Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 August 2025Main stream

BERLIN – Wadenphul : Bashkëpunimin me Estoninë dhe Danimarkën në fushën e sigurisë

28 August 2025 at 15:24

BERLIN,  28 gusht /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, synon të thellojë bashkëpunimin në fushën e sigurisë me Estoninë dhe Danimarkën, në kushtet e veprimeve agresive të Rusisë në rajonin e detit Baltik.

“Siguria e rajonit të Baltikut është edhe siguria jonë në Gjermani”, tha politikani konservator gjatë vizitave të tij të para zyrtare në vendet partnere të BE-së dhe NATO-s, Estoni dhe Danimarkë.

Ai planifikon të takohet me homologun e tij Margus Tsahkna në kryeqytetin estonez, Tallinn, si dhe me presidentin Alar Karis.

Pasdite, janë parashikuar takime në Kopenhagë me ministrin e Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, dhe me ministren për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre.

Nga Danimarka, Wadephul do të udhëtojë drejt qytetit francez Toulon, ku nesër do të marrë pjesë në këshillin ministror franko-gjerman.

Ai vlerësoi se Estonia dhe shtetet baltike kishin paralajmëruar herët për rreziqet reale dhe se BE-ja dhe NATO-ja sot përfitojnë nga parashikimi dhe ekspertiza e tyre.

“Ne duam ta thellojmë më tej këtë bashkëpunim”, u shpreh Wadephul.

“Forcimi i mbrojtjes së infrastrukturës kritike në Detin e Veriut dhe Baltik është një tjetër prioritet që Danimarka po shtyn përpara gjatë presidencës së saj në Bashkimin Evropian”, tha ai./  /Ad.Ab./

 

The post BERLIN – Wadenphul : Bashkëpunimin me Estoninë dhe Danimarkën në fushën e sigurisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE sanksione të reja ndaj Rusisë, pas sulmit në Kiev

28 August 2025 at 14:47

BRUKSEL, 28 gusht /ATSH-DPA/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen njoftoi sot masa të reja ndëshkuese ndaj Rusisë pasi raketat ruse goditën në afërsi të zyrës diplomatike të Bashkimit Evropian në Kiev.

“Së shpejti do të paraqitemi me paketën tonë të 19-të të sanksioneve të ashpra”, u tha von der Leyen gazetarëve në Bruksel.

“Paralelisht, po përparojmë punën mbi asetet e ngrira ruse për të kontribuar në mbrojtjen dhe rindërtimin e Ukrainës”, tha ajo.

Rusia sulmoi Ukrainën me 629 dronë, raketa dhe raketa lundrimi që nga mbrëmja e së mërkurës, duke vrarë të paktën 15 persona, sipas Forcave Ajrore Ukrainase.

Von der Leyen tha se dy raketa kishin goditur brenda 20 sekondave nga njëra-tjetra në një distancë prej 50 metrash nga zyra e BE-së.

”Asnjë anëtar i stafit nuk u lëndua”, shtoi ajo, por kryediplomatja e BE-së Kaja Kallas tha se ndërtesa u dëmtua në sulm.

Puna për një paketë të 19-të sanksionesh kundër Rusisë ishte njoftuar disa javë më parë. Sipas diplomatëve, sulmi i fundit rus tani mund të çojë në përpjekje të intensifikuara dhe masa më të forta.

Ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojnë sanksionet e reja në një takim të planifikuar më parë nesër në Kopenhagë. /Ad.Ab./

The post BRUKSEL – BE sanksione të reja ndaj Rusisë, pas sulmit në Kiev appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VJENË – E3 kërcënon Iranin me rikthim sanksionesh

28 August 2025 at 13:19

VJENË, 28 gusht /ATSH-DPA/ – Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe mund të rikthejnë që sot sanksionet e OKB-së ndaj Iranit, nëse Teherani nuk përpiqet të zgjidhë mosmarrëveshjen mbi programin e tij bërthamor, pavarësisht se ekspertët ndërkombëtarë bërthamorë janë rikthyer në Iran.

Tre vendet evropiane, të njohura si E3 ,mund të aktivizojnë të ashtuquajturin mekanizëm të “snapback” në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju Jork.

Ky mekanizëm lejon që sanksionet e vjetra të OKB-së, si embargoja e armëve dhe masat ndëshkuese ndaj individëve dhe organizatave iraniane, të hyjnë sërish në fuqi.

Më herët, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA), Rafael Grossi, tha se inspektorët ndërkombëtarë bërthamorë janë rikthyer në Iran pas një mungese prej më shumë se shtatë javësh. Inspektorët u larguan nga vendi pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit në qershor ndaj objekteve bërthamore iraniane.

Një ekip i IAEA-së është dërguar fillimisht në termocentralin bërthamor të Bushehr-it, i cili nuk ishte objektiv i sulmeve izraelite, dhe jo në impiantet e dëmtuara të pasurimit të uraniumit në Natanz dhe Fordo, sipas informacioneve të siguruara nga dpa.

Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA raportoi se një ekip inspektorësh të IAEA-së ka nisur mbikëqyrjen e ndërrimit të karburantit në centralin e Bushehr-it.

IRNA citoi zëvendësministrin e Jashtëm, Kazem Gharibabadi, të ketë thënë se mbikëqyrja e këtij objekti nga agjencia, i cili operohet së bashku me Rusinë, ishte koordinuar paraprakisht me autoritetet lokale dhe Moskën./   /Ad.Ab./

The post VJENË – E3 kërcënon Iranin me rikthim sanksionesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINË – Kim dhe Putin në Pekin për një paradë ushtarake

28 August 2025 at 12:34

PEKIN, 28 gusht /ATSH-DPA/ –  Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, do të udhëtojë në Pekin në shtator për një paradë ushtarake, në një nga udhëtimet e tij të rralla jashtë vendit, njoftoi sot qeveria kineze.

Presidenti rus, Vladimir Putin, do të marrë gjithashtu pjesë në paradën ushtarake në Pekin më 3 shtator, e cila shënon kapitullimin zyrtar të Japonisë ndaj forcave aleate në vitin 1945 dhe konsiderohet fundi i Luftës së Dytë Botërore në Kinë.

“Kina dhe Koreja e Veriut janë fqinjë miqësorë dhe Pekini e mirëpret ngrohtësisht Kimin”, tha zëvendësministri i Jashtëm, Hong Lei.

Ai theksoi se Pekini dhe Pheniani luftuan së bashku gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke shtuar se Kina është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Korenë e Veriut dhe të promovojë paqen në rajon.

Kim rrallëherë udhëton jashtë vendit. Që nga pandemia e koronavirusit, ai ka lënë vendin vetëm një here, në shtator 2023 për një samit me Putinin, që u zhvillua në Lindjen e Largët, rreth 100 kilometra nga kufiri me Kinën.

Vizita e fundit e Kim në Kinë ishte në janar 2019, kur ai u takua me presidentin Xi Jinping në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin.

Në total, Pekini pret 26 liderë të huaj që të marrin pjesë në përkujtimet.

Sipas burimeve kineze, nga Evropa pritet të udhëtojnë presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri sllovak Robert Fico./   /Ad.Ab./

The post KINË – Kim dhe Putin në Pekin për një paradë ushtarake appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – SHBA kufizon kohëzgjatjen e vizave për studentët dhe gazetarët

28 August 2025 at 11:56

UASHINGTON, 28 gusht /ATSH-DPA/ – Qeveria e SHBA-së planifikon të reduktojë periudhën e vlefshmërisë së vizave për studentët dhe gazetarët.

”Vizat e tipit F, që lejon studentët e huaj të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara, tani do të jenë të vlefshme për maksimumi katër vjet”, njoftoi Departamenti i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.

Aktualisht, studentët marrin vizë për kohëzgjatjen e programit të tyre akademik, që mund të zgjasë deri në pesë vjet në rastin e doktoraturës.

Propozimi i administratës së presidentit Donald Trump përfshin gjithashtu kufizimin e vlefshmërisë së vizave për profesionistët e mediave deri në 240 ditë.

Sipas raportimeve, vizat për gazetarët mund të zgjaten deri në 240 ditë, por nuk duhet të jenë të vlefshme më gjatë sesa koha e detyrës gazetareske.

Zgjatjet do të kërkojnë aplikim pranë Shërbimit të Shtetësisë dhe Emigracionit të SHBA-së (USCIS), duke përfshirë kontrolle më të thelluara.

Kohët e fundit, për shembull, gazetarëve nga Gjermania u ishin lëshuar viza me vlefshmëri deri në pesë vjet.

”Për shumë kohë, administratat e mëparshme kanë lejuar që studentët e huaj dhe mbajtës të tjerë vizash të qëndrojnë praktikisht pa kufij në SHBA, duke rrezikuar sigurinë, duke shpenzuar fonde të konsiderueshme të taksapaguesve dhe duke u sjellë në disavantazh qytetarëve amerikanë”, tha Departamenti i Sigurisë Kombëtare.

Rregulli i synuar ka për qëllim të parandalojë abuzimin dhe të mundësojë autoriteteve të monitorojnë më mirë mbajtësit e vizave./  /Ad.Ab./

 

The post UASHINGTON – SHBA kufizon kohëzgjatjen e vizave për studentët dhe gazetarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Godina e delegacionit të BE-së dëmtohet nga sulmet ruse

28 August 2025 at 11:09

KIEV, 28 gusht  /ATSH-DPA/ – Godina e delegacionit të Bashkimit Evropian në Kiev u dëmtua gjatë sulmeve ajrore të natës nga Rusia mbi kryeqytetin ukrainas.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, akuzoi sot Rusinë në platformën X t për  sulm të qëllimshëm të diplomatëve.

Ai tha se kjo përbën shkelje të Konventës së Vjenës dhe bëri thirrje për dënim ndërkombëtar të sulmit.

