Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 August 2025Main stream

Tërmet me magnitudë 3.5 në Krujë, lëkundjet ndihen edhe në Tiranë

By: Fax Web
15 August 2025 at 19:30

Një tërmet me epiqendër në Krujë u shënua këtë mbrëmje në vendin tonë.

Sipas të dhënave paraprake nga Instituti i Gjeoshkencave, lëkundjet ishin të magnitudës 3.5 të shkallës Rihter.

Tërmeti u regjistrua në orën 18:24, tetë kilometër në jug-jugperëndim të Krujës dhe 18 kilometër në veriperëndim të Tiranës.

Trump: Europianët nuk do të më tregojnë se çfarë të bëj me Putin

By: Fax Web
15 August 2025 at 19:28

Evropa nuk do më tregoj çfarë duhet të bëj, tha Presidenti i SHBA-së Donald Trump, vetëm pak para samitit të tij me Vladimir Putin në Anchorage të Alaskës.

Dy ditë më parë Trump zhvilloi edhe një videokonferencë me udhëheqësit evropianë përpara bisedimeve me Putinin. Gjatë këtij takimi viral, udhëheqësit europiane i paraqitën kërkesat e tyre, presidentit amerikan.

Së pari: Ukraina në tryezën e negociatave dhe një marrëveshje e ardhshme trepalëshe me Zelenskyn.

Së dyti: Kievi është gati të “negociojë për çështjet territoriale, por nevojitet një ngrirje në frontin aktual, pa njohur pushtimin rus”.

Së treti: “Kievi duhet të jetë në gjendje të mbështetet në garanci efektive për sigurinë e tij, duke përfshirë forca të armatosura të pakufizuara të afta për të ruajtur sovranitetin e tij”.

Së katërti: “Negociatat duhet të jenë pjesë e një strategjie të përbashkët transatlantike”.

Dhe së pesti: “Presioni i sanksioneve duhet të ruhet”, ndërsa BE-ja përgatit paketën e saj të 19-të.

Rregullat anti-COVID të Kremlinit rrezikojnë konferencën e përbashkët për shtyp Putin-Trump

By: Fax Web
15 August 2025 at 19:28

Konferenca e përbashkët për shtyp e planifikuar pas samitit në Alaskë midis Vladimir Putin dhe Donald Trump mund të mos zhvillohet për shkak të procedurave të ndryshme shëndetësore për gazetarët.

‘Sky News’ informoi se shkak janë pikërisht gazetarët rusë, të cilët mbërritën dje nga Moska, e që duhej të paraqisnin dy teste negative për COVID, siç kërkohet nga protokolli standard për t’u pranuar në të njëjtën dhomë me presidentin rus.

Megjithatë, mediat amerikane dhe ndërkombëtare nuk iu nënshtruan asnjë kontrolli të tillë, një rrethanë që mund ta shtynte Putinin të fliste vetëm për shtypin e tij “të pastruar nga COVID”.

Dita në Anchorage, raporton media, filloi në orën 6 të mëngjesit, kur gazetarët u mblodhën në parkingun e një dyqani kafshësh shtëpiake dhe u transportuan me autobusë të vjetër shkollorë në Bazën Ajrore Elmendorf.

Atje, ata iu nënshtruan kontrolleve të hollësishme të sigurisë në të gjitha pajisjet e tyre elektronike, mes një niveli të lartë vigjilence përpara takimit shumë të pritur midis dy udhëheqësve.

Dy persona në pranga në Kapshticë, kapen me mallra kontrabandë në hyrje të Shqipërisë

By: Fax Web
15 August 2025 at 14:56

Dy shtetas janë arrestuar nga Policia në Kapshticë pasi tentuan të fusnin kontrabandë në Shqipëri produkte ushqimore dhe medikamente.

Blutë kanë sekuestruar mallrat kontrabandë , të fshehura në automjetet që këta shtetas drejtonin.

Njoftim i Policisë:Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë kanë intensifikuar kontrollet në kufirin jeshil dhe në pikat e kalimit kufitar, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, shërbimet e Policisë Kufitare kaluan në vijë të dytë për kontroll të detajuar automjetin me drejtues shtetasin D. Ç., 37 vjeç, banues në fshatin Papër, Elbasan dhe një autobus me drejtues shtetasin A. K., 58 vjeç, banues në fshatin Drenovë,Korçë.

1. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, u konstatuan të fshehura një sasi produktesh ushqimore dhe produkte medicinale për bimët, të cilat shtetasi D. Ç., tentonte t’i fuste në Shqipëri pa i deklaruar.

