Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 August 2025Main stream

GJKKO vendos sot për fatin e Metës, mbahet seanca për kërkesën e lirimit nga burgu

13 August 2025 at 10:50

Gazeta Si – Sot rreth orës 11:00, pritet të nisë në GJKKO seanca ku do të shqyrtohet kërkesa e ish-presidentit Ilir Meta për lehtësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Mësohet se për të shyqrtuar këtë kërkesë, gjyqtari i posaçëm Erjon Çela është kthyer nga pushimet, pasi më herët gjyqtari Erjon Bani shpalli moskompetencën.

Ishte Kujtim Cakrani, avokati i Metës ai i cili kërkoi që çështja e masës së sigurisë të shqyrtohej nga gjyqtari që e ka ndjekur dosjen që prej fillimit, pra Erjon Çela.

Meta kërkon lirimin nga qelia ku qëndron që prej 21 tetorit të vitit 2024 me argumentin se tashmë hetimet janë përfunduar, është marrë i pandehur dhe nuk ka mundësi të ndërhyjë për prishjen e provave.

Po kështu, në kërkesën e tij për lehtësim të masës së Metës, avokati propozoi që ish-presidentit t’i bllokohet pasaporta në mënyrë që të mos ketë mundësi të dalë nga Shqipëria.

Kreu i Partisë së Lirisë është marrë i pandehur për “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurie”, për çështjet që kanë të bëjnë me dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.

Së bashku me të janë marrë të pandehur edhe ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi, nëna e saj Fatime Kryemadhi dhe bashkëpunëtorët e tyre Pirro Xhixho e Ema Çoku.

The post GJKKO vendos sot për fatin e Metës, mbahet seanca për kërkesën e lirimit nga burgu appeared first on Gazeta Si.

Shuhet zjarri në Delvinë, por situata mbetet kritike. Në Gramsh, rreth 40 shtëpi të djegura

13 August 2025 at 10:41

Gazeta Si – Një ditë më parë, Delvina dhe disa fshatra të Grmshit e Tepelenës, u përballën me një situatë emergjente sa i takon vatrave të zjarrit të përhapura prej ditësh, ku si pasojë një 80-vjeçar humbi jetën në fshatin Kullollas dhe disa të tjerë u dëmtuan si pasojë e asfiksimit nga tymi.

Situata më dramatike u paraqit në Delvinë, ku banorët u evakuuan për të shmangur rrezikimin e jetës së tyre pasi flakët po u afroheshin shtëpive në një situatë që dukej tepër dramatike.

Lufta me flakët ka qenë heroike, me pjesëmarrjen e forcave zjarrfikëse të bashkive të jugut, ekipeve të ardhura nga Tirana, forcat e ushtrisë dhe banorët lokalë, të cilët kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit pranë qytetit. Megjithatë, nga zona e Kakodhiqit vijon të ketë vatra zjarri, duke mbajtur situatën ende të tensionuar.

Ndihmë mjekësore

Gjatë natës, për shkak të tymit dhe kushteve të krijuara nga flakët, rreth 10 qytetarë, përfshirë 4 ushtarë, kanë marrë ndihmë mjekësore për asfiksi në mjediset e Kinotetatrit, ku përkohësisht u vendos spitali i emergjencës.

Aktualisht mësohet se një pjesë e madhe e forcave zjarrfikëse dhe atyre të armatosura janë zhvendosur në Delvinë për të tentuar shuarjen e flakëve, ndërsa sipas ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu, nuk ka më rrezik për banesat.

Zjarri në Delvinë rrezikoi banesat e banorëve të fshatrave Pecë, Kranë, Krongj, Kardhikaq dhe Sirakat. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar 2 avionë grekë PLZ, 1 helikopter çek dhe një sllovak.

Situata vazhdon të jetë alarmante edhe në Gramsh, ku raportohet për rreth 40 shtëpi të djegura dhe bagëti të ngordhura.

Në Gramsh, rreth 40 shtëpi të djegura

Sipas burimeve, aktualisht situata është më e vështirë në fshatin Menkollar, ku prezente janë tre zjarrfikëse të shoqëruara me forca të shumta të ushtrisë, të zjarrëfikësve, vullnetarë e banorë të shumtë të zonës si dhe dy helikopterë që hedhin ujë vazhdimisht për të parandaluar përhapjen e flakëve për në fshatin Nartë.

Në fshatin Skënderbegas ka riaktivizim të flakëve dhe po digjet një lagje në afërsi të gjimnazit të fshatit. Ndërkohë, ka edhe një aktivizim të shpejtë të vatrës së zjarrit pranë fshatit Ermenj dhe Koshnicë, në të cilin zjarri është afruar shumë.

Përparimi i flakëve në këtë drejtim mund të kalojnë drejt prefekturës së Korçës. Në operacion është nisur një operacion i tretë.

Tre helikopterë vijojnë punën për shuarjen e flakëve

Mëngjesin e kësaj të mërkure, më 13 gusht, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ka deklaruar në një postim në rrjetet sociale se aktualisht po punojnë në terren tre helikopterë në Gramsh dhe dy në Delvinë, dy prej zonave ku situata paraqitet më pritike për momentin.

Ai ka falënderuar të gjithë operativët të cilët po punojnë duke rrezikuar jetët e tyre në zonat më kritike.

“Operacioni i gjerë kundër zjarreve ka vijuar pandalim gjatë gjithë orëve të natës për të kufizuar perimetrin e flakëve në afërsi të zonave të banuara dhe parqet kombëtare në mbarë Shqipërinë. Tre helikopterë po operojnë në Gramsh dhe dy të tjerë në Delvinë, ndërsa qindra efektivë të emergjencave lokale dhe të Forcave të Armatosura po punojnë pa u ndalur në zonat më të nxehta: Fushë Arrëz, Gramsh, Tepelenë, Dropull, Delvinë dhe Finiq. Vendosmëri, profesionalizëm dhe përkushtim për të mbrojtur jetën, pronën dhe mjedisin. Mirënjohje për çdo forcë të angazhuar në këtë sfidë.”, shkruna ministri, i cili mbrëmjen e kaluar në orët e vona deri gati në të gdhirë ka zhvilluar një mbledhje në Delvinë me strukturat vendore”, – tha Vengu.

The post Shuhet zjarri në Delvinë, por situata mbetet kritike. Në Gramsh, rreth 40 shtëpi të djegura appeared first on Gazeta Si.

Prostitucion kinezesh edhe në Vlorë, në kërkim tutorja. Kapen dy klientë

13 August 2025 at 10:24

Gazeta Si – Pas dhjetëra rasteve në zonën e plazhit në Durrës, veprimtaria e paligjshme e prostitucionit ka zbarkuar edhe në lagjen “Uji i Ftohtë” të Vlorës, ku janë vënë nën hetim 2 gra kineze dhe 2 klientë, njëri shqiptar dhe tjetri italian.

Sipas policisë, tutorja kineze, M.Y., 36 vjeçe është shpallur në kërkim për veprën penale të trafikimit të personave të rritur.

Mësohet se ajo kishte marrë me qira një apartament të cilin e përdorte për të ushtruar veprimtarinë e paligjshme.

“U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset kineze Q. Zh., 49 vjeçe, dhe X. L., 42 vjeçe, të dyshuara për veprën penale “Ushtrimi i prostitucionit”, pasi ushtronin këtë veprimtari kundrejt pagesës; u proceduan penalisht edhe shtetasi A. D., 38 vjeç, dhe shtetasi italian M. F., 25 vjeç, pasi u konstatuan në ambientet ku ushtrohej prostitucioni, në rolin e klientëve”, – thuhet në njoftimin e policisë.

The post Prostitucion kinezesh edhe në Vlorë, në kërkim tutorja. Kapen dy klientë appeared first on Gazeta Si.

Dogji ullishtet e fqinjëve, arrestohet 19-vjeçari në Krujë

13 August 2025 at 10:03

Gazeta Si – Një 19-vjeçar në fshatin Brakanesh të Krujës është arrestuar, pasi dyshohet se u ka vënë zjarrin ullishteve të fqinjëve të tij.

