Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 4 August 2025Main stream

GAZË – Të paktën 10 të vrarë pas sulmeve izraelite pranë qendrave të shpërndarjes së ndihmave

4 August 2025 at 07:34

GAZË, 4 gusht /ATSH/-Forcat izraelite hapën zjarr pranë dy vendeve të shpërndarjes së ndihmave të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës i mbështetur nga Izraeli, ndërsa turma palestinezësh të uritur kërkonin ushqim, duke vrarë të paktën 10 persona, thanë dje në mbrëmje punonjësit shëndetësorë – një ditë pasi zyrtarët amerikanë vizituan Fondacionin Humanitar të Gazës, sipas AP.

Ka kaluar gati një javë që kur Izraeli, nën presionin ndërkombëtar mes krizës së urisë në Gazë, njoftoi pauza të kufizuara humanitare dhe dërgesa nga ajri që synonin të sillnin më shumë ushqim për mbi 2 milionë banorët, pas rreth 22 muajsh lufte.

Por Kombet e Bashkuara, partnerët dhe palestinezët thanë se po dërgohen shumë pak ndihma – ndersa furnizime të grumbulluara jashtë Gazës presin miratimin e Izraelit.

Banorë të dëshpëruar dhe grupe kriminale nxjerrin me forcë furnizimet nga kamionët që hyjnë në zonën e ndihmës – përpara se të mbërrijnë në depo për shpërndarje.

Ekspertët këtë javë thanë se “skenari më i keq i zisë” po ndodhte në enklavën e rrethuar.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës thadje se shtatë palestinezë të tjerë kishin vdekur nga shkaqe të lidhura me kequshqyerjen gjatë 24 orëve të fundit, përfshirë një fëmijë.

Ndihma është “larg të qenit e mjaftueshme”, tha qeveria gjermane nëpërmjet zëdhënësit, Stefan Kornelius. //a.i/

The post GAZË – Të paktën 10 të vrarë pas sulmeve izraelite pranë qendrave të shpërndarjes së ndihmave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 3 August 2025Main stream

BRAZIL – Lula i hapur për dialog me Trump për tarifat amerikane

3 August 2025 at 18:49

BRAZILIA, 3 gusht /ATSH-ANSA/- Presidenti Brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva përsëriti dje në mbrëmje në një postim në rrjete sociale se ai mbetet i hapur për dialog me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne gjithmonë kemi qenë të hapur për dialog. Ata që përcaktojnë fatin e Brazilit janë brazilianët dhe institucionet e tyre”, tha presidenti brazilian duke rikonfirmuar qëndrimin e tij diplomatik.

“Tani për tani, ne po punojmë për të mbrojtur ekonominë, kompanitë dhe punonjësit tanë, dhe për t’iu përgjigjur tarifave të qeverisë amerikane”, shtoi ai.

Më herët, presidenti amerikan Donald Trump tha se presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva mund ta telefononte atë në çdo kohë – për të diskutuar tarifat dhe mosmarrëveshjet e tjera midis vendeve.

“Presidenti Lula mund të flasë me mua kurdo që të dëshirojë”, tha dje Trump duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë.

“Unë e dua popullin brazilian, por njerëzit që drejtojnë Brazilin bënë gjënë e gabuar”, shtoi presidenti amerikan.

Të mërkurën e kaluar, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që vendoste një tarifë prej 50% për produktet braziliane, duke argumentuar se praktikat e administratës Lula do të dëmtonin kompanitë amerikane, do të shkelnin lirinë e shprehjes dhe do të ndikonin në interesat strategjike të SHBA-së”. //a.i/

The post BRAZIL – Lula i hapur për dialog me Trump për tarifat amerikane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RIAD – Arabia Saudite ekzekuton tetë dënime me vdekje brenda një dite të vetme

3 August 2025 at 18:46

RIAD, 3 gusht /ATSH/- Arabia Saudite ekzekutoi tetë persona brenda një dite të vetme, sipas raporteve të medias shtetërore, ndërsa përdorimi i dënimit me vdekje rritet në monarkinë e Gjirit, veçanërisht për veprat penale që lidhen me drogën, sipas Skytg24.

Agjencia zyrtare e Shtypit Saudite (SPA) raportoi se katër somalezë dhe tre etiopianë u ekzekutuan dje në rajonin jugor të Najranit – të akuzuar për kontrabandë hashashi në mbretëri.

Një saudit u ekzekutua gjithashtu për vrasjen e nënës së tij.

Që nga fillimi i vitit 2025, Arabia Saudite ka ekzekutuar 230 persona, sipas AFP, bazuar në raportet zyrtare.

Nga këta, 154 u ekzekutuan për vepra penale që lidhen me drogën.

Në vitin 2024, mbretëria kreu 338 ekzekutime, një rekord që ka të ngjarë të tejkalohet sërish këtë vit.

Analistët e lidhin këtë rritje me “luftën kundër drogës” të mbretërisë të nisur në vitin 2023, me procedurat ligjore kundër të arrestuarve që tani janë drejt përfundimit. //a.i/

The post RIAD – Arabia Saudite ekzekuton tetë dënime me vdekje brenda një dite të vetme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SIDNEJ – Dhjetëra mijëra njerëz marshojnë duke kërkuar paqe dhe ndihmë në Gazë

3 August 2025 at 17:46

SIDNEJ, 3 gusht /ATSH/- Dhjetëra mijëra njerëz marshuan në Urën e Portit në shi, në Sidnej -duke kërkuar paqe dhe që ndihma humanitare të lejohet në Gaza, ndërsa kriza e urisë në enklavë thellohet, sipas CNN.

Protesta, e mbështetur nga figura të shquara si Julian Assange, përkon me rritjen e presionit diplomatik ndërkombëtar mbi Izraelin.

Policia tha se në protestë morën pjesë 90 000 persona, shumë më tepër se vlerësimi fillestar prej 10 000 nga organizatori para demonstratës.

Australia ka qenë nën presion në rritje për të njohur shtetësinë palestineze, pasi Franca, Kanadaja dhe Britania e Madhe njoftuan se do ta shqyrtonin atë me disa kushte – në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara – që do të mbahet në shtator. // a.i/

The post SIDNEJ – Dhjetëra mijëra njerëz marshojnë duke kërkuar paqe dhe ndihmë në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Dhjetëra mijëra izraelitë protestojnë pasi militantët e Gazës publikuan video që tregonin robër të dobësuar

3 August 2025 at 17:32

TEL AVIV, 3 gusht /ATSH/- Dhjetëra mijëra protestues u bashkuan në një tubim në Tel Aviv dje në mbrëmje për të kërkuar lirimin e pengjeve që mbahen ende në Gaza, pas publikimit të videove propagandistike që tregonin dy robër izraelitë të dobësuar, sipas CNN.