“Shprehim solidaritet me kolegët tanë të BE-së dhe jemi gati të ofrojmë ndihmë”,  tha Sybiha, i cili publikoi edhe foto të dëmeve në hapësirat e zyrave.

“Dënoj fuqishëm këto sulme brutale, një shenjë e qartë se Rusia refuzon paqen dhe zgjedh terrorin”, shkroi në X komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos.

Sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, të paktën tetë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmet ajrore në Kiev.

Gazeta ”Kyiv Independent” raportoi se numri i viktimave ka arritur të paktën në 10.

Ushtria ruse përdori jo vetëm dronë, por edhe raketa balistike.

Ukraina, e cila synon të anëtarësohet në BE, po mbron veten nga pushtimi i plotë rus prej më shumë se tre vitesh e gjysmë. /Ad.Ab./

 

The post KIEV – Godina e delegacionit të BE-së dëmtohet nga sulmet ruse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 27 August 2025Main stream

KINEMA – Hap siparin Festivali i 82-të i Filmit në Venecia

27 August 2025 at 16:00

VENECIA, 27 gusht /ATSH/ – Festivali i 82-të Ndërkombëtar i Filmit në Venecia hapet sot nën prezantimin e Emanuela Fanellit, dy herë fituese e çmimit ”Davide di Donatello”, sipas tg24.sky.it.

Një nga titujt më të pritur të këtij viti, i pari nga pesë filmat në garë, “La Grazia” nga Paolo Sorrentino, do të debutojë sot në ”Sala Sardena”, ku luajnë aktorët Toni Servillo, Anna Ferzetti, Orlando Cinque, Massimo Venturiello, Milvia Marigliano, Giuseppe Gaiani, Linda Messerklinger, Vasco Mirandola

Regjisori gjerman, Werner Herzog do të jetë gjithashtu një figurë kyçe, duke marrë çmimin  e parë nga dy “Luanët e Artë” të vitit 2025 për Arritje Gjithëpërfshirëse (tjetri do t’i shkojë  aktores Kim Novak) dhe do të prezantojë dokumentarin e tij të fundit ”Ghost Elephants”, jashtë garës në Festivalin e Filmit në Venecia.

Një tjetër mjeshtër i kinemasë, Francis Ford Coppola, do të mbajë fjalimin mirënjohës për regjizorin Hercog.

Francis Ford Coppola, në mënyrë të papritur, u shfaq në ”Sala Sardena” para fillimit të eventit për të ndjekur versionin e restauruar, premierën botërore, të filmit ”Queen Kelly” (1929) të legjendarit Erich von Stroheim.

Atë e përshëndeti presidenti i Bienales së Venecias, Pietrangelo Buttafuoco, i cili kërkoi një duartrokitje për të.

Salla e mbushur plot u ngrit në këmbë për të nderuar regjisorin e madh të ”The GodFather” dhe ”Apocalypse Now” dhe duke e duartrokitur gjatë atë.

I ulur pranë Coppolës ishte regjisori Alexander Payne, edhe ai i pritur me shumë duartrokitje.

Ovacione pati gjithashtu për Alberto Barbera, drejtori i Festivalit të Filmit, i cili më pas prezantoi filmin.

Para se të largohej, Buttafuoco kujtoi se bienalja është ”një katedër e kulturës në botë dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë”./  /Ad.Ab./

The post KINEMA – Hap siparin Festivali i 82-të i Filmit në Venecia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ANKARA – Turqia dënon njohjen e gjenocidit armen nga Netanyahu

27 August 2025 at 15:30

ANKARA, 27 gusht /ATSH-AFP/-  Turqia dënoi sot njohjen e gjenocidit armen nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, duke thënë se qëllimi i tij ishte të mbulonte krimet e kryera në Rripin e Gazës nga ushtria izraelite.

“Deklaratat e Netanyahut në lidhje me ngjarjet e vitit 1915 janë një përpjekje për të shfrytëzuar tragjeditë e së kaluarës për përfitime politike”, tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë.

Netanyahu pranoi dje gjenocidin armen, në një podcast amerikan, të transmetuar në mbrëmje, i pari podcast për një kryetar qeverie izraelite./   /Ad.Ab./

The post ANKARA – Turqia dënon njohjen e gjenocidit armen nga Netanyahu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PEKIN – Kina refuzon negociatat bërthamore me SHBA-në dhe Rusinë

27 August 2025 at 14:28

PEKIN, 27 gusht /ATSH-AFP/- Kina refuzoi sot ftesën e Donald Trump për të marrë pjesë në negociata tripalëshe me amerikanët dhe rusët mbi reduktimin e arsenaleve bërthamore,

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, kryesisht për shkak të rivalitetit të tyre gjatë Luftës së Ftohtë, zotërojnë gati 90% të armëve bërthamore në botë, shumë më tepër se gjiganti aziatik, i cili renditet i treti.

