Buxheti/ Sa para do të marrin bashkitë nga qeveria! Kush do të jenë përfitueset kryesore
Qeveria shqiptare ka miratuar ndarjen e transfertës së pakushtëzuar për të gjitha bashkitë e vendit për vitin 2025, në kuadër të Programit Buxhetor Afatmesëm 2025– 2027.
Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 372, datë 2.7.2025, përcakton shpërndarjen e një fondi prej 25 miliardë lekësh, i cili ndahet në 61 bashki, bazuar në formulën e përcaktuar nga ligji për vetëqeverisjen vendore.
“Transferta e pakushtëzuar për vitin 2025 është përllogaritur në përputhje me formulën ligjore dhe me të dhënat më të fundit për popullsinë dhe të ardhurat vendore”, – thuhet në pikën 1 të vendimit.
Sipas tabelës zyrtare të bashkëngjitur vendimit, Bashkia e Tiranës përfiton shumën më të madhe me 2.13 miliardë lekë, ndjekur nga Durrësi me 1.17 miliardë dhe Shkodra me 1.06 miliardë lekë. Megjithatë, përfituesit realë janë bashkitë me kapacitet të ulët fiskal, të cilat e mbulojnë pjesën më të madhe të shpenzimeve të tyre përmes kësaj transferte. Fondet më të mëdha në raport me buxhetin vendor shkojnë në bashkitë e veriut dhe të juglindjes, si Tropoja (544 milionë lekë), Kukësi (671 milionë), Puka (476 milionë), Bulqiza (539 milionë), Devolli (579 milionë) dhe Librazhdi (599 milionë).
“Përcaktimi i shumës së transfertës për çdo bashki është bërë duke marrë në konsideratë tre tregues: numrin e popullsisë, sipërfaqen territoriale dhe të ardhurat për frymë”, – theksohet në vendim.
Po sipas dokumentit, është ruajtur parimi i barazisë së aksesit në shërbime publike, me qëllim që edhe zonat më të varfra të kenë mundësi për të ofruar pastrim, ndriçim, rrugë, administratë dhe shërbime bazë për qytetarët. Në total, 20 bashki përfitojnë mbi 500 milionë lekë, ndërkohë që 6 bashki përfitojnë më pak se 400 milionë. Këto janë Kolonja (313 milionë), Dropulli (316 milionë), Delvina (318 milionë), Konispoli (319 milionë), Pusteci (320 milionë) dhe Këlcyra (321 milionë). Megjithëse më të vogla në përmasa dhe popullsi, këto bashki përballen me të njëjtat sfida për ofrimin e shërbimeve minimale, ndaj fondi luan rol vendimtar në mbarëvajtjen e tyre. Në krahasim me vitin e kaluar, fondi total për transfertën e pakushtëzuar është rritur me 1 miliard lekë, duke shënuar një rritje prej 4.2
“Shuma prej 25 miliardë lekësh për vitin 2025 është reflektim i rritjes së përgjithshme të të ardhurave buxhetore dhe i angazhimit për të mbështetur funksionimin e njësive të vetëqeverisjes vendore”, – thuhet në relacionin shoqërues të Ministrisë së Financave.
Për pjesën dërrmuese të bashkive, kjo transfertë përbën burimin kryesor të të ardhurave. Sipas të dhënave zyrtare, në mbi 40 bashki, ajo përbën më shumë se 80 për qind të buxhetit total, duke i bërë këto njësi jashtëzakonisht të varura nga fondet qendrore., shkruan Panorama.
“Pavarësisht përmirësimeve të pjesshme në të ardhurat vendore, varësia nga buxheti i shtetit mbetet e lartë, veçanërisht në bashkitë rurale ose me potencial të kufizuar zhvillimi”, – thekson Ministria e Financave në dokumentin e saj.
Vendimi përcakton gjithashtu detyrimin e bashkive për të raportuar përdorimin e fondeve dhe për të garantuar transparencë për qytetarët. Ministria e Financave dhe ajo e Pushtetit Vendor do të monitorojnë zbatimin e transfertës dhe përputhshmërinë e shpenzimeve me objektivat e saj.
Në pikën 4 të vendimit thuhet: “Ministria përgjegjëse për financat dhe ajo për qeverisjen vendore ndjekin realizimin e transfertës dhe analizojnë përputhjen e përdorimit të fondeve me funksionet përkatëse të bashkive”. Në këtë kontekst, sfida kryesore për vitin 2025 mbetet rritja e kapacitetit të bashkive për të përdorur me eficiencë fondet që u jepen, si dhe për të zgjeruar bazën e të ardhurave të veta. Në të kundërt, edhe rritja e buxhetit nuk do të përkthehet domosdoshmërish në përmirësim të ndjeshëm të shërbimeve për qytetarët./e.t