2. Gjatë kontrollit të ushtruar në autobusin qw drejtohej nga shtetasi A.K, u konstatuan të fshehura në pjesën e brendshme të derës së autobusit, një numër i konsiderueshëm ikonash kulti, një sasi medikamentesh, 2 aparat celularë dhe disa pajise automjetesh, të cilat shtetasi A. K., tentoi t’i fuste kontrabandë në Shqipëri, pa i deklaruar në kundërshtim me ligjin.

Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë arrestuan në flagrancë shtetasit:
D. Ç., për veprat penale “Kontrabanda me mallra të licencuar” dhe “Kontrabanda me mallra të tjerë” dhe A. K., për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjerë”.

Mallrat e konstatuara dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit E., Z., 30 vjeç, banues në Korçë, R. Ç., 35 vjeç, banues në Pogradec, dhe G. B., 35 vjeç, banues në Elbasan për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Gjyqi në Hagë/ Refuzohen kërkesat për lirim të përkohshëm të Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit

By: Fax Web
15 August 2025 at 13:56

Kërkesat e paraqitura për lirim të përkohshëm nga ish-krerët e UÇK-së Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë rrëzuar nga Apeli i Gjykatës Speciale.  Kurse ish-Presidenti Hashim Thaçi nuk kishte paraqitur kërkesë për t’u liruar.

Më 13 maj 2025, gjykatësi i Procedurës Paraprake në çështjen Thaçi dhe të tjerët i refuzoi kërkesat për lirimin e përkohshëm të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka vënë mbi ta. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023, por ata ndodhen në paraburgim që prej nëntorit të vitit 2020.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë është drejt fundit. Prokuroria e ka mbyllur çështjen e saj, ndërkaq dëshmitarët e mbrojtjes pritet të dëgjohen gjatë muajit shtator.

Zjarret, Rama publikon pamjet: Angazhim maksimal për shuarjen e çdo vatre, 6 helikopterë po operojnë në veri

By: Fax Web
15 August 2025 at 13:51

Kryeministri Edi Rama thotë se vazhdon angazhimi mamsimal për shuarjen e zjarreve në vend. Kreu i qeverisë ka ndarë pamje nga operacionet që po kryhen në vatrat në Fushë Arrëz, Mirditë dhe Bulqizë, në të cilat po operojnë 6 helikopterë prej orëve të para të mëngjesit.

“Angazhim maksimal për shuarjen e çdo vatre zjarri në veri të vendit. Që në orët e para të mëngjesit, 6 helikopterë janë në misione intensive në Fushë Arrëz, Mirditë dhe Bulqizë”, ka shkruar kryeministri.

Një ditë më parë, kreu i qeverisë bëri me dije se sipas një bilanci paraprak janë dëmtuar 207 shtëpi, nga të cilat 40 janë djegur plotësisht.

Ai tha se do të ketë dëmshpërblime për të gjithë të prekurit, duke thënë se do të kenë shtëpi më të mira dhe të forta. Sipoas vlerësimit, janë edhe 3 619 krerë bagëtish të djegura.

Evropa me sytë nga Alaska, ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Rusisë në fund të muajit

By: Fax Web
15 August 2025 at 13:36

Ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojnë paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë në një takim joformal në Kopenhagen më 29-30 gusht, dhe ky diskutim “sigurisht do të ndikohet” nga rezultatet e samitit Rusi-SHBA në Anchorage, tha për mediat e huaja një burim në një nga misionet diplomatike në Bruksel.

“Një diskutim i detajuar i paketës së 19-të të sanksioneve kundër Rusisë do të zhvillohet më 29-30 gusht në Kopenhagen, ku do të mbahet Gymnich-i i radhës,” vuri në dukje diplomati.

Ai po komentonte një deklaratë nga përfaqësuesja e Komisionit Evropian (KE), Ariana Podesta, në lidhje me qëllimin e KE-së për të miratuar paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë “që në shtator”.

“Një konsensus nga të gjitha vendet e BE-së është i nevojshëm për të miratuar çdo paketë të re sanksionesh, dhe rezultatet e samitit SHBA-Rusi me siguri do të ndikojnë në humorin e shteteve anëtare”, tha ai. Sipas tij, shërbimi i politikës së jashtme të BE-së “ende nuk u ka paraqitur vendeve të komunitetit një draft të paketës së ardhshme të sanksioneve”.

