TEL AVIV, 11 gusht /ATSH-DPA/ – Grupet ndërkombëtare për lirinë e shtypit shprehën zemërim për vrasjen e gjithsej gjashtë punonjësve të medias në një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës.
Korrespondenti i ”Al Jazeera”-s, Anas al-Sharif, një nga gazetarët më të mirë të stacionit që mbulonte luftën 22-mujore, dhe katër kolegë të tij u vranë të dielën në një sulm ajror izraelit që goditi një tendë ku strehoheshin gazetarët në qytetin e Gazës.
Sipas organizatës ”Reporterë pa Kufij”, një gazetar i pavarur u vra gjithashtu, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në gjashtë.
Ushtria izraelite konfirmoi vdekjen e al-Sharif, duke thënë se ai ishte shënjestër sepse nuk ishte gazetar, por udhëheqës i një “qelize terroriste” të Hamasit në Gaza.
Transmetuesi tha se ushtria nuk kishte ofruar asnjë dokument të verifikuar nga burime të pavarura ndërkombëtare për të mbështetur pretendimin.
Ushtria izraelite pretendon se ai ishte përgjegjës për kryerjen e sulmeve me raketa ndaj civilëve dhe ushtarëve izraelitë.
”Shtatë persona në total u vranë në sulm”, tha rrjeti, përfshirë ”al-Sharif, korrespondent i Al Jazeera-s Mohammed Qreiqeh, operatorët e kamerave Ibrahim Zaher, Mohammed Noufal dhe Moamen Aliwa dhe dy individë të tjerë”.
Shoqata Gjermane e Gazetarëve (DJV) tha se ”edhe nëse mund të provohet se al-Sharif punonte për Hamasin, kjo nuk e justifikon sulmin ajror në tendën që përdorej nga punonjës të shumtë të medias”.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) vuri në dyshim pretendimin e Izraelit se al-Sharif ishte një zyrtar i Hamasit.
“Izraeli ka një model të gjatë dhe të dokumentuar të akuzimit të gazetarëve si terroristë pa ofruar asnjë provë të besueshme”, tha organizata në një deklaratë të lëshuar në selinë e saj në Nju Jork.
CPJ thotë se të paktën 192 gazetarë dhe punonjës të medias janë vrarë që nga fillimi i konfliktit në Gaza.
Shoqata e Shtypit të Jashtëm të Izraelit tha se “gjatë 22 muajve të fundit, ushtria izraelite i ka etiketuar vazhdimisht gazetarët palestinezë si militantë, shpesh pa prova të verifikueshme, duke i shndërruar ata në shënjestra”.
“Ne i bëjmë thirrje Izraelit të ndërpresë sulmet ndaj gazetarëve në Gaza dhe t’u lejojë gazetarëve të hyjnë dhe të raportojnë lirisht”, tha organizata në një deklaratë./ /os/
The post TEL AVIV – Grupet për lirinë e medias dënojnë vrasjen izraelite të stafit të ”Al Jazeera”-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.