I riu, i identifikuar si Endri Doku rezulton të ketë precedentë të mëparshëm kriminalë, ndërsa aktualisht gjykata i kishte caktuar masë sigurie “arrest shtëpie” për shkak të kultivimit të bimëve narkotike.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të konflikteve që 19 vjeçari kishte me fqinjët për motive pronësie. Nga përhapja e flakëve në territorin e fshatit, janë djegur sipërfaqe toke të konsiderueshme, të mbjella me ullinj.

The post Dogji ullishtet e fqinjëve, arrestohet 19-vjeçari në Krujë appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 12 August 2025Main stream

Digjet kisha historike dhe disa banesa në fshatin Lekël të Tepelenës

12 August 2025 at 22:16

Gazeta Si – Në qytetin e Tepelenës janë regjistruar dëme të mëdha nga zjarret e kësaj të marte. Disa banesa në fshatin Lekël janë djegur plotësisht, ndërsa forcat zjarrfikëse, policia dhe ushtria janë angazhuar në terren për të vënë flakët nën kontroll. Nëse situata përkeqësohet, rrezikohet edhe fshati Labovë i Gjirokastrës.

Përveç banesave, një kishë me vlerë historike është shkrumbuar plotësisht, ndërsa mbi 10 hektarë kullota dhe pesë stane janë shkatërruar nga zjarri.

Një tjetër pikë e vështirë mbetet Qafë-Muzina, ku bimësia po digjet me shpejtësi nga flakët.

The post Digjet kisha historike dhe disa banesa në fshatin Lekël të Tepelenës appeared first on Gazeta Si.

Delvina rrethohet nga flakët, evakuohet spitali, në rrezik depot e naftës. Banorët largohen mes panikut

12 August 2025 at 22:05

Gazeta Si – Delvina është rrethuar nga flakët që kanë përfshirë faqen e malit mbi qytet mbrëmjen e kësaj të marte, duke u afruar ndjeshëm pranë puseve të naftës dhe kondensatit dhe duke ngritur alarmin për një situatë të rrezikshme.

Edhe pse puset janë të rrethuara nga një perimetër sigurie i papyllëzuar, era e fortë dhe temperaturat e larta rrezikojnë përhapjen e zjarrit drejt tyre.

Përmasat e zjarrit cilësohen të jashtëzakonshme, ndërsa ndërhyrja ajrore nuk është e mundur gjatë natës. Dyshohet se disa banesa mund të jenë përfshirë nga flakët, por për momentin është e vështirë të bëhet evidentimi i dëmeve për shkak të tymit të dendur dhe qasjes së kufizuar në terren.

Në zonë po punojnë dhjetëra forca të ushtrisë dhe zjarrfikëses. Pranë spitalit, janë marrë masa urgjente për çmontimin dhe largimin e sistemit të furnizimit me oksigjen, për të shmangur rrezikun e një shpërthimi në rast se flakët arrijnë godinën.

I gjithë personeli mjekësor është në gatishmëri për të mbrojtur ambientet me mjetet që kanë në dispozicion, ndërkohë që çdo pacient është evakuuar në ambiente të sigurta.

Era e fortë po fryn në drejtim të qytetit, duke vështirësuar ndërhyrjen dhe duke rritur rrezikun për banorët. Dhjetëra familje po largohen me urgjencë nga shtëpitë e tyre, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e forcave të rendit.

Një nga banorët ka dëshmuar në media se situata është apokaliptike. “Po digjen shtëpi, ka panik dhe njerëzit po dalin me mbathje rrugëve, situatë apokaliptike”, – tha ai, ndërsa dëgjohen boritë e makinave të qytetarëve, të cilët nxitojnë të ikin mes panikut.

Vendi ku po përhapet zjarri është një nga vendburimet më të rëndësishme të gazit natyror dhe kondensatit në Shqipëri.

Puset e Delvinës, të zbuluara në fund të viteve ’80 , prodhojnë rreth 8–10 mijë Nm³ gaz në ditë, një sasi me rëndësi strategjike për sigurinë energjetike të vendit.

Pamjet nga Delvina, i ka postuar në Facebook edhe kryedemokrati Sali Berisha. “Delvina po përjeton tmerr! Po digjen lagjja Llakë dhe Xhetmahall. Ka shpërthime granatash! Nuk pati asnjë ndërhyrje nga ajri për ta parandaluar paradite!”, shkruan ai.

Pritet që Ministria e Mbrojtjes të dalë me një njoftim zyrtar, ndërsa problematike mbetet situata në Tepelenë dhe Gramsh, ku humbi jetën një 80-vjeçar, i asfiksuar nga tymi dhe 10 banorër përfunduan në spital. Më herët, u raportuan 30 vatra aktive zjarri në thuajse të gjitha qarqet e vendit.

The post Delvina rrethohet nga flakët, evakuohet spitali, në rrezik depot e naftës. Banorët largohen mes panikut appeared first on Gazeta Si.

Zjarr në ishullin Kios të Greqisë, banorët e bllokuar evakuohen nga deti

12 August 2025 at 21:17

Gazeta Si – Një zjarr dramatik ka shpërthyer mbrëmjen e kësaj të marte në ishullin e Kiosit, Greqi, në Egjeun lindor, pranë bregdetit turk.

Flakët po përfshijnë fshatin Volissos, ku zjarri ka arritur në shtëpi. Banorë të shumtë janë në rrezik të mbeten të bllokuar nga flakët; Roja Bregdetare dhe zjarrfikësit kanë organizuar një evakuim nga deti.

Shërbimet greke të emergjencës u kanë dërguar mesazhe me tekst banorëve të disa fshatrave në ishull, duke i nxitur ata të lëvizin më afër bregdetit për të lehtësuar operacionet e shpëtimit dhe ndihmës.

Zjarri i Kiosit nuk është i vetmi që shpërthen në Greqi: ka 106 zjarre në vend, sipas përditësimit të emergjencës nga Departamenti i Zjarrfikësve.

Nga këto, 63 shpërthyen sot. Erërat e forta dhe thatësira po favorizojnë përhapjen e shpejtë të zjarreve. Qeveria greke ka kërkuar ndihmë nga Agjencia e Mbrojtjes Civile e BE-së.

Edhe në Zakynthos, një ishull turistik i njohur në Detin Jon, një betejë kundër zjarrit është duke u zhvilluar: turistë nga hotele të shumta janë evakuuar tashmë, ndërsa zjarrfikësit po përpiqen të përmbajnë përparimin e flakëve.

The post Zjarr në ishullin Kios të Greqisë, banorët e bllokuar evakuohen nga deti appeared first on Gazeta Si.

Samir Hulileh, kush është kandidati për guvernator të Gazës që të gjithë e pëlqejnë?

12 August 2025 at 20:09

Gazeta Si – Emri i tij është miratuar nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Lidhja Arabe. Një ish-zyrtar i lartë i Autoritetit Palestinez, menaxheri palestinez Samir Hulileh është kandidati për guvernator të Gazës me të cilin të gjithë bien dakord.

Në muajt e fundit, kanë qenë duke u zhvilluar përpjekje në prapaskenë për të zgjedhur se kush duhet të emërohet në këtë post pas përfundimit të luftës dhe vendimi, i cili është i pëlqyeshëm për të gjithë aktorët diplomatikë, me sa duket i ka rënë biznesmenit palestinez.

Zgjedhja – Gazeta izraelite “Ynet” raporton zgjedhjen, duke cituar burime të njohura me çështjen dhe dokumente të paraqitura në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së.

Hulileh, raporton më tej gazeta izraelite, është një figurë që mund të veprojë në Rrip nën kujdesin e Lidhjes Arabe, me miratimin e Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, për të mundësuar një kalim në “ditën pas” përfundimit të luftës.

Lobisti kontrovers kanadez-izraelit Ari Ben-Menashe po promovon operacionin, i cili ka fituar vrull në javët e fundit, sipas “Ynet”.