“Ka shumë të ngjarë që kjo të ndodhë në prag të takimit ministror në dy javët e ardhshme, por në çdo rast, është ende disi e parakohshme të flasim për kohën e miratimit të paketës së 19-të, pasi për këtë nevojitet konsensus”, vuri në dukje ai.

“Air Canada” anulon fluturimet për shkak të grevave të mundshme, preken 130 mijë udhëtarë në ditë

By: Fax Web
15 August 2025 at 13:31

Air Canada filloi anulimin e fluturimeve në pritje të një greve të mundshme nga asistentët e fluturimit, një veprim që mund të prishë udhëtimet për qindra mijëra pasagjerë.

Një mbyllje e plotë e linjës ajrore, më e madhja në Kanada, mund të prekë afërsisht 130,000 udhëtarë çdo ditë. Gati 300 asistentë fluturimi dyfishi i numrit të zakonshëm nuk u paraqitën në punë të enjten në mbrëmje, vuri në dukje linja ajrore përmes kompanisë amerikane të mediave sociale X të enjten në mbrëmje.

“Kjo do të rezultojë në anulime shtesë”, vuri në dukje linja ajrore.“Na vjen keq për shqetësimin që u është shkaktuar klientëve”, shtoi ajo. Mark Nasr, drejtori kryesor i operacioneve të Air Canada, njoftoi se linja ajrore ka filluar një pezullim gradual të operacioneve të Air Canada dhe Air Canada Rouge.

“Të gjitha fluturimet do të ndërpriten deri të shtunën në mëngjes,” tha ai më tej. Nasr deklaroi se kjo qasje synon të sigurojë një rinisje të qetë, duke shtuar se, në kushte ideale, do të duhet rreth një javë e plotë për ta përfunduar.

Ai shpjegoi se vala e parë e anulimeve, që prek disa dhjetëra fluturime, do të ndikojë kryesisht në fluturimet ndërkombëtare të gjata të planifikuara të nisen të enjten në mbrëmje. “Deri nesër (e premte) në mbrëmje, presim që të kemi anuluar fluturime që prekin mbi 100,000 klientë”, tha Nasr. Deri në fund të së premtes, ata presin që rreth 500 fluturime të anulohen.

“Deri në orën 1 të mëngjesit (05:00 GMT) të shtunën në mëngjes, do të jemi plotësisht të ndaluar”, shtoi ai. Nasr vuri në dukje se bllokimi i tokës mund të lërë 25,000 kanadezë të bllokuar çdo ditë ndërsa ndodhen jashtë vendit.

Ajola Xoxa paraqitet në SPAK nën masën “detyrim paraqitje” 

By: Fax Web
15 August 2025 at 13:08

Ajola Xoxa është paraqitur ditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).

Ajo ka mbërritur në ambientet e SPAK në kuadër të respektimit të masës së sigurimit“detyrim paraqitje”, të caktuar ndaj saj nga gjykata.

Xoxa është në hetim për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 260 e 25, 287/2 dhe 257/a/2 i Kodit Penal.

EU4Schools rindërton kopshtin dhe çerdhen “Bleta Punëtore” në Rubik

By: Fax Web
15 August 2025 at 13:02

Programi EU4Schools, ndërhyrje edhe në Bashkinë Mirditë. Kopshti & çerdhja “Bleta Punëtore” në Rubik, i rindërtuar plotësisht falë EU4Schools. Përmes një publikimi në rrjet social, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara – UNDP në Shqipëri bën me dije se edhe Bashkia Mirditë është një prej 11 bashkive përfituese të Programit “EU4Schools” – “BE për Shkollat”.

“Në Njësinë Administrative Rubik të kësaj bashkie, EU4Schools ka bërë të mundur rindërtimin e kopshtit & çerdhes “Bleta Punëtore” duke sjellë shpresë dhe standarde të larta nëpërmjet infrastrukturës moderne arsimore. Prej rreth 2 vitesh e gjysmë tashmë, ky objekt i rindërtuar mirëpret fëmijë të Rubikut dhe stafin mësimor në hapësira bashkëkohore me termoizolim, instalime elektrike dhe hidro-sanitare eficiente, sistem ngrohje-ftohje dhe të mbrojtjes nga zjarri, sistem kamera sigurie, me rampa për aksesin e personave me aftësi të kufizuara, ndriçim efikas të jashtëm etj.” – nënvizon UNDP në Shqipëria në publikimin e saj.

