UASHINGTON, 16 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka hequr dorë nga qëllimi i armëpushimit të menjëhershëm në Ukrainë – përpara bisedimeve me Zelensky në SHBA.
Pas përfundimit të samitit me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë, presidenti amerikan informoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit evropianë rreth diskutimeve.
“Zelensky do të udhëtojë në Uashington të hënën për bisedime me Trump”, sipas një njoftimi nga të dy udhëheqësit.
“Një ditë e shkëlqyer dhe shumë e suksesshme në Alaskë! Takimi me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin shkoi shumë mirë, si dhe një telefonatë në mbrëmje vonë – me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe udhëheqës të ndryshëm evropianë, përfshirë sekretarin e përgjithshëm – shumë të respektuar – të NATO-s, Mark Rutte”, tha Trump.
“U vendos nga të gjithë, se mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës së tmerrshme – midis Rusisë dhe Ukrainës – është të shkohet drejtpërdrejt në një Marrëveshje Paqeje – e cila do t’i jepte fund luftës, dhe jo thjesht një Marrëveshje Armëpushimi, e cila shpesh herë nuk është e qëndrueshme”, theksoi presidenti amerikan në “Truth Social”.
“Presidenti Zelensky do të vijë në Uashington, në Zyrën Ovale, të hënën pasdite. Nëse gjithçka shkon mirë, atëherë do të caktojmë një takim edhe me presidentin Putin”, tha Trump.
Gjithashtu, Zelensky postoi në anglisht në X se po shkonte në Uashington për të diskutuar të gjitha detajet në lidhje me përfundimin e luftës.
“Të hënën do të takohem me presidentin Trump në Uashington, për të diskutuar të gjitha detajet në lidhje me përfundimin e luftës. Jam mirënjohës për ftesën”, postoi Zelensky në anglisht në X.
Ai tha se mbështet propozimin e Trump për një takim tripalësh me presidentin rus Vladimir Putin.
“Ukraina thekson se çështjet kryesore mund të diskutohen në nivelin e udhëheqësve dhe një format tripalësh është i përshtatshëm për këtë”, tha Zelensky.
Zelensky mbështeti përfshirjen e përfaqësuesve evropianë, veçanërisht për çështjen e garancive të sigurisë për vendin e tij.
Pas përfundimit të takimit SHBA-Rusi, Trump informoi Zelensky dhe liderët evropianë për pikat kryesore të diskutimit me Putinin.
Zelensky dhe Trump zhvilluan dje në mbrëmje një bisedë telefonike që zgjati rreth një orë.
Udhëheqësit evropianë iu bashkuan më pas bisedës, e cila zgjati më shumë se një orë e gjysmë në total.
Sipas Komisionit Evropian, bisedimet me Trump dhe Zelensky përfshinë kancelarin gjerman Friedrich Merz; presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen; presidentin francez Emmanuel Macron; kryeministrin britanik Keir Starmer; kryeministren italiane, Giorgia Meloni; presidentin finlandez Alexander Stubb; presidentin polak Karol Nawrocki; sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte – si dhe sekretarin amerikan të shtetit Marco Rubio dhe të dërguarin special të SHBA-së Steve Witkoff.
Konsultime të mëtejshme u pasuan midis udhëheqësve evropianë. Ambasadorët e BE-së të shteteve anëtare do të takohen sot për një takim të jashtëzakonshëm për t’u informuar rreth takimit të Alaskës.
Kremlini hodhi poshtë mundësinë e një takimi tripalësh.
“Një samit i tillë nuk është diskutuar deri më tani në përpjekjet e përbashkëta për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë”, tha sot këshilltari i politikës së jashtme të Putinit, Yuri Ushakov.
“Data për takimin e ardhshëm midis Putinit dhe Trump gjithashtu nuk dihet ende”, tha Ushakov.
“Putini e ftoi Trump në Moskë gjatë një konference të përbashkët për shtyp, në samitin e djeshëm në qytetin Anchorage të Alaskës”, shtoi ai.
Gjatë takimit të tyre afërsisht treorësh – Putini dhe Trump diskutuan mënyrat për t’i dhënë fund luftës – tani në vitin e saj të katërt.
Nuk u njoftuan rezultate konkrete. Putini dhe Trump thanë se do të kishte bisedime të mëtejshme, pa specifikuar datën dhe vendndodhjen.
Trump foli për marrëveshje mbi pika të rëndësishme, por nuk dha detaje. Putini përmendi gjithashtu marrëveshjet – që ai tha se mund të jenë një pikënisje – për një zgjidhje të konfliktit të Ukrainës. //a.i/
The post KOMENT – Trump heq dorë nga qëllimi i armëpushimit të menjëhershëm: “Të shkohet drejtpërdrejt në një Marrëveshje Paqeje” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.