shpëtuar sulmeve toksike të kapitalistëve.

Pastaj gjimnastet tipike të Ballkanit që rrotullonin flamuj të kuq dhe përkuleshin para komandës, duke shkruar me trupat e tyre urime adhuruese për regjimin. Mësueset që i mësonin fëmijët, siç tregon dokumentari i Sejkos “Anija” që Partia Komuniste ishte një “kështjellë e pathyeshme”. Spektaklet teatrale që ngrinin lart, fillimisht mbështetjen për Bashkimin Sovjetik, pastaj miqësinë për Kinën e Maos, me aktoret shqiptare që i kishin trukuar sytë sipas modelit aziatik.

Eksperimente me eksplozivë mbi qen, mace, ketra. Ushtarë që dilnin nga pusetat për të indoktrinuar popullin. Rrugë plot njerëz që bënin gjimnastikë sipas shembullit të revolucionit kulturor kinez. Pastaj mijëra shqiptarë në gjunjë për një lutje ateiste (Hoxha, në arabisht “i ditur i Islamit”, por satrapi me origjinë myslimane do t’i ndalonte të gjitha fetë) për vdekjen e Stalinit.

Dhe gjithmonë, kudo, ai Lideri Suprem. Ai që bekon turmat. Ai në pishinë. Ai në vizita në fabrika. Ai në gjueti rosash. Ai i lumtur me Josif Stalinin, me Nikita Hrushovin, me Zhou Enlain teksa, pas prishjes me Titon, ndryshonte aleanca për të mbetur në pushtet. Gati të anatemonte “tradhtarët” e radhës: “Ëndrrat e liga të imperialistëve, titistëve, hrushovianëve dhe shërbëtorëve të tyre janë pluhurosur. Ndarja e pashmangshme me revizionistët sovjetikë dhe prova që partia jonë nuk bën kompromis me tradhtarët e parimeve të marksizëm-leninizmit”.

“Nuk bëmë aleancë me Kinën për pesë lecka, por për një bashkim revolucionar.. Mao Tse Dungut dhe shefave të tjerë kinezë u dhamë disa mendime. Kur pamë se Kina po zhytej gjithnjë e më shumë në revizionizëm…” Dhe ja, në fund të viteve ’70, mijëra teknikë kinezë u ngarkuan në autobusë drejt aeroportit. Deng Xiaoping? “Një fashist i ndyrë”. Objektivi: të lavdërohej “pastërtia” e komunizmit shqiptar,  në fakt, kulti i udhëheqësit. Nëse dikush bezdisej. Edhe sikur të ishte krahu i djathtë i tij: Mehmet Shehu u vetëvra. Gabimi i tij më i madh politik ishte të aprovonte fejesën e të birit me një vajzë që ka në fis, gjashtë apo shtatë armiq të shtetit”.

Romeo dhe Zhuljeta ballkanas? Por prit: “U gjetën dokumenta dhe prova të pakundërshtueshme që tregojnë se që nga fundi i luftës së parë botërore, Shehu punonte për shërbimet sekrete amerikane. Për më tepër: Gjatë luftës u rekrutua nga shërbimet sekrete jugosllave dhe nga shërbimi i KGB”. Helmi i fundit: “U shërbeu të gjithëve me zell”. Dhe ja ku u varros edhe shoku Mehmet, partizan që nga 36, me brigadat e Garibaldit në Spanjë.

Roland Sejko

Kështu ishte Enver Hoxha, autor i 40 librave mbi marksizëm-leninizmin, i cili pretendonte (rrejshëm) se ishte diplomuar në Montpellier dhe ishte i fiksuar të ndërtonte “komunizmin e vërtetë”. E paharrueshme në “Filmin e Shtetit” mbetet një skenë ku ai dëgjonte i zbehtë raportet e ministrave për mungesën e mallrave dhe rritjen e radhëve.

“Dolën shumë probleme komplekse dhe të pazgjidhura… Sasia e mallrave është pakësuar… Radhët në dyqane janë shtuar… Disa produkte ushqimore shiten me triska…”

Plak dhe i sëmurë, ndoshta i ndërgjegjshëm se përmendorja e tij do të shkatërrohej pas vdekjes mes revoltave plot urrejte, por ende padron i një regjimi që do të zgjaste edhe 6 vjet, e mbylli jetën në vilën e tij,  nen kujdesin e  bashkëshortes  Nexhmije. I mbështetur në kolltukun e tij, me flokët e shprishur dhe shallin e madh mbi qafë, kishte diçka nga portreti i Aristide Bruant, i pikturuar nga Toulouse-Lautrec. Një mjek që e njihte që nga vitet e rinisë në Francë tha: “Gjithmonë ka folur, menduar dhe ëndërruar frëngjisht”. Por një fjalë nuk e mësoi kurrë: liria”.

Burimi: Corriere Della Sera

The post ‘Filmi i shtetit’ i Roland Sejkos, një ditar i diktaturës shqiptare appeared first on Gazeta Si.

Zbulohet në Bullgari varri ‘luksoz’ i një luftëtari thrak

11 August 2025 at 10:05

Nga Gazeta “SI”- Arkeologët në jug të Bullgarisë kanë bërë një zbulim të rrallë: një varr luksoz që i përkiste një luftëtari të elitës thrake, i datuar në shekullin e 2 para Krishtit. Zbulimi u bë pranë fshatit Kapitan Petko Voivoda, në rajonin e Topolovgradit, gjatë punimeve për vendosjen e një kablloje elektrike.

Ekipi i Akademisë Bullgare të Shkencave, i udhëhequr nga arkeologët Vladimir Staykov dhe Deyan Dichev, me mbikëqyrjen e specialistes së njohur të kulturës thrake, Dr. Daniela Agre, gjeti një gropë varrimi të ruajtur në gjendje të shkëlqyer. Në të ishin eshtrat e një burri rreth 35–40 vjeç, i varrosur bashkë me kalin e tij të luftës,  një zakon i fisnikëve thrakë.

Varri ishte i pasur me sende të çmuara si një kurorë ceremoniale prej argjendi të veshur me ar mbi kokën e të ndjerit, një byzylyk dhe unazë argjendi, si dhe një fibulë e punuar me mjeshtëri. Armatimi përfshinte një heshtë hekuri, pjesën qendrore të një mburoje dhe një shpatë të lakuar greke (machaera) me dorezë të zbukuruar me ar dhe gurë gjysmë të çmuar.  Një gjetje unike për arkeologjinë bullgare.

Edhe kali ishte zbukuruar me pajisje luksoze. Medalione ari, argjendi dhe bronzi, të veshura me ar dhe të punuara në reliev me skena nga mitologjia greke, ku shfaqej Herakliu duke luftuar me gjigandin Antaeus.

Sipas arkeologëve, ky është viti i dytë radhazi që zona përreth fshatit Kapitan Petko Voivoda nxjerr në dritë zbulime të jashtëzakonshme. Vetëm një vit më parë, aty u gjet një tjetër varr fisniku thrak, i lidhur me forcat romake, po ashtu i pasur me armë dhe bizhuteri ari.

Specialistët besojnë se bëhet fjalë për një nekropol dinastik të elitave thrake të periudhës së vonë helenistike. Zbulimet ofrojnë dëshmi të rralla mbi jetën, zakonet dhe lidhjet e kësaj shoqërie të lashtë, ku traditat vendase ndërthureshin me ndikimin grek dhe romak.

Gërmimet vazhdojnë, dhe arkeologët shpresojnë të zbulojnë më shumë për pushtetin dhe marrëdhëniet ndërkulturore në Thrakën e lashtë gjatë një prej periudhave më të rëndësishme të historisë së saj.

The post Zbulohet në Bullgari varri ‘luksoz’ i një luftëtari thrak appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Le t’i rikthehemi së mirës, asaj të vërtetës

9 August 2025 at 12:30

Susanna Tammaro- Në vitin 1958, Hannah Arendt, në prologun e Vita activa, dëshmon me njëfarë habie reagimet që shkaktoi lansimi i Sputnikut, sateliti i parë artificial që u dërgua me sukses në orbitë një vit më parë dhe që u përshëndet nga bota si “hapi i parë i çlirimit të njerëzve nga burgu tokësor”.

Arendt vë në dukje se, megjithëse të krishterët e kishin përshkruar tokën si një luginë lotësh, dhe disa filozofë kishin arritur ta konsideronin trupin si një burg për shpirtin, deri atëherë askush nuk e kishte konceptuar tokën si një burg. “Ne kemi hequr dorë nga Zoti, që ishte një At qiellor dhe, si baba, dialogonte me nënën Tokë”, shkruan Arendt me një vizion profetik, duke shtuar se “vetë dëshira për t’u arratisur nga burgu tokësor shfaqet në përpjekjen për të krijuar jetë në një provë për të prodhuar qenie njerëzore më të përparuara”.

Në këto shtatëdhjetë vjet, qielli është bërë tashmë një autostradë satelitësh ku mbi kokat tona rrotullohen më shumë se 7 mijë satelitë, përfshirë edhe ato që janë shndërruar në mbeturina hapësinore,  aq shumë sa që, në netët e Shën Lorencit, bëhet e vështirë të dallosh yjet që bien nga rrëmujat e shenjave artificiale.

Hannah Arendt

Çfarë do të thotë, për natyrën tonë njerëzore, një qiell plot me artefakte? Manjetika e lashtë e qiellit ka qenë gjithmonë të shkaktojë frikë, habi dhe pyetje që lindin nga këto ndjenja. Dhe pyetjet e njerëzve, që nga kohët e lashta, janë gjithmonë të njëjta: “Çfarë kuptimi ka e gjithë kjo pafundësi misterioze?”, “Dhe ditët e mia, çfarë kuptimi kanë?”. Kujtojmë vargjet e mrekullueshme të Leopardi-t në Këndimin natën e një bariut endacak në Azi:

“Çfarë bën ti, hënë, në qiell? Më thuaj, çfarë bën,

Hënë e heshtur?

Ngrihesh në mbrëmje, dhe shkon,

Duke vëzhguar shkretëtirat; pastaj pushon.

Ende nuk je ngopur

Me përsëritjen e shtegut të përjetshëm?”

Kafshët, edhe pse kanë një inteligjencë që po zbulojmë çdo ditë e më komplekse, nuk do të ishin kurrë në gjendje të bënin pyetje sepse jetojnë në vetëdijen e çastit dhe të gjitha pyetjet e tyre lidhen vetëm me mbijetesën dhe me atë që do të ndodhë së shpejti.

Fjala është ajo që na bën njerëz, dhe fjala ekziston pikërisht për t’u pyetur. Tani që fjala është zëvendësuar nga imazhet dhe kur ekziston, përmban vetëm përgjigje për pyetje të parëndësishme, ndoshta është koha të reflektojmë se sa kjo ka ndikuar në krizën shumë të thellë, kryesisht arsimore, të shoqërisë sonë perëndimore të bollshme.

Civilizimet mund të mbarojnë për shkak të luftërave, pushtimeve, krizave ekonomike dhe degradimit të zakoneve, por mund të mbarojnë edhe në mënyrë banale, siç po ndodh sot, nga një tepricë komoditeti.