Videot e publikuara nga grupet militante Hamas dhe Xhihadi Islamik Palestinez këtë javë treguan pengjet izraelite, Evyatar David dhe Rom Braslavski në një gjendje të rëndë fizike.

Në një video, David – jashtëzakonisht i dobët – shfaqet duke hapur një gropë për atë që ai e quan varrin e tij.

Pjesëmarrësit në tubim – disa prej të cilëve mbanin pankarta që shkruanin “Ndalojeni luftën” dhe “Mos lini askënd pas” – panë një pjesë të videos me David- që ishte projektuar në një ekran të madh pasi familja e tij dha leje që të shikohej.

Ata janë midis 50 pengjeve që mbeten në territor, të paktën 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.

Në atë që ka të ngjarë të jetë një përpjekje për të ushtruar presion mbi autoritetet izraelite, grupet militante publikuan videot ndërsa bisedimet për armëpushim kanë ngecur dhe ndërsa palestinezët përballen me një krizë në rritje të urisë në enklavë.

Zyrtarët e shëndetësisë thonë se 13 persona kanë vdekur nga kequshqyerja në 48 orët e fundit, përfshirë një fëmijë, duke e çuar numrin total të të vdekurve nga uria që nga fillimi i konfliktit në vitin 2023 në 175.

Në tubim, Ofir Braslavski, babai i Rom, tha se nuk e njohu të birin kur e pa për herë të parë.

“Romi im është i uritur për bukë, i etur për ujë, i sëmurë, i thyer fizikisht dhe i shkatërruar mendërisht. Fëmija im po vdes!” tha ai.

“Ju drejtohem juve, kryeministrit Izraelit, Benjamin Netanyahu: Mjaft! Qasja me faza ndaj marrëveshjeve ka dështuar”.

“Merrni vendimin që tani – përfundoni luftën dhe sillini të gjithë këtu. Pengjet, ushtarët e rënë, luftëtarët, rezervistët dhe ata të zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Ne duam të rehabilitohemi, të kthehemi në jetë, të marrim frymë”, shtoi ai. //a.i/

The post TEL AVIV – Dhjetëra mijëra izraelitë protestojnë pasi militantët e Gazës publikuan video që tregonin robër të dobësuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Tymi nga zjarret në Kanada ndot ajrin në rajonin veri-qendror të SHBA-së

3 August 2025 at 17:19
NJU JORK, 3 gusht /ATSH/- Tymi nga zjarret e Kanadasë u përhap dje mbi disa shtete (Midwestern) të vendosura në rajonin veri-qendror të SHBA-së, duke sjellë paralajmërime për ajër të pashëndetshëm për të tretën ditë radhazi, sipas AP.
Alarmet për cilësinë e ajrit ishin në fuqi në Iowa, Minesota, Wisconsin dhe Miçigan, si dhe në Nebraskën lindore dhe pjesë të Indiana-s dhe Illinois-it.
Parashikuesit e motit thanë se qielli me tym do të mbetej për pjesën më të madhe të ditës.
Njerëzit me sëmundje të mushkërive, sëmundje të zemrës, fëmijët, të moshuarit dhe gratë shtatzëna janë më të ndjeshëm ndaj kushteve të këqija të frymëmarrjes.
Zyrtarët kanadezë të mjedisit thanë se tymi nga zjarret në pyje që po shkaktonte dukshmëri të reduktuar dhe cilësi të dobët do të vazhdonte deri të dielën në disa zona.
Baza e monitorimit të cilësisë së ajrit IQAir me qendër në Zvicër, e cila vlerëson cilësinë e ajrit në kohë reale, e listoi qytetin e Mineapolis-it si një nga vendet me ajrin më të ndotur në botë që nga e premtja.
Indeksi i Cilësisë së Ajrit (AQI) pritet të arrijë kategorinë e kuqe ose të pashëndetshme në një pjesë të madhe të Minesotës.
AQI është një sistem i përdorur për të monitoruar ndotjen e ajrit.
Tymi mund të fillojë të bjerë përpara se të përhapet deri në jug, në Tenesi dhe Misuri.
“Ajri mund të mbetet i pashëndetshëm për grupet e ndjeshme deri të hënën”, thanë zyrtarët e shëndetit. //a.i/

The post FOKUS – Tymi nga zjarret në Kanada ndot ajrin në rajonin veri-qendror të SHBA-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qentë dhe macet pa “pasaportë”do të ndalohen të hyjnë në këto vende…

3 August 2025 at 16:33

NJU JORK, 3 gusht /ATSH/- Eksplorimi i botës me një kafshë shtëpiake mund të jetë një përvojë e paharrueshme.

Megjithatë, udhëtarët duhet të shqyrtojnë me kujdes rregulloret lokale dhe të huaja përpara se të hipin në avion me kafshët e tyre shtëpiake.
Ekzistojnë një sërë rregulloresh dhe kërkesash për dokumentacion, shpesh të quajtura “pasaporta të kafshëve shtëpiake”, kur udhëtojnë në nivel ndërkombëtar, madje edhe brenda SHBA-së, sipas “Travel + Leisure”.

Udhëtimi brenda SHBA-së

Udhëtimi me makinë ose me linjë ajrore përtej kufijve shtetërorë mund të kërkojë dokumentacion shtesë dhe implikime ligjore për kafshët shtëpiake dhe pronarët e tyre.

Ndërsa një “pasaportë kafshësh shtëpiake” nuk kërkohet shprehimisht, disa shtete kërkojnë një certifikatë shëndetësore nga një veteriner i licensuar.

Udhëtimi me kafshë shtëpiake në Evropë nga SHBA-ja

“Udhëtarët që shkojnë nga SHBA-ja në Bashkimitn Evropian me kafshë shtëpiake (si Franca ose Italia) duhet të marrin dokumentacion që verifikon shëndetin e kafshës shtëpiake, duke përfshirë vaksinimin kundër tërbimit dhe sëmundjeve të tjera, së bashku me informacionin e identitetit”, tha Komisioni Evropian.

Për udhëtarët brenda SHBA-së, këto mund të merren përmes veterinerëve të autorizuar.

Certifikata duhet të datohet jo më shumë se dhjetë ditë para hyrjes në BE dhe ka një jetëgjatësi prej katër muajsh.

Gjithashtu, nevojitet një deklaratë që sqaron se hyrja e kafshës shtëpiake në BE është vetëm për qëllime “jo-komerciale” dhe jo për një arsye tregtare, si shitja te një pronar tjetër.

