Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Thethi nuk është i vetmi vend ku shteti duhet të kujtohet për ligjin

11 July 2025 at 19:55

Nga Ardit Rada

Pamjet nga Thethi, ku përplasjet mes banorëve dhe forcave të rendit pasuan shembjen e disa ndërtimeve pa leje, kanë ndezur një debat të vjetër. Në rrjetet sociale u rindezën akuzat për selektivitet, për “shtet që shfaqet vetëm kur ka turistë” dhe për “ligj që bie mbi të dobëtin”. Por e vërteta është më e ndërlikuar dhe më urgjente se kurrë.

Po, aksioni në Theth është i drejtë. Ndërtimi pa leje, qoftë edhe në emër të turizmit, është një plagë që ka shkatërruar natyrën, ka deformuar zonat e mbrojtura dhe ka minuar besimin te shteti. Mbi të gjitha, ka lënë shumicën e shqiptarëve në varfëri ku pronat në tërësi i kanë gëzuar të padrejtët dhe jo trashëgimtarët e tyre. Sot duhet kuptuar se nuk ka turizëm të qëndrueshëm mbi themele të paligjshme. Dhe është një hap pozitiv që qeveria ka vendosur të veprojë me vendosmëri për të ndalur këtë rrënim të heshtur. Thethi nuk është thjesht një fshat i bukur, është një pasuri kombëtare që nuk i përket as një ndërtuesi të caktuar apo ndonjë familjeje.

Por këtu lind edhe pyetja që shumë qytetarë e ngrenë me të drejtë: pse shteti vepron vetëm në zonat turistike, ndërkohë që qindra-mijëra qytetarë në periferitë e qyteteve, në fshatra të harruar apo edhe në lagjet e mëdha urbane, kanë mbi supe barrën e padrejtësive me pronat, prej më shumë se 30 vitesh? Pse askush nuk ndërhyn për t’u kthyer tokat pronarëve të ligjshëm që i kanë fituar vendimet e gjykatave apo janë në pritje, që shohin apo kanë parë për 35 vite sesi pronat e tyre mbushen me ndërtime dhe beton pa asnjë pengesë?

Ajo që mungon në këtë vend nuk është ligji, por një drejtësi e konsistente, që nuk zbatohet sipas sezonit turistik, por sipas parimit se “ligji është i barabartë për të gjithë”. Sot, Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për një qasje sistematike ndaj çështjes së pronës. Ka nevojë për një gjykatë speciale për pronat, një mekanizëm të dedikuar që të zgjidhë përfundimisht dhjetëra mijëra dosje të bllokuara, të manipuluara ose të vonuara padrejtësisht.

Sepse prona është e shenjtë. Jo vetëm kur ndërtohet pa leje në Theth, por edhe kur zaptuesit marrin tokat e një familjeje në Durrës, në Shkodër apo në Lushnje. Shteti nuk mund të ofrojë vetëm spektakël sezonal, por duhet të jetë një garanci e përditshme.

Aksioni në Theth është një hap në drejtimin e duhur, por nuk duhet të mbetet një përjashtim i bujshëm. Të shembësh një ndërtesë pa leje është e nevojshme, por më e nevojshme është të ndërtosh një sistem ku askujt nuk i lind ideja të ndërtojë pa leje në radhë të parë. Për këtë duhet drejtësi dhe vendime, e jo retorikë. Nëse ky standard do të ndiqet me të njëjtën forcë dhe përkushtim në çdo cep të vendit, atëherë shteti do të fitojë jo vetëm betejën kundër ndërtimeve pa leje, por edhe besimin e një populli të zhgënjyer nga “cirku” me Gjykata, Komisione, Kadastra dhe Aluizna, e që ka pritur shumë gjatë për drejtësi.

The post Thethi nuk është i vetmi vend ku shteti duhet të kujtohet për ligjin first appeared on JavaNews.al.

Unë, “mercenari” i SPAK, që “parashikova” arrestimin e Ilir Metës

3 July 2025 at 20:03

Nga Ardit Rada

Tedi Blushi, ish-gazetar me kujtesë të përzgjedhur dhe zëdhënës i Ilir Metës, ka shpërndarë së fundmi një listë “non grata” gazetarësh, duke na quajtur “mercenarë të SPAK”. Dhe e gjitha sepse kemi guxuar të bëjmë një parashikim logjik për fatin e padiskutueshëm penal të shefit të tij: Ilir Metës.

Në atë listë jam edhe unë që 6 muaj para se Ilir Meta të prangosej, shkruajta se s’mund të ketë fund tjetër veç prangave një njeri që përveçse nxiti në vend një frymë anti-amerikane dhe anti-BE, e njihnim të gjithë për jetë luksoze të familjes së tij jashtë vendit e të tjera, që populli i di. I kam bërë të tilla analiza sepse mendoj se nuk ka krim më të madh në gazetari sesa të mos thuash të vërtetën për një hajdut që ka pasur imunitet për dekada me radhë. Që u vranë 4 qytetarë prej tij dhe i quajti kokëpalarë etj. Pra në thelb kam thënë shumë më pak sesa Sali Berisha për Ilir Metën! Dhe s’mund të ketë turp më të madh sesa të jesh ish-gazetar që sot del nëpër konferenca shtypi dhe intimidon kolegët e tu vetëm sepse kanë ekspozuar realitetin dhe mendon se po i sheh si Zeusi nga lart meqenëse ke marrë një pushtet të përkohshëm politik. Ky është Tedi Blushi sot. Një zëdhënës që ka ndërruar kostumin e gazetarit me çorapet politike të Ilirit. Dhe i rri mirë.

Por më shumë se gjuha e një zëdhënësi të rënë në hall, më neverit heshtja e atyre që e quajnë veten “mbrojtës të lirisë së shtypit”. Shoqatat e gazetarëve janë ulur në prehrin e politikës dhe nuk thonë asnjë fjalë, as kur kolegët sulmohen publikisht për llogari të politikanëve që kanë provuar prangat e bekuara nga SHBA dhe BE.

Po jua them publikisht: Nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë komunikim me ndonjë deputet të Kuvendit të Shqipërisë. Aq më pak me ndonjë prokuror të SPAK që të më japë lajme për t’i “shitur”. Gjithçka kam shkruar, e kam bërë me aq profesionalizëm sa mund të kem dhe me përgjegjësi, pa pasur nevojë për burime të paguara. Madje jam i hapur për Blushin dhe këdo që t’i vej ne dispozicion bilancet e mia dhe të shohin se jam nga të paktët gazetarë që s’kam as automjet. Dhe këtë e quaj fat pavarësisht nevojës, se nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të ecësh në këmbë apo të udhëtosh me autobus urban dhe të të falënderojnë qytetarët pse denoncoj me aq sa mundem hajdutët dhe kriminelët e popullit të tyre. E them këtë, sepse në ndryshim nga disa ish-gazetarë që sot japin konferenca për shtyp me shpresën se do y’i shpëtojnë shefat nga burgu, unë s’i kam borxh ndonjë shefi me apo pa pushtet politik.

