Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 July 2025Main stream

Ngjarje e rëndë/ Tronditet futbollisti i njohur, djali i tij 1-vjeç humb jetën

By: Ke Si
28 July 2025 at 13:50

Mesfushori i Barit, Mathias Verreth ka humbur djalin e tij 14-muajsh pasi ndërroi jetë. Lajmi tronditi të gjithë komunitetin me klubin që njoftoi, në shenjë zie dhe respekti, se do të largohen nga kampi stërvitor në Roccaraso, duke u rikthyer në qytet. Futbollisti natyrisht, është rikthyer në Belgjikë, ku jeton familja e tij.

NJOFTIMI

Jemi pa fjalë teksa ndajmë lajme që sapo na kanë tronditur thellësisht secilin prej nesh.
Presidenti Luigi De Laurentiis, stafi i trajnerëve, i gjithë ekipi, menaxhmenti dhe bashkëpunëtorët e kuqe e të bardhëve shprehin ngushëllimet e tyre më të thella për Matthias Verreth dhe familjen e tij në një nga momentet më të tmerrshme që një prind dhe një qenie njerëzore mund të përjetojë: vdekjen e papritur dhe të parakohshme të një fëmije.

U kërkojmë të gjithë tifozëve, meshkuj dhe femra, të shprehin ngushëllimet e tyre më të thella për Matthias, gruan e tij, fëmijën e tyre të parë dhe të gjithë të dashurit e tyre në këtë moment pikëllimi të tmerrshëm. Grupi kuqe e të bardhëve do të kthehet në Bari sot në shenjë zie dhe respekti për një tragjedi të tillë./e.t

A është noti pas ngrënies i dëmshëm?/ Fakte që duhet t’i dini

By: Ke Si
28 July 2025 at 13:40

Nëse keni probleme me zemrën ose qarkullimin e gjakut, bëni kujdes, sepse çdo hyrje e papritur në ujë mund të shkaktojë probleme

Rekomandimet verore, si “mos notoni me stomak të mbushur” apo “lyeje plagën me ujë të kripur që të shërohet më shpejt”, vazhdojnë të jenë rregulla të pathyeshme për shumë njerëz gjatë pushimeve. Megjithatë, ekspertët hedhin poshtë këto urtësi popullore dhe mbështet teoritë që, nëse na intereson shëndeti ynë, janë zgjedhje më të mençura.

A e shëron uji i kripur plagën më shpejt?

Ky është një këshillë që e dëgjojmë shpesh nga brezat më të vjetër, por që nuk është gjithmonë e saktë. E vërteta është se disa plagë, veçanërisht ato që janë të thella dhe të ndotura, mund të përfitojnë nga kontakti me ujin e kripur, sepse përshpejtohet procesi i shërimit. Por dëmtimet më të lehta, si ato nga rënia nga biçikleta, sidomos tek fëmijët, nuk është mirë të ekspozohen në ujë të kripur, sepse ai e përkeqëson plagën dhe e ngadalëson shërimin.

A është noti pas ngrënies i dëmshëm?

Për shumë kohë është besuar se hedhja në ujë pas ngrënies, sidomos në ujë të ftohtë, mund të shkaktojë dhimbje dhe ngërçe në stomak. Por shkenca e ka mohuar këtë teori të vjetër. Organizmi pas ushqimit është i angazhuar në tretje, çka vetëm e ngadalëson pak aktivitetin, por nuk përbën pengesë për të shijuar ujin në mënyrë të relaksuar.

Megjithatë, nëse keni probleme me zemrën apo me qarkullimin e gjakut, atëherë, pavarësisht nëse keni ngrënë apo jo, çdo hyrje e menjëhershme në ujë të ftohtë mund të shkaktojë probleme serioze. Nëse jeni i ri, i shëndetshëm dhe nuk keni ndonjë problem mjekësor, mund të notoni lirshëm edhe pas një vakti të lehtë, por shmangni mbingopjen, transmeton Telegrafi.

Faktor mbrojtës 30 nuk është dy herë më i fortë se faktori 15

Kjo është një ide krejtësisht e gabuar. Kremi me faktor mbrojtës 30 siguron mbrojtje pak më të gjatë në kohë sesa ai me faktor 15, dhe faktori 50 zgjat më shumë se 30, por duhet pasur parasysh se as kremi me SPF 50 nuk ofron mbrojtje të plotë. Prandaj, është e rëndësishme të shmanget ekspozimi në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, pavarësisht faktorit të përdorur,

Mos përdorni kremin e vjetër të verës së kaluar

Nëse ende keni një shishe kremi mbrojtës nga vera e kaluar, është më mirë ta hidhni. Afati i përdorimit të shumicës së produkteve për mbrojtje nga dielli është një vit nga momenti i hapjes, me kusht që të jenë ruajtur në vend të freskët dhe të thatë. Edhe nëse afati i përdorimit ende nuk ka skaduar, veprimi mbrojtës i disa kremrave dhe losioneve mund të jetë ndjeshëm i reduktuar./e.t

‘Orteku Murinjo’ në turizmin shqiptar po ngadalësohet…

By: Ke Si
28 July 2025 at 13:33

Eduard Zaloshnja

Më 2022 u regjistruan në Shqipëri 7.5 milionë hyrje me pasaporta të huaja (https://www.instat.gov.al/al/temat/industria-tregtia-dhe-sh%C3%ABrbimet/turizmi/#tab2 ) – një rritje prej 17.7%, krahasuar me vitin para pandemisë Covid-19. Në vitet në vijim, kjo rritje ka qenë galopante, duke arritur vjet rekordin 11.7 milionë hyrje me pasaporta të huaja, ose 82.6% më shumë se më 2019.

Po nga erdhi kjo rritje galopante e hyrjes me pasaporta të huaja në Shqipëri?

Qeveria shqiptare nuk ka financuar ndonjë fushatë publicitare në rrjetet televizive e internetore ndërkombëtare. As ka financuar reklama në stadiumet e famshme sportive (si për shembull reklama ‘Visit Rwanda’, që shfaqet në stadiumet e Premier League, etj.).

Për të kuptuar rritjen e popullaritet të Shqipërisë si destinacion turistik, duhet bërë një zhytje në internet, në kërkim të luahtjeve të shfaqjes së emrit Albania në të. Këtë lloj kërkimi më ndihmoi ta bëj specialist IT që më ndihmon për zhvillimin e sondazheve të mia.

Nga kërkimi i të gjitha faqeve në internet dhe i të gjitha rrjeteve sociale kudo në botë, na rezultoi se deri më 25 maj 2022, shfaqja e emrit Albania ishte minimale në sferën digjitale botërore. Por me fitoren e finales së Conference League në Tiranë nga Roma e Murinjos, shfaqja e emrit Albania pësoi një kërcim statistikor të habitshëm në sferën digjitale botërore.

Dy fjalë për “efektin Murinjo”

Kurrë nuk mund t’i shkonte ndër mend FSHF-së dhe qeverisë shqiptare (kur vendosën të ndërtonin Arenën Kombëtare “Air Albania”) se një ditë do të vinte në Tiranë të luante finalen e 5-të europiane traineri më i suksesshëm i finaleve, “The special One” Murinjo. E aq më tepër, që ai edhe do ta fitonte këtë finale. Një lajm ky që u shfaq në titujt e mediave (jo vetëm sportive) në mbi 150 vende të botës. Murinjo është një emër i njohur (brand name) botëror që e shumëfishoi vlerën promovuese të lajmeve mbi zhvillimin e finales së UEFA Conference League në Tiranë. Një bonus ekstra (falas) për punën e bërë nga FSHF-ja dhe qeveria shqiptare për sjelljen dhe organizimin e përsosur të asaj finaleje.

