Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 August 2025Main stream

Komuna e Prishtinës rikthehen një tjetër mbrëmje magjike të Kinemasë së Hapur për Fëmijë

By: Kult Plus
20 August 2025 at 13:50

Pas suksesit të edicionit të parë, Komuna e Prishtinës rikthehet me një tjetër mbrëmje magjike të Kinemasë së Hapur, dedikuar fëmijëve të vegjël.

Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ka njoftuar se Kinemaja e Hapur për Fëmijë do të shfaq filma të përzgjedhur te parku në mes të lagjeve Ulpiana dhe Dardania.

“Nën qiellin e hapur, do të shfaqim filma të përzgjedhur për fëmijë, sepse filmi nuk është vetëm argëtim, por një udhëtim i heshtur drejt botës së brendshme, ku fëmijët mësojnë të ëndërrojnë, të ndjejnë dhe të kuptojnë më thellë botën që i rrethon”, thuhet në njoftimin e drejtoreshës Halimi.

Kjo mbrëmje magjike mbahet më 28 gusht në ora 19:30./ KultPlus.com

Shqipëria prezantohet në Francë me artistë të shquar shqiptarë

By: Kult Plus
20 August 2025 at 13:19

Shqipëria është prezantuar në Festival du Périgord Noir, një nga festivalet muzikore më të njohura në Francë, ku muzika ndërthuri traditat, kulturat dhe historitë e Mesdheut.

Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, këtë përvojë e ka cilësuar një udhëtim i paharrueshëm, ku Shqipëria jo vetëm u dëgjua, por edhe u ndje me emocion, nostalgji dhe gëzim.

“Flaka Goranci & Togha Quartet sollën “Meloditë Shqiptare”, duke rikthyer në skenë thellësinë e zërit dhe fuqinë e këngëve popullore. Miksi, Yara Kasti & Tsanta ndezën atmosferën me një koncert të hapur nën qiellin e Terrasson-Lavilledieu, duke ndërthurur muzikë nga Shqipëria në Siri, Liban, Francë e Iran”, ka thënë ministri Blendi Gonxhja.

Tedi Papavrami & Maki Okada po ashtu kanë dhuruar një udhëtim virtuoz që kaloi përmes Shqipërisë, Italisë, Spanjës e Polonisë me pasion dhe mjeshtëri të rrallë.

Kurse Marie-Ange Nguci fali një recital plot ndjenja në piano në një nga netët më magjike të festivalit./ KultPlus.com

Përdorimi i teknologjisë në Shqipëri, mbi mesataren e vendeve të Ballkanit

By: Kult Plus
20 August 2025 at 12:54

Kompanitë shqiptare renditen të parat në rajon  dhe mbi mesastaren e Bashkimit Europian përsa i përket përdorimit të teknologjive të avancuara dhe inteligjencës artificiale në aktivitetin e tyre .Në një raport të fundit të Këshillit për  Bashkëpunim Rajonal, rezulton se mbi  12% e kompanive shqiptare përdorin inteligjencën artificiale, nivel ky   që rezulton sa dyfishi i mesatares rajonale  që është 5% dhe mbi nivelin mesatar të Bashkimit Europian, që arrin në 7%.Por përtej kësaj bizneset  shqiptare kanë vënë në përdorim edhe teknologji të tjera të avancuara dhe 23 % e kompanive  raportuan se përdorin zgjidhje cloud, 33% përdorën analizat e të dhënave e cila qëndron mbi mesataren e rajonit .Në raport vlerësohet edhe niveli i  e-faturimit i cili përdoret nga me 54% të bizneseve, krahasuar me 41% në rajon dhe 38% në BE.

Shqipëria ka  në fokus zhvillimin e Inteligjencës Artificiale e cila   është përcaktuar si një ndër prioritet e Shqipërisë për vitet që vijnë.Strategjia Kombëtare për periudhën 2025-2030 parashikon ngritjen e fabrikave të inteligjencës artificiale  dhe përdorimin e teknologjisë në pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë dhe të shërbimeve.

Risi është edhe fakti se Shqipëria kryeson gjithashtu me përqindjen të lartë të kompanive që përdorin rrjetet sociale dhe mjete të tjera të komunikimit digjital në krahasim me vendet fqinje.

Por përtej bizneseve dhe qytetarët po përdorin gjithnjë e më shumë shërbimet online të shtetit, duke e renditur vendin mbi mesataren e BE-së dhe shumë më lart se Ballkani Perëndimor.

Sipas të dhënave 78.5% e përdoruesve të internetit në Shqipëri kanë përdorur e-qeverisjen, krahasuar me 43% të mesatares rajonale dhe 75% në Bashkimin Europian.

