Presidentja e Moldavisë thotë se Rusia po përgatit një “ndërhyrje të paprecedentë” në zgjedhjet e vjeshtës, Kremlini mohon
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, tha pas mbledhjes së Këshillit Suprem të Sigurisë më 30 korrik se Rusia synon të “kontrollojë” Moldavinë duke ndërhyrë në zgjedhjet parlamentare të 28 shtatorit. Ajo paralajmëroi se Moska po përgatit mjete politike për të ndikuar rezultatin dhe për të fituar shumicën në Parlamentin e ri. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u përgjigj shkurt se “Rusia nuk ndërhyn në punët e asnjë vendi”.
Në konferencën për media pas mbledhjes së këshillit, shefja e shtetit deklaroi se Kremlini do të përdorë disa “instrumente politike” për të rritur gjasat e tij për të siguruar shumicën në Parlamentin e Kishinievit, pas zgjedhjeve parlamentare të 28 shtatorit.
Ajo tha se këto janë të grupuara në të ashtuquajturin “rrymë sovraniste”, e cila promovon “një alternativë zhvillimi për Moldavinë”, së bashku me euroskepticizmin.
Ajo përmendi gjithashtu “rrymën populiste-agresive” të grupit kriminal Shor, e cila përdor skema për blerje votash, rekruton persona të dhunshëm për protesta të paguara kundër qeverisë dhe përfshin grupe të krimit të organizuar për të vandalizuar institucione shtetërore.
Presidentja tha se një nga objektivat është edhe ulja e pjesëmarrjes së diasporës në votime, përmes provokimeve dhe korrupsionit zgjedhor.
Autoritetet planifikojnë të hapin një numër rekord prej gati 300 qendrash votimi jashtë vendit.