“Mendoj se denuklearizimi është një objektiv shumë, shumë ambicioz. Rusia është e gatshme ta bëjë dhe mendoj se edhe Kina do të jetë”, u tha Donald Trump gazetarëve.

“Ne nuk mund të lejojmë që armët bërthamore të përhapen. Duhet t’i ndalojmë ato. Fuqia e tyre është tepër e madhe”, theksoi ai në Shtëpinë e Bardhë.

Donald Trump kishte bërë deklarata të ngjashme që në janar.

“Vendet me arsenalet më të mëdha bërthamore duhet të përmbushin me seriozitet përgjegjësitë e tyre të veçanta dhe parësore për çarmatimin bërthamor”, reagoi sot Guo Jiakun, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës.

”Këto vende duhet të bëjnë një ulje të konsiderueshme dhe të rëndësishme të arsenalit të tyre për të krijuar kushtet e nevojshme për arritjen e çarmatimit të plotë dhe përfundimtar bërthamor”, argumentoi ai në një konferencë të rregullt për shtyp.

“Forcat bërthamore të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara nuk janë aspak në të njëjtën shkallë dhe kërkesa që Kina të bashkohet në këto negociata nuk është as e arsyeshme dhe as realist”, shtoi ai./  /Ad.Ab./

 

The post PEKIN – Kina refuzon negociatat bërthamore me SHBA-në dhe Rusinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Danimarka thërret të dërguarin e ambasadës së SHBA-së për çështjen e Groenlandës

27 August 2025 at 12:23

KOPENHAGË 27 gusht /ATSH-AFP/- Danimarka ka thërritur për bisedime të ngarkuarin me pune të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kopenhagë, pas raportimeve në mediat shtetërore se zyrtarë amerikanë me lidhje me presidentin Donald Trump kanë kryer operacione të fshehta ndikimi në territorin autonom danez të Groenlandës.

Trump ka deklaruar disa herë se dëshiron që SHBA-ja të aneksojë këtë ishull të pasur me burime natyrore.

Që nga ardhja në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka thënë disa herë se Amerika ka nevojë për këtë  dhe ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës për ta siguruar atë.

Pjesa më  e madhe e popullsisë së Groenlandës, prej 57 000 banorësh, dëshiron të bëhet e pavarur nga Danimarka, por nuk dëshiron të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara, sipas një sondazhi të kryer në janar.

Transmetuesi publik DR raportoi  sot  se burime qeveritare dhe të sigurisë, të cilat nuk i përmendi me emër, si dhe burime të panjohura në Groenlandë dhe SHBA, besojnë se të paktën tre amerikanë me lidhje me Trump kanë kryer operacione të fshehta ndikimi në këtë territor.

”Tre zyrtarët amerikanë të afërt me presidentin Trump u vunë re së fundmi duke u përpjekur të mbledhin informacion mbi çështje të së kaluarës që kanë krijuar tensione midis Groenlandës dhe Danimarkës, përfshirë largimin e detyruar të fëmijëve groenlandezë nga familjet e tyre dhe një skandal me kontracepsionin e detyruar”, tha raporti.

DR tha se nuk kishte mundur të sqaronte nëse amerikanët vepronin me iniciativa të tyre apo me urdhër të dikujt tjetër./   /Ad.Ab./

 

The post FOKUS – Danimarka thërret të dërguarin e ambasadës së SHBA-së për çështjen e Groenlandës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Kuleba: Armë për Ukrainën dhe sanksione për Rusinë për të ulur Putinin në tryezën e bisedimeve

27 August 2025 at 11:43

ROMË, 27 gusht /ATSH–ANSA/ – Për ta detyruar presidentin rus Vladimir Putin të ulet në tryezën e negociatave, Trump duhet t’i shesë armë Ukrainës dhe evropianëve si dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë, ndërkohë që Evropa duhet të investojë shumë shpejt në prodhimin e armëve të saj dhe në Ukrainë, deklaroi ish-ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, në një intervistë për ”La Repubblica”.

”Putin reagon vetëm kur sheh se kundërshtarët e tij janë seriozë”, theksoi ai.

Duke folur për aftësinë e presidentit amerikan, Donald Trump për ta detyruar Putinin të bisedojë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, Kuleba u shpreh se ”asgjë nuk ishte e pamundur. Është vetëm çështje e balancimit mes kulaçit dhe kërbaçit. Perspektiva e një takimi mes Zelenskyt, Putinit, Trumpit dhe ndoshta evropianëve, iu paraqit publikut pas samiteve të Alaskës dhe Uashingtonit si një nga sukseset më të mëdha. Por, ka kaluar më pak se një javë dhe tashmë askush nuk shpreson se ai takim do të ndodhë. Putini nuk ka asnjë motivim të bëjë lëshime ose të takohet me Zelenskyn”, tha ai.