Portali e-Albania shërben si platforma qendrore për aksesin në shërbimet publike, duke funksionuar si një pikë e vetme kontakti për qytetarët dhe ndërmarrjet. Në mars 2025, portali ofronte 1,253 shërbime online dhe kishte rreth 3.21 milion përdorues. / abcnews.al / KultPlus.com

Gonxhja: Fotografët shqiptarë po lënë gjurmë në skenën ndërkombëtare

By: Kult Plus
20 August 2025 at 12:08

Fotografët shqiptarë po lënë gjurmë në galeritë, ekspozitat, shfaqjet dhe festivalet më të rëndësishme.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot shembujt e suksesit në skenën ndërkombëtare të disa prej tyre.

“Fotografët shqiptarë në skenën ndërkombëtare! Nga Roland Tasho me karrierë të gjatë e çmime prestigjioze, te Ilir Tsouko me tregime vizuale bashkëkohore; nga Burim Myftiu me festivalin ndërkombëtar FOTOIST, te Jetmir Idrizi me vepra të publikuara e vlerësuara në mbarë botën”, tha Gonxhja.

Ndërsa ndau informacion mbi eksperiencën profesionale të këtyre fotografëve, ministri Gonxhja vlerësoi se “artistët shqiptarë na nderojnë ndërkombëtarisht”.

“Ndiqni CulturAlb për të njohur më nga afër fotografët shqiptarë që po lënë gjurmë në galeritë, ekspozitat, shfaqjet dhe festivalet më të rëndësishme”, u shpreh ministri Gonxhja.

“Culturalb” është projekti më i ri për promovimin e kulturës shqiptare në botë. Trashëgimia dhe krijimtaria bashkëkohore shqiptare përmes këtij projekti bëhen pjesë e dialogut kulturor ndërkombëtar.

“Culturalb” është nisma zyrtare e qeverisë shqiptare që synon ta bëjë këtë realitet, përmes një kalendari të pasur me ekspozita, shfaqje, diskutime dhe ngjarje kulturore në qytete të ndryshme të botës. Me Culturalb, kultura shqiptare udhëton, bashkëbisedon dhe ndërvepron pa kufij.

Ish-komisionerja daneze e BE-së prezanton linjën e saj të këpucëve

By: Kult Plus
20 August 2025 at 10:57

Ish-komisionerja daneze e BE-së ka prezantuar linjën e saj të këpucëve dhe është imazhi i një prej dizajneve, duke shënuar një kapitull të ri në karrierën e saj pas Brukselit.

Vestager, e cila frymëzoi serialin televiziv “Borgen”, është rikthyer në qendër të vëmendjes si imazhi i koleksionit të këpucëve, të krijuara nga stilistja Frederikke Antonie Schmidt.

E famshme për suksesin në sigurimin e një gjobe prej 14 miliardë dollarësh kundër “Apple” për lehtësime të paligjshme tatimore – dhe e etiketuar nga Trump si “Zonja e Taksave”, ajo është shfaqur së fundmi në tabela gjigante në rrugët e kryeqytetit danez, Kopenhagë – duke buzëqeshur me një fustan të rehatshëm, flokë të thinjur, çizme deri në kyçin e këmbës dhe sloganin “Kush e ka pushtetin?”

BE shpjegoi se kompania që e zgjodhi atë, pavarësisht se është themeluar nga një stiliste daneze, Frederikke Antonie Schmidt, ka një stil italian, duke filluar me emrin e saj, Roccamore – një neologjizëm që kombinon “Roccaforte” dhe “Amore”, për të përmbledhur faktin se këpucët janë të rehatshme, të forta dhe gjithashtu femërore.

Për më tepër, themeluesja e linjës së kepucëve studioi në Polimoda, shkolla e modës me qendër në Firence – e renditur ndër dhjetë institutet më të mira të modës në botë – dhe këpucët prodhohen në Itali dhe Portugali.

Sipas njoftimit për shtyp të kompanisë, modeli i dedikuar Margrethe Vestager – u krijua si një homazh për të dhe për të gjitha gratë që përballen kur përgjegjësia është më e madhe.

“Është për ato gra që guxojnë të qëndrojnë në syrin e stuhisë, që vendosin për një axhendë të re dhe e bëjnë të gjithën me stil dhe me kokën lart”, tha kompania.

Çizmet e saj deri në kyçin e këmbës, të disponueshme në ngjyrë lisi dhe të zezë, shiten me pakicë për rreth 415 euro.