Burime të tjera thonë se iniciativa Hulileh ka fituar vrull në javët e fundit, pjesërisht falë takimeve të mbajtura në Shtetet e Bashkuara dhe kontakteve që biznesmeni palestinez ka mbajtur në Egjipt.

Personazhi – Banuesa në Ramallahut dhe ekonomist me profesion, CV-ja e Samir Hulileh përfshin pozicione të larta në Autoritetin Kombëtar Palestinez (si Sekretar i Përgjithshëm i qeverisë së tretë të Ahmed Qurei, i cili vdiq në vitin 2024, në vitet 2005-2006, dhe zëvendësministër i Ekonomisë dhe Tregtisë) dhe role drejtuese në kompaninë më të madhe palestineze holding, “Padico”.

Ai ishte gjithashtu kryetar i bordit të drejtorëve të Bursës së Letrave me Vlerë të Palestinës deri në marsin e kaluar.

Ai konsiderohet i afërt me miliarderin palestinezo-amerikan, Bashar al-Masri, i njohur për lidhjet e tij me administratën Trump.

Ai që e nxiti atë për postin e guvernatorit është lobisti Ben-Menashe, një ish-oficer i inteligjencës izraelite me origjinë iraniane, i cili dyshohet se ishte i përfshirë në skandalin “Iran-Contra” në fillim të viteve 1980, vetëm për t’u liruar nga akuzat në gjyq në SHBA.

Ben-Menashe konfirmoi rolin e tij në “Operacionin Hulileh”, duke shtuar se plani po zhvillohet me zyrtarë të lartë amerikanë dhe parashikon udhëheqjen e ardhshme të Gazës që vepron nën kujdesin e Lidhjes Arabe, veçanërisht Egjiptit dhe Arabisë Saudite.

Në ditët e fundit, vetë Hulileh ka shpjeguar se e imagjinon veten si një “menaxher projekti” për rindërtimin e Gazës, duke synuar të shpërndajë “600 deri në 1,000 kamionë me ndihmë humanitare në ditë” dhe të hapë katër deri në pesë kalime tregtare të pakufizuara.

Ligji dhe rendi duhet të rivendosen gjithashtu, me një autoritet në Gaza që nuk është “as Autoriteti Palestinez dhe as Hamasi”, por i respektuar nga banorët.

Territori, theksoi ai, nuk mund të mbetet i mbushur me armë nga “mbetjet e Hamasit ose Xhihadit Islamik”.

Hulileh vlerëson se rindërtimi kërkon 53 miliardë dollarë investime, me shtetet e Gjirit të gatshme të kontribuojnë. Por në vizionin e tij, SHBA-të dhe BE-ja duhet të bëjnë gjithashtu një angazhim të rëndësishëm.

Prapaskent – Zgjedhja e Hulileh mund të bindë edhe Benjamin Netanjahun, i cili nuk dëshiron që Autoriteti Palestinez të qeverisë Rripin, pasi ka parashikuar hyrjen e forcave arabe.

Plani i Ben-Menashe do të përfshijë gjithashtu shfrytëzimin e fushave të gazit natyror të zbuluara në brigjet e Gazës.

Kryeministri izraelit kishte deklaruar tashmë se kishte identifikuar “disa kandidatë” për një “autoritet kalimtar” që do të qeveriste Gazën pas luftës, duke theksuar se çarmatimi i Hamasit do të vinte i pari në çdo plan pas luftës dhe se Izraeli nuk ka ndërmend të qëndrojë në Rrip.

Netanjahu shtoi gjithashtu se disa vende arabe pajtohen me Izraelin për nevojën e çarmatimit të Hamasit: “Është mësimdhënëse që disa vende arabe, në fakt mjaft, kanë thënë se Hamasi duhet të çarmatoset. Unë besoj se kjo është pika e fillimit”.

Megjithatë, Autoriteti Palestinez ka mohuar në këtë kohë se është arritur një marrëveshje për emrat e ardhshëm dhe vetë Hulileh ka shprehur gjithashtu kujdes. Sidoqoftë, hapi i parë do të ishte përfundimi i luftës, sqaroi ai.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Samir Hulileh, kush është kandidati për guvernator të Gazës që të gjithë e pëlqejnë? appeared first on Gazeta Si.

Xi Jinping po largon shumë oficerë nga ushtria kineze

12 August 2025 at 19:23

Gazeta Si – Që kur u bë udhëheqës i Kinës në vitin 2012, Xi Jinping ka përdorur vazhdimisht dorëheqje të detyruara dhe hetime disiplinore për të frenuar radhët e ushtrisë.

Por largimet e fundit ushtarake janë më intensivet dhe më të gjera në vitet e fundit dhe kanë pasur disa karakteristika të habitshme. Për shembull, Xi Jinping ka larguar njerëz që ai vetë i kishte emëruar dhe i konsideronte besnikë ndaj tij.

Nga njëra anë, forcat e armatosura kineze konsiderohen ndër më të fortat në botë dhe kohët e fundit kanë demonstruar përparime të rëndësishme teknologjike, të tilla si krijimi i një sistemi portesh lundruese për pushtime nga deti (të cilat mund të përdoren kundër Tajvanit) ose ndërtimi i shpejtë i transportuesve të rinj të avionëve.

Nga ana tjetër, spastrimet e vazhdueshme brenda ushtrisë tregojnë dy probleme të mundshme: korrupsionin dhe besimin tek udhëheqja politike, përkatësisht Xi Jinping.

Një ushtar kinez tërheq një perde gjatë një stërvitjeje të rojes së nderit, dhjetor 2014

Vetëm në pak muaj, Komisioni Qendror Ushtarak, organi përmes të cilit Partia Komuniste ushtron kontroll mbi ushtrinë, ka kaluar nga shtatë në katër anëtarë (njëri prej të cilëve është Xi).

Që nga marsi, Gjenerali He Weidong, një anëtar i Komisionit, është zhdukur dhe nuk ka informacion të sigurt rreth tij, megjithëse ka shumë të ngjarë që ai të jetë arrestuar.

Në qershor, një tjetër anëtar i Komisionit, Admirali Miao Hua, u përjashtua zyrtarisht pasi u pezullua nga postet e tij vitin e kaluar. Nuk është e qartë se për çfarë akuzohet Miao: deklaratat zyrtare flasin për “shkelje të rënda të disiplinës”.

Si He, ashtu edhe Miao, kishin gëzuar karriera të shpejta në vitet e fundit falë mbështetjes së qartë të Xi, të cilit ata konsideroheshin të mbrojtur.

Fakti që njëri është zhdukur dhe tjetri është përjashtuar është i vështirë për t’u interpretuar, por tregon se si spastrimet brenda forcave të armatosura janë bërë të përhapura dhe të thella.

Sipas organizatës amerikane Jamestown Foundation, të paktën 45 oficerë janë hetuar, përjashtuar ose janë zhdukur që nga viti 2023.

Këto shkarkime janë pjesërisht për shkak të korrupsionit të vërtetë. Ushtria kineze ka qenë gjithmonë një institucion i mbushur me korrupsion, deri në pikën e vënies në pikëpyetje të aftësive të saj operacionale.

Direktiva e Xi Jinping është që ushtria kineze duhet të modernizohet plotësisht deri në vitin 2027. Sipas disa zyrtarëve amerikanë, kjo është data deri në të cilën ushtria do të jetë gati për të pushtuar Tajvanin, duke supozuar se planet e Xi-së janë realizuar.

Xi Jinping gjatë një parade ushtarake

Megjithatë, për t’u modernizuar, ushtria duhet të heqë qafe korrupsionin, i cili, sipas Xi-së, i devijon burimet dhe mjetet nga objektivat ushtarake.

Spastrimet kanë edhe një rol politik: që kur erdhi në pushtet, Xi ka larguar sistematikisht të gjithë rivalët e tij të brendshëm për të përqendruar kontrollin e shtetit dhe për të vendosur njerëz besnikë ndaj tij në pozicionet më të larta.