Në vitet ’90 nuk ishte e nevojshme të ishe profet për të parashikuar katastrofën që po afrohej; mjaftonte të ishe një person me sy kritik që dinte të vëzhgonte realitetin. Që në 1995, në librin tim “Unë rrethi magjik”, kam parashikuar ardhjen e një “ujku” që, përmes dominimit të ekranëve televizivë, i trulloste fëmijët, duke i bërë të nënshtruar ndaj motit të tij: Një botë e pastër dhe e bindur, bark i plotë dhe mendje bosh.

Interneti ende nuk ishte i përhapur dhe shfaqeshin telefonat e mëdhenj fillestarë. Përshpejtimi i çmendur i tridhjetë viteve të fundit arriti të përmbushë planin e këtij ujku: varësi, shpërqendrim, manipulim, pasivitet, shoqëruar me mungesën totale të mendimit kritik. Numri shqetësues i Neet-ve , të rinjve që nuk studiojnë dhe nuk punojnë në vendin tonë, pasohet nga Rumania, që  flet për përhapjen e apatisë depresive dhe shkatërruese që ka përthithur gjeneratat më të reja. Burgu i botës është shndërruar në burgun e dhomës, ku përmes hiper-lidhjes, të rinjtë krijojnë realitetin e tyre të një lirie artificiale.

E di mirë që nuk mund të përgjithësojmë. Ka shumë të rinj të shkëlqyer, plot energji dhe kurajo, por kur ndalon të bisedosh me ta, kupton shpejt se ata kanë pasur fatin të takojnë një të rritur,  prind, mësues, profesor, mik,  që i ka parë dhe i ka udhëhequr, duke u kujdesur me autoritet dhe vëmendje. Në këta të rinj, frustrimi kryesor është pikërisht të mos merren seriozisht, të ndjekin shkolla dhe fakultete që u lejojnë të ecin me motorët në ngadalësim dhe të përballen me një treg pune që nga fillimi është i poshtër, i shënuar nga punësimi i përkohshëm dhe stazhet falas, që i detyron të qëndrojnë në familje deri pas të tridhjetave apo të emigrojnë.

Në librin tim të vitit 2019, flisja për fëmijët-barishte. Ata janë ata që lehtësohen të rriten “si t’u vijë”, duke u besuar mençurisë së tyre të lindur. Fati i tyre,  rritur me të prindër që i adhurojnë, pa rregulla, pa sfida, pa disfata dhe pa asnjë rezistencë ndaj stresit, edhe me tabletën në dorë që në lindje , është të përthithen nga virtualiteti.

Toka është vërtetë burgu për të cilin fliste Hannah Arendt, por ky është projekti i burgut tonë të brendshëm që na shikon të shtypur midis një qielli të zymtë dhe të heshtur dhe një toke armike që po rebelon ndaj arrogancës sonë. Të gjitha kulturat njerëzore, që nga lashtësia, kanë njohur Qiellin si At, Tokën si Nënë, dhe plotësinë e jetës si një dialog të vazhdueshëm mes nesh dhe këtyre dy realiteteve.

Ndjenjat e pafuqisë që dominojnë kohën tonë, përhapja e vizioneve katastrofike, nga të cilat ndihemi përgjegjës vetëm ne, na ndan nga kuptimi i jetës. Nihilizmi i errët dhe kokëfortë që mbizotëron sot na paraqet vetëm frustrimin e dështimit. Bota është asgjë, dhe ne jemi asgjë që endemi në një botë pa kuptim. Jemi bërë të verbër dhe të shurdhër ndaj këngës së madhe të jetës. Por kuptimi i jetës është gjithmonë aty, përpara syve tanë. Çdo mëngjes lind dielli dhe ajo forcë drite jep tonin për simfoninë e madhe të gjallesave. Ne jemi zhytur në këtë rrjedhë, të pezulluar përgjithmonë midis dritës dhe hijeve, midis lindjes dhe vdekjes, midis qiellit dhe tokës, midis zgjedhjes së errësirës ose përfshirjes në vitalitetin e ndritshëm që krijon gjithçka rreth nesh.

Ky kuptim nuk është tjetër veçse ajo dritë mistike që shfaqet në shikimin e fëmijëve kur lindin. Drita e habisë, drita e pafajësisë. Jo vetëm tek fëmijët, por edhe tek të vegjlit e çdo specieje dhe zogjtë që sapo dalin nga folja, duke parë rreth me çudinë e tyre.

Na duhet të kthehemi të flasim për të mirën, pra të  mirën e etikës dhe jo për mirën e ngatërruar të moralistëve. Thelbi i etikës njerëzore ka qenë gjithmonë ai i Dekalogut: “Të kam vendosur para jetës dhe vdekjes. Zgjidh jetën”. Nëse ndihemi të burgosur, kjo ndjenjë shtypjeje lind nga zgjedhja e bërë prej shumë kohësh  të vdekjes, nga etiketimi për një kohë shumë të gjatë si të mira, atyre gjërave që në fakt janë të këqija. Planeti ynë po kalon një krizë shumë të rëndë. Luftërat shpërthejnë si zjarre të nxitura nga era, çdo ditë dhjetëra mijëra të pafajshëm sakrifikohen në altarin e delirëve demonikë të pushtetit dhe parasë, tashmë të pakontrollueshëm.

Megjithatë, është vetë historia e tragjedive të kaluara që na tregon mundësitë e jashtëzakonshme të njeriut. Mendoj për Takashi Paolo Nagai, mjekun që mbijetoi nga bomba atomike në Nagasaki dhe humbjen e gruas së tij , e djegur e  gjallë në atë flakë të tmerrshme, që jetoi për vite me sëmundjet si pasojë e bombës atomikës në një kasolle prej druri prej katër metra katrorësh, duke dëshmuar vazhdimisht zgjedhjen e dashurisë si rruga e vetme e shpëtimit.

Mendoj për Viktor Frankl, psikiatrin që mbijetoi Auschwitz-in dhe që në librin e tij të domosdoshëm “Në kërkim të kuptimit ” i ndan njerëzit në dy kategori të vetme: të mirët dhe të tjerët. Njerëzit e mirë, thotë ai, dallohen sepse kanë mbetur anständig, domethënë të drejtë dhe të besueshëm në dinjitetin e tyre njerëzor.

Viktor Frankl

Në librin e tij, ai tregon për takimin me një grua të re në prag të vdekjes. “Jam mirënjohëse ndaj fatit që më goditi kaq rëndë”, i kishte pëshpëritur gjatë një vizite, “sepse në jetën time të mëparshme isha shumë e shfrenuar dhe nuk kisha asnjë ambicie shpirtërore” .

 Në ditët e fundit, tregonte mjeku, ajo dukej si e transformuar. “Kjo  pemë”  i kishte thënë duke treguar një kalldrëm të lulezuar përtej dritares së infermierisë, “është shoqja  ime e vetme në momentet e vetmisë, me të flas shpesh”.

I tronditur nga këto fjalë dhe i bindur se po fliste në delirim, Frankl e pyeti nëse pema i ishte përgjigjur. “Po”, ishte përgjigjur , ajo thotë : “Unë jam këtu. Unë jam jeta. Jeta e përtejme” .

Burimi: Corriere Della Sera

The post Le t’i rikthehemi së mirës, asaj të vërtetës appeared first on Gazeta Si.

Pse japonezët përdorin çadra edhe kur është diell?

9 August 2025 at 12:08

Gazeta “SI”- Në Japoni, çadrat nuk shërbejnë vetëm për t’u mbrojtur nga shiu apo dielli por ato janë mjete shpirtërore të afta të thërrasin shpirtra.

Në shumicën e vendeve të botës, çadrat përdoren thjesht për të mbrojtur njerëzit nga shiu ose për t’u siguruar hije nga dielli. Edhe pse vizitorët në Japoni mund t’i shohin vendasit duke i përdorur për këto arsye, çadrat (sidomos ato tradicionale) kanë një rol shumë më të fuqishëm në kulturën japoneze: ato shihen si enë shpirtërore.

Sipas Tatsuo Danjyo, Profesor Emeritus i shkencave humane në Universitetin Beppu në prefekturën Ōita të Japonisë, tradita japoneze beson se disa objekte  përfshirë çadrat  mund të shërbejnë si yorishiro (objekt që tërheq hyjni ose shpirtra).

Ky besim është thellësisht i rrënjosur në histori. Çadrat u shfaqën për herë të parë në Japoni mes shekujve IX dhe XI, por në fillim nuk përdoreshin për t’u mbrojtur nga moti; ato ishin simbole të fuqisë shpirtërore ose politike. Çadrat e hershme, si sashikake-gasa me dorezë të gjatë, ishin të rezervuara për figurat fetare dhe politike dhe mbaheshin nga shërbëtorë mbi personat e rëndësishëm.

Në festivalin Yasurai Matsuri në Kyoto, çadrat e zbukuruara me lule besohet se largojnë sëmundjet dhe të këqijat nga njerëzit.

“Japonezët priren të kenë një mënyrë animiste të të menduarit,” i tha Danjyo BBC-së. “Forma rrethore e çadrës, që ngjan me formën e shpirtit, dhe doreza, që ngjan me një shtyllë… konsideroheshin si një vend ku shpirti mund të zbriste lehtësisht.”

Çadrat Kanazawa bëhen me dorë për dy muaj duke përdorur letër të trashë washi, bambu të fortë dhe teknika të veçanta forcimi.

Që në shekullin XII, sipas Danjyo, çadrat nisën të përdoren nga populli i thjeshtë, dhe ndër shekuj kanë ruajtur rëndësinë e tyre shpirtërore.

E njëjta rëndësi shpirtërore shfaqet ende në festivale të ndryshme në Japoni sot. Në Yasurai Matsuri në Kyoto, çadrat e stolisura me lule besohet se largojnë sëmundjet. Në Hakata Dontaku në qytetin verior Fukuoka (3-4 maj), parakalojnë platforma gjigante kasaboko; kalimi poshtë tyre thuhet se sjell shëndet dhe fat të mirë.

Në ishullin Okinoshima të prefekturës Kōchi, më 13-16 gusht, banorët krijojnë struktura çadrash të zbukuruara për të strehuar shpirtrat e të vdekurve gjatë festivalit Obon. Çdo dy vjet, natën e 16 gushtit, këto çadra mbahen në një valle rituale rreth një platforme qendrore, duke udhëhequr simbolikisht shpirtrat përsëri në botën shpirtërore.

Çadrat kanë frymëzuar edhe një nga figurat mbinatyrore më të njohura të Japonisë: Kasa yokai (shpirti i çadrës). Këta shpirtra shfaqen në artin historik, si në veprën Parada e Natës së Mijëra Goblinëve, ku paraqiten sende shtëpiake të braktisura që marrin jetë.

Zakonisht të paraqitur me një sy të vetëm dhe tipare të çuditshme, kasa yokai pasqyrojnë besimin animist japonez se edhe objektet mund të kenë shpirt, veçanërisht ato që janë përdorur, dashur dhe në fund janë hedhur poshtë.

Udhëtarët që duan të eksplorojnë historinë dhe mjeshtërinë e çadrave tradicionale japoneze mund ta bëjnë këtë përmes punëtorive dhe muzeve në mbarë vendin.

Prandaj, herën tjetër që do të hapësh një çadër në Japoni, sidomos një wagasa tradicionale, kujto se mund të bëjë më shumë se thjesht të të mbrojë nga shiu.