Udhëtimi me linja ajrore me kafshë shtëpiake

Linjat ajrore kanë politika dhe procedura të dedikuara kur udhëtojnë brenda ose jashtë vendit me një kafshë shtëpiake të çertifikuar.
Ato mund të kërkojnë dokumentacion mbi shëndetin, sjelljen dhe trajnimin e kafshës. //a.i/

The post Qentë dhe macet pa “pasaportë”do të ndalohen të hyjnë në këto vende… appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROMË – Papa Leone XIV feston Jubileun me mbi 1 milion besimtarë të rinj

3 August 2025 at 16:16

ROMË, 3 gusht /ATSH-DPA/ – Mbi 1 milion njerëz i janë bashkuar Papa Leone XIV për Meshën e Jubileut Botëror të të Rinjve, në Romë.

Të rinj nga 146 vende festuan sot me Papa Leone XIV në Meshën përmbyllëse të Jubileut Botëror të të Rinjve, në Universitetin Tor Vergata të Romës.

Vatikani e vlerësoi numrin e të rinjve që morën pjesë në këtë ngjarje në më shumë se një milion, bazuar në vlerësimet zyrtare.

“Aspironi për gjëra të mëdha, për shenjtëri, kudo që të jeni. Mos u kënaqni me më pak. Atëherë do ta shihni dritën e Ungjillit duke u rritur çdo ditë, brenda jush dhe përreth jush”, tha Papa Leone.

Takimi i të rinjve shihet si ngjarja qendrore në Vitin e Jubileut, në fushat sportive Tor Vergata në juglindje të kryeqytetit italian.

Ngjarja u mbajt në Tor Vergata edhe në vitin 2000, kur Gjon Pali II ishte Papë.

Eventi ishte më i madhi deri më sot gjatë papatit të Papës së parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në moshën 69-vjeçare, Papa Leo ne është dukshëm më i ri se shumë nga paraardhësit e tij.

Gjatë vigjiljes së mbrëmjes së djeshme, Papa Leone iu përgjigj pyetjeve të të rinjtë, duke treguar rrjedhshmëri në spanjisht, italisht dhe anglisht – për miqësinë në epokën e medieve sociale. //a.i/

The post ROMË – Papa Leone XIV feston Jubileun me mbi 1 milion besimtarë të rinj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Katër të arrestuar pas skandalit të ryshfeteve në kontratat e prodhuesit të dronëve

3 August 2025 at 15:10

KIEV, 3 gusht /ATSH-DPA/- Ukraina ka kryer katër arrestime pas zbulimit të një skandali të ri ryshfeti që përfshin kontratat e prodhuesve të dronëve, të cilat thuhet se u nënshkruan me çmime shumë të larta, duke dëmtuar financat e vendit.

Ky debat vjen disa ditë pasi presidenti Volodymyr Zelensky ndryshoi drejtim për një projektligj të profilit të lartë në lidhje me pavarësinë e zyrës antikorrupsion të vendit.

Autoritetet në Kiev raportuan dje arrestimet dhe thanë se një nga të dyshuarit ishte Oleksii Kuznetsov, një anëtar i parlamentit nga partia e Zelensky, “Shërbëtori i Popullit”.

Partia tha se anëtarësimi i Kuznetsov është pezulluar për shkak të hetimit.

Akuzat nga aktivistët kundër korrupsionit synojnë gjithashtu nëpunësit civilë në nivel bashkiak dhe anëtarët e Gardës Kombëtare.

Ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko njoftoi se personel me uniformë përfshirë është pezulluar gjithashtu nga detyra.

Të arrestuarit dyshohet se kanë nënshkruar kontrata për blerjen e dronëve me çmime “të fryra” dhe më pas kanë futur në xhep 30% të ryshfetit.

Aktivistët kundër korrupsionit publikuan gjithashtu foto të pakove me para të gatshme. Megjithatë, ende nuk është dhënë asnjë informacion mbi dëmin total financiar në buxhetin e shtetit.

Skandalet e korrupsionit në marrëveshjet e armëve kanë dalë në pah vazhdimisht në Ukrainë, e cila është duke u mbrojtur nga një pushtim i plotë rus për më shumë se tre vjet. //a.i/

The post UKRAINË – Katër të arrestuar pas skandalit të ryshfeteve në kontratat e prodhuesit të dronëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump shkarkon shefen kryesore për të dhënat ekonomike, Erika McEntarfer

3 August 2025 at 14:14

UASHINGTON, 3 gusht /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shkarkuar shefen e njërit prej institucioneve më të rëndësishme ekonomike të Amerikës, Erika McEntarfer disa orë pasi të dhënat e punësimit – më të dobëta se sa pritej – shkaktuan alarm të mëtejshëm në lidhje me politikën e tij tarifore, sipas BBC.

Në rrjetet sociale, Trump pretendoi se Erika McEntarfer, komisionere e Byrosë së Statistikave të Punës (BLS), kishte “manipuluar” shifrat e punësimit për t’i bërë republikanët dhe SHBA-në të dukeshin keq.

Lëvizja e paprecedentë e Shtëpise së Bardhë shkaktoi akuza se Trump po politizonte të dhënat ekonomike.

Tregjet e aksioneve amerikane u tronditën të premten pasi Trump, vazhdoi me planet e tij për të rritur tarifat e importit për mallrat nga vendet e botës.

Shifrat u publikuan nga BLS duke treguar se punëdhënësit në SHBA shtuan vetëm 73,000 vende pune në korrik, shumë më poshtë se parashikimet për 109,000 vende të reja pune.

Agjencia gjithashtu rishikoi rritjen e punësimit në rënie në maj dhe qershor, duke raportuar 250,000 vende pune më pak sesa mendohej më parë.

Ky ishte rishikimi më i madh në rënie në shifrat e punësimit – përveç epokës së Covid-it – që nga viti 1979.

Megjithatë, nuk është e pazakontë që BLS të ndryshojë shifrat e punësimit ndërsa dalin në dritë më shumë të dhëna.

Gjatë presidencës së Joe Biden, statistikat për 12 muaj gjatë viteve 2023-2024 u rishikuan në mënyrë retroaktive në rënie me 818,000 vende pune.

Edhe pse ndryshimet e këtij muaji ishin shumë më të mëdha se zakonisht, analistët thanë se përditësimet ishin në përputhje me të dhënat e tjera që tregonin një ngadalësim.

Heather Long, kryeekonomiste në Unionin Federal të Kreditit të Marinës, tha se shifrat e punësimit ishin një “ndryshues i lojës”, duke shtuar se tregu i punës po përkeqësohej shpejt për shkak të pasigurisë së shkaktuar nga tarifat e Trump. //a.