Ushtria është thelbësore në këtë kuptim, sepse forcat e armatosura kanë luajtur gjithmonë një rol politik në Kinë dhe janë përdorur për të forcuar ose dobësuar pushtetin e një udhëheqësi.

Në vitet e fundit, Xi ka arritur të bëhet udhëheqësi më i fuqishëm kinez që nga Mao Ce Duni, themeluesi i Kinës komuniste.

Intensiteti i spastrimeve të fundit ushtarake dhe fakti që zyrtarë të afërt me Xi-në u shënjestruan gjithashtu mund të interpretohen në dy mënyra: e para është se Xi po përshpejton më tej modernizimin e forcave të armatosura dhe po forcon kontrollin e tij mbi ushtrinë.

Xi Jinping, kreu i Partisë Komuniste Kineze

“Kur Xi Jinping sheh se edhe njerëzit e tij po bëjnë gabime, ka të ngjarë të zemërohet dyfish”, tha për “New York Times”, Joseph Torigian, një profesor në Universitetin Amerikan në Uashington.

Mundësia tjetër është që Xi Jinping nuk ka mjaftueshëm njerëz të cilëve mund t’u besojë për pozicione të rëndësishme, dhe se edhe ata që ai emëron, si He dhe Miao, nuk i kanë përmbushur pritjet e tij.

Nëse Xi vazhdon të shkarkojë zyrtarë – arsyetimi është – kjo do të thotë se ai vërtet nuk i beson hierarkisë ushtarake.

Kjo mund të jetë një problem si në rast lufte ashtu edhe në aspektin e stabilitetit politik, sepse mund të nënkuptojë që Xi nuk ka kontroll të plotë mbi ushtrinë.

Aktualisht, nuk ka prova konkrete që tregojnë se pushteti i Xi-së mbi ushtrinë është zvogëluar në ndonjë mënyrë.

Megjithatë, ka të ngjarë që ushtria të pësojë reforma të mëtejshme dhe ndryshime të mëdha në muajt ose vitet në vijim.

Muajin e kaluar, Komisioni Qendror Ushtarak lëshoi një deklaratë duke bërë thirrje për “eliminimin e plotë të ndikimeve toksike dhe rivendosjen e imazhit dhe autoritetit të oficerëve politikë të ushtrisë”.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Xi Jinping po largon shumë oficerë nga ushtria kineze appeared first on Gazeta Si.

ChatGPT nuk është më ai i dikurshmi

12 August 2025 at 18:55

Gazeta Si – Të enjten, OpenAI publikoi GPT-5, modelin e përditësuar të ChatGPT, chatbot-it të saj të inteligjencës artificiale.

Siç pritej, shumë përdorues komentuan në internet pas publikimit dhe disa filluan të theksonin problemet. Disa përdorues në Reddit u ankuan se GPT-5 ka vështirësi të ndjekë udhëzimet vetëm pas disa komandave, se shpesh injoron kontekstin dhe se gjeneron më shumë halucinacione sesa modelet e mëparshme (kështu quhen gabimet ose pasaktësitë në përgjigjet e inteligjencës artificiale gjeneruese).

Disa nga kritikat u përqendruan kryesisht në faktin se ky model i ri ka një ton dhe stil përgjigjeje më të ftohtë, më të shkëputur dhe më pak empatik.

Një përdorues, për shembull, tha se për ata që kishin kaluar një kohë të gjatë duke ndërtuar një marrëdhënie me GPT-4o, nuk është më e njëjta gjë; të tjerë madje argumentuan se kalimi nga njëri në tjetrin është si të humbasësh shpirtin binjak ose mikun tënd të vetëm.

Në postimin tani të hequr nga Reddit që filloi bisedën, një përdorues tha se edhe pas disa ditësh dhe disa përpjekjeve, “GPT-5 ndihet sinqerisht emocionalisht i distancuar”.

OpenAI shpjegoi se, ndër të tjera, modeli i ri ishte trajnuar të ishte më i ndershëm dhe për këtë arsye të dukej më njerëzor dhe më pak i dobishëm.

Kënaqësia që disa përdorues zhvillojnë me chatbot-in për shkak të përgjigjeve të tij jashtëzakonisht të pajtueshme është një temë që kompania e kishte ngritur muaj më parë.

Në mars, ajo publikoi një studim të brendshëm që zbuloi se përdoruesit që zhvillojnë një lidhje emocionale me ChatGPT janë një pakicë e vogël, por mund të ndikojnë negativisht në shëndetin e tyre mendor.

E gjitha filloi pasi kompania mori kritika për servilizmin e tepërt të një përditësimi GPT-4o, të cilin më pas e modifikoi me nxitim.

Këtë herë, ndryshimi në tonin e chatbot-it ishte dukshëm më drastik dhe më i dukshëm. Gazetari Ryan Broderick, një ekspert në kulturën e internetit, shkroi në buletinin e tij “Garbage Day”, se fakti që modeli i ri nuk është më servil dhe lajkatues ndaj përdoruesve është “një problem i madh” për njerëzit që janë bërë të varur emocionalisht nga boti.

Të hënën, CEO i ChatGPT, Sam Altman, shkroi një postim të gjatë në blog në X për të mbrojtur vendimin e kompanisë dhe për të shprehur mendimin e tij personal mbi këtë çështje.

Ai konfirmoi se lidhja që disa njerëz zhvillojnë me chatbot-in e tyre është padyshim më e fortë se ajo që është parë deri më tani me teknologji të tjera, dhe se kjo është një çështje që kërkon vëmendje më të madhe nga të gjithë.

Ai gjithashtu nënkuptoi se privimi i përdoruesve nga versioni i ChatGPT që ata e pëlqenin ishte ndoshta një gabim, por vuri në dukje se disa prej tyre – një përqindje e vogël – deri më tani kanë përdorur inteligjencën artificiale “në një mënyrë vetëshkatërruese” dhe se kompania nuk dëshiron që kjo të vazhdojë dhe ndihet përgjegjëse për të.

Në postimin e tij, ai sqaroi gjithashtu se ndërsa ka disa raste ekstreme dhe lehtësisht të dallueshme të njerëzve, marrëdhënia e të cilëve me chatbot-et është qartësisht e rrezikshme për shëndetin e tyre mendor, ka edhe shumë raste më pak ekstreme që kërkojnë një vlerësim më të kujdesshëm.

“Mund ta imagjinoj një të ardhme ku shumë njerëz mbështeten vërtet në këshillat e ChatGPT për vendimet e tyre më të rëndësishme. Dhe ndërsa kjo mund të jetë e shkëlqyer, më bën të ndihem edhe në siklet”.

Megjithatë, pas kritikave të ndryshme, një ditë pas publikimit të GPT-5, Altman njoftoi se do ta rivendoste GPT-4o për përdoruesit Plus, ata që kanë paguar një abonim, dhe se do të punonte për përsosjen e modelit të ri.

Ai tha se për shkak të një problemi teknik, “GPT-5 dukej shumë më i çuditshëm” sesa është në të vërtetë, dhe pranoi se publikimi i tij kishte qenë “pak më i vështirë sesa pritej”. Pasi GPT-4o u bë përsëri i disponueshëm, një përdorues i Reddit shkroi: “E mora përsëri fëmijën tim”.

Kritika ka pasur edhe nga komuniteti i zhvilluesve në forumin OpenAI: një përdorues shkroi se GPT-5 nuk ka atë që e bënte GPT-4o të veçantë, përkatësisht aftësinë për të perceptuar dhe përcjellë nuanca emocionale në ndërveprimet e përdoruesve.

Më parë, sipas këtij përdoruesi, zhvilloheshin biseda ose shaka të vogla midis njerëzve dhe chatbot-it, dhe ndaheshin momente të përditshme.

Megjithatë, me kalimin në GPT-5, sistemi i jep përparësi shpejtësisë, efikasitetit dhe performancës mbi vazhdimësinë emocionale. Një përdorues tjetër argumentoi se ndryshimi u bë pa marrë parasysh nevojat e përdoruesve dhe se kjo është një mundësi e humbur.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post ChatGPT nuk është më ai i dikurshmi appeared first on Gazeta Si.