E kam kursyer prej kohësh Tedi Blushin nga kritikat. Madje, kur LSI shpërndante mandate për njerëz pa shkollë, pa dinjitet e pa një fjali të artikuluar, kam thënë me vete: pse të mos jetë edhe Blushi deputet? Të paktën i kishte thënë punës ‘bismilah’. Edhe pse sot mandatin e mori pa garë, pa përballje dhe pa moral politik. Por nuk është kjo tragjedia. Tragjedia është se sot, nga ai post, ai ka vendosur të shpifë, të etiketojë dhe të kërcënojë kolegë që bëjnë vetëm një gjë: punën e tyre. Tjetër gjë pse puna jonë nuk përputhet me planet e Ilir Metës.

Ka njerëz që pushteti i ndryshon, i nxjerr zbuluar. Siç thoshte Sali Berisha për një TV francize në vitet `90: “Pushteti ka prishur burra më të mirë se unë”. Tedi është një prej tyre dhe sot është kthyer në gojën e zellshme të një partie që është fundosur me kohë në hetime dhe është braktisur nga elektorati.

Dhe në fund, një sqarim për publikun: Unë nuk kam qenë dhe nuk jam i dënuar për shpifje si dikush. Nuk jam kapur ndonjëherë duke gjobitur nga kolltuku në Tiranë ndonjë ish-nëndrejtor të Polcisë së Korçës. Dhe mbi të gjitha, nuk kam shitur kurrë ndërgjegjen time për t’i shërbyer
një partie. Se ndryshe do isha unë deputet dhe jo ai që përmenda më sipër.

Gazetaria nuk është as shpifje, as ofiq, as pazar. Është përgjegjësi. Dhe nëse kjo përgjegjësi i shqetëson ata që dikur kanë qenë gazetarë dhe sot janë zëdhënës të hajdutëve, ky është problemi i tyre, jo yni që nuk ndajmë të njëjtin mendim me ta.

Nuk jemi ne që kemi frikë nga drejtësia e aq më pak nga presionet politike. Ne nuk kemi nevojë për mbrojtës me kravatë. Mjafton të bëjmë punën tonë. Me fakte. Me zë. Dhe pa frikë. Jemi ata që presim ta shohim drejtësinë më në fund në veprim. Ndërsa ata që mbrojnë hajdutët me çdo çmim, duhet ta marrin me mend fatin e tyre në histori, politikë etj.

Çfarë na tregon dasma e Alex Soros për rolin e SHBA-së së Trump në punët e Shqipërisë

18 June 2025 at 13:08

Nga Ardit Rada/

Ky Rama është i çmendur apo si? Merr gruan e shkon në dasmën e armikut të Donald Trump në zemër të Amerikës? Po dosja Mcgonigal? Po urimi i thartë për zgjedhjet e 11 majit? Po aleatët e Berishës brenda kompanive të lobimit? Po i madhi Chris Lacivita? Ku shkuan gjithë këto gropa thithëse që do të merrnin me vete Edi Ramën dhe pushtetin e tij 12 vjeçar?

Populli i djathtë (por edhe të tjerë në qendër apo të painteresuar) ka bërë të paktën njërën nga këto pyetje këto ditë teksa ka mësuar se çifti Rama do të merrte pjesë në dasmën e Alex Soros, pasardhësit të “kuçedrës” liberale Xhorxh. Jo vetëm kaq. Do të shtrëngonte duart me çiftin Klinton, me Kamala Harris, shefin e senatorëve demokratë Shumer e plot liberalë të tjerë që në Amerikën e sotme të Donald Trump shihen si një lloj murtaje politike.

E megjithatë Rama shkuar aty dhe ka mbajtur edhe fjalim për nder të mikut të tij Alex. Ka pozuar edhe për albumin fotografik të çiftit të sapomartuar dhe nuk është fshehur askund. Me një fjalë ka vajtur “si për dasëm” në Amerikën që vetëm pak orë më parë prangoste një kandidat demokrat për kryetar të Bashkisë së Nju Jorkut!

Sfidë më të madhe se kaq për një politikan të vockël Ballkani zor se gjen. Një sfidë nga ato që të fshijnë të gjithë paragrafin që kishe ndërtuar në kokë para 11 majit, në lidhje me fatin e zi që SHBA po gatuanin për Edi Ramën.

Dasma e Alex Soros na tregon indirekt disa gjëra të rëndësisme që lidhen me raportin aktual mes vendit tonë dhe Amerikës trumpiste. Së pari na provon edhe një herë, nëse kishim nevojë, se politika e re e Uashingtonit ndaj nesh është indiferenca. Ajo indiferencë që aplikohet sot si një doktrinë e mirëfilltë e administratës Trump ndaj vendeve deri dje aleate e mike. Merruni me veten tuaj, ne kemi punët tona – kjo është maksima e re e qeverisësve të SHBA për reston e botës. Dhe natyrisht edhe për Shqipërinë e vogël.

Nga të gjitha mënyrat për të kuptuar pozicionin e sotëm të Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë, mesa duket më e qarta dhe më sarkastikja rezultoi të jetë një dasmë. Jo çfarëdo dasme, por dasma e Alex Soros, djalit të armikut të Donald Trump!
Tani, hajde thuaj që SHBA-ja “e vërtetë” është me çiftin Berisha-Meta dhe se Rama është i izoluar ndërkombëtarisht. Në një botë ku simbolika vlen më shumë se 300 konferenca shtypi, kjo është një shuplakë që flet vetë. Sepse nëse Edi Rama guxon të shfaqet me krerët e administratës Biden, Sorosët dhe gjithë atë elitë politike që Trumpi fajëson, kjo tregon dy gjëra: Se Rama nuk është as në hall dhe as në kërkim faljeje, dhe se SHBA-ja nuk e konsideron Shqipërinë më shumë sesa rreshtat e pakët të urimit për zgjedhjet e 11 majit.

Nëse dikush në PD vazhdon të mendojë ende se rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do prodhojë një tjetër politikë amerikane ndaj Shqipërisë,atëhere le të shohë albumin fotografik të dasmës së Alex Soros që të kuptojë të vërtetën e fshehur mes fotove.

Dasma e Soros tregoi pa dashje, një realitet që opozita shqiptare refuzon ta pranojë: SHBA-ja nuk ka më kohë për t’u marrë as me vendin tonë, as me “gjuetinë” ndaj kryeministrit të tij. Aq më pak ka kohë të merret me opozitën tonë. Lacivita i mori dollarët, pjesa tjetër është legjendë dhe teori konspirative. /JavaNews

The post Çfarë na tregon dasma e Alex Soros për rolin e SHBA-së së Trump në punët e Shqipërisë first appeared on JavaNews.al.