”Trump dëshiron ta përfundojë luftën sepse i pëlqen të mbyllë luftra. Por, ai është i paparashikueshëm; një ditë është miqësor, ditën tjetër armiqësor. Kur mendon se je pengesë për suksesin e tij, ai bëhet armiku yt. Megjithatë, nuk duhet të kemi frikë se Trump do të dorëzohet, sepse ai nuk mund ta lejojë këtë. Do të konsiderohej si dështim për të. Për këtë arsye, nuk jam i shqetësuar”, shtoi Kuleba.

”Evropa duhet të përgëzohet për atë që ka arritur gjatë tre viteve të fundit. Ka tejkaluar shumë pritshmëri. Por, ende përballet me dy probleme thelbësore: e para është koha – është shumë e ngadaltë. E dyta është se është tepër e rregulluar. Dhe kur bëhet fjalë për luftë ose paqe, këto elemente bëhen të rëndësisshme”,  vlerësoi gjithashtu ish-ministri duke iu referuar BE-së./  /Ad.Ab./

 

The post KIEV – Kuleba: Armë për Ukrainën dhe sanksione për Rusinë për të ulur Putinin në tryezën e bisedimeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Ukraina anulon shfaqjet e frymëzuara nga  Woody Allen

27 August 2025 at 10:23

ROMË, 27 gusht /ATSH-ANSA/ – Disa teatro në Ukrainë kanë njoftuar se do të anulojnë shfaqjet e bazuara në skenarët e Woody Allen, pasi regjisori fitues i çmimit Oscar ishte i pranishëm online në Javën Ndërkombëtare të Filmit në Moskë.

Në Lviv, teatri ”Maria Zankovetska” ka vendosur të anulojë shfaqjet e “Plumbes over Broadway”, një muzikal i bazuar në një skenar nga Allen.

Në Chernivtsi, Teatri Akademik Rajonal Ukrainas i Muzikës dhe Dramës ”Olha Kobylianska” ka anuluar një shfaqje të “A Midsummer Night’s Comedy Or, How Foolish the Entire Human Race Is”, një prodhim i bazuar në një skenar po nga Allen.

Në Kiev, teatri ”Molodyy” ka anuluar shfaqjet e “Riverside Drive”, bazuar në shfaqjen e Allen.

“Ne dënojmë pjesëmarrjen e regjisorit amerikan Woody Allen në Javën Ndërkombëtare të Filmit në Moskë. Kultura nuk mund të shërbejë si mbulesë për krimet”, deklaroi teatri./ /Ad.Ab./

The post KINEMA – Ukraina anulon shfaqjet e frymëzuara nga  Woody Allen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Trump kërkon rikthimin e dënimit me vdekje për vrasjet që ndodhin në Uashington

27 August 2025 at 09:47

UASHINGTON, 27 gusht  /ATSH-DPA/ –  Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi planet për të kërkuar dënimin me vdekje për vrasjet e kryera në kryeqytetin amerikan duke e përshkruar atë si një “masë parandaluese shumë të forta”.

Në SHBA, dënimi me vdekje mbetet i ligjshëm në nivel federal, në ushtri dhe në 27 shtete, megjithëse nuk zbatohet gjithmonë.

Në Uashington, nuk ka pasur ekzekutime që nga viti 1957, sipas Qendrës së Informacionit për Dënimin me Vdekje dhe këshilli i qytetit hoqi dënimin me vdekje në vitin 1981.

Megjithatë, autoritetet federale mund të ngrenë ende akuza sipas ligjit federal.

Trump më parë ishte zotuar të drejtonte Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së që të ndiqte dënimin me vdekje në mënyrë të vazhdueshme.

Ky veprim vjen mes përpjekjeve më të gjera të Trump për të forcuar kontrollin në kryeqytet, ku ai ushtron autoritet më të madh sesa në shtete.

Dy javë më parë, Trump aktivizoi Gardën Kombëtare dhe vendosi përkohësisht policinë lokale nën mbikëqyrjen federale. Ky veprim po përballet me sfida ligjore.

Autoritetet federale që atëherë kanë rritur zbatimin e ligjit, duke përfshirë edhe veprat penale të lehta./ /Ad.Ab./

 

The post UASHINGTON – Trump kërkon rikthimin e dënimit me vdekje për vrasjet që ndodhin në Uashington appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Merz: Putin po përdor strategjinë e vonesës për të shmangur takimin me Zelenskyn

27 August 2025 at 07:35

BERLIN, 27 gusht /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz akuzoi Moskën për një “strategji vonese”, kur bëhet fjalë për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Ukrainën.

Në një takim me kryeministrin kanadez, Mark Carney në Berlin, ai tha se presidenti rus Vladimir Putin po vonon qëllimisht një takim me Volodymyr Zelenskyn e Ukrainës për t’i dhënë fund luftës.

“Putin beson se është e drejtë ta lidhë këtë takim me parakushte që, nga perspektiva e Ukrainës, dhe gjithashtu nga e jona dhe nga pikëpamja ime personale, janë plotësisht të papranueshme”, tha Merz.