Vendim i ri për Milorad Dodik, burgimi zëvendësohet me gjobë

12 August 2025 at 18:19

Gazeta Si – Gjykata e Bosnje-Hercegovinës e ka miratuar kërkesën që dënimi me burgim ndaj Millorad Dodikut të ndryshohet në dënim me gjobë, në përputhje me ligjet që e parashohin këtë gjë.

Dodiku ishte kryetar i Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, deri kur iu hoq mandati nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditë më parë.

Gjykata ka bërë të ditur të martën, 12 gusht, se “në përputhje me dispozitat ligjore, është marrë vendimi që, pas deklarimit të Prokurorisë së Bosnje-Hercegovinës, të miratohet propozimi i mbrojtjes dhe dënimi me burg i shqiptuar ndaj të dënuarit Millorad Dodik të zëvendësohet me gjobë”. 

Kodi Penal i Bosnje-Hercegovinës parashikon mundësinë e zëvendësimit të dënimit me burgim që shkon deri në një vit, ku një ditë burg llogaritet 100 marka (50 euro). Për shlyerje të një viti burgim, Dodiku do të paguajë mbi 36 mijë marka, që janë pak më shumë se 18 mijë euro.

Dodiku është dënuar me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë për mbajtje të ndonjë pozite publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të komunitetit ndërkombëtar në Bosnje-Hercegovinë, Christian Schmidt. Pas publikimit të vendimit përfundimtar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bosnje e ka anuluar mandatin e tij si president i Republikës Sërpska, i zgjedhur në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2022.

Ekipi ligjor i Dodikut e ka apeluar vendimin më 12 gusht dhe Gjykata e Apelit pritet ta publikojë vendimin final brenda tri ditësh.

Sipas ligjeve në fuqi, pas përfundimit të mandatit të Dodikut, për shkak të vendimit të gjykatës, Komisioni Zgjedhor duhet t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme për pozitën e kryetarit të Republikës Sërpska, të cilat mund të bllokohen apo pengohen nga ky entitet serb.

Menjëherë pas vendimit të Komisionit Zgjedhor, Dodiku e ka bërë publike idenë e mbajtjes së një referendumi në Republikën Sërpska, përmes së cilit banorët do të vendosnin për mandatin e presidentit të entitetit, apo për refuzim të vendimit të gjykatës. Ekipi i tij ligjor ka nisur ankesë edhe në Gjykatën Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, të cilën Dodiku nuk e njeh, duke kërkuar nga ajo një masë të përkohshme që ndalon ekzekutimin e vendimit, derisa Kushtetuesja ta thotë fjalën e fundit.

Avokati i Dodikut, Goran Bubiç ka thënë se vendimi është marrë me qëllim të krijimit të rrugës ligjore për apel në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Një hap i tillë është i mundshëm vetëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Dodiku është shpallur fajtor për nënshkrimin e një dekreti që Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje, Christian Schmidt, paraprakisht e ka anuluar. Përmes këtyre ligjeve, trupat legjislativë në Republikën Sërpska kanë tentuar ta parandalojnë zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushteteuse dhe të Schmidit në territorin e entitetit serb./REL/

The post Vendim i ri për Milorad Dodik, burgimi zëvendësohet me gjobë appeared first on Gazeta Si.

Fshehu provat e dosjes së trafikut të armëve, nis hetimi për policin në Sarandë

12 August 2025 at 13:30

Gazeta Si – Një oficer i policisë gjyqësore në Sarandë, është pezulluar pasi dyshohet se fshehu prova për dosjen e trafikimit të armëve tip “Glock”, me qëllim shitjen e tyre.

Sipas Prokurorisë, OPGJ-ja me inicialet J.P., dyshohet të ketë fshehur të dhëna hetimore me rëndësi për hetimin që ishin përftuar nga një celular.

Bëhet fjalë për një ngjarje të shtatorit 2024, kur u arrestua zjarrfikësi i Këlcyrës, Klaudio Osmani, 23 vjeç dhe shoku i tij, Mehmet Canaj 24 vjeç, me 10 armë të cilat do t’i trafikonin në Sarandë dhe do të shiteshin në këtë qytet bregdetar. Por porositësi i armëve nuk dihet.

Hetimet kanë zbuluar se J.P., dyshohet se ka mbajtur të fshehura të dhëna të përftuara nga këqyrja e një telefoni celular të sekuestruar, që ishte provë në një tjetër procedim penal.

Prokuroria kërkoi që ndaj oficerit të vendosej masa e sigurisë “arrest me burg”, por Gjykata e Sarandës caktoi masën “pezullim nga detyra”, duke i ndaluar ushtrimin e funksionit në Policinë e Shtetit deri në përfundim të hetimeve.

The post Fshehu provat e dosjes së trafikut të armëve, nis hetimi për policin në Sarandë appeared first on Gazeta Si.

Zjarret dhe vala e të nxehtit përfshin Ballkanin dhe Gadishullin Iberik

12 August 2025 at 13:21

Gazeta Si – Një pjesë e mirë e Mesdheut të Europës, përfshirë dhe Shqipërinë, është nën pushtetin e flakëve.

Sipas mediave ndërkombëtare, temperaturat e larta dhe era e fortë nxori nga kontrolli një zjarr në Spanjën veriperëndimore.

Zjarri i madh shpërtheu në një zonë minierash të epokës romake dhe detyroi qindra banorë të evakuoheshin.

Shuarja e zjarrit që përfshiu një sipërfaqe të konsiderueshme ishte e pamundur për shkak të temperaturave të larta dhe erërave deri në 40 kilometra në orë. Katër persona, përfshirë dy zjarrfikës, pësuan lëndime të lehta.

Spanja është përfshirë nga një valë e të nxehtit gjatë javës së kaluar, me temperatura mbi 40 gradëve Celsius të cialt kanë favorizuar zjarret. V

etëm në rajonin veriperëndimor të Kastiljes dhe Leonit ka pasur 13 zjarre në tre ditët e fundit. Në qytetin turistik jugor të Tarifës, më shumë se 2,000 njerëz u evakuuan nga disa hotele dhe plazhe, pasi një zjarr që ishte shuar të premten u ndez përsëri.

Më shumë se 100 zjarrfikës po punojnë për shuarjen e tij. Në Portugalinë fqinje, zjarrfikësit po luftonin me tre zjarre të mëdha në qendër dhe në veri të vendit.

Më i madhi, pranë qytetit të Trancoso-s, ka qenë aktiv që nga e shtuna dhe po luftohet me më shumë se 650 zjarrfikës të mbështetur nga gjashtë avionë.

Situatë shqetësuese po përjeton edhe Franca, ku 12 departamente janë vendosur në alarm të kuq, e 41 të tjera portokalli.

Valë përvëluese të të nxehtit, me temperatura deri në 43 gradë ka përfshirë Francën Jugore duke shkaktuar zjarre në rajonin e njohur të prodhimit të verës, të Aude.

Në luftë me flakët, edhe autoritetet në Bullgarinë jugore, në Malin e Zi dhe brigjet veri perëndimore të Turqisë.

Mali i zi raportoi flakë pranë kryeqytetit Podgoricë dhe gjithashtu përgjatë brigjeve të Adriatikut, duke i kërkuar ndihmë urgjente shteteve fqinje.

Betejën me flakët e vijon edhe Greqia, me zjarrfikësit të fokusuar në tre vatra të mëdha, në ishujt e Kefalonias, Zakinkthos dhe Vonitsa, në perëndim të vendit.

The post Zjarret dhe vala e të nxehtit përfshin Ballkanin dhe Gadishullin Iberik appeared first on Gazeta Si.

Tokat e rralla, uji dhe infrastruktura, ‘thesaret’ që Ukraina rrezikon t’ia lëshojë Rusisë

12 August 2025 at 13:11

Gazeta Si – “Që nga viti 1991, Rusia ka qenë duke i shkëputur pjesë toke fqinjëve të saj si një kasap: Transnistria nga Moldavia në vitin 1992, Abkhazia dhe Osetia e Jugut nga Gjeorgjia në vitin 2008, Donbasi dhe Krimea nga Ukraina në vitin 2014 dhe pastaj përsëri në vitin 2022. Por këtë herë do të jetë ndryshe”.

