Ndre Mjeda (20 nëntor 1866 – 1 gusht 1937) ishte një filolog, poet, prift, rilindas, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar i periudhës së Rilindjes Kombëtare.
Në formimin dhe krijimtarinë e tij letrare, Mjeda u ndikua nga shkrimtari jezuit Anton Xanoni dhe poeti françeskan Leonardo De Martino.
Në përvjetorin e 88-të të ndarjes së tij nga jeta, kujtojmë Ndre Mjedën si një nga zërat më të rafinuar të poezisë shqipe dhe një figurë të përkushtuar në përpjekjet për zhvillimin e gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar. Vepra e tij mbetet një pasuri e çmuar në historinë kulturore të Shqipërisë.
Në vijim KultPlus sjell disa nga pjesët e poemës më të njohur të Ndre Mjedës, “Andrra e jetës”:
Trina
I
Molla t’kputuna nji deget,
dy qershia lidhë n’nji rrfanë,
ku fillojnë kufijt’ e Geget,
rrijnë dy çika me nji nanë.
Kreskë e bre perzie me lisa
rriten rrotull, me çetinë,
plepa t’but’ e qiparisa
mbëlojnë e veshin at’ ledinë.
S’ushton mali prej baktie,
s’fryn murrlani me duhi;
paq i kthelltë prej perendie,
paq prej njerit e qeti.
Gurra e lugut veç ushtonte
si lahutë me kangë kreshnike;
e ndër pemë bylbyli këndonte
valle dasmet e fisnike.
Ngreh, bylbyl, n’at’ hije valle,
ushto, gurrë trimneshë, n’shkambije;
bulk i natës kungallë, qi talle
nëpër gemba e për lamie,
këndoni, këndoni. Veç prej stanit
t’ardhmen Trina mbramje n’shpi,
tue blegrue nji kij mbas zanit
t’deles nanë keni me ndi.
Veç prej plehut gjel-kokoti
me njat za që s’nd’rron kurr-herë,
ka me gjegjë se a tue ndërrue moti
se a tue çue nji tjetër erë.
Zoga
III
Vijnë dallëndyshat porsi era
përte’ det te çerdhja e vet;
vijnë bylbylat ku pranvera
n’pyje t’veshuna po i thrret.
Se qe pemët kan’ endun lulet,
e u vesh fusha me blerim;
lehtas prroni malit ulet
da prej borës që i nep ushqim.
E, i dish’ruem, bje për fushore
me rritë bimën për gjith’ vend,
ku ‘j erë akullit mizore
kishte hupë lul’zim e shend.
Edhe ti prej asaj që t’rriti
daju, vash’, e mos vajto;
me nji veshë, që kurr s’ta shndriti
paras, shtatin hijesho.
Bashkë me lule len dashtnija,
me kangë t’shpendit që galdon;
e pranverës bukuria
bashkë prej gjumit t’tan’ i zgjon.
Del, o bij’, prej shpisë sate,
del prei t’vorfënit katund;
njajo flakë që n’zemër pate
do t’përvjellin tjetërkund.
T’pret nji zemër flak’ e shkëndija,
pret me tanden m’u ba nji;
sa jetë t’apin Perëndia
mos m’u damun kurr prej ‘si.
T’lypë nji bes’ e ta nep t’ndershme
dora e unazaqë t’ven n’gisht;
e ndërmjet pr’at besë t’gjithhershme
a dorzan’ i lumi Krisht.
Sogjetarë, porsi furia
e nji rrfes’ që qetat shpon,
janë të qiellit nalt ushtria
e n’dorë shpata iu veton.
E din idhun regj Davidi,
e dinë lott që pa pra qet,
kur sheh morten se kositi
an’ e mb’an krajlninë e vet.
Lokja
II
U shty vjeshta e krisantemi
vetun vorreve lul’zon;
landët e pyje, gjith’ ku kemi,
tue fry veri po i cungon.
Nd’rron prej dimnit landa veshën,
e lëshon gjeth’t qe para pat;
e, për mëshirë, duhitë qi ndeshen,
ia çojnë t’vorfnit me i ba shtrat.
Binte bor’ e frynte veri
tue çue akull për gjith’ vis;
nalt orteku ushton për mneri
tue fundue çetin’ e lis.
Me dy cokla n’votër plaka
rri gjith’ natën e vajton;
rri me duer kah ndezet flaka
porsi njeri kur uron.
E shikjon nji dritë t’venitun,
vron pasqyrën e jetës s’vet:
e larg morten tue kositun
e kujton e pran’ e thrret.
E ndie ‘j frymë përmbrenda shpie
porsi erë qe vjen pa shkas;
e, n’at muzg, nji vegim hije
Lokes n’votër leht’ iu qas;
përmbi plakën krahët i uli
e ngryk t’shuemen e shtrëngoi;
buzët t’shpulpueme n’ball’ ia nguli;
u ndal drita e ajo mbaroi./KultPlus.com