Burimi: BBC

The post Pse japonezët përdorin çadra edhe kur është diell? appeared first on Gazeta Si.

Zbulimi arkeologjik që rishkruan epokën e akullnajave në Gadishullin Iberik

8 August 2025 at 11:23

Nga Gazeta “SI”- Një zbulim i jashtëzakonshëm arkeologjik në malet Atapuerca ka hedhur dritë mbi praninë e hershme të faunës së klimës së ftohtë në Gadishullin Iberik. Një dhëmb dreri nordik, i datuar ndërmjet 243 mijë dhe 300 mijë vjet më parë, është gjetur së bashku me vegla prej guri në një shtresë sedimentare, duke ofruar provat më të hershme të jetës së epokave akullnajore në këtë rajon.

Zbulimi është rezultat i një studimi të përbashkët të kryer nga Muzeu Kombëtar i Shkencave Natyrore (MNCN-CSIC), Qendra Kombëtare për Kërkime mbi Evolucionin Njerëzor (CENIEH) dhe Instituti Katalanas i Paleoekologjisë Njerëzore dhe Evolucionit Shoqëror (IPHES-CERCA).

“Gjetja e një dreri nordik në këtë gjerësi gjeografike është dëshmi se valët e ftohta të Pleistocenit të Mesëm prekën thellësisht ekosistemet iberike  shumë më herët dhe me më shumë intensitet sesa besohej më parë,” deklaroi Jan van der Made, studiues në MNCN-CSIC.

“Fosili na ndihmon të përcaktojmë më saktë jo vetëm datimin e vendgjetjes, por edhe përmasat reale të periudhave akullnajore.”

Ky drer nordik i përket gjinisë Rangifer, dhe zbulimi e përfshin zonën e Atapuerca-s brenda të ashtuquajturës “Stepë e Mamuthit” , një hapësirë e gjelbër dikur e përhapur nga Evropa Perëndimore deri në Siberi, e banuar nga specie të përshtatura për klimën e ftohtë, si rinocerontët e leshtë dhe drerët nordikë.

“Ky zbulim është thelbësor për të kuptuar se si fauna e klimës së ftohtë lëvizte dhe se si komunitetet e hershme njerëzore përshtateshin ndaj ndryshimeve klimatike gjatë Pleistocenit të Mesëm, rreth 800 mijë deri në 125 mijë vjet më parë,” shtoi Ignacio Aguilar Lazagabaster nga CENIEH.

Sipas studiuesve, edhe pse shumë specie të epokave të akullnajave u tërhoqën drejt veriut gjatë periudhave më të ngrohta, gadishulli Iberik ka shërbyer si një strehë natyrore për kafshët dashamirëse të klimës së ngrohtë duke ofruar kështu një pasqyrë komplekse të historisë biogjeografike të rajonit.

Studiuesit besojnë se ky është vetëm fillimi i një tabloje më të gjerë mbi ndikimin e klimës në evolucionin e faunës dhe jetës njerëzore në Evropën Jugore. Zbulime të mëtejshme në Atapuerca dhe më gjerë mund të ndihmojnë në zbardhjen e më shumë detajeve rreth mënyrës se si ekosistemet dhe njerëzit e hershëm iu përgjigjën ndryshimeve drastike të klimës në prehistori.

The post Zbulimi arkeologjik që rishkruan epokën e akullnajave në Gadishullin Iberik appeared first on Gazeta Si.

34 vjet nga eksodi i madh i shqiptarëve

8 August 2025 at 10:43

Nga Gazeta “SI”- Mëngjesin e 8 Gushtit 1991, në brigjet e Barit, u shfaq një anije tregtare e cila lëkundej e rënduar, e ngarkuar jo me mall, por cit me njerëz. Mijëra trupa të ngjeshur, disa të varur në shkallë, disa ulur mbi kontejnerë, valëvisnin duart drejt brigjeve italiane. Ishte  dita që do të hynte  në historinë e emigracionit shqiptar si eksodi i madh.

Një ditë më parë, porti i Durrësit ishte kthyer në një skenë kaosi. Shqipëria, e sapo dalë nga komunizmi, po përjetonte kolaps ekonomik. Raftet bosh, buka me racion, papunësia dhe pasiguria e kishin vrarë  shpresën se vendi mund të ripërtërihej.

 Italia dukej afër,  vetëm një det i ngushtë ndante realitetin gri nga ëndrra e reklamave me ngjyra që vinin nga televizioni.

Anija tregtare Vlora sapo ishte kthyer nga Kuba me një ngarkesë sheqeri. Por atë mëngjes, ngarkesa e saj e re do të ishin mbi 20 mijë njerëz të dëshpëruar. Ata u hodhën në ujë, u ngjitën me litarë dhe pushtuan çdo cep të saj.

Kapiteni Halim Milaqi, i rrethuar nga turma ,disa edhe të armatosur  nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të nisej drejt Italisë, me motorë të dëmtuar, pa radar dhe me anijen në kufijtë e fundosjes.

Udhëtimi ishte i rrezikshëm. Në mes të vapës, pasagjerët prenë tubat e ftohjes për të pirë ujë, duke rrezikuar motorin por thuhet se kapiteniMilaqi përdori ujë deti për ta shpëtuar. Në orën katër të mëngjesit, anija Vlora iu afrua Brindisit, por u refuzua. Kursi ndryshoi për në Bari.

Në port, autoritetet italiane e pritën me një plan të ftohtë: asnjë zbarkim dhe kthim i menjëhershëm. Por temperatura mbi 35 gradë, mungesa e ujit dhe ushqimit e bënë të pamundur që njerëzit të qëndronin më gjatë në bord. Pas orësh pritjeje, pasagjerët u çuan me autobusë në stadiumin e braktisur Stadio della Vittoria.

Kur turma kuptoi se shteti italian do t’i riatdhesonte mbrapsht shumë prej tyre çanë kordonin e policisë dhe u zhdukën nëpër rrugët e qytetit.

Në ditët që pasuan, rreth 3 mijë persona u riatdhesuan. Disa u kthyen vetë, të zhgënjyer nga pritja e italianëve. Të tjerë u mashtruan me premtimin se po shkonin në qytete të tjera italiane. Organizatat e të drejtave të njeriut dhe vetë Papa e dënuan trajtimin, por qeveria italiane këmbënguli se ishte e nevojshme për të ndalur valët e emigracionit.

Sot, 34 vite më vonë , 8 gushti mbetet një nga datat e shënuara në kujtesën kombëtare,  dita kur një anije mbajti mbi dallgë shpresat, frikën dhe dëshpërimin e një populli të tërë.

The post 34 vjet nga eksodi i madh i shqiptarëve appeared first on Gazeta Si.

Një çmim në nder të Pashko Gjeçit

7 August 2025 at 12:33

Nga Gazeta “SI”- Gjashtëdhjetë e pesë vjet pas botimit të pjesës së  parë të  Komedisë Hyjnore ( Ferri)  nga mjeshtëri Pashko Gjeçi, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, themelojnë çmimin letrar “Pashko Gjeçi” në nder të përkhtyesit dhe intelektualit të  shquar.

Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli, thotë për GazetaSi.al se kjo është një iniciativë e re kushtuar promovimit të letërsisë italiane në shqip dhe nderimit të rolit jetësor të përkthyesve letrarë në Shqipëri dhe Kosovë.

“Çmimi mban emrin e Pashko Gjeçit, përkthyesit dhe intelektualit të shquar shqiptar, i cili realizoi përkthimin e parë të plotë në shqip të Komedisë Hyjnore të Dante Alighierit. Ky çmim përfaqëson lidhjen e fortë dhe të qëndrueshme midis kulturës letrare italiane dhe asaj shqipe. Kontributi monumental i Gjeçit në letërsinë shqipe shënon një moment të rëndësishëm historik dhe simbolizon dialogun gjuhësor dhe kulturor mes dy vendeve.”

Ky projekt, sipas Bardhylit, do të mbështetet financiarisht nga Instituti Italian i Kulturës dhe Qendra e Librit.

Alda Bardhyli (QKLL) dhe Alessandro Ruggera (IIC)

“Ky projekt ka për qëllim të ftojë të gjithë përkthyesit shqiptarë të italishtes që të paraqesin dorëshkrimet e tyre me përkthime të veprave bashkëkohore italiane në gjuhën shqipe. Veprat fituese do të mbështeten për botim nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL), ndërsa Instituti Italian i Kulturës në Tiranë do të ofrojë mbështetje për procesin përkthimor.”

Ajo thotë se do të jenë dy vepra që do të përkthehen, me kushtin të jenë të pabotuara më parë.

“Nga ‘Çmimi Pashko Gjeçi për Përkthimin Letrar Italian’ do të përzgjidhen dy vepra fituese, përkthime nga përkthyes shqiptarë, të cilat ende nuk kanë parë dritën e botimit në gjuhën shqipe. Fituesit do të shpallen gjatë muajit tetor, në kuadër të Javës së Kulturës Italiane.”

Kush ishte Pashko Gjeçi, përkthyesi i kryeveprave të letërsisë botërore?

Pashko Gjeçi lindi në Shkodër, më 7 shtator 1918. Mbaroi shkollën e Jezuitëve dhe gjimnazin Jezuit në Shkodër. Fillimisht mësoi mirë italisht, e më pas në gjimnaz edhe greqishten e vjetër dhe latinishten, gjuhë nga të cilat përktheu mrekullitë e letërsisë botërore në shqip.

Qysh në moshë të re, kur ishte 16 vjeç, Pashko Gjeçi përktheu disa poezi të poetit italian Xhakomo Leopardi. Në vitin 1938, me gjysmë burse të siguruar nga qeveria e asaj kohe, regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Romë. Pashku kujtonte gjithnjë me kënaqësi leksionet e prof. Ernest Koliqit, edhe pse shoqërimi me të do t’i kushtonte 5 vjet burg nga regjimi komunist. Më 15 korrik 1942, ai diplomohet Doktor në Letërsi.

Pas kthimit në atdhe, më 4 shtator 1947 ndalohet me akuzën ‘pjesëmarrje në grup kundër pushtetit’. Pas lirimit nga burgu, regjimi komunist e transferoi në Fushë Krujë, ku punoi gjatë për përkthimin e kryeveprës Komedia Hyjnore, një përshkrim i udhëtimit fantastik të Dantes nëpër tri mbretëritë e përjetshme: Ferrin, Purgatorin dhe Parajsën. Në vitin 1960 u botua pjesa e parë e Komedisë, ‘Ferri’. Veprës nuk i bëhej ndonjë jehonë e madhe në atë kohë, por ish-drejtori i shtëpisë botuese, Nasho Jorgaqi, thotë se një shqipërim të tillë mund ta bënte vetëm Pashko Gjeçi.

Menjëherë pas botimit të Komedisë Hyjnore të Dantes, nisi të përkthente Odisenë e Homerit, një punë që e përfundoi me sukses. Një tjetër kulm për përkthyesin ishin edhe Fausti i Gëtes dhe Hamleti i Shekspirit, gjithmonë vargje, gjithmonë kryevepra, gjithmonë në mënyrë mjeshtërore.

Gjithashtu, Pashko Gjeçi ka sjellë në gjuhën shqipe mrekullitë e greqishtes së vjetër; mund të thuhet se në botën shqiptare është i vetmi që e ka realizuar këtë gjë deri më sot. Pra, Pashko Gjeçi mbetet një figurë e shquar e letrave shqipe me përkthimet dhe shkrimet e tij bashkëkohore.