Këto janë fjalët e një ish-oficeri ukrainas, tani analist ushtarak dhe krijuesi i një llogarie në platformën “X” nën emrin Tatarigami UA, një nga më të ndjekurat nga ata që janë të interesuar në konfliktin ruso-ukrainas.

Pak ekspertë ushtarakë besojnë se një marrëveshje që do të çonte në transferimin e Donjeckut në Moskë dhe në ngrirjen e vijës së frontit pa një kundërargument të fortë për Kievin, është e besueshme.

Sa i përket Donbasit, arsyet, nga pikëpamja e Kievit, janë me radhë, politike, ushtarake dhe ekonomike.

Moska dhe Kievi kanë luftuar për këtë territor për 11 vjet. Mijëra të rinj ukrainas kanë vdekur duke mbrojtur Lindjen dhe pjesa më e madhe e komandës aktuale ushtarake është stërvitur në llogore përgjatë brezit nga Slovyansk, në Kostyantynivka, duke kaluar nëpër Kramatorsk dhe Druzhkivka.

“Edhe nëse Zelenski jep urdhrin për tërheqje, mbetet për t’u parë nëse ushtria do t’i bindet”, komenton Tatarigami.

Rusisht-folës, djepi i Ortodoksisë besnike ndaj Moskës, për nacionalistët e Kievit, Donjecku përfaqëson bastionin e revolucionit në sheshin “Maidan”, porta për në Evropë dhe krahu i vërtetë lindor i NATO-s, atë që tërhoqi vëmendjen e Uashingtonit në vitin 2014, kur vendosi të investonte në trajnimin e shërbimeve ushtarake dhe të inteligjencës ukrainase.

Humbja e tij do të thoshte gjithashtu dorëzimi i qindra kilometrave llogore dhe vija të fortifikuara, gjë që do ta bënte shumë të lehtë për Putinin të zbatonte premtimin e tij të kahershëm: të përfundonte punën dhe të hynte edhe në rajonin e Dnipropetrovskit.

Linja hekurudhore që lidh Pokrovskun, Kramatorskun dhe Kostyantynivkën, do të bëhej trampolina e përsosur për lëvizjen e njerëzve dhe pajisjeve dhe nisjen e një sulmi ndaj Dnipros, selisë së fuqisë financiare të Ukrainës – një objektiv që ushtria deri më tani nuk ka arritur ta marrë.

Donbasi, me pellgun e tij mineral, është rezerva më e madhe në Evropë e manganit dhe titanit, uraniumit, grafitit dhe kaolinës.

Të njëjtat metale të rralla që mbështesin industrinë e së ardhmes, teknologjinë e lartë dhe ekonominë e gjelbër.

Dhe të njëjtat leva që Kievi përdori për të mbajtur Uashingtonin në anën e tij, edhe kur Shtëpia e Bardhë u lëkund.

Humbja e rajonit të Khersonit, edhe pse vetëm pjesa e pushtuar tashmë nga rusët, do të thoshte mbyllja përfundimtare e derës për Krimenë dhe heqja dorë nga një pjesë e konsiderueshme e bukës që ka qenë gjithmonë forca ekonomike e Ukrainës jugore. Me një faktor rëndues: humbja e luftës së ujit.

Nëse Donbasi është pellgu i minierave “par excellence”, Kherson, me grykëderdhjen e tij në lumin Dnipro, është pellgu më i rëndësishëm hidroelektrik i vendit.

Mjafton të thuhet se shembja e hidrocentralit Kakhovka në vitin 2024 la në mënyrë efektive 94% të sistemeve të ujitjes në Kherson, 74% në Zaporizhzhia dhe 30% në rajonin e Dnipropetrovsk pa ujë.

Dhe së fundmi, siç vëren Henry Sokolski, drejtor ekzekutiv i Qendrës së Edukimit për Politikat e Mospërhapjes në Arlington, në të gjitha propozimet e paqes të bëra publike nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Evropa dhe Ukraina, një element gjithmonë bie në sy: rihapja e termocentralit bërthamor të dëmtuar Zaporizhzhia – më i madhi në Evropë – me gjashtë reaktorët e tij, tani nën kontrollin rus.

Në pamje të parë, dikush mund të mendojë se lënia e menaxhimit të tij në dorë të Moskës mund ta dëmtojë seriozisht Kievin.

Por çështja është më e ndërlikuar. Para luftës, termocentrali ndihmonte në furnizimin me energji të rrjetit elektrik ukrainas dhe eksportonte energji të tepërt në Evropë. Tani linjat e transmetimit duhet të rindërtohen dhe termocentrali të pastrohet nga minat.

Pyetja është: kush do të paguajë për të gjithë këtë punë? Asetet ruse të sekuestruara apo fondet nga Banka Evropiane për Rindërtim?

Sidoqoftë, thekson Sokolski, nëse Ukraina, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia e kanë bërë rinovimin dhe menaxhimin e termocentralit një kusht, pa përgjigje të qarta, rilindja e Zaporizhias mund të bëhet më shumë një pengesë, sesa një katalizator për paqen.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Tokat e rralla, uji dhe infrastruktura, ‘thesaret’ që Ukraina rrezikon t’ia lëshojë Rusisë appeared first on Gazeta Si.

Një viktimë dhe 10 të plagosur nga zjarret në Gramsh. Digjen shtëpi e bagëti, flakët përfshijnë disa fshatra

12 August 2025 at 18:04

Gazeta Si – Viktima e parë nga zjarret në Shqipëri është regjistruar në një fshat të thellë të Bashkisë së Gramshit, në Kullollas.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, viktima një 80-vjeçar kishte ndezur një zjarr në oborrin e banesës, zjarr i cili shpejt i ka dalë nga kontrolli duke u përhapur në një sipërfaqe të madhe.

I moshuari dyshohet se ka ndërruar jetë nga asfiksia, ndërsa flakët e përhapura më pas në fshat kanë krijuar një situatë mjaft të rrezikshme edhe për banorët e tjerë të fshatit. Deri më tani, raportohet për 8 persona të plagosur si pasojë e zjarreve në Gramsh.

Kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, foli për gjendjen shëndetësore të pacientëve dhe masat e marra për të përballuar situatën e krijuar.

“Situata e zjarreve në Gramsh mbetet e vështirë, sidomos në fshatin Skënderbegas. Kanë ardhur 10 pacientë, pas 6 të parëve kanë ardhur edhe 4 të tjerë. Fatmirësisht pa rrezik për jetën, me intoksikime, ankth dhe gjëra të lehta. Janë 6 ekipe këtu të urgjencës dhe helikopteri të fusha e sportit dhe sipas emergjencës do i nisim drejt Tiranës. Deri tani nuk ka raste të tilla, po i përballojmë këti, spitali i Gramshit në gatishmëri, madje kemi edhe nga Trauma dhe Elbasani nëse do të jetë e nevojshme. Por në këtë moment situata është nën kontroll. Kemi hapur repartë sipër, gjithë personeli është në detyrë”, tha Brataj.

Ai apeloi për banorët që të evakuoheshin sa më parë nëse haseshin me zjarre, pasi rreziku është i lartë. Brataj këshilloi qytetarët dhe veçanërisht banorët e zonave me rrezik që të përdornin peshqir apo rrobë të njomë gjatë zjarreve dhe ta vendosnin në hundë, që të parandalonin asfiksimin nga tymi, që sjell edhe pasoja fatale.

Për shkak të daljes së zjarreve jashtë kontrollit, banorët e 3 fshatrave të Gramshit, Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, janë urdhëruar nga autoritetet të braktisin banesat.

“Është dhënë urdhri për evakuimin e banorëve në tre fshatra të Gramshit: Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, për shkak të dy fronteve të rrezikshme zjarri me të cilat po përballet zona që prej mëngjesit.”, thuhet në njoftim.