The post SHBA – Trump shkarkon shefen kryesore për të dhënat ekonomike, Erika McEntarfer appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Foshnja më e vjetër” në botë lindi në SHBA nga një embrion i ngrirë në vitin 1994

3 August 2025 at 13:21

LONDËR, 3 gusht /ATSH/- Thaddeus Daniel Pierce – emri i të porsalindurit – lindi pasi embrioni, i ngrirë 31 vjet më parë, u vendos në nëntor në mitrën e Lindsey. Lindsey jeton në Ohajo me partnerin e saj, Tim Pierce, sipas “Sky News”.

Foshnja lindi më 26 korrik. Nëna dhe babai biologjikë i fëmijës iu nënshtruan trajtimit të fekondimit in vitro në vitet 1990.

Ata krijuan katër embrione të shëndetshme, por nëna, Linda Archerd, transferoi vetëm një, i cili u bë motra biologjike e Thaddeus, tani 30 vjeç.

Tre embrionet e tjera u ngrinë me shpresën se një ditë do të kishin një fëmijë tjetër.

Por, më pas Linda dhe bashkëshorti i saj u ndanë, dhe kur ajo arriti në menopauzë, vendosi të rivlerësonte të ardhmen e embrioneve, duke vendosur të mos ia dhuronte ato shkencës ose një çifti anonim.

Në vend të kësaj, ajo zgjodhi “adoptimin e embrioneve”, gjë që i lejoi asaj të kishte të drejtën për të vendosur në lidhje me prindërit e ardhshëm, me procesin e mbikëqyrur nga një agjenci fetare.

“Nightlight Christian Adoptions” mori përsipër embrionet dhe ua besoi ato Lindsey dhe Tim Pierce, të cilët përmbushnin kriteret që kishte caktuar Linda – një çift i martuar i krishterë kaukazian. //a.i/

The post “Foshnja më e vjetër” në botë lindi në SHBA nga një embrion i ngrirë në vitin 1994 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Autoritetet amerikane hetojnë ish-prokurorin e Trump, Jack Smith

3 August 2025 at 12:27

UASHINGTON, 3 gusht / ATSH/- Prokurori amerikan Jack Smith, i njohur për ngritjen e aktakuzave ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale të Hagës, po përballet me një hetim zyrtar në SHBA, sipas “The New York Post”.

Ndërsa “Associated Press”, “NBC News” dhe media të tjera amerikane raportuan se hetimi po zhvillohet nga Zyra e Këshilltarit të Posaçëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo agjenci federale e pavarur ka hapur hetimin ndaj Smith bazuar në “Aktin Hatch”, ligjin federal që ndalon përfshirjen e zyrtarëve në veprimtari politike, për akuzat e përdorimit të detyrës në mënyrë të paligjshme gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024.

Smith, i emëruar nga Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland në nëntor 2022, drejtoi dy çështje kundër Donald Trump: për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara dhe për rolin në ngjarjet e 6 janarit 2021.

Të dyja rastet janë rrëzuar nga gjykatat pas rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Senatori republikan, Tom Cotton ka qenë ndër zërat kryesorë që ka kërkuar nisjen e hetimit.

Ai e ka cilësuar veprimin e Smith si “abuzim të pastër me pushtetin” dhe e ka akuzuar për përdorim të ligjit si armë kundër kandidatit republikan.

Në një postim në platformën X, Cotton tha se Smith është një “demokrat partizan” që ka përshpejtuar hetimet në momente kyçe të fushatës, për të ndikuar në zgjedhje.

Smith nuk ka komentuar për hetimin, por më herët ka deklaruar se veprimet e tij kanë qenë të pavarura dhe në përputhje me ligjin.

Ai dha dorëheqjen në janar 2025, pas rikthimit të Trump në detyrë. //a.i/

The post SHBA – Autoritetet amerikane hetojnë ish-prokurorin e Trump, Jack Smith appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VJENË – IEA bën thirrje për vetëpërmbajtje pas sulmit pranë centralit të Zaporizhias

3 August 2025 at 11:14

VJENË, 3 gusht /ATSH/- Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) bëri thirrje për vetëpërmbajtje maksimale ushtarake pranë objekteve bërthamore – pas një sulmi pranë centralit bërthamor në rajonin juglindor të Zaporizhias, në Ukrainë.

Shefi i IAEA-s, Rafael Grossi, duke cituar stafin në Centralin Bërthamor të Zaporizhias (ZNPP) – tha se një objekt ndihmës pranë centralit kryesor ishte sulmuar nga bombardimet dhe dronë.

Grossi tha në një deklaratë se ekipi i IAEA-s i vendosur në ZNPP kishte dëgjuar shpërthime dhe parë tym që vinte nga zona, e cila ndodhet 1,200 metra nga perimetri i termocentralit kryesor.

“Çdo sulm në afërsi të një centrali bërthamor – pavarësisht nga objektivi i synuar – paraqet rreziqe të mundshme edhe për sigurinë bërthamore dhe duhet të shmanget”, tha Grossi.

“Edhe një herë, bëj thirrje për vetëpërmbajtje maksimale ushtarake pranë objekteve bërthamore për të parandaluar rrezikun e vazhdueshëm të një aksidenti bërthamor”, tha ai.

I vendosur në qytetin e Enerhodarit të kontrolluar nga Rusia në bregun jugor të lumit Dnipro, centrali bërthamor është më i madhi në Evropë.

IAEA ka luajtur një rol qendror në mbrojtjen dhe monitorimin e gjendjes dhe sigurisë së centraleve bërthamore të Ukrainës që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në vitin 2022.

Agjencia dërgon rregullisht ekipe ekspertësh në vendet e reaktorëve aktivë në rajonet perëndimore të Rivne dhe Khmelnytskyi, dhe ka qenë e pranishme përgjithmonë në centralin e Zaporizhias – që nga shtatori i vitit 2022.

Vendi ka qenë nën kontrollin rus që nga marsi i atij viti.//a.i/

The post VJENË – IEA bën thirrje për vetëpërmbajtje pas sulmit pranë centralit të Zaporizhias appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Administrata Trump nis programin pilot për të mbuluar shpenzimet e “Ozempic”

3 August 2025 at 10:40

UASHINGTON, 3 gusht /ATSH/ – Administrata Trump po përgatit një program pilot 5-vjeçar që do t’i lejonte “Medicare” dhe “Medicaid” të mbulonin disa nga ilaçet më të kërkuara për humbje peshe – një veprim që mund të transformonte trajtimin e obezitetit për miliona amerikanë.