“Pas takimit me Putinin në Alaska dhe më pas në Uashington me Zelenskyn dhe partnerët evropianë në fillim të këtij muaji, presidenti i SHBA-së Donald Trump ka dhënë përshtypjen se ishte afër ndërmjetësimit të një zgjidhjeje paqeje”, tha Merz.

Një takim midis Putinit dhe Zelenskyt duhej të pasonte brenda dy javëve të ardhshme, por afati skadon pas disa ditësh dhe ka pak shenja se një përparim është afër.

Merz tha se topi tani është në fushën e Moskës.

“Nëse pala ruse nuk arrin ta ndërmarrë këtë hap, atëherë do të nevojitet edhe më shumë presion. Bashkimi Evropian tashmë po punon për sanksione të mëtejshme. Nëse një takim si ai i rënë dakord midis Trump dhe Putin nuk zhvillohet, atëherë topi është përsëri në fushën tonë”, theksoi ai./  /Ad.Ab./

The post BERLIN – Merz: Putin po përdor strategjinë e vonesës për të shmangur takimin me Zelenskyn appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

ESTONI – Rrëzohet një dron ukrainas

26 August 2025 at 16:09

RIGA, 26 gusht /ATSH-DPA/ – Një dron luftarak ukrainas u rrëzua në Estoni, thanë sot autoritetet.

Shefi i policisë së sigurisë, Margo Palloson deklaroi në Talin se incidenti besohet se ”ka ndodhur të dielën në mëngjes”.

”Ishte një dron ukrainas që kishte sulmuar objektiva ruse. Nuk ka prova që të ketë qenë dron rus”, tha Palloson.

Sipas raporteve, ky ishte incidenti i parë i këtij lloji në Estoni.

Ukraina kishte sulmuar një terminal nafte dhe gazi rus në portin e detit Baltik në Ust-Luga, pranë kufirit me Estoninë, të shtunën në mbrëmje.

Mjeti ajror ndoshta ishte devijuar nga masat ruse të mbrojtjes elektronike.

Nuk është e qartë nëse droni hyri nga hapësira ajrore e Letonisë apo e Rusisë.

Ministri i Mbrojtjes, Hanno Pevkur, deklaroi se droni goditi Estoninë për shkak se Rusia po vazhdon luftën kundër Ukrainës dhe Kievi po mbron veten.

Përdorimi i dronëve në luftë mund të përbëjë një kërcënim për vendet fqinje.

Në muajt e fundit, dronët rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë, Lituanisë dhe Letonisë përmes Bjellorusisë, një aleate e Rusisë.

Kanë pasur gjithashtu raste të ngjashme në Rumani dhe Moldavi./  /Ad.Ab./

The post ESTONI – Rrëzohet një dron ukrainas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Trump urdhëron njësi speciale në Gardën Kombëtare

26 August 2025 at 15:37

UASHINGTON, 26 gusht /ATSH-ANSA/ – Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv duke i kërkuar sekretarit të tij të Mbrojtjes, Pete Hegseth, të krijojë njësi të specializuara në Gardën Kombëtare që do të jenë të trajnuara dhe të pajisura posaçërisht për t’iu përgjigjur çështjeve të rendit publik.

Sipas CNN, ky është sinjali më i qartë deri tani për synimin e tij për të zgjeruar rolin e ushtrisë amerikane në polici kombëtare në gjithë vendin.

Me urdhrin e ri, Hegseth ngarkohet të sigurojë që Garda Kombëtare e Ushtrisë dhe Garda Kombëtare Ajrore e secilit shtet të jenë të pajisura, të trajnuara, të organizuara dhe të gatshme për të ndihmuar autoritetet federale, shtetërore dhe lokale në shuarjen e trazirave civile dhe garantimin e sigurisë publike dhe rendit, sa herë që rrethanat e kërkojnë, sipas ligjit.

Një nga misionet kryesore të Gardës Kombëtare tashmë është të jetë e trajnuar dhe në dispozicion për të ndihmuar forcat e rendit në sigurinë publike, zakonisht me kërkesë të guvernatorit të shtetit përkatës.

Urdhri gjithashtu e detyron Hegseth-in të ”caktojë një numër të mjaftueshëm anëtarësh të trajnuar të Gardës Kombëtare në çdo shtet, të cilët janë në dispozicion për mobilizim të shpejtë për këto qëllime”, si dhe të krijojë një ”forcë të reagimit të shpejtë” të përhershme, e cila do të jetë ”e gatshme për dislokim të menjëhershëm në mbarë vendin”./ /Ad.Ab./

The post UASHINGTON – Trump urdhëron njësi speciale në Gardën Kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Coppola nderon Herzog me një fjalim mirënjohjeje në Festivalin e Venecias

26 August 2025 at 15:03

VENECIA, 26 gusht /ATSH-ANSA/ – Regjisori i famshëm amerikan, Francis Ford Coppola do të mbajë nesër një fjalim mirënjohjeje për regjisorin e njohur gjerman, Werner Herzog, me rastin e dhënies së ”Luanit të Artë për Arritje në Jetë”, në sallën e madhe të Pallatit të Kinemasë, gjatë natës hapëse të Festivalit të 82-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia.