Ndërsa në një njoftim të dytë, përsëritet apeli i autoriteteve: “THIRRJE URGJENTE! Për shkak të zjarreve, u bëjmë thirrje banorëve të fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë të largohen menjëherë nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ia gjithë fshati Skënderbegas do të evakuohet, ndërsa shumë banorë, mes lotëve për shtëpitë që po u digjen, refuzojnë të largohen.

Raportohet se ka banorë të lënduar, por zjarrfikësit nuk kanë mundur dot të shkojnë për shkak të tymit. Aktualisht janë nisur katër helikopterë drejt vatrave të zjarrit, pasi ndërhyrja nga toka është e vështirë.

Në mbështetje të forcave vendore, në terren janë dislokuar 80 trupa të Forcave të Armatosura, të cilët po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve dhe krijimin e brezave mbrojtës.

Zjarret, të ndihmuara nga temperaturat e larta dhe era, po përhapen me shpejtësi në një terren të thyer malor, duke e bërë të vështirë ndërhyrjen tokësore.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në orët në vijim pritet të nisë mbështetja nga ajri me helikopterë për të frenuar përhapjen e mëtejshme të flakëve dhe për të ndihmuar në shuarjen e vatrave aktive.

Ndërkohë, Policia e Gramshit ka shpallur në kërkim një 23-vjeçar, R.M., pasi dyshohet se është autori i zjarrit në fshatin Mukaj.

Në njoftimin për mediat blutë bëjnë me dije se si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një stan në pronësi të shtetasit A. S., dhe një sipërfaqe e konsiderueshme pyjore.

The post Një viktimë dhe 10 të plagosur nga zjarret në Gramsh. Digjen shtëpi e bagëti, flakët përfshijnë disa fshatra appeared first on Gazeta Si.

Trafiku i drogës nga Amerika Latine, Europol: Ervis Çela i dënuar për vrasje në Itali

12 August 2025 at 12:23

Gazeta Si – Njëri nga drejtuesit e grupit të trafikut të drogës të goditur pak ditë më parë nga Prokuroria e Posaçme, Ervis Çela, është i dënuar në Itali për një vrasje.

Europol ka njoftuar zyrtarisht goditjen e organizatës kriminale të Franc Çopjas të përfshirë në trafikun e sasive të mëdha të kokainës përmes dy episodeve nga Amerika Latine drejt Evropës, që ka qarkulluar miliona euro.

Në datat 7 dhe 8 gusht 2025, një seri kontrollesh në Shqipëri me urdhër të SPAK dhe GJKKO çuan në arrestimin e 10 personave të përfshirë në trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të kokainës dhe pastrim parash.

“Operacioni u zhvillua nga autoritetet shqiptare të rendit në bashkëpunim të ngushtë me kolegët e tyre nga Belgjika, Franca, Gjermania, Italia dhe Holanda, me mbështetjen e Europol, duke goditur një rrjet kriminal me bazë klanore. Hetimet kanë zbuluar se ky rrjet kishte lidhje me organizata të tjera kriminale ndërkombëtare me rrezikshmëri të lartë, aktive në mbarë BE-në dhe më gjerë”, njofton Europol.

Sipas EUROPOL, Ervis Çela, ishte përgjegjës për organizimin e dërgesave dhe investimin në sasi të mëdha të kokainës, duke i koordinuar aktivitetet kriminale edhe nga vende të largëta përmes mjeteve të enkriptuara të komunikimit.

Ai ishte në kërkim nga drejtësia shqiptare pas një vendimi për njohjen e një dënimi me 21 vite burg të dhënë nga një gjykatë italiane për vrasje, privim të lirisë, fshehje të kufomës, kërcënime, posedim të paligjshëm të lëndëve plasëse dhe armëve si dhe pengim të drejtësisë.

Europol i referohet dy vëllezërve, Ervis dhe Ardjan Çela, të dënuar me burg në Itali për vrasje. Ata kanë qenë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana me kartelë “të kuqe”, pasi autoritetet italiane kishin lëshuar urdhër-arresti për vrasje dhe rrëmbim personi.

Ervis Çela është i dënuar me 30 vite burg në Itali, nga të cilat i kanë mbetur 25 vite e 10 muaj. Rrjeti kriminal shqiptar, i cili drejtohej nga Franc Çopja, i ekstraduar nga Dubai në Belgjikë në fund të vitit 2023, vepronte në shkallë globale, duke bashkëpunuar me grupe të tjera që mundësonin transportet drejt porteve evropiane.

Fitimet e mëdha, të cilat kapnin dhjetëra miliona euro, investoheshin në prona dhe biznese në Shqipëri dhe vende të tjera të Europës.

Ekspertët e Europol-it përdorën të dhëna të marra nga platforma e komunikimit e enkriptuar Sky ECC, e cila, megjithëse është çaktivizuar që katër vjet, vazhdon të ofrojë informacione të vlefshme për hetimet.

Analiza e komunikimeve në SKY ECC zbuloi dërgesa të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt porteve kryesore evropiane, ku vetëm një prej ngarkesave i solli organizatës mbi 40 milionë dollarë fitime.

The post Trafiku i drogës nga Amerika Latine, Europol: Ervis Çela i dënuar për vrasje në Itali appeared first on Gazeta Si.

Kanabis me postë nga SHBA në Tiranë, arrestohen dy 17-vjeçarë

12 August 2025 at 11:31

Gazeta Si – Dy të mitur, të cilët ishin të përfshirë në trafikimin e 1 kg e 118 gramë kanabis sativa me përqindje të lartë THC, janë arrestuar në Tiranë.

“U arrestuan në flagrancë dy 17-vjeçarë, të cilët u kapën menjëherë pasi morën në një degë postare në Vorë një pako me 1 kg e 118 gramë Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, të trafikuar nga SHBA me qëllim shitjen në Shqipëri. Gjithashtu, u shpall në kërkim një tjetër shtetas i përfshirë në këtë aktivitet, gjeneralitetet e të cilit nuk bëhen publike për shkak se hetimet vijojnë”, njofton policia.

Policia thotë se po punohet për identifikimin dhe kapjen e porositësve të lëndës narkotike, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

The post Kanabis me postë nga SHBA në Tiranë, arrestohen dy 17-vjeçarë appeared first on Gazeta Si.

Trump dërgon Gardën Kombëtare në Uashington: Ka shumë kriminalitet!

12 August 2025 at 11:24

Gazeta Si – Të hënën, Donald Trump njoftoi se do të dërgojë 800 trupa të Gardës Kombëtare në Uashington, D.C., brenda javës së ardhshme dhe se e ka vendosur forcën policore lokale nën kontroll të drejtpërdrejtë federal për të adresuar atë që ai e përshkroi si një krizë krimi në kryeqytet.

Megjithatë, sipas të dhënave të qeverisë lokale, krimi i dhunshëm është në nivelin më të ulët në 30 vjet.

Është një vendim që ka më shumë të bëjë me nevojat politike të Donald Trump – i cili po kërkon të zgjerojë kompetencat e presidencës – sesa me gjendjen e ligjit dhe rendit në kryeqytetin e SHBA-ve.

Dhe është në përputhje me retorikën e presidentit, i cili pretendon se i bën Shtetet e Bashkuara një vend të sigurt, duke përfshirë edhe deportimin e një numri të madh emigrantësh pa dokumente.

🚨 President Trump announces he is invoking the D.C. Home Rule Act to place the D.C. Metropolitan Police Department under direct federal control and deploy the National Guard.

"This is Liberation Day in D.C. — and we're going to take our capital BACK." pic.twitter.com/aqov60mrCW

— Rapid Response 47 (@RapidResponse47) August 11, 2025

Kryetarja e Bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser, e quajti njoftimin e Trump “shqetësues dhe të pashembullt”, ndërsa pranoi autoritetin e presidentit për të marrë përkohësisht kontrollin e forcës policore të qytetit.

Megjithatë, Bowser hodhi poshtë pretendimet e Trump për dhunë të pakontrolluar në kryeqytet dhe theksoi të dhënat pozitive për vitin 2024.