‘Orteku Murinjo’ po ngadalësohet…

Qysh kur filloi ‘Orteku Murinjo’, emri Albania në sferën digjitale botërore ka ruajtur një prezencë të kënaqshme për një vend të vogël, që ishte poshtë radarit ndërkombëtar digjital para pandemisë. Por ka shenja se ky ortek po ngadalësohet…

Në plazhin Durrës-Golem, më i gjati në vend (10 km) dhe me kapacitetet më të mëdha akomoduese për turistë, kanë filluar të mbizotërojnë ndjeshëm dialektet e gjuhës shqipe. Vjet mbizotëronin gjuhët e huaja…

Vjet operatorët turistikë raportonin se ishte shumë e vështirë të pronotoheshin dhoma në hotelet e plazhit Durrës-Golem. Kurse sivjet është shumë më e lehtë…

Edhe nëpër lokalet e plazhit Durrës-Golem, pronarët raportojnë se nuk ka gjasa ta kapin rekordin e xhiros së vjetshme…

Ç’duhet bërë në vijim?

Në një botë ku informacioni (pozitiv dhe negativ) lëviz me shpejtësinë e elektroneve, orteqet digjitale mund të mbarojnë aq shpejt sa fillojnë,. Që ‘Orteku Murinjo’ të vazhdojë gjatë, duhet që qeveria shqiptare dhe operatorët turistikë të bashkpunojnë për një strategji afatgjatë të zhvillimit të turizmit, ku të ndërthuret promovimi dhe përmirësimi i ofertës turistike të Shqipërisë.

Prezantohetstart-up-i për financimin e sektorit të ndërtimit, i pranishëm edhe Rama

By: Ke Si
28 July 2025 at 13:30

Në Qendrën për Inovacion dhe Teknologji “NEST”, po zhvillohet prezantimi i një start-up-i të rinjsh shqiptarë për financimin e sektorit të ndërtimit. I pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama.

Rama u ndal tek ndërtimet të cilat nuk respektojnë lejen e marrë duke devijuar nga projekti.

“Ky është një problem që e kemi sot të shtruar në tryezë, si do të arrijmë që projektet ti realizojmë besnikërisht. Bëhet ajo punë bashkë me investitorët dhe ndërtuesit, bëhet ajo punë për ti filtruar dhe për t’i kaluar në procesin e aprovimit, i jepet leja dhe pastaj gjëja shkon në një drejtim të paditur. Ndryshojnë edhe volume, këtu është detyra jonë ta adresojmë këtë problematikë përmes masave të reja ligjore, që do përfshijnë arkitektin si personin garant, që mban përgjegjësi morale dhe ligjore për realizimin e projektit. Kjo nuk është çështje masash ligjore, por vetëdije nga ana e investuesve dhe ndërtuesve për të aksesuar këtë treg të ri financiar që mund të bëhet një burim shumë i shpejtë”, tha Rama. /e.t

Gjashtë rekorde europiane, Enkileda Carja shpallet kampione e trefishtë e Europës

By: Ke Si
28 July 2025 at 13:30

Rikthehen sukseset kuqezi të peshëngritjes në arenën ndërkombëtare. Enkileda Carja shpallet kampione e trefishtë e Europës në peshën deri në 63 kg për femra.

Sportistja shqiptare arriti të bëjë për vete tre medalje të arta dhe vendosi gjashtë rekorde europiane gjatë konkurrimit të saj.

Në eventin që po zhvillohet në Madrid, Carja ngriti lart 91 kg që në provën e parë, në të dytin e shtoi peshën dhe me dy kg të tjerë, duke e çuar në 93 kg, shkruan A2.

Të dyja provat e para Carja i kaloi me sukses, ndërsa në tentativën e tretë, në garë me veten dhe me medaljen e artë të siguruar, ajo provoi  95 kg, por pa sukses.

Edhe në stilin e shtytjes, shqiptarja ngrit që në provën e parë 109 kg. Edhe në të dytën 17-vjeçarja arriti ta përmirësojë paraqitjen me 111 kg të ngritura, duke siguruar në total tre medaljet e arta në kategorinë e saj si dhe tre rekorde europiane: në shkëputje, shtytje dhe dygarësh, me 204 kg në total.

Enkileda Carja u ngjit në podium tre herë radhazi dhe valviti mes kampionëve flamurin shqiptar./e.t

A do të ketë një Foltore të dytë?/ Përgjigjet Berisha

By: Ke Si
28 July 2025 at 13:26

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli sot në një konferencë për mediat, nga ku foli për kundërshtimin e PD ndaj Kodit të ri Penal, si edhe për zhvillimet e fundit brenda partisë.

I pyetur nga gazetarët nëse në PD do të ketë një Foltore numër dy, Berisha nuk dha një përgjigje konkrete.

Sakaq demokrati theksoi se PD është parti e lirisë e të drejtave të njeriut dhe se nuk ka asnjë lloj kufizimi ndaj askujt.

Ai tha se partia duhet të jetë e bashkuar në parimet dhe vlerat që mbron dhe se duhet të pranojë diversitetin.

Sali Berisha: PD është parti e lirisë e të drejtave të njeriut nuk ka asnjë lloj kufizimi ndaj askujt. PD po vazhdon me vendosmëri të madhe në ndriçimin e farsës elektorale

Çdo anëtar, secili demokrat e ka shumë të qartë se për Berishën thelbi i lirisë janë zgjedhje, koncepti më i drejtë për lirinë.

Partia duhet të jetë e bashkuar në parimet dhe vlerat që  mbron, duhet të pranojë diversitetin, por ajo që është e qartë si drita e dellit është se 11 maji 2025 ishte farsë elektorale. Ata që nuk e kanë të qartë kanë mungesë të kulturës elektorale./e.t

Berisha kundër ndryshimeve në Kodin Penal: S’mund të ndryshohet çdo 10 vite

By: Ke Si
28 July 2025 at 13:11

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se ndryshimi i Kodit Penal çdo 10 vite bëhet për qëllime të caktuara nga kryeministri Edi Rama dhe e cilësoi “Kodi narko-penal”.

Ai tha se ndryshimet në Kodin penal po bëhen për të favorizuar vrasësit serialë, të dënuarit e përjetshëm,zyrtarët e korruptuar dhe veçanërisht goditjen e fjalës së lirë të qytetarëve dhe mediave nëse flasin për drejtësinë, gjyqtarët dhe prokurorët.

“Rama paraqiti Kodin narko-penal. Kodi favorizon të burgosurit përjetë. Kod me parime mafioze. Të ndryshosh Kod çdo 10 vite, do të thotë se interesa tepër të mprehta të detyrojnë të ndërmarrësh një akt të tillë. Dhe kur këtë e ndërmerr në mënyrë pothuaj të fshehtë, pa konsultim paraprak me faktorë kryesorë, me avoketër, gjyqtarë, prokurorë, shoqërinë civile, mediat, me deputetët, por del sikur e nxjerr nga shpella dhe e paraqet atë, tregon se s’ke asgjë të përbashkët aty për interesat e shtetit ligjor dhe as të qytetarit dhe mbrojtjes së tyre, përkundrazi ke vetëm interesat e narkoshtetit, karteleve të drogës që të imponojnë të ndërmarrësh një hap të tillë nën sekret të plotë”, tha Berisha mes të tjerash.

Më tej ai denoncoi faktin se qytetarët arrestohen dhe dënohen për parkime, kurse zyrtarët dhe vrasësit serialë favorizohen.