The post Një çmim në nder të Pashko Gjeçit appeared first on Gazeta Si.

Jeta publike në antikitet/Dy zbulime të rralla në Laodicea dhe Pergamoni

7 August 2025 at 12:01

Nga Gazeta “SI”– Arkeologët kanë bërë dy zbulime të rëndësishme në qytetet antike të Laodiceas dhe Pergamonit, duke hedhur dritë mbi jetën publike dhe zakonet e spektatorëve në periudhën romake.

Në Laodicea, pranë qytetit modern të Denizlit, u zbulua një sallë asambleje e lashtë, e ruajtur në gjendje të shkëlqyer, që daton rreth 2,000 vjet më parë. Ndërtesa, e ndërtuar në stilin e një teatri me 17 radhë ulësesh, mund të priste deri në 800 pjesëmarrës. Ajo shërbente si qendër politike, gjyqësore dhe administrative e qytetit. Janë gjetur mbishkrime me emrat e zyrtarëve të lartë, ndërsa një statujë e ulur besohet të përfaqësojë kryegjyqtarin e Laodiceas. Ndërtesa ka një strukturë unike arkitektonike me mure pesëkëndëshe dhe brendësi gjashtëkëndëshe , një risi në Anadollin e lashtë.

Ndërkohë, në Pergamon, gjatë gërmimeve në amfiteatrin romak të shekullit II pas Krishtit, arkeologët nga Instituti Arkeologjik Gjerman dhe universitete europiane zbuluan dy blloqe ulësesh të gdhendura me emrat e spektatorëve të lashtë që përpiqeshin të “rezervonin” vendet më të mira në arenë. Ndryshe nga ulëset e zakonshme prej guri të bardhë tufa, këto ishin prej andeziti të errët dhe më komod.

Disa emra janë grekë, të tjerë romakë të shkruar me shkronja greke si Λυκιος për Lucius. Disa prej tyre janë të gdhendur thellë, duke sugjeruar se qytetarët mund të kenë paguar për të siguruar vendin e tyre. “Njerëzit përpiqeshin të rezervonin ulëset më të mira për veten dhe të afërmit,” thotë arkeologu Felix Pirson. “Pyetja është nëse të tjerët e pranonin këtë apo jo.”

Të dy zbulimet ofrojnë një pamje të gjallë të jetës publike në qytetet romake dhe tregojnë se edhe atëherë, si sot, njerëzit konkurronin për vendet më të mira , qoftë në arenën politike, qoftë në atë të spektaklit.

Burimi: Archaeology Magazine

The post Jeta publike në antikitet/Dy zbulime të rralla në Laodicea dhe Pergamoni appeared first on Gazeta Si.

David Grossman: Fakti që përdoret fjala ‘gjenocid’ për popullin hebre, duhet të na alarmojë

6 August 2025 at 13:33

Nga Gazeta “SI”– Shkrimtari izraelit David Grossman, e ka përshkruar fushatën e vendit të tij në Gaza si një gjenocid dhe ka thënë se tani “nuk mund të mos përdorë” këtë term.

“E pyes veten: si arritëm deri këtu?”, tha shkrimtari i njohur dhe aktivisti për paqe në një intervistë për gazetën italiane La Repubblica.

“Si ndodhi që na akuzuan për gjenocid? Vetëm fakti që mund të përdoret fjala ‘gjenocid’ për Izraelin, për popullin hebre, duhet të na alarmojë dhe të na tregojë se diçka shumë e gabuar po ndodh me ne.”

Grossman tha se për shumë vite kishte refuzuar ta përdorte këtë term.

“Por tani nuk mund ta ndal veten, jo pas asaj që kam lexuar nëpër gazeta, jo pas pamjeve që kam parë, dhe as pas bisedave me njerëz që kanë qenë atje. Kjo fjalë është si një ortek. Sapo e thua, vetëm sa zmadhohet, si një ortek, dhe sjell më shumë shkatërrim dhe vuajtje,” tha ai.

Komentet e Grossman-it vijnë disa ditë pasi dy organizata të mëdha për të drejtat e njeriut në Izrael thanë se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, në një kohë kur shqetësimi global për urinë në këtë territor të rrethuar është në rritje.

Autori, i cili prej kohësh kritikon qeverinë izraelite, tha për La Repubblica se po e përdorte këtë fjalë “me dhimbje të madhe dhe zemër të thyer”.

“Të lexosh në një gazetë ose të dëgjosh në biseda me miq në Evropë lidhjen mes fjalëve ‘Izrael’ dhe ‘uri’ , veçanërisht kur kjo vjen nga historia jonë, nga ndjeshmëria që supozohet se kemi ndaj vuajtjes njerëzore, nga përgjegjësia morale që kemi pretenduar gjithmonë për çdo qenie njerëzore, jo vetëm për hebrenjtë , kjo është shkatërruese,” tha Grossman, i cili fitoi çmimin më të lartë letrar të Izraelit në vitin 2018, për veprën e tij që mbulon më shumë se tridhjetë vjet.

David Grossman

“Okupimi na ka korruptuar,” tha ai. “Jam i bindur se mallkimi i Izraelit filloi me pushtimin e territoreve palestineze në vitin 1967. Ndoshta njerëzit janë lodhur duke dëgjuar për këtë, por kjo është e vërteta. Jemi bërë ushtarakisht të fuqishëm dhe kemi rënë në tundimin e fuqisë absolute dhe idenë se mund të bëjmë çfarë të duam.”

I pyetur për njohjen e shtetit palestinez nga Franca dhe Britania e Madhe, Grossman tha: “Mendoj se është një ide e mirë dhe nuk kuptoj histerinë këtu në Izrael për këtë çështje. Ndoshta të merresh me një shtet të vërtetë, me detyrime reale, në vend të një entiteti të paqartë si Autoriteti Palestinez, do të ketë përparësitë e veta. Sigurisht, do të duheshin kushte shumë të qarta: pa armë dhe garanci për zgjedhje transparente, ku përjashtohen ata që mbështesin dhunën ndaj Izraelit.”

Ai tha se mbetet “i përkushtuar në mënyrë të fortë” ndaj zgjidhjes me dy shtete. “Do të jetë e ndërlikuar, dhe si ne, ashtu edhe palestinezët, do të duhet të tregojmë pjekuri politike përballë sulmeve të pashmangshme që do të vijnë. Nuk ka plan tjetër.”

The post David Grossman: Fakti që përdoret fjala ‘gjenocid’ për popullin hebre, duhet të na alarmojë appeared first on Gazeta Si.

117 vjet nga lindja e Eqrem Çabejt

6 August 2025 at 12:33

Nga Gazeta “SI”- Më 6 gusht 1908, 117 vjet më parë, lindi në Gjirokastër një ndër figurat më të ndritura të kulturës dhe shkencës shqiptare,  gjuhëtari, akademiku dhe Mësuesi i Popullit, Eqrem Çabej.

I konsideruar si një nga patriarkët e gjuhës shqipe, Çabej ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme shkencore në fushën e gjuhësisë, me theks të veçantë në studimin e zanafillës dhe zhvillimit historik të shqipes. Ai njihet gjerësisht si një ndër autoritetet më të mëdha në albanologji, me pjesëmarrje të denjë në forume ndërkombëtare dhe botime në revista shkencore të huaja.

Studimet e para i kreu në Austri, ku përfundoi gjimnazin në Klagenfurt dhe më pas studioi gjuhësi krahasuese dhe albanologji në universitetet e Gracit dhe të Vjenës, ku mori titullin “Doktor i Filozofisë” në vitin 1933. Pas kthimit në Shqipëri, kontribuoi në arsim si mësues dhe pedagog në qytete të ndryshme, ndërsa pas vitit 1944 nisi punën e tij kërkimore pranë Institutit të Shkencave dhe më pas në Universitetin e Tiranës.

Eqrem Çabej ka qenë anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe një nga figurat kyçe të hartimit të normave të drejtshkrimit të shqipes. Ai dha ndihmesë të pazëvendësueshme në përgatitjen e teksteve universitare dhe hartimin e fjalorëve e terminologjive shkencore.

Eqrem Çabej

Ndër veprat më të rëndësishme të tij përmenden: “Studime etimologjike në fushë të shqipes” (7 vëllime) “Fonetika historike e shqipes” “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe” Botimi kritik i “Mesharit” të Gjon Buzukut si dhe shumë artikuj dhe studime në fushat e folklorit, etnografisë dhe historisë së letërsisë.

Eqrem Çabej është nderuar me titujt dhe çmimet më të larta shtetërore, përfshirë Çmimin e Republikës dhe Urdhrin “Nderi i Kombit”. Ai ndërroi jetë në Romë në vitin 1980, por vepra e tij vijon të jetojë si themel i gjuhësisë moderne shqiptare.

The post 117 vjet nga lindja e Eqrem Çabejt appeared first on Gazeta Si.

80 vjet nga bombardimi në Hiroshima dhe Nagasaki/ Pse Japonia po rishqyrton premtimin e saj për paqe?

6 August 2025 at 10:37

Nga Hannah Beech- Nëntë kombe zotërojnë armë bërthamore, të cilat mund të shkatërrojnë dhe të rrezatojnë qytete në një çast. Por vetëm dy herë janë përdorur: 80 vjet më parë, kur kjo teknologji shkatërruese ishte ende në fillimet e saj dhe në duart e një vendi të vetëm, Amerikës.

Më 6 gusht 1945, në një veprim drastik që besohet se përshpejtoi dorëzimin e Japonisë në Luftën e Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara hodhën një bombë atomike mbi qytetin perëndimor japonez të Hiroshimës. Një bombardues amerikan i quajtur “Enola Gay” lëshoi armën që peshonte 9,700 paund e cila shpërtheu rreth 600 metra mbi tokë, duke krijuar një re të madhe në formë kërpudhe dhe duke djegur qytetin me temperatura deri në 4,000 gradë Celsius. Shpërthimi dhe pasojat e tij morën rreth 140,000 jetë deri në fund të atij viti.

Tre ditë më vonë, një tjetër bombardues amerikan hodhi një bombë të dytë atomike në Nagasaki, në jugperëndim, duke vrarë edhe 70,000 njerëz të tjerë. Shkatërrimi i dy qyteteve u pasua nga dorëzimi i Japonisë disa ditë më vonë, duke i dhënë fund dekadave të pushtimeve të saj brutale. Por bombardimet gjithashtu shpallën fillimin e një epoke më të tmerrshme, në të cilën inovacioni njerëzor mund të shkaktonte vdekje dhe shkatërrim në një shkallë të paimagjinueshme më parë.

Ndërsa qyteti i rrafshuar i Hiroshimës u rindërtua, ai iu përkushtua promovimit të paqes. Të mbijetuarit e bombardimeve atomike kanë bërë fushatë për një botë pa armë bërthamore. Por, 80 vjet më vonë, kjo ëndërr po venitet.

Emisarët japonezë duke nënshkruar aktin e dorëzimit të Japonisë në bordin e anijes luftarake amerikane U.S.S. Missouri, në Gjirin e Tokios, më 2 shtator 1945.