Një sqarim për pasagjerët e verbër të “trenit bullgar” me makinist Sali Berishën

10 June 2025 at 21:09

Nga Ardit Rada

Një muaj pas zgjedhjeve të 11 Majit në Partinë Demokratike kemi tre rryma pretendimi mbi manipulime. Së pari është ajo e Gazment Bardhit, që edhe pse jo zyrtare, mbështet tezën se zgjedhjet u blenë para 11 Majit. Së dyti janë një mori kandidatësh që s’kanë çfarë të humbin dhe pretendojnë se demokratët janë vjedhur mes tyre. E së treti kemi Sali Berishën që ka gjetur fabulën e re së zgjedhjet u vodhën pikërisht ditën e votimeve përmes ‘trenit bullgar’. Domethënë sipas Berishës, populli u shit dhe mijëra demokratë zgjodhën paranë në vend që të sillnin ndryshimin me Berishën, Nokën, Vokshin, Palokën, Balliun, Këlliçin e të tjerë.

Përtej kësaj panorama qesharakë të ofertës së PD në 11 Maj, dua të ndalem te ‘treni bullgar’ meqenëse çfarë thotë Berisha e përqafojnë më kollaj në panelet televizive analistët e mosvarur dhe militantët e rrjeteve sociale, që me komente false mallkojnë këdo që mendon ndryshe.

Unë personalisht ek am dëgjuar historinë e ‘trenit bullgar’ që kur votova për herë të parë në vitin 2005. PD kishte arritur të krijonte për të fundit herë një frymë fitoreje, mbështetur edhe nga PS-ja e përçarë e shumë faktore të tjerë. Në atë kohë nuk kishte emer sepse nuk ishte shpikur interneti që politika të shtirej sikur dinte më shumë. Bëhej fjalë për mekanizmin e shkëmbimit të një flete të plotësuar në favor të PD me një fletë boshe. Mbi këtë kujtim tim nuk dua të anatemoj fitoren e Sali Berishës në vitin 2005, por mua vetëmë bëjnë të kuptojnë se ‘trenin bullgar’ mund ta nisë vetëm një parti në opozitë që mbi të gjitha ka krijuar frymë.

“Treni bullgar” mendohet se është përdorur në Bullgari në zgjedhjet e para pluraliste ku përballeshin komunistët në pushtet me opozitarët e lindur rishtaz. Duke qenë se populli i trembej diktaturës, u zgjodh kjo forma e shkëmbimit të fletëve të plotësuara me një boshe për të krijuar besimin dhe për të arritur rezultatin. Megjithatë, kjo nuk është provuar kurrë se ka ndodhur në Bullgari.

Në pretendimet e Berishës, së pari ‘treni bullgar’ nuk funksionon teknikisht. Imagjinoni një democrat që i japin fletën e plotësuar për Partinë Socialsite dhe i kërkojnë atë boshe mbrapsht. Demokrati që lë kokën pas Berishës dhe zgjedhjeve të lira mund t’i shtojë dhe një kryq ekstra fletës në favor të socialistëve dhe ta fusë në kuti të pavlefshme. Askush nuk do ta merrte vesh dhe mbi të gjitha do të fuste dhe paret në xhep. Dhe ky zinxhir i pagëzuar si tren ndoshta nuk do t’i jepte Berishës vota, por PS-së jo e jo!

Tani të kthehemi tek pretendimet e Sali Berishës, faturinove dhe pasagjerëve të tij të verbër që i mbajnë ison në qindra orë emisione televizive.

Duke besuar fjalën e Berishës, Shqipëria është në një narko-diktature. Apo siç thotë vetë ai, një diktaturë edhe më e keqe se ajo e Enver Hoxhës.

Duke e marrë të mirëqënë këtë, duhet thënë se në kontekstin e zgjedhjeve në regjime diktatoriale, për fenomenin e njohur si “treni bullgar” dilet në një konkluzion absolut: Ky mekanizëm mund të përdoret vetëm nga opozita dhe jo nga vetë regjimi gjakatar, drogaxhi etj.

Për ta kuptuar këtë, duhet të analizojmë natyrën asimetrike të pushtetit në një diktaturë. Një regjim autoritar kontrollon aparatin shtetëror, komisionet zgjedhore, forcat e rendit, median dhe shpeshherë edhe strukturat e shoqërisë civile. Ai ka mundësinë të ndërhyjë në çdo hallkë të procesit electoral: Nga përzgjedhja e votuesve të besuar deri te manipulimi i rezultatit përfundimtar.

Në këtë kontekst, pushteti nuk ka nevojë të përdorë metoda të tilla primitive si “treni bullgar”. Ai manipulon më thellë dhe më sistematikisht! Me votues fiktivë, me presione institucionale, me ndërrime të fundit të listave, apo me deformime të rezultatit përmes numërimit të kontrolluar. Mirëpo Berisha nuk i pranon këto si forma manipulimi duke shpresuar se ‘treni bullgar’ në një fshat të Peqinit me 40 vota ka deformuar 33 mandatet që i duhen të barazojë Partinë Socialiste.

Me ‘trenin bullgar’ normalisht ndryshe ndodh me opozitën. E përjashtuar nga pushteti real dhe shpesh e ndaluar të operojë lirshëm në terren, opozita në një sistem diktatorial është e detyruar të përdorë mënyra alternative për të mbijetuar politikisht. “Treni bullgar” bëhet një nga mjetet e pakta për të thyer kontrollin total të regjimit mbi votën. Përdorimi i tij kërkon rrjete të fshehta, koordinim të ndërlikuar dhe një besim të ndërsjellë mes votuesve dhe strukturave opozitare. Domethënë një skemë teknike për ta mbrojtur votuesin ndaj diktaturës dhe jo për ta vrarë si në Prill 2021 që në emër të ‘Strukturës së Mbrojtes së Votës” i morën jetën kot së koti një qytetari ne Elbasan.

Për më tepër, opozita, e privuar nga akseset e pushtetit, nuk ka mundësi për të manipuluar në shkallë industriale si pushteti. Kështu, “treni bullgar” mbetet një mjet mbijetese, në mos një strategji fituese.

Fenomeni i “trenit bullgar” në një vend diktatorial si ky që na përshkruan Sali Berisha që në 2013-ën, është pasojë dhe jo shkak i mungesës së demokracisë. Ai zbatohet vetëm nga opozita sepse nuk ka mënyra të tjera për të konkurruar në një garë që është e pabarabartë që në start (siç do thoshte shumica në PD përveç LaCivitas dhe Berishës).

Ndaj sot na mbetet vetëm ta përshëndesim makinistin për udhëtimin imagjinar që po na dhuron, nga Peqini dhe përfundon kushedi se ku. Në vend që të ndalet për të reflektuar mbi dështimin e tij politik, ai vazhdon të shesë bileta për një tren që, ironikisht, nuk ka së paku shina.