“Dënohet qytetari për një parkim. Zyrtari i lartë duhet të vjedhë qindra milionë që të dënohet. Kod i çudive të mëdha. Kodi që vrasësit serial i nxjerr nga dënimi i përjetshëm dhe u jep një shans të dytë. Edhe në vendet demokratike të botës, ata marrin dënimin me vdekje. Nëse pyet qytetarët sot, janë të gatshëm të votojnë për dënimin me vdekje. Por këta po u japin shans të dytë atyre që kanë vrarë. Kodi është kryekëput infrastrukturë ligjore e narkoshtetit të instaluar. Ky kod ka rikthyer nenin 55 të diktaturës komuniste”, vijoi kreu i selisë blu.

Berisha nuk kurseu as gjyqtaren e GJKKO Irena Gjoka, që i dha masën atij dhe dhëndrit me arrest shtëpiak për aferën “Partizani” dhe kreun e SPAK, Altin Dumani, duke thënë se po favorizohen nga ky kod, duke dënuar fjalën e lirë të mediave nëse shkruajnë për gjyqtarë e prokurorë.

“Irena Gjoka me fakte është delinkuente, kriminele, e dënuar me burg, e kurrë s’mund të ishte gjykatëse magjistrate, por e kanë futur si thelë për ta shfrytëzuar në mënyrën më të epërme. Imagjinoni Altin Dumani që ka 3 a 4 shtëpi dhe banon te vjehrri, thuhet se të vjehrri. Mban në dosje emrat që kushëriri i tij ka denoncuar se nxirrte në pritë rivalët, siij ka denoncuar se nxirrte në pritë rivalët, siç është Shpataraku. Pra Altin Dumani për të cilin thuhet se për 700 mijë euro nuk dënoi për rastin e Jani Prengës, zhdukjen, të Altin Hajrit dhe së fundmi fsheh mandatin e arrestit prej javësh të Troplinëve. Një mbrojtje të tillë Enver Hoxha s’ia ka dhënë kurrë Aranit Çelës. Atentat i rëndë në themelet e transparencës. Kanë futur edhe nenin se po fole ndaj gjykatës dënohesh kaq dhe aq. Atentat i rëndë ndaj mediave dhe Kushtetutës”, tha Berisha./e.t

Situata me zjarret/ Ministria e Mbrojtjes: Në 24 orë u raportuan 34 vatra, 17 ende aktive

By: Ke Si
28 July 2025 at 11:59

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 34 vatra zjarri nga të cilat 17 janë ende aktive, 6 janë nën monitorim dhe 11 janë shuar.

Vatrat aktive janë regjistruar në zonat e mëposhtme, ku puna në terren vijon pa ndërprerje për izolimin dhe kontrollin e flakëve:

– Në Parkun Kombëtar të Lurës, i zhvilluar në dy vatra të mëdha në drejtim të Fushës së Pelave, ku nuk rrezikon banesa, dhe në kahun lindor të Gurë-Lurës, ku ka pasur shtrirjen më të madhe, duke kaluar Fushën e Pllajës dhe mbi fshatin Sinë të njësisë administrative Arras. Në terren janë angazhuar mbi 54 forca të strukturave operacionale.

– Në fshatin Zall Gjoçaj, bashkia Mat, vijon puna për shuarjen e zjarrit me një shtrirje mbi 14 km, me zhvillime në tre kahe, nga Mas Deja ku përfshin sipërfaqe të konsiderueshme në pyje, në vendin e quajtur Qafa e Tollës , si dhe në vendin e quajtur Fushë Kuqe. Në terren u angazhuan 54 forca dhe sot pritet të shkojnë dhe 30 efektive të FA dhe 15 forca vendore

– Në Qafë Buall, bashkia Bulqizë, vazhdon aktive vija e zjarrit nga Rruga e Arbrit me drejtim nga Maja e Lepurit. Operacioni me ndërhyrje nga ajri ka penguar konsiderueshëm zhvillimin e vatrës. Vazhdon aktive vatra në Malin e Allushit, në Plan të Bardhë, Bashkia Klos që paraqet vështirësi për vënien nën kontroll, megjithë dislokimin në terren afro 130 forcave nga të gjitha strukturat dhe Helikopterit të Forcës Ajrore.

– Në fshatin Kalas, bashkia Delvinë, ku si rezultat i erës së fortë, zjarri kaloi nga ana e Himarës dhe zbriti drejt një lagjeje të fshatit, por pa paraqitur rrezik për banesa, ndërsa u bë i mundur edhe evakuimi i banorëve. Në vendngjarje, u angazhuan rreth 75 forca nga strukturat operacionale. Gjithashtu në zonë operoi dhe një Helikopter i Forcës Ajrore.

– Në fshatin Markat, Bashkia Konispol zjarri u përhap ditën e djeshme drejt fshatit Shalës. Pas angazhimit të forcave të struktura operacionale dhe FA, sot vatra e zjarrit paraqitet e izoluar.

– Në fshatrat Piqeras dhe Sasaj, bashkia Himarë vatrat janë kthyer problematike gjatë orëve të natës, ku rrezikoheshin banesat dhe u bë i mundur evakuimi i banorëve. Në terren u angazhuan 9 mjete zjarrfikëse, një ambulancë, helikopterët e FA dhe avioni canadair italian i mundësuar nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile, duke e neutralizuar situatën atje.

– Në fshatin Fang, njësia administrative Rubik, është e pamundur ndërhyrja për shkak të pjerrësisë së madhe të shpatit të malit, të veshur me dëllinja, që favorizojnë zjarrin. Në fshatin Kulme, njësia administrative Rrëshen, situata është më e qëndrueshme dhe po mbahet nën kontroll, pas angazhimit të afro 85 forcave nga strukturat operacionale. Situata paraqitet nën kontroll.

– Në fshatin Dishnicë, bashkia Korçë, vazhdon aktiv zjarri ndërmjet fshatrave Dishnicë dhe Barç në bimësi të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara.

– Në Parkun Kombëtar të Prespës, fshati Lajthizë, Bashkia Pustec, për fikjen e zjarrit që vijon me intensitet të ulët, janë angazhuar rreth 100 forca nga strukturat operacionale.

– Në fshatin Fushëbardhë dhe pranë tunelit të Skërficës, bashkia Gjirokastër, vatra ndodhet në lartësi të madhe dhe i paaksesueshëm nga forcat dhe mjetet. Pjesa me e madhe e rreth 60 forcave operacionale punuan për izolimin e zjarrit për të mos lejuar kalimin në zonën e mbrojtur në pyllin e Zhulatit.

– Në fshatin Dragobi, brenda Parkut Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore. Terreni është shkëmbor dhe me dru halorë, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen nga toka.

– Në Malin e Shkëlzenit, Bashkia Tropojë, vatra e zjarrit ndodhet në një terren të vështirë, zonë kullotash duke bërë të pamundur ndërhyrja në këmbë.

– Në vendin e quajtur “Fusha e Staneve”, në Shëngjergj, Bashkia Tiranë, zjarri është përhapur në kullota dhe në sipërfaqe pyjore. Vijon puna me intensitet të shtuar për nga strukturat operacionale. Situata është nën kontroll dhe nuk paraqit rrezik për banesat.

– Në fshatin Ibë, bashkia Tiranë, aktualisht janë aktive 3 vatra zjarri, nën kontroll dhe me rrezik të ulët. Zjarri është shuar në rreth 90%, po punohet nga efektivët e MZSH Tiranë dhe forca pyjore. Helikopteri i Forcës Ajrore ka ndërhyrë në një sipërfaqe me shkurre të dendura. Situata është nën kontroll dhe nuk paraqit rrezik për banesat.

– Në fshatin Kuç, bashkia Vorë ka mbërritur zjarri i ardhur nga bashkia Shijak (fshati Shetel, Në krahun e bashkisë Shijak, ku janë angazhuar rreth 30 forca zjarri është shuar. Në krahun e bashkisë Vorë, zjarri vijon aktiv. Në vendngjarje janë 60 forca nga strukturat operacionale. Terreni është i vështirë, por rreziku nga banesat u evitua falë ndërhyrjes së helikopterit Cougar të Forcës Ajrore.