Tre fqinjë të Japonisë , Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut  janë fuqi bërthamore, dhe Tokio varet nga ombrella bërthamore amerikane e mbrojtjes. Me rritjen e tensioneve në Paqësor dhe me zbehjen e kujtimeve të drejtpërdrejta për shkatërrimin bërthamor, gjithnjë e më shumë japonezë po e vënë në pikëpyetje angazhimin kombëtar ndaj paqes .

Pse Japonia u përkushtua ndaj pacifizmit pas Luftës së Dytë Botërore?

Sepse amerikanët e detyruan. Pushtimi i ashpër nga forcat e armatosura perandorake japoneze në pjesën më të madhe të Azisë, sulmi i papritur ndaj Pearl Harbor-it dhe gatishmëria për të sakrifikuar një brez të tërë ushtarësh të rinj për hir të perandorisë, i bëri amerikanët fitimtarë të vendosur që Japonia të mos kishte më kurrë mundësinë të zhvillonte luftë.

Kushtetuta e ashtuquajtur “paqësore” e Japonisë, u hartua nga amerikanët që pushtuan vendin për gati shtatë vjet duke mohuar përgjithmonë të drejtën për të bërë luftë. Neni 9 i saj e ndalon që Japonia të ketë ndonjë ushtri me kapacitete ofensive.

Në këmbim, Shtetet e Bashkuara premtuan të mbronin Japoninë nëse do të sulmohej. Traktati i sigurisë e bëri Japoninë përfituese të teorisë së ndalimit bërthamor.

Atëherë pse Japonia ka ushtri?

Duke marrë parasysh kufizimet kushtetuese, ushtria japoneze quhet Forcat e Vetëmbrojtjes. Ajo nuk mund të marrë pjesë në role luftarake në konflikte ndërkombëtare. Por kjo nuk e ka ndaluar Japoninë të zgjerojë arsenalin e saj për t’u përballur me kërcënime të mundshme nga fqinjët aziatikë si Kina, të cilët nga ana e tyre shqetësohen për riarmatimin japonez, për shkak të historisë së saj gjatë luftës. Nëse rritjet e buxhetit vazhdojnë, Japonia do të bëhet së shpejti një nga shpenzuesit më të mëdhenj ushtarakë në botë. E gjithë kjo pajisje me armë  moderne thuhet se është vetëm për qëllime mbrojtëse, megjithëse debati brenda Japonisë për profilin e saj ushtarak global po bëhet gjithnjë e më i fortë.

Një simulim vizual i hedhjes së bombës atomike, i shfaqur në Muzeun e Paqes në Hiroshima

Çfarë mendojnë japonezët për riarmatimin e vendit të tyre?

Ndërsa shumë nga brezat më të vjetër shqetësohen për zbehjen e përkushtimit të Japonisë ndaj pacifizmit, japonezët më të rinj priren të jenë më të qetë. Mbështetësit e zgjerimit ushtarak thonë se Japonia nuk duhet të detyrohet të qëndrojë gjithmonë në një qëndrim mbrojtës, veçanërisht me rritjen e kërcënimeve të sigurisë në Paqësor. (Përveç përplasjes së superfuqive, Japonia ka mosmarrëveshje territoriale me Kinën, Rusinë dhe dy Koretë.) Ata shqetësohen se Shtetet e Bashkuara mund të mos jenë gjithmonë një garantues i qëndrueshëm i sigurisë për Japoninë, veçanërisht nën Presidentin Trump, i cili e ka kritikuar Japoninë për mbështetjen e tepërt ndaj pranisë së bazave ushtarake amerikane.

Dhe me zbehjen e kujtimeve të drejtpërdrejta për bombardimet e Hiroshimës dhe Nagasakit, shumica e japonezëve tani janë të shkëputur nga dëshmitë tronditëse që përforcuan dikur qëndrimin pacifist kundër armëve bërthamore të vendit. Nippon Kaigi, një bllok politik ultranacionalist që synon të rishikojë Nenin 9 të Kushtetutës, ka mbështetje të konsiderueshme mes ligjvënësve të Partisë Liberal Demokratike në pushtet. Ndryshimi i Kushtetutës që dikur ishte i paimagjinueshëm; sot është një temë e debatit politik.

Burimi: The New York Times

The post 80 vjet nga bombardimi në Hiroshima dhe Nagasaki/ Pse Japonia po rishqyrton premtimin e saj për paqe? appeared first on Gazeta Si.

Fatos Lubonja, kandidat për çmimin prestigjioz letrar ‘Angelus 2025’ në Poloni

5 August 2025 at 14:00

Nga Gazeta “SI”– Vepra “Ridënimi” e autorit të njohur shqiptar Fatos Lubonja është përzgjedhur mes 14 titujve të nominuar për çmimin letrar “Angelus” 2025, një nga çmimet më të rëndësishme për Letërsinë e Europës Qendrore, që vlerëson prozën e përkthyer në gjuhën polake.

Botuar në Poloni me titullin “Drugi wyrok”, libri është përkthyer nga Dorota Horodyska dhe është publikuar nga shtëpia botuese “Pogranicze”. Përkthimi i tij është mbështetur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL), përmes Fondit të Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj, një nismë e përvitshme që synon promovimin e letërsisë shqipe në botë.

“Ridënimi” i përket gjinisë së kujtimeve dhe konsiderohet një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë së kujtesës, ku Lubonja sjell dëshminë e jetës së tij në burgjet e diktaturës komuniste.

Lista përfundimtare me shtatë finalistët e çmimit “Angelus” 2025 pritet të publikohet në muajin shtator, ndërsa vepra e Lubonjës vijon të tërheqë vëmendjen e kritikës dhe lexuesit polak.

Çmimi letrar “Angelus” jepet çdo vit në Poloni për veprat më të mira të autorëve nga Europa Qendrore që trajtojnë temat historike dhe shoqërore të rajonit. Ai është themeluar në vitin 2006 në qytetin e Wrocław dhe konsiderohet një nga çmimet më prestigjioze për prozën e përkthyer në gjuhën polake.

Fituesi shpërblehet me një shumë të konsiderueshme monetare, ndërsa përkthyesi i veprës së shpërblyer gjithashtu nderohet me një çmim të veçantë. Ky çmim ofron një platformë të rëndësishme për autorët nga Europa Qendrore për të prezantuar letërsinë e tyre në arenën ndërkombëtare.

The post Fatos Lubonja, kandidat për çmimin prestigjioz letrar ‘Angelus 2025’ në Poloni appeared first on Gazeta Si.

‘Ditët e Shqiptarit’- Festivali që e kthen Gjakovën në një ‘sofër’ që pret mysafirë

5 August 2025 at 12:35

Nga Gazeta “Si”– Pas çlirimit të Kosovës, arti dhe kultura janë shndërruar në ura lidhëse mes së kaluarës dhe së tashmes, si përpjekje e vazhdueshme për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë e pasur kulturore shqiptare. Ndër fushat ku shoqëria kosovare është rilidhur më së shumti me vetveten  si në aspektin tradicional, ashtu edhe atë modern është arti cilësor i cili ka zënë një vend të rëndësishëm, i mbështetur vazhdimisht nga artistë të pavarur dhe institucione kulturore.

Një ndër ngjarjet më të veçanta që tashmë është kthyer në traditë është festivali kulturor “Ditët e Shqiptarit”, i cili organizohet çdo verë në qytetin e Gjakovës, nga korriku deri në gusht. Ky festival ka tejkaluar përmasat lokale, duke u shndërruar në një ngjarje mbarëkombëtare që mbledh artistë, intelektualë dhe vizitorë nga të gjitha trevat shqiptare dhe më gjerë.

Me pjesëmarrjen e emrave të njohur si Ermonela Jaho, Elina Duni, Vlashent Sata, Jericho, Lorik Cana apo shkrimtarit Kim Mehmeti, “Ditët e Shqiptarit” kthejnë Gjakovën për disa fundjava me radhë në epiqendrën e artit, kulturës dhe dialogut ndërshqiptar. Por festivali nuk kufizohet vetëm në artin skenik. Aktivitetet përfshijnë kolonitë e piktorëve, teatrin e rrugës, kulinarinë tradicionale, ekspozita, sporte dhe kërcime ikonike nga Ura e Fshajt mbi kanionin e Drinit , gjithçka në funksion të një përvoje të thellë kulturore, të rrënjosur në autenticitetin shqiptar.

Organizatori dhe një nga themeluesit e këtij festivali, Ermal Hasimja, rrëfen për Gazetasi.al se Gjakova është një nga qytetet më artdashëse, dhe si i tillë e mbështet dhe e ndjek artin me interes. Sipas Hasimes, aktivitetet kulturore në Gjakovë synojnë të shtrihen përgjatë gjithë vitit.

“Ditët e Shqiptarit” janë pjesë e aktiviteteve të organizuara nga Fondacioni për Gjakovën. Tingëllon emër i madh, por në fakt fondacioni është thjesht një grup vullnetarësh gjakovarë që po përpiqen të nxjerrin në pah vlerat kulturore të qytetit. Aktivitete të ngjashme organizohen edhe në nëntor, pranë festës së flamurit, ose në kohë të tjera gjatë vitit. Synimi afatgjatë është që aktivitetet të shtrihen përgjatë gjithë vitit.

“Ditët e Shqiptarit” janë pritur shumë mirë. Është një qytet që e vlerëson artin e kulturën. Për më tepër, gjatë festivalit Gjakova është plot me vizitorë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut e vende të tjera. Festivali fokusohet te autentikja shqiptare. Nuk ka tallava apo zhanre të tjera të hiperkomercializuara. Muzika e vjetër qytetare është thelbësore, sepse qyteti jeton me muzikën, por festivali përfshin edhe kuzhinën tradicionale, koloni piktorësh, teatër rruge, kërcimet e famshme nga Ura e Fshajt mbi kanionin e Drinit, panele diskutimi me intelektualë, etj.

Që nga Ermonela Jaho, grupi muzikor Jericho dhe deri te Kim Mehmeti, “Ditët e Shqiptarit” duket sikur duan dhe kërkojnë të përfshijnë të gjithë. Por përtej pasionit dhe punës për të realizuar këto evente, ka edhe një kriter përzgjedhjeje për të ftuarit në “Ditët e Shqiptarit”.

“Për këto aktivitete punohet gjithë vitin. Secili nga grupi është i angazhuar maksimalisht sipas profilit të vet. Disa nga anëtarët e Fondacionit kontribuojnë edhe financiarisht për financimin e aktiviteteve. Kriteri i vetëm i përzgjedhjes është i thjeshtë: ne afrojmë kulturën autentike shqiptare. Prandaj të gjithë koncertet janë shqip, kuzhina është gjakovare, të ftuarit artistë ose intelektualë janë shqiptarë dhe diskutojnë tema shqiptare e kështu me radhë.

Ne synojmë ta kthejmë Gjakovën në qendrën e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe natyrisht edhe në qendër të turizmit të përvojës shqiptare.”

Ermal Hasimja, i njohur si politolog, pedagog dhe së fundmi edhe si shkrimtar në Shqipëri, na tregon edhe lidhjen e tij të ngushtë me Gjakovën.

Ermal Hasimja

“Origjina ime është nga Gjakova. Jam rritur që i vogël me dashurinë për këtë qytet. Dikujt nga jashtë mund t’i duket e çuditshme, por kjo ka qenë element thelbësor i identitetit tim vetjak e familjar. Nuk jam rast i veçantë. Çdo gjakovar, kudo ku është, ka një lidhje të fortë me qytetin dhe me këtë ushqehet që i vogël prej familjes. Në fakt, i gjithë qyteti është një familje e madhe.”

