‘The Roses’: Dashuri, karrierë dhe kaos

Ka shumë përplasje në komedinë e çmendur mbi martesën “The Roses”. Ego dhe karriera që shemben, ndërtesa që rrënohen, dhe në qendër të gjithçkaje qëndron martesa dikur e lumtur, por tani e kalbur e Ivy dhe Theo Rose, e interpretuar në mënyrë përkryer dhe plot ironi nga Olivia Colman dhe Benedict Cumberbatch.
Filmi është i frymëzuar nga romani “The War of the Roses” i Warren Adler, i cili u përshtat për herë të parë në ekran në vitin 1989 me Michael Douglas dhe Kathleen Turner. Por ky version i ri është rimenduar për të goditur në nervin e kohëve moderne. Si epoka e sotme e materializmit, edhe ky film është plotësisht i vetëdijshëm për mënyrën se si paraja dhe suksesi mund të jenë rrënja e shumë të këqijave në një martesë.
Skenari i Tony McNamara, siç pritet nga autori i “The Favourite” dhe “Poor Things”, është një komedi e zezë therëse. Dhe regjisori Jay Roach (Meet the Parents, Meet the Fockers) është mjeshtër në gjetjen e humorit popullor në disfunksionin familjar. Së bashku, ata krijojnë një dyshe fituese. Por “The Roses” nuk do të funksiononte aq mirë pa lojën mjeshtërore dhe kohën perfekte të Colman, e cila edhe një herë dëshmon se është një mjeshtre e komedisë, dhe të Cumberbatch, i cili ndonëse nuk njihet për role humoristike, këtu është për t’u duartrokitur.
Historia nis afër fundit, me çiftin në një marrëdhënie aq të helmuar saqë edhe terapisti u thotë se martesa e tyre është e dënuar të dështojë. “A është e lejuar ta thuash këtë?” pyet Theo. Por më pas filmi kthehet pas në kohë, dhe për një periudhë të gjatë, plot zgjuarsi, shndërrohet në një rom-com. Në një version thumbues të një takimi romantik të rastësishëm, Ivy dhe Theo njihen në një restorant londinez, ku ajo punon si shefe kuzhine, vetëm një natë para se të shpërngulet për një punë të re. Ai është një arkitekt i irrituar nga kolegët, që endet në kuzhinë dhe thotë se mund të vriste veten. Ajo i thotë se do t’ia jepte thikën që ka në dorë, por i duhet të presë ushqimin. Dhe kështu ata bien menjëherë në dashuri.
10 vjet më vonë, Roses janë vendosur në Kaliforni me një djalë dhe një vajzë, dhe martesa e tyre është ushqyer me humorin e përbashkët sarkastik. Një shembull i shkëlqyer: ata i japin emrin Hal zërit të inteligjencës artificiale në shtëpinë e tyre të zgjuar, një përshëndetje për kompjuterin e lig në 2001: A Space Odyssey. Karriera e Theos po lulëzon, ndërsa Ivy hap një restorant me ushqime deti të quajtur “We’ve Got Crabs”. Ncuti Gatwa (Doctor Who) dhe Sunita Mani janë të gjallë në rolet e vogla si stafi i saj.
Por filmi me zgjuarsi kthehet në një rom-com të përmbysur, kur karriera e Theos rrëzohet, ndërsa restoranti i Ivy merr hov. Ne shohim çiftin të bjerë nga dashuria. Ndryshe nga fillimi i marrëdhënies së tyre, fundi nuk ndodh brenda natës. Theo, tashmë një baba shtëpiak i lodhur, bëhet gjithnjë e më i zemëruar. Ivy po ndërton një perandori restorantesh, e zhytur në tabela Excel dhe fotosesione për revista, me shumë pak kohë për familjen.
Filmi rrezikon të bie në kurthin e paraqitjes së Ivy si një grua shumë ambicioze që neglizhon burrin dhe fëmijët për punën, por fatmirësisht nuk e kalon atë vijë, pasi pranon se karriera ka rëndësi për të dy. Përgjatë gjithë filmit, interpretimi i Colman dhe Cumberbatch e bën dialogun shumë më qesharak se sa tingëllon në letër. Kur Ivy pyet Hal nëse do një Negroni dhe AI përgjigjet: “Unë nuk kam dëshira apo nevoja”, mënyra e lehtë, por e ngarkuar me domethënie, me të cilën Colman përgjigjet “Martohu me mua” është brilante.
Pikat e dobëta të filmit janë rolet anësore të miqve të Roses. Andy Samberg luan mikun besnik të Theos, Barry. Ai është thjesht një kundërpeshë, duke thënë se sekreti i martesës së tij me Amy është inercia, gjë që ndihmon Theo të kuptojë se nuk e do atë lloj jete. Megjithatë, Samberg i jep replikave një nuancë të përmbajtur dhe të goditur. Barry, si avokat i pasurive të paluajtshme, përfaqëson mikun e tij në divorc dhe jep një nga temat më aktuale të filmit kur i thotë Theos: “Divorci është kryesisht çështje prone.”
Kate McKinnon si Amy, që i afrohet hapur dhe vazhdimisht Theos, është “shumë Kate McKinnon”, roli i saj duket si një version i zbutur i “Weird Barbie”. Ndërkohë, Jamie Demetriou dhe Zoë Chao si Rory dhe Sally, janë miq toksikë që s’e kupton pse do të ftoheshin në darka, por janë aty për të përqeshur dallimet kulturore.
Skena e darkës është një pikë kulmore e filmit, ku thumbat që çiftet hedhin ndaj njëri-tjetrit kalojnë nga ngacmim i dashur në urrejtje të sinqertë. Kur Rory dhe Sally përpiqen të imitojnë humorin britanik të thatë të Ivy dhe Theo, arrijnë vetëm të prodhojnë fyerje të kota.
Por “The Roses” vetë është një përzierje e zgjuar, e egër dhe argëtuese e humorit britanik dhe shkëlqimit hollivudian./BBC/KultPlus.com