Ndoshta në zgjedhjet e ardhshme, për të shmangur ‘trenin bullgar”, Berisha mund të propozojë votim me sinjale tymi ose telepati. Pse jo? Kush e ndalon absurdin?

“Ambasadori i Zi”, Sali Berisha!

5 June 2025 at 23:11

Nga Ardit Rada

Kur Europa mblidhet për të diskutuar përparimin e rajonit drejt integrimit, Sali Berisha vendos t’i japë një dorë hiri të zi mbi imazhin e Shqipërisë. Ish-kryeministri, tashmë me statusin e një “të sanksionuari” nga Perëndimi, ka zgjedhur ta shëtisë vetveten në korridoret e Brukselit jo për të lobuar për vendin e tij, por për të bërë pikërisht atë që di më mirë: të përçajë, të akuzojë, dhe të ngrejë flamurin e baltosjes.

Kushdo që I ka ndjekur vizitat e fundit të Berishës në kryeqendrën e Europës do të mendonte se ai është atje si i dërguar i Athinës që e do aq shumë, apo i Beogradit për të cilin dyshohet, për të shpjeguar pse Shqipëria nuk është ende gati për Europën. Një lloj “anti-diplomati” apo një lloj aktori që ka harruar se shfaqja ka mbaruar, flet për “regjimin”, për “krimin në pushtet”, dhe për “shkatërrimin e demokracisë”.

Ironia është e thellë: njeriu që dikur firmoste marrëveshje me liderët europianë kur qeveria e tij ia kishte dhënë çelësat fazlliçëve, sot endet në hollin e Brukselit si një figurë tragji-komike që mundohet të kapë ndonjë mikrofon apo vëmendje nga një deputet periferik europian. Dhe kur kjo ndodh, nuk flet për sfidat e vendit, për potencialin e rinisë, apo për mundësitë ekonomike. Por për “armiqtë” e tij personalë, për “drejtësinë politike” që e ka lënë pa imunitet dhe për një Shqipëri që, sipas tij, po rrokulliset në humnerë që nga dita që ai doli nga pushteti.

Berisha në Bruksel është si ajo kaseta e vjetër që rrotullohet e rrotullohet, por askush nuk e dëgjon më – jo sepse është pa zë, por sepse e gjithë bota tashmë e di refrenin përmendësh: “Unë jam viktima, të gjithë të tjerët janë fajtorët”.

Në vend që të jetë një zë që jep mbështetje pa kushtepër integrimin siç  e kërkojnë zyrtarët më të lartë të BE, Berisha sot është bërë zëri që përpiqet të zhbëjë çdo arritje, vetëm që të mos mbetet i fundit në histori. E ndërkohë që Shqipëria përpiqet të ecë drejt BE-së, me sfida reale për të zgjidhur, Berisha zgjedh të jetë ai që i hedh gurë rrugës. Madje me krenari prej të marri!

Berisha në Bruksel nuk është një lajm i mirë për Shqipërinë, por të paktën shërben si një kujtesë se disa emra, pavarësisht kohës që kalon, nuk mund të shohin përtej hijes së tyre. Dhe ndërsa Shqipëria përpiqet të shkojë drejt BE, ai sillet me zell të pashoq për ta veshur këtë rrugëtim me errësirën e tij personale.

Sot teksa Brukseli për shumicën është një tribunë shprese, për Berishën është një skenë ku tenton të luajë aktin e fundit të një drame që Shqipëria ka kohë që e ka mbyllur. Sot mbi të gjitha është e sigurt se ‘publiku’ europian nuk do ta ngatërrojë zërin e tij me atë të një kombi të tërë që kërkon të ecë përpara. Ndërsa për hallet personale, duhet të trokasë në derë tjetër, ndoshta atje ku hodhi 6 miliardë lekë për lobim pasi dështoi në gjyqet ndaj Blinken dhe Britanisë.

The post “Ambasadori i Zi”, Sali Berisha! first appeared on JavaNews.al.

Dhuna ndaj medias, ADN-ja e pandryshuar e PD-së së Sali Berishës

16 May 2025 at 21:43

Nga Ardit Rada

Protesta e opozitës së Sali Berishës dhe Tedi Blushit, ditën e Samitit, përveçse një akt i dëshpëruar politik nxori në pah një tipar të kahershëm të PD: qëndrimin armiqësor dhe dhunues ndaj gazetarëve. Sulmet fizike dhe verbale nga disa deputetë të PD ndaj gazetarëve dhe operatorëve në terren nuk ishin thjesht shpërthime të izoluara. Ato janë pasqyrë e një filozofie politike që nuk e pranon pyetjen kritike, nuk e duron fjalën e lirë dhe nuk e sheh median si bashkëpunëtore të demokracisë, por si kundërshtare për t’i nxjerrë dufin.

Ky nuk është një fenomen i ri. Që nga viti 1992, kur PD e bëri sefte pushtetin, marrëdhënia e saj me median e pavarur ka qenë e tensionuar, shpesh represive. Rastet janë të shumta dhe të dokumentuara: nga retorika denigruese ndaj gazetarëve, deri te ngjarje të rënda si djegia e redaksisë së gazetës “Koha Jonë” në vitin 1997, simboli më i qartë i dhunës politike ndaj fjalës së lirë. Në të njëjtën kohë, televizioni publik u kthye në zëdhënës të pushtetit, ndërsa gazetarët që guxonin të bënin pyetje të pakëndshme, përndiqeshin, sulmoheshin apo margjinalizoheshin. Dhe një vit të vetëm që ky televizion foli kundër Sali Berishës  dhe pro luftës së UÇK, “i lanë hesapet” në shtator 1998 duke e pushtuar me mitrolozë e tanke. Pa i hyrë më thellë plumbave ndaj medias në 21 Janar dhe shkuljes së antenave në Tarabosh…

Ajo që ndodhi të premten pasdite është thjesht dëshmi se kjo frymë nuk ka ndryshuar. Mjafton të shohim kush janë personat që sot mbajnë mandat deputeti dhe që ndihen të autorizuar të dhunojnë verbalisht gazetarë në mes të Tiranës. Nuk janë individë të zgjedhur nga qytetarët në një proces të hapur dhe përfaqësues. Janë emra të futur nga Sali Berisha në lista të mbyllura, të përzgjedhur jo për cilësi përfaqësimi, por për besnikëri ndaj një fryme që e sheh dhunën si mjet dhe median si kërcënim.

Këta njerëz nuk janë rastësi. Janë pikërisht ata që përngjajnë me Berishën në sjellje dhe qëndrim. Janë ata që ai i ka nevojë për të ruajtur një vijë të ashpër, ku retorika e frikës dhe përçmimit ndaj fjalës së lirë të mos mungojë kurrë. Ajo që ndodhi me gazetarët në 16 maj nuk është incident, por vijimësi. Dhe për këtë nuk ka as pendesë, as distancim, as reflektim. Dhe nuk do të ketë kurrë, sepse minimalisht të gjithë njerëzit me mandate të përfshirë në agresionin ndaj  medias duhet të dorëhiqen apo përjashtohen nga PD.