Ai thekson se “Ditët e Shqiptarit” janë konceptuar si sofër gjakovare që pret mysafirë nga e gjithë Shqiptaria, me synimin për t’i njohur me mikpritjen dhe shpirtin artistik të gjakovarëve.

“‘Ditët e Shqiptarit’ nuk është festë vendore. Përkundrazi, është konceptuar si një sofër gjakovare që pret mysafirë nga gjithë trojet shqiptare si dhe të huaj. Mirëpo, kush erdhi në Gjakovë e u ndje i huaj?! Gjakovarët janë mikpritës me nam, të dashur, me një sens humori që e konkuron vetëm Shkodra, dhe e duan shqiptarësinë siç duan familjen e tyre.

Ne duam që këto vlera t’i rikthejmë në vëmendje. Nuk jemi të vetmit, sepse komuna po bën një punë të mirë dhe na mbështet edhe neve, bizneset po rigjallërohen dhe i gjithë qyteti po rizgjohet për të dalë natyrshëm në rolin e tij karakteristik kulturor.”

Hasimja në fund thotë se skena kulturore në Kosovë po gjallërohet dhe kjo falë edhe festivaleve të tilla si ky.

“Vështirë të bëhet krahasimi, sepse kjo varet edhe nga natyra e cilësia e festivaleve. Është e sigurt që skena kulturore po gjallërohet. Por festivale si ‘Ditët e Shqiptarit’, me karakter kulturor e identitar, janë të një rëndësie të veçantë në epokën globaliste ku jetojmë.”

Në një kohë kur komercializimi dhe arti sipërfaqësor shpesh mbizotërojnë në hapësirat kulturore, “Ditët e Shqiptarit” në Gjakovë vijnë si një rikthim te thelbi, te rrënjët, te dija dhe ndjeshmëria shqiptare.

 Ky festival nuk është thjesht një ngjarje kulturore por një ftesë  për të festuar identitetin dhe vlerat e përbashkëta. Dhe Gjakova, me mikpritjen e saj të rrallë duket se ka gjetur formulën për të qenë jo vetëm qyteti i artit, por edhe zemra e kulturës shqiptare.

The post ‘Ditët e Shqiptarit’- Festivali që e kthen Gjakovën në një ‘sofër’ që pret mysafirë appeared first on Gazeta Si.

‘Lyhnida – Liqeni i Dritës’/ Të reflektosh mbi natyrën nëpërmjet artit

4 August 2025 at 11:33

Nga Gazeta “SI”- Nga data 27 korrik deri më 5 gusht 2025, Galeria e Arteve në Pogradec shndërrohet në një hapësirë reflektimi, ndërveprimi dhe ndërgjegjësimi përmes “Ekspozitës Performative #5 – Lyhnida – Liqeni i Dritës”, një projekt i kuruar nga Adela Demetja dhe Fabio Toska dhe organizuar nga Tirana Art Lab – Qendra për Art Bashkëkohor.

Ky projekt bashkon në një rezidencë njëjavore artistë, kuratorë dhe studiues për të prodhuar vepra të reja që dialogojnë me një nga ekosistemet më të vjetra dhe më të çmuara të Europës: Liqenin e Ohrit.

Në thelb të kësaj ekspozite qëndron vetë liqeni  i njohur në antikitet si Lyhnida (Lychnidos), “liqeni i dritës” , një mrekulli natyrore me një moshë mbi 4 milionë vjet, i mbrojtur nga UNESCO për vlerat e tij ekologjike dhe kulturore. Projekti ndërthur artin bashkëkohor me kujdesin ndaj mjedisit, duke e vendosur liqenin jo vetëm si objekt vëzhgimi, por si subjekt bashkëbisedues, si kujtim, si frymëzim dhe si thirrje për veprim.

Një ekspozitë që devijon nga formati klasik

“Ekspozita Performative” është një format unik i zhvilluar nga Tirana Art Lab, që sfidon menyrën  tradicionalë të ekspozimit dhe synon të bëjë publike proceset krijuese përmes përfshirjes së performativitetit, bashkëpunimit dhe reflektimit të vazhdueshëm. Vepra të papërfunduara, ide në zhvillim, hulumtime të hapura,  të gjitha këto shfaqen jo si mangësi, por si ftesa për bashkëkrijim dhe mendim të përbashkët.

Në këtë ekspozitë marrin pjesë emra të njohur dhe zëra të rinj të artit bashkëkohor shqiptar, secili duke ofruar një qasje të veçantë mbi liqenin dhe gjithçka që ai përfaqëson.

Bora Baboçi sugjeron ekzistencën e novelës “Një hënë e dytë”, një krijim letrar që ngjall dyshime mbi realitetin dhe fantazinë, frymëzuar nga rrëfimi kutelian dhe “Shpikja e Morelit” e Bioy Casares. Përmes këtij botimi enigmatik, ajo sfidon kufijtë midis botës së prekshme dhe asaj të imagjinatës, duke ndërtuar një univers që mund të jetë i pavërtetë  apo ndoshta jo.

Genc Kadriu, me veprën “Sivalë”, sjell një seri poezish-hapësire që përpiqen të përshkruajnë të paprekshmen, të paarritshmen dhe të përjetshmen në natyrë. Me një gjuhë të thellë metaforike, ai e sheh natyrën si qendër të një universi që nuk rrotullohet rreth njeriut, por që e fton atë në një ndjenjë përulësie dhe lidhjeje shpirtërore.

Denisa Kasa na udhëheq drejt rrjedhës së harruar të “Lumit të Madh” në Pogradec, dikur pjesë e gjallë e jetës urbane dhe sot një shenjë e betonizimit dhe ndarjes nga natyra. Përmes kujtimeve, fotografive dhe rrëfimeve lokale, Kasa rikthen në vëmendje rëndësinë e rrjedhave ujore në formësimin e identitetit të një vendi.

Anastas Kostandini, një nga emrat më të njohur të artit figurativ në Shqipëri, ekspozon tre vepra që lidhin mitin me realitetin: “Ylli i Jetës”, “Sirenat e Liqenit” dhe “Triumfi i poezisë”. Vepra që jo vetëm pikturojnë liqenin, por rrëfejnë gjendjet e tij emocionale, mistike e mitologjike.

Ledia Kostandini përqendrohet në diatomet – algat mikroskopike që jetojnë në ujërat e liqenit dhe që prodhojnë një pjesë të madhe të oksigjenit në planet. Përmes vizatimeve me rërë mbi panele të ndriçuara dhe bashkëpunimit me biologë, ajo ndërton një vepër që është njëherazi vizuale dhe edukative, duke përfshirë edhe një mikroskop për ta parë këtë botë të padukshme me sytë tanë.

Mariana Kostandini sjell një seri fotografish personale që dëshmojnë marrëdhënien intime me liqenin, si një vend që është njëkohësisht peizazh dhe prani, një burim ndriçimi fizik dhe emocional. Objektivi i saj i ndjeshëm fton në një meditim mbi kujtesën dhe përkatësinë.

Ilir Tsouko, përmes një video-portreti të qetë dhe meditativ, sjell një dimension poetik dhe ekzistencial të liqenit. Me pamje të ngadalta dhe të kuruara me kujdes, ai e paraqet liqenin si një kujtim të gjallë, një pasqyrë e vetëdijes njerëzore që flet për vazhdimësinë dhe delikatesën e jetës.

“Lyhnida – Liqeni i Dritës” synon të jetë një thirrje për të ndalur, për të parë dhe për të reflektuar se si  natyra nuk është vetëm sfond i jetës sonë, por pjesë e pandashme e identitetit, frymëzimit dhe të ardhmes. Përmes gjuhës së artit, ky projekt kërkon të ndërtojë ura të reja ndërmjet njeriut dhe natyrës, kujtesës dhe të sotmes, përjetësisë dhe përkohshmërisë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 5 gusht, çdo ditë nga ora 18:00 deri në 21:00, në Galerinë e Arteve Pogradec.

The post ‘Lyhnida – Liqeni i Dritës’/ Të reflektosh mbi natyrën nëpërmjet artit appeared first on Gazeta Si.

Të trajtosh traumat kolektive në Gaza

4 August 2025 at 10:36

Nga Mohammed Mhavish- Akhrasi, një psikiatër për fëmijë dhe adoleshentë, humbi shtëpinë e tij nga një goditje izraelite në fillim të vitit 2024. Ai dhe familja e tij janë zhvendosur disa herë, duke jetuar në tenda ku tenda e çadrës laget nga djersa e shumë njerëzve të shtypur në hapësira të ngushta. Nuk ka më një zyrë me mure të bardha, as nuk mban më një distinktiv. Por ai vazhdon punën, duke vizituar rreth pesëdhjetë pacientë në ditë, shumica fëmijë.

Një nga pacientet e tij të rregullta është një vajzë rreth katërmbëdhjetë vjeçare, që i mbijetoi një goditje e cila vrau  të gjithë familjen. U zgjua në një njësi të kujdesit intensiv, e vetme, pa e ditur ku kishin shkuar të tjerwt. Tani ulet përballë Akhrasit në heshtje, derisa e pyet, përsëri e përsëri, nëse mund t’i kthejë ata. Ai nuk ka përgjigje,  vetëm një laps të heshtur dhe një libër me bojëra, duke shpresuar se ajo do t’i përdorë për të shprehur dhe përpunuar emocionet.

Me sisteme thuajse të shkatërruara dhe burime pothuajse zero, profesionistë si Akhrasi mbështeten në pak mjetet që u kanë mbetur: mbështetje psikosociale, terapi njohëse tw sjelljes dhe strategji të improvizuara për përballim.

 Fëmijët mësojnë teknika frymëmarrjeje, rregullim emocional dhe mënyra për të përballuar mendimet mbytwse. Kur është e mundur, bashkëpunojnë me stafin mjekësor të mbingarkuar për të siguruar medikamente psikotrope për pacientë me depresion të rëndë, psikoza ose ide suicidale. Por, siç thotë Akhrasi, mbështetja profesionale është reduktuar në mesazhe zanore mes kolegësh që pyesin vetëm një gjë: “A është ende gjallë?”

Punonjësit shëndetësorë shpesh përjetojnë trauma të dyta,  një lloj dëmtimi emocional nga ekspozimi i vazhdueshëm ndaj dhimbjes së të tjerëve. Por nuk ka asgjë “të dytë” në traumën që përjetojnë specialistët e shëndetit mendor në Gaza.

 “Ne po përballemi, po vajtojmë, po mbijetojmë dhe po punojmë, të gjitha njëkohësisht,” thotw Akhrasi. “Nuk ka hapësirë për emocionet e mia. Ato qëndrojnë në kraharor si një gur.”

Jashtë sesioneve, ai kërkon ujë ose përpiqet të qetësojë prindërit e tij. Nuk ka kohë për të shkruar shënime, për të reflektuar, madje as për t’u thyer. “Ne përpiqemi t’i mbajmë të tjerët që të mos bien,” thotë ai. “Por edhe unë po bie, thjesht më qetësisht.”