Programi “EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian me 75 milion Euro dhe zbatohet nga UNDP në Shqipëri në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Deri tani në kontekstin e këtij projekti janë përfunduar 61 nga 63 objekte arsimore në 11 bashki të prekura nga tërmeti i 2019-tës, duke ndikuar në jetën e mbi 25,000 fëmijëve, nxënësve dhe mësuesve.

Krimi tronditës familjar, Doksan Dushku kërkon lehtësim dënimi në Gjykatën e Lartë

By: Fax Web
15 August 2025 at 12:49

Doksan Dushku, i cili vrau vajzën e tij Fatmira Dushku me breshëri automatiku, krim i ndodhur në vitin 2014, ka bërë kërkesë në Gjykatën e Lartë për lehtësimin e dënimit.

Ai bëri rekursin për shkak të shfuqizimit të një paragrafi të nenit për bashkimin e dënimeve.

Nëse kërkesa pranohet, Doksan Dushku lirohet nga qelia për shkak se ka bërë 11 vite në burg.

“Revokimin e vendimit nr. 69, date 02.06.2015 i Gjykates se Shkalles se Pare per Krime te Renda Tirane, vendim i cili eshte lene ne fuqi dhe ka marre forme te prere me vendimin nr. 74, date 07.07.2015 te Gjykates se Apelit per Krime te Renda Tirane, per shkak te shfuqizimit te paragrafit te dyte te nenit 55 te K.Penal, shtuar me ligjin nr. 144/2013, shfuqizuar me vendimin nr. 9, date 26.02.2016 te Gjykates Kushtetuese te Republikes se Shqiperise.

Caktimi i denimeve per disa veprave penale (neni 55 i K.Penal) ne fuqi te jepet nje denim i vetem, me 21 vite burgim qe perbehet nga denimi me i rende i shtuar. Ne aplikim te nenit 406 te K.Pr.Penale perfundimisht denimin me 14 vjet burgim.

Baza ligjore: Neni 29/3 i Kushtetutes, nenet 479, 480 te K.Pr.Penale,nenet 3/3 dhe 55 te K.Penal, vendimi nr. 9, date 26.02.2016 i Gjykates Kushtetuese”, thuhet në kërkesë.

Në datë 28.05.2014, rreth mesit të ditës, Salla Operative e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Dibër, mori njoftim se në fshatin Sllatinë, Komuna Sllovë të rrethit Dibër, kishte vdekur shtetësja Fatmira Dushku, dhe se shkaku I vdekjes së saj ishte I dyshimtë. Oficerët e policisë gjyqësore shkuan në banesën e Doksan Dushkut, atit të të ndjerës, dhe aty gjetën familjarë e të afërm të saj, dhe të ndjerën të futur në arkivol në një prej dhomave të shtëpisë. Kontakatuan e morën në pyetje familjarë të të ndjerës, dhe njëkohësisht bënë dhe kqyrje e kontroll në ambientet e brendshme të banesës e jashtë saj, dhe nga të dhënat e marra doli se Fatmira Dushku ishte vrarë disa orë më parë, rreth mesit të natës mes datave 27 e 28 maj 2014, nga I ati Doksan Dushku. Doksan Dushku e pranoi vetë këtë.

Hetimet vijuese bënë të njohur se familja e Doksan Dushkut përbëhej prej tij (të pandehurit), të bijës, të ndjerës Fatmira, dhe djemve, të pandehurit Lulzim, e Hazizit, ky I fundit në moshë minore. Bashkëshortja e Doksanit kishte vdekur disa vite më parë. Jo shumë larg shtëpisë së Doksanit, banonte vëllai I tij Ahmet Dushku, me të shoqen dhe një djalë, Ramazanin. Ramazani ishte djali biologjik I Doksanit, dhe ja kishte ‘’falë’’ të vëllait Ahmetit, ngaqë nuk kishte pasë fëmijë nga martesa. E bija e Doksanit, viktima Fatmira Dushku, kishte qenë e pamartuar dhe nuk kishte qenë në marrëdhënie pune. Së fundi, I pandehuri Doksan, kishte vënë re që e bija ishte shtatzënë. Ai e kishte pyetutr atë se si kishte ndodhur që kishte mbetur shtatzënë, dhe ajo kishte hezituar ti pohonte atij emrin e personit me të cilin kishte ngelur shtatzënë. Megjithatë, nga bisedat me të bijën per këtë, I pandehuri kishte arritur të kuptonte se bëhej fjalë që personi që me shumë mundësi e kishte lënë atë shtatzënë, ishte njëri nga djemtë e një kushëriri të largët të tij, A.H. Ky I fundit e kishte shtëpinë në të njëjtin fshat me atë. Ai kishte dy djem njëri prej të cilëve ishte A… Megjithëse jo aq I bindur për këtë, dhe ngaqë vajzën e kishte të pafejuar, I pandehuri kishte vendosur të interesohej tek mjekët në spital të Peshkopisë, për të bërë të mundur që e bija ta abortonte foshnjën, ngaqë për të do të ishte një turp I madh nëse ajo vërtet kishte mbetur shtatzënë me një djalë me të cilin kishte lidhje të largët fisnore.

