GJERMANI – Mbështetje prej 500 milionë dollarësh për Ukrainën
BERLIN, 14 gusht /ATSH/ – Gjermania planifikon të financojë 500 milionë dollarë si mbështjeje për pajisje ushtarake dhe municione për Ukrainën, të blera nga SHBA-ja, njoftoi sot NATO, sipas “The Guardian”.
Shefi i aleancës, Mark Rutte, e përgëzoi Gjermaninë për vendimin, duke thënë se “kjo dërgesë do ta ndihmojë Ukrainën të mbrohet nga agresioni rus”.
Ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes së Gjermanisë njoftuan se ndihma fokusohet në pajisje të tilla si “aftësi kritike të mbrojtjes ajrore” kundër sulmeve ajrore ruse, të cilat “po vrasin gjithnjë e më shumë civilë në mbarë Ukrainën”.
Lëvizja e Gjermanisë erdhi ndërkohë që Donald Trump tha se do të kishte “pasoja shumë të rënda” nëse Vladimir Putin nuk binte dakord të ndalte luftën e tij në Ukrainë pas samitit midis presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë në Alaskë këtë të premte.
Komentet e presidentit amerikan erdhën pas një takimi virtual me liderët evropianë, përfshirë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili u tha pjesëmarrësve se presidenti Putin “po bën blof” kur flet për kërkimin e paqes.
“Ai po përpiqet të ushtrojë presion përpara takimit në Alaskë përgjatë të gjithë vijës së frontit në Ukrainë”, tha Zelenskyy, mes një ofensive të fortë nga forcat ruse në lindje të Ukrainës ditët e fundit.
“Rusia po përpiqet të tregojë se mund ta pushtojë të gjithë Ukrainën”, shtoi ai.
Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se liderët kishin një diskutim “konstruktiv dhe të mirë” me presidentin Trump. /Ad.Ab./
The post GJERMANI – Mbështetje prej 500 milionë dollarësh për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.