Tifozët e Arsenalit vënë re një problem të madh me Viktor Gyokeres në debutim si startues te Arsenali kundër Villarreal
Viktor Gyokeres ka marrë tashmë verdiktin e parë nga tifozët pas debutimit të tij si titullar për Arsenalin në miqësoren ndaj skuadrës spanjolle Villarreal, të zhvilluar të mërkurën në mbrëmje.
“Topçinjtë” sapo janë kthyer nga turneu parasezonal në Azi, ku mposhtën Milanin dhe Newcastle-in, por u mposhtën 1-0 nga rivalët e veriut të Londrës, Tottenham Hotspur, pas një supergoli nga distanca të Pape Sarr.
Skuadra e Mikel Artetës përballet me dy skuadra spanjolle në stadiumin “Emirates”, fillimisht me Villarreal dhe më pas me Athletic Bilbaon të shtunën.
Ndeshja kundër Villarrealit u transmetua në uebfaqen dhe aplikacionin zyrtar të Arsenalit dhe tifozët patën mundësinë të shihnin nga afër përforcimet e reja: Gyokeres, Noni Madueke, Martin Zubimendi, Cristhian Mosquera dhe Christian Norgaard.
Gyökeres, për të cilin Arsenal pagoi 55 milionë funte, debutoi fillimisht me një paraqitje të shkurtër prej 20 minutash ndaj Spurs, ndërsa ndaj Villarrealit u paraqit nga minuta e parë. Madueke e nisi ndeshjen nga stoli, në daljen e tij të parë që prej transferimit nga Chelsea.
Zubimendi dhe Mosquera hynë në lojë si zëvendësues, ndërsa Norgaard e ruajti vendin në formacionin bazë dhe arriti të shënojë.
Në debutimin e tij si titullar, në një ndeshje që Arsenali e humbi 3-2, tifozët vunë re një problem të madh në lidhje me sulmuesin e ri. Gyokeres luajti për 62 minuta, por pati ndikim të vogël në lojë, kryesisht për shkak të mungesës së shërbimeve nga bashkëlojtarët.
Një tifoz në X shkroi: “Gyokeres s’ka bërë asgjë, por ajo që më nervozon është se kur bën lëvizje pas mbrojtjes, lojtarët nuk ia pasojnë topin. Është sikur u ndalohet të luajnë pasime vertikale, sepse sistemi është tepër i kufizuar”.
Një tjetër shtoi: “Kanë kaluar 35 minuta dhe Gyokeres ka prekur topin më pak se 3 herë. Edhe po të sjellësh Eze, Leao apo Rodrygo, s’do ndryshonte gjë – është çështje trajneri”.
Një i tretë komentoi me ironi: “Po qesh. Jeta e Gyokeres ka marrë një kthesë të çuditshme – nuk merr pasime në kundërsulme, por krosime pa fund kur ai nuk di të godasë me kokë”.
Arsenali do të nisë sezonin e ri të Ligës Premier me një përballje të vështirë në udhëtim ndaj Manchester United, të dielën më 17 gusht. /Telegrafi/
The post Tifozët e Arsenalit vënë re një problem të madh me Viktor Gyokeres në debutim si startues te Arsenali kundër Villarreal appeared first on Telegrafi.