Për këtë, në datë 24 maj I pandehuri Doksan takoi në Spital të Peshkopisë një punonjës të spitalit Q.M, të cilit I kërkoi ta ndihmonte të abortonte e bija. Mjeku e këshilloi të mos e bënte këtë, por ajo ta lindte fëmijën, dhe e bija të jetonte me personin që donte. Por pasi I pandehuri I tregoi atij për dyshimet që ai kishte rreth personit që mund ta kishte lënë atë shtatzënë, e lanë që mjeku do të interesohej të bënte diçka, dhe se mund ta sillte të bijën të nesërmen e asaj dite tek spitali.

Të nesërmen I pandehuri Doksan nuk e çoi të bijën tek spitali në Peshkopi, ndërsa në drekë të datës 27.05.2014, mjeku takoi A.H (të atin e njërit prej djemve që I pandehuri dyshonte se e kishte lënë shtatzënë të bijën) dhe I tha atij për bisedën që kishte bërë me të pandehurin. A.H, duke mos e besuar të kishte ndodhur një gjë e tillë, I telefonoi njërit djalë që ndodhej jashtë shteti, dhe prej tij u sigurua se nuk kishte lidhje me këtë gjë. Pastaj njoftoi me telefon djalin tjetër A. që ishte student, dhe që ndodhej në qytetin e Peshkopisë, dhe I tha të vinte urgjent atë ditë në shtëpi.

Djali u nis menjëherë dhe mbërriti në shtëpi atë darkë. Në darkë të datës 27.05.2014, I pandehuri Doksan kishte thirrë në shtëpi të tij, të vëllanë A. dhe të birin e tij R., për të biseduar se si do vendosnin rreth shtatzanisë së Fatmirës. Pasi kishin ndenjë ca, ata ishin larguar që aty. Ramazani kishte shkuar në shtëpi të A, ku kishte gjetë dhe A (studentin). Aty, studenti kishte mohur që kjo të ishte e vërtetë. Ata vendosën gjithë bashkë dhe shkuan në shtëpi të të pandehurit (ora duhet të ketë qenë rreth 22/22:30 e darkës).

Këtu gjetën të pandehurin, Fatmirën, dhe djalin e vogël H., që ishte në gjumë. Këtu, pas bisedës, Fatmira ishte shprehur ‘’unë e dua A (fjala është për studentin). Duke mos e besuar atë, A (kusheriri) I tha të pandehurit Doksan që të nesërmen në mëngjes, të dy bashkë të dërgonin djalin e vajzën në spital të Peshkopisë, për të bërë analizat, dhe nëse kjo dilte e vërtetë, atëherë ata do të vazhdonin jetën bashkë, por sipas tij djali I tij nuk do të kishte më vend në shtëpi të tij, e në të kundërt, ata nuk do kishin më punë mes tyre (fjala është që nuk do konsideroheshin më farefis mes tyre).

Këtë natë takimi mes tyre nuk zgjati shumë, dhe ata u larguan nga banesa e të pandehurit. Në shtëpi mbeti I pandehuri, me të bijën dhe dy djemtë. Në atë orë të natës, i pandehuri dhe e bija ishin zgjuar, dhe I pandehuri qëndronte në oborr të shtëpisë, ndërsa e bija bënte punë shtëpie, kur rreth mesit të natës I pandehuri merr nga pas shtëpisë një armë automatike, dhe në një moment që e bija ndodhej në oborr të shtëpisë duke kryer punë shtëpie, ai e qëllon atë me breshëri në trup, duke I shkaktuar asaj vdekjen e menjëhershme.

Të shtënat dëgjohen dhe nga I vëllai I te pandehurit dhe djali I tij, të cilët vijnë menjëherë aty (shtëpitë janë shumë afër) dhe gjejnë të pandehurin Doksan me armë në dorë. Ata shtangen nga ajo që shohin, e megjithatë I marrin armën atij armën nga duart dhe e vendosin atë diku pas shtëpisë. Aty, i pandehuri vendos që vrasjen që bëri, ta paraqesë si vdekje natyrale të së bijës, dhe për këtë duhej porositur e marrë arkivoli në Peshkopi.