– Në Bjeshkën e Rahovicës, bashkia Malësi e Madhe, pranë kufirit me Malin e Zi, vijon të mbetet aktive vatra e zjarrit e rënë në një sipërfaqe me pyje. Terreni i thyer e bënë të vështirë ndërhyrjen, dhe zjarri ka marrë përmasa.
Janë nën monitorim vatrat si më poshtë: Livadhet e Peladhisë, bashka Bulqizë; Në vendin e quajtur Shashicë, bashkia Vlorë; Në vendin e quajtur pyjet e Gurakuqit, bashkia Librazhd; në zonën pas malit të Lisecit, bashkia Gramsh; Në fshatin Strelcë, bashkia Maliq; në fshatin Konisbaltë, bashkia Dimal.
Forcat e angazhuara në operacionet për shuarjen e zjarreve :

– 56 automjete zjarrfikëse

– 953 forca operacionale.

– 5 Helikopterë nga Forcat e Armatosura (operuan në disa zona) dhe 1 helikopter Canadair Italian, i ofruar nëpërmjet Mekanizimit të Mbrojtjes Civile Evropiane,

Sipas IGJEO-s, sot priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarkun e Shkodrës dhe të dobëta në shumicën e qarqeve të vendit. Sa u përket zjarreve, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” në qarqet Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë pritet nivel rrezik “I MODERUAR”.

Autoritet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë pranë strukturave përkatëse për çdo vatër të dyshimtë./E.T

Shkencëtarët kinezë krijojnë bletën e parë robotike, një “spiune” që do të përdoret për…

By: Ke Si
28 July 2025 at 11:41

Shkencëtarët në Institutin e Teknologjisë të Pekinit vendosën një kontrollues në trurin e bletëve për t’i shndërruar me sukses për herë të parë në “robotë”.

Bletët mund të mbajnë nektarin që peshon rreth 80 përqind të masës së trupit të tyre për 5 km (3 milje) pa pushuar, kështu që ato nuk kanë problem të mbajnë një kontrollues të trurit prej 74 miligramësh të zhvilluar nga studiues kinezë. Pajisja ultra e lehtë mund të lidhet në shpinën e bletës dhe të lidhet me trurin e saj nëpërmjet tre gjilpërave të vogla, duke u lejuar njerëzve të kontrollojnë lëvizjet e insektit.

Kontrolluesi përdor impulse elektrike me intensitet të ulët për t’u futur në lëvizjet e insektit, duke e bërë atë të kthehet majtas, djathtas, të përparojë ose të kthehet prapa, varësisht nga situata. Sipas Profesor Zhao Jieliang, në testet e kryera nga ekipi i tij deri më tani, bletët iu bindën komandave të tyre 9 herë nga 10.

“Robotët me bazë insektesh trashëgojnë lëvizshmërinë superiore, aftësitë e kamuflazhit dhe përshtatshmërinë mjedisore të strehuesve të tyre biologjikë”, shkroi Zhao në një punim të rishikuar nga kolegët të botuar muajin e kaluar. “Krahasuar me alternativat sintetike, ato demonstrojnë fshehtësi të shtuar dhe qëndrueshmëri të zgjatur operacionale, duke i bërë ato të paçmueshme për zbulim të fshehtë në skenarë të tillë si luftimet, antiterrorizmi dhe ndalimi i narkotikëve, si dhe operacionet kritike të ndihmës në rast fatkeqësish.”

Për të krijuar kontrolluesin më të lehtë të insekteve në botë, Zhao dhe ekipi i tij shtypën qarqe në film polimer aq të lehtë dhe fleksibël sa krahët e një insekti që ende lejonin montimin e një numri të madh çipash. Megjithatë, pavarësisht suksesit të tyre të fundit, shkencëtarët ende kanë shumë pengesa për të kapërcyer. Për momentin, bletët ende duhet të lidhen me lidhësin, sepse një bateri mjaftueshëm e madhe peshon 600 miligramë, shumë më tepër sesa mund të mbajnë insektet, dhe në disa raste, këmbët dhe barku i tyre refuzojnë komandat.

“Në hulumtimet e ardhshme, saktësia dhe përsëritshmëria e kontrollit të sjelljes së insekteve do të përmirësohet duke optimizuar sinjalet e stimulimit dhe teknikat e kontrollit”, shkruan studiuesit kinezë. “Zgjerimi i njëkohshëm i moduleve funksionale të shpinës së kontrollit do të përmirësojë aftësitë e perceptimit mjedisor të robotëve të bazuar në insekte, duke avancuar vendosjen e tyre në mjedise komplekse operacionale siç janë misionet e zbulimit.”/ TAR

Trefishohet numri i pensionistëve italianë/ Shqipëria destinacioni i preferuar

By: Ke Si
28 July 2025 at 11:40

Emigracioni i pensionistëve italianë gjatë viteve të fundit po bëhet gjithnjë e më i dukshëm si trend, me Shqipërinë që po shfaqet si një nga destinacionet e tyre kryesore. Kështu nënvizohet në raportin vjetor të INPS-së (Instituti Italian i Sigurimeve Shoqërore), ku Shqipëria renditet ndër zgjedhjet kryesore të emigrantëve italianë në moshë pensioni për shkak të politikave të favorshme tatimore.

Spanja dhe Portugalia kanë qenë më herët destinacionet kryesore për pensionistët italianë, por tanimë Shqipëria dhe Tunizia pozicionohen në vend të parë, pasi sipas INPS-it, të dyja vendet ofrojnë kushte më të mira për pensionistët, taksa më të ulëta, klimë më të butë dhe kosto më të ulët jetese.

Ndërsa Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë pensionistë italianë, kjo tendencë është rezultat edhe i një vendimi të qeverisë shqiptare të janarit 2020, kur u vendos që pensionistët e huaj me lejeqëndrim të posaçëm në Shqipëri të mos tatohen për pensionet që ata përfitojnë nga shteti italian.

Sipas raportit të INPS-it, një aspekt interesant është se gratë italiane po emigrojnë gjithnjë e më pak, ndërsa burrat tani përbëjnë shumicën e emigrantëve. Në vitin 2003, gratë përbënin 60% të emigrantëve italianë, ndërsa në vitin 2023, burrat përfaqësojnë 61% të numrit të emigrantëve.

Në vitet 2010-2023 u trefishua numri i pensionistëve italianë që emigruan jashtë vendit. Nga 10 emigrantë për çdo 100,000 pensionistë në vitin 2010, kjo shifër u rrit në 33 në vitin 2023, duke përfshirë kryesisht pensionistët nga veriu dhe qendra e Italisë, si dhe Sicilinë. Rajonet jugore, si Kalabria, Bazilikata apo Sardenja kanë pasur më pak largime për shkak të kushteve ekonomike dhe lidhjes së fortë me familjet dhe komunitetet lokale./e.t

Hyri për të vjedhur një banesë, policia arreston në flagrancë 43-vjeçarin në Lushnjë

By: Ke Si
28 July 2025 at 11:37

Policia e Lushnjës ka parandaluar vjedhjen e dytë në banesë gjatë 24 orëve të fundit, duke vënë në pranga një 43-vjeçar. Pas njoftimit se një shtetas po tentonte të vidhte në një banesë në qytet, efektivët shkuan në adresën e dhënë, duke arrestuar 43-vjeçarin.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, menjëherë pas njoftimit se një shtetas po tentonte të vidhte në një banesë në qytet, organizuan punën dhe shkuan në adresën e dhënë. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u arrestua në flagrancë, në këtë banesë, autori, shtetasi J. P., 43 vjeç”, njofton Policia.