Sipas një ligji federal, Trump mund ta vendosë policinë lokale të Uashingtonit, D.C., nën kontrollin federal për 48 orë në rast emergjence dhe mund ta zgjasë periudhën e kontrollit deri në 30 ditë duke kërkuar më parë miratimin nga Kongresi.

Megjithatë, emergjenca përfundon pas 30 ditësh; për ta zgjatur më tej, si Dhoma e Përfaqësuesve, ashtu edhe Senati, duhet të miratojnë një zgjatje.

Trump tha gjithashtu se njerëzit e pastrehë do të largohen nga kampet në parqet dhe rrugët e qytetit, por nuk tha se ku do të dërgohen.

Garda Kombëtare është forca kryesore rezervë e ushtrisë amerikane. Është e vetmja forcë mbi të cilën guvernatorët e shteteve dhe presidenti kanë autoritet të përbashkët.

Rezervistët zakonisht thirren nga guvernatorët për t’iu përgjigjur fatkeqësive natyrore ose protestave të mëdha, por ka raste të jashtëzakonshme në të cilat presidenti mund të përdorë autoritetin e tij për të vendosur Gardën në raste emergjence ose kryengritjesh që kërcënojnë sigurinë kombëtare.

Trump e dërgoi Gardën Kombëtare për herë të parë qershorin e kaluar në Los Angeles, duke pretenduar se ishte e nevojshme të përmbante protestat kundër disa operacioneve të ICE (agjencia federale për kontrollin e kufijve dhe imigracionin). Ai e bëri këtë kundër dëshirës së guvernatorit demokrat të Kalifornisë, Gavin Newsom: diçka e ngjashme nuk kishte ndodhur që nga viti 1965.

Megjithatë, në të kaluarën, Trump ka thënë vazhdimisht se vendosja e Gardës Kombëtare do të ishte mënyra më e mirë për të adresuar problemin e krimit në përgjithësi, veçanërisht në qytetet e mëdha të SHBA-së të udhëhequra nga demokratët, të cilat Trump shpesh i përshkruan si të rrezikshme dhe jashtë kontrollit. T

erritori i kryeqytetit (Distrikti i Kolumbias, pra shkurtesa D.C.) ka një formë unike administrimi dhe më pak autonomi sesa shtetet e tjera, dhe kjo i jep Trump më shumë mundësi për të ndërhyrë drejtpërdrejt në punët e tij të brendshme sesa në qytete të tjera në të gjithë vendin.

Kjo është përshkruar si një nga arsyet pse Trump zgjodhi Uashingtonin si qytetin e parë që vendosi Gardën Kombëtare në këtë mënyrë.

The post Trump dërgon Gardën Kombëtare në Uashington: Ka shumë kriminalitet! appeared first on Gazeta Si.

Përgjimet / Eurot e kokainës u groposën në rrënjët e ullinjve, Franc Çopja këshillonte: Mos fut lek nën tokë, do prishen

12 August 2025 at 10:44

Gazeta Si – Trafiku ndërkombëtar i drogës, i cili kryhej në portet me te rëndësishmë të Europës, kishte sjellë shumë të ardhura për organizatën e drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja nga Dubai.

Këto para, të cilat kishin rënë në duar trafikantëve ose i pastronin në blerjen e objekteve apo sipërfaqjeve të tokave, antërat e grupit përpiqeshin t’i fshihnin në mënyra të ndryshme.

Një episod interesant është zbuluar nga përgjimet e “Sky-ECC” me Ervis Çelës dhe Franc Çopjes. Sipas përmbajtjes së komunikimit, Çela i thotë Çopjes se ka marrë në Tiranë një shumë parash të dyshuar prej 3.8 milionë euro, kësaj shume i ulet perqindja e transportit të parave cash, e cila është 2%.

Ndërsa Franci i shkruan se ditën e diel do të dorëzojë dhe një shumë tjetër të dyshuar prej 3 milionë euro.

Për gjithë këto të ardhura, Ervis Çela i shkruan se disponon 200 rrënjë ullinj dhe për secilin ulli do të bëjë një gropë për fshehjen e parave.

Pjesë nga biseda e Ervis Çelës me Franc Çopja:

Ervis Çela: Kam 200 ullinj në mal duhet fut naj qyp atyre. Se ullijt rrojnë shumë.

Franc Çopja: Aahaha…kthej flori. Mos fut lek n’tokë. Më dëgjo mu…

Ervis Çela: S’ka flori…Duhet me grabit naj bank..Duhet me porosit nga Afrika…

Franc Çopja: E di që ska..Do flas un ktu me njanin mos na i sajo ky…Po mblidhi avash avash…Por mos fut lek n’tok… Se t’prishen..

Ervis Çela: E di që prishen lekët.

Në datë 13 dhjetor 2020, në orën 21:07, Ervis Çela komunikon me vëllain e tij Ardjan Çela me të cilin dyshohet se bisedojnë në lidhje me fshehjen e parave cash dhe sasinë e parave të akumuluara prej tyre.

Ervis Çela: Marove t’u bo gropa?

Ardjan Çela: Tani po mbaroj duke i përgatit.. filloj dhe shiu tani…

Ervis Çela: Do ja kalosh lalës?

Ardjan Çela: Po të mbaroj fuçin dhe të shkoj t’i mbyll…Ahahaha…

Ervis Çela: Ahahaha…i bone 10?

Ardjan Çela: Lala ka më shumë…Po

Ervis Çela: Të nis dhe 4/5M ktë javë që vjen…Ahahaha…

Ardjan Çela: Flasim më vonë…

Më datë 14.12.2020, në orën 17:03 Ervis Çela komunikon me vëllain e tij Riza Çela, të cilit i shkruan se ka akumuluar një vlerë monetare prej më shumë se 100 milionë euro.

Në megaoperacionin e SPAK për goditjen e kësaj organizate kriminale, u arrestuan 10 persona, ndërsa 6 të tjerë u shpallën në kërkim.

GJKKO ka konfirmuar masën “arrest në burg” për Ervis Çelën edhe për 6 të arrestuarit e tjerë, Albin Çela alias Defrim Çela, Petrit Lakatos alias Petrit Sulejmani, Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami dhe Elidon Çela.

I vetmi me masën sigurie më të butë është Riza Çela, i cili u la në “arrest në shtëpi” dhe “detyrim paraqitje” për dy shoferët e autobusëve, Kujtim Gjyla dhe Ditjon Pepa, të cilët sillnin paratë në Shqipëri. I arrestuar më herët në Belgjikë është Franc Çopja.

The post Përgjimet / Eurot e kokainës u groposën në rrënjët e ullinjve, Franc Çopja këshillonte: Mos fut lek nën tokë, do prishen appeared first on Gazeta Si.

Fshihnin të ardhurat që përfitonin nga valuta, 3 persona në hetim në Elbasan

12 August 2025 at 10:29

Gazeta Si – Administratorët e 3 subjekteve në Elbasan janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi fshihnin të ardhurat që përfitonin nga këmbimi i valutave.

Në operacionin policor të koduar “The Script 2″, janë sekuestruar rreth 6.152.430 lekë në valuta të ndryshme (lekë, euro, dollarë amerikanë, franga zvicerane, paunde etj).

“Gjatë operacionit, janë ushtruar kontrolle në subjektet për këmbimin e valutave (exchange), në qytetin e Elbasanit. Nga kontrollet rezultoi se administratorët e 3 subjekteve të tilla nuk deklaronin të ardhurat që përfitonin. Në përfundim të veprimeve për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për administratorët e 3 subjekteve, shtetasit R. K., 62 vjeç, B. L., 63 vjeç, dhe A. N., 58 vjeç”, – njoftoi policia.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar rreth 6 152 430 lekë në valuta të ndryshme (lekë, euro, dollarë amerikanë, franga zvicerane, paunde etj)”, njofton Policia.

The post Fshihnin të ardhurat që përfitonin nga valuta, 3 persona në hetim në Elbasan appeared first on Gazeta Si.

❌
❌