Plani, i cili përfshin ilaçe të tilla si “Ozempic”, “Wegovy”, “Mounjaro” dhe “Zepbound” përfaqëson një përmbysje në politikën federale dhe sinjalizon një gatishmëri më të gjerë për të përdorur sigurimin publik për të adresuar epideminë e obezitetit në vend.

Pse ka rëndësi?
Barnat, të njohura si agonistë të receptorit GLP-1, u prodhuan fillimisht për të trajtuar diabetin e tipit 2, por janë bërë një fenomen kulturor për aftësinë e tyre për të ulur oreksin dhe për të ndihmuar pacientët të humbasin deri në 20 përqind të peshës së tyre trupore në provat klinike.

Programi pilot mbështetet në një propozim të prezantuar në muajt e fundit të administratës Biden, por u pezullua këtë vit – kur zyrtarët nën drejtimin e presidentit, Donald Trump njoftuan se “Medicare” dhe “Medicaid” nuk do të mbulonin barnat për humbje peshe.

Çfarë duhet të dini?
Sipas dokumenteve të siguruara nga “The Washington Post” – programi do t’u lejonte programeve shtetërore “Medicaid” dhe planeve të “Medicare Part D” të mbulonin vullnetarisht barnat GLP-1 për menaxhimin e peshës.

Iniciativa është planifikuar të fillojë në prill 2026 për “Medicaid” dhe në janar 2027 për “Medicare” dhe do të administrohet përmes Qendrës për Inovacionin e “Medicare” dhe “Medicaid”, e cila teston modele të reja pagese të dizajnuara për të ulur kostot dhe për të përmirësuar kujdesin.

“Chiquita Brooks-LaSure”, e cila drejtoi Qendrat për Shërbimet e “Medicare” dhe “Medicaid” nën drejtimin ish-presidentin Joe Biden, tha se eksperimenti do të ishte një “ndryshues i lojës” nëse zgjeron aksesin në trajtimet e obezitetit.

“Rritja e mbulimit të barnavr kundër obezitetit në “Medicare” dhe “Medicaid” ishte një përparësi gjatë mandatit tim sepse shkencëtarët dhe klinicistët besojnë gjithnjë e më shumë se obeziteti është një gjendje serioze shëndetësore që duhet të trajtohet në përputhje me rrethanat,” tha ajo.

Programi përballet me një pengesë të madhe: çmimin. Barnat GLP-1 zakonisht kushtojnë nga 5,000 deri në 7,000 dollarë në vit, duke ngritur pyetje nëse mbulimi i gjerë është i qëndrueshëm.

“Kostoja afatshkurtër është ende e madhe”, tha për “Newsweek” Dr. Cynthia Cox, nënkryetare në KFF (ish Fondacioni i Familjes Kaiser).

“1,000 dollarë në muaj për person është një shpenzim masiv”, tha ajo.

Një analizë e KFF zbuloi se çmimi i listuar i “Ozempic” në SHBA është 936 dollarë në muaj – më shumë se pesë herë më i lartë se kostoja në Japoni, ku shitet për 169 dollarë.

“Wegovy”, i cili përmban të njëjtin përbërës aktiv, kushton afërsisht 1,349 dollarë në muaj në SHBA, krahasuar me 328 dollarë në Gjermani.

Për momentin, 13 programe shtetërore “Medicaid” mbulojnë barnat GLP-1 për obezitetin.

“Medicare” kufizon mbulimin për pacientët me probleme si diabeti ose sëmundjet e zemrës.

Me rreth 70 milionë njerëz të regjistruar në “Medicaid” dhe 65 milionë në “Medicare”, edhe zgjerimi i pjesshëm mund të ndikojë në një pjesë të konsiderueshme të popullsisë.

“Këto ilaçe ndihmojnë mbi 50 përqind të njerëzve të humbasin deri në 25 përqind të peshës së tyre trupore”, tha Dr. Robert Klitzman, nga Universiteti i Kolumbias, në një intervistë me “Newsweek”.

“Por ato kushtojnë rreth 12,000 dollarë në vit. Nëse dy të tretat e amerikanëve do të kishin nevojë për to, kjo do të falimentonte sistemin e kujdesit shëndetësor”, tha ai.

Pavarësisht shqetësimeve financiare, barnat GLP-1 po rrisin entuziasmin midis mjekëve për aftësinë e tyre për të përmirësuar shërbimet shëndetësorë përtej humbjes së peshës.

Provat klinike tregojnë se ato mund të ulin sheqerin në gjak, të ulin presionin e gjakut dhe të përmirësojnë rezultatet kardiovaskulare. //a.i/

The post SHBA – Administrata Trump nis programin pilot për të mbuluar shpenzimet e “Ozempic” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Si do të ndikojnë tarifat e Trump në BE në çmimet e barnave?

3 August 2025 at 09:51

UASHINGTON, 3 gusht /ATSH/- Ekspertët thonë se marrëveshja tregtare e presidentit amerikan, Donald Trump me Bashkimin Evropian mund të shkaktojë çmime më të larta për barnat e markave të njohura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – duke përfshirë barnat më të suksesshme si “Ozempic” dhe “Wegovy”, sipas “NBC News”.

Produktet farmaceutike janë importi i pestë më i madh i Shteteve të Bashkuara, tha Dr. Aaron Kesselheim, një profesor i mjekësisë në Shkollën Mjekësore të Harvardit.

Evropa është një qendër e madhe prodhimi për ilaçet me emër të markave në veçanti.

Pothuajse gjysma e përbërësve aktivë për ilaçet me emër të markave që merren në Shtetet e Bashkuara prodhohen në vende evropiane si Irlanda, Gjermania, Italia dhe Belgjika, tha Kesselheim.

Evropa është gjithashtu vendi ku shumë prodhues ilaçesh bëjnë hapat e fundit, siç janë mbushja dhe paketimi.

Barnat e “Novo Nordisk” për diabetin dhe obezitetin, “Ozempic” dhe “Wegovy” prodhohen të dyja në Danimarkë.

“Botox”, i prodhuar nga “Allergen”, dhe ilaçi kundër kancerit “Keytruda” nga prodhuesi i barnavr “Merck” prodhohen në Irlandë. (Megjithatë, vitet e fundit, shumica e prodhimit të Keytruda është zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës).

Ndërsa barnat me emër të markave përbëjnë vetëm rreth 10% të recetave të lëshuara në SHBA – përbëjnë rreth 80% të të gjitha shpenzimeve për ilaçet.

Kjo për shkak se çmimet e tyre janë shumë të larta.