Ato janë pjesë e “Power Collection” të Roccamore, që përfshin edhe këpucë të frymëzuara nga Camilla Ley Valentin, bashkëthemeluese e sistemit të menaxhimit të radhëve online Queue-it, dhe Marianne Dahl, shefja e Boston Consulting Group, Inc. (BCG) – një kompani amerikane globale konsulence menaxhimi e themeluar në vitin 1963. /atsh / KultPlus.com

11 vjet pas Conchita Wurst, Eurovisioni rikthehet në Vjenë

By: Kult Plus
20 August 2025 at 10:35

Eurovisioni po rikthehet në Vjenë, në tempullin e muzikës klasike, e cila doli më e preferuar ndaj qytetit malor të Innsbruck, njoftoi sot transmetuesi publik austriak ORF, i cili do të presë konkursin e këngëve të vitit të ardhshëm, finalja e të cilit është planifikuar për më 16 maj.

Kryeqyteti me më shumë se dy milionë banorë kishte aplikuar me sloganin “Evropë, a do të kërcejmë?” duke u bazuar në suksesin e edicionit të vitit 2015, pas triumfit të mbretëreshës me mjekër, Conchita Wurst.

Këtë herë, ishte artisti i ri JJ, një tenor austriako-filipinas 24-vjeçar, i cili mori trofeun.

“Reputacioni i Vjenës si një nga qytetet më të rëndësishme muzikore në botë dhe vendndodhja e saj në zemër të Evropës, e bëjnë atë qytetin ideal pritës për këtë konkurs të 70-të”, komentoi Martin Green, drejtori i Eurovisionit, në një deklaratë pasi vendimi u njoftua në ORF.

Vjena priti gjithashtu Eurovisionin në vitin 1967, pak më shumë se 10 vjet pas krijimit të tij.

Por, eventi aktual nuk ka asgjë të përbashkët me ditët e tij të hershme: ai është tani më ekstravagant dhe spektakolar dhe ndiqet nga 166 milionë shikues në 37 vende dhe po tërheq brezin e ri në median sociale./ atsh/ KultPlus.com

Konstituimi i Kuvendit, sot vazhdon seanca

By: Kult Plus
20 August 2025 at 09:45

Sot, me fillim nga ora 11:00, është thirrur vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka përcaktuar rregulla të reja për konstituimin e organit ligjvënës.

Në këtë seancë pritet të mblidhen 120 deputetët e legjislaturës së 9-të, për të vijuar procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, si dhe për konstituimin e organeve të tjera udhëheqëse.

Pas publikimit të aktgjykimit, afati 30-ditor për përfundimin e konstituimit ka nisur zyrtarisht, duke e vënë Kuvendin dhe subjektet politike përballë një presioni institucional dhe kushtetues për të siguruar funksionalitetin e plotë të institucionit.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar se konstituimi i Kuvendit është një urgjencë shtetërore, duke theksuar rëndësinë e krijimit të institucioneve të reja në këtë periudhë sfidash globale dhe zhvillimesh të ndjeshme rajonale.

Sipas Presidencës, zvarritja e procesit deri më tani ka dëmtuar jo vetëm besueshmërinë e institucioneve dhe zhvillimin e brendshëm, por edhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

Ndërkohë, analistët politikë dhe njohësit e çështjeve juridike kanë paralajmëruar se, pa një marrëveshje politike, konstituimi i Kuvendit mbetet i vështirë.

Juristi Mazllum Baraliu tha se është momenti të tejkalohet retorika e bllokadave dhe të vihet funksionaliteti institucional në fokus.

Po ashtu, analisti Dorajet Imeri deklaroi se momentumi i tanishëm, që ka mbajtur peng jetën institucionale të vendit, duhet të përmbyllet me një marrëveshje politike në shërbim të stabilitetit dhe demokracisë.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të zgjedhë kryetarin e tij përmes votimit të hapur, brenda 30 ditësh, me jo më shumë se tri raunde votimi për të njëjtin kandidat./rtk/ KultPlus.com

‘Skyscanner’: Cilat janë plazhet më të bukura në Shqipëri?

By: Kult Plus
20 August 2025 at 09:22

Zbuloni plazhet më të mira të Shqipërisë, ku ju presin peizazhe mahnitëse bregdetare, sipas një artikulli të botuar në revistën italiane të udhëtimeve “Skyscanner”.

Shqipëria po përjeton një bum turistik. Riviera Shqiptare është e mbushur me plazhe marramendëse për një përvojë luksoze të përballueshme.

Zbuloni parajsën bregdetare në plazhet më të bukura të Shqipërisë, vetëm pak orë larg Italisë.

Pse të zgjidhni Shqipërinë për pushimet tuaja të ardhshme në plazh? Bukuri e virgjër dhe aventura në Adriatik.

Vizitoni këtë perlë në brigjet e Adriatikut dhe Jonit – me plazhe mahnitëse, histori të pasur dhe kuzhinë të shijshme.

Eksploroni rrënojat e lashta, qytetet e gjalla dhe peizazhet spektakolare malore përpara se të relaksoheni në një nga plazhet e virgjëra.