Partia Demokratike nuk e sheh median si aleat në funksion të informimit publik. E sheh si pengesë në rrugën e një politike që kërkon të mbijetojë përmes viktimizimit dhe përmes heshtjes së zërave të ndryshe. Dhe kur nuk ia del t’i heshtë, përpiqet t’i frikësojë.

Por ndoshta jam edhe unë gabim! Ndoshta gazetarët duhej të shkonin në protestë me jelek antiplumb e të merrnin leje paraprake për çdo pyetje që mund të lëndojë ndjenjat e deputetëve. Sepse në partinë e mbyllur të listave të hapura, fjala e lirë është krim dhe mikrofonët janë armë masive.

Por për fat të keq për Berishën dhe klonët e tij, gazetaria nuk funksionon me leje. Dhe për aq kohë sa publiku ka të drejtë të dijë, do të ketë gjithmonë dikë që do t’u bëjë pyetje, edhe sikur përgjigjja të vijë me sharje e kërcënime nga pas. Fjala e lirë nuk futet në kuti, aq më pak në kutitë e primareve që hapen vetëm me një firmë. Atë që firmos çdo marrëzi publike me s.b”.

The post Dhuna ndaj medias, ADN-ja e pandryshuar e PD-së së Sali Berishës first appeared on JavaNews.al.

Demokratët të protestojnë te bulevardi “Zhan D’Ark”, Nr.11

15 May 2025 at 14:34

Nga Ardit Rada

Ende pa u certifikuar rezultati i 11 Majit, Sali Berisha ka thirrur një protestë në Bulevardin “Zogu I” nën thirrjen për të mbrojtur votën e vjedhur nga socialistët. Por, në vend që të jetë një demonstrim për demokracinë, kjo protestë është një akt i izolimit politik dhe një dëm për imazhin e Shqipërisë në një nga ditët më të rëndësishme të saj në skenën ndërkombëtare.

Të protestosh në ditën kur Tirana pret liderët më të rëndësishëm të Bashkimit Europian, është si të trokasësh me grusht në derën e shtëpisë tënde kur ke mysafirë. Ndërkohë që vetë partnerët për vite të tëra janë përpjekur të mbështesin Shqipërinë drejt integrimit. Ndaj, në vend që të tregojë stabilitet dhe maturi politike, protesta e Berishës përballë samitit evropian është një akt sabotimi ndaj reputacionit të vendit.

Sali Berisha flet për “votë të vjedhur”, por është fakt se dhe brenda vetë PD-së tashmë ka një pranim të heshtur: zgjedhjet nuk i humbi vota, por vetë opozita – e përçarë, pa program, pa fytyra të reja dhe me një lider të shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania. Raportet paraprake të ndërkombëtarëve nuk flasin për manipulime teksa liderët që do të vijnë në Tiranë për Samitin kanë nisur urimet ndaj Ramës duke e certifikuar kështu rezultatin e 11 Majit. Sot, Berisha nuk është viktimë e vjedhjes së votës, por viktimë e një narrative që nuk e beson më askush, as brenda radhëve të tij dhe as përtej kufirit të vendit.

Zgjedhjet treguan se potenciali opozitar nuk mungon. Ndryshe nuk kanë si shpjegohen 120 mijë vota opozitare të çuara tek partitë e reja dhe jo te Sali Berisha. PD-ja me gjasë nuk ka për të rifituar besimin e qytetarëve për sa kohë i prin një lider që përfaqëson të kaluarën dhe që përdor partinë si mjet personal mbijetese politike. Largimi i Berishës dhe i besnikëve të tij mbetet sërish e vetmja alternativë që do t’i hapte rrugë një opozite të re, moderne, pro-europiane dhe të aftë të bëjë betejë me ide, jo me thirrje nostalgjike. PD-ja ka potencial për t’u reformuar, por ky potencial është i penguar nga hija e një lideri që ka harruar të largohet me dinjitet, i rrethuar nga servilët apo ata që ndajnë interesa të përbashkëta me të kundër drejtësisë dhe pro korrupsionit.

Sot, Policia ia ka refuzuar lejen për protestë Berishës pasi cenohet perimetri i sigurisë për Samitin. Por demokratëve u mbetet ende një opsion, nëse ndjejnë se u është vjedhur diçka dhe duhet ta shprehin mllefin me grumbullime në rrugë: Protestën duhet ta bëjnë tek bulevardi ‘Zhan D’ark”, Nr.11, tek selia e Partisë Demokratike. Atje ku Berisha 3 vite më parë protestoi me hunj e zjarr ndaj Lulzim Bashës për t’u rikthyer në krye të PD dhe për të marrë sot fiks 13 mandate më pak se Basha në 2021. Sepse demokratëve vota nuk iu vodh nga Edi Rama, por nga kapja e partisë prej një njeriu që e përdor flamurin blu si mburojë ndaj hetimeve të familjes së tij dhe izolimit ndërkombëtar. Në vend që të brohorasin “Poshtë Rama”, demokratët duhet të ngrenë pankarta që thonë: “Mjaft më, doktor!”, sepse nuk ka reformë, bashkim apo besueshmëri të opozitës me një lider që kërkon përjetësi në një kohë që vendi në çdo aspekt ka nevojë për të renë.

Në fund të ditës, 16 maji nuk është dita për të protestuar për një humbje që nuk ishte vjedhje, por është dita për të reflektuar mbi një realitet të thjeshtë: Opozita shqiptare nuk ka më luksin të jetë peng i një njeriu. Shqipërisë i duhet opozitë, jo nostalgji. Dhe PD-së i duhet liri, jo pengmarrje.

 

The post Demokratët të protestojnë te bulevardi “Zhan D’Ark”, Nr.11 first appeared on JavaNews.al.

Asnjë votë për dorën që godet edhe të vetët!

10 May 2025 at 21:45

Nga Ardit Rada

Këtë të diel, shqiptarët do të votojnë për një parlament të ri. Në këtë garë merr pjesë edhe një figurë e errët e historisë sonë: Sali Berisha. Një njeri që mbart mbi supe një sërë tragjedish kombëtare: që nga viti i zi 1997, tek masakra e Gërdecit, tek vrasjet në bulevard më 21 Janar. Dhe në vend që koha ta kishte zbutuar, ai ka zgjedhur që edhe sot në vitin 2025 të predikojë po të njëjtën gjuhë të dhunës, hakmarrjes dhe përçarjes.