Nesër në orën 17:00, në sallën ”Korinto” do të prezantohet dokumentari i Mike Figgis ”Megadoc”.

Ky dokumentar bën pjesë në seksionin ”Venice Classics” dhe sjell prapaskenat e xhirimeve të filmit më të fundit të Francis Ford Coppola ”Megalopolis”.

Regjisori i madh Coppola e ka marrë ”Luanin e Artë për Arritje në Jetë” në vitin 1992, gjatë Festivalit të 49-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia.

Werner Herzog do të shfaqë dokumentarin e tij të ri ”Ghost Elephants”, jashtë konkurrimit, nesër.

Po nesër ai do të mbajë edhe një masterclass në ”Match Point Arena”, pranë ”Tennis Club Venezia”, në Lido./   /Ad.Ab./

The post KINEMA – Coppola nderon Herzog me një fjalim mirënjohjeje në Festivalin e Venecias appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – ”Reform UK” kërkon dëbimin e 600 000 azilkërkuesve nën një program emergjent pesëvjeçar

26 August 2025 at 14:29

LONDËR, 26 gusht /ATSH-DPA/ – Partia ”Reform UK” do të kërkojë dëbimin e 600 000 azilkërkuesve, nëse në seancën parë parlamentare zgjidhet në qeveri.

Kreu i partisë, Nigel Farage, paralajmëroi për një “kërcënim të vërtetë për rendin publik”, ndërsa ai dhe Zia Yusuf paraqitën planet e partisë në një aktivitet.

”Reform UK” e përshkruan “operacionin e saj për rivendosjen e drejtësisë” si një program pesëvjeçar emergjence për të ndaluar dhe deportuar migrantët e paligjshëm dhe për të penguar mbërritjet e ardhshme që ata do të zbatonin nëse zgjidheshin në qeveri.

Partia u zotua të sigurojë marrëveshje me vende të tilla si Afganistani, Eritrea dhe Irani për të kthyer migrantët në vendet e tyre.

Farage nuk u përgjigj kur u pyet se sa do të ishte i përgatitur t’i paguante Iranit dhe talebanëve për të marrë mbrapsht të deportuarit.

”Reform UK” pretendon se plani do të kushtojë 10 miliardë paund (13,5 miliardë dollarë) për t’u zbatuar, por do të kursejë 7,1 miliardë paund që shpenzohen aktualisht për migrimin e paligjshëm gjatë pesë viteve të para./  /Ad.Ab./

 

The post BM – ”Reform UK” kërkon dëbimin e 600 000 azilkërkuesve nën një program emergjent pesëvjeçar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

”The Sun”: Durrësi, qyteti ku rezervimet janë rritur me shifrën marramendëse prej 224% krahasuar me 2024-n

26 August 2025 at 12:46

LONDËR, 26 gusht /ATSH – Një qytet bregdetar për të cilin ndoshta nuk keni dëgjuar, por që po përjeton një rritje të madhe të kërkesës nga turistët britanikë, shkruan Cyann FIelding për tabloidin më të njohur britanik ”The Sun”.

I vendosur në bregdetin e Adriatikut, Durrësi është një perlë pak e njohur, por që është shumë më e lirë se pushimet tuaja mesatare evropiane.

Të dhënat e reja nga ”Love Holidays” sugjerojnë se qyteti është një destinacion në zhvillim, me rezervime që janë rritur me një shifër marramendëse prej 224% krahasuar me vitin e kaluar.

Megjithatë, qyteti portual idilik mbetet më pak i mbushur me njerëz dhe më i përballueshëm se disa vende të nxehta evropiane.

I quajtur “qyteti i përjetshëm në bregdetin e Adriatikut” nga Agjencia Kombëtare e Turizmit e Shqipërisë, Durrësi përfiton nga një klimë mesdhetare dhe ofron një numër gjiresh të izoluara me ujëra bruz dhe rërë të artë.

Një nga vendet më të njohura në qytet është plazhi i Durresit, i cili shtrihet mbi tetë kilometra duke e bërë atë më të madhin në Shqipëri.

Të shpërndara përgjatë shëtitores janë bare, kafene dhe restorante të shumta për t’u eksploruar.

Restoranti “Cosmo”, i cili ndodhet në skajin perëndimor të plazhit, është vlerësuar si më i miri në qytet dhe shërben pjata me ushqime deti.

Në shëtitore ka edhe një numër hotelesh, shumë prej të cilave kanë qasje të drejtpërdrejtë në plazh.

Mysafirët gjithashtu mund të marrin me qira dy shezlongje dhe një ombrellë në plazh për një çmim midis 4,33 dhe 21,63 paund.

Nëse nuk ju pëlqen të uleni në plazh, atëherë shkoni në “Hawaii Beach Club” në skelë dhe merrni një koktej për ta shijuar në një nga shezlongjet e klubit me pamje nga deti.

