‘Under’, restoranti nën det që po e bën Norvegjinë destinacion gastronomik

Në bregdetin e ashpër të jugut norvegjez, ku deti Skagerrak përplas dallgët mbi shkëmbinj, një strukturë betoni shfaqet si një portë misterioze për në botën e heshtur nën ujë. Ky është “Under”, restoranti i parë nënujore në Evropë dhe njëkohësisht më i madhi i këtij lloji në botë. I hapur në vitin 2019 në Båly të Lindesnes, ky destinacion unik ka transformuar jo vetëm mënyrën se si përjetohet gastronomia, por edhe vetë lidhjen mes njeriut dhe natyrës detare.
Projektuar nga studioja e famshme arkitekturore norvegjeze Snøhetta, “Under” është një skulpturë funksionale e zhytur rreth 5 metra nën sipërfaqen e detit. Me një dritare panoramike prej 11 metra gjerësi, vizitorët shijojnë një spektakël të vërtetë natyre: peshq që lëvizin ngadalë, algat që valëviten dhe një botë detare që rrallë shihet nga afër. Fasada e betonit është projektuar të shërbejë si “breg artificial”, duke tërhequr gjallesa detare dhe duke përmirësuar biodiversitetin e zonës.
Në kuzhinën e “Under” mbretëron shefi danez Nicolai Ellitsgaard, i cili sjell një menu degustimi prej 18 deri në 22 pjata që ndryshojnë sipas stinëve. Kraba e egër, algat, molusqet dhe barishtet detare janë vetëm disa nga përbërësit e zgjedhur me kujdes nga brigjet e Norvegjisë. Vetëm një vit pas hapjes, restoranti fitoi një yll prestigjioz Michelin, duke e pozicionuar si një prej destinacioneve më të kërkuara të gastronomisë skandinave./KultPlus.com