Çdo statinë [gjenerike] individuale kushton vetëm disa qindarka, ndërsa “Botox” kushton mijëra deri në dhjetëra mijëra dollarë.

“Në afat të shkurtër, kompanitë farmaceutike mund të rrisin çmimet e këtyre produkteve për të llogaritur koston më të lartë”, tha Rena Conti, një profesoreshë e asociuar në Shkollën e Biznesit Questrom të Universitetit të Bostonit.

“Konsumatorët amerikanë do të paguajnë më shumë për këto ilaçe”, tha Conti.

“Ajo që pacientët paguajnë në farmaci pasqyron listën e çmimeve të përcaktuara nga kompanitë farmaceutike.

Marrëveshja tregtare, e njoftuar të dielën, vendos një tarifë prej 15% për shumicën e mallrave të importuara nga BE-ja, duke përfshirë edhe produktet farmaceutike.

Ndërsa kjo është shumë më poshtë tarifave prej 200% që Trump kishte kërcënuar për importet farmaceutike në fillim të këtij muaji, ajo do të ketë ende një ndikim. //a.i/

The post FOKUS – Si do të ndikojnë tarifat e Trump në BE në çmimet e barnave? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“The National”: Tirana në 48 orë: Vizitoni atraksionet kryesore të kryeqytetit plot jetë të Shqipërisë

3 August 2025 at 07:34

ABU DHABI, 3 gusht /ATSH/- Me fluturime direkte nga Abu Dhabi që do të vazhdojnë deri në fund të gushtit, tani është koha ideale për të zbuluar qytetet interesante të Ballkanit me kosto të përballueshme, shkruan Phil Johnson në një artikull të botuar në të përditshmen “The National” – në pronësi të shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, që botohet në Abu Dhabi.

Kryeqyteti dinamik i Shqipërisë ofron një ndërthurje magjepsëse të ndikimeve osmane, të epokës komuniste dhe bashkëkohore, perla e Ballkanit e rrethuar nga vargmali Skënderbej është një destinacion interesant.

Qendra e qytetit është vetëm gjysmë ore larg aeroportit me autobus dhe mjaft kompakte për të lëvizur tërësisht në këmbë.

Por, në muajin gusht mund të jetë vapë, rreth 8°C më freskët se në Abu Dhabi në verë, kështu që të ecësh përreth për të parë pamjet është e realizueshme.

Dhe ka shumë atraksione interesante për vizitorët kuriozë për 48 orë, veçanërisht ata me një buxhet të kufizuar.

1-Sheshi Skënderbej: Zemra e qytetit

Shumica e librave udhëzues rekomandojnë fillimin e një aventure në Tiranë në Sheshin Skënderbej, sheshin qendror që mban emrin e heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbej.

Komandanti ushtarak vdiq në vitin 1468 dhe kujtohet për udhëheqjen e një rebelimi kundër Perandorisë Osmane.

Ky shesh, është i rrethuar nga monumente si Muzeu Historik Kombëtar dhe Teatri i Operas.

Statuja e vetë Skënderbeut mbi kalë është një pikë qendrore e sheshit, sfondi i saj i fasadave në ndryshim pasqyron një qytet që ka një të kaluar komplekse dhe një të tashme të gjallë.

2-Xhamia e Et’hem Beut: Një dëshmi e qëndrueshmërisë

Ngjitur me Sheshin Skënderbej ndodhet Xhamia e mrekullueshme e Et’hem Beut, një dëshmi e qëndrueshmërisë fetare.

E ndërtuar në fund të shekullit XVIII dhe fillim të shekullit XIX – afresket e saj të ndërlikuara dhe arti delikat janë një pamje e rrallë në arkitekturën islame, duke përshkruar peizazhe natyrore dhe jetën e qetë.

Xhamia i mbijetoi mrekullisht politikave ateiste të regjimit totalitar, duke shërbyer si një simbol i fuqishëm i shpirtit elastik të Shqipërisë dhe ringjalljes së lirisë fetare.

Hyrja është falas dhe një vështrim përreth nuk zgjat më shumë se gjysmë ore.

3-Bunk’Art 1: Zbulimi i një të kaluare të fshehur

Duhen vetëm disa minuta për të ecur nga xhamia në një nga atraksionet turistike më interesante të qytetit.

Bunk’Art 1, një rrjet bunkerësh nëntokësorë të ndërtuar fillimisht për elitën politike – në rast të një sulmi bërthamor, është transformuar në një muze dhe hapësirë arti bashkëkohor magjepsës.

Vizitorët mund të zhyten në historinë komuniste të Shqipërisë dhe të eksplorojnë korridoret dhe dhomat e saj të ftohta.

Ekspozitat detajojnë paranojën dhe shtypjen e regjimit të Hoxhës në vend, duke ofruar një pasqyrë të fuqishme të një epoke të kaluar.

Hyrja është 500 lekë dhe rekomandohet të paktën një orë për ta shijuar të gjithën.

4-Ngjitja e piramidës: Historia me një pamje

Nevojiten 10 minuta për të ecur në atraksionin që ofron një pamje të horizontit të qytetit nga lart.

Ngjitja e Piramidës së Tiranës – një aktivitet tjetër falas – ndihet si ngjitja në një relike betoni të historisë, anët e saj të pjerrëta, por krenare.

Fillimisht, e ndërtuar në vitin 1988 si një muze për të nderuar diktatorin komunist Enver Hoxha, struktura dikur madhështore – tani simbolizon me guxim identitetin në ndryshim të Shqipërisë.

Çdo hap në ngjitje zbulon më shumë nga sharmi kaotik i qytetit, i rrethuar nga grafiti. Në majë, hapet panorama, me qytetin e shtrirë poshtë dhe vargmalin e bukur në distancë.

5-Turneu i stadiumit “Air Albania”: Një pikë referimi moderne sportive

Stadiumi kombëtar i futbollit përfaqëson me krenari arkitekturën më moderne të qytetit.

Për adhuruesit e sportit, një turne në stadiumin “Air Albania” ia vlen dhe është vetëm 10 minuta larg nga Piramida në këmbë.

Stadiumi, i hapur në vitin 2019, ndodhet në ish-stadiumin Qemal Stafa.

I ndërtuar si një vend kompakt në stilin anglez me spektatorë të ulur afër fushës, ai ka një kapacitet prej 22,000 vendesh dhe biletat shiten për çdo ndeshje të ekipit kombëtar.

6-Shëtitje në Parkun e Madh dhe liqen: Një oaz i gjelbër

Parku i Madh i Tiranës dhe liqeni i tij artificial janë vetëm pesë minuta larg në këmbë, nëpërmjet Sheshit Nënë Tereza, nga stadiumi.