Nëpër baret dhe restorantet në Durres, një birrë ka të ngjarë t’ju kushtojë nga 2,05 deri në rreth 2,40 paund, dhe një gotë verë do të kushtojë rreth vetëm 1,73 deri në 3,03 paund.

Për diçka më aktive, ka një numër aktivitetesh sportive ujore që mund të bëni edhe nga plazhi, të tilla si ski me ujë dhe ”peshq fluturues”.

Qyteti i dytë më i madh i Shqipërisë ka një mori vendesh të ndryshme historike dhe kulturore për t’u eksploruar.

Një vend janë rrënojat e Kalasë së Durrësit, e cila u ndërtua fillimisht në shekullin V, dhe Kulla Veneciane e cila u ndërtua në shekullin XV dhe u përdor për të mbrojtur qytetin nga sulmet.

Nëse shkoni në majë të kullës nëntë metra të lartë, do të shihni pamje mahnitëse të qytetit dhe detit.

Xhamia e Durresit, e cila ndodhet në qendër të qytetit, është gjithashtu falas për t’u vizituar.

U hap fillimisht në vitin 1938, por që atëherë ka pasur një mori përdorimesh të ndryshme, duke përfshirë, në një moment, si qendër rinore.

Sot, është një qendër fetare dhe një vend aktiv adhurimi – prandaj sigurohuni që të visheni siç duhet dhe të hiqni këpucët nëse e vizitoni.

Një tjetër vend kyç për t’u eksploruar është amfiteatri romak i perandorit Hadrian, i cili ka rreth 15 000 vende dhe është amfiteatri i dytë më i madh në të gjithë Ballkanin.

Amfiteatri u ndërtua në fillim të shekullit II dhe u përdor për të pritur tubime shoqërore dhe gara gladiatorësh me kafshë të egra.

Megjithatë, në shekullin IV, luftimet e gladiatorëve u ndaluan dhe një faltore e krishterë u ndërtua në qendër të amfiteatrit.

U zbulua më vonë në vitet 1960, pasi qëndroi e varrosur për qindra vjet për shkak të një numri tërmetesh.

Kushton rreth 2,60 paund për të hyrë në amfiteatër.

Pak jashtë qendrës së qytetit është vreshtaria ”Abaia”, ku vizitorët mund të bëjnë një turne dhe të shohin verëra të ndryshme që prodhohen në vend.

Kjo përvojë është gjëja më e vlerësuar për të bërë në Durrës, me shumë vizitorë që shijojnë vizitën në kantinë dhe restorantin që shërben ushqim vendas për të shoqëruar verërat.

Ka hotele të shumta në të gjithë qytetin, shumica e të cilave janë shumë të përballueshme.

Për shembull, mund të qëndroni në hotel ”Epidamn Boutique & Spa”, i cili ka një restorant, bar dhe kopsht, për 69 paund nata për dy të rritur. Ose, sipas ”Love Holidays”, mund të merrni një paketë shtatënetëshe të minutës së fundit për dy persona, për rreth 138 paund për person, për natë këtë verë./  /Ad.Ab./

The post ”The Sun”: Durrësi, qyteti ku rezervimet janë rritur me shifrën marramendëse prej 224% krahasuar me 2024-n appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump shkarkon guvernatoren e FED, Lisa Cook

26 August 2025 at 10:31

UASHINGTON, 26 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka shkarkuar guvernatoren e Rezervës Federale (FED) Lisa Cook nga posti i saj, duke cituar deklarata të dyshuara të rreme në një ose më shumë marrëveshje hipotekare.

Kishte “arsye të mjaftueshme për të besuar” se guvernatorja kishte bërë deklarata të rreme, tha Trump në një letër drejtuar Cook, të cilën e ndau mbrëmë në Truth Social.

Sipas ligjit amerikan, një president mund të shkarkojë guvernatorët e FED vetëm për shkak të një arsyeje, duke ngritur mundësinë që vendimi i Trump të përballet me sfida ligjore.

Trump i kishte treguar qëllimet e tij ditë më parë, duke u thënë gazetarëve se “do ta shkarkoj nëse ajo nuk jep dorëheqjen”.

Cook kohët e fundit ishte përballur me shqyrtim të hollësishëm për parregullsi të dyshuara në aplikimet për hipoteka, të cilat u raportuan në një letër nga drejtoresha e Agjencisë Federale të Financimit të Strehimit drejtuar Prokurores së Përgjithshme, Pam Bondi.

Për muaj të tërë, Trump ka ushtruar presion mbi Rezervën Federale për të ulur normat e interesit, një kërkesë që nuk është përmbushur pasi politikëbërësit mbeten të shqetësuar për inflacionin, pjesërisht të nxitur nga tarifat e importit të Trump./   /Ad.Ab./

 

The post SHBA – Trump shkarkon guvernatoren e FED, Lisa Cook appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