Ndërkohë vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer 43-vjeçari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.  /e.t

Tropojë/ Nëna e tre fëmijëve e zhdukur prej një jave, hetohet edhe krimi në familje!

By: Ke Si
28 July 2025 at 11:23

Një 48-vjeçare nga fshati Bujan i Tropojës rezulton e zhdukur prej datës 22 korrik, duke vënë në lëvizje strukturat e Policisë së Tropojës dhe ato të Kosovës.

Policia po heton prej të paktën tre ditësh kur u bë edhe denoncimi, me dy pista kryesore, largimin e saj për shkak të dhunës në familje dhe një vrasje të mundshme nga bashkëshorti.

Për këtë qëllim më 26 korrik Policia e Kukësit njoftoi se u arrestua 58-vjeçari Imer Shpata, derisa ngjarja të zbardhet plotësisht.

Gruaja, e martuar në Bujan, por me familjen e origjinës në fshatin fqinj Dojan të Njësisë Administrative Bujan, u raportua e larguar nga banesa familjare dhe që prej asaj dite nuk është parë më.

E zhdukura është nënë e tre fëmijëve të rritur, dy djemve, njëri prej të cilëve jeton në Angli, tjetri në Bujan, si dhe e një vajze që banon në Tiranë. Burime policore bëjnë të ditur se dyshohet se largimi i saj ka ardhur si pasojë e dhunës në familje nga bashkëshorti, ndërsa në hetime nuk përjashtohet as pista e vrasjes nga bashkëshorti.

Për gjetjen e 48-vjeçares, Policia e Tropojes është duke bashkëpunuar ngushtë me kolegët e tyre në Kosovë, pasi ekziston mundësia që ajo të jetë drejtuar drejt Gjakovës. Në terren, kërkimet vijojnë pa ndërprerje./e.t

BE jep 15 mln euro për Forcat e Armatosura! Gonzato: Shqipëria partner i qëndrueshëm

By: Ke Si
28 July 2025 at 11:22

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, e ka quajtur Shqipërinë një “partner të afërt dhe të qëndrueshëm” për politikën e jashtme dhe sigurinë e bllokut europian.

Postimi i tij i fundit në rrjetin social Twitter mori për referencë një njoftim të fundjavës, kur Këshilli i Bashkimit Europian miratoi paketën e dytë të asistencës për Forcat e Armatosura Shqiptare.

15 milionë euro u ndanë për vendin nga Mekanizmi Europian për Paqen, duke e çuar në 28 milionë euro totalin e ndihmës për Shqipërinë.

Një hap tjetër i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit BE–Shqipëri në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Shqipëria është një vend partner i afërt dhe i qëndrueshëm i Bashkimit Evropian në politikën e jashtme dhe të sigurisë,” shkroi ambasadori Gonzato.

Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kalla, po ashtu e konsideroi Shqipërinë një kontribues të rëndësishëm në operacionet e BE-së, duke qenë edhe aleat i NATO-s.

Forcimi i bashkëpunimit për sigurinë dhe mbrojtjen me Shqipërinë forcon drejtpërdrejt stabilitetin, sigurinë dhe paqen e Europës,” theksoi znj. Kallas, Përfaqësuesja e Lartë e Punëve të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë, njëkohësisht edhe presidentja e Këshillit të Punëve të Jashtme.

Marrëveshja për një partneritet të ri BE–Shqipëri në fushën e sigurisë u firmos në nëntor të vitit 2024, ndërsa në prill 2025 filloi Dialogu i përbashkët për Sigurinë dhe Mbrojtjen. Ndihma e parë prej 13 milionë euro iu shpërnda Shqipërinë në korrik 2024 nëpërmjet Mekanizmit të krijuar rreth tri vite më herët, në vitin 2021./e.t

Mandati i kaloi vajzës së tezes, Adriatik Lapaj kërkon anulimin e vendimit: Më takon mua

By: Ke Si
28 July 2025 at 10:54

“Shqipëria Bëhet” ka ankimuar në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që i dha mandatin e fituar në qarkun Tiranë vajzës së tezes së Adriatik Lapajt.

Në kërkesën depozituar KAS, Lapaj ka parashtruar edhe njëherë të gjithë pretendimet e tij se përse mandati i takon listës së hapur, duke kujtuar se kandidatët e listës së mbyllur kanë dhënë dorëheqjen nga kandidimi më datë 11 maj.

“Çështja që ngre KQZ-ja nuk ka lidhje me situatën në të cilën ndodhemi. Jemi përpara situatës që 12 kandidatët kanë shprehur vullnetin me shkrim në datën 11 maj për tu dorëhequr nga kandidimi, dhe nëse KQZ do të kishte përmbushur detyrimin ligjor për të dalë me një akt administrativ (të miratimit, refuzimit apo të çfarëdo forme dhe përmbajtje), do të ndodheshim përpara faktit që KQZ nuk do t’i hynte fare këtij diskutimi, por do të kishte proceduar me djegien e listës së mbyllur dhe do të kishte proceduar me kalimin e mandatit tek më i votuari i listës së hapur.

Në kushtet kur KQZ nuk ka vepruar në përputhje me ligjin, e ka vendosur subjektin zgjedhor në një pasiguri juridike në raport me gjithë subjektet e tjera zgjedhore, duke krijuar një precedent te rrezikshëm për sistemin zgjedhor dhe fuqinë institucionale, duke e nëpërkëmbur marrëdhënien mes institucionit dhe individit. Kjo për faktin se heshtja e KQZ ka krijuar kushtet për të vesuar vullnetin e kandidatëve të tërhequr.

Pjesë e këtij procesi ankimimi duhet të jetë edhe interpretimi dhe unifikimi i praktikave të ndryshme që ka ndjekur KQZ duke zbatuar rastin e precendetit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 ku kandidati Tom Doshi u tërhoq nga kandidimi ditën e zgjedhjeve dhe KQZ u shpreh me vendim, një ditë pas këtij akti. A i ndryshoi KQZ në këtë rast listat shumëemërore?! A përbënte ky fakt për KQZ arsye për ta quajtur këtë veprim si ndryshim i listave shumëemërore në kundërshtim me Nenin 73/4 të Kodit Zgjedhor?!”, thuhet në kërkesën e Lapajt./e.t

‘Ferr’në Tokë/ Rekord nxehtësie, temperaturat arrijnë në 50 gradë Celsius

By: Ke Si
28 July 2025 at 10:50

Ministria e mjedisit e Turqisë tha se meteorologët kishin regjistruar një temperaturë prej 50.5 gradë Celsius në juglindje të vendit, një rekord në të gjithë vendin. Temperatura rekord u regjistrua të premten në Silopi, njoftoi ministria.

Dhe në të gjithë vendin, 132 stacione meteorologjike kishin regjistruar temperatura rekord për muajin korrik, shton deklarata. Silopi, në provincën e Sirnakut, ndodhet vetëm 10 kilometra nga kufijtë e Turqisë me Irakun dhe Sirinë. Rekordi i mëparshëm i nxehtësisë në temperaturë, i regjistruar në gusht 2023, ishte 49.5 gradë Celsius. Vendi është aktualisht në “kthetrat” e një vale të nxehti dhe po lufton zjarret në një numër rajonesh.

Zjarrfikësit kanë luftuar për katër ditë për të kontrolluar një zjarr në provincën veriore të Karabukut, duke detyruar evakuimin e disa fshatarëve. Të mërkurën, 10 persona humbën jetën duke luftuar një zjarr në provincën Eskisehir. Vala e të nxehtit, e cila pritet të zgjasë edhe disa ditë, ka detyruar disa autoritete lokale të njoftojnë kufizime në konsumin e ujit, duke përfshirë edhe vendpushimin bregdetar të Çeşmesë, pranë Izmirit në bregdetin perëndimor të Turqisë./e.t

Grekët “vajtojnë” për shqiptarët? Mungojnë punëtorë në turizëm

By: Ke Si
28 July 2025 at 09:56

Industria e turizmit në Greqi po vuan nga një mungesë akute e stafit. Ajo mbështetet te punëtorët e huaj. Por Athina po i pengon emigrantët me masa të ashpra dhe duke kufizuar migrimin.