Në Gaza, terapia është kthyer në një gjuhë të mbijetesës. Mbi gjashtëdhjetë mijë njerëz janë vrarë në më pak se dy vjet. Por pasojat e padukshme përfshijnë lagje të shkatërruara dhe komunitete të fshira nga harta. Të mbijetuarit përballen me uri, kolaps të shërbimeve shëndetësore dhe frikën e përditshme të ekzistencës.

Efekti te fëmijët është katastrofik. Në vitin 2024, UNICEF vlerësoi se pothuajse të gjithë 1.2 milion fëmijët e Gazës kanë nevojë për mbështetje të menjëhershme mendore dhe psikosociale. Shumë nuk flenë ose zgjohen duke bërtitur, të kapur fort pas të afërmve nga frika. Disa kanë humbur aftësinë për të folur, disa luajnë “sulmin ajror”, ose simulojnë vdekjen.

Deri në shkurt 2024, UNICEF vlerësoi se të paktën shtatëmbëdhjetë mijë fëmijë kishin mbetur të pashoqëruar ose të ndarë nga familjet. Deri në prill, Ministria e Shëndetësisë në Gaza kishte dokumentuar mbi dymbëdhjetë mijë fëmijë të lënduar,  një shifër që në vitin 2025 është rritur në pesëdhjetë mijë të vrarë ose të lënduar. Fëmijët e mbijetuar, të vetëm dhe të traumatizuar, janë jashtëzakonisht të pambrojtur psikologjikisht.

Kur një nga pacientët e Akhrasit bëhet suicidal, ai nuk ka ku ta dërgojë për trajtim. Shumica e spitaleve janë jashtë funksionit dhe strehëzat për shëndetin mendor janë shkatërruar. Ai mund vetëm të këshillojë një të afërm që të qëndrojë pranë fëmijës, pa gjumë gjatë gjithë natës. Në mëngjes, Akhrasi shkon sërish të kontrollojë. “Ka shumë fëmijë që kanë nevojë për trajtim në institucione, por ne nuk kemi as hapësirë, as staf,” më tha ai. “Dhe as kohë. Ne bëjmë vetëm ndihmë emergjente emocionale. Ne jemi linja e parë dhe e fundit.”

Ai përmend një djalë tetëvjeçar, i cili kishte qenë i lumtur, kurioz dhe energjik. Por pas humbjes së prindërve dhe dy motrave, fëmija refuzoi të fliste për ditë të tëra. Sytë i mbante gjithmonë ngulur mbi rërën poshtë këmbëve. Sillte lëndë të papërpunuar dhe i përqendrohej me orë, duke i grumbulluar dhe duke u dhënë formë. Kur në fund foli, i tha Akhrasit: “Unë po ndërtoj një shtëpi për ta. Një shtëpi nën tokë, që raketat të mos i gjejnë më.” Akhrasi më tregoi se si ky djalë tani nuk do të largohet më nga tendat, sepse beson se nëse do të largohet, “ata do të kthehen dhe nuk do ta gjejnë dot”.

“Ka qindra fëmijë të tillë,” tha ai. “Fëmijë që nuk luajnë më. Që nuk flasin. Që nuk i besojnë më askujt. Ata nuk janë më fëmijë. Janë shndërruar në hije.”

Një nga kolegët e tij është Amani, psikologe dhe këshilluese e fëmijëve, e zhvendosur në Rafah. Edhe ajo ka humbur shtëpinë dhe kolegët e saj. Asaj nuk i ka mbetur më asnjë kontenier apo dhomë për të zhvilluar sesionet. Fëmijët vijnë në një tendë të improvizuar, ku nuk ka as privatësi, as dritë, dhe shpesh as qetësi. “Ne jemi mësuar të dëgjojmë fëmijët. Tani, gjatë sesioneve, ne dëgjojmë zhurmën e dronëve dhe bombave,” tha ajo. “Dhe frikën e tyre e ndjejmë në trupin tonë.”

Amani shpesh takon fëmijë që i kanë humbur të dy prindërit. Ata nuk e shikojnë më në sy, nuk përgjigjen dhe qëndrojnë larg. Disa nuk flasin për javë të tëra. “Ata janë të ngrirë nga trauma,” thotë ajo. “Kjo është një formë e rëndë e reagimit traumatik.” Ajo përpiqet t’i ndihmojë të rikthehen në kontakt me realitetin përmes lojërave, artit, frymëmarrjes së thellë. Në një sesion me vajza që kishin humbur prindërit, njëra prej tyre filloi të qante dhe të bërtiste. Vajzat e tjera u bashkuan me të. “Ne i lamë të gjithë të qanin,” tha ajo. “Është më e shëndetshme sesa të mbetet brenda trupit, si një plagë që nuk shërohet kurrë.”

Por Amani e di që edhe ndërhyrja më e mirë nuk mjafton kur realiteti nuk ndryshon. Të flasësh për siguri, qetësi apo shpresë me fëmijë që nuk kanë ujë, ushqim, një vend të sigurt për të fjetur apo për të vajtuar të dashurit e humbur, është si të mbjellësh fara në shkretëtirë. “Fëmijët e dinë që bota nuk i mbron dot,” thotë ajo. “Prandaj ne përpiqemi të jemi pranë tyre ndonjëherë kjo është e vetmja mbrojtje që kanë.”

Përballë kësaj katastrofe, shumë profesionistë të shëndetit mendor janë detyruar të gjejnë mënyra të reja për të vazhduar. Disa përpiqen të krijojnë grupe mbështetjeje në kampe të strehimit, duke u ofruar prindërve udhëzime për të ndihmuar fëmijët e tyre të përballen me dhimbjen. Të tjerë përdorin teknologjinë në mënyrë të kufizuar, si mesazhe zanore ose rrjete sociale, për të ndarë këshilla praktike mbi përballimin e traumës kolektive.

Por vetë punonjësit e shëndetit mendor janë të rraskapitur. Ata nuk kanë më energji, hapësirë emocionale apo mbështetje për të përballuar atë që po jetojnë. Janë duke punuar të plagosur, të uritur, të dëshpëruar. “Ne nuk jemi më profesionistë që ndihmojmë të tjerët të shërohen,” tha një psikolog i ri. “Ne jemi dëshmitarë të fundit të një brezi që po zhduket.”

Disa punonjës shëndetësorë kanë humbur familjet e tyre, kolegët, apo janë plagosur vetë. Ata vazhdojnë të ofrojnë mbështetje jo sepse kanë fuqi, por sepse ndihen përgjegjës për ata që kanë mbetur. Është një formë e dhimbshme e rezistencës, një betejë për të ruajtur njerëzillëkun përballë shkatërrimit të plotë.

Në fund, ajo që mbetet nuk është thjesht trauma individuale apo dhimbja psikologjike. Është një plagë kolektive, një brez që rritet mes rrënojave, duke mbartur kujtimet e humbjes dhe frikës. “Nuk kemi më fjalë për të përshkruar atë që ndjejmë,” më tha një terapist. “Trauma është bërë mënyrë jetese.”

Dhe megjithatë, ata vazhdojnë. Çdo ditë, një grup i vogël njerëzish , pa zyra, pa mjete, pa siguri  përpiqen të krijojnë një fije lidhjeje, një ndjesi të përkohshme qetësie, një vend ku një fëmijë mund të qajë pa frikë. Sepse, edhe në errësirën më të thellë, ata e dinë se një akt i vogël kujdesi mund të mbajë një jetë të thyer nga shkatërrimi i plotë.

Burimi: The New Yorker

The post Të trajtosh traumat kolektive në Gaza appeared first on Gazeta Si.

Puthja e parë në historinë e artit

19 July 2025 at 16:07

Nga Gazeta “SI”- Piktura me afresk është një teknikë e pikturës murale, ku pigmentet me bazë uji aplikohen mbi një shtresë të hollë suvaje që është ende e lagësht.

Suvaja duhet të mbetet e lagësht gjatë kohës që piktori punon mbi të. Prandaj, ajo aplikohet vetëm në sipërfaqen që artisti parashikon të përfundojë brenda një dite pune.

Piktori duhet të punojë me siguri dhe shpejtësi, pasi kjo teknikë, ndryshe nga të tjerat, nuk lejon korrigjime të mëvonshme. Afresku është një traditë e lashtë e pikturës, por lidhet më së shumti me artin e Rilindjes Italiane.

Afreskët në Kapelën Scrovegni në Padova janë më të mirët që kanë mbijetuar nga Giotto dhe konsiderohen si kryevepra e tij më e madhe me afreske. Cikli përshkruan ngjarje nga jeta e Virgjëreshës Mari dhe e Krishtit.

Përpjekje për ruajtjen e kapelës

Në vitin 1880, qyteti i Padovës mori në pronësi Kapelën Scrovegni. Gjatë shekujve XIX dhe XX, afreskët janë restauruar disa herë. Që nga vitet 1970 e deri më sot, ndërtesa, cilësia e ajrit në të, faktorët ndotës dhe vetë afreskët janë studiuar dhe monitoruar me kujdes.

Në hyrje u ndërtua një sallë pritjeje e posaçme me kondicionim ajri. Kjo është një lloj “njësie dekontaminimi”, ku 25 vizitorë kalojnë 20 minuta duke ndjekur një video hyrëse mbi përmbajtjen dhe ruajtjen e Kapelës Scrovegni, përpara se të hyjnë brenda, për të shmangur dëmtimin e afreskëve. Brenda, vizitorët mund të admirojnë pikturat e brishta për 15 minuta, përpara se grupi tjetër të hyjë.

Giotto

Giotto di Bondone ishte një piktor italian i lindur rreth vitit 1267 në Toskanë. Ai punoi në mbarë Italinë, por kryesisht në Firence dhe konsiderohet si artisti i parë që u largua nga stili bizantin dhe iu afrua natyralizmit, duke krijuar ndjesinë e hapësirës që nuk është më e sheshtë.

 Ai pikturoi njerëz të vërtetë me fytyra të ndryshme dhe krijoi përshtypjen e thellësisë dhe objekteve tredimensionale. Për këtë arsye, Giotto konsiderohet edhe si “babai” i artit të Rilindjes.

Në vitin 1334, ai u emërua drejtues i punishtes së katedrales së Firences ,  një nder që deri atëherë u jepej vetëm skulptorëve dhe arkitektëve. Kur vdiq më 1337, Giotto ishte një artist i pasur, i famshëm dhe i suksesshëm.

Puthja

Afresku i Giottos “Takimi te Porta e Artë” paraqet momentin kur Joakimi dhe Ana sapo kanë marrë lajmin nga një engjëll se, pas shumë vitesh infertiliteti, do të kenë një fëmijë.

E gjithë skena zhvillohet në plan të parë. Figurave të thjeshta dhe të mëdha, të mbledhura ngushtë, u përshtatet një kompozim që pasqyron në mënyrë të përsosur emocionin e subjektit. Arkitektura e portës së madhe, me harkun e rrethuar në ar, krijon një kornizë të thjeshtë për ngjarjen.

Personazhet e Giottos shprehin ndjenja. Katër figura femërore shikojnë drejt çiftit të lumtur. Me kokat pak të anuara, ato i drejtojnë edhe vështrimin e shikuesit. Joakimi dhe Ana përkulen drejt njëri-tjetrit, përqafohen dhe puthen.