Kjo hapësirë e gjerë dhe e qetë është një vend i preferuar për vendasit, duke ofruar shtigje për ecje dhe vrap, kafene dhe vende të qeta për t’u çlodhur dhe për t’i shpëtuar zhurmës urbane.

Ecja në unazën prej 5,3 km rreth liqenit zgjat rreth 45 minuta. I formuar nga një digë në mesin e shekullit XX, liqeni ofron një pamje piktoreske.

Pse duhet ta vizitoni tani

Nga bunkerët e Luftës së Ftohtë, te shëtitjet buzë liqenit dhe pamjet e horizontit nga çatitë plot me grafite, Tirana ofron një gamë të gjerë atraksionesh për t’u vizituar.

Një mbrëmje e kaluar në Bllok, zona elegante dhe e gjallë e kafeneve dhe restoranteve të qytetit, është mënyra perfekte për të përfunduar ditën tuaj.

Udhëtimi drejt majës së malit të Dajtit me teleferik; vizita në tregun e Pazarit të Ri; dhe shëtitja nëpër Kalanë e Tiranës – një fortesë mesjetare – e cila tani është një rrugë për këmbësorë me një sërë restorantesh dhe dyqanesh artizanale – janë disa nga vendet kryesore që mund të zbuloni.

Tirana është një perlë e Mesdheut – e lehtë për t’u eksploruar. Me linjën direkte të “Wizz Air” nga Abu Dhabi në kryeqytetin shqiptar – mund të shijoni pushime cilësore me një kosto të përballueshme. //a.i/

https://www.thenationalnews.com/travel/2025/08/02/tirana-in-48-hours-six-things-to-do-in-albanias-vibrant-capital/

 

 

 

 

The post “The National”: Tirana në 48 orë: Vizitoni atraksionet kryesore të kryeqytetit plot jetë të Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

“The Sun”: Vizitoni plazhet mahnitëse përgjatë Rivierës Shqiptare

2 August 2025 at 07:34

LONDËR, 2 gusht /ATSH/- Plazhet me rërë të bardhë dhe ujërat kristalore të Shqipërisë – të konsideruara nga ekspertët e udhëtimit si “Maldivet e Evropës” – janë vetëm pak orë larg Britanisë së Madhe, shkruan Cyann Fielding në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Sun”.

“Wizz Air” po lançon fluturime direkte nga Aeroporti “Gatwick” i Londrës për në Tiranë – kryeqytetin e Shqipërisë – për vetëm 19,99 paund.

Gjithashtu, kompania ajrore tani ka shtuar një itinerar të dytë nga Britania e Madhe për në Evropë.

Fluturimet do të kryhen pesë herë në javë, dhe do të nisin më 26 tetor.

Kjo shënon itinerarin e dytë të “Wizz Air” për në qytetin shqiptar. Linja ajrore do të kryejë fluturime gjithashtu për në Tiranë nga Aeroporti “Luton” i Londrës.

Ndërsa Tirana është një destinacion pushimesh më vete, shumica e turistëve e përdorin atë si bazë për të udhëtuar në Rivierën Shqiptare.

Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë dhe shtëpia e shumë bunkerëve.

Larg qytetit, mund të eksploroni vendpushime të tjera të vendit, të cilat e kanë bërë destinacionin evropian të quhet “Maldivet e Evropës”.

Përgjatë vijës bregdetare të vendit ka ujëra të pastra kristalore, plazhe me rërë të bardhë dhe bukuri natyrore.

Ka edhe shumë bare plazhi për të eksploruar, të cilat shpesh shërbejnë kuzhinë tipike mesdhetare.

Për shembull, në qytetin e Sarandës, i cili është i vendosur midis detit Jon dhe kodrave të valëzuara, ndodhet hoteli “Lost Seaside”.

Këtu, vizitorët mund të shijojnë restorantin, pishinën, plazhin me rërë dhe ujërat e pastra kristalore – duke përfshirë shezlongje që varen mbi det dhe pishinë.

Në të njëjtin vend, ju mund të kaloni ditën në kasolle mbi ujë të stilit “Maldive”.

Çmimet në Shqipëri janë zakonisht shumë të lira. Ju mund të merrni një krikëll birrë për vetëm 250 lekë (2,22 paund) ose një gotë verë për 200-400 lekë (1,78- 3,55 paund).

Ushqimi është gjithashtu i lirë, një vakt mesatar me tre pjata për dy persona kushton rreth 4500 lekë (39,94 paund).

“Çmimi mesatar i një dhome dyshe në Shqipëri është 83 paund nata”, sipas “Kayak”.

“Me Shqipërinë që po njihet gjithnjë e më shumë si “Maldivet e Evropës”, fluturimet do t’u mundësojnë turistëve të zbulojnë destinacione të pashfrytëzuara në të gjithë Evropën Juglindore”,  tha Yvonne Moynihan, drejtoreshë menaxhuese në “Wizz Air UK”.

Një gazetar i “The Sun” vizitoi së fundmi, Shqipërinë për të parë nëse vendi i vogël evropian ofronte pushime cilësore në plazh dhe me një buxhet të kufizuar.

“Shqipëria është shndërruar në një destinacion të preferuar për turistët që kërkojnë pushime me diell dhe të përballueshme.

Duke fluturuar nga Aeroporti “Gatwick” i Londrës, po shpresoja për pushime të lira dhe të gëzueshme, dhe pikërisht këtë mora.

Çmimet e ulëta ishin një surprizë e këndshme. Në qytetin e Vlorës, koktejet kushtonin vetëm 3,70 paund.

Një pjatë me linguine me prodhime deti kushtonte vetëm 5,20 paund, dhe një drekë e plotë në plazhin e Ksamilit kushtonte vetëm 11,30 paund.

Qëndrova kryesisht në “Airbnb”, të cilat varionin nga 14-21 paund për person në natë.

Ujërat mahnitëse përgjatë vijës bregdetare shqiptare ishin ngjyrë bruz – të ngjashme me detet që gjenden në Korfuz apo Sardenjë.

Plazhet ishin gjithashtu të qeta, falë zonës që ishte ende një perlë e pazbuluar.

E qetë, piktoreske dhe perfekte për turistët me buxhet të kufizuar, Shqipëria është vendi ideal për pushime.