“Do të shkoja në gjunjë sot në kishën e Megalokarit për të gjetur një anëtar stafi në kohë për vitin e ardhshëm”, thotë Matina, pronarja e butikut elegant “Armonia” në Tinos. Ajo i referohet me këtë pelegrinazhit më të famshëm të grekëve, i cili zhvillohet çdo vit më 15 gusht në ishullin Cikladik. Pelegrinët bëjnë udhëtimin e gjatë deri në kishë në gjunjë, duke u lutur që Virgjëresha Mari t’u plotësojë dëshirat për shëndet, ndihmë dhe mbështetje.

Edhe Matina shpreson për ndihmë: Ajo kërkon me dëshpërim staf, po me pak sukses, edhe pse pagat në Tinos janë pak më të larta se në Athinë dhe ajo mund të ofrojë edhe akomodim. Por po bëhet gjithnjë e më e vështirë të gjesh punëtorë për sezonin e verës në turizëm. Pothuajse kudo në ishullin popullor të pushimeve, mund të shihni tabela që shkruajnë: “Kërkohet Staf”.

Në dyqanin e bizhuterive pranë butikut, një shitëse mjaft e sjellshme Tamar mezi kupton greqisht. Ajo mund të flasë vetëm përshëndetjet e zakonshme dhe pastaj kalon menjëherë në anglisht. Për të kuptuar se çfarë duan klientët më të vjetër grekë, ajo duhet të telefonojë shefin e saj. Megjithatë, argjendari është i kënaqur që ka gjetur një punonjëse për të gjithë verën. Tamar është nga Gjeorgjia, ka ardhur në Greqi ligjërisht si punëtore sezonale dhe punon në Tinos prej një muaji.

Hotelierët grekë kërkojnë me urgjencë punëtorë
Në Greqi mund të vinin për të punuar me dokumente të rregullta më shumë njerëz si Tamar. Pranverën e kaluar Greqia nënshkroi marrëveshje përkatëse me Armeninë, Gjeorgjinë, Republikën e Moldavisë, si dhe me Indinë, Filipinet dhe Vietnamin, duke u zotuar të rekrutonte 40,000 punëtorë të huaj. Në realitet, megjithatë, këto marrëveshje po zbatohen shumë ngadalë ose me pak ose aspak sukses.

Burokracia është e ndërlikuar, konsullatat greke jashtë vendit kanë mungesë stafi dhe ofertat nuk janë veçanërisht tërheqëse. Prandaj, hotelierët në të gjithë vendin janë ende në kërkim të dëshpëruar për recepsionistë, pastrues, punonjës pishine, portierë, kamerierë dhe kuzhinierë. Sipas Shoqatës Greke të Hoteleve, ka një mungesë prej të paktën 60,000 punëtorësh në industrinë e tyre.

Mungesa e fuqisë punëtore me përmasa të mëdha
Pjesërisht kjo është trashëgimi e pandemisë së koronavirusit 2020-2023, e cila ende ndihet në të gjithë Evropën, thotë Jorgos Hosoglu, President i Federatës Panhelenike të Punëtorëve të Ushqimit dhe Turizmit. Problemi është veçanërisht i mprehtë në Greqi: “Po përjetojmë një mungesë të paparë të punëtorëve të kualifikuar dhe me përvojë, veçanërisht në sektorin e hoteleve dhe restoranteve, pasi punëtorët u larguan gjatë izolimit. Shumë prej tyre nuk janë kthyer kurrë në këtë industri.”

Sipas Hosoglu, një faktor është sezonaliteti në turizëm. Kur turistët largohen dhe hotelet dhe baret në plazh mbyllen, punëtorët kanë të drejtë për përfitime papunësie vetëm për tre muaj. “Si supozohet të mbijetojnë ata pjesën tjetër të vitit, veçanërisht tani, kur kostoja e jetesës është rritur për një kohë të gjatë?”

Përveç kësaj, një numër gjithnjë e në rritje i grekëve të rinj po kërkojnë punë sezonale në Evropën Veriore, madje edhe në Islandë. Edhe shumë shqiptarë që kanë punuar si fuqi punëtore e lirë në Greqi për dekada ose po i afrohen daljes në pension ose po largohen nga Greqia.

Shqiptarët e harruar
Fakt është që ekonomia greke është mbështetur tek puna e emigrantëve nga vitet 1990, si në sektorin e turizmit ashtu edhe në bujqësi dhe ndërtim. Deri në kohën e krizës ekonomike, Greqia ishte shumë e varur nga fuqia punëtore nga Shqipëria. Gjatë programeve të “rimëkëmbjes financiare” (2010-2018), kërkesa ra ndjeshëm. Megjithatë, pas pandemisë, kur ekonomia u rimëkëmb dhe turizmi u rrit kjo kërkesë u shumëfishua

Por të njëjtin zhvillim patën edhe vende të tjera që ofrojnë paga më konkurruese dhe procedura më të thjeshta legalizimi për emigrantët. Si rezultat, shumë punëtorë të bujqësisë të emigruar nuk u kthyen kurrë në Greqi. Prandaj, duket e qartë se Greqia ka nevojë për një politikë tërheqëse imigracioni. Përveç 60,000 punëtorëve shtesë të nevojshëm në turizëm, nevojiten edhe 50-60,000 të tjerë në sektorin e ndërtimit dhe 60,000 në sektorin e bujqësisë.

Athina ndjek politikë ultra të djathtë në vend të politikës së mençur të migracionit
Por qeveria konservatore e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ka vendosur të ndjekë politikën kundër imigracionit. Sipas saj mënyra më e mirë për të kapërcyer krizat, skandalet dhe vlerësimet e ulëta në sondazhe është të marrë masa të ashpra ndaj emigrantëve. Qëllimi është të fitohen votuesit e krahut të djathtë.

Ish-Ministri i Migracionit, Makis Voridis, i cili dha dorëheqjen në fund të qershorit për shkak të një skandali që përfshinte subvencione të paligjshme bujqësore të BE-së, tashmë ua ka vështirësuar jetën shumë emigrantëve të ligjshëm. Hapi i tij i parë ishte “ngrirja” e mundësisë së zgjatjejeve të lejeve të qëndrimit. Kjo përbën një problem të madh për emigrantët që kanë jetuar dhe punuar në Greqi – disa prej tyre prej vitesh.

Ministri i ri, Thanos Plevris i ekstremit të djathtë, nuk është marrë aspak me nevojën urgjente për emigracion të ligjshëm që kur mori detyrën. Në vend të kësaj, ai menjëherë ashpërsoi edhe më tej ligjin për azilin. Riatdhesimi i emigrantëve të paligjshëm është përparësia kryesore, sipas tij. Migrantët që hyjnë në Evropë ilegalisht ose kërkesat e të cilëve për azil refuzohen nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Evropë dhe duhet të kthehen menjëherë në vendet e tyre, shprehet ai.