Por ajo që është edhe më shqetësuese është se dhuna e frymëzuar nga Berisha nuk është më vetëm ndaj kundërshtarëve politikë. Ajo po gërryen edhe njerëzit përreth tij. Tre vite më parë nisur nga interesa krejt personale, ai udhëhoqi personalisht një sulm brutal ndaj selisë së Partisë Demokratike. Ishte një pamje turpi për çdo demokrat dhe çdo shqiptar që beson te politika pa grushta. Dhuna nuk ndalet me thirrje politike, ajo bëhet kulturë, dhe kjo kulturë tashmë ka përfshirë edhe strukturat e PD. Në Elbasan, mbështetës të Berishës dhunuan pak ditë më parë djalin e dyshit të PD-së, Luciano Boçit. Ngjarjen nuk patën guxim ta zbardhin për arsye që kuptohen, por filmimet e dokumentuan të gjithën.

Xhelal Mziu, një tjetër figurë e kampit të Berishës, u kap në kamera duke dhunuar një zyrtar local në Bulqizë. Po ashtu, kandidati i PD në Korçë, Bledion Nallbati, dhunoi një shofer kamioni para kamerave dhe policisë. Ky nuk është thjesht devijim! Është prova që dhuna është bërë sistem dhe metodë pune në Partinë Demokratike.

A mund t’i besojmë të ardhmen një njeriu që nuk kurseu as të vetët? A mund të rikthejmë në krye të përfaqësimit një figurë që ka treguar se kur nuk i bindesh, të rreh – kur e kundërshton, të fshin nga listat etj?

Shqiptarët kanë në dorë një vendim që shkon përtej partive, përtej flamujve dhe fjalimeve boshe. Sot nuk është thjesht një votë. Është një gjykim historik. Është një përballje mes kujtesës dhe harresës, mes dhimbjes së kaluar dhe shpresës për nesër.

A do të zgjedhim të rikthejmë hijet e errëta që sollën lot, plumba dhe varre? Apo do të kemi kurajon ta mbyllim përfundimisht kapitullin më të errët të demokracisë shqiptare duke i treguar Sali Berishës ‘vendin’ që i takon.

Historia nuk fal. Ajo shkruhet nga ata që veprojnë kur ka më shumë nevojë për guxim. Dhe sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për qytetarë të përgjegjshëm. Për të mos lejuar që nesër t’u tregojmë fëmijëve se e dinim me emër dhe adresë se kush ishte dhunuesi, por i dhamë edhe një mundësi për të disatën herë.

Zgjedhjet janë të qytetarëve. Por edhe përgjegjësia.

The post Asnjë votë për dorën që godet edhe të vetët! first appeared on JavaNews.al.

Turma do gjak!

7 March 2025 at 11:49

Nga Ardit Rada

Turma do gjak dhe ky është një instinkt i shoqërisë sonë: ne i japim prioritet sensacionit mbi racionalitetin. Ne duam dhunë, skandale dhe ndëshkime spektakolare, dhe sa më shpejt të jetë e mundur; dhe këto i duam më shumë sesa proceset e gjata dhe të mërzitshme të drejtësisë.

Fakti që prokuroria gëzon më shumë besim se gjykata, është një simptomë e një populli që nuk kërkon drejtësi, por shpagim. Sepse prokuroria shihet si institucioni që nis ndëshkimin, që akuzon dhe premton “gjak”, ndërsa gjykata, duke zbatuar parimet e drejtësisë, shpesh zhgënjen pritshmërinë e turmës, duke liruar ose dënuar më pak se ç’pritet.

Në fakt, në rastin tonë, pra në Shqipëri, (siç edhe po diskutohet këto ditë nëpër studiot televizive) kur thua SPAK/Prokurori, ke thënë edhe Gjykatë. Por, nuk janë dhe nuk duhet të jenë e njëjta gjë.

Ama, shoqëritë që kërkojnë “drejtësi” të menjëhershme, përmes ndëshkimit publik, rrezikojnë të përfundojnë duke legjitimuar autoritarizmin dhe gjyqet e montuara (kujto rastin Veliaj). Kur drejtësia shndërrohet në spektakël dhe publiku nuk pranon procesin e duhur ligjor, atëherë rrezikojmë që edhe vetë akuzuesit e sotëm të bëhen viktimat e nesërme të një sistemi që nuk kërkon të vërtetën, por vetëm viktima të reja për të mbajtur të kënaqur etjen kolektive për “gjak”.

Në finale, nëse prokuroria është më e besuar se gjykata, kjo tregon një krizë besimi në shtetin e së drejtës. Sepse në një shoqëri të shëndetshme, gjykimi duhet të mbizotërojë mbi akuzën – përndryshe, i hapet rruga arbitraritetit dhe drejtësisë së turmës. Dhe kjo nuk është normale dhe as ajo që presim nga drejtësia e re.

Pse “Dënimi” i Veliajt në certifikatë i shton dyshimet për profesionalizmin e prokurorit

15 February 2025 at 09:20

Nga Ardit Rada

Olsi Dado, prokurori që kërkoi arrestimin pa gjyq të kryebashkiakut Erion Veliaj, drejtuesit Politik të PS për Qarkun e Tiranës, zbuloi në sallën e gjyqit dy ditë më parë se kishte bërë një “lapsus”, kur në faqen e parë të dosjes hetimore të hartuar prej tij, Veliaj figuronte “i dënuar”.

Dje, në një reagim të sforcuar, SPAK ia hodhi fajin Drejtorisë së Burgjeve dhe sistemit të saj për gjenerimin e statusit “i dënuar” për Veliajn. E që më pas mori edhe përgënjeshtrimin nga Drejtoria e Burgjeve, e cila tha shkurtimisht se e kishte njoftuar prokurorin Dado që dëshmia e penalitetit e Veliajt ishte e pastër.

Por përtej hidhje-pritjeve mes institucioneve, duhet thënë që në krye të herës se ky “lapsus” ishte një gabim i rëndë, i cili ka kompromentuar në mënyrë serioze të gjithë dosjen ndaj Veliajt, të cilit tani i lind e drejta të pyesë nëse i gjithë hetimi i tij është mbushur me ‘lapsuse’ të tilla.

Megjithatë, ka edhe një arsye të thjeshtë pse dyshimi përfundimtar bie pikërisht mbi aftësitë profesionale të prokurorit në fjalë:

A duhej që ky prokuror, me të parë se nga Drejtoria e Burgjeve statusi i Veliajt kishte ardhur ‘i dënuar’, të kryente menjëherë verifikimet e nevojshme për ta qartësuar këtë fakt? Patjetër që po!

Pse? Sepse si ishte e mundur që Veliaj rezultonte “i dënuar” në regjistër, kur në fakt prej vitit 2015 ushtronte detyrën e Kryetarit të Bashkisë dhe në gjithë këto vite ka plotësuar formularin e dekriminalizimit pa e deklaruar këtë fakt?

Nëse Veliaj do të kishte qenë i dënuar, gjë kjo që nuk e ka deklaruar në formular, atëherë prokurori Dado duhet të shtonte menjëherë edhe akuzën e falsifikimit të formularit ndaj Veliajt.

