Gazeta Si – Palestinezëve u kanë mbaruar rezervat, kanë shpenzuar paratë për të blerë atë pak që ka mbetur në tregun e zi. Fillimisht kanë filluar të zvogëlojnë porcionet në pjata, pastaj kanë hequr dorë nga një, pastaj nga dy vakte, dhe më në fund e kanë reduktuar të hanë vetëm një herë në ditë. Oriz ose thjerrëza. Asgjë më tepër.
Palestinezët janë dobësuar. Ngjyra e lëkurës ka ndryshuar, është bërë e zbehtë dhe e pluhurosur. Tani ka ardhur koha e asaj që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e quan “spektakli i tmerrit”.
Prej një jave shumë prindër po heqin dorë nga ajo pak që kanë për t’ia dhënë fëmijëve të tyre. Por asgjë nuk i ngop. Si në Etiopi në kohë thatësire, si në Burkina Faso në kohë urie, edhe nga Gaza po dalin foto fëmijësh me koka të mëdha mbi shpatulla të fishkura, me sy të humbur në zgavra që duken si kratere dhe me të gjitha brinjët në dukje. Duke vdekur nga uria.
“Është e papranueshme të lejosh hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza me pikatore”, kanë shkruar 28 vende perëndimore. Ja ku janë pikat: 18 kamionë në ditë kur duhen të paktën 500 të tillë për të ushqyer dy milionë palestinezë të burgosur në Rripin e Gazës.
Tmerri për të cilin flet Guterres është fakti që në Jordani ka magazina të mbushura me ushqime që nuk u shpërndahen banorëve të Gazës sepse Izraeli e ndalon.
Kardinali Pizzaballa, një burrë që mund të ishte bërë Papë, ka qenë dy ditë në Gaza pas bombardimit të kishës së vetme të mbetur të krishterë. I kthyer në Jeruzalem, tregoi se e kishte “zemrën të trazuar” për ato që kishte parë.
“Uria është e dukshme”, tha ai në një konferencë për shtyp. “E sheh në mënyrën si ecin njerëzit, të lodhur, të përkulur. E sheh në mënyrën si harrojnë gjërat, si duhet të ulen për të folur, si dremisin vazhdimisht të pafuqi. E sheh në mënyrën si fëmijët kërkojnë për të ngrënë, të dorëzuar, pa besuar se do të marrin ndonjë gjë.”
Dje spitalet e Gazës bënë bilancin: të vdekurit nga mungesa e ushqimit në 24 orët e fundit ishin 15. Një rritje e paprecedentë. Totali i turpit ka arritur në 101. Ndër viktimat e reja 11 ishin të rritur dhe vetëm 4 fëmijë. Kjo do të thotë që uria e shkaktuar nga dora e njeriut (sipas një përkufizimi të hapur nga Mjekët Pa Kufij) po shfaros edhe grupmosha të tjera.
Vetëm të hënën totali ishte 86, por vetëm gjashtë prej tyre ishin të rritur. Tmerri është që për të kërkuar ushqim, njerëzit po vriten. Më shumë se një mijë që nga fundi i majit, thotë Philippe Lazzarini, drejtori i UNRWA, agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë.
Njerëz të vdekur ndërsa prisnin në radhë për ndihmat pranë qendrave të shpërndarjes së organizatës famëkeqe GHF, Gaza Humanitarian Foundation. Vrarë nga plumbat apo bombat izraelite, por edhe nga shtypja ose goditjet e diellit gjatë pritjes për pakot ushqimore. Nuk është e çuditshme. Nuk është aksident.
Më parë, UNRWA nën drejtimin e Lazzarinit menaxhonte mbi 400 qendra të shpërndarjes së ndihmave. Tani GHF hap katër, me ndërprerje. Palestinezët janë të uritur dhe shtyhen për të kapur një pako.
Pastaj për shkak se brenda pakos ka miell, thjerrëza, vaj, biskota, peshk ton në kanaçe, ajo bëhet shumë e rëndë. Kutia çahet dhe duhet të ndalen për ta mbledhur.
Rreshti ndërpritet, njerëzit mbrapa shtyjnë, dikush kap një kuti, fillojnë sherret. Ushtarët izraelitë ose mercenarët amerikanë që janë në detyrë atje “ndihen të kërcënuar” dhe hapin zjarr.
Hapësira ku palestinezëve u lejohet të jetojnë është vetëm një e pesta e asaj që ishte më parë, por qendrat e fondacionit janë gjithsesi shumë pak. Palestinezët ecin me kilometra për të shkuar atje dhe, nëse arrijnë të marrin diçka, për t’u kthyer. Gjatë rrugës të tjerë të uritur u kërkojnë pjesë nga pakoja.
Nuk ka më ligj në Gaza. Në këtë kuptim, Izraeli ka fituar: ka eliminuar rregullin e vendosur nga Hamasi, por rezultati është ky tmerr.
“Pakot arrijnë vetëm tek më të fortët”, shpjegon Mara Bernasconi, sapo është kthyer nga Gaza. “Gratë dhe të moshuarit janë praktikisht të përjashtuar nga shpërndarja e GHF-së”.
Bernasconi punon për OJQ-në franceze Humanity & Inclusion – Handicap International, fituese e Çmimit Nobel për Paqen për luftën kundër minave: “Ne kemi punuar gjithmonë shumë me personat me aftësi të kufizuara. 80 për qind nuk kanë më as paterica e as karrocë, si mund të luftojnë për një pako? Po shuhen thjesht ngadalë”.
Iba është një teknike palestineze e protetikës që ka punuar gjatë me këtë OJQ. E martuar, 34 vjeç, flet në telefon me një fije zëri: “Kemi ende ca thjerrëza që ua japim vajzave tona. Janë dy dhe gjashtë vjeç, çfarë të bëjmë? T’i lëmë të vdesin? Sa herë që dal nga shtëpia nuk e di nëse do t’i gjej ende gjallë.
Mund të vriten nga një bombardim ose mund të jem unë ajo që bie nga uria. Tani për tani unë dhe burri im po mbijetojmë me një lugë kripë dhe një lugë sheqer. Kanë kaluar ditë të tëra kështu. Kam frikë se mos fikem kur ec më shumë se dhjetë metra”.
Diego Regosa është aktualisht në qytetin Deir al-Balah, “zona humanitare” që u sulmua nga Izraeli të hënën. Ai punon për OJQ-në Cesvi. Nuk ka dyshime: “Popullsia është totalisht në kufijtë e mbijetesës, nuk po arrijmë as të gjejmë ujë” sepse Izraeli ndalon edhe hyrjen e karburanti.
“E njoh Sharaq që prej vitesh”, shpjegon Bernasconi. “Peshonte të paktën 90 kilogramë, është ‘menaxheri i zonës’ sonë. Tani peshon më pak se 60 dhe flokët i janë zbardhur menjëherë. E pashë në Zoom. Nuk e njoha”. Show horror!
Marrë nga: “Corriere della Sera”
The post Ushqimi dhe ndihmat me pikatore, në Gaza njerëzit po vdesin (edhe) nga uria appeared first on Gazeta Si.