Debakël i Vardarit, Shkëndija ruan nderin e Maqedonisë në arenën evropiane
Sezoni evropian për klubet nga Maqedonia e Veriut ka qenë i vështirë dhe i shkurtër për shumicën e tyre, me Sileksin e Rabotniçkin të eliminuar në rundin e parë, ndërsa Vardari u turpëruar mbrëmë nga Lozana, njofton Telegrafi.
Vardari, skuadër kjo që e përfaqësoi vendin në Ligën e Konferencës, është eliminuar në raundin e dytë kualifikues, duke përfunduar para kohe aventurën në Evropë, edhe atë duke u turpëruar me rezultat të thellë 5:0 (6:2) nga Lozana e Zvicrës. Më herët, që në raundin e parë të kësaj gare, u eliminuan edhe Sileksi dhe Rabotniçki, duke e lënë vendin pa përfaqësim në këtë garë.
Megjithatë, është skuadra nga Tetova, Shkëndija, ajo që po mban gjallë shpresat dhe nderin e futbollit të Maqedonisë në garat evropiane. Kampionët e vendit kanë kaluar me sukses dy runde në kualifikimet për Ligën e Kampionëve, duke eliminuar fillimisht ekipin nga Uellsi, The New Saints (TNS), e më pas duke bërë një befasi të madhe me eliminimin e gjigantit rumun, FCSB (Steaua Bukuresht).
Në raundin e tretë, Shkëndija do të përballet me Qarabagun e Azerbajxhanit, një kundërshtar me përvojë të madhe ndërkombëtare. Ndeshja e parë do të zhvillohet më 5 gusht në arenën “Todor Proeski” në Shkup, me fillim nga ora 20:00. Por mos harrojmë se sido që të jetë rrugëtimi i kuqezinjve, ata së paku kanë siguruar garat në grupe të Ligës së Konferencës.
Por mos harrojmë se kuqezinjtë e Tetovës, synojnë të vazhdojnë rrugëtimin historik drejt fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve, apo atyre të Evropës. /Telegrafi/
The post Debakël i Vardarit, Shkëndija ruan nderin e Maqedonisë në arenën evropiane appeared first on Telegrafi.