Por, pse nuk e verifikoi këtë?

Neglizhencë e qëllimshme apo mospërputhje logjike në veprimet e akuzës, që rrisin dyshimet mbi objektivitetin e prokurorit në këtë çështje.

Apo se në fakt, siç thotë Veliaj, prokurori Dado e kishte ndarë mendjen që ta shpallte fajtor ende pa nisur gjyqi duke e reflektuar këtë me lapsus froidjane?!

Fatkeqësisht për seriozitetin e SPAK, procesi hetimor kundër Veliajt është i njollosur, ende pa nisur. Dhe rasti i mësipërm shton edhe një pikëpyetje tjetër mbi profesionalizmin e prokurorit të çështjes dhe jo vetëm.

Nesti, Aleksi dhe të tjerët…

27 December 2024 at 11:40

Nga Ardit Rada

Pak orë pasi u mor në pyetje nga SPAK, kryebashkiaku i Tiranës ka zbardhur denoncimin ndaj tij, duke hedhur dritë mbi disa detaje që publiku i tejkalon dhe politika i keqinterpreton. Bëhet fjalë për një ‘dëshmitar’ të fshehur nën emrin Nesti Angoni, që pas verifikimeve nuk rezulton në regjistrat e gjendjes civile. Duke u distancuar nga ky kallëzues dhe duke mohuar çdo njohje me një njeri të tillë, Erion Veliaj kërkoi ballafaqimin me të. Dhe në fakt, i gjithë debati i zhvilluar më pas mes juristëve nxori në pah pikërisht mungesën e seriozitetit të këtij procesi nga ana e Prokurorisë së Posaçme, sepse në thelb një proces s’mund të ngrihet pa prova dhe mbi një njeri anonim.

Por ky zhvillim tashmë ka shtuar hijet e dyshimit mbi prokurorë të veçantë të SPAK, sidomos kur bëhet fjalë për ngjarje me rëndësi më të madhe, me viktima dhe kallëzues realë. 21 Janari i vitit 2011 që shënoi krimin më të shëmtuar shtetëror, të ndodhur në mes të ditës, mbetet një çështje me ndikim në shoqëri e politikë edhe në ditët e sotme. Por çfarë ndodhi me ngjarjen? Teksa familjet e Aleks Nikës dhe familjeve të tjera kërkonin një hetim nga drejtësia e re, pikërisht SPAK e trajtoi krimin në fjalë si një ngjarje banale duke i rivrarë për herë të dytë katër viktimat e qeverisë ‘Berisha’. Së pari duke e dërguar çështjen në një prokurori të zakonshme si ajo e Tiranës dhe së dyti duke mos thirrur qoftë edhe sa për të dëshmuar, aktorin kryesor të asaj kohe: Sali Berishën.

Kështu, sot përballë anonimëve që akuzojnë Erion Veliajn ndodhen 4 të vrarët e 21 Janarit. Përballë kallëzuesit anonim Nesti Angoni është xhaxhai i Aleks Nikës që akuzon me fytyrë dhe me zë dhe që troket në dyert e drejtësisë prej vitesh. Dhe i gjithë serioziteti dhe vullneti i SPAK vihet në pikëpyetje në këto ditë bilancesh prej kësaj sjellje të pakuptimtë. Ndërsa Sali Berisha duket fare i pashqetësuar për krimin e katerfishtë të qeverisë së tij, të ndodhur para syve të gjithë botës.

Nesti akuzon nga anonimati i tij, Aleksi dhe të tjerët akuzojnë nga fotot që u kanë mbetur në duar familjarëve. Në fakt akuzojnë me gjakun e tyre, por askush s’i dëgjon. Janë të zënë me anonimët që godasin nga errësira.

Letra për Linda Ramën, Kombet e Bashkuara i përgjigjen PD-së: Rekrutimi, sipas rregullave dhe konkurrimit të hapur

6 November 2024 at 13:04

Nga Ardit Rada

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka nisur një letër donatorëve që bëjnë raporte monitorimi për Shqipërinë, me autore Linda Rama. Në këtë rast të paprecedentë, PD ‘raportonte’ pranë këtyre organizatave se zonja Rama është gjendur përballë konfliktet të interesit sa herë që është kontraktuar nga ana e donatorëve për të kryer matje, analiza apo vlerësime për Shqipërinë, për aq kohë sa bashkëshorti i saj është Kryeministri i vendit. Edhe pse Partia Demokratike e pranon vetë në letrën e saj profesionalizmin e zonjës Rama, ata u kërkonin donatorëve të mos bashkëpunonin më me personin në fjalë.

Mirëpo pretendimet e Partisë Demokratike janë hedhur poshtë pikërisht nga organizata më e madhe, ajo e Kombeve të Bashkuara si dhe të gjitha organizatat që janë nën ombrellën e saj.

JavaNews ka kontaktuar drejtpërdrejtë me “United Nations Albania” dhe Zyra e Komunikimit ka reaguar në lidhje me letrën në fjalë në emër të të gjithë organizatave anërare si UNICEF, ILO, UNDP, OBSH, UNEP, UNHCR apo FAO.

Sa i përket kërkesës tuaj, doja t’ju vija në dijeni qendrimin zyrtar të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri sa i takon garantimit të integritetit dhe drejtësisë në praktikat e rekrutimit – thuhet në përgjigjen e e-mailit që JavaNews i drejtoi UN.

Dhe qendrimi zyrtar, që mban datën 6 Nëntor 2024, vijon si më poshtë:

UN Albania është e angazhuar për një proces rekrutimi transparent dhe të paanshëm, i organizuar sipas praktikave më të mira të përcaktuara nga Kombet e Bashkuara.

Procesi ynë i rekrutimit të konsulentëve ndjek praktika të drejta, transparente dhe pa diskriminim në çdo hap. Kjo përfshin praktika të hapura dhe konkurruese të punësimit, me shpallje të gjerë të pozicioneve të lira, për të tërhequr një grup sa më të larmishëm dhe të kualifikuar aplikantësh.

Të gjithë konsulentët e OKB-së përzgjidhen në bazë të kushteve të mirë-përcaktuara të punës, dhe aplikantët vlerësohen sipas kritereve objektive, ekspertizës teknike përkatëse dhe përputhshmërisë strikte me udhëzimet organizative, për të siguruar që projektet të realizohen me integritet dhe pavarësi.

Siç duket nga deklarata, Kombet e Bashkuara janë plotësisht të qarta jo vetëm për integritetin e zonjës Linda Rama, por edhe për zbatimin e kritereve që ata kanë duke i dhënë përgjigje shteruese PD-së.

Pse nuk proteston njeri sonte para burgut ku ndodhet Ilir Meta?