Është një perlë e fshehur që ofron vlera të jashtëzakonshme pa bërë kompromis me bukurinë”.  //a.i/

https://www.thesun.co.uk/travel/36110583/new-flights-maldives-europe-cheap/

 

 

 

The post “The Sun”: Vizitoni plazhet mahnitëse përgjatë Rivierës Shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – SHBA-NATO mekanizëm të ri financimi për transferimin e armëve në Ukrainë

1 August 2025 at 22:55

UASHINGTON, 1 gusht /ATSH/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO po punojnë për një qasje të re për të furnizuar Ukrainën me armë – duke përdorur fonde nga vendet e NATO-s – për të paguar blerjen ose transferimin e armëve amerikane, sipas tre burimeve, raportoi “Reuters”.

Bashkëpunimi i ripërtërirë transatlantik për Ukrainën vjen ndërsa presidenti i SHBA-së Donald Trump ka shprehur zhgënjim nga sulmet e vazhdueshme të Moskës ndaj fqinjit të saj.

Trump, i cili fillimisht mbajti një ton më pajtues ndaj Rusisë ndërsa përpiqej t’i jepte fund luftës trevjeçare në Ukrainë, ka kërcënuar se do të vendosë tarifa dhe masa të tjera nëse Moska nuk tregon progres drejt përfundimit të konfliktit deri më 8 gusht.

Presidenti tha muajin e kaluar se SHBA-ja do të furnizonte Ukrainën me armë – të paguara nga aleatët evropianë, por nuk tregoi se si do të kryhej ky proces.

“Vendet e NATO-s, Ukraina dhe SHBA-ja po ndërtojnë një mekanizëm të ri – që do të përqendrohet në dërgimin e armëve amerikane në Ukrainë – nga Lista e Kërkesave Prioritare të Ukrainës, e njohur nën akronimin PURL”, thanë burimet.

Ukraina do t’i japë përparësi armëve që i nevojiten – në këste prej rreth 500 milionë dollarë – dhe aleatët e NATO-s – të koordinuar nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte – do të negociojnë se kush prej tyre do të dhurojë ose paguajë për artikujt në listë.

“Përmes kësaj qasjeje, aleatët e NATO-s shpresojnë të sigurojnë 10 miliardë dollarë për armët që do t’i dërgohen Ukrainës”, tha një zyrtar evropian, duke folur në kushte anonimiteti.

“Kjo është pika e fillimit dhe është një objektiv ambicioz drejt të cilit ne po punojmë. Aktualisht, jemi në këtë trajektore”, tha zyrtari evropian.

Forcat ruse po avancojnë gradualisht në Ukrainë dhe kontrollojnë një të pestën e territorit të vendit. //a.i/

The post UASHINGTON – SHBA-NATO mekanizëm të ri financimi për transferimin e armëve në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE hesht për vonesën e hyrjes në fuqi të tarifave të reja amerikane

1 August 2025 at 22:14

BRUKSEL, 1 gusht /ATSH-DPA/- Një zëdhënës i Komisionit Evropian në Bruksel nuk pranoi të komentonte sot për vonesën e dukshme të hyrjes në fuqi të tarifave të reja amerikane ndaj importeve të Bashkimit Evropian.

Ai iu referua vetëm një mesazhi të postuar në rrjetet sociale nga komisioneri i BE-së për Tregtinë, Maros Sefcovic, i cili bëri vetëm komente të përgjithshme mbi një urdhër ekzekutiv përkatës nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

“Tarifat e reja të SHBA-së pasqyrojnë rezultatet e para të marrëveshjes BE-SHBA, veçanërisht kufirin tarifor gjithëpërfshirës prej 15%”, tha Sefcovic në X.

“Kjo përforcon stabilitetin për bizneset e BE-së, si dhe besimin në ekonominë transatlantike”, shtoi ai.

“Eksportuesit e BE-së tani përfitojnë nga një pozicion më konkurrues. Puna vazhdon”, tha ai.

Pas marrëveshjes midis Trump dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen fundjavën e kaluar, BE kishte supozuar se kufiri i ri prej 15% për tarifat ndaj pothuajse të gjitha importeve do të hynte në fuqi më 1 gusht.

Në veçanti, pritej gjithashtu që tarifat aktuale speciale për automjetet dhe pjesët e tyre prej 27,5% të uleshin në 15%.

Megjithatë, kjo nuk përmendet në urdhrin ekzekutiv të nënshkruar nga Trump të enjten.

Trump i përshkroi tarifat si “reciproke” – të cilat tani do të hyjnë në fuqi një javë më vonë, më 7 gusht.

Trump i referohet tarifave si “reciproke”, pasi ato kanë për qëllim të kompensojnë çekuilibrat dhe disavantazhet e supozuara për Shtetet e Bashkuara të Amerikes në tregtinë ndërkombëtare.

Ajo që do të ndodhë më pas, fillimisht ishte e paqartë. Në teori, Brukseli mund të vonojë koncesionet tregtare të premtuara si pjesë e marrëveshjes së tarifave, siç është lehtësimi i eksportit të mallrave amerikane në BE. //a.i/

The post BRUKSEL – BE hesht për vonesën e hyrjes në fuqi të tarifave të reja amerikane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LUBJANË – Sllovenia ndalon tregtinë e armëve me Izraelin për shkak të veprimeve në Gazë

1 August 2025 at 20:29

LUBJANË, 1 gusht /ATSH/- Sllovenia ka njoftuar se do të ndalojë importin, eksportin dhe tranzitin e të gjitha armëve për në dhe nga Izraeli në përgjigje të veprimeve të vendit në Gaza, sipas AP.

Në fillim të korrikut, Sllovenia ndaloi hyrjen në vend të dy ministrave izraelitë të ekstremit të djathtë, duke i akuzuar ata për nxitje të “dhunës ekstreme dhe shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut të palestinezëve” me “deklaratat e tyre gjenocidale”.

Në qershor 2024, parlamenti i Sllovenisë miratoi një dekret që njeh shtetësinë palestineze, duke ndjekur hapat e Irlandës, Norvegjisë dhe Spanjës.

Sllovenia e vogël nuk ka pothuajse asnjë tregti armësh me Izraelin dhe vendimi për të ndaluar tregtinë e armëve me Izraelin është kryesisht një mesazh diplomatik – që synon të rrisë presionin ndërsa zemërimi ndërkombëtar për sjelljen e Izraelit dhe krizën e urisë në Gaza rritet.

Vitin e kaluar, qeveria e kryeministrit britanik, Keir Starmer pezulloi eksportet e disa armëve në Izrael – pasi ato mund të përdoren për të shkelur ligjin ndërkombëtar.

Spanja tha se ka ndaluar shitjet e armëve në Izrael në tetor 2023. Holanda gjithashtu ka marrë masa të ashpra kundër tregtisë së armëve me Izraelin.//a.i/

The post LUBJANË – Sllovenia ndalon tregtinë e armëve me Izraelin për shkak të veprimeve në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