Më poshtë do të gjeni disa nga plazhet më të mira të Shqipërisë, për pushime në bregdet:

Tetë plazhet më të mira në Shqipëri

Qoftë në Rivierën Shqiptare apo në veri të vendit, bregdeti i Shqipërisë ofron një shumëllojshmëri plazhesh për të gjitha shijet.

Do të gjeni bare plazhi të gjalla dhe muzikë të fuqishme në Sarandë dhe Shëngjin, qetësi dhe vende të izoluara – të rrethuara nga natyra në Gjipe, ose ujëra miqësore për familjet në Velipojë.

Zbuloni perlat e fshehura, eksploroni shkëmbinjtë spektakolarë dhe shijoni diellin mesdhetar në këto plazhe mahnitëse shqiptare – në disa nga vendpushimet më të mira bregdetare të Shqipërisë.

1. Saranda
Vendpushimi më i mirë i plazhit në Shqipëri

Qyteti bregdetar i Sarandës konsiderohet kryeqyteti jozyrtar i Rivierës Shqiptare dhe një nga vendpushimet më të mira të Shqipërisë.

Ekziston një përzgjedhje e gjerë plazhesh, më i famshmi prej të cilëve është plazhi kryesor i qytetit.

Do të gjeni një shëtitore të gjallë që ofron një ndërthurje të relaksit dhe argëtimit.

Këto ujëra të kristalta janë njësoj si ato që keni parë në mediet sociale.

Gjithashtu mund të shijoni sporte ujore ose të relaksoheni në një nga baret e njohura të plazhit.

2. Ksamili
Perla e detit Jon

Ky plazh mahnitës dhe piktoresk është një nga destinacionet më të mira të plazhit në Shqipëri.

Ejani për vendndodhjen mahnitëse – një gji me tre ishuj të vegjël të arritshëm me varkë ose me not, nëse jeni mjaftueshëm në formë – dhe qëndroni për të shijuar diellin dhe për t’u zhytur në ujërat mahnitëse bruz. Mos harroni, gushti është muaji më i ngarkuar.

3. Spille
Një shtrirje rëre prej 8 kilometrash

Qershor deri në shtator
Në jug të qytetit portual të Durrësit, do të gjeni shumë hapësirë në këtë shtrirje rëre prej 8 kilometrash.

Në pjesën e plazhit më të afërt me qendrën e fshatit Spille, mund të merrni me qira shezlongje dhe çadra.

Nëse vendosni të endeni më larg, turmat pakësohen, por prapë do të gjeni shumë restorante dhe bare gjatë rrugës.

4. Velipoja
E përshtatshme për familjet

Plazhi më verior i Shqipërisë, pranë kufirit me Malin e Zi, Velipoja ofron rërë të artë, qasje të lehtë në ujë dhe lehtësira të shumta.

Shezlongjet dhe çadrat janë në dispozicion me qira, por zona mund të mbushet me pushues në pikun e sezonit.

Nëse jeni duke kërkuar qetësi, një shëtitje pesë minutëshe do t’ju largojë nga zhurma e argëtimit.

5. Shëngjin
Plot argëtim

Ky plazh i mrekullueshëm ndodhet në bregdetin e famshëm verior të Shqipërisë.

Shtrirja prej 3 kilometrash e plazhit është e mbushur me hotele në njërën anë dhe ujëra të kaltra në anën tjetër.

Rëra e hollë e artë zbret butësisht në detin e cekët dhe të trazuar, duke e bërë atë një destinacion ideal për familjet.

Për më tepër, të gjitha lehtësitë që ju nevojiten për një ditë në plazh janë në dispozicion, nga sportet ujore te shezlongjet dhe një atmosferë festash.

Periudha midis fundit të majit dhe fillimit të qershorit është perfekte për të shmangur turmat.

6. Gjipe
Bukuri natyrore

E mbrojtur nga malet, Gjipeja është një vend paqeje dhe qetësie.

Nëse jeni duke kërkuar një natyrë më të egër përgjatë bregdetit shqiptar, ky është vendi ideal për ju.

Për të arritur në plazh nga rruga, bëni një ecje 30-minutëshe përmes një peizazhi natyror mahnitës.

Gjatë ecjes në këmbë, do të shijoni pamjet magjepsëse të plazhit, përpara se të arrini në breg.

7. Dhërmiu
Vendi ideal i verës

Dërmiu, pranë Drimadhes, është një nga plazhet më të famshme të Shqipërisë.

Dhe gjithçka ka të bëjë me bukurinë e tij të jashtëzakonshme natyrore.

Ecni mbi hapësirën e guralecëve të zbehtë, shijoni ujërat bruz dhe mjedisin përreth.

Bëni një shëtitje të shkurtër përgjatë plazhit dhe do të gjeni një copëz parajse, edhe në muajt e verës.