“Burg ose kthim”
Në takimin joformal të Ministrave të Brendshëm dhe të Imigracionit të BE-së në Kopenhagen (22 korrik 2025), Plevris e bëri të qartë se Greqia nuk mund të përballojë më fluksin në rritje të migrantëve nga Libia. Sipas Ministrisë së Jashtme greke, 9,000 njerëz kanë mbërritur që nga fillimi i vitit, kryesisht nëpërmjet ishullit të Kretës. Plevris prezantoi me krenari ligjin e tij të ri. Ai parashikon një dënim me burg nga dy deri në pesë vjet për azilkërkuesit e refuzuar që nuk kthehen në atdheun e tyre. “Kushdo që qëndron ilegalisht në vendin tonë ka dy mundësi: burg ose kthim”, tha ministri dhe bëri të mundur që një poster me këtë deklaratë të prodhohej dhe shpërndahej në mediat sociale./DW

Zjarret masive në Turqi, 3,500 qytetarë evakuohen nga Bursa, katër viktima (VIDEO)

By: Ke Si
28 July 2025 at 09:50

Më shumë se 3,500 banorë u evakuuan nga shtëpitë e tyre të gjatë fundjavës përreth qytetit industrial të Bursës, në veri-perëndim të Turqisë, për shkak të dy zjarreve pyjore masive që kanë vazhduar për më shumë se 24 orë.

Ministri, Ibrahim Yumakli, bëri të ditur se 3,515 qytetarë u larguan me urgjencë drejt zonave të sigurta, ndërsa 2,300 zjarrfikës dhe shpëtimtarë janë angazhuar në përballjen me flakët, të ndihmuar nga më shumë se 850 automjete, gjashtë avionë dhe katër helikopterë.

Flakë nën temperaturat ekstreme

Temperaturat në zonë po qëndrojnë mbi 40°C, duke rritur rrezikun për përhapje të shpejtë të zjarrit. Autoritetet ende nuk kanë dhënë të dhëna të sakta mbi shtrirjen e pyjeve dhe bimësisë së djegur, por konfirmojnë se situata është kritike.

“Një pyll që digjet është si dikush që merr një armë dhe qëllon në atdheun tonë,” deklaroi ministri Yumakli, duke shtuar se do të nisin menjëherë fushata për ripyllëzimin e zonave të shkatërruara.

 

Katër viktima brenda pak ditësh

Një zjarrfikës humbi jetën nga një atak kardiak të shtunën në mbrëmje gjatë operacioneve në terren. Ndërkohë, tre persona të tjerë vdiqën në një aksident rrugor ku u përfshi një cisternë uji që po përdorej për shuarjen e zjarrit.

Tragjedia nuk ndalet këtu: të mërkurën, 10 punonjës pyjorë dhe vullnetarë humbën jetën në një tjetër zjarr rreth 150 kilometra në lindje të Bursës.

Alarmin në Karabuk dhe paralajmërimi për muajt në vijim
Ndërkohë, një tjetër zjarr i madh pyjor në provincën rurale të Karabukut, një nga rajonet me mbulesën më të dendur pyjore në vend, vijon prej pesë ditësh, pavarësisht përpjekjeve intensive. Më shumë se 1,800 banorë janë evakuuar edhe aty.

Sipas mediave turke, zjarret në këtë zonë janë përhapur për dhjetëra kilometra, duke e bërë ndërhyrjen jashtëzakonisht të vështirë për shkak të terrënit të thepisur dhe pyjeve të dendura, që mbulojnë 72% të provincës.

3,000 zjarre që nga fillimi i verës

Sipas deklaratës së Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, më shumë se 3,000 zjarre pyjore janë regjistruar në gjithë territorin e Turqisë që nga fillimi i sezonit veror.
Autoritetet kanë bërë thirrje për vigjilencë të shtuar, duke paralajmëruar se situata do të mbetet në nivel alarmi deri në tetor, për shkak të valëve të të nxehtit dhe thatësirës së zgjatur që po prekin pjesë të mëdha të vendit./e.t

Muskujt kundër mendjes

By: Ke Si
28 July 2025 at 09:46
Nga Lutfi Dervishi
Një polic godet me shpullë një kamarier 18-vjeçar. Fadroma që shembin shtëpitë në Theth. Policë në pozicion luftimi. Mungoi vetëm desantimi i RENEAs mbi çatitë alpine.
Ku ishte polici, inspektori, deputeti, kryeplaku, kryetari i bashkisë kur hapeshin themelet?
Pse shteti zgjohet vetëm kur përfundon çatia?
Zgjidhja? Dhunë. Madje sa më spektakolare.
Dhe nga malet dhuna zbret në studio. Zënka reale dhe të stisura. Për audiencë.
Dhunë në TV.
Dhunë në Parlament.
Dhunë në shkollë.
Dhunë në familje.
Dhunë online.
Një gjol komentuesish, që “në vend të truve kanë byk”, mezi presin të zbrazin mllefin.
Nuk ka vend për argument e logjike.
Një filozof francez thotë se dhuna është treguesi më i vërtetë i mungesës së fjalorit. Komunikimi shndërrohet në konfrontim.
Idhujt e rinj janë të fortit.
E kemi bërë dhunën pjesë të gjuhës, sjelljes, dhe pjesë të zgjidhjes.
Nuk flasim, godasim.
Nuk dëgjojmë, bërtasim.
Nuk bindim, kërcënojmë.
Në vend të fjalës, kemi grushtin.
Në vend të mendjes, kemi muskujt.
Dhunë verbale!
Dhune psikologjike!
Dhunë fizike!
Dhe arroganca e të fortit shfaqet sa te polici halabak që godet një 18-vjeçar (dhe nuk kërkon as ndjesë) deri te ligjvënësit pa tru dhe pa nder që miratojnë me dhunën e kartonit ligje në dëm të interesit publik.
Dhuna sjell dhunë!
Është më lehtë të sundosh një turmë të frikësuar për bukën e gojës, sesa qytetarë të vetëdijshëm.
Edhe tradita nuk na ndihmon shumë : “kush të rreh, të do”, “dajaku ka dalë nga xheneti”…
Fjala e ka humbur vlerën. Edukimi duket demode. Injorantët janë më të bindur se kurrë dhe budallenjtë kanë marrë kot.
Lajmi mirë është që disa libra ende shiten për t’u përdorur si aksesor në plazh.

Dhunimi i kamarierit në Vlorë, flet vëllai i policit: Nuk e qëlloi Ardiani!

By: Ke Si
28 July 2025 at 09:26

Vëllai i policit të përfshirë në incidentin e dy dite më parë, ku u dhunua një kamerier 18-vjeçar në Vlorë, thotë se personi që e qëlloi adoleshentin nuk është vëllai i tij, Ardian Isufi, efektiv i Policisë së Shtetit.

“Ju keni parë një pjesë të kamerave. Ai gazetari t’i nxjerrë të gjitha pamjet. Unë nuk kam qenë prezent por çfarë më ka thënë vëllai: Ai ka qenë pushim. Ka shkuar te lokali për të pirë një kafe. Në tavolinë ka gjetur edhe një person tjetër që e ka ftuar në lokal. Janë ulur për të pirë një kafe dhe një ujë dhe nuk është bërë sherr për ujin, se nuk zihen njerëzit për ujin.  Vëllai im i kërkon një bidon ujë të madh dhe një kafe. Të mos futemi në detaje, por ai i sjell dy bidonë dhe me të qeshur i thotë “pijeni dhe këtë”. Nuk kam qenë aty që të ta shpjegoj me detaje. Sjellja e kamerierit ka irrituar personin në krah të vëllait tim. Vëllai im, për të shmangur konfliktin është ngritur dhe i ka thënë “ik andej, se duhet të sillesh mirë, je i vogël”. Unë nuk kam qenë aty, por kamerat i ka lokali”, rrëfen Flamur Isufi.