Në kontrast me këtë skenë të ngrohtë dhe emocionale, një grua e veshur me të zeza shikon e hutuar në një drejtim tjetër,  ndoshta një paralajmërim për ngjarjet e zymta që do të pasojnë.

Arti i Giottos duhet t’u jetë dukur thuajse i mrekullueshëm bashkëkohësve të tij, sepse format e tij ishin aq të gjalla sa mund të ngatërroheshin me realitetin. Edhe pse sot mund të na duken pak naive, në kohën e vet ishin revolucionare.

Në vitin 2021, Kapela Scrovegni u përfshi në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Burimi: “Daily Art Magazine”

The post Puthja e parë në historinë e artit appeared first on Gazeta Si.

Udhëtimi Sekret i Kodikëve të Beratit / Peripecitë e restauratorëve që udhëtuan drejt Kinës

19 July 2025 at 13:53

Nga Sokol Çunga – Sa kohë duhet për të udhëtuar nga Tirana në Pekin kur ke në dorë një çantë me dy kodikë mesjetarë që transportohen në fshehtësi, pa i deklaruar? Një udhëtim i tillë do të ngjante si skenar i denjë për ndonjë film të Agjentit 007, do të ishte i pagjasë ditëve të sotshme, por jo në motin e largët 1971.

“Nisja nga Tirana për në Kinë u bë më datën 18 mars 1971, bashkë me 30 shqiptarë, që edhe ata udhëtonin për në Kinë, duke ndjekur itinerarin Tiranë-Beograd. Këtu qëndruam vetëm një gjysmë ore, sa u furnizua avioni me karburant. Çanta nuk u lëshua asnjë çast nga dora. Nga Beogradi udhëtuam për në Budapest. Këtu fjetëm një natë në hotelin e aeroportit, meqë ishim tranzit. Këtu erdhën shokët e ambasadës sonë për t’u interesuar për fjetjen. Në hotel fjeta në një dhomë bashkë me një shok shqiptar.

Reshat Alia dhe Sanije Mara

Të nesërmen u nisëm përsëri me avion për në Moskë. Në aeroportin e Moskës qëndruam 8 orë. Në asnjë vend ku kalova nuk më kontrolluan dhe as dyshuan çfarë kisha brenda. Nga Moska u nisëm për në Omsk. Në aeroport qëndruam vetëm një gjysmë ore dhe përsëri udhëtojmë për Irkutsk, ku fjetëm një natë.

Të nesërmen u nisëm për në Pekin, ku mbërritëm më datën 21 mars në ora 11 paradite. Kishin dalë për të na pritur këshilltari i ambasadës tonë dhe shokë të Akademisë së Shkencave të RP të Kinës dhe të Institutit Arkeologjik, kryetari i degës së punëve të jashtme pranë Akademisë së Shkencave, përfaqësuesi i ushtrisë pranë Institutit Arkeologjik, përgjegjësi i Institutit Arkeologjik dhe punonjës shkencorë të tij, si dhe përkthyesi. Çantën me kodikët e dorëzuam në ambasadë për ta ruajtur.”

Teksti i mësipërm është raporti i arkivistëveit Reshat Alia, restaurator i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, i cili udhëtoi drejt Pekinit, bashkë me kolegen e tij, Sanije Mara, ngarkuar me detyrën e transportit dhe restaurimit të kodikëve Beratinus 1 dhe 2.

Të shumëpërmendurit kodikët të Beratit nr. 1 dhe nr. 2, ose të referuar edhe si Codex Beratinus Purpureus dhe Codex Aureus Anthimi, u zbuluan, pas një periudhe të gjatë fshehjeje, më 12 gusht 1968 në kishën katedrale të Fjetjes së Shën Marisë në Berat (sot Muzeu “Onufri”) dhe u morën në dorëzim nga oficerët e Degës së Punëve të Brendshme të Beratit.

Më 21 gusht të po atij viti kodikët iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave nga Ministria e Arsimit. Për shkak të dëmtimeve të mëdha që kishin pësuar, kodikët kishin nevojë të menjëhershme për restaurim, gjë e cila nuk ndodhi shpejt në kohë, por vetëm më 1971.

Restaurimi kaloi në disa procese. Procesi i parë ishte shkëputja e fletëve të ngjitura me njëra-tjetrën. Për këtë arsye u ndërtua një arkë prej xhami, u montua një aparat i thjeshtë për prodhimin e avullit dhe futjen e avullit brenda arkës. Në arkë u vendos një barometër, për të vëzhguar temperaturën dhe lagështinë, duke i lënë fletët në atë mjedis për 3 orë. Gjatë këtij procesi u bë dhe numërimi i fletëve.

Procesi i dytë ishte restaurimi dhe ngjitja e fletëve, të cilat ishin dëmtuar gjatë shkëputjes nga njëra-tjetra. Gjatë këtij procesi është bërë edhe pastrimi nga precipitimet e ujit, pluhurit dhe mykut. Më pas është bërë rrafshimi i fletëve, duke i futur ato mes dy xhamave organikë, dhe duke i vendosur nën pesha.

Procesi i tretë ishte mbyllja e fletëve në xhama organikë në mënyrë hermetike. Mbyllja është bërë brenda një balloni që nuk përmbante ajër, por vetëm azot dhe thynol të pastër. Në fund, xhamat që mbanin fletët e të dy kodikëve u vendosën në zarfe plastike dhe u lidhën në vëllime. 190 fletët e Beratinus 1 u vendosën në 9 vëllime, kurse 420 fletët e Beratinus 2 u vendosën në 21 vëllime.

Krahas restaurimit u bë edhe një punë e madhe, e kushtueshme financiarisht dhe mjaft e gjatë në kohë, për përgatitjen e kopjeve të dy kodikëve dhe të maketeve të tyre. Për të prodhuar kopjen e kodikut Beratinus 2, Instituti i Arkeologjisë së Kinës tërhoqi nga Banka Kombëtare e Pekinit 50 gram ar për shkrimin, si dhe u therën 119 kokë dhi për të prodhuar 420 fletët e pergamenës.

Më 6 nëntor 1971, 3 arkat në të cilët ishin vendosur kodikët edhe materialet e tjera, u ngarkuan në vaporin “Vlora” dhe u nisën për në Shqipëri. Vapori mbërriti në Portin e Durrësit më 31 dhjetor të atij viti. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave i mori në dorëzim arkat e kodikëve më 6 janar 1972, kur vapori “Vlora” u fut në Portin e Durrësit.

Më 15 janar 1972 në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave u zhvillua ceremonia e marrjes në dorëzim të kodikëve.

Të pranishëm në ceremoni ishin:

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Skënder Hajro, Këshilltari Ambasadës së R.P. të Kinës, Sia Sin Fën, dhe personaliteteve të shkencës:  prof. Androkli Kostallari, prof. Stefanaq Pollo, prof. Aleks Buda, prof. Gani Strazimiri, Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Marika Vogli, e të tjerë.

Prej asaj date, kodikët e restauruar ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror, në shërbim të publikut të specializuar dhe të përgjithshëm.

Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist shqiptar

The post Udhëtimi Sekret i Kodikëve të Beratit / Peripecitë e restauratorëve që udhëtuan drejt Kinës appeared first on Gazeta Si.

‘Lotët e krokodilit’, çfarë nënkupton shprehja alegorike për lotët e rremë

19 July 2025 at 11:34

Nga Gazeta “SI”– Shprehjen “qan me lot krokodili” me siguri e kemi dëgjuar të gjithë qoftë si një akuzë për emocione të shtirura, qoftë si një mënyrë për të treguar një pendesë të rreme. Por çfarë fshihet pas kësaj shprehjeje që rrënjët i ka në një nga krijesat më të frikshme të botës shtazore?

Origjina e saj është më e lashtë sesa mund të mendohet dhe, siç ndodh shpesh me metaforat e qëndrueshme, është një përzierje midis realitetit dhe legjendës. Ideja se krokodilët qajnë ndërsa hanë prenë e tyre buron nga besime të hershme, që më pas janë zhvilluar në simbolikë morale e madje edhe në gjuhën e mjekësisë moderne.

Nga pikëpamja biologjike, ekziston një shpjegim për këtë sjellje të çuditshme. Krokodilët kanë gjëndra pranë syve, të cilat ndihmojnë në mbajtjen e syve të lagësht dhe në eliminimin e kripërave të tepërta. Gjatë procesit të të ushqyerit i cili përfshin një përpjekje të madhe muskulare dhe gojë të hapur për një kohë të gjatë  këto gjëndra mund të shtypen dhe të çlirojnë lëngje që ngjasojnë me lotët. Studime të mëvonshme, si ai i vitit 2006 i neurologut Malcolm Shaner dhe biologut Kent Vliet, kanë vëzhguar këtë fenomen tek aligatorët dhe caimanët, duke përforcuar idenë se “lotët” janë thjesht një reagim fiziologjik ndaj mënyrës së të ushqyerit.

E megjithatë, që nga Mesjeta, njerëzimi i ka dhënë një domethënie tjetër këtyre lotëve. Për herë të parë, shprehja “lotët e krokodilit” është përhapur në tregimet e Sir John Mandeville në shekullin XIV. Në to, përshkruhet një krokodil që qan teksa ha një njeri  një përfytyrim grotesk, por që mbante ngarkesë të thellë morale.

Kjo alegori u përqafua gjerësisht në letërsinë klasike. William Shakespeare e përdori shpesh si metaforë për hipokrizinë dhe mashtrimin emocional. Në “Othello”, në “Henry VI” dhe “Antony and Cleopatra”, krokodili shfaqet si simbol i pendesës së rreme. Një tjetër autor i njohur, Edmund Spenser, e përshkruan këtë krijesë si “dinak mizor”, që përdor lotët për të fshehur dredhitë.

Në vijim të kësaj tradite simbolike, figura e “lotëve të krokodilit” është përdorur për të stigmatizuar veçanërisht gratë, të cilat në rrëfimet moralizuese paraqiten si përdoruese të holla të emocioneve të rreme për të manipuluar burrat dhe realitetin. Kjo përplasje mes dhimbjes së dukshme dhe qëllimit të fshehur e bëri shprehjen të depërtojë thellë në gjuhën dhe kulturën popullore.

Madje, kjo shprehje ka gjetur vend edhe në mjekësi. “Sindroma e lotëve të krokodilit”, ose simptoma Bogorad, përshkruan një gjendje neurologjike ku një person derdh lot kur ha. E identifikuar për herë të parë në vitin 1926 nga neurologu rus F.A. Bogorad, kjo sindromë është pasojë e një dëmtimi të nervit të fytyrës, që bën që sinjalet e gjëndrave të pështymës të ngatërrohen me ato të gjëndrave lotsjellëse.

Sipas studiuesit Adam Britton, ndonëse është e vështirë të përcaktosh saktësisht prej nga buron miti i “lotëve të krokodilit”, është e lehtë të kuptosh pse ai është bërë kaq i përhapur: “Për një krijesë kaq të pamëshirshme, lotët mbi viktimën e saj janë një ironi e paharrueshme”, shkruan ai. Ironi që ka shërbyer si burim frymëzimi për shekuj me radhë në letërsi, në filozofi morale, në folklor dhe tashmë edhe në terminologjinë mjekësore.

The post ‘Lotët e krokodilit’, çfarë nënkupton shprehja alegorike për lotët e rremë appeared first on Gazeta Si.

❌
❌