8. Borshi
Plazh i qetë

Plazhi më i madh i Shqipërisë shtrihet përgjatë një sipërfaqeje prej 7 kilometrash – me guralecë të bardhë të pastër në Rivierën Shqiptare.

Pavarësisht bukurisë së tij, Borshi është një nga plazhet më pak të mbushura me pushues në zonë.

Vendet kryesore që ia vlen të vizitohen larg bregdetit përfshijnë Kështjellën e Borshit dhe Ujëvarat e Borshit aty pranë. /atsh/ KultPlus.com

BBC shtyn në minutën e fundit dokumentarin për Ozzy Osbourne

By: Kult Plus
19 August 2025 at 23:40

Dokumentari i shumëpritur “Ozzy Osbourne: Coming Home”, që ishte planifikuar të transmetohej më 18 gusht, është shtyrë vetëm pak orë para shfaqjes. Vendimi erdhi pas kërkesës së familjes së artistit, që u nda nga jeta më 22 korrik 2025.

Në një deklaratë zyrtare, BBC-ja bëri të ditur se dokumentari nuk do të shfaqet në këtë moment, ndërsa një datë e re pritet të konfirmohet së shpejti.

Filmi dokumentar sjell një portret intim të viteve të fundit të jetës së legjendës së muzikës rock. Ai përfshin përballjen e Ozzy-t me sfidat shëndetësore, rikthimin e tij në Britani, si dhe performancën e tij të fundit me Black Sabbath, më 5 korrik 2025 në Birmingham.

Fillimisht i konceptuar si një seri me disa episode, projekti u rikonceptua në një dokumentar një-orësh për të përmbledhur jetën dhe trashëgiminë e Osbourne në një format më të drejtpërdrejtë. Mediat britanike raportojnë se ndryshimet në tonin e dokumentarit dhe përqendrimi tek momentet e fundit të jetës së tij kanë ndikuar në vendimin për shtyrje.

Dokumentari mbetet një reflektim emocional mbi jetën e Ozzy Osbourne – jo vetëm si ikonë e muzikës, por edhe si bashkëshort, baba dhe njeri në betejë me kohën. Fansat në mbarë botën do të duhet të presin edhe pak për ta parë këtë kapitull përmbyllës të historisë së një legjende./KultPlus.com

Mandatory Credit: Photo by REX/Shutterstock (9708981av) Ozzy Osbourne Download Festival, Day 3, Donington Park, Castle Donington, UK – 10 Jun 2018

Victoria Beckham rrëfen presionin e famës

By: Kult Plus
19 August 2025 at 23:20

Pas më shumë se tre dekadash në qendër të vëmendjes, Victoria Beckham ka vendosur të flasë hapur për çmimin që ka paguar fama. Në një dokumentar të ri të Netflix, që pritet të publikohet në shtator, ish-anëtarja e Spice Girls zbulon se vitet ’90 i sollën jo vetëm sukses, por edhe një presion të jashtëzakonshëm nga mediat dhe publiku.

Mes emocionesh dhe lotësh, Victoria kujton episodet më të vështira të karrierës së saj, përfshirë momentin kur në vitin 1999 u detyrua të peshohej live në televizion, vetëm dy muaj pas lindjes së djalit të saj, Brooklyn. “Ishte e tmerrshme, ndihej si një gjykim publik mbi trupin tim,” shprehet ajo.

Kritikat dhe presioni i pandërprerë e shtynë drejt një regjim të rreptë jetese. Për më shumë se 25 vite, Victoria ka ndjekur një dietë tepër të kufizuar, duke konsumuar vetëm peshk dhe perime të ziera, gjë që e ka konfirmuar edhe bashkëshorti i saj, David Beckham. “E vetmja shkelje e vogël? Një gotë tequila,” thotë me ironi stilistja britanike.

Dokumentari pritet të zbulojë anën e padukshme të një ikone që, pavarësisht imazhit të saj perfekt, ka luftuar për dekada me pasiguritë dhe pritshmëritë e rënda të famës./KultPlus.com

Yesterday — 19 August 2025Main stream

Arkivi i Marubëve, pjesë e Regjistrit të Kujtesës Botërore të UNESCO-s

By: Kult Plus
19 August 2025 at 23:00

Më 19 gusht, në Ditën Botërore të Fotografisë, Shqipëria ka marrë një njohje të rëndësishme ndërkombëtare: arkivi i negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit, që ruhet në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, është përfshirë në Regjistrin e Kujtesës Botërore të UNESCO-s.

Ky vlerësim e ngre më lart trashëgiminë vizuale dhe kulturore të vendit, duke e renditur fotografinë e Marubëve përkrah disa prej dokumenteve më të çmuara të historisë botërore.

