Ukraina nisi një seri sulmesh me dronë në territorin rus të dielën, një ditë kur feston 34-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së saj, duke shkaktuar zjarre në një central bërthamor në Kursk dhe një terminal nafte në portin e Ust-Lugës. Nuk pati të lënduar dhe zjarri i shkaktuar nga sulmi u shua.
Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së u ka bërë thirrje vazhdimisht si Rusisë ashtu edhe Ukrainës që të tregojnë përmbajtje maksimale rreth objekteve bërthamore gjatë luftës. Rosaviatsia, autoriteti rus i aviacionit civil, tha se fluturimet u ndaluan për orë të tëra në disa aeroporte gjatë natës, përfshirë aeroportin Pulkovo në rajonin e Leningradit, për shkak të kërcënimit të sulmeve me dronë. Edhe Rusia, nga ana tjetër, raportohet se ka kryer disa sulme në Ukrainë.
Ndërkohë, në Ukrainë në një vizitë që prej ditës së djeshme ndodhet edhe i dërguari special i Donald Trump, Keith Kellogg, i cili do të takohet sërish me Zelenskyn. Ka mbërritur gjithashtu edhe kryeministri kanadez, Mark Carney.
Ëall Street Journal raporton se Pentagoni ka bllokuar përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi nga Ukraina për të goditur Rusinë, duke e penguar Kievin të përdorë një armë të fuqishme në luftën e saj kundër pushtimit të Moskës. Një proces miratimi i nivelit të lartë në Departamentin e Mbrojtjes, i cili ende nuk është bërë publik, e ka penguar Ukrainën të lançojë Sisteme Raketash Taktike me Rreze të
Gjatë Veprimi të Prodhimit Amerikan, ose ATACM, kundër objektivave në Rusi që nga fundi i pranverës, thanë zyrtarët
Ndërkohë, bisedimet midis kryeqyteteve evropiane mbi garancitë e sigurisë vazhdojnë pa ndërprerje, me qëllim që Kievi të ketë një pamje të qartë të asaj që mund të presë nga aleatët e tij, në mënyrë që të mund të hyjë në takimin dypalësh me Vladimir Putinin me një strategji të përcaktuar negociuese. Por samiti është gjithnjë e më i largët ndërsa afati i caktuar nga Trump afrohet.
Edhe Kina ka shprehur gatishmërinë e saj për të dërguar trupa paqeruajtëse në Ukrainë nëse arrihet një marrëveshje e negociuar, por vetëm brenda kuadrit të një mandati të OKB-së. Natyrisht, si Pekini ashtu edhe Moska kanë të drejtë vetoje.