Jorge Luis Borges për librat, shkrimin dhe poezinë

Jorge Luis Borges, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XX, ka lënë pas jo vetëm vepra të pavdekshme, por edhe mendime të thella për artin e shkrimit dhe fuqinë e librave. Në një rrëfim të veçantë, ai ndalet tek këshillat që do t’ua jepte të rinjve që duan të shkruajnë.
“Një i ri që dëshiron të shkruajë, duhet ta bëjë vetëm kur ndien një nevojë të brendshme e të domosdoshme për të shkruar, jo nga nxitimi për t’u botuar”, thoshte Borges, duke theksuar se leximi duhet të jetë i lirë, i sinqertë dhe i udhëhequr nga pasioni i vërtetë, jo nga fama apo mosha e një autori.
Për Borgesin, letërsia është një art i përjetshëm:
“Shkencat ndryshojnë dhe përditësohen, ndërsa Odiseja mbetet e njëjtë përgjithmonë. Kur diçka shkruhet në mënyrë të mrekullueshme, ajo nuk humb kurrë vlerën.”
Në lidhje me krijimtarinë e tij, ai pohonte se çdo gjë që ka shkruar është thellësisht biografike: “Nuk kam shpikur as personazhe, as situata. Gjithçka që gjendet në librat e mi, më ka ndodhur mua, ndonëse ndoshta jo aq dramatikisht.”
Ndërsa për poezinë, Borges e konsideronte si një nevojë universale dhe të përhershme:
“Gjithçka tjetër mund të ndryshojë – shtetet, planetët, përbërja e botës – por poezia do të mbetet gjithmonë një nevojë e njeriut.”
Ai besonte se edhe nëse të gjithë librat e botës do të digjeshin, njerëzimi do t’i shkruante sërish veprat më të mëdha, sepse thelbi i tyre është i pandashëm nga vetë natyra njerëzore./KultPlus.com