21 October 2024 at 20:19

Nga Ardit Rada

Arrestimi i Ilir Metës, përtej një zhvillimi, nga sot e tutje mbetet një sfidë për drejtësinë. Prangosja ishte paralajmëruar edhe nga ai vetë prej kohësh, si për t’i dalë të keqes para dhe duke artikuluar mesazhe heroizmi. Çështja tani dhe në vijim mbetet se sa e kopsitur është dosja e tij, a mund të kthehet episodi i sotëm në boomerang për drejtësinë dhe ai të rikthehet si ‘hero’ në skenën politike, apo më në fund dyshimet e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për korrupsionin familjar të tij do të provohen.

Ndryshe nga Sali Berisha, Ilir Meta e ka ekspozuar luksin e tij, sado të mundohet e shoqja dhe gazetarja që i shkoi në shtëpi dhe i filmoi edhe banjon e maces Sasha, që të zhdukin gjurmët nga mediat vizive. Familjarisht ata kanë vijuar udhëtimet në Londër herë pas here, duke vizituar fëmijët e tyre teksa në Tiranë venin kujën për shpopullim. Vila në mes të bllokut sado e fshehur si e marrë me qira qesharake, apo dhe jetesa luksoze pas ‘divorcit’ vijuan të shtonin dyshimet e publikut. Një mesogrua me emrin Fatime që pranonte se ishte ajo financuesja e gjithçkaje veçse ngjalli neveri mes shqiptarëve dhe nuk zbuti asnjë dyshim. Së pari sepse askush s’kish patur një jetë kaq me fat me një vjehrrë të tillë dhe së dyti, deklaratat e saj se gjithçka e kishte me dokumente krijoi edhe dyshimi sesi ishin krijuar këto dokumente.

Në delirin që e ka përfshirë në sferën politike, Meta shkoi më tej duke ndërhyrë edhe në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut ku shpalli hapur mbështetjen për VMRO dhe Gruevskin që e kërkon drejtësia, e cilësoi si njeriun më të mençur që kish njohur. Gjithmonë duke i bërë hesapet pa hanxhiun, ai edhe përmes këtij akti në dukje banal ka provokuar një mesazh për destabilitet para SHBA dhe BE. Dhe ky episod është sa për të ilustruar se ishte i gatshëm të kalonte edhe kufijtë për t’iu kundërvënë SHBA-së.

Është qesharake sesi sot Ilir Meta ndodhet pas hekurave prej akuzave të tre personazheve mediatikë, por jo të politikës. Kanë mjaftuar kallëzimet dhe guximi i Romeo Karës, Halit Valterit dhe Idajet Beqirit për ta çuar prapa hekurave njeriun që ka gezuar çdo pushtet në këtë vend. Por në këtë rast më tepër rëndësi sesa heronjtë e vërtetë dhe akuzat kanë mesazhet që duhet të kuptojmë pas këtij arrestimi.

Normalisht nëse do të ishte siç thote Ilir Meta, se ka popullin e 2 Marsit nga pas; nëse do ishte siç thotë Sali Berisha se shqiptarët po ziejnë për revolucion; nësë do të ishte siç thotë Tedi Blushi, se LSI është parti patriote e njerëzve të ndershem: Sonte në rrugët e Tiranës duhet të ishin derdhur lumë këta njerëz.

Nëse në izolimin e Sali Berishës reagimi qytetar është i vakët sepse ai gezon ende një gjysmë lirie, po për Ilir Metën që ndodhet në burgun 302, ku janë mbështetësit?

Duket sikur ka një përputhje perfekte mes çdo sondazhi të bërë vitin e fundit, por edhe një konsensus të heshtur mes popullit. Se pavarësisht për çfarë ndodhen para drejtësisë Meta dhe Berisha, ata duken sikur po gjykohen për Gërdecin, 21 Janarin e të tjera ngjarje ku janë marrë jetë njerëzish. Të paktën vitet e burgut për korrupsion t’i bëjnë njësoj saç do t’i bënin për këto akuza! Pa lekët e dimë që s’mund t’i shpëtojnë me krushqira. Veç në fjettë gjumë Amerika!

Drejtuesi i Elbasanit, që është nga Korça, ndodhet në burgun e Fierit. Protesta mbahet në Tiranë…

5 October 2024 at 12:49

Nga Ardit Rada

Është tragjikë të shohësh drejtuesit e lartë të opozitës që bëjnë thirrje për të ashtuquajturën mosbindje civile. Tragjike jo sepse kanë maskuar qëllimisht revolucionin e djeshëm me një epitet të ri, por sepse askush nuk merr përsipër të lexojë një paragraph se ku dallon mosbindja civile e atyre që e shpikën dhe praktikuan, me dhunën e ushtruar deri më sot dhe atë që paralajmërohet për 7 Tetorin.

Lajm i mirë është që kanë hequr dorë nga protestat rastësore dhe nuk fusin më hundët në kauzat e të tjerëve. Lajmi i keq? Kauza e tyre është aq e dobët, saqë nuk gjen dot zgjidhje me protesta. Duhet të çmendet drejtori i burgut të Fierit dhe t’i hapë dyert Ervin Salianjit që të qetësohet Flamur Noka në Tiranë. Më pas Salianji nga Korça duhet të kalojë kodrat e Rrogozhinës dhe të gjejë strehë ne Elbasan për të punuar në ilegalitet që të bëhet Dashnor Sula deputet. Në të kundërt, historia nuk njeh ndonjë rast që protesta të detyrojë gjykatat që të zhbëjë një dënim penal nga frika se mos Sajmir Korreshi, Asllan Dogjani e të tjerë nuk shkojnë më në punë dhe i bëjnë hall të madh demokracisë.

Rasti i Salianjit ishte momenti më i përshtatshëm që Partia Demokratike të tregonte forcën në rrethe. Pas 10 vitesh që takohen me 20 burra në çdo qytet në salla të mbyllura, mund të tregonin mbështetjen reale në terren. Kjo edhe për shkak të rebusit që kanë krijuar me prejardhjen, emërimin dhe banesën e Salianjit. Mund të ishte çuar Korça fjala bie, se i kanë burgosur djalin. Apo Elbasani se e lanë pa drejtues politik. Madje edhe mosbindjen civile mund ta mbanin në Librazhd duke qenë se është nyja ku kalojnë katër dogana. Luan Baçi mund të nxirrte demokratët e Fierit të paktën të mblidhnin ndihma, se ndoshta para burgut nuk lejohet të protestohet, e kështu me radhë. Por rrethet mesa duket PD i përdor për ‘mbushje’. Për ta, Shqipëria është Tirana dhe qendra është rruga ‘Mustafa Matohiti’.

Ka kohë që Berisha ka hequr dorë nga hallet e rretheve duke e ngushtuar aq shumë lakun deri te hallet e shtëpisë. Jashtë Tiranës çon Ilir Metën, që herë bashkëbisedon me lopët e herë u thotë protestuesve se do të marrë kallashnikovin. Pastaj zhduket për të takuar dele, qen, mace… Kush t’i kthejë përgjigje!

 

❌
❌