Muzeu “Marubi” theksoi se kjo është një njohje historike jo vetëm për artin e fotografisë shqiptare, por edhe për kujtesën e shoqërisë sonë, pasi shkrepjet e Marubëve mbajnë gjurmë të pazëvendësueshme të jetës, historisë dhe identitetit kombëtar.

UNESCO publikoi listën e 74 objekteve të reja të trashëgimisë dokumentare të përfshira në Regjistrin Ndërkombëtar të Memorisë së Botës për vitin 2025, ku tashmë gjendet edhe pasuria e arkivit Marubi.

Ky moment përkon me Ditën Botërore të Fotografisë, duke e bërë këtë përvjetor një ditë të veçantë për Shqipërinë dhe kulturën e saj./KultPlus.com

Prishtina 2030 – Kryeqyteti gati për Lojërat Mesdhetare

By: Kult Plus
19 August 2025 at 22:15

Sipas një njoftimi të publikuar nga kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, kryeqyteti dhe gjithë Kosova kanë hyrë në një kapitull të ri historik: përgatitjet për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Në postimin e tij, Rama thekson se kjo ngjarje nuk është vetëm një organizim sportiv, por një projekt madhor që do të shënojë zhvillim, afirmim dhe një mundësi unike për ta vendosur vendin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, transmeton KultPlus.

Ai bën të ditur se, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është mbajtur takimi i parë për funksionalizimin e Komitetit Organizues të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 (OCMG). Ky hap i rëndësishëm shënon fillimin e punës së koordinuar për organizimin e një ngjarjeje që pritet të jetë ndër më të mëdhatë të mbajtura ndonjëherë në vend.

Rama shton se me udhëzimet dhe mbështetjen e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, organizimi i këtyre lojërave do të udhëhiqet nga profesionalizmi, efikasiteti dhe vizioni afatgjatë. Përtej sportit, projekti pritet të sjellë zhvillim urban, të forcojë promovimin kulturor dhe të shfaqë para botës mikpritjen dhe energjinë e qytetit.

Në vitin 2030, Prishtina do të mirëpresë sportistë dhe vizitorë nga e gjithë hapësira mesdhetare, duke e shndërruar kryeqytetin në një qendër të bashkëpunimit dhe festës sportive.

“Prishtina është gati ta mirëpresë botën mesdhetare në vitin 2030.” – përfundon Rama./KultPlus.com

Himara International Music Festival: Muzikë, turizëm dhe artistë të rinj në bregdetin shqiptar

By: Kult Plus
19 August 2025 at 22:05

Qyteti bregdetar i Himarës nga 21 deri më 28 gusht do të mikpresë edicionin e katërt të Himara International Music Festival.

Ky festival është një ngjarje e rëndësishme kulturore që po kthehet në një traditë të çmuar për artdashësit shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

Festivali do të zhvillohet në sallën “Neço Muko” dhe do të ofrojë shtatë netë koncertesh të pasura dhe të larmishme, duke përfshirë flamenco, jazz, muzikë klasike, kontemporane, si dhe një platformë për artistët e rinj dhe masterklasse për muzikantët në zhvillim.

Artistë nga Shqipëria, Kosova, Franca, Gjermania, Austria, Spanja, Finlanda dhe Hungaria do të performojnë në skenën e festivalit, duke sjellë energji, eksperiencë dhe një frymë ndërkombëtare në zemër të bregdetit shqiptar.

Vizioni i festivalit mbështetet në pesë shtylla kryesore: Promovimi i Himarës dhe trashëgimisë kulturore të saj; ekselenca artistike; mesazhe reflektuese për fenomenet shoqërore; krijimi i hapësirave për artistët e rinj dhe afërsia me publikun përmes një programi të larmishëm dhe tërheqës, shkruan atsh.

Me një kombinim të pasur stilistik dhe përfaqësim të gjerë gjeografik, Himara International Music Festival IV premton të sjellë një përvojë të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit.

“Vështrime të reja” – ekspozitë nga Lum Hajrullahu dhe Festa Ramoja në Europe House Prishtinë

By: Kult Plus
19 August 2025 at 21:39

Më 20 gusht 2025, në ora 19:00, hapet ekspozita “Vështrime të reja” në hapësirat e Europe House Prishtinë, ku do të prezantohen punimet e dy artistëve të rinj: Lum Hajrullahu dhe Festa Ramoja.

E kuruar nga Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka, kjo ekspozitë përfaqëson një ftesë për të parë botën nga këndvështrimi i gjeneratës së re – të pasur me energji, sinqeritet dhe imagjinatë.

