Kampionati i Ligës së Parë të Maqedonisë hyn në fazën vendimtare, ku çdo pikë ka peshë të madhe dhe çdo duel mund të ndryshojë rrjedhën e renditjes. Java e 30-të sjell katër ndeshje mjaft të rëndësishme që pritet të na japin një pasqyrë më të mirë për tre javët e fundit, njofton Telegrafi.
Derbi i përjetshëm Shkupi – Vardari, dueli mes Strugës dhe Shkëndijës, që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në garën për titullin, sfida me shumë rëndësi Sileksi – Rabotniçki, ku të dyja skuadrat synojnë Evropën, si dhe përballja për mbijetesë mes AP Brerës dhe Besës, që luftojnë për të kapur vendin e balotazhit, janë paralajmërim për futboll atraktiv.
Java e 30-të fillon me superduelin mes dy rivalëve të përjetshëm, Shkupit dhe Vardarit, që do të përballen të shtunën, më 3 maj, në stadiumin e Çairit, me fillim nga ora 16:00. Edhe pse këtë sezon të dy skuadrat nuk kanë pretendime për titull apo dalje në Evropë, lufta për tri pikët do të jetë më shumë për krenari. Shkupi ndodhet në vendin e shtatë me 35 pikë, ndërsa Vardari ka vetëm një pikë më shumë dhe mban pozitën e gjashtë.

Të gjitha ndeshjet e tjera të javës së 30-të do të zhvillohen të dielën, më 4 maj, me fillim nga ora 16:00. Në një tjetër duel të zjarrtë, Struga pret Shkëndijën, ku kuqezinjtë nga Tetova janë të detyruar të fitojë për të ruajtur epërsinë ndaj ndjekësit kryesor, Sileksit. Ky i fundit ka një ndeshje mjaft të vështirë në udhëtim kundër Rabotniçkit, që tashmë është përfshirë fuqishëm në garën për një vend që të çon në arenën ndërkombëtare dhe synon edhe pozitën e dytë në tabelë, meqë deri në fund mbeten edhe 12 pikë në lojë.
Një duel tjetër i rëndësishëm për mbijetesë është ai mes Besës dhe AP Brerës, që luftojnë për pozitën e 10-të, e cila siguron të paktën ndeshjen e balotazhit për qëndrim në elitë. Gostivari, ndërkohë, do të kërkojë tri pikë të arta përballë Pelisterit. Skuadra e Tikveshit është e lirë këtë javë, pasi Voska Sport i ka mbyllur tashmë para kohe garat në kampionat. /Telegrafi/
Dyshet për javën e 30-të: E shtunë – 3 maj, ora 16:00: Shkupi – Vardari
E diel – 4 maj, ora 16:00: Struga – Shkëndija, Besa– AP Brera, Gostivari – Pelisteri dhe Rabotniçki – Sileksi.
The post Të shtunën derbi Shkupi – Vardari, duel për titull të dielën në Strugë appeared first on Telegrafi.