Në orët e para të datës 28 maj, Ramazani me një shofer shkoi në Peshkopi e mori arkivolin dhe e solli në banesë. Ndërkohë, në mëngjesin e kësaj date, I pandehuri Doksan hapi lajmin se kishte vdekë e bija Fatmira, dhe se varrimi do bëhej në ora 14’’ të kësaj date. Për këtë u njoftua me telefon edhe A.H (kusheriri), I cili e vuri në dyshim shkakun e vdekjes së saj.

Pas vrasjes së 14-vjeçarit: Familja e autorit braktis banesën, mbyllet lokali i krimit

By: Fax Web
15 August 2025 at 12:31

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur dy ditë më parë në fshatin Pirg të Maliqit, ku 14-vjeçari Enedio Guri dyshohet se vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij Erald Xhejo, familja e autorit është larguar nga banesa.

Sipas burimeve nga zona, shtëpia e familjes Guri në fshatin Leminot është mbyllur, ndërsa pjesëtarët e saj janë zhvendosur, pavarësisht se kryefamiljari ndodhet në burg pas arrestimit.

Ndërkohë, edhe lokali ku ndodhi ngjarja, ndonëse hetimet dhe këqyrja e vendit të krimit kanë përfunduar, ka qëndruar i mbyllur gjatë gjithë ditës së sotme.

Policia vijon hetimet për të zbuluar detaje të tjera, ndërsa ende nuk është gjetur mjeti i krimit, i dyshuar të jetë një thikë.

Samiti në Alaska: Trump kushtëzon marrëveshjet e paqes me përfitime tregtare për SHBA-në

By: Fax Web
15 August 2025 at 12:24

Presidenti i SHBA-së Donald Trump po përpiqet të sigurojë përfitime ekonomike për Uashingtonin duke lehtësuar marrëveshjet e paqes midis vendeve të tjera, sipas Politico.

“Me secilën prej këtyre marrëveshjeve të paqes, ka pasur njëfarë përfitimi ekonomik për Amerikën”, citoi gazeta një zyrtar të paidentifikuar të Shtëpisë së Bardhë. Sipas individëve pranë Trump, lehtësimi i marrëveshjeve midis vendeve në konflikt është në përputhje me qasjen “Amerika e Para” të republikanit, pasi ai kërkon të lidhë marrëveshjet e paqes me marrëveshjet tregtare, si në rastin e Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Sipas një zyrtari të administratës së Uashingtonit, Trump gëzon rolin e paqebërësit. Ai është i bindur se po siguron marrëveshje për të cilat paraardhësit e tij nuk arritën të bien dakord dhe po demonstron “mendjen dhe fuqinë e tij”, pavarësisht suksesit të vërtetë të marrëveshjeve. “Atij i pëlqen të jetë në pozicionin për të qenë një vendimtar për të gjitha këto vende më të vogla dhe më të dobëta anembanë botës”, vuri në dukje burimi i gazetës.

VIDEO/ Momente frike në avion: Tentativa të dështuara për ulje, godet pistën me motor

By: Fax Web
15 August 2025 at 12:21

Pamje të frikshme të një avioni tip Boeing 747-8F i UPS Airlines po qarkullojnë në internet, ku shihet se si Boeing teksa tenton të ulet, motori i jashtëm i djathtë godet pistën, duke shkaktuar shkëndija dhe dëmtime të dukshme në mbulesën e motorit.

Fluturimi 5X61, i cili po operonte një itinerar mallrash nga Hong Kongu në Louisville me ndalesa në Taipei dhe Alaska, pati nevojë për tre përpjekje për t’u ulur për shkak të turbulencave të forta dhe erërave të forta.

Pavarësisht incidentit, avioni arriti të zbresë në pistë. Sipas fotove të publikuara, dëmi ishte i konsiderueshëm dhe avioni, me numër regjistrimi N613UP , u nxor jashtë shërbimit për inspektim dhe riparime. UPS konfirmoi incidentin, duke theksuar se rikthimi i tij në detyrë aktive do të ndodhë vetëm pasi të jenë përfunduar të gjitha protokollet e sigurisë.