“Vështrime të reja” sjell dy perspektiva unike që, ndonëse të ndryshme në formë dhe në shprehje, takohen në thelb përmes një qasjeje të përbashkët: kërkimit të kuptimeve të reja dhe shpërfaqjes së ndjeshmërisë rinore. Në punimet e ekspozuara, vizitorët do të gjejnë momente intime e njerëzore, por edhe peizazhe të gjera që shkojnë përtej të dukshmes, duke reflektuar një intensitet të papërpunuar të shikimit rinor./KultPlus.com

Eurovision 2026 prezanton logon e re, fansat reagojnë me kritika

By: Kult Plus
19 August 2025 at 21:20

Për herë të parë që nga viti 2015, Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) ka zbuluar logon e re të Eurovisionit, e cila do të përdoret nga edicioni i vitit 2026 e më tej.

Në dizajnin e ri, zemra ikonike mbetet në qendër, por logoja është modernizuar me fontin “Singing Sans” dhe shkronja “E” nuk është më e madhe si më parë. Pamja e re është krijuar nga studion britanike PALS, e cila ka punuar edhe në identitetin vizual të Eurovision 2023, transmeton KultPlus.

Drejtori i konkursit, Martin Green, e përshkruan logon si “E guximshme, e gjallë dhe plot zemër”, duke theksuar rëndësinë e saj për platformat digjitale dhe mbrojtjen globale të markës.

“Eurosong ka qenë gjithmonë një evolucion muzikor, kulturor dhe krijues. Ky rifreskim është një nderim për 70 vitet e jashtëzakonshme dhe një hap drejt së ardhmes.”,tha Green.

Megjithatë, ndryshimi nuk është pritur mirë nga fansat, të cilët kanë reaguar me kritika në rrjetet sociale: “Kthehuni te logoja e vjetër”, “Duket sikur është bërë nga një fëmijë” dhe “Nuk është as Disney Channel, as konkurs për fëmijë – logoja e vjetër ishte më e mirë”./KultPlus.com

Bebe Rexha paralajmëron bashkëpunimin e ri me Netsky

By: Kult Plus
19 August 2025 at 20:39

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka njoftuar projektin e saj më të ri muzikor, në bashkëpunim me producentin e njohur belg Netsky.

Kënga titullohet “Light That Leads Me” dhe është prezantuar gjatë verës në disa festivale ndërkombëtare, por do të publikohet zyrtarisht këtë të premte.

“Jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij projekti të mrekullueshëm drum and bass me të jashtëzakonshmin @netskyofficial. Shpresoj ta pëlqeni po aq sa e dua unë”, ka shkruar Bebe në InstaStory.

Ky bashkëpunim sjell një kombinim mes stilit energjik të Netsky dhe vokalit karakteristik të Rexhës, duke u cilësuar tashmë si një projekt me potencial për hit ndërkombëtar./KultPlus.com

‘Heroina e Nebraskës’, kur guximi fiton mbi çdo kërcënim

By: Kult Plus
19 August 2025 at 20:10

Shkruan Albert Vataj

Më 12 janar 1888, pllajat e Nebraskës u zgjuan si çdo ditë tjetër dimri. Qielli ishte i kthjellët, ajri i butë, dhe fëmijët shkonin në shkollë pa pallto, të paditur për dramën që do t’i përpinte orë më vonë. Por në mesditë, qielli u mbyll si një perde e rëndë, dhe nga Kanadaja zbriti një mur i bardhë që rrëzonte gjithçka përpara. Ishte stuhia famëkeqe e borës, “Schoolhouse Blizzard”, një nga më të egërat që kishte njohur ndonjëherë Amerika qendrore.

Në një shkollëz të vetmuar në Mira Valley, mësuesja 19-vjeçare, Minnie Freeman, qëndronte përballë së pamundurës. Çatia dridhej, bora shpërthente përmes derës, ndërsa trembëdhjetë fëmijë e shikonin me sy të mpirë nga frika. Shpresa e shpëtimit nuk ekzistonte. Të priturit ishte njësoj me ngadalësinë e ngricës që nguros jetën.

Atëherë ndodhi ajo që historia e quan heroizëm, por që në thelb është diçka më e thellë: ndjenja e përgjegjësisë njerëzore për të tjerët. Minnie mori një litar, i lidhi fëmijët bashkë, i mbështolli me çdo shall e batanije që mundi dhe, duke marrë frymë thellë, hapi derën për të hyrë në zemër të stuhisë. Çdo hap ishte një betejë me erën që gërryente, me borën që verbonte, me vdekjen që priste në çdo kthesë të padukshme të rrugës.

Por, pas një përjetësie të lodhshme, një hije u shfaq: një shtëpi ferme. Dhe brenda saj, jeta triumfoi mbi acarin. Të trembëdhjetë fëmijët mbijetuan, dhe bashkë me ta, edhe dinjiteti i guximit njerëzor.

