BULLGARI – Ekipet e shpëtimit përballen me zjarret në malin Pirin
SOFJE, 13 gusht /ATSH-BTA/ – Operacionet e shuarjes së zjarrit në malin Pirin në Bullgari po vazhdojnë edhe sot, ku ekipet e shpëtimit po përpiqen të frenojnë flakët që tashmë kanë arritur kufijtë e parkut kombëtar dhe kanë dëmtuar midis 4 dhe 6 hektarë territor të mbrojtur.
Ekspertët e mjedisit paralajmërojnë se humbjet e biodiversitetin mund të jenë të pakthyeshme.
Situata mbetet e vështirë dhe shumë dinamike. Zjarri është përhapur në zona malore të vështira për t’u arritur, ku dhjetëra roje pyjore, zjarrfikës ushtarakë dhe vullnetarë të trajnuar po punojnë në terren. Kushtet janë të vështira, pasi terreni e komplikon operacionin.
Pritet që sot të përdoret ndihma nga ajri për të mbështetur ekipet e shpëtimit. Pasditen e djeshme, erërat e forta e kthyen zjarrin nga një djegie në nivel toke në një zjarr kurorash, duke prodhuar tym të dendur që detyroi evakuimin emergjent të personelit nga zona e prekur.
Aktualisht, zjarri është kthyer në një gjendje me intensitet të ulët dhe nuk pritet të përhapet më tej.
Sipas vlerësimeve fillestare, sipërfaqja e djegur brenda parkut përfshin 4-6 hektarë.
“Përpjekjet për shuarjen e zjarrit mbi fshatin Ilindenci vazhdojnë pasi flakët janë rindezur në zonë. Për arsye sigurie, ekipet tokësore janë tërhequr”, tha Valentin Vassilev, shefi i zjarrfikësve të Blagoevgradit. /Ad.Ab./
The post BULLGARI – Ekipet e shpëtimit përballen me zjarret në malin Pirin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.