Moti i keq pati një ndikim serioz në operacionet ajrore të Taipeit, me 180 nisje dhe 141 mbërritje të vonuara. Rrjeti i Sigurisë së Aviacionit raportoi se prishja e motorit ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga kushtet e forta të erës anësore . Boeing 747-8F 6.8-vjeçar është një nga 30 avionët e këtij lloji që operon UPS — me një moshë mesatare prej vetëm 6.1 vitesh.

Kompania, e cila mbetet një mbështetëse e vendosur e familjes 747, operon gjithashtu versione më të vjetra, të tilla si 747-400F dhe 747-400BCF, duke vazhduar traditën e përdorimit të “Mbretëreshës së Qiejve” ikonike për operacionet e ngarkesave.

Shkelje në rrugët e Shkodrës: 5 të arrestuar, mbi 1300 shoferë të gjobitur në dy javë

By: Fax Web
15 August 2025 at 12:16

Gjatë dy javëve të fundit, policia rrugore e Shkodrës ka arrestuar 5 drejtues mjetesh, proceduar penalisht 7 të tjerë si dhe ka vendosur 1307 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

80 shoferë janë gjobitur për mosvënien e rripit të sigurimit,  176 masa për parakalime të gabuara, 51 për mosvënien e kaskës mbrojtëse, 9 për përdorimin e celularit, 39 masa për drejtim mjeti në efektin e alkoolit etj.

Policia apelon drejtuesit që të zbatojnë rregullat, ndërsa qytetarët që të denoncojnë për çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

“Gjatë këtyre dy javëve, janë arrestuar 5 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 7 të tjerë, për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, si dhe janë vënë gjithsej 1307 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, konkretisht:

– 80 masa për mosvënien e rripit të sigurimit;
– 51 masa për mosvënien e kaskës mbrojtëse;
– 9 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit;
– 39 masa për drejtim mjeti në efektin e alkoolit;
– 2 masa për xhama të errësuar;
– 176 masa për parakalime të gabuara;
– 473 masa për ndalim apo qëndrim të gabuar;
– 44 masa për mosdhënie përparësie këmbësorëve;
– 433  masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.”, njofton policia.

Operacioni “Koordinata” godet kultivimin e kanabisit në Himarë, dy të arrestuar, 150 bimë të asgjësuara

By: Fax Web
15 August 2025 at 12:02

Policia e Himarës, në bashkëpunim me strukturat e DVP Vlorë, ka finalizuar me sukses një operacion kundër kultivimit të bimëve narkotike, në kuadër të planit operacional antikanabis “Koordinata”.

Dy shtetas u arrestuan në flagrancë teksa kujdeseshin për rreth 150 bimë Cannabis Sativa, të kultivuara në një zonë të pyllëzuar mes fshatrave Lukovë dhe Shën Vasil. Operacioni u mbështet nga monitorimi me dron, ndërsa bimët u asgjësuan dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policise”:

Himarë/Kontrolle intensive në terren, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

Finalizohet me sukses një rast i goditjes së kësaj veprimtarie kriminale, si rezultat i planit operacional policor antikanabis “Koordinata”.

Gjenden të kultivuara, në një parcelë mes fshatrave Lukovë dhe Shën Vasil, 150 bimë narkotike Cannabis Sativa.

Arrestohen në flagrancë 2 autorët e dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike.

Shërbimet e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë, si rezultat i kontrolleve të kryera në kuadër të planit operacional “Koordinata”, goditën një rast të kultivimit të bimëve narkotike, si rezultat i të cilit u vunë në pranga, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, shtetasit:

• F. S., 62 vjeç
• Ç. Xh., 47 vjeç

Këta shtetas u kapën në flagrancë duke u kujdesur për bimët, veprim i dokumentuar edhe në pamje filmike, gjatë monitorimit me mjetet inteligjente dron.

Konkretisht, në prroin mes fshatrave Lukovë dhe Shën Vasil, në një zonë me bimësi të dendur dhe shkurre, këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin kultivuar rreth 150 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 20 bimë narkotike, ndërsa pjesa tjetër e bimëve u asgjësua nëpërmjet djegies.

Gjithashtu, u sekuestruan 3 telefona celular, vegla pune dhe sende të tjera që përdoreshin nga dy shtetasit për këtë veprimtari kriminale.