Lajmi për aktin e saj përshkoi Amerikën. Gazetat e pagëzuan “Heroina e Nebraskës”. Letra, dhurata dhe këngë si Thirteen Were Saved e ngritën në piedestalin e kujtesës. Por, më shumë se titujt dhe lavdet, ajo që mbeti ishte shembulli: si një vajzë 19-vjeçare, e brishtë në dukje, u bë kala shpëtimi për fëmijët e saj.

Në një stuhi që mori mbi 230 jetë, guximi i Minnie Freeman nuk është thjesht një kapitull i historisë amerikane. Është një dëshmi e përjetshme se heronjtë lindin në çastet kur përgjegjësia për të tjerët bëhet më e madhe se frika për veten.

Kjo histori na kujton se nuk janë gjithmonë të mëdhenjtë, të fuqishmit apo të pushtetshmit që e mbajnë peshën e botës. Nganjëherë është një vajzë e re, me një litar të thjeshtë në dorë, që vendos të mos dorëzohet, dhe në atë akt të vogël, shkruhet madhështia e shpirtit njerëzor./KultPlus.com

Nënë Tereza në Rinas, 1989 – Puthi tokën shqiptare pas dekadash pritje

By: Kult Plus
19 August 2025 at 19:49

Në gusht të vitit 1989, pas shumë refuzimeve të vizës nga autoritetet komuniste, Nënë Tereza vizitoi për herë të parë Shqipërinë, me dëshirën “…për të puthur tokën shqiptare përpara se të vdesë”. Në aeroportin e Rinasit, ajo u ul në gjunjë dhe preku me puthje tokën e atdheut, për herë të parë pas më shumë se gjashtë dekadash largimi.

Gjatë qëndrimit disa ditor, shenjtorja shqiptare vizitoi varrezat e Tiranës, ku preheshin nëna e saj Drandja dhe motra Age, të cilat nuk i kishte parë që prej vitit 1928, kur ishte larguar nga familja.

Vizita u dokumentua nga fotoreporteri francez Michel Setboun, i cili ndoqi më pas edhe kremtimin e meshëve të para në Tiranë dhe Shkodër, në mars 1991, pas rënies së ateizmit shtetëror./KultPlus.com

RAVE mbyll verën me një super-eveniment në Prishtinë

By: Kult Plus
19 August 2025 at 19:27

Një nga netët më të paharrueshme të verës u shënua në kryeqytet, ku organizata RAVE solli një maratonë 14-orëshe muzike elektronike, nga ora 16:00 e pasdites deri në 06:00 të mëngjesit të ditës tjetër.

Evenimenti u zhvillua në dy skena. Në Platonë e Pallatit të Rinisë performuan Hamze, Liburn, Fernando Costantini dhe në kulm, Sven Väth, legjenda e muzikës techno nga Gjermania, i cili për herë të parë solli setin e tij në Prishtinë, duke e mbyllur këtë fazë në mesnatë, shkruan KultPlus.

Pas mesnate, energjia u zhvendos në Sallën e djegur të Pallatit të Rinisë, ku performuan Domenico Rosa, Quest, Adiel dhe Laurine, që e mbylli zyrtarisht këtë natë të gjatë plot ritëm.

Ky super-eveniment shënoi përmbylljen e sezonit veror për RAVE, duke vulosur një verë të mbushur me përvoja të paharrueshme, bashkëpunime të suksesshme dhe një publik gjithnjë në rritje./KultPlus.com

Romani “ë” i Jehonë Kicaj, mes 20 veprave në garë për Çmimin Gjerman të Librit

By: Kult Plus
19 August 2025 at 19:11

Shoqata e Botuesve Gjermanë ka shpallur listën e gjatë të veprave që garojnë për Çmimin Gjerman të Librit, një nga çmimet më prestigjioze të letërsisë gjermanofolëse, me vlerë 25 mijë euro.

Mes 20 autorëve të përzgjedhur nga 200 romane të dorëzuara, është edhe Jehona Kicaj, e lindur më 1991 në Kosovë dhe e rritur në Göttingen të Gjermanisë. Romani i saj me titull “ë”, botuar nga shtëpia botuese Wallstein, trajton dhimbjen e mërgimit dhe pasojat e luftës së Kosovës, duke i dhënë zë kujtimeve të humbura dhe plagëve të pashëruara.

Krahas Kicajt, në listë janë edhe autorë nga Gjermania veriore si Gesa Olkusz (Bremerhaven), Peter Wawerzinek (Rostock) dhe Feridun Zaimoglu (Kiel).

Lista e shkurtër me gjashtë romane do të shpallet më 16 shtator, ndërsa fituesi do të shpallet më 13 tetor, në kuadër të Panairit të Librit në Frankfurt./KultPlus.com

❌
❌