Ai shton se menjëherë pas incidentit, palët janë ulur dhe i kanë kërkuar madje falje babait të adoleshentit. “Personi që godet kamerierin nuk është vëllai im. Vëllai im çohet nga tavolina dhe i thotë kamerierit të jetë i kujdesshëm me klientët. As e ka sharë, as e ka goditur. Personi që është irrituar është personi tjetër. Kamerieri, në bisedë, në konflikt me zotërinë. Vëllai im u fut. Në këtë moment i thotë “Pse çfarë është ai?”. Janë ulur në tavolinë me babanë e djalit, kanë folur, janë ndarë si miq. Edhe me menaxherin e lokalit nuk kanë pasur ndonjë problem. Se vëllai im, duke qenë 15 vjet oficer policie, e di shumë mirë se si mund t’i shmanget një konflikti”, tha Isufi./e.t

A po e dëmton Kotorin statusi i UNESCO-s?

By: Ke Si
28 July 2025 at 09:24

Më shumë se 65 organizata joqeveritare kanë kërkuar shkarkimin e ministrit të Planifikimit Hapësinor, Sllaven Radunoviq, për shkak të deklaratës së tij se Mali i Zi duhet të mendojë nëse ka më shumë dëm apo dobi nga fakti që Kotori është nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Radunoviq më 24 korrik tha se mund të organizohet një referendum për qytetarët e Bokas lidhur me këtë çështje.

Kotori, një qytet mesjetar në Boka Kotorska, gëzon statusin e trashëgimisë botërore që nga viti 1979 për shkak të vlerave kulturore dhe arkitektonike.

Idenë për referendum e kanë hedhur poshtë autoritetet e Kotorit.

“Do të bëjmë çfarë duhet. Perla do të mbetet perlë”, tha kreu i Kotorit, Vladimir Jokiq.

Çfarë e motivoi ministrin të propozojë referendumin?

Deklarata e Radunoviqit erdhi pas mbledhjes së Komitetit për Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s në korrik në Paris, ku u vlerësua se ka pasur përkeqësim serioz të ruajtjes së zonës natyrore dhe historiko-kulturore të këtij qyteti.

U hap gjithashtu mundësia që Kotori të vendoset në Listën e Trashëgimisë Botërore në rrezik.

Malit të Zi iu kërkua vendosja e një moratoriumi mbi projektet ndërtimore në zonën e mbrojtur, që përfshin pjesë të komunave Kotor, Tivat, Herceg Novi dhe Cetinje.

“Duhet të mendojmë nëse na sjell më shumë dobi të jemi në UNESCO apo më shumë përfitim nëse mund të ndërtojmë. Këto janë dëme të mëdha”, tha Radunoviq.

Ai shtoi se duhet hapur një debat publik mbi statusin e Kotorit.

“Dhe të shpallet një referendum për qytetarët e Bokas që të shihet çfarë do të bëhet më tej dhe nëse duhet ende të jemi në UNESCO”, shtoi ai.

Statusi i trashëgimisë botërore në rrezik?

Sipas raportit të UNESCO-s, është theksuar se Mali i Zi nuk ka përmbushur rekomandimet kyçe që janë përsëritur për vite me radhë.

Pikat problematike përfshijnë mungesën e ekspertëve, mungesën e një Studimi për Zonën e Mbrojtur, ligje të pakoordinuara dhe mungesë transparence në planifikim.

Për këtë arsye UNESCO kërkon ndalim urgjent të lëshimit të lejeve të ndërtimit, ndryshime të ligjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ndalim të shfrytëzimit të burimeve natyrore në zonën e mbrojtur…

Nevojitet gjithashtu një rishikim i planeve të zhvillimit urban për t’u përputhur me parimet e ruajtjes së vlerave të jashtëzakonshme universale, forcimi i institucioneve dhe krijimi i një sistemi transparent të menaxhimit.

Afati për zbatimin e masave përfundon në shkurt të vitit 2026.

Ministria e Kulturës nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë për koment mbi nismën e Radunoviqit, si dhe për pasojat nëse Mali i Zi nuk zbaton rekomandimet e UNESCO-s.

‘Jemi të barabartë me një fatkeqësi natyrore’

Kryetari i Komunës së Kotorit, Vladimir Jokiq, e hodhi poshtë idenë për referendum, duke theksuar se ruajtja e trashëgimisë kulturore është një detyrim civilizues.

“Ruajtja e vlerave të jashtëzakonshme universale nuk mund të jetë objekt referendumi. As qeveria, as komuna, as qytetarët nuk duan të shkëputen nga qytetërimi”, tha Jokiq.

Ish-ministrja e Urbanizmit, Ana Novakoviq Gjuroviq, vlerësoi se deklarata e Radunoviqit për një referendum të mundshëm përfaqëson një qëllim të rrezikshëm të qeverisë për të shkatërruar Boka Kotorskën dhe për ta fshirë atë nga harta e trashëgimisë botërore.

“Propozimi është absurd, jashtëzakonisht i papërgjegjshëm dhe tregon një mosnjohje themelore të fakteve dhe standardeve ndërkombëtare”, u shpreh Novakoviq Gjuroviq.

Edhe dega e Kotorit e Lëvizjes “Evropa Tani”, e kryeministrit Milojko Spajiq, deklaroi se janë kundër idesë për organizimin e çfarëdo referendumi.

“Çështjet zhvillimore dhe infrastrukturore të Kotorit dhe Boka Kotorska janë të rëndësishme dhe kërkojnë qasje serioze, por zgjidhjet duhet të kërkohen brenda kornizës që nënkupton ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike”, thanë nga Lëvizja “Evropa Tani”.

Arkitektja Biljana Gligoriq tha se Kotori mund të përfshihet së shpejti në listën e kuqe të UNESCO-s.

“Ka qenë një herë më parë në atë listë. Pas tërmetit. Ja si kemi kujdesur për të. Jemi të barabartë me një fatkeqësi natyrore për këtë perlë të planetit”, tha Gligoriq.

‘Statusi i UNESCO-s është njohje, jo pengesë’

Nëse Mali i Zi nuk i përmbush rekomandimet deri më 1 shkurt të vitit të ardhshëm, Kotori mund të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik – një regjistër ndërkombëtar i vendeve që përballen me kërcënime serioze ndaj vlerave universale.

Statusi i trashëgimisë botërore që gëzon Kotori nën mbrojtjen e UNESCO-s përfaqëson njohje për vlerat e tij të jashtëzakonshme universale, thuhet në deklaratën e 65 organizatave joqeveritare.

“Humbja e këtij statusi do të sillte pasoja afatgjata – rënie të besimit, ulje të investimeve, humbje të interesit nga partnerët ndërkombëtarë dhe dëmtim të reputacionit të shtetit”, deklaruan organizatat joqeveritare.

Heqja dorë nga statusi i UNESCO-s do të nënkuptonte lënien e hapësirës vetëm në dorën e logjikës së tregut, duke anashkaluar interesin publik dhe identitetin kulturor, u shpreh sektori civil.

Shembuj të humbjes së statusit të UNESCO-s

Në raste ekstreme, një lokacion mund të hiqet plotësisht nga lista e UNESCO-s, siç ndodhi me Luginën e Elbës në Dresden të Gjermanisë dhe me portin e Liverpulit.

Lugina e lumit Elba pranë Dresdenit ishte vendi i parë në Evropë dhe i dyti në botë që u hoq nga lista e Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s.

Dresdeni është një nga qytetet e rralla në Gjermani që ka ruajtur pamjen e tij prej 250 vitesh.

U hoq nga lista sepse autoritetet vendosën të ndërtojnë një urë moderne me katër korsi mbi lumin.

Sipas Komitetit të Trashëgimisë Botërore, ndërtimi i urës nuk e ruante vlerën universale të jashtëzakonshme të luginës së lumit Elba.

Më parë, në vitin 2007, UNESCO kishte fshirë nga lista Rezervatin e oriksit arab (një lloj i rrallë antilope) në Oman, pasi autoritetet vendase e zvogëluan zonën e mbrojtur me 90 për qind, duke shkatërruar vlerën universale të jashtëzakonshme të asaj zone./e.t

❌
❌