Plani operacional policor antikanabis “Koordinata” vijon intensivisht, në të gjithë territorin e qarkut Vlorë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

#angazhimpërkushtimsakrificë 👮
#tëvendosurkundërkrimit ✅
#nëçdoskajtëvendit 🇦🇱
#nëshërbimtëqytetarëve 🤝

Trump i shkruan Presidentit Begaj: I gatshëm për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë

By: Fax Web
15 August 2025 at 11:58

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori sot një letër nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Në mesazh, Presidenti Trump thekson angazhimin e tij për të vazhduar bashkëpunimin SHBA-Shqipëri bazuar në miqësinë, aleancën dhe respektimin e idealeve mbi të cilët është ndërtuar dhe funksionon kombi amerikan.

“Duke mbrojtur sovranitein, begatinë dhe paqen përmes forcës, së bashku ne mund të të arrijmë të pamundurën. Me kënaqësi pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë me qëllim ndëërtimin e një të ardhmeje më të sigurtë, më të qëndrueshme dhe më të suksesshme”, shkruan Presidenti Trump ne letrën drejtuar Presidentit Begaj.

Letra e Presidentit Trump pason mesazhin që Presidenti i Republikës përcolli për 249-vjetorin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve.

Ekonomia rritet në gjashtëmujorin e parë, nxitje nga konsumi, turizmi dhe kredia

By: Fax Web
15 August 2025 at 11:50

Në gjysmën e parë të vitit 2025, ekonomia shqiptare ka shënuar një rritje të qëndrueshme, e mbështetur kryesisht nga sektori i turizmit, investimet private dhe zgjerimi i konsumit familjar. Banka e Shqipërisë vlerëson se ky 6-mujor është vijim të tendencave pozitive të vitit të kaluar, ku rritja ekonomike ka vijuar me ritme të ngjashme. Sipas drejtorit të Politikës Monetare, pranë BSH-së, Erald Themeli, rritja ekonomike në tremujorin e parë ishte 3,4%, dhe të dhënat e deritanishme për tremujorin e dytë tregojnë për një ritëm të ngjashëm.

Rritja është ndikuar pozitivisht nga eksporti i shërbimeve, si dhe nga një rritje e ndjeshme e eksportit të mallrave, e cila është veçanërisht e dallueshme për këtë periudhë. Një nga faktorët që ka kontribuar dukshëm në këtë ecuri ekonomike është shtimi i ndjeshëm i kredisë në të gjithë sektorët.

Si bizneset, për investime apo kapital qarkullues, ashtu edhe familjet, për konsum apo blerje banesash, kanë përfituar nga një ofertë e bollshme kredie nga bankat. Kjo ka mbështetur aktivitetin ekonomik në mënyrë të dukshme dhe ka ndikuar pozitivisht në rritjen e kërkesës së brendshme.

“Aktiviteti ekonomik është mbështetur edhe nga një kredi e bollshme në të gjithë sektorët e saj, qoftë për bizneset për investime ose kapital qarkullues, qoftë edhe për familjet për konsum të përgjithshëm dhe për blerje banese”, u shpreh Themeli, në një intervistë për mediet. Pavarësisht rreziqeve që vijnë nga ambienti i jashtëm, siç janë paqëndrueshmëria e tregjeve ndërkombëtare apo ndikimet gjeopolitike, Banka e Shqipërisë vlerëson se perspektiva për zhvillimet ekonomike në vend mbetet pozitive.

Parashikimi është që rritja ekonomike do të vijojë në intervalin 3,5-4% dhe se inflacioni, i cili aktualisht është mesatarisht në nivelin 2,3%, do të kthehet në objektivin prej 3% brenda gjysmës së parë të vitit 2026.

“Perspektiva e zhvillimeve ekonomike në vend është pozitive, do të vijojë rritjen me 3,5-4%, dhe inflacioni brenda gjysmës së parë të 2026-s do të kthehet në objektiv prej 3%. Rreziqet kryesisht nga ambienti i jashtëm mbeten të mëdha”, pohon Themeli. Në lidhje me politikën monetare, Erald Themeli ka sqaruar edhe vendimin e fundit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 6 gusht, për të mos ndryshuar normën bazë të interesit.

Ky vendim pason një reduktim të normës bazë që ndodhi në fillim të korrikut dhe, sipas tij, koha e shkurtër që ka kaluar nga ky ndryshim nuk lejon ende të shihet plotësisht ndikimi i tij në tregjet financiare dhe në aktivitetin ekonomik. Për këtë arsye, u vlerësua e nevojshme që t’i jepet më shumë kohë transmetimit të plotë të efektit të kësaj mase. Aktualisht, norma bazë e interesit mbetet në nivelin 2,5%, në fuqi që prej korrikut 2025.

❌
❌